ATV

Author: G.O.

  • Komandanti i FSK-së: Siguria globale s’ka qenë kurrë më e sfiduar

    Komandanti i FSK-së: Siguria globale s’ka qenë kurrë më e sfiduar

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtant Bashkim Jashari, në konferencën “FSK dhe Partnerët 2024” ka thënë se siguria globale s’ka qenë kurrë më e sfiduar.

    Ai e ka vlerësuar lart ndihmën e parterëve ndërkombëtar në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës.

    Jashari ka theksuar se ka ardhur koha që ushtarët e FSK-së të shkojnë drejt një niveli tjetër të avancimit.

    “Vetëm kështu mund të jemi gati që t’i shërbejmë paqes dhe parandalojmë luftërat”, tha Jashari në fjalimin e tij.

    Në aktivitetin që po mbahet në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinë, po marrin pjesë zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë, ambasadorë dhe atashe ushtarak nga vendet mike.

  • Sulmi raketor i Iranit ndaj Izraelit, Franca do të dërgojë trupa shtesë në Lindjen e Mesme

    Sulmi raketor i Iranit ndaj Izraelit, Franca do të dërgojë trupa shtesë në Lindjen e Mesme

    Franca do të dërgojë mjete shtesë ushtarake në Lindjen e Mesme për të kundërshtuar kërcënimin iranian. Ky vendim erdhi një ditë pas sulmeve të Iranit kundër Izraelit.

    “E përkushtuar ndaj sigurisë së Izraelit, Franca sot mobilizoi ushtrinë e saj në Lindjen e Mesme për të kundërshtuar kërcënimin iranian”, tha presidenca franceze.

    Kreu i shtetit përsëriti gjithashtu kërkesën e Francës që “Hezbollahu të ndalojë veprimet e tij terroriste kundër Izraelit dhe popullsisë së tij”.

  • Konjufca: Sulmi terrorist në Banjskë ishte një kopje identike e Rusisë

    Konjufca: Sulmi terrorist në Banjskë ishte një kopje identike e Rusisë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë, është identik me pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014.

    Në konferencën “Ndikimi i agresionit rus në Ukrainë në gjeopolitikën evropiane”, Konjufca ka thënë se Rusia nuk ka hequr dorë nga bota ruse e as Serbia nuk ka hequr dorë nga bota serbe.

    “Termi bota serbe është kopjim identik i botës ruse. Sulmi terrorist qe ndodhi ne Banjskë ishte një kopje identike e Rusisë. Për ata që nuk e shohin të mirëqenë krahasimin e Rusisë me Serbinë zakonisht e përmendin faktin qe Serbia po çon armë në Ukrainë por këtu anashkalohet fakti që Serbia nga ky biznes fitoi mbi 1 miliardë euro, ky nuk është donacion dhe jam i bindur se kjo është koordinuar me Rusinë”, është shprehur ai.

    Tutje, kryeparlamentari Konjufca ka thënë se Serbia nuk e dënon agresionin ndaj Ukrainës, por përfiton nga ajo.

    “Serbia nuk ka qenë kurrë një kështjellë me të cilën është mbrojtur demokracia perëndimore. Në këtë luftë të Ukrainës për mbrojtje të sovranitetit të vet, Serbia nuk është aleat i Ukrainës, por thjeshtë po përfiton nga kjo situatë. Serbia nuk e ka dënuar asnjëherë agresionin rus mbi Ukrainën por nuk ka pranuar as të vendos sanksione Federatës ruse. Beogradi si kryeqytet i dytë i Rusisë brenda Evropës”, ka potencuar ai.

    Konjufca po ashtu ka deklaruar se lufta në Ukrainë është edhe luftë e Perëndimit dhe BE-së për mbrojtjen e rendit demokratik dhe stabilitetit të Ballkanit.

    “Lufta në Ukrainë është edhe luftë e Perëndimit dhe BE-së për mbrojtjen e rendit të vet demokratik dhe stabiliteti i Ballkanit do te varet se a do të ndërtohet ai mbi parimet demokratike dhe mbi vlerat evropianizuese apo mbi interesat parciale, ekonomike, shkurtpamëse sic ishin ato të vitit 2014 e cila Rusisë ia mundësoi një konsolidim për ta shkaktuar një luftë shumë më të madhe sesa invazioi i paprovokuar dhe i shkallës së gjerë mbi Ukrainën”, ka thënë ai.

