ATV

Author: G.O.

  • Qeveria mban mbledhjen e radhës

    Qeveria mban mbledhjen e radhës

    Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Takimi është njoftuar të fillojë në orën 11:00, derisa kjo mbledhje vjen pas dy vendimeve madhore të qeverisë – njëri për rritjen e pensioneve me 20 për qind, e tjetri për heqjen e ndalesës për mallrat e prodhuara në Serbi.

    Një ditë më parë, Kurti dhe ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, patën takim me kryetarët e komunave, me të cilët diskutuan sfidat dhe shqetësimet e komunave.

     

  • Osmani nga Tivati: Masat e padrejta të BE-së kundër Kosovës po dëmtojnë drejtpërdrejt popullin

    Osmani nga Tivati: Masat e padrejta të BE-së kundër Kosovës po dëmtojnë drejtpërdrejt popullin

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në samitin e liderëve të procesit të Bërdo-Brione që u mbajt në Tivat, Mali i Zi, ka theksuar se masat e padrejta të BE-së kundër Kosovës po e dëmtojnë popullin.

    Osmani tha se mbështetja e BE-së duhet të shkojë aty ku ka përkushtim të vërtetë për integrim evropian, e jo  te satelitët e Putinit, duke aluduar te fqinji ynë, Serbia.

    “Në samitin e liderëve të procesit Bërdo-Brione në Tivat, theksova se masat e padrejta të BE-së kundër Kosovës po dëmtojnë drejtpërdrejt popullin e Kosovës, përkundër faktit që Republika e Kosovës është 100% e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.

    “Mbështetja e BE-së duhet të shkojë aty ku ka përkushtim të vërtetë për integrim evropian, për demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut, dhe jo tek satelitët e Putinit të cilët në mënyrë aktive punojnë drejt destabilizimit të të gjithë rajonit tonë”, tha Osmani.

    Bashkimi Evropian pati vendosur masa kufizuese ndaj Kosovës vitin e kaluar, pas ngjarjeve që patën ndodhur në veri të vendit në maj të vitit 2023.

  • Planifikonte një sulm në ditën e zgjedhjeve, arrestohet një afgan në ShBA

    Planifikonte një sulm në ditën e zgjedhjeve, arrestohet një afgan në ShBA

    FBI-ja ka arrestuar një afgan, i cili po planifikonte një sulm në ditën e zgjedhjeve që synonte turma të mëdha në Shtetet e Bashkuara, tha të martën Departamenti i Drejtësisë.

    Autoritetet thanë se i dyshuari ishte frymëzuar nga grupi terrorist Shteti Islamik.

    Afgani 27 vjeçar Nasir Ahmad Tawhedi nga qyteti i Oklahomës u tha hetuesve pas arrestimit të tij të hënën se ai kishte planifikuar sulmin e tij të përkonte me ditën e zgjedhjeve muajin e ardhshëm dhe se ai dhe një bashkëpunëtor i mitur do të vdisnin si dëshmorë, sipas dokumenteve të akuzës.

    Nasir Ahmad Tawhedi, i cili hyri në Shtetet e Bashkuara në vitin 2021 me një vizë të veçantë imigrimi, kishte ndërmarrë hapa në javët e fundit për të çuar përpara planet e tij të sulmit, duke përfshirë porositjen e pushkëve AK-47, shitjen e pasurive të familjes së tij dhe blerjen e biletave për gruan dhe fëmijën e tij për udhëtim drejt Afganistanit.

  • Sulmet izraelite vrasin të paktën 12 palestinezë në Gazë

    Sulmet izraelite vrasin të paktën 12 palestinezë në Gazë

    Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 12 palestinezë, përfshirë nëntë anëtarë të së njëjtës familje, në veri dhe qendër të Gazës, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve e Autoritetit Palestinez, WAFA, herët të mërkurën.

    Nëntë anëtarët e familjes u vranë në një sulm që kishte si objektiv apartamentin e tyre në lagjen Shejaia në veriun e Gazës, raportoi WAFA duke cituar mjekë.

