ATV

Author: G.O.

  • Rama në Konferencën e Dytë për Investitorë “Prishtina 2030”: Interesimi është i madh, duhet mbështetje edhe nga niveli qendror

    Rama në Konferencën e Dytë për Investitorë “Prishtina 2030”: Interesimi është i madh, duhet mbështetje edhe nga niveli qendror

    Komuna e Prishtinës ka organizuar të premten Konferencën e Dytë për Investitorë “Prishtina 2030”, ku u prezantuan projekte infrastrukturore për transformimin e Kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.

    E për ta bërë këtë transformim, niveli lokal kërkoi mbështetje edhe të nivelit qendror, pasi interesimi i investitorëve është i madh.

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se prezantimi i projekteve të transformimit janë të nevojshme dhe ka pasur interes të madh të investitorëve vendor dhe të huaj.

    Po ashtu, për te gjitha këto projekte te mëdha, Rama tha se do te duhet edhe mbështetje nga niveli qendror për të mirën e qytetarëve.

    “Është një ditë monumentale për kryeqytetin. Para nëntë muajve kemi pasur konferencën e parë ku kryeqyteti ka prezantuar projektet e transformimit të cilat janë të nevojshme. Kemi pasur shumë interes të investitorëve vendor dhe nga jashtë te cilët kanë treguar gatishmërinë e tyre. Kemi dashur te gjitha këto projekt-propozime të prezantohen sa më mirë. Kemi arritur me tërheq vëmendjen dhe me ngrit një besim që në kryeqytet po ndodhin gjëra të mira të mëdha dhe transformuese. Prandaj kjo tërheqje e investitorëve ka qenë edhe një qëllim e të gjithave qeverive të mëparshme dhe kjo tregon një siguri në vendin tonë për të ardhmen tonë. Transformimi i kryeqytetit është një punë e madhe dhe jo e lehtë, kam shpall vizionin tim për kryeqytet dhe bashkë me juve po e realizojmë transformimin e kryeqytetit”, u shpreh Rama, teksa përmendi disa nga projektet infrastrukturore që pritet të ndodhin.

    “Një prej projekteve më të mëdha është rruga ‘Xhim Xhema’ apo Rruga ‘A’ që tashmë po bëhet realitetet. Po ashtu projekt i madh është vazhdimi i sheshit ‘Nëna Tereza’, ‘Zahir Pajaziti’ deri në sheshin ‘Xhorxh Bush’. Po ashtu po ndërtojmë shkolla të reja, kemi projekte të reja, por te gjitha këto nuk mjaftojnë sepse edhe investitorët kanë dëshirë me jetu në kryeqytet, vijnë e zgjedhin Prishtinën si vend unik. Duhet edhe ndihma e nivelit qendror në mbështetje sepse ka nevojë investimet janë multimilionëshe dhe nuk i mbulon buxheti i tanishëm”, deklaroi Rama.

    Drejtori i BERZh në Kosovë, Sergey Maslichenko, tha se gjatë kohës që është në vendin tonë ka investuar 50 milionë euro.

    Po ashtu ai njoftoi se ka porositur 30 autobus elektrik në kryeqytet te cilët vijnë vitin e ardhshëm.

    “Ne po bëjmë shumë për Kosovën dhe për kryeqytetin e Prishtinës, kemi 50 milionë euro te investuar por mund të bëjmë edhe më shumë. Prishtina është pjesë e një qyteti të gjelbër dhe ne i përkrahim këto projekte në gjithë botën. Ne dëshirojmë të bëjmë shumë kemi porositur 30 autobus elektrik dhe shpresojmë që vitin tjetër do të vijnë. Ne jemi duke bërë një program për të çliruar pak kryeqytetin. Ne gjithashtu e kemi përkrahur kryeqytetin sa i përket që të kemi edhe izolimin e ndërtesave publike kemi një projekt disa milionësh, dëshirojmë që të vazhdojmë edhe më tutje më projekte në të ardhmen. Një prej projekteve është Unaza E Prishtinës BERZH ka investuar afër 1 milionë euro, ky projekt  është i nevojshëm. NË Kosovë i duhet në te ardhmen që të mbyllin ndotësit e ajrit, por mund të bëjmë më shumë. Pika kyçe për të sjellë investitorë të ri është përmirësimi i infrastrukturës”, tha Maslichenko.

     

  • Të shtëna me armë zjarri në Mitrovicë, dyshohet për të plagosur

    Të shtëna me armë zjarri në Mitrovicë, dyshohet për të plagosur

    Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar para pak minutash në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicë.

