ATV

Author: G.O.

  • Ushtria izraelite thotë se e vrau edhe një komandant të lartë të Hezbollahut

    Ushtria izraelite thotë se e vrau edhe një komandant të lartë të Hezbollahut

    Ushtria izraelite njoftoi të martën se e ka vrarë edhe një komandant të lartë të Hezbollahut, një ditë pasi e shënoi njëvjetorin e sulmit të Hamasit ndaj shtetit hebraik që vrau më shumë se 1.200 njerëz.

    Suhail Husseini, i cili ishte përgjegjës për buxhet, logjistikë dhe menaxhim të grupit të mbështetur nga Irani, u vra nga një sulm i kryer më 7 tetor, thanë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në një komunikatë.

    Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

    “Husseini luajti rol kyç në transferimin e armëve mes Iranit dhe Hezbollahut”, thuhet në komunikatë.

    Ai ishte përgjegjës edhe për shpërndarjen e armëve të avancuara tek anëtarët e grupit dhe për “projektet më të ndeshje” të grupit, që përfshinin edhe operacionet kundër Izraelit.

    Husseini ishte gjithashtu anëtar i Këshillit të Xhidahit të Hezbollahut, organi më i lartë ushtarak i grupit, tha IDF-ja.

    Hezbollahu nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij deri tani.

    Njoftimi për vrasjen e tij vjen një ditë pasi militantët palestinezë në Gaza lëshuan një breshëri raketash drejt Izraelit më 7 tetor, ku presidenti izraelit Isaac Herzog udhëhoqi një minutë heshtje kombëtare për të shënuar fillimin e sulmit të Hamasit vitin e kaluar, i cili filloi në Kibbutz Reim në jug të vendit.

    Hamas është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian.

    Në Uashington, presidenti amerikan Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris dënuan Hamasin në përvjetorin e sulmit, ndërsa ritheksuan përkushtimin e administratës amerikane për arritjen e marrëveshjeve për armëpushim për t’i dhënë fund luftërave në Gazë dhe në Liban.

    Në Jerusalem, të afërmit e rreth 100 pengjeve që ndodhen ende në robërinë e Hamasit, shumë prej të cilëve besohet se janë të vdekur, u mblodhën pranë rezidencës së kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe qëndruan në heshtje në shenjë proteste ndaj asaj që të afërmit e quajnë dështim të Qeverisë për t’i liruar më të dashurit e tyre.

    Pas sulmit të 7 tetorit, Izraeli nisi një luftë Gazë, ku i ka vrarë afro 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

    Ushtria izraelite tha më 7 tetor se gjatë vitit të fundit i ka bombarduar më shumë se 40.000 shënjestra në Gazë, ka zbuluar 4.700 tunele dhe ka shkatërruar 1.000 vende të raketahedhësve.

    Konflikti në Gazë është duke u zhvilluar ende, ndërsa Izraeli tani po lufton në një front të dytë në jug të Libanit kundër Hezbollahut.

    Në javët e fundit, Izraeli i ka bombarduar qarqet jugore të Bejrutit dhe është duke kryer inkursion tokësor në jug dhe jugperëndim të Libanit, në përpjekje për ta shkatërruar Hezbollahun.

    Izraeli e ka vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe me gjasë edhe pasuesin e tij të mundshëm, Hashem Safieddine./REL/

  • Sa mund ta dëmtojë shikimin mbajtja e lenteve?

    Sa mund ta dëmtojë shikimin mbajtja e lenteve?

    Mbajtja e lenteve mund të jetë praktike në përditshmëri dhe sidomos nëse merreni me sport. Por, nëse shihni raportet e infeksioneve kërcënuese për shikimin dhe probleme të tjera që lidhen me përdorimin e lenteve, mund të ndërroni mendje!

    Cilat janë rreziqet e përdorimit të lenteve të kontaktit?

    Ka shumë lloje lentesh, të forta, të buta, me përdorim të përditshëm dhe të zgjatur, të gjitha konsiderohen mjaft të sigurta.