    Ndërkohë, në kampin e refugjatëve Nuseirat në qendër të Gazës, tre të tjerë u vranë, përfshirë një fëmijë, dhe disa u plagosën nga një sulm izraelit, shtoi WAFA.

    Më 7 tetor 2023, militantët e drejtuar nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – sulmuan qytete izraelite dhe fshatra pranë kufirit, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje, sipas statistikave izraelite.

    Ofensiva pasuese e Izraelit në Gazë ka vrarë gati 42.000 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë në enklavë, ka zhvendosur pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët e saj dhe ka sjellë një krizë humanitare me përhapje të problemeve të urisë dhe shkatërrim të infrastrukturës kritike dhe kujdesit shëndetësor.

    Ushtria izraelite tha më 7 tetor se gjatë vitit të fundit i ka bombarduar më shumë se 40.000 shënjestra në Gazë, ka zbuluar 4.700 tunele dhe ka shkatërruar 1.000 vende të raketahedhësve.

    Konflikti në Gazë është duke u zhvilluar ende, ndërsa Izraeli tani po lufton në një front të dytë në jug të Libanit kundër Hezbollahut.

    Mëngjesin e 7 tetorit, Hezbollahu, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, hodhi raketa në qytetet veriore të Izraelit, Haifa dhe Tiberias, duke shkaktuar dëme dhe disa lëndime të lehta, sipas policisë izraelite.

    Bashkimi Evropian ka vendosur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo edhe krahun e tij politik, i cili ka ulëse në parlamentin libanez. Në javët e fundit, Izraeli ka bombarduar periferitë jugore të Bejrutit dhe është duke e kryer një inkursion tokësor në jug të Libanit, në përpjekje për ta shkatërruar Hezbollahun.

    Fushata e Izraelit kundër Hezbollahut nxiti patronin e grupit, Iranin, të përgjigjet duke sulmuar shtetin hebraik me një breshëri raketash, pjesa dërrmuese e të cilave u shkatërruan nga mbrojtja ajrore izraelite pa shkaktuar dëme të konsiderueshme, por sulmi ringjalli frikën për shpërthimin e një konflikt më të gjerë rajonal./REL

  • Sot mbahet seanca për rastin Banjska, të arrestuarit pritet të deklarohen rreth fajësisë

    Sot mbahet seanca për rastin Banjska, të arrestuarit pritet të deklarohen rreth fajësisë

    Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën, të akuzuarit që ndodhen në paraburgim në Kosovë, duhet të deklarohen lidhur me fajësinë.

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur më 11 shtator një aktakuzë ndaj 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, por vetëm tre prej tyre janë në dispozicion të organeve të drejtësisë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

    Ata janë arrestuar pas sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin, Afrim Bunjaku.

    Gjatë shkëmbimit të zjarrit, më pas, u vranë tre sulmues.

    Përgjegjësinë për sulmin e shtatorit të vitit të kaluar e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Besohet se ai, dhe shumica e pjesëtarëve të këtij grupi të armatosur, ndodhen në Serbi.

    Seanca përgatitore ishte paraparë të mbahej më 25 shtator, por avokatët e të arrestuarve kërkuan shtyrje me arsyetimin se kishin marrë aktakuzën me vonesë dhe se u nevojitej kohë për t’u përgatitur.

    Prokuroria, në anën tjetër, kërkoi që gjykimi të fillojë edhe për të akuzuarit që janë në arrati, gjë që u kundërshtua nga avokatët, duke theksuar se një gjë e tillë nuk e parashihet me ligjet e Kosovës.

    Në fund, gjyqtari i rastit, Arben Hoti tha se do të kërkojë një opinion juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e Ligjit kur bëhet fjalë për gjykim në mungesë, dhe konstatoi se ka kushte për të gjykuar ata që ndodhen në paraburgim në Kosovë.

    Gjykata Supreme ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar kërkesën për këtë çështje, më 30 shtator, dhe se lënda po shqyrtohet.

    Zyrtarë të saj theksuan se nuk ka një afat brenda të cilit Gjykata Supreme e Kosovës duhet të japë mendimin e saj juridik.

