ATV

Author: G.O.

  • Për një gjumë sa më të mirë, konsumoni këto ushqime të pasura me magnez

    Për një gjumë sa më të mirë, konsumoni këto ushqime të pasura me magnez

    Me siguri, ju e dini që kalciumi është një mineral i nevojshëm për kockat dhe sidomos për dhëmbë të fortë. Por, ka edhe një sërë funksionesh të tjera që lidhen me trurin dhe trupin tuaj

    Nëse ju e merrni këtë mineral përmes ushqimit, ka shumë shanse që të bëni një gjumë të plotë dhe cilësor.

    “Kalciumi jo vetëm relakson muskujt, por ka edhe rolin e një neurotransmetuesi të rëndësishëm për krijimin e qetësisë në tru dhe trup,” thotë mjekja Shelby Harris për “HealthLine”. Dhe marrja e këtij minerali përmes ushqimeve është një nga mënyrat më efikase, sipas mjekes.

    Ja ushqimet më të pasura me magnez:

    Farat e kungullit

    Farat e kungullit janë një burim i shkëlqyer natyror i magnezit. Vetëm një filxhan me fara të thata kungulli ka rreth 764 miligramë magnez, ndaj edhe një grusht i vogël vlen për të plotësuar nevojën ditore për këtë mineral.

    Farat chia

    Këto fara përmbajnë një mori lëndësh ushqyese të dobishme, si proteinat (që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve), fibrat (për një shëndet të mirë të sistemit tretës), anti-oksidantë dhe acide yndyrore omega-3.

    Arrat

    Ashtu si farat, arrat kanë nivel të lartë magnezi. Një studim i vitit 2022 i botuar në revistën “Foods” zbuloi se arrat braziliane kishin përmbajtjen më të lartë të magnezit nga 10 llojet e arrave të analizuara.

    Produktet e sojës

    Qumështi i sojës është një burim fantastik magnezi, e sidomos nëse konsumohet në mëngjes.

    Bishtajoret

    Fasulet e bardha, ato të zezat apo thjerrëzat, jo vetëm janë të shijshme! Falë konsumit të tyre, ju i bëni një shërbim të mirë shëndetit, por edhe gjumit tuaj, citon Anabel.

    Zarzavate me gjethe të errëta

    Lakra jeshile apo ajo e kuqe janë vetëm dy nga opsionet në gamën e perimeve me gjethe të errëta që duhet t’i konsumoni për shëndetin e mirë të kockave, por edhe për një gjumë cilësor. /Telegrafi/

  • Kurti: Kosova ka përparuar si kurrë më parë në tri vitet e fundit, përkundër tkurrjes së popullsisë

    Kurti: Kosova ka përparuar si kurrë më parë në tri vitet e fundit, përkundër tkurrjes së popullsisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë tri viteve të qeverisjes së tij, Kosova ka njohur përparim dhe progres si kurrë më parë, raporton Ekonomia Online.

    Në konferencën “Balkan Leadership Conference” me temën “Paqja, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor”, shefi i ekzekutivit ka thënë se rritja ekonomike është në nivelin 6.2 për qind, ndërsa Bruto Produkti Vendor është gjashtëfishuar që nga paslufta.

    “Valët e imigrimit si dhe qëndrimi në vetëm një vend nuk janë aq të dallueshme sa ishin në dy dekadat e fundit të shekullit XX, madje as nga fillimi i shekullit të ri. Nga viti 2011 e deri më tani, ka pasur një tkurrje të popullsisë për 8 për qind. Në të njëjtën kohë ka rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës që besohet që jetojnë në Kosovë gjatë një pjese të konsiderueshme të vitit dhe nuk janë të përfshirë në shifrat e popullsisë”.

