ATV

Author: G.O.

  • Qytetarit nga Prizreni i gjenden 15 monedha floriri në Morinë

    Qytetarit nga Prizreni i gjenden 15 monedha floriri në Morinë

    Një 56-vjeçar nga Prizreni, me iniciale F. A., është proceduar penalisht në Morinë pasi tentoi të fuste në Shqipëri 15 monedha floriri pa i deklaruar.

    Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit tip “BMW”, të drejtuar nga F. A., policia gjeti dhe sekuestroi monedhat floriri, të cilat po tentoheshin të futeshin në Shqipëri në shkelje të ligjeve në fuqi, shkruan A2.

    “Pas përfundimit të procedurave të para, materialet iu referuan Prokurorisë, e cila ka nisur procedimin në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

    “Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar F. A., 56 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

    “Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Irani dënon vendimin për sanksionimin e Teheranit nga BE-ja dhe Britania

    Irani dënon vendimin për sanksionimin e Teheranit nga BE-ja dhe Britania

    Irani ka dënuar rundin e ri të sanksioneve të vendosura ndaj Teheranit nga Bashkimi Evropian dhe Britania, duke mohuar se i ka ofruar raketa balistike Rusisë.

    Kështu tha më 15 tetor një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit përmes një postimi në X.

    Bashkimi Evropian të hënën u pajtua për vendosjen e sanksioneve ndaj shtatë personave dhe shtatë organizatave, përfshirë kompaninë ajrore, Iran Air, për shkak të lidhjeve të tyre me transferet iraniane të raketave balistike në Rusi.

    Njëkohësisht, Britania i shtoi në listën e saj të sanksioneve edhe nëntë entitete nga Irani.

    Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara, duke cituar informacionet që janë ndarë me aleatët, tha se Rusia ka pranuar raketa balistike nga Irani për t’i përdorur në luftën e saj kundër Ukrainës.

    Zëdhënësi i MPJ-së iraniane, Esmaeil Baghaei, mohoi se shteti i tij i ka ofruar raketa balistike Rusisë.

    “Disa shtete evropiane dhe Britania fatkeqësisht pretendojnë, pa asnjë dëshmi, se Irani ka ndërhyrë ushtarakisht në këtë konflikt, gjë që ne e hedhin poshtë plotësisht”, tha Baghaei, duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës.

    Baghaei dënoi rundin e ri të sanksioneve dhe tha se vendosja e sanksioneve të reja nga BE-ja dhe Britania kundër individëve dhe entiteteve iraniane ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

    Sipas sanksioneve do të ndalohen të gjitha fluturimet nga kompanitë ajrore iraniane për në Evropë, thanë zyrtarët iranianë.

    Në mesin e personave të sanksionuar është edhe zëvendësministri iranian i Mbrojtjes, Seyed Hamzeh Ghalandari.

    Sanksionet po ashtu përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalesa të udhëtimeve për në BE./REL

  • Hapja e kapitujve për anëtarësim në BE, Osmani uron Shqipërinë

    Hapja e kapitujve për anëtarësim në BE, Osmani uron Shqipërinë

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka uruar Shqipërinë për hapjen e kapitujve të anëtarësimit në BE.

    Osmani e cilësoi si moment historik.

    “Urime Shqipërisë për arritjen e një momenti historik të madh në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE!”, shkroi ajo.

    Tutje, e para e shtetit të Kosovës, ka thënë se hapja e kapitujve të anëtarësimit në BE e sjell Shqipërinë një hap më pranë një të ardhmeje më të ndritshme dhe më të begatë për të gjithë qytetarët e saj.

    “Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera demokratike në rajonin tonë duhet të vazhdojnë të përparojnë në rrugët e tyre drejt BE-së, e cila është thelbësore për sigurimin e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm – jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Evropën”, ka shkruar Osmani në X.

  • Khloe Kardashian ndau detaje për betejën e saj me kancerin e lëkurës

    Khloe Kardashian ndau detaje për betejën e saj me kancerin e lëkurës

    Khloe Kardashian ka shpërndarë foto të fytyrës në profilin e saj në Instagram, duke treguar rezultatet para dhe pas injeksioneve.

    Ajo vendosi për mbushje për shkak të zgavrave në fytyrën e saj që u shfaqën pas operacionit.

    Duke ndarë detajet me ndjekësit, ajo theksoi: “Prita nëntë muaj pas operacionit për të hequr gropëzën në fytyrë, por nuk ankohem sepse më mirë do të kisha një gropë në fytyrë sesa melanoma”.

    Khloe foli për herë të parë për problemin e saj në vitin 2022, ku shpjegoi se vuri re një gungë të vogël në fytyrë që nuk u zhduk as pas shtatë muajsh dhe për këtë arsye vendosi të bënte një biopsi.

    Ajo u ka bërë thirrje ndjekësve që të bëjnë kontrolle të rregullta në mënyrë që të mos përfundojnë në situatën që ka bërë ajo.

