ATV

Author: G.O.

  • OKB: Më shumë se 400.000 fëmijë janë zhvendosur si pasojë e luftimeve në Liban

    OKB: Më shumë se 400.000 fëmijë janë zhvendosur si pasojë e luftimeve në Liban

    Më shumë se 400.000 fëmijë në Liban janë zhvendosur në tre javët e fundit, tha një zyrtar i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për fëmijët. Ai paralajmëroi për “gjeneratë të humbur” në shtetin e përfshirë nga shumë kriza dhe tani po përballet edhe me luftë.

    Izraeli ka përshkallëzuar fushatën e tij kundër Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor – përfshirë edhe duke nisur një ofensivë tokësore, pasi për një vit ka këmbyer zjarr në kufi, në kohën kur paralelisht po zhvillon luftë në Gazë kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

    Luftimet në Liban kanë detyruar 1.2 milion persona të largohen nga shtëpitë e tyre, shumica e tyre kanë ikur në Bejrut dhe në pjesë të tjera në veri të shtetit gjatë tri javëve të fundit, që kur janë përshkallëzuar luftimet, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ted Chaiban, zëvendësshefi për veprime humanitare në UNICEF, ka vizituar shkolla që janë shndërruar në strehimore për familjet e zhvendosura.

    “Këto tri javë të luftës kanë ndikuar shumë fëmijë”, tha Chaiban për Associated Press.

    “Aktualisht, 1.2 milion janë të privuar nga shkollimi. Shkollat e tyre publike ose janë të paqasshme, ose janë dëmtuar nga lufta, ose po përdoren si strehimore. Gjëja e fundit që i duhet këtij shteti është rreziku i një gjenerate të humbur”, shtoi ai.

    Përderisa shkollat private libaneze ende janë duke operuar, sistemi publik i arsimit është goditur rëndë nga lufta.

    Më shumë se 2.300 persona në Liban janë vrarë gjatë sulmeve izraelite, pothuajse 75 për qind e viktimave janë regjistruar në muajin e fundit, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë. Në tri javët e fundit, më shumë se 100 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 800 janë plagosur, tha Chaibani./REL

  • Zhduket një grua në Pejë

    Zhduket një grua në Pejë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për zhdukjen e një gruaje në Pejë.

    Në raportin policor thuhet se ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar policinë se viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj.

    Tutje, Policia njoftoi se rasti është duke u hetuar nga njësitet policore.

     

  • Provokime nga ana serbe në kufi, Policia kërkon nga ndërkombëtarët që të ndërmarrin veprime

    Provokime nga ana serbe në kufi, Policia kërkon nga ndërkombëtarët që të ndërmarrin veprime

    Policia e Kosovës ka bërë thirrje që ndërkombëtarët të ndërmarrin veprime ndaj palës serbe, pasi sot tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdarë është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohej të jetë e xhandarmërisë serbe.

    Sipas informacioneve nga kompetentët, njofton Policia, aty shiheshin katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth dhjetë minuta tek hyrja e objektit te pala serbe.

    Njoftimi i plotë i Policisë:

    Më datë 14.10.2024, rreth orës 18:20, tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdar është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohej të jetë e xhandarmërisë serbe!

    Sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin 4 (katër) pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 (dhjetë) minuta tek hyrja e objektit te pala serbe.

    Të njëjtit janë larguar duke shkelur vijën ndarëse kufitare që në fakt përbënë shkelje të marrëveshjes për IBM-në, ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror.

    Policia e Kosovës kërkon nga autoritetet relevante ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve qe ndërlidhen me menaxhimin e integruar kufitar dhe me sigurinë në përgjithësi.

    Policia e Kosovës është duke kryer detyrat e saj ligjore në funksion të ruajtjes së qetësisë, stabilitetit dhe menaxhimin profesional të kufijve shtetëror në bazë të mandatit të saj Kushtetues dhe duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim të integruar kufitar, përderisa mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe do të reagoj me profesionalizëm ndaj çdo akti kundërligjor, kundër kushtetues apo që cenon marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim kufitar.