    Kush janë të pandehurit?
    Në aktakuzë përmenden 45 persona:

    Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.

    Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska, ndër të tjera, për vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

    Më herët, prokurori i rastit Naim Abazi ka thënë se të akuzuarit kishin role të ndryshme brenda grupit kriminal – nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.

    Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

    Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin. Në Kosovë, Radoiçiq gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb dhe frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor që lidhet me ndërtimet ilegale.

    Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

    Hetimin e sulmit në Banjskë po e udhëheq edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila ngarkon Radoiçiqin me tre vepra penale – ndër të cilat janë prodhimi i paautorizuar, posedimi, mbajtja dhe trafikimi i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike. Të dyshuarit e tjerë janë persona të panjohur (NN).

    Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë sulmin në Banjskë një akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij. Ministri Sveçla tha se ekzistojnë informacione të inteligjencës se të njëjtat grupe vazhdojnë të stërviten në territorin e Serbisë dhe rreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

    Nga ana tjetër, Serbia në disa raste ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por po hetohet.

    Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar hetim dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

  • Heqja e masës për mallrat serbe, Hovenier: Hap i rëndësishëm për Kosovën

    Heqja e masës për mallrat serbe, Hovenier: Hap i rëndësishëm për Kosovën

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimit në mallrat e gatshme që nisen nga Serbia.

    Përmes një postimi në platformën “X”, të ambasadorit Hovenier ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën drejt integrimit evropian.

    “I kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian”, ka shkruar në “X”, Hovenier.

    “Ne vlerësojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të promovuar tregtinë e lirë në rajon”, shton ambasadori amerikan.

  • OBSh-ja paralajmëron për rrezik të sëmundjeve në Liban

    OBSh-ja paralajmëron për rrezik të sëmundjeve në Liban

    Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar të martën se ka rrezik për shpërthimin e sëmundjeve në Liban, për shkak të kushteve në strehimoret e mbipopulluara të njerëzve të zhvendosur dhe mbylljes së spitaleve, pasi mjekët janë duke ikur nga sulmet izraelite.

    Ushtria izraelite i ka nisur operacionet tokësore edhe në jugperëndim të Libanit të martën, duke e përshkallëzuar konfliktin njëvjeçar me grupin e mbështetur nga Irani, Hezbollah, si pasojë e të cilit janë vrarë mbi 1.000 njerëz në dy javët e fundit.

    “Ne po përballemi me një gjendje kur rreziku për shpërthimin e sëmundjeve është shumë më i lartë, si për shembull, diarreja, hepatiti A dhe një numër sëmundjesh të parandalueshme përmes vaksinimit”, tha në një konferencë për media Ian Clarke, zyrtar i OBSH-së në Liban.

    Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar tashmë se sistemi shëndetësor është i mbingarkuar dhe deri tani pesë spitale në vend janë mbyllur dhe katër të tjera funksionojnë vetëm pjesërisht, tha Clarke.

    Ai shtoi se spitalet janë mbyllur sepse mjekët ose janë larguar për shkak të luftimeve, ose u është kërkuar të evakuohen nga autoritetet libaneze.

    Në të njëjtën konferencë, një zyrtar i Programit Botëror për Ushqim (WFP) shprehu shqetësim për aftësinë e Libanit për të ushqyer veten, duke thënë se mijëra hektarë tokë bujqësore në jug të vendit janë djegur ose braktisur për shkak të përshkallëzimit të luftimeve.

    “Sa i përket bujqësisë dhe prodhimit të ushqimit, ka një shqetësim të jashtëzakonshëm për aftësinë e Libanit për të vazhduar të ushqejë veten”, tha Matthew Hollingworth, drejtori i WFP në Liban, duke shtuar se të korrat nuk do të ndodhin dhe prodhimet po kalben në fusha./REL

  • Zyrtarët policorë e sjellin Izedin Bytyqi në Ministrinë e Mjedisit, pasi ia bastisën shtëpinë

    Zyrtarët policorë e sjellin Izedin Bytyqi në Ministrinë e Mjedisit, pasi ia bastisën shtëpinë

    Izedin Bytyqi, ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është sjell në zyrat e Ministrisë pas bastisjes që u krye në shtëpinë e tij, paraditen e së martës.