  • Mashtroi dhe përvetësoi mbi 100 mijë euro, prangoset një person në Mushtisht

    Mashtroi dhe përvetësoi mbi 100 mijë euro, prangoset një person në Mushtisht

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person në Mushtisht, për mashtrim.

    Në raportin policor bëhet e ditur se gjatë vitit 2023-2024, i dyshuari duke paraqitur dëshmi/fakte të rreme ka mashtruar dy viktimat meshkuj kosovarë, nga të cilët kishte përvetësuar mbi 100,000 euro.

    “Mushtisht /2023-2024. Më datë 01.10.2024 është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti gjatë periudhës së cekur kohore duke paraqitur dëshmi/fakte të rreme ka mashtruar dy viktimat meshkuj kosovarë nga të cilët kishte përvetësuar mbi 100,000 euro”, thuhet në raport.Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

  • Disa të plagosur nga sulmet ruse në rajonin e Harkivit

    Disa të plagosur nga sulmet ruse në rajonin e Harkivit

    Trupat ruse bombarduan Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, bëri të ditur kryebashkiaku Ihor Terekhov përmes një postimi në Telegram.

    Sipas tij, dëme pësuan disa ndërtesa banimi dhe një garazh publik.

    Në një sulm të ngjashëm në Derhaçi – një qytet i vogël rreth 15 kilometra në veri të Harkivit – u plagosën disa njerëz, përfshirë një fëmijë, tha guvernatori i Harkivit, Oleh Synyehubov.

    “Sipas personelit mjekësor, pesë persona, përfshirë një djalë 14-vjeçar, janë plagosur”, shkroi Synyehubov në Telegram.

    Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Gjatë shtatorit, ajo kreu dhjetëra sulme ajrore në kryeqytetin Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës, duke shënjestruar infrastrukturën e energjisë, atë të ushtrisë dhe të transportit.

    Autoritetet ukrainase raportuan për dhjetëra civilë të vrarë në këto sulme.

    Rusia mohon se i shënjestron zonat civile, pavarësisht provave që dëshmojnë të kundërtën./REL

  • Ambasadorja e Izraelit e falënderon Kurtin për mbështetjen

    Ambasadorja e Izraelit e falënderon Kurtin për mbështetjen

    Ambasadorja e Izraelit në Kosovë Tammara Ziv, e ka falënderuar për mbështetje kryeministrin Albin Kurti.

    Ziv falënderimin e bëri në gjuhën shqipe.

    “Ju faleminderit ngrohtësisht për mbështetjen tuaj të çmuar, Shkëlqesia Juaj Kryeministër z. Albin Kurti”, ka shkruar ajo në X.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit, në të cilin, siç tha ai, janë lëshuar rreth 200 raketa.Kurti u shpreh se mbështesin përpjekjet për arritjen e një armëpushim të menjëhershëm.

  • ShBA-ja thotë se e ndihmoi Izraelin t’i rrëzonte raketat e Iranit

    ShBA-ja thotë se e ndihmoi Izraelin t’i rrëzonte raketat e Iranit

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se SHBA-ja “kapi disa raketa” që Irani i hodhi në drejtim të Izraelit.

    “Ne e dënojmë këtë akt të egër të agresionit nga Irani”, tha ai dhe “i bëjmë thirrje të ndalojë çdo sulm të mëtejshëm”.

    Të martën, Irani hodhi disa raketa në drejtim të Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për, siç tha, agresionin e Izraelit kundër aleatëve të tij në Liban dhe në Gazë.

    Irani paralajmëroi, gjithashtu, se Izraeli do të përballet me “sulme shkatërruese” nëse përgjigjet.

    Austin tha se SHBA-ja është duke monitoruar nga afër situatën dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët e saj.

    “Jam thellësisht krenar për aftësinë dhe guximin e trupave amerikane, që ndihmuan për të shpëtuar jetë nga sulmi i Iranit dhe që vazhdojnë ta mbështesin mbrojtjen e Izraelit”, tha Austin.

    Ai bëri të ditur se ka biseduar edhe me homologun izraelit, Yoav Gallant, përmes telefonit.

    “Ministri dhe unë shprehëm mirënjohje të ndërsjellë për mbrojtjen e koordinuar të Izraelit kundër gati 200 raketave balistike të lëshuara nga Irani dhe u zotuam se do të mbetemi në kontakt të ngushtë”, tha Austin.

