ATV

Author: G.O.

  • Shqiptarët e Luginës kërkojnë ndihmë nga Kosova në lëshimin e lejeqëndrimit apo edhe të shtetësisë

    Shqiptarët e Luginës kërkojnë ndihmë nga Kosova në lëshimin e lejeqëndrimit apo edhe të shtetësisë

    PËRGATITI: DRITON SADIKU  

    Shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdimisht po pakohen në ato treva.

    Derisa Serbia ua pasivizon adresat e vendbanimeve ata thonë se struktura etnike po ndryshon në atë territor.  

    “Shteti serb ka shkuar edhe më tutje në mënyrë më të sofistikuar, është duke bërë diskriminimin e shqiptarëve me pasivizimin e adresave këtu në Luginë të Preshevës dhe duke ua pamundësuar qytetarëve tanë jetesën në trojet e tyre”, deklaroi politikani nga Lugina, Visar Mehmeti.

    Në këtë formë, shqiptarët që jetojnë në Preshevë,Medvegjë e Bujanoc, nuk mund të nxjerrin dokumente nga administrata serbe. Mungesa e dokumentacionit po iu sjell telashe shtesë, ngase nëse duan të vendosen nëKosovë vështirësohet marrja e lejes së qëndrimit.

    Andaj kërkojnë ndihmë nga Kosova pasi për t’u bërë shtetas u duhen 10 vjet qëndrim pa ndërprerë në territorin e republikës.

    “Asnjëherë nuk është bërë sa duhet, duke e ditur se shumë qytetarë tanë të cilët jetojnë dhe veprojnë, dhe paguajnë taksa në Kosovë edhe sot kanë problem kryesor lejeqëndrimin apo shtetësinë”, shtoi tutje Mehmeti.

    Sipas ligjeve të Kosovës, për të marrë leje qëndrimi të përkohshëm në Kosovë nevojiten disa dokumente siç janë pasaporta valide, dëshmi që nuk ndiqen penalisht,dëshmi e qarkullimit financiar e të tjera, ndërkaq për të marrë leje qëndrimi të përhershëm krahas dokumenteve, nevojitet që t’i kenë 5 vjet qëndrim pa ndërprerë në shtetin përkatës.  

    E ata që e duan shtetësinë e Kosovës, u duhet të qëndrojnë edhe 5 vjet të tjera pa ndërprerë, pas marrjes së leje qëndrimit të përhershëm.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, reagime të shumta rreth një dokumenti marrëveshje në mes të shkollave

    “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, reagime të shumta rreth një dokumenti marrëveshje në mes të shkollave

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI  

    Grupet punuese të shkollave në kryeqytet hartuan dhe miratuan “marrëveshjen mes Prindërve dhe Shkollës”.

    Në këtë marrëveshje, ku janë të listuara rregullat e shkollës, përfshirë kodin e  sjelljes, sigurinë e ruajtjen e inventarit, u kërkua edhe pëlqimi i prindërve.

    Me përmbajtjen u pajtuan prindërit, por ata kundërshtuan emërtimin që iu bë në këtë dokument.

    Në vend të babait e nënës, u përdorën termet me numra, si prindi një e prindi dy.

    Përcaktimi i prindërve me numra, po shihet si e jashtëligjshme nga njohësit e fushës.

    “Në aspektin ligjor jemi kundër këtij termi, sepse nuk e hasim në asnjë dokument ligjor, as në ligjin e familjes, në asnjë ligj që i përket pjesës së fëmijëve, është një shkelje apo nuk kemi një mbulim ligjor për to”, u shpreh avokatja Rovena Tujani- Klinaku.

    Një emërtim i tillë, sipas sociologut Jeton Brajshori, shkakton huti edhe te fëmijët.

    “Familja tek ne është nukleare, e përbërë nga babai, nëna dhe fëmijët, normalisht se një emërtim itillë shkakton tension, por edhe ka ndikim te fëmijët, sepse nuk e dinë se cilit prind me iu referute njishi e cilit te dyshi, megjithatë është një vendim i ngutshëm. DKA-ja duhet ta tërheqë dokumentin nga shkollat. Le të figurojë emri i të dy prindërve, por le të jetë babai dhe nëna e jo prindi një e dy”, tha Brajshori.

    Por, Drejtoria e Arsimit pati një sqarim.

    Dokumenti “Marrëveshja e shkollës me prindërit”,kërkon nënshkrimin e të dy prindërve dhe ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ndërmjet shkollës dhe prindërve, për të siguruar angazhimin e plotë në edukimin e fëmijëve. Ka pasur keqkuptime, ku disa prindër e kanë ndërlidhur këtë marrëveshje me procese të tjera, të cilat nuk janë objekt i këtij dokumenti. Për DKA-në, është thelbësore që të dy prindërit të jenë të angazhuar dhe të kontribuojnë në mënyrë të barabartë në procesin arsimor”, deklaroi drejtorja e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku.

