ATV

Author: G.O.

  • Rohde: Lajm i mirë, Kosova nga tani do të përfaqësohet në CEFTA nga zyrtarët e vet dhe jo nga UNMIK-u

    Rohde: Lajm i mirë, Kosova nga tani do të përfaqësohet në CEFTA nga zyrtarët e vet dhe jo nga UNMIK-u

    Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë të mërkurën se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e vet nga tani në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA).

    Kosova është përfaqësuar në CEFTA përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) prej vitit 2007, kur iu bashkua asaj.

    “Lajm vërtet i mirë për Kosovën dhe tërë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe nga tani Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e vet, ashtu siç duhet, e jo nga UNMIK-u”, shkroi Rohde në X.

    Ai tha se ky është “hap i madh” drejt përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në këtë organ rajonal.

  • Panik në avionin e linjës ‘Turqi-New York’, piloti ndërron jetë në mes të fluturimit

    Panik në avionin e linjës ‘Turqi-New York’, piloti ndërron jetë në mes të fluturimit

    Një avion i Turkish Airlines u detyrua të bënte një ulje emergjente në qytetin e Nju Jorkut pasi piloti ndërroi jetë në mes të fluturimit.

    Linja ajrore tha se kapiteni i aeroplanit, Ilcehin Pehlivan, ndërroi jetë gjatë fluturimit nga Seattle në Stamboll të mërkurën.

    Zëdhënësi i linjës ajrore, Yahya Ustun tha se ekuipazhi u përpoq për ta mbajtur në jetë pilotin, por fatkeqësisht humbi jetën para se të ulej avioni në tokë.

    Sipas Shoqatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Turqisë, 59-vjeçari pësoi arrest atak në zemër.

  • Aksidenti i zëvendësministrit, Kurti: Duhet t’i lejojmë organet e rendit të kryejnë punën e tyre

    Aksidenti i zëvendësministrit, Kurti: Duhet t’i lejojmë organet e rendit të kryejnë punën e tyre

    Kryeministri Albin Kurti ka folur për aksidentin e djeshëm të zëvendësministrit të Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, i cili dyshohet se ka goditur një person me motoçikletë në Gjakovë.

    Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se përqendrimi tani është tek i lënduari, dhe se organet e rendit duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre profesionale.

    “Sa i përket aksidentit që ka ndodhur janë organet e rendit, institucionet përkatëse të shtetit tonë të cilët hetojnë dhe hulumtojnë, procedura vazhdon”.

    “Më vjen keq çka ka ndodhur besoj se njëjtë ndjehet edhe zëvendësministri, do të merren hapat në vijim, ne duhet të jemi të përqendruar tek i lënduari, edhe tek lejimi i organeve të vendit të bëjnë punën në formë profesionale”, ka thënë Kurti.

  • Bislimi takon nesër Lajçakun

    Bislimi takon nesër Lajçakun

    Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi ka njoftuar se nesër do të zhvillojë një takim me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, ai tutje tha se Lajçaku është duke punuar drejt caktimit të një takimi të radhës të kryenegociatorëve.

    “Emisari Lajçak është duke punuar drejt caktimit të një takimi të radhës të kryenegociatorëve. Nuk e di kur do të jetë ai takim. Unë nesër do ta takojë Lajçakun dhe pastaj do të mund të dakordohemi se si ecët më tutje”, tha Bislimi,

  • Elvana Gjata reagon për herë të parë rreth lajmeve të rënda që qarkullojnë rreth saj

    Elvana Gjata reagon për herë të parë rreth lajmeve të rënda që qarkullojnë rreth saj

    Elvana Gjata ka reaguar për herë të parë rreth lajmeve të rreme që qarkullojnë rreth saj në mediat sociale, dhe sipas saj janë jo të vërteta.

    “Në momentin që çdo gjë ka kaluar në platformat online, rrjetet sociale, ka plasur një luftë lojë numrash, klikimesh, komentesh, opinionesh”, thotë ajo në emisionin “Ndryshe”.