    “Kosova ka njohur përparim dhe progres si kurrë më parë në këto tri vitet e fundit. Rritja ekonomike është në nivelin 6.2 për qind. Ekonomia e vendit, përkatësisht BPV është gjashtëfish më i madh se sa në vitin 2000 e tri herë më i madh se në vitin 2008 kur është shpallur Pavarësia. Eksportet e investimet e huaja janë dyfishuar dhe raporti eksport-import krahasuar në vitin 2021, është përmirësuar në 1 me 6 nga 1 me 9 sa ishte aso kohe”, u shpreh Kurti.

    Ai tutje është shprehur se me rreziqet që po i kanosen Evropës dhe Lindjes së Mesme, brishtësia e paqes sot kudo në botë është evidente.

    “Paqja në rajonin tonë, e sidomos në Kosovë, është diçka që nuk e kemi marrë kurrë si të mirëqenë, sepse është dashur të luftohet e të përpiqemi vazhdimisht për të. Me rreziqet që po i kanosen Evropës dhe Lindjes së Mesme, brishtësia e paqes sot kudo në botë është evidente”.

    “Natyrisht paqja kryesisht destabilizohet nga jashtë, por është edhe një punë që realizohet edhe përbrenda, këtu nuk e vë në dyshim vullnetin e një populli për ta ndërtuar dhe forcuar paqen. Popujt janë të mirë dhe popujt e duan të mirën”, ka thënë Kurti.

  • Izraeli mund të godasë objektet bërthamore në Iran për hakmarrje, Trump i mbështet: Veproni

    Izraeli mund të godasë objektet bërthamore në Iran për hakmarrje, Trump i mbështet: Veproni

    Izraeli nuk i ka dhënë garanci administratës së Joe Biden se shënjestrimi i objekteve bërthamore të Iranit është jashtë çdo diskutimi, teksa pritet shpagimi i shtetit hebre për sulmin me raketa balistike në fillim të kësaj jave nga regjimi i ajatollahëve.

    Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i tha CNN se është “me të vërtetë e vështirë të thuhet” nëse Izraeli do të përdorë përvjetorin e sulmeve të Hamasit të 7 tetorit për t’u hakmarrë.

    “Ne shpresojmë dhe presim të shohim pak mençuri përveç forcës, por për këtë nuk ka garanci”, ishte përgjigja që i dha zyrtari pyetjes se nëse Izraeli e ka siguruar SHBA-në se objektet bërthamore të Iranit nuk do të preken. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur mbështetje për reagimin e Izraelit ndaj sulmit raketor të Iranit me shumë zyrtarë që e kanë deklaruar publikisht se duhet të ketë pasoja.

    Në të njëjtën kohë, janë shprehur megjithatë shqetësime për një zgjerim të konfliktit teksa përballen me një Lindje të Mesme gjithnjë e më të paqëndrueshme. Presidenti Joe Biden tha në fillim të kësaj jave se SHBA nuk e mbështet goditjen e programit bërthamor të Iranit nga Izraeli.

    “Nëse do të isha në vendin e tyre, do të mendoja për alternativa të tjera veç goditjes së fushave të naftës”, u shpreh Biden në një konferencë shtypi të premten.

    Kandidati republikan për presidencialet e nëntorit, Donald Trump i hodhi ndërkohë benzinë zjarrit me këshillën e tij. Izraeli, tha ish presidenti nga një tubim elektoral në Karolinën e Veriut, duhet t’i godasë objektivat nukleare të Republikës Islamike. “Armët bërthamore janë rreziku më i madh”, u shpreh Trump, dhe nëse ata kanë në plan ta bëjnë, do ta bëjnë me siguri. Ndërkohë, Izraeli ka vazhduar bombardimet gjatë natës në Bejrut, ku banorëve të lagjes periferike Dahieh, fortesë e Hezbollahut, u është kërkuar të largohen me të paktën 500 metra prej andej.

    Paralajmërimeve u janë dhënë edhe banorëve të më shumë se 20 qyteteve dhe fshatrave të Libanit jugor që të evakuohen menjëherë nga shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen në veri, ndërsa ushtria izraelite vazhdon fushatën tokësore kundër Hezbollahut.