    “Nuk e kam menduar kurrë se mund të futem në një situatë ku të kem kancer të lëkurës”, shkroi ajo në vitin 2023 në Instagram.

    Khloe më pas tha se ishte e lumtur sepse shkoi te mjeku në kohë. /Telegrafi/

     

  • Mali i Zi me më pak se 5% të banorëve shqiptarë

    Mali i Zi me më pak se 5% të banorëve shqiptarë

    Në Mal të Zi, 41.1 për qind e qytetarëve deklarohen si malazezë, ndërsa 32.9 për qind si serbë, tregojnë rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë, që u bë në dhjetor të vitit 2023.

    Ato u publikuan të martën nga Drejtoria e Statistikave në këtë vend, MONSTAT.

    Për krahasim, në regjistrimin e parafundit – më 2011 – 45 për qind ishin malazezë dhe rreth 29 për qind ishin serbë.

    Të dhënat e fundit tregojnë, po ashtu, se popullsinë e Malit të Zi e përbëjnë 9.45% boshnjakë, 4.97% shqiptarë, 2% rusë dhe 1.6% myslimanë.

    Krahasuar me regjistrimin e parafundit, numri i shqiptarëve duket stabil: më 2011 ishin 4.91%, apo 30.439, ndërsa tani janë 30.978.

    Në regjistrimin e fundit, rreth 2.8% e popullsisë nuk u deklaruan.

    Në Mal të Zi, përndryshe, jetojnë 623.633 banorë, që do të thotë 0.6% më shumë se në vitin 2011.

    Në pyetjen se çfarë gjuhe flasin, 36.2% thanë gjuhën malazeze, ndërsa 43.5% gjuhën serbe.

    Sipas fesë, qytetarët e Malit të Zi ndahen në ortodoksë – 71.1%, myslimanë – 20% dhe katolikë – 3.2%.

    Regjistrimi i rregullt i popullsisë në Mal të Zi duhej të bëhej në vitin 2021, por, fillimisht, u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.

    Pas saj, ai u shty disa herë, për shkak të mosbesimit të opozitës në atë proces.

    Partia Demokratike e Socialistëve shprehu vazhdimisht dyshime se qëllimi i vërtetë i regjistrimit ishte rritja e numrit të serbëve në Mal të Zi dhe ulja e numrit të malazezëve.

    Për muaj të tërë, forcat dhe mediat proserbe e proruse bënë fushatë, duke u kërkuar qytetarëve që të deklaroheshin si serbë.

    Fushatës iu bashkua edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të identifikoheshin si pjesëtarë të popullit serb dhe besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që flasin gjuhën serbe.

    Krerët e kësaj kishe e mohojnë kombin malazez, duke e klasifikuar atë si pjesë të korpusit serb.

    Në atë kohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, fliste vazhdimisht për rëndësinë e regjistrimit në përcaktimin e numrit të serbëve në Mal të Zi./REL/

  • Edhe dy muaj tjerë paraburgim për Thaçin dhe Veselin

    Edhe dy muaj tjerë paraburgim për Thaçin dhe Veselin

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, të cilët akuzohen për krime lufte së bashku me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

    Vendimet e ndara për dy të akuzuarit janë marrë më 14 tetor 2024 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në të dy vendimet, thuhet se nuk ka mjaftueshëm informacione që tregojnë se në rast që të akuzuarit lirohen nga paraburgimi, ata mund të arratisen nga drejtësia. Mirëpo, thuhet se ka rrezik që të pengojnë administrimin e drejtësisë dhe të kryejnë krime ndaj atyre që perceptohen kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe ndaj dëshmitarëve.

    “Paneli konkludon se në këtë moment nuk ka ende mjaftueshëm informacion që të justifikojë një gjetje se z. Thaçi (z.Veseli) mund të arratiset nga drejtësia nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi (z.Veseli) do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai mund të kryejë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendimet ndaj tyre.

    Ashtu si për Thaçin, edhe për Veselin, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka parashtruar se rreziqet përkatëse që mund të dalin nga dy të akuzuarit, mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit.

    Gjithashtu, në këto vendime thuhet se ZPS-ja ka parashtruar se sjellja e dy të akuzuarve paraqet rrezik të shtuar për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të informacioneve të ndjeshme të dëshmitarëve lidhur me procesin gjyqësor.

    “Sjellja e z. Thaçi tani paraqet një rrezik jashtëzakonisht të shtuar, aq sa edhe kufizimet dhe monitorimi standard i komunikimeve në Qendrën e Paraburgimit nuk janë të mjaftueshme. Prandaj, duke pasur parasysh zbulimin e vazhdueshëm të informacioneve të ndjeshme të dëshmitarëve të lidhura me procedurat aktuale gjyqësore, rreziqet themelore vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Thaçin, e ngjashëm edhe në atë për Veselin.