    “Për shembull për mua nuk më bën çudi asgjë dhe nuk çuditem kur shikoj lajme me romancë në momentin kur bëj një kërcim në skenë me Ylli Limanin, apo në momentin kur jam në film “2 Gisht Mjaltë” me Ermalin, apo me serialin me Romeon. Por nuk do të thotë që unë tani do të reagoj gjithmonë, sepse realisht i bie që të merrem vetëm me këtë punë dhe të lë gjërat e tjera”, thotë këngëtarja.

    Më tej, ajo shtoi: “Fakti është që të thuash të vërtetën sot është çmenduri në një botë plot me gënjeshtra. Sot e vërteta mbulohet me mijëra gënjeshtra. Është e trishtë kur ti shikon një lajm që promovohet dhe riprodhohet nga një mijë portale të tjera dhe nuk i gjendet më as fillimi dhe as fundi. Në fakt këtë do ta quaja një gënjeshtër të madhe. Ne kemi atë shprehjen tonë që gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por në kohët që jetojmë gënjeshtrës i janë zgjatur shumë këmbët. Unë jam sulmuar me lajme të rënda do thoja, të pavërteta. Jo vetëm të pavërteta do thoja, por jashtë çdo llogjike dhe sensi, por kjo mua nuk më ka bërë që të ndalem dhe fakti që nuk kam reaguar nuk do të thotë që kam qenë indiferente, por kam zgjedhur të punoj me të gjithë forcat e mia.”

    Top Channel

  • Aksioni në MMPHI, Kurti: Ministria s’është e Liburn Aliut, nuk është pronar

    Aksioni në MMPHI, Kurti: Ministria s’është e Liburn Aliut, nuk është pronar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për aksionin e djeshëm të Prokurorisë Speciale në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dhe arrestimit të Izedin Bytyqi, sekretari i Përgjithshëm.

    Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se ministria në fjalë nuk është e Liburn Aliut, ai është punëtorë aty, dhe se për rastin në fjalë nuk mund të japë një gjykim përmbajtësor pasi nuk ka informacione, raporton Ekonomia Online.

    ”Ministria nuk është e Liburn Aliut, ai është vet ministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ministria është në kuadër të Qeverisë së Kosovës, që të gjithë ne do të thotë jemi këtu punëtorë,nuk jemi pronar asnjëri, jemi shërbyes. Fjala ministër vjen nga latinishtja që do të thotë shërbëtor, prandaj s’jemi pronar, ministria e këtij apo e atij. Kjo nuk është dashtë të jetë asnjëherë, por ndoshta për shkak të së kaluarës edhe ashtu është dukur, edhe ashtu janë sjellë e kanë ngelur këto keqkuptime”.

    “Personi i parë i arrestuar është një zyrtar që punon në institucionet e shtetit të Kosovës prej dy dekadash nuk  kam informacion për çka janë hetuar, e arrestuar dhe përndjekur, nuk e di këtë gjë. Unë besoj se gjithçka do të sqarohet se drejtësia do të veprojë, nuk mundem në kushtet kur mungon informacione kur mungon informacioni përveç imazheve që shfaqen në mediat tona, të jap gjykime përmbajtjesore”, ka thënë Kurti.

  • “Jam i ngutshëm, por i kthyeshëm”, PSD-ja me aksion simbolik në Merdarë – pengohen nga Policia

    “Jam i ngutshëm, por i kthyeshëm”, PSD-ja me aksion simbolik në Merdarë – pengohen nga Policia

    Policia e Kosovës ka penguar anëtarët e Partia Socialdemokrate (PSD) të vendosin disa pankarta në rrethojat në pikën kufitare në Merdarë. Policia ka kërkuar nga anëtarët e PSD-së që pankarta t’i vendosin jashtë rrethojave, raporton Ekonomia Online. Por një gjë e tillë u kundërshtuan nga aktivistët e kësaj parie, me ç’rast pati edhe një përplasje ndërmjet tyre.

    Më pas ata kanë vendosur një pankartë me fotografinë e kryeministrit Albin Kurti me një mbishkrim “Jam i ngutshëm, por i kthyeshëm”.

    Aksioni i PSD-së vjen një ditë pasi ky pikëkalimin kufitar me Serbinë, me vendim të Qeverisë është hapur për kalimin e mallrave serbe.

    Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në një përgjigje për Ekonomia Online ka thënë se kamionët me mallra që kanë origjinë Serbinë, kanë qarkulluar pa ndonjë problem gjatë këtyre ditëve por që numri i tyre gjatë dy ditëve ka qenë i vogël.

    Kurse ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka thënë dje gjatë ditës se bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar Merdarë, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.

    Andaj, siç bëri të ditur ai, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X.

    Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksionalë në ato pika kufitare.

    Importimi i mallrave serbe rifilloi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës dy ditë më parë për ta hequr kufizimin ndaj mallrave nga Serbia për këtë pikëkalim kufitar.

  • Çfarë tregon për shëndetin dhimbja mbrapa koke

    Çfarë tregon për shëndetin dhimbja mbrapa koke

    Dhimbja në pjesën e prapme të kokës shpërthen si pasojë e tensionit, stresit ose lodhjes.

    Megjithatë, sipas të dhënave të AgroWeb.org, ajo shpesh mund të shfaqet si rezultat i hernies diskale ose ndonjë lëndimi të mundshëm në pjesën e sipërme të qafës.

    Simptomat e dhimbjes mbrapa koke
    Dhimbja në pjesën e prapme të kokës mund të shoqërohet me disa simptoma ndaj të cilave duhet të jeni të vëmendshëm.

    Këto simptoma janë:

    Mpirje e qafës

    Dhimbje therëse në krahun e majtë ose të djathtë të qafës

    Mpirje të kokës

    Dhimbje e fortë të syrit

    Dhimbje që intensifikohet pas çdo lëvizje të kokës

    Pamundësi në lëvizjen e qafës

    Shkaqet e dhimbjes mbrapa koke:

    Tensioni
    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, kur koka dhemb si pasojë e luhatjeve të tensionit, dhimbja ka tendencën të qarkullojë në zona të ndryshme.

    Kompresat ose dushi i ngrohtë ndihmojnë kundër dhimbjes, bashkë me mbajtjen nën kontroll të stresit.

    Lëndimet e qafës
    Kur muskujt, ligamentet, tendinat dhe nervat e qafës lëndohen, dhimbja është e paevitueshme.

    Për shembull, nëse keni qëndruar në një pozicion të gabuar për shumë kohë, zona mbrapa kokës do të dhembë më shumë.

    Stërmundimi i muskujve të qafës i bën ato më të dobët dhe nxisin dhimbjen mbrapa koke.

    Si të përballeni me dhimbjen mbrapa koke

    Ndryshoni mënyrën e qëndrimit
    Nëse mënyra se si qëndroni është problematike, sigurohuni ta ndryshoni atë.

    Në rast se punoni përpara kompjuterit, sigurohuni që ekrani të jetë i ngritur dhe që qafa të mos qëndrojë e ulur.

    Aktiviteti fizik
    Aktiviteti fizik është shumë i mirë për të forcuar muskujt dhe përmirësuar qëndrimin.

    Kompresat e ngrohta
    Vendosni një kompresë të ngrohtë pas koke dhe mbajeni për 20 minuta për të ulur dhimbjen dhe zbutur inflamacionin.

    Kur duhet të shqetësoheni?

    AgroWeb.org ju këshillon se është shumë e rëndësishme që të konsultoheni me një mjek në rastet kur:

    Dhimbja përkeqësohet me kalimin e kohës

    Keni vështirësi në lëvizjen e krahut dhe ndieni dobësi muskulare

    Vëreni një rënie të shpejtë në peshë

    Pësoni fraktura të shpeshta

    Keni vështirësi në ecje./AgroWeb.org

  • Miratohet agjenda e reformave për të përfituar nga Plani i Rritjes, kusht progresi në dialog

    Miratohet agjenda e reformave për të përfituar nga Plani i Rritjes, kusht progresi në dialog

    Qeveria e Kosovës e ka miratuar Agjendën e Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

    Kryeministri Albin Kurti tha se Bashkimi Europian ka kërkuar “aprovimin e kësaj agjende të reformave”, ndërsa tregoi se ajo u negociua me Komisionin Europian nga një delegacion i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

    “Nga muaji maj, ky instrument tashmë ka hyrë në fuqi. Për të përfituar nga këto fonde si ndihmesë për arritjen e reformave, është kërkuar përgatitje e një agjende të reformave nga të gjitha gjashtë shtetet. Kosova ka negociuar me Komisionin Evropian dhe ka përgatitur një agjendë serioze të reformave për katër vitet e ardhshme, që fillon sivjet e vazhdon deri në vitin 2027. Negocimi i agjendës së reformave dhe planit të rritjes ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar. Ekipi ynë negociator i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë një punë të shkëlqyeshme”, tha ai.

