ATV

Author: G.O.

  • Pas tentim vrasjes në maj, Robert Fico merr një zarf me plumb brenda

    Pas tentim vrasjes në maj, Robert Fico merr një zarf me plumb brenda

    Kryeministri sllovak, Robert Fico, ka pranuar një zarf që përmbante një plumb.

    “Mund të konfirmojnë se zarfi përmbante një plumb, që është dërguar në adresën e kryeministrit të Sllovakisë”, u tha nga zyra për informim e kryeministrit sllovak.

    Zarfi aktualisht po ekzaminohet nga stafi i zyrës sllovake për mbrojtjen e zyrtarëve publikë dhe misioneve diplomatike.

    Në maj, Fico ishte qëlluar në qytetin Handlova, pasi një takimi që pati me zyrtarë të kabinetit të tij.

  • E konfirmon Real Madridi: Mbappe do të mungojë në tri ndeshje për shkak të lëndimit

    E konfirmon Real Madridi: Mbappe do të mungojë në tri ndeshje për shkak të lëndimit

    Kylian Mbappe do të mungojë tre javë për shkak të lëndmit që e mori mbrëmë në ndeshjen ndaj Deportivo Alaves.

    Sulmuesi i Kombëtares së Francës pësoi një lëndim në fitoren e Real Madridit 3:2 ndaj Alavesit në La Liga.

    Lajmin e ka konfirmuar skuadra e Realit dhe tashmë është mësuar se futbollisti do të mungojë në tri ndeshje tejet të rëndësishme, ndaj Atletico Madrid, Lille dhe Valladolidit.

    Por, ai pritet të rikthehet në “El Clasico” për ndeshjen ndaj Barcelonës që zhvillohet në tetor.

  • TikTok ndalon llogaritë e mediave shtetërore ruse

    TikTok ndalon llogaritë e mediave shtetërore ruse

    TikTok ka bërë të ditur se ka larguar llogaritë e lidhura me mediat shtetërore ruse.

    Ky veprim është pjesë e përpjekjeve të aplikacionit për të parandaluar dezinformimin në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane në nëntor.

    Llogaritë e prekura janë ato nga grupi mediatik Rossiya Segodnya, i cili zotëron shërbimet e lajmeve RIA Novosti dhe Sputnik; dhe TV-Novosti, organi mëmë i kanalit të lajmeve RT.

    TikTok tha se llogaritë ishin të kufizuara më parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE dhe se përmbajtja e tyre në mbarë botën ishte shënuar si media e kontrolluar nga shteti, shkruan skynews.

    Por, tani kuptohet se ato janë ndaluar përgjithmonë.

    Kjo pason një lëvizje të ngjashme javën e kaluar nga pronari i Instagram dhe Facebook, Meta, i cili ndaloi Rossiya Segodnya, RT dhe të tjerë për “aktivitet të ndërhyrjeve të huaja”.

  • Hoti i sheh me shqetësim mesazhet e aleatëve: Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit dhe CEFTA

    Hoti i sheh me shqetësim mesazhet e aleatëve: Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit dhe CEFTA

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se secili qytetar apo përfaqësues i partive politike duhet të shqetësohen nga “mesazhet shqetësuese” për Kosovën nga aleatët kryesorë.

    “Mesazhet shqetësuese për Kosovën nga aleatët kryesorë, në veçanti nga SHBA-ja, Gjermania dhe Franca, duhet ta shqetësojnë secilin qytetar dhe secilin përfaqësues të partive politike, pozitë dhe opozitë.”

    Hoti ka thënë se Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit.

    “1. Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, i cili është mekanizmi formal i përgatitjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, për të cilin proces qeveritë e kaluara kanë punuar shumë, me pasoja tepër të mëdha në dinamikën e integrimit evropian dhe pjesëmarrjen në planin e rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor.”

    Ai ka shtuar se Kosovës mund t’i vazhdohen sanksionet nga BE dhe se mund të përjashtohet nga CEFTA.