    Si rrjedhojë, tek këto vendime, Paneli ka rikujtuar se arsyeshmëria për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarve duhet të vlerësohet bazuar në fakte të secilit rast dhe veçorive specifike të tij.

    Tek rasti i Thaçit, si veçori specifike përmendet ndikimi dhe autoriteti e të akuzuarit, mundësia për t’u përballur me një dënim të gjatë me burg, rreziku që i akuzuari të kryejë krime të tjera, e të tjera.

    “Veçoritë specifike të këtij rasti përfshijnë: (i) ndikimin dhe autoritetin e z. Thaçi; (ii) njohurinë e tij për akuzat dhe provat kundër tij, dhe mundësinë e një dënimi të gjatë me burg; (iii) rrezikun që z. Thaçi të pengojë procedurat e Dhomave të Specializuara; (iv) rrezikun e kryerjes, nxitjes ose ndihmës në kryerjen e krimeve të tjera; (v) faktin se masat kufizuese në rast lirimi nuk janë të mjaftueshme për të zbutur rreziqet; (vi) rëndësinë dhe kompleksitetin e akuzave kundër z. Thaçi; dhe (vii) faktin se gjyqi është në zhvillim, duke treguar një përparim të arsyeshëm të procedurave”, thuhet në vendimin për Thaçin.

    Ndërsa, për Veselin, Paneli ka vlerësuar se ai akuzohet për dhjetë pika të krimeve ndërkombëtare, e në rast që shpallet fajtor mund të dënohet me një dënim të gjatë me burg.

    “Sipas vlerësimit të Panelit, veçoritë specifike të këtij rasti përfshijnë: (i) z. Veseli është i akuzuar për dhjetë pika të krimeve të rënda ndërkombëtare, në të cilat ai dyshohet të ketë luajtur një rol të rëndësishëm; (ii) nëse shpallet fajtor, z. Veseli mund të përballet me një dënim të gjatë me burg; (iii) rreziqet sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten me ndonjë kusht; (iv) çështja kundër z. Veseli është komplekse; dhe (v) fakti që gjyqi është në zhvillim, duke treguar një përparim të arsyeshëm të procedurave”, thuhet në vendimin për Veselin.

    Si rrjedhojë, Paneli ka konstatuar se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për dy të akuzuarit është i nevojshëm dhe i arsyeshëm kështu duke e urdhëruar vazhdimin e një mase të tillë.

    Në fund të vendimeve, trupi gjykues ka urdhëruar edhe ZPS-në që të dorëzojnë parashtrimet e tyre mbi shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit deri më 22 nëntor 2024. ndërsa përgjigjet në këto parashtrime të dorëzohen sipas afateve të përcaktuara me Rregullore.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Aktakuzë kundër një personi për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

    Aktakuzë kundër një personi për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti Special kundër L.D., i cili ngarkohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës më 29 maj 2023 afër objektit të Komunës së Zveçanit.

    Në njoftimin e PSRK-së, thuhet se L.D., ngarkohet për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Sipas aktakuzës i pandehuri më datë 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.

  • ​Përfshihet nga zjarri një veturë në Fushë-Kosovë

    ​Përfshihet nga zjarri një veturë në Fushë-Kosovë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 14 tetor në Fushë Kosovë është djegur një veturë e parkuar.

    Sipas policisë dyshohet se zjarri është shkaktuar qëllimisht.

    “Viktima mashkull kosovar ka njoftuar se vetura e tij që ishte e parkuar është përfshirë nga zjarri. Njësitë policore i janë përgjigjur rastit dhe sipas hetimeve të para dyshohet se zjarri është shkaktuar qëllimisht”, thuhet në raport.

    Sipas policisë zjarri ishte fikur nga viktima, përderisa rasti vazhdon të hetohet nga njësitet policore.

  • Varhelyi: Shqipëria përmbushi reformat e kërkuara me vendosmëri

    Varhelyi: Shqipëria përmbushi reformat e kërkuara me vendosmëri

    Konferenca e dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, mbahet sot në Luksemburg, ku do të hapen bisedimet për kapitujt e “themeloreve”, blloku kryesor i negociatave për anëtarësim.

    Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi përgëzoi Shqipërinë për reformat të cilat çuan në hapjen e kapitujve të parë.

    “Sot përgëzojmë vendosmërinë dhe punën e përkushtuar të Shqipërisë. Ndërsa Shqipëria përmbushi reformat e kërkuara, ne jemi në gjendje të hapim Klasterin e Parë – Bazat që na lejojnë të vazhdojmë me grupe të tjera”, ka thënë Varhelyi.

  • Arrestohet një person në Banjskë, në shtëpinë e tij u gjetën pushkë dhe xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe

    Arrestohet një person në Banjskë, në shtëpinë e tij u gjetën pushkë dhe xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe

    Një person është arrestuar në fshatin Banjskë për shkak se gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë dhe xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe.

    Policia bën të ditur përmes raportit se i dyshuari më pas është liruar.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie me 9 fishekë dhe një xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe. I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.