  • Reshjet e fundit në vend, IHMK-ja thotë se për momentin Kosova nuk rrezikohet nga vërshimet

    Reshjet e fundit në vend, IHMK-ja thotë se për momentin Kosova nuk rrezikohet nga vërshimet

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar mbi rrezikshmërinë e vërshimeve në vend pas motit jo të mirë aktualisht, duke dhënë detaje nga sasia totale e reshjeve të fundit, bazuar në rrjetin shtetëror të IHMK-së.

    Duke paraqitur sasinë e reshjeve të shiut në shumë komuna, IHMK thotë se nga kjo pasqyrë e reshjeve të shpërndara në gjithë territorin e Kosovës, për momentin vendi nuk është i rrezikuar nga vërshimet.

    “Sipas sektorit të hidrologjisë, lumenjtë kanë ngritje të lehta deri në mesatare”, shton IHMK-ja.

    Tutje IHMK-së bën të ditur se reshjet do të vazhdojnë edhe sot e nesër në disa pjesë të Kosovës, por që intensiteti i tyre do të jetë në zvogëlim e sipër.

    “Java e ardhshme premton mot stabil, kjo si rezultat i presionit konstant që do të jetë gjatë javës dhe elementeve tjera meteorologjike”, thuhet tutje në njoftim.

  • Vritet një komandant i Hamasit gjatë një sulmi izraelit në Liban

    Vritet një komandant i Hamasit gjatë një sulmi izraelit në Liban

    Një sulm izraelit në një kamp refugjatësh në veri të Libanit ka lënë të vrarë një komandant të Hamasit – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – bëri të ditur grupi më 5 tetor.

    Kjo është hera e parë që Izraeli sulmon në këtë zonë që nga nisja e luftës në Gazë më 7 tetor 2023.

    Saeed Attallah Ali, gruaja e tij dhe dy vajzat e tyre u vranë “nga bombardimet e zionistëve [Izraeli] në shtëpinë e tyre në kampin Bedavi”, afër qytetit Tripoli, u tha në njoftim.

    Izraeli vazhdimisht ka shënjestruar anëtarët e Hamasit në Liban që kur lufta në Gazë nisi pothuajse një vit më parë.

    Që atëherë, Hamasi ka thënë se të paktën 18 anëtarë të tij janë vrarë në Liban.

    Hamasi tha se në sulmet ajrore të së hënës u vra udhëheqësi i tyre në Liban, Fatah Sharif Abu al-Amine, në shtëpinë e tij në kampin Al-Bas në jug të Libanit.

    Në gusht, gjatë një sulmi ajror izraelit në Sidon, në jug të Libanit, u vra komandanti i Hamasit, Samer al-Hajj. Ndërkaq, në një sulm në janar, që zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thanë se u krye nga Izraeli, u vra zëvendësshefi i Hamasit, Saleh al-Aruri, dhe gjashtë radikalë të tjerë palestinezë në jug të Bejrutit.

    Në Liban janë dhjetëra kampe të refugjatëve palestinezë që ishin krijuar për të strehuar palestinezët që u larguan gjatë luftës së vitit 1948, rreth kohës kur u krijua Izraeli./REL/

  • Superliga rikthehet sot, luhet “Derbi i Anamoravës”

    Superliga rikthehet sot, luhet “Derbi i Anamoravës”

    Superliga e Kosovës në futboll rikthehet menjëherë sot, me dy ndeshjet e ardhshme që luhen në kuadër të xhiros së tetë.

    ’Nxehtë’ do të jetë në Gjilan, pasi aty do të luhet derbi mes Dritës dhe Gjilanit.

    Ky do të jetë derbi i 50-të kampional, me Dritën që prin me 18 fitore, kundrejt 12 të Gjilanit. 19 ndeshje janë mbyllur baras.

    Në këtë edicion të garave, Drita pozicionohet e pesta me 12 pikë, por me dy ndeshje më pak.

    Në anën tjetër, Gjilani zë pozitën e shtatë me tetë pikë.

    Ndeshja tjetër gjatë ditës së sotme do të luhet në Kampin Nacional në Hajvali.

    Prishtina do t’i bëj konak Feronikelit ‘74.

    Kryeqytetasit hyjnë në këtë takim pas humbjes së pësuar në Gjilan, teksa Nikli pasi barazoi me Malishevën.

    Të dy ndeshjet do të luhen nga ora 15:00.

  • Asnjë parti ende s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë, KQZ-ja në pritje

    Asnjë parti ende s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë, KQZ-ja në pritje

    Që nga shpallja e datës 9 shkurt 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, partitë politike kanë filluar që herë pas here të publikojnë emrin e ndonjë kandidati për deputet.

    Por, ndonëse ka një muaj që është hapur afati për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, deri më tani asnjë parti politike nuk ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listën me emrat e kandidatëve.

    Zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit dhe afatet e gjata ligjore, kanë krijuar komoditetin për partitë politike që dalëngadalë të hartojnë listën me emrat e kandidatëve për deputetë.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se deri më tani asnjë parti politike nuk ka dorëzuar në këtë institucion listën e kandidatëve për deputetë.

    “Deri më 11 dhjetor të këtij viti, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar më 1 shtator, por mund t’iu konfirmoj se deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike”, bëri të ditur Elezi.

    Sipas KQZ-së, të gjithë kandidatët që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, do t’i nënshtrohen verifikimit të institucioneve të ndryshme, me qëllim që të vërtetohen nëse kandidatët që garojnë për deputetë janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

    Në mesin e institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) për të vërtetuar nëse ndonjëri nga kandidatët për deputetë është dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë burgim efektiv, i cili nuk do të mund të kandidojë.

    “Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, ka thënë Elezi.

    Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet i cili ka funksion të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për zyrtarët publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-së; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it./EO/

  • Vërshimet në Vlorë, 33 familje të evakuuara, në disa lagje rrugët ende të përmbytura

    Vërshimet në Vlorë, 33 familje të evakuuara, në disa lagje rrugët ende të përmbytura

    Qyteti i Vlorës është zgjuar nën ujë, pasi moti i keq goditi Shqipërinë. Situata më alarmante ishte në qarkun e Vlorës ku reshjet intensive të shiut shkaktuan përmbytje të mëdha. 33 familjet e evakuuara kanë kaluar natën larg banesave të tyre, ndërsa Bashkia e Vlorës i strehoi në konvikt.

    Bëhet fjalë për të paktën 55 persona në total nga 33 familje.

    Vlora dje ishte në pushtetin e ujit, ndërsa çarja e kanalit të ujërave të larta bëri që uji të vërshojë nëpër qytet, lagjet kryesore biznese e banesa duke shkaktuar edhe dëme. Si asnjëherë më parë, të gjitha rrugët e qytetit u pushtuan nga uji dhe lagjet u bllokuan ku niveli i ujit arriti deri 50-60 cm.

    Uji, si rrjedhë lumenjsh që kalonte nëpër rrugë, mori me vete çfarëdo i doli para, karriget dhe tavolinat e lokaleve, koshat e mbeturinave duke i spostuar në sheshin e Flamurit.

  • Sadiku apelon te qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal: Metodë për parandalimin e sëmundjeve infektive

    Sadiku apelon te qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal: Metodë për parandalimin e sëmundjeve infektive

    Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka apeluar te qytetarët që të vaksinohen me vaksinën kundër gripit sezonal, pasi konsiderohet si metodë për parandalimin e sëmundjeve infektive.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Sadiku ka treguar edhe për kategoritë e qytetarëve më të rrezikuara nga gripi sezonal, siç janë punëtorët shëndetësor, gratë shtatzëna e personat me sëmundje kronike. Vaksinimi ka filluar më datë 30 shtator dhe jepet në 15 qendrat e mjekësisë familjare në Kryeqytet.