    Megjithatë në bazë të të dhënave, në mbarë botën njerëzit raportojnë shqetësime të ndryshme nga përdorimi i tyre.

    Shqetësimet më të zakonshme janë:

    Acarim ose dhimbje e syve

    Ënjtje rreth syve

    Shikim i paqartë ose ndjeshmëri ndaj dritës

    Skuqje e syve

    Ulçera korneale (dëmtim në pjesën e përparme të lëmuar dhe të pastër të syrit)

    Keratiti infektiv (inflamacion i kornesë për shkak të një infeksioni)

    Edhe pse shpesh një acarim i vogël mund të largohet vetë brenda një ose dy ditësh, këshillohet të ndalohet përdorimi i lenteve.

    Për mbajtjen e lenteve duhet pasur parasysh këto këshilla:

    E rëndësishme është të mos i mbani lentet derisa flini gjumë.

    Edhe pse ato rrallë dëmtojnë kornenë, të flini pa i hequr, mund të rrisë mundësinë e infeksioneve të ndryshme.

    Të ruhen në një vend të freskët.

    Lajini duart mirë përpara se të prekni lentet.

    Mos i vendosni lentet në gojë ose mos pështyni mbi to.

    Kujdesuni që kremrat e duarve ose grimi të mos bjerë në kontakt me lentet. Vendosni lentet përpara se të aplikoni grimin dhe hiqni përpara se të hiqni grimin.

    Mbajeni kutinë e lenteve të pastër dhe merrni një të re të paktën një herë në disa muaj.

    Ndryshojini lentet sipas rekomandimit të mjekut.

    Bëni një ekzaminim të syve të paktën një herë në vit.

    Nëse vëreni probleme, si skuqje, dhimbje në sy ose ndryshim në shikim, hiqni menjëherë ato.

    Për fat të mirë, problemet serioze që lidhen me mbajtjen e lenteve janë mjaft të rralla, ndoshta sepse kujdesi i rekomanduar i parandalon ato. /agroweb

  • 10 mënyra për t’u mbrojtur nga ftohja dhe gripi

    10 mënyra për t’u mbrojtur nga ftohja dhe gripi

    Me uljen e temperaturave dhe afrimit të sezonit nga ftohja dhe gripi, duhet të bëhemi të kujdesshëm nëse nuk dëshirojmë të sëmuremi.

    Por, ekspertët kanë rekomanduar disa mënyra efektive që mund t’ju ndihmojnë në parandalimin e kapjes së gripit e po ashtu të mbroheni nga ftohja.

    Në vijim kemi listuar disa prej tyre:

    Merrni një vaksinë kundër gripit: Konsultoheni paraprakisht me mjekun tuaj për ta marrë vaksinën kundër gripit këtë vit. Pasi të keni marrë vendimin nga mjeku juaj, bëni vaksinën në fillim të sezonit.

    Lani duart me sapun dhe ujë të ngrohtë: Sa herë që shtrëngoni duart me dikë, lani duart më pas. Larja e duarve para ngrënies dhe prekja e fytyrës është një mënyrë thelbësore për të parandaluar përhapjen e viruseve dhe baktereve të dëmshme.

    Shmangni prekjen e syve dhe gojës: Mikrobet e ftohjes dhe gripit mund t’ju infektojnë lehtësisht përmes syve dhe gojës. Nëse duhet të prekni fytyrën, lani duart së pari.

    Bëni gjumë të mjaftueshëm: Privimi i gjumit mund të përfshijë sistemin imunitar, duke ju bërë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve. Synoni të bëni shtatë deri në nëntë orë çdo natë.

    Bëni palestër: Jo vetëm që stërvitja është e mirë për sistemin tuaj kardiovaskular dhe menaxhimin e peshës, por të qëndrosh në formë rrit imunitetin dhe të ndihmon të menaxhosh nivelet e stresit, gjë që është e rëndësishme për të qëndruar të shëndetshëm në sezonin e gripit.

