ATV

Author: G.O.

  • Osmani: Historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e dhunimeve seksuale gjatë luftës

    Osmani: Historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e dhunimeve seksuale gjatë luftës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shteti serb gjatë luftës në Kosovës, ka përdorur si mjet të fortë dhunën seksuale.

    Në 25-vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Osmani i ka quajtur heroina dhe vetë nderi i Kosovës të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

    “Për gjatë 25 viteve, KRTC ka bërë një gjë që vështirë të përshkruhet me një fjalim. U siguruan që mund të flasin para popullit të Kosovës por edhe para botës dhe mund të vazhdojë luftën për drejtësi. Dua të iu siguroj që mbështetja për juve nuk do të ndalet por do të vazhdojë dhe ne do të luftojmë për këtë kauzë”.

    “Për gjatë këtyre, ne vazhdimisht e kemi kujtuar dhimbjen e së kaluarës, e mbi të gjitha ka një vendosmëri për të kërkuar drejtësi. Dhuna seksuale u përdor edhe si mjet nga udhëheqësi gjenocidial i Millosheviqit, në mënyrë që të vuajnë edhe gjeneratat pasuese. Historia dëshmoi një qendresë të popullit tonë, dhe kjo u dëshmua nga të mbijetuarat e dhunës seksuale për të treguar të vërtetën”, u shpreh ajo.

    Tutje, presidentja Osmani potencoi se historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e krimit.

    “Edhe sot me praninë tuaj po e dëshmoni që historia të mos përsëritet, padrejtësitë nuk duhet të kalojë në heshtje dhe historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e krimit. Jam e lumtur që Kosova për këto vite ka krijuar mekanizma që secila e mbijetuar ta ndjejë ndihmën e shtetit. Unë jam krenare për punën që po bën Vasfija”, ka thënë ajo.

  • Thomas Tuchel – trajner i ri i Anglisë

    Thomas Tuchel – trajner i ri i Anglisë

    Thomas Tucheli do të jetë trajneri i ri i Anglisë.

    Këtë e ka konfirmuar sot Federata Angleze e Futbollit.

    “Jam shumë krenar që më është dhënë nderi të drejtoj ekipin e Anglisë. Kam ndier prej kohësh lidhje personale me lojën në këtë vend dhe më ka dhënë disa momente të pabesueshme deri tash. Të kesh mundësinë për të përfaqësuar Anglinë është privilegj i madh dhe mundësia për të punuar me këtë grup lojtarësh të veçantë dhe të talentuar është shumë emocionuese”, ka thënë 51-vjeçari.

    Tucheli ka nënshkruar kontratë deri pas Kupës së Botës 2026.

  • Fundoset varka me emigrantë në brigjet e Greqisë, në mesin e viktimave dy fëmijë

    Fundoset varka me emigrantë në brigjet e Greqisë, në mesin e viktimave dy fëmijë

    Katër persona, duke përfshirë dy fëmijë, vdiqën të martën në ishullin grek të Kos në një aksident që përfshinte një varkë emigrantësh që kalonte nga Turqia e afërt, thanë autoritetet greke.

    Një deklaratë e rojes bregdetare tha se 27 persona u shpëtuan dhe askush nuk figuronte si i zhdukur.

    Në deklaratë thuhet se sipas të mbijetuarve, aksidenti ndodhi kur personi që drejtonte varkën e vogël bëri një manovër të ngathët pak larg Kosit.

    Dhjetë pasagjerë ranë në ujë dhe dy gra dhe dy fëmijë vdiqën, tha roja bregdetare.

    Të mbijetuarit u morën nga anijet e rojes bregdetare, raporton Associated Press.

    Autoritetet greke po përgatiten për një rritje të mundshme të ardhjeve të emigrantëve për shkak të luftimeve të vazhdueshme në Liban dhe Gaza.

    Më herët të martën, një zyrtar paralajmëroi se luftërat në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, të kombinuara me efektet e ndryshimeve klimatike, do ta vënë Evropën nën presion të vazhdueshëm afatgjatë nga imigracioni.

  • Rita Ora paralajmëron këngë në gjuhën shqipe?

    Rita Ora paralajmëron këngë në gjuhën shqipe?

    Ajo është njëra prej artisteve shqiptare që ka pushtuar tregun muzikor ndërkombëtar.

    Dhe Rita Ora pavarësisht sukseseve në botë, nuk ka hezituar asnjëherë të flasë për rrënjët e saj dhe të krenohet me to.

    Së fundmi, kënga “Anywhere” është interpretuar në shqip nga një artiste, e cila e ka përkthyer këngën.

    Një gjë e tillë nuk i ka shpëtuar 33-vjeçares, gjë që të njëjtën e ka shpërndarë në InstaStory.