    “Po siç e dini që prej 30 shtatorit ka filluar vaksinimi në 15 qendrat mjekësisë familjare në Kryeqytet me vaksina të gripit sezonal, për arsye siç e dini është një sëmundje sezonale i cili tashmë gjatë muajit të dimrit, sidomos në muajin dhjetor e janar kur njerëzit grumbullohen më shumë dhe është një virus që përhapet çdo vit tek njerëzit dhe realisht ne kemi ftuar qytetarët që të vaksinohen”.

    “Sivjet ka filluar vaksinimi më herët, me qëllim që kjo të jep imunitet ndaj kësaj sëmundjeje, duke pasur parasysh se kjo sëmundje edhe pse është virale, të disa kategori të qytetarëve që kanë probleme më shumë shëndetësore, dhe këtë vit janë ato grupet më të rrezikshme sipas OBSh-së, siç janë punëtorët shëndetësor, gratë shtatzëna, pastaj personat që kanë sëmundje kronike e kështu më radhë”.

    Sadiku ka thënë se zakonisht në Kryeqytet, numri i të vaksinuarve shkon në 11 mijë.

    “Prandaj, ne i kemi ftuar këto kategori që të vaksinohen dhe deri tash për këto ditë kemi mbi 500 qytetarë që kanë marrë vaksinën kundër gripit. Zakonisht, Prishtina mbi 11 mijë qytetarë e marrin këtë vaksinë gjatë kësaj periudhe, kështu që besojmë për këto ditë sa ka filluar vaksinimi procesi po shkon mirë”, u shpreh Sadiku, teksa apeloi që qytetarët që t’i marrin këto vaksina.

    Ndonëse e pranon se ka efekte anësore, Sadiku ka thënë se qytetarët nuk duhen të shqetësohen, pasi efekti parandalues është më i madh, raporton EO.

    “Efekti i vaksinës te gripi është shumë i mirë dhe zakonisht ata qytetarë të cilët e marrin vaksinën, shumica e tyre nuk sëmurën fare, ndërsa tek ndonjë rast i veçantë ata të cilët sëmurën e kalojnë pa simptoma, kështu që ky është efekti shumë i mirë i vaksinës, prandaj duke pas parasysh që vaksina jepet gratis, qytetarët po i ftoj që ofrohen në QKM-të dhe të marrin vaksinën, për arsye se ajo është një metodë shumë e mirë për ta mbrojtur nga sëmundjet infektive, këtë rast nga gripi sezonal”.

    “Zakonisht, efektet anësore janë të padiskutueshme, krahasim me efektet pozitive që ka vaksina e gripit. Efektet anësore mund të jenë ndonjë temperaturë, ndonjë dhimbje muskuli që zgjatin gjatë ditës që merret por janë shumë më të paketa se simptomat që i ka gripit, prandaj për këtë arsye janë të padiskutueshme”, deklaroi Sadiku.

  • Kapet anija me 4 mijë kilogram kokainë në ishujt e Oqeanit Atlantik, arrestohen 10 persona, mes tyre turq e holandez

    Kapet anija me 4 mijë kilogram kokainë në ishujt e Oqeanit Atlantik, arrestohen 10 persona, mes tyre turq e holandez

    Një anije me një ngarkesë prej 4 mijë kg kokainë u kap nga autoritetet 130 milje në veri-lindje të Lanzarote (Ishujt Kanarie).

    Kështu kanë bërë të ditur agjencitë kryesore të shtypit iberik. Dhjetë persona u arrestuan: kapiteni i varkës dhe disa marinarë nga ekuipazhi.

    Anija e mbante flamurin e Tanzanisë, ndërsa mes të arrestuarve janë shtatë shtetas turq, dy nga Azerbajxhani dhe një holandez.

    Autoritetet spanjolle dhe franceze morën pjesë në operacion duke kryer kontrollin e anijes së mallrave.