  • Lakra e Brukselit, njihuni me vlerat e saj

    Lakra e Brukselit, njihuni me vlerat e saj

    Lakra e vogël e njohur si Lakra e Brukselit, ndoshta futet në listën e ushqimeve më pak të preferuara, veçanërisht nga fëmijët, të cilët nuk rendin pas perimeve. E megjithatë, këto lakra të pafaj janë aq të pasura me vlera ushqimore, sa organizmi do të na e dinte për nder po t’i konsumonim rregullisht.

    Së pari, lakrat a Brukselit kanë një nivel më të lartë proteinash se të gjitha perimet e mbledhura së bashku, por edhe vitamina dhe minerale, që i bëjnë këto kokrra të vogla, të nevojshme për tryezën tonë.

    Këto perime të Mesdheut kanë nisur të kultivohen së fundmi edhe në Shqipëri, kryesisht në Lushnje dhe Divjakë dhe serviren edhe në restorante. Bashkë me rukolën dhe finokun, lakrat e Brukselit po shihen si shumë interesante nga fermerët dhe konsumatorët.

    Lakra e vogël mbron ADN-në

    Lista mbi vlerat e lakrës së vogël nis me mbrojtjen që ajo i jep ADN-në, ose molekulës që përmban të gjitha karakteristikat tona gjenetike. Përbërësit që gjenden tek lakra e vogël bllokojnë aktivitetet e dëmshme të disa enzimave, shënjestra e të cilave janë padyshim molekulat e ADN-së në qelizat e bardha të gjakut.

    Mbështet sistemin kardiovaskular

    Një nga vlerat më të famshme të lakrës së vogël është aftësia për të mbajtur nën kontroll inflamacionin dhe shëruar enët e gjakut nga dëmet e shkaktuara prej tij.

    Lakra e vogël përmban një sërë elementësh që parandalojnë sëmundjet e zemrës. Burim i pasur fibrash Ne kemi nevojë për shumë fibër në dietën tonë, në mënyrë që të kemi një sistem tretës sa më të mirë. Këto perime janë një burim i pasur fibrash dhe në një racion prej 100 gramësh do të merrni 4 gramë fibër. Kjo sasi është 15% e dozës së rekomanduar ditore për femrat.

    Ofrojnë Vitaminën K

    Lakrat e vogla janë veçanërisht të pasura me Vitaminë K, për të cilën kemi nevojë të mbajmë kockat shëndetplotë dhe të parandalojmë kalcifikimin e trupit.

    Mjafton një filxhan me lakra të vogla në ditë, që ju të merrni dyfishin e dozës së rekomanduar ditore të vitaminës K për të cilën keni nevojë.

    Ndihmon me detoksifikimin

    Vlerat shëndetësore të lakrës së vogël përfshijnë edhe aftësinë e saj për detoksifikimin e organizmit. Lakra e vogël përmban një substancë të quajtur glucosinolates, që ndihmon enzimat në proçesin e detoksifikimit.

  • Sipas mjekëve këto janë arsyet pse flokët bien më shumë në pranverë se në vjeshtë

    Sipas mjekëve këto janë arsyet pse flokët bien më shumë në pranverë se në vjeshtë

    Rënia e flokëve është një problem shqetësues për shumë individë. Kjo gjë vjen nga një sërë shkaqesh siç janë: stresi, sëmundjet, pakujdesia apo trashëgimia.

    Por një tjetër faktor që luan rol të madh në ndryshimin e gjendjes së flokut tonë është edhe ndërrimi i stinëve. Pikërisht pranvera, stina në të cilën ndodhemi momentalisht, është një ndër më problematiket.