    “2. Kosovës mund t’i vazhdohen sanksionet nga BE-ja, me pasoja prej qindra miliona euro në projekte të energjetikës, ujësjellësit, infrastrukturës etj. Kosova mund të përjashtohet nga CEFTA, me pasoja të mëdha në importe dhe eksporte të Kosovës, duke rënduar koston e shumë mallrave të konsumit për qytetarë dhe shtrenjtuar eksportet e Kosovës në tregjet rajonale.”

    Ai ka përmendur marrëveshjet që Serbia ka nënshkruar me SHBA’në, Gjermaninë e Francën.

    “Të tre këta aleatë, të cilët garantojnë sovranitetin e Kosovës përmes trupave të tyre në KFOR krahas vendeve të tjera të NATO-s, kanë hyrë në marrëveshje strategjike me Serbinë: SHBA-ja për energjetikë, Gjermania për litium dhe Franca për aeroplanë ushtarak.”

    Hoti ka shtruar disa pyetje.

    “Si u bë që në fund të qeverisjes 4-vjeçare të kemi këtë situatë?! Si u bë që dialogu i nisur për njohje reciproke të përfundojë në dialog për asociacionin?! Si u bë që kërkesat e krerëve të shteteve aleate drejtuar Kosovës dhe Serbisë për angazhim në dialog për njohje reciproke, të ndryshojnë në kërkesa për themelim urgjent të asociacionit?!”

    Në fund Hoti ka thënë se dihet përgjegjësi për këtë situatë dhe se përgjigjen qytetarët duhet ta japin në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Përgjegjësi për këtë situatë të krijuar dihet. Përgjigjen duhet ta japin qytetarët në procesin demokratik të ardhshëm.”

     

  • Irani: Vdekja e komandantëve të Hezbollahut nuk do ta gjunjëzojë organizatën

    Irani: Vdekja e komandantëve të Hezbollahut nuk do ta gjunjëzojë organizatën

    Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se vdekja e komandantëve të Hezbollahut në Liban në sulmet izraelite nuk do ta gjunjëzojë lëvizjen islamike libaneze.

    “Disa nga forcat e afta dhe të vlefshme të Hezbollahut u vranë gjë që padyshim e dëmtoi Hezbollahun, por nuk është ajo që mund ta gjunjëzojë organizatën”, tha ai gjatë një fjalimi.

    “Rezistenca palestineze dhe libaneze do të arrijë fitoren përfundimtare”, tha ai, duke shtuar se Izraeli po vret civilë sepse nuk është në gjendje të mposht armiqtë e tij.

    Ayatollah Khamenei ka fajësuar SHBA-në për përshkallëzimin e armiqësive në Liban, pavarësisht garancive të Uashingtonit se nuk ishte në dijeni të planeve të Izraelit paraprakisht.

  • Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin e pasurisë kalon në Komisionin për Legjislacion

    Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin e pasurisë kalon në Komisionin për Legjislacion

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se në Komisionin për Legjislacion, ka kaluar në parim Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    “Sot, përpara anëtarëve të Komisionit për Legjislacion prezantova projektligjin për Byronë me fokus ndryshimet që ndërlidhen me adresimin e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, siç janë retroaktiviteti, periudha e verifikimit, komisioni mbikëqyrës dhe ndarja e pushteteve”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.

    Ministrja i falënderoj anëtarët e Komisionit për diskutimet dhe votimin e këtij projektligji të rëndësishëm që ka për qëllim ndjekjen e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve.

    Javën e kaluar, ekzekutivi ka miratuar projektligjin e ri për byronë, ku sipas ekzekutivit, janë adresuar vetëm katër nenet që janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

    Në Kuvend ligji kaloi më 9 shkurt 2023 por pas kësaj, u sfidua në Kushtetuese nga deputetë të Partisë Demokratike, ndërsa u shpall i pavlefshëm pas një viti e gjysmë shqyrtim nga kjo gjykatë, më 29 korrik 2024.

     

  • Presidentja Osmani takoi Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Ghazouani

    Presidentja Osmani takoi Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Ghazouani

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në New York, është takuar me Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Ghazouani.