    Emërtime të tilla si prindi një dhe prindi dy, nuk ka as në Projektligjin për kodin civil. Në të shpjegohet qartëroli i prindërve dhe përgjegjësitë, megjithatë nëpër kapituj prindërve iu referohen me emrin nëna dhe babai. Emërtime me numra për prindërit nuk ka as në Projektligjin për fekondim të asistuar.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ZPS-ja ka reduktuar numrin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor që po udhëhiqet ndaj katërshes së UÇK-së

    ZPS-ja ka reduktuar numrin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor që po udhëhiqet ndaj katërshes së UÇK-së

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Përfundimi i dëgjimit të dëshmitarëve të Zyrës sëProkurorit të Specializuar në Hagë, në rastin ndaj katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ështëparaparë të përfundojë në prill të 2025-tës.

    Për këtë rast gjyqësor ishte planifikuar të dëgjoheshin rreth 300 dëshmitarë.

    Megjithatë, Prokuroria ka reduktuar listën.

    Ndërkaq, Michael Doyle, koordinator i zyrës për informim nga Dhomat e Specializuara, është i bindur që intervistimi i dëshmitarëve do të përfundojë sipas afatit, meqë edhe vetë Gjykata ka marrë masat e nevojshme.

    “Nuk do të thosha që mund të zgjasë më shumë se që ishte planifikuar por aktualisht Prokuroria po i prezanton dëshmitarët dhe intervistimi i tyre siç pritet do të përfundojë deri në prill të 2025-s. Nuk flas në emër të Prokurorisë sepse e përfaqësoj Gjykatën, por ajo çfarë mund të them është se gjykatësit kanë marrë masa për të garantuar që gjykimi të përfundojë në kohë optimale.”, tha Doyle.

    Së fundi, Prokuroria e Specializuar në Hagë ka marrëvendim që nga lista e dëshmitarëve të largohen 11 persona. Kurse dëshmitë e 7 dëshmitarëve të tjerë do të pranohen me shkrim./atvlive.tv

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Ambasada e Italisë në Prishtinë ndihmon Kosovën në zhvillimin e turizmit malor

    Ambasada e Italisë në Prishtinë ndihmon Kosovën në zhvillimin e turizmit malor

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI 

    Litarë, veshje, shkopinj e pajisje të ndihmës së parë, janë disa materialet teknike për kërkim-shpëtimin malor që Ambasada e Italisë në Prishtinë ia dorëzoi Kosovës.

    Përmes një marrëveshjeje të nënshkruar mes Ambasadës italiane dhe komunave Deçan, Pejë e Junik parashihet edhe ndërtimi i stacionit për shpëtim malor.

    Stacionet janë pjesë e projektit NaturKosovo që ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës turistike.

    “Projekti synon të ofrojë informacion mbi shërbimet dhe shtigjet, duke rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetin. Për më tepër, sipërmarrësit vendas dhe shoqatat e biznesit do të marrin udhëzime nga OJQ-të italiane për të përmirësuar aftësitë e mikpritjes në aktivitetet në natyrë”, tha ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonelo De Riu.

    Falënderuese për mbështetjen ishte edhe ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.

    Për kryetarët e komunave me turizmin më të zhvilluar malor në vend, ndihma ishte e domosdoshme.

    Projekti, ndryshe bashkëpunim mes Agjencisë italiane për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Ministrisë së Industrisë së Kosovës do të kushtojë 1.8 milion euro./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Kurti do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

    Kurti do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Zyra e Kryeministrit konfirmoi se shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 19 shtator në Bruksel.

    Në takim, ku janë ftuar udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të diskutohet për agjendat e reformave dhe rritjes, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani 6-miliardësh i Rritjes.

    “Ky takim vjen në nisjen e mandatit të ri të kryetares së Komisionit Evropian dhe shërben që ajo ta krijojë një opinion se si qëndron çështja me agjendën e reformave dhe për ta ndërtuar vizionin se si ta integrojë Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2030.”, tha profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi.

    Derisa, dreka e thirrur, mbahet dy ditë pasi në Bruksel dështoi të mbahet takimi trepalësh në nivel kryenegociatorësh, për të përfituar nga pakoja 6 miliardësh, Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë progres në normalizimin e marrëdhënieve.

    Në këtë kontekst, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, përmendi dy skenarë të mundshëm.

