ATV

Author: G.O.

  • Parashikimi i motit për sot, këto janë temperaturat maksimale

    Parashikimi i motit për sot, këto janë temperaturat maksimale

    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku pritet kohë pas kohe të ketë reshje lokale shiu, të cilat në momente dhe zona të caktuara, pritet të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me disa shkarkesa elektrike.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 10-44 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 12 deri në 14°C, ndërsa ato maksimale prej 17 deri në 21°C.

  • Kurti e Nagavci përurojnë çerdhen e re në Suharekë

    Kurti e Nagavci përurojnë çerdhen e re në Suharekë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kanë bërë përurimin e çerdhes në Suharekë, raporton Ekonomia Online.

    Në përurim morri pjesë edhe kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj.

    Të tre së bashku kanë vizituar objektin e çerdhes për të parë nga afër investimin e bërë.

     

  • Përmbytjet në Bosnje, raportohet për viktima dhe një numër të madh të të lënduarve dhe të zhdukurve

    Përmbytjet në Bosnje, raportohet për viktima dhe një numër të madh të të lënduarve dhe të zhdukurve

    Reshjet e shiut në 24 orët e fundit në zonën e komunave Jabllanicë, Konjiq, Kiseljak, Fojnicë dhe Kreshevë kanë shkaktuar probleme të mëdha për banorët e këtyre komunave në Bosnje dhe Hercegovinë.

    “Për shkak të reshjeve të mëdha dhe rrëshqitjeve të dheut, një popullatë e madhe është në rrezik, me informacione se ka viktima si dhe një numër të madh të të lënduarve dhe personave të zhdukur”, njoftoi Administrata Federale e Mbrojtjes Civile atje. Ministri i linjës konfirmoi informacionin se ka viktima.

    “Trafiku, lidhjet telefonike dhe interneti janë të ndërprera. Duke filluar nga Mostari, në Dreznicë, një përrua i madh i Drezhankës shkatërroi disa ura, rrëmbeu rreth 20 vetura dhe tani për tani nuk kemi informacion për viktima njerëzore në atë zonë. Për shkak të rrëshqitjes së dheut rruga M-17 në drejtim të Jabllanicës së Jashtme është e pakalueshme”, thuhet në raport, ndërsa nga terreni ka ardhur informacione se dy persona kanë mbetur të vdekur, raporton N1.

    “Situata më e vështirë theksohet të jetë në Jabllanicë dhe në rrethinë, ku ka pasur një numër të madh të rrëshqitjeve të dheut nëpër shtëpi, rrëshqitje të dheut në rrugë dhe vërshime të shtëpive që ndodhen te liqeni”, njoftoi Mbrojtja Civile.

  • Aktakuzë kundër dy personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dhënie ryshfeti

    Aktakuzë kundër dy personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dhënie ryshfeti

    Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër T.Gj. për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe kundër B.K. për “Dhënie të ryshfetit”.

    Sipas aktakuzës “ndër tjera cekët se i pandehuri i parë T.Gj., nga data 07.02.2024, deri me dt.23.02.2024, në cilësinë e personit zyrtar në Njësinë Regjionale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar tejkalon kompetencat zyrtare me qellim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ka dëmtuar personin tjetër, ku ka komunikuar me telefon dhe është takuar me tani të pandehurin B.K., ashtu që ka plotësuar gjobat e trafikut nga data 09.02.2024, të fotokopjuara më parë, me numër shq.., të shqiptuar në emër të V.B., dhe me dt.21.02.2024, ka plotësuar gjobën me numër shq.., të shqiptuar në emër të A.B., bazuar në kërkesën e tani të pandehurit B.K., në atë mënyrë gjobat i ka fotografuar dhe ia ka dërguar të njëjtit në viber me qëllim që nga B.K., të përfitoj ku me datë 23.02.2024, rreth orës 15:38 min, vjen me automjetin të tipit ËV Passat dhe pjesët për servisim të automjetit në vlerë 112 Euro, i merr tek një pompë e derivateve në Gjakovë, ku i pandehuri B.K., ja len punëtorit të pompës së derivateve për t'ia dorëzuar të njëjtit, ashtu që pas njoftimit të IPK-së, me rastin ka rezultuar se gjobat nuk i kishte dorëzuar në Stacionin Policor, i pandehuri dhe as nuk i kishte plotësuar në librin e tiketave por që të njëjtat i kishte përdorur në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit”.