    Dyshohet se për pasojë një person ka mbetur i plagosur.

    Njësitet policore tashmë kanë dalë në vendin e ngjarjes, derisa në fotografitë e publikuara nga media lokale “Mitropol”, shihet se është duke u vendosur shiriti i Policisë.

  • Gati një vit nga sulmi në Banjskë, ministri Maqedonci jep sërish alarm për rrezik nga grupet terroriste

    Gati një vit nga sulmi në Banjskë, ministri Maqedonci jep sërish alarm për rrezik nga grupet terroriste

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se derisa grupi i terroristit Millan Radoiçiq endet i lirë në Serbi, gjithmonë ekziston rreziku që të përsëritet një skenar sikurse ai i Banjskës, vitin e kaluar.

    Maqedonci tha se duke pasur parasysh që grupi që drejtohej nga Radoiçiqi ka ikur në Serbi, rreziku brenda territorit të Kosovës që një grup i tillë të organizohet për ndonjë sulm të mundshëm terrorist është zvogëluar.

    Tutje, ai tha se kohët e fundit është vërejtur një shtim i numrit të ushtarëve të KFOR-it, sidomos në brezin kufitar me Serbinë, e që sipas tij, kjo është bërë pikërisht për të penguar futjen e grupeve sikurse ai i Radoiçiqit në Kosovë.

    Maqedonci më tej foli edhe për forcimin e Ushtrisë së Kosovës, duke thënë se këtë po e bëjnë për ta mbrojtur integritetin territorial dhe qytetarët.

  • Kosova pjesë e ushtrimit “Camprep24”, Maqedonci: Skuadrat treguan disiplinë, motiv e përkushtim të lartë

    Kosova pjesë e ushtrimit “Camprep24”, Maqedonci: Skuadrat treguan disiplinë, motiv e përkushtim të lartë

    Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkë me një skuadër nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë e në koordinim me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar kanë realizuar ushtrimin fushor “Camprep24”.

    Për këtë reaguar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka thënë se FSK-ja është e gatshme për këtë garë.

    “Në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrje në garën “Cambrian Patrol 2024”, skuadra e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe një skuadër nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në koordinim me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe me qëllim vlerësimin e skuadrave pjesëmarrëse në garë, kanë realizuar ushtrimin fushor “ Camprep24”, ku skuadrat kaluan sfidat e ngjashme me të cilat do të ballafaqohen gjatë realizimit të garës”.

    “Skuadrat treguan disiplinë, motiv e përkushtim të lartë, duke bërë më të mirën për të përfaqësuar vendet tona në garën më të madhe të ushtrive të botës siç është gara “Cambrian Patrol”, që realizohet çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar dhe me pjesëmarrjen e një numri të madhe nga të gjitha vendet e botës. FSK, krenaria jonë”, ka thënë Maqedonci.

  • Rohde: Procesi i Berlinit e forcon mbështetjen për Kosovën

    Rohde: Procesi i Berlinit e forcon mbështetjen për Kosovën

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është deklaruar në lidhje me organizimin e Procesit të Berlinit, i cili tash e një dekadë organizohet nga Gjermania.

    Përmes një postimi në rrjetin social “X”, ambasadori gjerman u shpreh krenar për 10-vjetorin e Procesit të Berlinit.

    Sipas tij, që nga viti 2014, ky proces ka krijuar lidhje më të forta, në mes të gjashtëshes të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

    “Bashkë jemi të përkushtuar për rritjen e bashkëpunimit dhe mbështetjen në rritje në Kosovë dhe krejt regjionin”, ka shkruar mes tjerash Rohde në platformën “X”.

  • Kim Kardashian merr vëmendje në Los Angeles me një veshje provokuese

    Kim Kardashian merr vëmendje në Los Angeles me një veshje provokuese

    Kim Kardashian mahniti teksa doli në qytetin e saj të lindjes në Calabasas të mërkurën duke veshur një kostum provokues.

    Themeluesja e “SKIMS”, 43 vjeçe, u tërhoq në një ndërtesë në zonë me veturën e saj të veçantë Tesla Cybertruck.

    Asaj iu bashkua shoqëruesi i saj elitar, duke përfshirë fotografin e modës së lartë Indiana 420.

    Kim Kardashian ktheu kokën teksa doli në qytetin e saj të lindjes në Calabasas të mërkurën me një veshje të dobët.

    Kim dukej tejet seksi në një bluzë të vogël “Miu Miu” ngjyrë kafe bashkë me një fund të së njëjtës ngjyrë, shkruan DailyMail.