    Me fillimin e pranverës, jo vetëm natyra rigjallërohet, por edhe trupi i njeriut. Cikli jetësor i qelizave ndryshon dhe kjo çon në rinovimin e tyre me intensitet më të lartë. Si rezultat, lëkura fillon të “zhvishet” dhe rrjedhimisht fillon edhe humbja e flokëve. Por ju nuk duhet të shqetësoheni për këtë fenomen pasi është totalisht normal për të gjithë njerëzit. Humbja e flokëve në stinën e pranverës është një gjë e natyrshme e zhvillimit të flokëve.

    Sipas mjekëve shkaqet kryesore të humbjes së flokëve në pranverë janë:

    * Kushtet klimatike, të cilat ndikojnë në ekuilibrin hormonal në trup dhe në këtë mënyrë në fazat e rritjes së flokëve.

    * Poret e bllokuara të kokës, të shkaktuara nga djersa nën ndikimin e temperaturave.

    * Ekspozimi i tepruar ndaj diellit (rrezet ultravjollcë).

  • Arrestohet një shtetas i Maqedonisë në Kosovë, kërkohej me fletarrest ndërkombëtar

    Arrestohet një shtetas i Maqedonisë në Kosovë, kërkohej me fletarrest ndërkombëtar

    Policia e Kosovës, konkretisht njësia nga Administrata për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Sundimin e Ligjit në Policinë e Kosovës (FAST/FAST), dje në Ferizaj ka arrestuar një shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut për të cilin është lëshuar fletarrest ndërkombëtar, njoftoi AIM nga Prishtina.

    Në njoftimin e mbrëmshëm të policisë së Kosovës thuhet se shtetasi i RMV-së 50-vjeçar me iniciale H.F. është arrestuar në një aksion të përbashkët të FAST-it me njësinë e hetimeve për narkotikë në Ferizaj.

    “Me datë 14.10.2024, në qytetin e Ferizaj, nga Administrata për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor të PK-së, më saktësisht njësiti FAST, i mbështetur nga departamenti për hetimin e narkotikëve në Ferizaj, është kryer një aksion i koordinuar policor, gjatë të cilës është ndaluar shtetasi nga Maqedonia e Veriut me iniciale H.F, (viti i lindjes 1974), i cili me fletarrest ndërkombëtar nga Republika e Maqedonisë së Veriut kërkohet për vuajtje të dënimit me burgim prej gjashtë vjetësh”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës njofton se pas përfundimit të procedurave, me vendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është dërguar në mbajtje policore për 48 orë, për të vazhduar me procedurat tjera ligjore.

  • Rihanna tregon se si ka ndryshuar stili i saj qëkur është bërë nënë

    Rihanna tregon se si ka ndryshuar stili i saj qëkur është bërë nënë

    Rihanna thotë se mëmësia ka ndryshuar mënyrën e veshjes së saj.

    Këngëtarja 36-vjeçare ka dy djem, RZA-n dy-vjeçar dhe Riot-in 14-muajsh, me ASAP Rocky, dhe ajo pranon se ka hequr dorë nga veshjet më magjepsëse për veshje komode.

    Ajo tha për revistën People në ‘Savage X Fenty Lavish Lace Collection Preview’ në Nordstrom në Los Angeles: “Unë vesh çdo gjë që është komode, çdo gjë që është elastike, çdo gjë që është e lehtë për t’u përkulur dhe për të marrë fëmijët e mi. Këto janë gjërat që unë kërkoj, shkruan DailyMail.

    Rihanna thotë se mëmësia ka ndryshuar mënyrën e veshjes së saj.

    Këngëtarja 36-vjeçare ka dy djem, RZA-n dy-vjeçar dhe Riot-in 14-muajsh, me ASAP Rocky, dhe ajo pranon se ka hequr dorë nga veshjet më magjepsëse për veshje komode.

    Ajo tha për revistën People në ‘Savage X Fenty Lavish Lace Collection Preview’ në Nordstrom në Los Angeles: “Unë vesh çdo gjë që është komode, çdo gjë që është elastike, çdo gjë që është e lehtë për t’u përkulur dhe për të marrë fëmijët e mi. Këto janë gjërat që unë kërkoj, shkruan DailyMail.