    Ndërsa “i pandehuri i dytë B.K., me datë 23.02.2024, me qëllim të dëmtimit të qytetarit – ish shokut të tij V.B., në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të personit zyrtar që të veprojë në kuadër të detyrës zyrtare i kërkon të pandehurit T.Gj., që në cilësi të zyrtarit policor të Komunikacionit Rrugor, ta dënoj V.B., dhe familjen e tij sa herë të i takojë, ashtu që i pandehuri B.K., pasi është njoftuar nga i pandehuri T.Gj. me tiketën, me numër shq.., të shqiptuar në emër të V.B., dhe tiketën me numër shq.., të shqiptuar në emër të A.B., që ja ka fotografuar i pandehuri T.Gj., ditën kritike rreth orës 15:33 min, vjen me automjet kombi ngjyrë e bardhë dhe i sjell tek një pompë e derivateve në Gjakovë, pjesët për servisim të veturës së tij në vlerë prej 112 Euro, të cilat ia kishte dhënë punëtorit të pompës së derivateve, duke ia bërë të ditur se do të vij zyrtari policor T.Gj.”.

  • Së shpejti fillon fertilizimi in-vitro në institucionet publike të Kosovës

    Së shpejti fillon fertilizimi in-vitro në institucionet publike të Kosovës

    Së shpejti pritet të fillojë fertilizimi in-vitro në institucionet publike të Kosovës.

    Kështu ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë, e cila ka njoftuar se ministri sapo e ka nënshkruar përditësimin më të ri të Listës të Produkteve Mjekësore, në të cilin janë futur produktet e nevojshme për procedurën e fertilizimit in-vitro sipas protokoleve referente.

    Njoftimi i plotë:

    Së shpejti fertilizimi in vitro në institucionet publike

    📝 Sapo e kam nënshkruar përditësimin më të ri të Listës të Produkteve Mjekësore, në të cilin janë futur produktet e nevojshme për procedurën e fertilizimit in-vitro sipas protokoleve referente.

    ✅ Këto produkte së shpejti do të sigurohen falas për qytetarët nga ana e shtetit.

    👉🏻Deri më tani për të njejtat produkte qytetarët tanë kanë shpenzuar 1000-1500 euro në sektorin privat.

    🙏🏻 Një falenderim i veçantë për klinikën e Gjinekologjisë, Shërbimin Spitalor dhe Klinik Unversitar të Kosovës, barnatores qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Komitetit Kyç për anagazhimin profesional që këto produkte të futen në Listën e Produkteve Mjekësore.

    🔸 Futja e këtyre produkteve në Listën e Produkteve Mjekësore është parakusht për të ofruar shërbimin e fertilizimit in-vitro për të cilin qytetarët tanë deri më tani kanë shpenzuar me mijëra euro.

    🔜 Së shpejti kjo procedurë do të mund të realizohet në institucionet publike shëndetësore.

  • Kurti takon ministrin e Drejtësisë së Polonisë: Kosova ka përparuar në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit

    Kurti takon ministrin e Drejtësisë së Polonisë: Kosova ka përparuar në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit

    Takimin e radhës në Varshavë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Shefi i Misionit të Kosovës në Poloni, ambasadori Drilon Gashi, e zhvilloi me ministrin polak të Drejtësisë, Adam Bodnar.

    Bashkëpunimi i afërt në çështje të sundimit të ligjit dhe reforma në sistemin e drejtësisë përfshirë vettingun, ishin ndër çështje kryesore që u diskutuan përgjatë takimit. Kryeministri Kurti theksoi përparimin që Kosova ka shënuar në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, që është vlerësuar edhe nga organizata ndërkombëtare. Së fundmi, raporti i kompanisë amerikane Gallup e renditi Kosovën në top 10 vendet e botës me vlerën më të lartë të Indeksit global të Ligjit dhe Rendit.

    Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen në Poloni dhe falënderimin për kontributin e Polonisë në misionin e NATO-s në Kosovë, i cili vazhdon edhe sot.

    Hapja e Misionit të Kosovës në Poloni, është dëshmi e përkushtimit tonë për bashkëpunim edhe më të madh në fusha me interes të përbashkët.

  • Presidenti gjerman – Osmanit: Duhet t’i krijoni “kushtet e nevojshme” për anëtarësim në KiE e BE

    Presidenti gjerman – Osmanit: Duhet t’i krijoni “kushtet e nevojshme” për anëtarësim në KiE e BE

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në Berlin nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

    Presidenca gjermane tha se Steinmeier i tha Osmanit se Gjermania është e interesuar për stabilitetin në rajon dhe anëtarësimin evropian të Kosovës.