    Bukuroshja tregoi linjat e saj mahnitëse dhe barkun e tonifikuar.

    Kim thuajse u derdh nga një bluzë e vogël Miu Miu ngjyrë kafe e stiluar me një fund laps që përputhet

    Kim ecte me një palë taka të tejdukshme dhe të larta.

    Flokët e gjata korbi të yllit dukeshin tepër të shndritshëm dhe të shëndetshëm teksa i kalonin belit.

    Sa i përket grimit të saj, Kim shkëlqeu me një grim të bukur të artistit të famshëm të grimit Ariel Tejada. /Telegrafi/

  • Izraeli arreston një qytetar, e akuzon se po planifikonte të vriste Netanyahun

    Izraeli arreston një qytetar, e akuzon se po planifikonte të vriste Netanyahun

    Policia në Izrael ka arrestuar një qytetar izraelit, që pretendon se ishte rekrutuar nga Irani për të vrarë zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, thanë autoritetet më 19 shtator.

    “Një qytetar izraelite ishte rekrutuar nga inteligjencës iraniane për të vrarë figura izraelite. Ai ishte futur dy herë fshehurazi në Iran dhe kishte pranuar pagesa për të kryer misione”, tha policia dhe Shin Bet.

    Në mesin e personave të shënjestruar, sipas njoftimit, ishin Netanyahu, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, shefi i shërbimit të sigurisë Shin Bet, Ronen Bar, por edhe zyrtarë të tjerë të lartë.

    Sipas një dokumenti të gjykatës, që e ka siguruar AFP-ja, personi i arrestuar u identifikua si Mordechai Maman nga Ashkeloni, i lindur më 1952. Në këtë dokument thuhet se ai është arrestuar që nga 29 gushti.

    Në deklaratën e përbashkët të institucioneve të sigurisë u tha se i arrestuari ishte “një biznesmen që ka jetuar në Turqi për një kohë të gjatë” dhe mbante kontakte me turqit dhe iranianët të cilët e njoftuan atë përmes telefonit me një biznesmen iranian të quajtur Eddie.

    Izraeli pretendoi se ka kishte vizituar Iranin në maj të këtij viti, ishte takuar me Eddiem, por Eddie “kishte pasur vështirësi” që të largohej nga Irani.

    Po ashtu u tha se i arrestuari ishte takuar me dikë që quhej Hajjah, që e kishte prezantuar me një operativ të sigurisë iraniane.

    Izraeli tha gjatë këtij udhëtimi të arrestuarit i ishte kërkuar që të kryente misione të sigurisë në Izrael, përfshirë transferimin “e parave apo armëve”, të fotografonte vende publike të frekuentuara dhe që të kërcënonte izraelitë të tjerë, në mënyrë që të rekrutoheshin nga Teherani.

    Autoritetet izraelite pretenduan se ai kishte shkuar në mënyrë të paligjshme në Iran në gusht dhe derisa ishte atje, “ai u takua me agjentë të tjerë të inteligjencës iraniane dhe iu kërkua që të kryente aktivitete terroriste për Iranin në tokën izraelite, përfshirë vrasje”.

    Disa nga personat, që ishte propozuar të vriteshin, sipas Izraelit, synohej të shënjestroheshin në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Ismail Haniyeh, shefit politik të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, u tha në njoftim. Haniyeh ishte vrarë në Teheran gjatë korrikut.

    Irani dhe Hamasi kanë fajësuar Izraelin për vrasjen, por Izraeli nuk është deklaruar për këtë ngjarje.

    Në njoftimin e autoriteteve izraelite u tha po ashtu se të arrestuarit i ishte kërkuar që të kryente edhe detyra shtesë, përfshirë rekrutimin e anëtarëve të agjencisë së spiunazhit të Izraelit, Mossad, që të punonin si agjentë të dyfishtë./REL/

  • Tragjedi në Has të Shqipërisë – Merr flakë shtëpia, vdesin nënë e bir

    Tragjedi në Has të Shqipërisë – Merr flakë shtëpia, vdesin nënë e bir

    Një ngjarje e rëndë me dy të vdekur është regjistruar në fshatin Nikoliq të Hasit, në Shqipëri, në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

    Sipas policisë, një shtëpi u përfshi nga flakët duke bërë që të humbasin jetën nënë e bir. Viktimat janë R.L. dhe nëna e tij F.L.

    Bëhet e ditur se djali, pasi arriti të nxjerrë nga shtëpia bashkëshorten e tij, u kthye për të shpëtuar nënën që kishte mbetur e bllokuar mes flakëve.