    “Çka nëse Rita do këndonte në gjuhën e saj?”, thuhet në shkrim.

    E për këtë menjëherë pati një replikë: “Ide e mirë, rrini gati”.

    Një interpretim i Ritës në shqip do të ishte bukur, marrë parasysh vokalin e veçantë të saj. /Telegrafi/

  • Al Pacino: Të jesh baba në moshën 84-vjeçare është kënaqësi

    Al Pacino: Të jesh baba në moshën 84-vjeçare është kënaqësi

    Al Pacino është duke promovuar librin e tij të kujtimeve me titull “Sonny Boy”, një pseudonim që ia kishte dhënë e ëma.

    Në këto kujtime, ai përshkruan jetën dhe karrierën e tij. Aktori 84-vjeçar shpjegoi për BBC se vendosi të shkruante kujtimet pjesërisht edhe për shkak se u bë baba i një djali, Roman, në moshën 83-vjeçare. Përmes këtyre kujtimeve, ai shpreson që djali i tij të ketë mundësi të mësojë diçka për të në të ardhmen.

    “Unë dua të jem pranë këtij fëmije. Shpresoj që të jem. Shpresoj të mbetem i shëndetshëm, dhe ai ta dijë se kush është babai i tij, natyrisht”, shpjegoi aktori, i cili i dha fund lidhjes me nënën e Romanit, producenten e filmit Noor Alfallah. Pacino shpjegoi se pjesa më e madhe e ndërveprimit të tij me djalin 16-muajsh bëhet nëpërmjet internetit.

    “Më intrigon çdo gjë që bën. Pra, ne flasim. I bie harmonikës kur jemi në video-thirrje dhe kemi krijuar një kontakt të tillë. Kjo është argëtuese”, shtoi ai.

    Pacino dhe Alfallah u takuan në fund të viteve 2010 dhe e konfirmuan lidhjen e tyre në vitin 2022. Në qershorin e vitit të kaluar, lindi djali i tyre Roman, për të cilin aktori kërkoi testin e atësisë. Nuk dihet saktësisht kur çifti u nda, por sipas përfaqësuesit të Al Pacinos, ata kanë mbetur miq të mirë dhe po e rrisin bashkë djalin.

    Përndryshe, aktori nuk është martuar kurrë, por ka qenë në lidhje me shumë gra të famshme, si Beverly D’Angelo dhe Diane Keaton, dhe nga tri lidhje ka katër fëmijë. /Telegrafi/

  • Një tërmet 6 shkallësh godet Turqinë

    Një tërmet 6 shkallësh godet Turqinë

    Një tërmet i fuqishëm e ka goditur sot Turqinë.

    Raportohet se fuqia e tërmetit ishte 6 shkallë të Rihterit dhe se thellësia e këtij tërmeti ishte 10 kilometra.

    Sipas faqes EMSC epiqendra e dridhjes së tokës ishte 18 kilometra në perëndim të Doganyol.

    Aktualisht nuk raportohet për dëme apo ndonjë të lënduar.

    Ndryshe, më 6 shkurt të 2023-tës, Turqia u përball me një tërmet tejet të madh 7.2 të shkallës Rihter dhe për pasojë mbi 50 mijë persona kishin vdekur.

  • Theret me thikë një nxënës në Mitrovicë, policia jep detaje

    Theret me thikë një nxënës në Mitrovicë, policia jep detaje

    Një nxënës i gjimnazit ‘Frang Bardhi’ në Mitrovicë është therur me thikë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

    Sipas tij, lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar i moshës se mitur.

    “Sot, rreth orës 09:45, është raportuar për një person të lënduar. Nga hetimet e para bëhet e ditur se incidenti ka ndodhur në sheshin Skenderbeu në Mitrovicë, ku pas një përleshje i lëndime nga një mjet i mprehtë ka pësuar viktima mashkull i moshës se mitur. Lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar i moshës se mitur. Njësitet përkatëse po vazhdojnë me rrjedhën e hetimeve”, thotë Zahiti.

    Mësohet se i lënduari është dërguar në emergjencën e spitalit, ndërsa motivi i kësaj ngjarje nuk dihet.

  • Irani paralajmëron për përgjigje “të vendosur” nëse e sulmon Izraeli

    Irani paralajmëron për përgjigje “të vendosur” nëse e sulmon Izraeli

    Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e ka paralajmëruar shefin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, që Teherani është gati për përgjigje “të vendosur”, nëse Izraeli sulmon shtetin e tij, si hakmarrje për sulmin me raketa.

    Republika Islamike ka lëshuar 200 raketa drejt Izraelit më 1 tetor, si hakmarrje për vrasjet e dy aleatëve të tij të ngushtë, liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh dhe liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, si dhe një gjeneral iranian.