    “Në New York e falënderova Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Ghazouani, për mbështetjen e patundur për Republikën e Kosovës.

    Bashkë, diskutuam rritjen e bashkëpunimit midis dy shteteve tona, si dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, ka shkruar Presidentja Osmani

  • Britania dërgon personel dhe automjete në Kosovë për stërvitje me KFOR-in

    Britania dërgon personel dhe automjete në Kosovë për stërvitje me KFOR-in

    Britania e Madhe ka dërguar personel dhe automjete në Kosovë për ato që misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, thotë se janë ushtrime rutinore.

    Në një njoftim për media, KFOR-i tha se personeli dhe automjetet nga Regjimenti Mbretëror i Jorkshërit kanë mbërritur të mërkurën në Durrës, Shqipëri, dhe do të zhvendosen në Kosovës përmes rrugës tokësore.

    Ai nuk tregoi se sa pjesëtarë të personelit apo automjete janë dërguar.

    “Siç është thënë më herët, Regjimenti Mbretëror i Jorkshërit, do të kryejë një sërë aktivitetesh stërvitore, së bashku me trupat e tjera të KFOR-it, deri në fund të tetorit”, thuhet në njoftim.

    Më herët këtë muaj, Britania i dërgoi më shumë se 300 trupa në Kosovë për këto ushtrime rutinore.

    KFOR-i theksoi se “qëllim i stërvitjeve është testimi i procedurave ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre në kuadër të misionit”.

    Kontingjenti britanik do të kthehet në Britani të Madhe sapo të përfundojnë ushtrimet në tetor, tha misioni paqeruajtës.

    Zhvendosja në Kosovë i personelit dhe automjeteve të ushtrisë britanike për stërvitje u bë disa javë pasi KFOR-i zhvilloi atë që e quajti trajnim mbi urën e Ibrit, e cila ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.

    Mbi këtë urë, që Kosova po synon ta hapë për qarkullim të automjeteve, KFOR-i ka prani të përhershme.

    Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar autoriteteve në Kosovë që të përmbahen nga një veprim të tillë tani për tani, ndërkaq misioni i NATO-s dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që çështja e urës të zgjidhjet përmes dialogut./REL

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e këtyre personave, kërkohen për vjedhje

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e këtyre personave, kërkohen për vjedhje

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e dy personave të dyshuar për vjedhje të rënda.

    Vjedhjet janë kryer në Prishtinë në dy raste të ndara, kanë njoftuar autoritetet, derisa u janë publikuar fotografi të dyshuarve për identifikim.

    Policia tha se kushdo që ka informacione që mund të çojnë në identifikimin e tyre, të kontaktohet në numrin telefonik 192.

    “Sektori i hetimeve të Kryeqytetit, me autorizime nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave që shihen në fotografi. Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në dy raste të ndara të vjedhjeve të rënda që kanë ndodhë në kryeqytet. Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendndodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në njoftimin policor.

  • Shukri Buja mungon për arsye shëndetësore, shtyhet gjykimi në rastin “Veteranët”

    Shukri Buja mungon për arsye shëndetësore, shtyhet gjykimi në rastin “Veteranët”

    Për shkak se i akuzuari Shukri Buja ka munguar për arsye shëndetësore, është shtyrë seanca e së mërkurës në rastin e njohur si “Veteranët”.

    Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    Lidhur me mungesën e të akuzuarit Buja, avokati i tij, Fadil Jashari, deklaroi se i mbrojturi i tij mbrëmë vonë i kishte dërguar një e-mail me të cilin e kishte njoftuar se për arsye shëndetësore nuk mund të paraqitet në seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri, konfirmoi se e-mailin në fjalë e kishte parë sot dhe se kërkoi që i akuzuari Buja dhe mbrojtësi i tij t’i paraqesin Gjykatës dëshmi për të arsyetuar mungesën.

    Andaj, në mungesës së kushteve ligjore, seanca e planifikuar për sot u shty për një datë tjetër.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

    Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

    Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

    Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

    Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

    Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast

    .Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

    Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

    Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

    Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.