    “Këto janë takime multilaterale dhe është e vërtetë që Kosova dhe Serbia e kanë kushtin e njëjtë, sepse është edhe në aneksin e Ohrit dhe vendet që nuk e zbatojnë atë marrëveshje nuk do të kenë qasje në fondet e BE-së. Unë mendoj që ekzistojnë dy mundësi që të dyja vendeve t’u stopohet qasja në fonde të Bashkimit Evropian dhe e dyta që Kosova të njihet nga BE-ja, pra të pranohet e gjithë pakoja e reformave dhe kështu të gjitha vendet të ecin para drejt integrimit evropian.”, tha tutje Arifi.

    Duke përmendur faktin se as takimet e djeshme të kryengociatorëve me ndërmjetësin evropian, Miroslav Lajçak, nuk shënuan progres, ekonomistët vlerësojnë se pagesat e para për Kosovën dhe Serbinë mund të vonohen.

    “Parashihen 2 miliardë mjete që nuk kthehen dhe 4 miliardë kredi të buta. Krejt kjo shumë parashihet vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. Mirëpo, më e dëmtuara nga ky plan do të dalë Kosova, sepse nuk ka progres në dialog me Serbinë dhe jemi vend i varfër që s’kemi të hyra tjera, s’kemi investime të huaja prandaj edhe pasojat do të jenë më të mëdha. Padyshim që kjo do të ndodhë sepse nuk shoh se do të ketë progres në dialog gjatë këtyre muajve, kur po jemi në prag të fushatës zgjedhore dhe gjithë fokusi do të jetë në zgjedhje dhe nuk pres progres, sikurse dje që nuk pati”, deklaroi ekonomisti Lavdim Hamidi.

    Ndryshe, secili vend është dashur ta përgatisë një agjendë reformash, bazuar në rekomandimet paraprake të BE-së. Agjenda është dorëzuar nga pesë vende të rajonit, përjashtuar Bosnjë e Hercegovinën.

    Kosova, ndërkaq, ka qenë ndër vendet e para që e ka dorëzuar planin e saj në Komisionin Evropian.

    Bazuar në një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë rreth 900 milionë euro nga Plani i Rritjes./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Egjipti thotë se s’do të pranojë ndryshime të sigurisë në kufirin me Gazën

    Egjipti thotë se s’do të pranojë ndryshime të sigurisë në kufirin me Gazën

    Egjipti nuk do ta pranojë asnjë ndryshim të masave të sigurisë që ekzistonin në kufirin e tij me Gazën para se të shpërthente lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – tetorin e kaluar, tha të mërkurën ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty.

    Siguria në kufi dhe nëse Izraeli do të vazhdojë të ketë prani të trupave përgjatë një zone të sigurisë 14 kilometra të gjatë, e njohur si Korridori Filadelfi, janë bërë pika kyçe në bisedimet mujore për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve në Gazë.

    Ushtria izraelite dërgoi trupa në Korridorin Filadelfi në maj, kur e nisi një ofensivë përreth Rafahut.

    Egjipti, i cili është ndërmjetës në bisedimet për armëpushim, thotë se Izraeli duhet t’i tërheqë trupat dhe se palestinezët duhet të kenë përsëri prani në pikëkalimin Rafah mes Gadishullit Sinai të Egjiptit dhe Gazës.

    “Egjipti e përsërit qëndrimin e vet, nuk e pranon asnjë prani ushtarake përgjatë anës së kundërt të pikëkalimit kufitar dhe të korridorit të lartpërmendur”, tha Abdelatty për gazetarë gjatë një konference për shtyp me homologun e vet amerikan, Antony Blinken, në Kajro.

    Abdelatty tha gjithashtu se çdo përshkallëzim, përfshirë shpërthimet e pjexherëve nga të cilat u plagosën mijëra njerëz të martën në Liban, do të krijojë pengesa për arritjen e një armëpushimi në Gazë./REL/

  • Hungaria s’do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në KiE, s’i kontribuon dialogut

    Hungaria s’do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në KiE, s’i kontribuon dialogut

    Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, tha sot se Budapesti nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Szijjarto, duke iu përgjigjur pyetjes së mediave serbe në konferencë, tha se qëndrimi i Hungarisë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës ka qenë i qartë qysh më parë.

    “Ne jemi duke u mbështetur në suksesin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por besojmë se fakti që Kosova po aplikon për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare nuk i kontribuon atij dialogu.

    “Hungaria nuk do ta mbështesë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Szijjarto.

    Szijarto sot në Budapest ka takuar Ministren e Ekonomisë së Serbisë, Adrijana Mesaroviq, me të cilën ka biseduar për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

  • Trepça e mundi Keravnosin, ndeshja e parë në kualifikime për Champions League

    Trepça e mundi Keravnosin, ndeshja e parë në kualifikime për Champions League

    Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça e ka kaluar pengesën e parë në Ligën e Kampionëve.

    Të mërkurën në Belek të Turqisë, skuadra mitrovicase mposhti kampionin qipriot, Keravnos, me rezultat 82:79.

    Tani “xehetarët” luajnë ndaj skuadrës çeke Nymburk të premten, që vlerësohet favorite e madhe e turneut të dytë kualifikues.

    Nëse arrin në finale, Trepça do të luajë përballë fituesit nga takimet në mes të: Kutaisi (Gjeorgji), Levice (Sllovaki) ose Kalev/Cramo (Estoni).

    Në kualifikime janë 24 skuadra që do t’i bashkohen 28 skuadrave që tashmë janë përcaktuar për edicionin e ri.

     

     

     

  • Vrasja e Triumf Rizës – Ilir Avdullahu deklarohet i pafajshëm: Nuk e pranoj këtë aktakuzë me thashetheme

    Vrasja e Triumf Rizës – Ilir Avdullahu deklarohet i pafajshëm: Nuk e pranoj këtë aktakuzë me thashetheme

    Ilir Avdullahu është deklaruar i pafajshëm për përfshirje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.

    Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Habibe Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Jam i pafajshëm. Nuk kam të bëjë me këtë rast dhe nuk e pranoj këtë aktakuzë me thashetheme. Deri sot nuk kena pas të bëjmë me drejtësi, po kena pas të bëjmë me një drejtësi private dhe kjo aktakuzë e kam cek edhe në Prokurori ka prova të manipulume, të montume dhe të kontrabandume”, tha Avdullahu.

    Pas deklarimit rreth fajësisë, gjykatësi i rastit Valon Kurtaj e njoftoi Avdullahun dhe mbrojtësin e tij, avokatin Ramë Dreshaj se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe për kërkesë për hudhje të aktakuzës.

    Avokati Dreshaj kërkoi plotësim të lëndës me disa prova dhe tha se do t’i drejtohet me shkrim Prokurorisë, ku do t’i theksojë provat që i kërkojnë nga PSRK-ja dhe arsyet pse i kërkojnë.

    Ndërsa, prokurorja Salihu tha se disa prej atyre që i përmendi avokati nuk janë propozuar në aktakuzë.

    “Qysh e pash unë, disa nga provat që i kërkon avokati nuk janë propozuar në aktin akuzues, por pas marrjes së procesverbalit, do t’i vlerësoj nëse ka diçka që nuk ia kam dorëzu”, tha prokurorja.

    Mbrojtësi i Avdullahut e konsideroi paraburgimin si masë të ashpër dhe i propozoi gjykatës që kjo masë t’i ndërprehet të mbrojturit të tij dhe t’i zëvendësohet me ndonjë masë tjetër.

    Në anën tjetër, prokurorja Salihu tha se qëndron pranë masës së caktuar.

    Më pas, gjykatësi Kurtaj e kundërshtoi propozimin e Dreshajt dhe bëri të ditur se të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Avdullahu, i cili ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    “Sipas aktakuzës i pandehuri I.A. në bashkëkryerje me tani të dënuarit A.B. dhe F.A. si dhe me të pandehurit E.S. dhe RR.A. si grup i organizuar kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, nga neni 147 paragrafi 1 nën paragraf 3 e 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës”, thuhej në njoftim.

    Ilir Avdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

    Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati./BetimipërDrejtësi

  • Kryetari Konjufca priti në takim Shefin e Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano

    Kryetari Konjufca priti në takim Shefin e Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano.

    Në takim u diskutuan çështje të bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, sa i përket fushës së sundimit të ligjit, nga perspektiva e aktualitetit dhe synimeve të përbashkëta për ligjshmëri të kudogjendur, demokraci vibrante dhe stabilitet afatgjatë.

    Bashkëbiseduesit theksuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm e gjithnjë e më substancial, me qëllimin përparimin gjithnjë e më të madh në drejtim të sundimit të ligjit.

    Kryetari Konjufca e falënderoi z. Giovanni Pietro Barbano për vizitën, duke e vlerësuar kontributin e Misionit të BE-së në Kosovë. Ai u shpreh se ky kontribut i ka dhënë efektet e tij edhe në kapacitetet e Republikës së Kosovës për t’u përballur me të gjitha sfidat që gjenden përpara.

    Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke shprehur gatishmëri dhe angazhimin për bashkëpunim gjithnjë e më të thellë në drejtim të sundimit të ligjit.