    Mbajeni në dorë dezinfektuesin e duarve për ato raste kur nuk keni akses në sapun dhe ujë: Nëse jeni jashtë dhe përreth, mbani një shishe dezinfektues me bazë alkooli në çantën ose xhepin tuaj për të hequr mikrobet.

    Mos i kafshoni thonjtë: Mikrobet qëndrojnë poshtë thonjve tuaj dhe kafshimi i thonjve është vetëm një mënyrë tjetër se si mund të infektoheni me virusin e ftohjes ose gripit.

    Shmangni njerëzit që tashmë janë të sëmurë: Nëse dikush kollitet ose teshtin, mbani distancën tuaj. Po kështu, nëse jeni të sëmurë dhe ngjitës, merrni kohë për të pushuar në shtëpi, në mënyrë që të përmirësoheni dhe të mos përhapni mikrobe tek ata me të cilët vini në kontakt.

    Hani një dietë të shëndetshme: Ashtu si stërvitja, ngrënia e duhur mund të ketë përfitime jo vetëm për peshën tuaj, por edhe për sistemin tuaj imunitar. Merrni lëndët ushqyese jetike ditore nga frutat dhe perimet për të mbajtur imunitetin tuaj të fortë.

    Qëndroni të hidratuar: Pirja e shumë lëngjeve – veçanërisht uji – largon toksinat nga sistemi juaj dhe ju mban të shëndetshëm. Nëse ndodh të sëmureni, qëndrimi i hidratuar mirë është po aq i rëndësishëm për shërimin tuaj. /Telegrafi/

  • Arrestohet një burrë në Gjakovë, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij

    Arrestohet një burrë në Gjakovë, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij

    Një burrë është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

    Policia bën me dije se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për arsye se i njëjti kishte shkaktuar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Sot mbahet takimi i procesit të Bërdo Brionit, Osmani përfaqëson Kosovën

    Sot mbahet takimi i procesit të Bërdo Brionit, Osmani përfaqëson Kosovën

    Sot në Mal të Zi mbahet takimi vjetor i krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo Brionit.

    Nga Kosova merr pjesë presidentja, Vjosa Osmani, e cila dje e ka takuar presidentin kroat Zoran Milanoviq.

    Gjatë takimit me Milanoviqin, Osmani është shprehur mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë, të sigurt dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike.

    Ndryshe Samiti i Procesit Bërdo Brioni këtë vit mbahet në Mal të Zi, ku të pranishmit do të diskutojnë mbi zgjerimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe përshpejtimin e procesit të integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    Procesi Bërdo Brioni është një mbledhje shumëpalëshe e përvitshme e krerëve të shteteve në Ballkanin Perëndimor.

  • Arrestohet një burrë në Prishtinë, e shiti veturën që e kishte marrë me qira

    Arrestohet një burrë në Prishtinë, e shiti veturën që e kishte marrë me qira

    Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një burri në Prishtinë, nën dyshimin se e ka shitur një veturë të cilën e kishte marrë me qira.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje.

    “Rr. Bill Klinton, Prishtinë 14.09.2024. Më 07.10.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte shitur veturën të cilën e kishte marrë me qira. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Vdes babai i Haxhi Shalës, komandant Topit që ndodhet në Hagë

    Vdes babai i Haxhi Shalës, komandant Topit që ndodhet në Hagë

    Babai i Haxhi Shalës, komandant Topit, Xheladin Shala, u nda nga jeta sot, raporton Gazeta Sinjali.

    Lajmin e ka bërë të ditur nipi i të ndjerit, i cili tha se gjyshi i tij u largua me mallin për djalin e tij që ndodhet në paraburgim në Hagë.

    “Sot, në orët e para të mëngjesit, na la gjyshi jonë i dashur, Xheladin Shala.