    Por fatkeqësisht, për shkak të flakëve të zjarrit, mbeti i bllokuar dhe humbi jetën bashkë me nënën.

    Trupat e tyre të pajetë u konstatuan nga forcat e zjarrfikësve pasi ndërhynë për të shuar flakët. Zjarri në shtëpi paraprakisht dyshohet se ka rënë aksidentalisht.

  • Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, prokurori i Pjetër Shalës i shtohet ekipit

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, prokurori i Pjetër Shalës i shtohet ekipit

    Ka vazhduar edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ku në seancën e sotme Prokuroria është përforcuar edhe me një anëtar tjetër.

    Ekipit që e udhëheq prokurorja kryesore Clare Lawson, i është shtuar edhe Filippo De Minicis, i cili deri tani ka kryesuar çështjen e ZPS-së kundër Pjetër Shalës.

    Ndërkaq, dëshmitari i parë te “Thaçi dhe të tjerët” të cilin po e merr në pyetje De Minicis, është Halim Berisha, i cili kërkoi t’i hiqen masat mbrojtëse të vendosura më parë, me kërkesë të Prokurorisë dhe të fliste publikisht.

  • Harta e rrezikshmërisë nga vërshimet pritet të publikohet në tetor, konfirmuan zyrtarë nga Ministria

    Harta e rrezikshmërisë nga vërshimet pritet të publikohet në tetor, konfirmuan zyrtarë nga Ministria

    PËRGATITI: ARTON HAMITI   

    E paralajmëruar për në qershor, harta e rrezikshmërisë nga përmbytjet, nuk është publikuar akoma.

    Aktualisht, projekti është në fazën e komenteve dhe,sipas zyrtarëve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, do të jetë gati kah mesi i tetorit.

    “Pasi janë dorëzuar rezultatet finale, tashmë jemi në kohën e komenteve. Teksti hartat e rrezikshmërisë është përkthyer në gjuhën shqipe dhe do të jetë në linkun e Ministrisë. Po ashtu, i kemi blerë edhe dy serverë, sepse janë diku 2000 harta që do të ngarkohen.”, tha Sylejman Latifi, zyrtar për përmbytje dhe ndryshime klimatike në MMPHI.

    Megjithatë, harta e rrezikshmërisë, sipas Sylejman Latifit, zyrtar për ndryshime klimatike dhe vërshime, nuk i ndalon ato. Ky projekt mund të kontribuojë vetëm që dëmet nga vërshimet të jenë më të vogla.

    “Andaj edhe direktiva thotë, të adaptohemi me vërshimet këto mund të parandalohen, të zvogëlohen, por jo të ndalen. Kohëve të fundit i kemi edhe vërshimet e shpejta në zona urbane. E kemi rastin 2023 në Skenderaj, rastin tragjik në Pejë. Aty nuk ka pasur përmbytje, por ka pasur vërshim të shpejtë, diku 2-3 orë, por pasojat kanë qenë katastrofike”, shtoi tutje Latifi.

    Teksa, kosovarët duhet të presin së paku edhe një muaj për t’i kuptuar zonat me potencial për vërshime, shira të fuqishme që nisën në fund të javës së kaluar, shkaktuan përmbytje në pjesë të mëdha të Evropës e dhjetëra persona vdiqën.Por vërshime në këto përmasa nuk priten edhe në Kosovë.

    “Bazuar në situatën e përgjithshme hidrometeorologjike në vend, rajon dhe më gjerë, sidomos gjatë ditëve të fundit ku edhe vendi ynë është përfshirë nga reshjet e shiut, të intensitetit të ulët, të cilat kanë ndikuar pozitivisht duke e pasur parasysh periudhën paraprake e karakterizuar me thatësi jashtëzakonisht të lartë dhe temperatura ekstreme, të cilat kanë ndikuar që rrjedhat lumore të kenë nivele dhe prurje minimale për këtë periudhë, ndërsa disa edhe janë tharë plotësisht. Duke i pasur parasysh këta faktorë, nuk parashikohet të ketë vërshime/përmbytje lumore”, u përgjigj Bashkim Kastrati nga IHMK-ja.

    Sidoqoftë, disa komuna të Kosovës viteve të fundit pësuan dëme të mëdha nga vërshimet, që sipas ekspertëve, kryesisht ndodhën për shkak të ndryshimeve klimatike, ndërhyrjeve në shtretër të lumenjve dhe ndërtimeve pa leje.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: