ATV

Author: G.O.

  • Sot mblidhen gjashtë komisione parlamentare

    Sot mblidhen gjashtë komisione parlamentare

    Sot është ditë e ngjeshur në ambientet e Kuvendit të Kosovës pasi që do të mblidhen gjashtë komisione parlamentare.

    Komisioni për Legjislacion do ta shqyrtojë në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë do ta shqyrtojë draft-Planin e Punës për sesionin vjeshtor 2024.

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione do ta shqyrtojë Draft-Planin e Punës së komisionit për sesionin vjeshtor 2024.

    Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport do të shqyrtojë propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtares studente në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të voojë Raportin vjetor financiar të Buxhetit 2023; raportin vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit etj

    Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të harojë listën e dëshmitarëve për intervistim në komision.

  • DASh-i pret nga Serbia që autorët e sulmit në Banjskë të përgjigjen pa vonesë

    DASh-i pret nga Serbia që autorët e sulmit në Banjskë të përgjigjen pa vonesë

    Departamenti amerikan i Shtetit tha të martën se të gjithë personat e përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e sulmit në fshati Banjskë në veri të Kosovës me 24 shtator të vitit 2023, duhet të vihen para drejtësisë.

    “Ne ritheksojmë pritshmërinë tonë që Serbia të luajë rolin e saj për të siguruar përgjegjësi të plotë për autorët e sulmit pa vonesa të mëtejshme”, tha në një përgjigje për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, një zëdhënës i DASH-it.

    Kosova shënoi të martën njëvjetorin e sulmit, kur një grup serbësh të armatosur vranë një oficer policie.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë trysni ndaj Beogradit që të dorëzojë personat e armatosur, që u tërhoqën në Serbi pas një përleshjeje 12 orëshe me policinë një vit më parë.

    Përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e grupit e mori përsipër Milan Radoiçiç, një politikan lokal serb i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe me lidhje të fuqishme me Beogradin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Në dhjetor të vitit 2023 emri i tij është vënë në një urdhër arresti të Policisë Ndërkombëtare, INTERPOL.

    “Si i dyshuar, ai absolutisht duhet të gjykohet. Megjithatë, ekziston një pengesë shumë serioze ligjore; Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën. Pra nuk ka asnjë procedurë ligjore për ekstradim. Unë nuk jam ekspert ligjor dhe nuk jam i sigurt nëse ka një rrugëdalje për diçka të tillë. Por, në këtë rast është një justifikim mjaft i përshtatshëm për të mos bërë asgjë. Është sigurisht një rast në të cilin është e nevojshme, nëse ekziston vullneti i të dyja palëve, të gjendet një mënyrë për ta gjykuar atë person për veprimet që mund të ketë kryer”, i tha Zëri të Amerikës në gjuhën serbe, John Erath, ekspert në Qendrën amerikane të Kontrollit të Armëve.

    Në tetor të vitit 2023, Milan Radoiçiç u lirua nga paraburgimi në Beograd pas më pak se një dite dhe gjatë seancës dëgjimore në prokurori ai pranoi organizimin e sulmit, duke pretenduar në të njëjtën kohë se nuk besonte se kishte kryer një krim.

    Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i tha Zërit të Amerikës, se hetimet kundër Milan Radoiçiçit janë duke vazhduar.

    “Radoiçiçi e ka statusin e të dyshuarit. Urdhri për hetimet e ngarkon atë se ka kryer tri vepra penale me persona të tjerë të panjohur: shoqërim për kryerjen e veprave kriminale, prodhim, mbajtje, dhe trafikim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

    Hetimi i plotë i sulmit në fshatin Banjskë dhe bashkëpunimi i Serbisë për vënien e autorëve para drejtësisë janë kërkesë e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

    “Nuk më duket se komuniteti ndërkombëtar është veçanërisht i përfshirë, apo i papërfshirë në këtë rast. Ai duket se po e trajton si një tjetër nga çështjet e shumta të hapura mes Kosovës dhe Serbisë: ngjashëm me bllokimin e importeve të mallrave nga Serbia, çështjen e targave e tema të tjera. Megjithatë, besoj se duhet një qasje më serioze ndaj vdekjes së qenieve njerëzore – policit dhe tre sulmuesve. Por, nuk duket se komuniteti ndërkombëtar i qaset këtij rasti ndryshe në krahasim me incidentet e tjera”, tha për Zërin e Amerikës, Michael Kirby, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Serbi.

    NATO-ja u bëri thirrje autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë që të kryejnë hetime dhe të vënë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë, i cili cilësohet si ngjarja më e rendë që nga koha kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.

    “Ne i trajtojmë shumë seriozisht ngjarjet dhe sulmet e vitit të kaluar ndaj trupave të NATO-s. Ato janë të papranueshme”, thuhet në një përgjigje të një zyrtari të NATO-s për Zërin e Amerikës.

    Përveç sulmit të armatosur të serbëve ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në fund të muajit maj të vitit të kaluar në një përleshje ndërmjet serbëve dhe ushtarëve të KFOR-it, më shumë se 90 ushtarë të NATO-s mbetën të plagosur.

    “Për shkak të dhunës së vitit të kaluar, KFOR-i ka shtuar praninë e tij në Kosovë me rreth 1000 ushtarë shtesë nga përbërja rezervë. Katërfishuam praninë tonë në veri dhe trefishuam patrullimet, përfshirë edhe vijën kufitare. Kjo ndihmon në parandalimin e sulmeve të mëtejshme dhe qetësimin e popullatës lokale”, thuhet në përgjigje, në të cilën theksohet se “komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me Policinë e Kosovës dhe përfaqësues të tjerë të organizatave të sigurisë në Kosovë si dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë “për konsolidimin e sigurisë së përhershme në mbarë Kosovën dhe ruajtjen qëndrueshmërisë rajonale”.

    Ngjarja padyshim ndikoi edhe në procesin e negociatave Kosovë – Serbi që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve, që lidhen me përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.

    “Nuk ka pasur përparim në proces as para një viti. Dhe, që atëherë, ai nuk ka lëvizur fare. Palët fajësojnë njëra-tjetrën dhe kanë pjesërisht të drejtë për ta bërë këtë. Nuk ka vullnet politik tani për tani dhe nuk më duket se ka shumë mundësi që të ketë në një të ardhme të afërt”, tha zoti Erath, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

  • Sot mbahet seanca fillestare për sulmin terrorist në Banjskë

    Sot mbahet seanca fillestare për sulmin terrorist në Banjskë

    Sot do të mbahet seanca fillestare për çështjen penale të sulmit terrorist në Banjskë

    Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

    Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Ndër të tjerash, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave në krye me Milan Radoiçiqin, për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, tentuan të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe ta bashkojnë me Republikën e Serbisë.

  • Hezbollahu konfirmon vdekjen e komandantit të lartë, vijojnë sulmet nga të dy palët

    Hezbollahu konfirmon vdekjen e komandantit të lartë, vijojnë sulmet nga të dy palët

    Sirenat paralajmëruese janë aktivizuar mëngjesin e sotëm në qendër të Tel Avivit dhe në Gush Dan, pak pas orës 5.30 të mëngjesit me orën tonë, për shkak të lëshimit të një rakete tokë-tokë nga Libani.

    Sipas mediave ndërkombëtare raketa u kap dhe shkollat ​​do të hapen normalisht sot.

    Kjo është hera e parë që Hezbollahu ka vënë në shënjestër Tel Avivin që kur filloi të sulmonte me raketa Izraelin pas 7 tetorit.

    Raketat prekën vende të tjera në Izraelin qendror: Gush Dan, Ramat Gan, Tolemy Elazar dhe Mensha.

    Ndërkohë, Izraeli filloi ditën e tretë të sulmeve në Libanin jugor të mërkurën, disa orë pasi Hezbollah konfirmoi vdekjen e një komandanti të lartë në një sulm ajror në Bejrut dhe një ministër libanez tha se vetëm Uashingtoni mund të ndihmojë në përfundimin e luftimeve.

    Mediat libaneze raportuan se sulmet ajrore izraelite kishin shënjestruar disa zona në jug të vendit, nga ora 5 e mëngjesit.

  • Guterres: Situata globale është e paqëndrueshme

    Guterres: Situata globale është e paqëndrueshme

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi udhëheqësit botërorë se mosndëshkimi, pabarazi, paqartësia po krijojnë një “botë të paqëndrueshme”, ku një numër në rritje i shteteve besojnë se mund të kalojnë pa u ndëshkuar.

    “Nuk mund të vazhdojmë kështu”, tha ai gjatë debatit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku po marrin pjesë presidentë, kryeministra, monarkë dhe udhëheqës të tjerë.

    Duke përmendur thellimin e ndarjeve gjeopolitike, luftërat, ndryshimet klimatike e armët bërthamore, ai tha njerëzimi “po shkon drejt të paimagjinueshmes – një fuçi baruti që rrezikon ta përfshijë botën”.

    Por, tha ai, “sfidat që ne përballemi mund të zgjidhen” nëse komuniteti ndërkombëtarë përballet me rreziqet e paqëndrueshmërisë, pabarazisë, padrejtësisë dhe mosndëshkimit, që tha se minojnë ligjin ndërkombëtar dhe parimet themeltare të OKB-së.

    Nisja e takimeve të udhëheqësve botërorë në OKB po ndodh në kohën kur në botë janë rritur ndarjet, po zhvillohen luftëra në Gazë, Ukrainë e Sudan, dhe ka rrezik edhe për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

    Në fjalim, ai paralajmëroi se Libani, ku Izraeli ditëve të fundit ka kryer sulme vdekjeprurëse ajrore, nuk duhet “të shndërrohet në një Gazë të re”.

    Ndërkaq, Guterres gjatë një fjalimi në “Samitin e të ardhmes” të mbajtur të dielën, tha se konfliktet në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Sudan, por edhe sistemi i sigurisë globale po “kërcënohen nga ndarjet gjeopolitike dhe zhvillimet e armëve të reja”.

    Në punimet vjetore të OKB-së, merr pjesë edhe presidenti amerikan, Joe Biden, që me gjasë do të jetë pjesëmarrja e madhe e tij e fundit në skenën botërore.

    Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield u tha gazetarëve javën e kaluar se në punimet e OKB-së, SHBA-ja do të fokusohet në dhënien fund të luftërave në botë./REL

  • Një xhup i Matthew Perry u shit në ankand për 5800 euro

    Një xhup i Matthew Perry u shit në ankand për 5800 euro

    Disa gjëra nga seriali komedi “Friends”, duke përfshirë një pulovër të veshur nga aktori i ndjerë Matthew Perry, janë shitur në një ankand që shënon tre dekada që nga transmetimi i parë i hitit amerikan.

    Ankandi përfshinte rroba të veshura nga aktorët, mobilje dhe rekuizita nga Central Perk, kafeneja ku u mblodhën personazhet kryesore të serialit në çdo episod.

    Çmimi më i lartë u arrit nga një riprodhim i një divani portokalli nga ajo kafene, ku ekipi performoi shumë skena të famshme, njoftoi Julien’s Auctions.

    Divani u shit për 29 mijë euro, që është pothuajse 15 herë çmimi i tij origjinal.

    Ndër artikujt e shitur është edhe pulovra e veshur nga personazhi i Chandler Bing (Matthew Perry) në episodin “She with the Holiday Paisley”.

    Ai e veshi atë gjatë skenës së kafenesë, ku e fejuara e tij Monica Geller (Courteney Cox) konfirmon se nuk do ta ndryshojë mbiemrin e saj në Bing pas dasmës dhe kur Phoebe Buffay (Lisa Kudrow) sjell pjatën e nënës së saj të ndjerë në festën e Krishtlindjes.

    Xhupi u shit për 5800 euro, gjashtë herë më shumë se çmimi i tij origjinal.

    Gjithashtu në shitje ishin rrobat e veshura nga aktorja Winona Ryder dhe aktori Bruce Willis në paraqitjet e ftuara në serial. “Friends” u transmetua nga 22 shtator 1994 deri më 6 maj 2004 dhe ka gjithsej dhjetë sezone. /Telegrafi/

  • OKB: Dhjetëra mijëra të zhvendosur për shkak të sulmeve në Liban

    OKB: Dhjetëra mijëra të zhvendosur për shkak të sulmeve në Liban

    Dhjetëra mijëra persona janë larguar nga shtëpitë e tyre në Liban, teksa Izraeli ka vazhduar të kryer sulme, thanë Kombet e Bashkuara më 24 shtator, duke i quajtur këto ngjarje si “shumë alarmante”.

    “Ne jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me përshkallëzimin serioz të sulmeve që pamë dje”, tha zëdhënësi i agjencisë për refugjatë të OKB-së, Matthew Saltmarsh.

    “Dhjetëra mijëra persona u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dje dhe gjatë natës dhe numri i tyre pritet të rritet”, shtoi ai për gazetarët në Gjenevë.

    Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 558 persona të hënën, përfshirë 50 fëmijë dhe 94 gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban. Të paktën katër punonjës shëndetësorë u vranë dhe 16 mjekë u plagosën, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

    Izraeli dhe Hezbollahu – grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – kanë këmbyer zjarr ndërkufitar pothuajse çdo ditë që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor.

    Por, bombardimet e 23 shtatorit në Liban deri më tani shënuan përshkallëzimin më të madh, që nga lufta e vitit 2006 mes Izraelit dhe Hezbollahut, grup që mbështetet nga Irani.

    Disa agjenci të OKB-së po punonin që të përshpejtonin dërgimin e ndihmave në Liban për të adresuar situatën, e cila ishte e rëndë edhe para përshkallëzimit të fundit.

    “Ky është një rajon që veçse ishte shkatërruar nga lufta dhe një shtet [Libani] që e di shumë mirë se çfarë është vuajtja”, tha Saltmarsh.

    Ai theksoi se edhe para sulmeve të 23 shtatorit, në Liban ka pasur zhvendosje të popullsisë nga pjesa jugore e vendit.

    “Situata është shumë alarmante. Është shumë kaotike. Numri i civilëve të vrarë është i papranueshëm”, theksoi ai.

    Sulmet e së hënës u kryen pasi Izraeli sulmoi Bejrutin të premten duke vrarë dhjetëra persona, përfshirë dy komandantë të Hezbollahut. Ditë më parë, po ashtu, pajisjet e telekomunikimit të grupit u goditën nga një sërë shpërthimesh. Për këto shpërthime, që lanë të vrarë 39 persona dhe plagosën pothuajse 3.000 të tjerë, Hezbollahu e ka fajësuar Izraelin. Por, Izraeli nuk ka komentuar për këtë rast./REL/

  • Pësoi sulm në zemër derisa po performonte, vdes këngëtari i njohur turk

    Pësoi sulm në zemër derisa po performonte, vdes këngëtari i njohur turk

    Këngëtari dhe regjisori turk Metin Arolat, ka vdekur pasi iu përkeqësua gjendja gjatë performancës së tij live në Kozjatagi.

    Sipas raportimeve të mediave turke, ai pësoi atak në zemër gjatë performancës. Disa media raportojnë se ka vdekur në skenë, e disa rrugës për në spital dhe disa në spital.

    Miku i tij i ngushtë Demet Sagiroglu dha një deklaratë për mediat jashtë spitalit dhe zbuloi se dyshonte se shëndeti i tij ishte ndikuar nga dieta e tij.

    “Ai ishte një mik shumë i ngushtë për mua, si një vëlla. Ai ishte në dietë… Nuk mendoj se zemra e tij mund ta duronte. Ai u përkeqësua pasi ai doli në skenë”, tha ai.

    Për ata që nuk e dinë, Metin Arolat ishte një këngëtar turk dhe regjisor, i cili fitoi popullaritet në vitet nëntëdhjetë. Përveç këngës, Arolat ishte i njohur për punën e tij pas kamerës dhe regjisor i videoklipeve për artistë të shumtë turq.

     

  • Sveçla: Serbia duhet t’i dorëzojë sa më parë terroristët e sulmit në Banjskë

    Sveçla: Serbia duhet t’i dorëzojë sa më parë terroristët e sulmit në Banjskë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se përgjegjësia për vrasjen e heroit Afrim Bunjaku dhe e organizimit të sulmit terrorist në Banjskë është e Serbisë.

    Ai ka thënë se drejtësia është e pashmangshme dhe “Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë”.

    Sipas Sveçlës, Serbia duhet t’i dorëzojë terroristët sa më parë.

    Sveçla ka shkruar në Facebook të martën se rënia e Bunjakut mbrojti sovranitetin e vendit.

    “Rënia e tij mbrojti sovranitetin e territorin e vendit tonë andaj është edhe heroike, edhe e paharrueshme. Përgjegjësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku dhe organizimit të atij sulmi terrorist është drejtpërdrejtë e Serbisë. Drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë. Rruga e fshatit Banjskë ku u vra Rreshter Afrimi nga sot mbanë emrin e tij. Ajo është rruga që kolegët e tij e kalojnë çdo ditë në shërbim. Mesazhi që dha Rreshter Afrimi është i qartë, terrorizmin e luftojmë me çdo kusht. Rruga që trasoi Afrimi është e përditshmja jonë bashkë me kolegët e tij, sundimi i rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”, ka thënë ai të njëvjetorin e vrasjes së Bunjakut.

  • Suedia thotë se Irani u dërgoi mesazhe suedezëve duke i nxitur për hakmarrje për djegien e Kuranit

    Suedia thotë se Irani u dërgoi mesazhe suedezëve duke i nxitur për hakmarrje për djegien e Kuranit

    Suedia thotë se Irani është përgjegjës për mijëra mesazhe me shkrim që u ishin dërguar njerëzve në vendin skandinav, në të cilët bëhej thirrje për hakmarrje ndaj atyre që e digjnin librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin, në vitin 2023.

    Autoritetet në Stokholm pretendojnë se Garda Revolucionare e Iranit “e theu bazën e të dhënave” dhe ia doli t’i dërgojë “rreth 15.000 mesazhe në suedisht” gjatë kohës kur ndodhi një valë e djegieve të Kuranit.

    Prokurori i lartë Mats Ljungqvist tha se një hetim fillestar, i kryer nga agjencia suedeze e sigurisë SAPO, gjeti se “ishte shteti iranian ai që, përmes Gardës Rebolucionare Islamike, IRGC, e theu bazën e të dhënave të një kompanie suedeze që kryen shërbime të SMS-ve”.

    Emri i kompanisë suedeze për dërgimin e mesazheve me shkrim nuk u bë i ditur.

    Autoritetet iraniane nuk i kanë komentuar deri tani akuzat e bëra nga Suedia.

    Në gusht 2023, mediat suedeze raportuan se një numër i madh njerëzish në Suedi kishin pranuar mesazhe me shkrim në gjuhen suedeze, në të cilat bëhej thirrje për hakmarrje ndaj njerëzve që po e digjnin Kuranin, tha Ljungqvist.

    Ai tha se dërguesi i mesazheve ishte “një grup që quhej ekipi Anzu”.

    Djegiet e Kuranit u lejuan bazuar në nenin për liri të shprehjes, e cila është e mbrojtur me Kushtetutën e Suedisë. Policia kishte dhënë leje për to.

    Megjithatë, këto incidente e ndanë Suedinë mes përkushtimit ndaj lirisë së shprehjes dhe ndaj respektimit të pakicave fetare.

    Në një deklaratë të ndarë, menaxheri operacionale i SAPO-s, Fredrik Hallstrom, tha se qëllimi i mesazheve ishte gjithashtu “që Suedia të përshkruhej si një vend islamofobik dhe të shkaktoheshin përçarje në shoqëri”.

    Nuk ka ligj në Suedi që në mënyrë të qartë e ndalon djegien apo përdhosjen e Kuranit, apo ndonjë libri tjetër fetar. Si shumë vende perëndimore, as Suedia nuk ka ligj për blasfeminë./REL