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se “Irani bëri gabim” me sulmin dhe se “do të paguajë” për të.

    Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian përsëritën thirrjet për armëpushim, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet sot për të diskutuar për këtë çështje./REL

  • Sonte disa super ndeshje në Ligën e Kampionëve, Zhegrova përballë Real Madridit

    Sonte disa super ndeshje në Ligën e Kampionëve, Zhegrova përballë Real Madridit

    Sonte do të zhvillohen edhe nëntë ndeshje tjera të raundit të dytë në UEFA Champions League.

    Skuadra e Edon Zhegrovës, Lille do të përballet me Real Madridin.

    Kjo do të jetë hera e parë për Zhegrovën, i cili do të jetë përballë Real Madridit në një garë prestigjioze siç është Champions League.

    Në stadiumin “Pierre-Mauroy” kjo ndeshje nis nga ora 21:00 dhe sigurisht që Zhegrova pritet të jetë startues.

    Bayern Munich do të përballet me Aston Villën, kurse Liverpool e pret skuadrën e Bolognas në ‘Anfield’.

    Ndërkaq, dy ndeshjet e para që nisin nga ora 18:45 janë: Girona – Feyenoord dhe Shakhtar Donetsk – Atalanta.

  • Sarrazin sot në Prishtinë – pritet të flasë për Procesin e Berlinit, Forumi hapet nga Rohde dhe Bislimi

    Sarrazin sot në Prishtinë – pritet të flasë për Procesin e Berlinit, Forumi hapet nga Rohde dhe Bislimi

    Sot edhe nesër në Prishtinë mbahet Forumi i Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar. Në ngjarjen që sipas komunikatës së Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare premton të jetë më e madhja në Kosovë.

    Të pranishëm përveç kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi dhe Ambasadori Gjerman Jörn Rohde, do të jenë edhe Manuel Sarrazin, i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor si dhe deputeti i Bundestagut, Peter Beyer.

    Ky forum i cili në vitin 2022 i solli Kosovës një investim prej 20 milionë euro në sektorin e prodhimit, do të mbahet dy ditë me radhë, sot dhe nesër.

    “Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, në bashkëpunim me Komitetin Lindor të Ekonomisë Gjermane (Ost-Ausschuss der deutschen Ëirtschaft), ka kënaqësinë t’ju ftojë në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili do të mbahet më 2-3 Tetor 2024 në Klan Arena, Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, forumi do të mirëpresë përfaqësues të njohur nga kompanitë gjermane dhe jo vetëm. Panele të nivelit të lartë, përfshirë përfaqësues nga Ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Veprim Klimatik (BMWK) dhe liderë të kompanive gjermane, do të diskutojnë zgjidhjet për energjinë, teknologjinë dhe industrinë.

    “Ky forum do të shërbejë si një platformë e veçantë ku liderët e politikës dhe biznesit nga Gjermania dhe Kosova do të diskutojnë sfidat gjeopolitike dhe mundësitë e reja ekonomike. Forumi do të hapet nga Zëvendëskryeministri i Kosovës, z. Besnik Bislimi, dhe Ambasadori Gjerman, z. Jörn Rohde. Të pranishëm do të jenë gjithashtu z. Manuel Sarrazin, i Dërguari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, dhe deputeti i Bundestag, z. Peter Beyer”.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në Hagë sot pritet të dëshmojë dëshmitari i radhës, seanca fillon në orën 09:00.

    Të martën, (01. 10. 2024), Dhomat e Specializuara në Hagë kanë mbajtur konferencën e radhës përgatitore në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

    Nga kjo gjykatë kanë bërë të ditur që kanë mbetur edhe 24 ditë gjykim deri në pushimin dimëror të gjykatës, kurse janë edhe 60 ditë pune deri në ditën kur ZPS synon t’i marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët e saj, përkatësisht deri në fund të prillit.

    Nga Prokuroria kanë thënë se planifikojnë që ta shkurtojnë këtë afat për përfundimin e dëshmitarëve të planifikuar, por numrin e saktë të dëshmitarëve do ta bëjnë të ditur më 1 nëntor. Gjykatësi po ashtu ka kërkuar që dëshmitarët më pak të rëndësishëm të merren në pyetje në fund, në mënyrë që mos të humben dëshmitë e dëshmitarëve më të rëndësishëm për këtë proces.

    Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët” këtë javë pritet të mbahen tri seanca gjyqësore.

    Ndryshe, rasti gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

    Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.