    U largove me mallin që ta shohësh edhe një herë djalin tënd, një mall që nuk munde ta shuaje dot. Zemra ime është e rënduar nga kjo dhimbje, sepse ti dëshiroje aq shumë të ishe sërish me të. E megjithatë, u prehsh në paqe, gjyshi im! Në kujtimet tona, ti do të jetosh gjithmonë, me atë dashuri të pafund që na dhe dhe forcën që gjithmonë na jepje.

    Mungesa jote do ndihet gjithnjë, por ne do ta mbajmë kujtimin tënd të gjallë.”

  • Kontingjenti i 31-të hungarez i KFOR-it nis shërbimin në Kosovë

    Kontingjenti i 31-të hungarez i KFOR-it nis shërbimin në Kosovë

    Kontingjenti i 31-të i Forcave të Mbrojtjes Hungareze ka filluar shërbimin e tij gjashtëmujor në KFOR.

    Ceremonia e dorëzimit të komandës u mbajt më 28 shtator në kampin Novo Selo – e kryesuar nga gjeneralmajor Ozkan Ulutash, komandanti në largim i KFOR-it.

    Ndër të tjera, në këtë aktivitet mori pjesë edhe Bela Bozsik, ambasadore e Hungarisë në Kosovë.

    Nënkolonel David Szent-Imrey, komandant i kontingjentit të 30-të të modulit hungarez të KFOR-it ia dorëzoi udhëheqjen e kontingjentit hungarez nënkolonelit Tibor Dancs.

    Gjeneralmajor Ozkan Ulutash falënderoi nënkolonelin Szent-Imrey “për udhëheqjen dhe shërbimin e shkëlqyer”, ndërsa i uroi mirëseardhjen nënkolonelit Dancs dhe i uroi atij shërbim të suksesshëm.

    Paqeruajtësit hungarezë kanë shërbyer në Ballkanin Perëndimor që nga viti 1995 dhe kanë marrë pjesë në KFOR që nga viti 1999. Aktualisht, kontributi hungarez në KFOR vjen nga dy skuadrilje manovrash, njësi zbulimi dhe ushtarë të dislokuar në shtabin, logjistikën dhe detyrat mbështetëse.

  • Sulmet e qenve endacakë në QKUK, Ramës i bëhet thirrje të ndërmarrë masa të menjëhershme

    Sulmet e qenve endacakë në QKUK, Ramës i bëhet thirrje të ndërmarrë masa të menjëhershme

    Një neurolog i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është sulmuar dhe kafshuar nga qen endacakë gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

    Lidhur me këtë, ka reaguar anesteziologia, Kumrije Shabani.

    Ajo i ka kërkuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, që të ndërmarr masa të menjëhershme dhe konkrete për të mbrojtur qytetarët nga këto rreziqe.

    “Është e papranueshme që profesionistët shëndetësorë dhe qytetarët të jetojnë në frikë për jetën dhe sigurinë e tyre për shkak të dështimit të menaxhimit të këtij problemi.  Z. Rama, kërkoj nga ju që të ndërmerrni masa të menjëhershme dhe konkrete për të mbrojtur qytetarët nga këto rreziqe. Kafshimet nga qentë endacakë nuk mund të jenë më një ngjarje e zakonshme në qytetin tonë. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve është prioriteti kryesor. Ftoj urgjentisht që të adresoni këtë situatë dhe të jepni llogari për vonesat e zgjidhjes së saj”, ka shkruar Shabani në Facebook.

  • Erdogan të enjten në Shqipëri, të premten në Serbi

    Erdogan të enjten në Shqipëri, të premten në Serbi

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të vizitojë kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën javën e ardhshme.

    Ai do të jetë në Shqipëri me 10 tetor dhe do të qëndrojë për disa orë, ndërsa më 11 tetor do të jetë në Serbi.

    Në Tiranë, presidenti Erdogan do të pritet nga kryeministri Edi Rama, me të cilin do të zhvillojë një takim bashkë me kabinetet përkatëse, si vijueshmëri e zbatimit te marrëveshjeve.