    “Gjermania është shumë e interesuar për stabilitetin e rajonit dhe e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës, theksoi Presidenti Federal gjatë bisedimeve. Vendi duhet të punojë për t’i krijuar kushtet e nevojshme për këtë”, thuhet në njoftimin e Presidencës në Gjermani.

  • Izraeli e shpall shefin e OKB-së person të padëshirueshëm

    Izraeli e shpall shefin e OKB-së person të padëshirueshëm

    Ministri i Jashtëm i Izraelit tha se ia ka ndaluar sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, hyrjen në vendin e tij, sepse, siç tha, ai nuk e ka dënuar sulmin raketor të Iranit kundër Izraelit.

    Irani hodhi të martën më shumë se 180 raketa balistike drejt Izraelit, në përgjigje të, siç tha, agresionit të tij në Liban dhe në Gazë.

    Guterres lëshoi po atë ditë një deklaratë të shkurtër, duke iu referuar vetëm “sulmeve të fundit në Lindjen e Mesme” dhe duke dënuar “përshkallëzimin e vazhdueshëm të konfliktit”.

    Më herët të martën, Izraeli dërgoi trupa në Libanin jugor.

    Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, tha se fakti që Guterres nuk e përmendi Iranin, e bën atë person të padëshirueshëm në Izrael.

    “Kushdo që nuk mund ta dënojë qartazi sulmin e urryer të Iranit kundër Izraelit, siç bënë pothuajse të gjitha vendet e botës, nuk e meriton të shkelë në tokën izraelite”, tha Katz.

    “Izraeli do të vazhdojë t’i mbrojë qytetarët e tij dhe ta ruajë dinjitetin e tij kombëtar, me ose pa Antonio Guterresin”, shtoi ai.

    Shumica e raketave të Iranit u kapën në ajër, por disa depërtuan përmes mbrojtjes raketore. Megjithatë, nuk u raportua për viktima.

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Irani bëri “gabim të madh” me sulmin raketor kundër Izraelit dhe u zotua se do të hakmerret./REL/

  • Zyrtari i NATO-s: Jemi të përkushtuar për ruajtjen e sigurisë në Kosovë, mirëpresim përparimin e FSK-së

    Zyrtari i NATO-s: Jemi të përkushtuar për ruajtjen e sigurisë në Kosovë, mirëpresim përparimin e FSK-së

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), të mërkurën ka bërë bashkë zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë, ambasadorë dhe atashe ushtarak nga vendet mike në Konferencën vjetore “FSK dhe Partnerët 2024”.

    Christian Nawrat, drejtori i Ekipit ndërlidhës këshillues të NATO-s, tha se Aleanca mbetet e përkushtuar për rolin e saj në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

    Ai garantoi se NATO do ta ndihmojë FSK-në në ngritjen e kapaciteteve.

    “NATO mbetet e përkushtuar për të luajtur rolin e saj në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë e mbarë rajonin. Ne po punojmë, por brenda këtij mandati ka edhe shumë për të bërë. Duke ofruar këshilla tona si ekip shumë-kombësh bazuar në mandati e FSK-së, ne luajmë rol unik në mesin e ndërkombëtarëve që mbështesin FSK”.

    “Aleatët tanë mbesin në të njëjtin synim, që të mbështesin FSK-në për të krijuar një forcë të aftë për të i’u ofruar mundësi individëve pa dallime gjinie e përkatësi etnike. NATO mirëpret përparimin e një FSK-je më gjithëpërfshirëse”, ka thënë Nawrat.

  • Kurti e Maqedonci takojnë ministrin estonez të Mbrojtjes: Mbështetja e Estonisë është jetike

    Kurti e Maqedonci takojnë ministrin estonez të Mbrojtjes: Mbështetja e Estonisë është jetike

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Varshavë të Polonisë, ku bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po marrin pjesë në Forumin e Varshavës për Siguri 2024 (WSF 2024).

    Kurti ka njoftuar se ditën e dytë të forumit e kanë nisur me një takim me homologun estonez të Maqedoncit, me të cilin tha se kanë folur për sigurinë, e mbështetjen e Estonisë për Kosovën ai e cilësoi si jetike.

    “Me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci e nisëm ditën tonë të dytë në Forumin e Varshavës për Siguri (WSF) me një takim produktiv dhe gjithëpërfshirës me Ministrin e Mbrojtjes të Estonisë, Hanno Pevkur. Së bashku, ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin. Mbështetja e Estonisë është jetike derisa ne forcojmë aftësitë mbrojtëse të Kosovës dhe kontribuojmë në stabilitetin rajonal”, ka shkruar Kurti në X.