    Kurti tha se Kosova “ka respektuar të gjitha afatet dhe ka dorëzuar në kohë agjendën e reformave, koston financiare për secilën reformë, si dhe listën indikative të projekteve investive”.

    Ai tregoi se “si rezultat i këtij plani”, Kosova “mund të përfitojë deri në 882 milionë e 600 mijë euro”. Afër 30% e kësaj shume, Kurti tha se “janë grante” ndërsa “rreth 70% janë hua afatgjate”.

    Agjenda, siç tha Kurti, përfshin pesë fusha, 30 reforma dhe 111 hapa ose veprime konkrete. Aty, tha se hyjnë “qeverisja e mirë, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi i biznesit, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, vlerat themelore dhe sundimi i ligjit”.

    “Nga kjo agjendë e reformave, brenda katër viteve të ardhshme do të jemi dëshmitarë të shumë ndryshimeve të nevojshme, gjithsesi pozitive, të cilat do të ndodhin në Republikën e Kosovës”, u shpreh kryeministri.

    Ai tha se Komisioni Europian më pas “do të përgatisë marrëveshjen nga instrumenti nga plani i rritjes dhe marrëveshjen për hua”.

    Bislimi, ndërkaq, tha se kjo agjendë është “rezultat i një pune pothuajse njëvjeçare”.

    Këshilli i Bashkimit Europian e ka miratuar në maj Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

    Vendet anëtare të BE-së do të kenë fjalën kryesore në miratimin e burimeve financiare, ndërsa Kosovës dhe Serbisë u kërkohet “progres i matshëm dhe rezultate të prekshme” në normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i saj i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut.

    Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat cilësorë dhe sasiorë të specifikuar në agjendat e tyre të reformave.

  • Kurti për takimet në ShBA e Poloni: Vendet mosnjohëse synojmë t’i afrojmë, ato që na kanë njohur t’i thellojmë raportet

    Kurti për takimet në ShBA e Poloni: Vendet mosnjohëse synojmë t’i afrojmë, ato që na kanë njohur t’i thellojmë raportet

    Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar kabinetin për udhëtimet në ShBA dhe Poloni.

    Ai tha se ka pasur “takime të shumta” atje për thellim të marrëdhënieve, ndërsa shtoi se ka takuar edhe udhëheqës të shteteve mosnjohëse për t’i njohur ato me Kosovën, historinë dhe synimet demokratike të saj.

    Kurti ka falënderuar diasporën në këto dy vende për pritjen madhështore që i kanë bërë.

    “Takimet të shumta bilaterale me shtete mike, aleate e partnere e kanë karakterizuar vizitën tonë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin. Takuam edhe udhëheqës të shteteve mosnjohëse për t’i njohur ata sa më gjerë e më gjatë e më thellë me vendin tonë, me historinë tonë me synimet tona demokratike e veriatlantike për të afruar sa më shumë ato vende drejt njohjes së vendit tonë dhe vendosjes së bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve bilaterale sa më parë aq më mirë ku edhe prezantuam edhe perspektivën tonë për realizimin e rritjes ekonomike e të progresit demokratik të vendit tonë”.

    “Këto vendet mosnjohëse pra synojmë që t’i afrojmë e ndërkohë me vendet që na kanë njohur t’i thellojmë raportet biletarale. Mikpritja madhështore nga diaspora jonë në ShBA e Poloni na la mbresa të forta dhe emocione të pashlyeshme, për të cilat i falënderoj përzemërsisht. Sinergjia e Qeverisë dhe institucioneve të Republikës në përgjithësi me ta është e domosdoshme përveçse e nevojshme si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen e vendit”, tha Kurti.