    “Pavarësisht nëse dëshironi që ajo të shfaqet jashtë bluzave, brenda një xhakete që ju bie, ose thjesht për të qenë komod ose thjesht për të pasur pak mbështetje.”

    Ajo shtoi: “Janë gjërat e vogla. Heqja e makiazhit tim natën. Këto janë vetëm gjëra të vogla që do të thotë shumë. Ndihet si kujdes për veten dhe ndihet mirë.

    ASAP Rocky së fundmi foli për dy fëmijët e çiftit, duke zbuluar se RZA ka trashëguar ballin e Rihannës.

    Ai i tha revistës W: “Mendoj se RZA do ta mbajë veten. Ai është një introvert”.

    “Riot është një ekstrovert – ai është njësoj si nëna e tij”. /Telegrafi/

  • Ukraina i kërkon Brazilit ta arrestojë Putinin, nëse ai merr pjesë në samitin e G20-ës

    Ukraina i kërkon Brazilit ta arrestojë Putinin, nëse ai merr pjesë në samitin e G20-ës

    Kryeprokurori i Ukrainës ka thënë të hënën se ka informata se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mund të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Brazil muajin e ardhshëm, prandaj u bëri thirrje autoriteteve atje ta arrestojnë atë nëse shfaqet.

    Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) në Hagë lëshoi fletarrestim për Putinin në mars 2023, rreth një vit pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, duke e akuzuar atë se ka kryer krime lufte duke dëbuar fëmijë.

    Rusia i mohon akuzat për krime lufte dhe Kremlini e ka hedhur poshtë fletarrestimin e ICC-së si “të pavlefshëm”.

    I pyetur nëse Putini ka vendosur të marrë pjesë në takimin e 20 ekonomive më të mëdha të botës, zëdhënës i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për gazetarë të hënën: “Jo. Do t’ju njoftojmë kur ta kemi një vendim”.

    Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, tha për Reuters se “është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të jetë e bashkuar dhe ta mbajë përgjegjës Putinin”.

    “Për shkak të informatave që Putini mund të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Brazil, dua ta përsëris se autoritetet braziliane janë të detyruara, si shtet anëtar i Statutit të Romës, ta arrestojnë atë, nëse ai ka guxim të vijë”, tha Kostin, duke iu referuar traktatit që e themeloi GJNP-në.

    “Shpresoj vërtet se Brazili do ta arrestojë atë, duke e ritheksuar statusin e vet si demokraci dhe si një shtet që qeveriset mbi sundimin e ligjit”, tha ai.

    Dështimi për ta bërë këtë rrezikon ta vendosë një precedent, sipas të cilit, liderët e akuzuar për krime mund të udhëtojnë pa u ndëshkuar.

    Brazili ia dërgoi Putinit një ftesë standarde për samitin e 18-19 nëntorit në Rio de Zhaniero, por nuk ka pranuar ndonjë shenjë se ai ka ndër mend të marrë pjesë, sipas dy zyrtarëve të Qeverisë braziliane.

    Pavarësisht fletarrestimit të GJNP-së, Putini ishte në një vizitë shtetërore në Mongoli në shtator. Ukraina e kritikoi dështimin e saj për ta arrestuar Putinin si goditje ndaj drejtësisë ndërkombëtare.

    Vitin e kaluar, megjithatë, Putini nuk ishte i pranishëm në takimin e vendeve të BRICS-ut në Afrikën e Jugut, duke marrë pjesë online./REL

  • Izraeli kryen sulm vdekjeprurës në një kamp në Gaza

    Izraeli kryen sulm vdekjeprurës në një kamp në Gaza

    Një sulm ajror izraelit në oborrin e një spitali në Rripin e Gazës ka lënë të vrarë të paktën katër persona dhe ka nxitur një zjarr që ka përfshirë një kamp me tenda ku strehohen personat e zhvendosur nga lufta. Dhjetëra persona kanë pësuar djegie të rënda, sipas mjekëve palestinezë.