    Bytyqi, i shoqëruar nga zyrtarët policorë, është parë duke zbritur nga një veturë e Policisë së Kosovës dhe është shoqëruar brenda Ministrisë së Mjedisit, raporton Ekonomia Online.

    Ai dyshohet për përfshirje në rastin e faljes së borxheve të kompanive të ambalazhuesve të ujit.

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në Ministrinë e Mjedisit janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë a detyrimeve financiare.

    “Ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të  Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në MMPHI. Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e  veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga neni 414 i KPK-së, shpërlarjes së  parasë nga neni 302 i KPK-së dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i  pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga  neni 430, paragrafi 2 i KPK-së”.

  • Izraeli nis operacione tokësore në jugperëndim të Libanit

    Izraeli nis operacione tokësore në jugperëndim të Libanit

    Ushtria e Izraelit tha të martën se i ka nisur operacionet tokësore në jugperëndim të Libanit, duke e zgjeruar inkursionin e saj në një zonë të re, një vit pasi filluan këmbimet e zjarrit me grupin e armatosur Hezbollah.

    Tensionet rajonale, të nxitura para një viti nga sulmi në jug të Izraelit prej Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë përshkallëzuar në operacione tokësore dhe ajrore të Izraelit në Liban dhe në sulme të drejtpërdrejta nga Irani kundër Izraelit.

    Irani e ka paralajmëruar Izraelin të martën të mos kryejë ndonjë sulm kundër republikës islamike, një javë pasi Teherani i hodhi një breshëri raketash drejt tij, duke e vënë Lindjen e Mesme në teh.

    Çdo sulmi ndaj infrastrukturës së Iranit do t’i përgjigjemi me hakmarrje, tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, duke e paralajmëruar Izraelin të mos e sulmojë vendin e tij, raporton rel.

  • Hapja e kufirit në Merdarë për mallrat serbe, Guerot e mirëpret vendimin e Qeverisë: Qasja multilaterale sjell rezultate

    Hapja e kufirit në Merdarë për mallrat serbe, Guerot e mirëpret vendimin e Qeverisë: Qasja multilaterale sjell rezultate

    Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për heqjen e kufizimit të mallrave serbe përmes pikës kufitare të Merdares.

    “E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare Merdare për mallra nga Serbia. Ky është një vendim i rëndësishëm që mundëson progres në integrimin rajonal (procesi i Berlinit) dhe drejt integrimit europian. Qasja multilaterale e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sjell fryte të qëndrueshme”, ka shkruar ai në X.

    Këtë vendim të Qeverisë dje e ka mirëpritur edhe Gjermania, e cila negocioi me Qeverinë e Kosovës për heqjen e këtij vendimi në mënyrë që Kosova të mos e rrezikojë përjashtimin nga CEFTA.

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, dje kishte thënë se do t’i japin mbështetje Qeverisë për të garantuar plotësimin e kërkesave rreth shqetësimeve të sigurisë.

    “Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të garantuar që plotësohen kërkesat e saj të sigurisë dhe do të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, ka thënë ai përmes një postimi në X.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka njoftuar se kufizimi për hyrjen e mallrave prej Serbisë është hequr në pikën kufitare në Merdare, ndërsa ka potencuar se kjo ndalesë ishte vendosur për arsye sigurie dhe jo tregtare.

    Kurti ka kërkuar skanerë nga partnerët e saj në pikat kufitare me arsyen që në Kosovë të mos hyjë asgjë prej Serbisë që mund t’ia cenojë sigurinë.

    Ai ka thënë se derisa të vijnë këta skanerë vetëm në Merdare do të lejohet hyrja e mallrave serbe ku edhe do të kryhen kontrolle të rrepta.

    “Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare… ne besojmë që ndryshimi i masës është më se i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në Proces të Berlinit të kemi sukses të plotë”.