    Ushtria izraelite tha se ka shënjestruar militantët që fshihen në mesin e civilëve, por nuk ofroi asnjë dëshmi për këtë pretendim. Në muajt e fundit, Izraeli vazhdimisht ka sulmuar strehimoret dhe kampet me tenda, duke pretenduar se ato përdoren nga luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për të nisur sulme ndaj Izraelit.

    Në spitalin Martirët e Al-Aksës, në qytetin Deir al-Bala veçse ka një numër të madh të të plagosurve, pasi më herët gjatë të hënës Izraeli sulmoi një shkollë, ku strehohen palestinezët e zhvendosur, duke vrarë të paktën 20 persona. Disa shpërthime janë dëgjuar pas sulmit izraelit, megjithatë ende është e paqartë nëse shpërthimet u shkaktuan nga armët apo nga shpërthimi i depozitave të karburanteve.

    Sipas të dhënave të spitalit, katër persona u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën gjatë sulmit ajror izraelit në kampin me palestinezët e zhvendosur. Njëzet e pesë persona janë transferuar në spitalin Naser në jug të Gazës, pasi kanë pësuar djegie të rënda, tha spitali Martirët e Al-Aksës.

    Izraeli po vazhdon të kryejë përditë sulme në mbarë Rripin e Gazës, teksa lufta ka nisur mbi një vit më parë.

    Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona – shumica civilë – dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Edhe afër 100 persona ende mbahen brenda Gazës, teksa një e treta e tyre besohet se kanë vdekur.

    Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Sipas kësaj ministrie, mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

    Rreth 90 për qind e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh janë zhvendosur si pasojë e luftës, shpesh disa herë./REL

  • Ish-ministrja Dhurata Hoxha lirohet sërish nga akuzat për korrupsion

    Ish-ministrja Dhurata Hoxha lirohet sërish nga akuzat për korrupsion

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, si dhe Ekrem Tahirit, Fitim Mustafës dhe Gëzim Dushit, lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ish-ministrja Hoxha akuzohej se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.

    Bashkë me të akuzoheshin Fitim Mustafa, Gëzim Dushi dhe Ekrem Tahiri.

    Dhurata Hoxhaj, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Ekrem Tahiri akuzohej për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

    Sipas këtij aktgjykimi, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale e cila iu vihej në barrë.

    Gjykatësi Veseli tha se pas dëgjimit të dëshmitarëve, ekspertëve financiarë dhe administrimit të provave materiale e personale, trupi gjykues vlerësoi të gjitha këto prova dhe erdhi në përfundim se nuk janë provuar faktet konkrete të cilat përbëjnë elemente kryesore të figurës së veprës penale që iu binte në barrë të akuzuarve.

    Andaj, Gjykata nuk ka mundur të vërtetojë përtej gjykimit të bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar dhe ka marrë aktgjykim lirues.

    Palët e pakënaqura kanë të drejtë të ushtrimit të ankesës në Gjykatën e Apelit në afatin ligjor prej 30 ditësh.

    Shpenzimet procedurale bien në barrë të Gjykatës, ndërsa Qeveria e Kosovës udhëzohet në kontest juridiko-civil.

    Ish-ministrja dhe mbrojtësi i saj, avokati Florent Latifaj nuk ishin të pranishëm në shpallje të këtij aktgjykimi. Po ashtu, mungoi edhe prokurorja Ilirjana Çollaku-Tafaj.

    Ndryshe, ish-ministrja Dhurata Hoxha akuzohej se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 12 maj 2022, kishte ngritur aktakuzën ndaj Hoxhës dhe tre të tjerëve Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi, duke i ngarkuar me veprën penale “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Ndryshe, lidhur me rastin tjetër ku akozhej ish-ministrja Hoxha, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2024 e ka vërtetuar aktgjykimi lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, të cilët akuzoheshin për korrupsion. /BetimipërDrejtësi