    Lindja e Mesme vazhdon të jetë e alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i luftës teksa Izraeli lufton grupet e mbështetura nga Irani, Hezbollahun në Liban dhe Hamasin – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë.

    Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

    Izraeli godet lagje të Bejrutit pavarësisht paralajmërimit amerikan

    Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant është zotuar javën e kaluar që masat hakmarrëse të vendit të tij do të jenë “vdekjeprurëse, precize dhe befasuese”, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Irani, duke bërë përpjekje për të mbrojtur paqen dhe sigurinë në rajon, është plotësisht i përgatitur për një përgjigje të vendosur”, ndaj Izraelit, ka thënë ministri Araghchi, përgjatë një bisede telefonike me Guterresin.

    Përgjatë thirrjes telefonike, Araghchi u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara për t’i përdorur të gjitha resurset “për t’iu dhënë fund krimeve dhe agresionit të regjimit izraelit dhe për të dërguar ndihmë humanitare në Liban dhe Gazë”.

    Diplomati i lartë iranian ka biseduar përmes telefonit edhe me homologun e tij francez, Jean-Noel Barrot.

    Përgjatë thirrjes, Araghchi e ka përmendur nevojën e ndaljes së sulmeve izraelite në Liban, ka paralajmëruar kundër “aventurave të reja” të armikut të përbetuar, dhe ka bërë thirrje për largim të “pengesave” izraelite për të dërguar ndihma te personat e zhvendosur.

    Në javët e fundit, Araghchi e ka vizituar Libanin, Sirinë, Arabinë Saudite, Katarin, Irakun dhe Omanin në përpjekje për t’i ulur tensionet./REL/

  • Izraeli godet lagje të Bejrutit pavarësisht paralajmërimit amerikan

    Izraeli godet lagje të Bejrutit pavarësisht paralajmërimit amerikan

    Të paktën një raketë izraelite ka goditur lagjet në jug të Bejrutit në orët e para të së mërkurës, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kundërshtojnë shkallën e sulmeve izraelite në këtë qytet.

    Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se janë dëgjuar dy shpërthime dhe tymi është parë duke dalë prej dy lagjeve në Bejrut.

    Sulmet kanë ndodhur pasi Izraeli ka lëshuar urdhra për evakuim, herët në mëngjes.

    Në ditët e fundit, ushtria izraelite ka kryer sulme në jug të Bejrutit, pa ndonjë paralajmërim.

    Ushtria izraelite, në anën tjetër, ka thënë se ka kryer sulm drejt një magazine të armëve të Hezbollahut në lagjen Daniheh të Bejrutit.

    “Para sulmit janë marrë hapa për të ulur rrezikun e dëmtimit të civilëve”, ka thënë ushtria izraelite.

    Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

    Thirrjet për evakuim kanë prekur më shumë se çerekun e Libanit, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, dy javë pasi Izraeli ka nisur inkursion në jug të shtetit, me arsyetimin se po lufton infrastrukturën e Hezbollahut.

    Disa shtete perëndimore po kërkojnë armëpushim mes fqinjëve, por edhe në Gazë, ndonëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkrahin Izraelin dhe do të dërgojnë sisteme për mbrojtje raketore dhe trupa ushtarake.

    Të martën, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se SHBA-ja ia ka shprehur shqetësimet që ka administratës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për sulmet e kryera së fundmi.

    “Kur flasim për shkallën dhe natyrën e bombardimeve që kemi parë në Bejrut në javët e fundit, është diçka që e kemi bërë të qartë për Qeverinë e Izraelit, se ne kemi shqetësime dhe jemi kundër”, u ka thënë ai gazetarëve.

    Kryeministri në detyrë i Libanit, Najib Mikati, ka thënë të martën se kontaktet e tij me zyrtarë amerikanë i kanë dhënë “një lloj garancie” që Izraeli do t’i zvogëlojë sulmet në Bejrut dhe lagjet më në jug.

    Bejruti është goditur për herë të fundit më 10 tetor, kur dy sulme afër qendrës së qytetit kanë vrarë 22 njerëz dhe kanë shembur ndërtesa në zona të banueshme.

    Burimet libaneze të sigurisë patën thënë ato ditë se zyrtari i Hezbollahut, Wafiq Safa ka qenë në shënjesër, por që ka mbijetuar.

    Izraeli nuk i ka komentuar këto deklarata.

    Lindja e Mesme vazhdon të jetë e alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i luftës teksa Izraeli lufton grupet e mbështetura nga Irani, Hezbollahun në Liban dhe Hamasin – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë./REL

  • Bastisje në Dubravë, gjendet drogë te të burgosurit

    Bastisje në Dubravë, gjendet drogë te të burgosurit

    Gardianët dhe Policia e Kosovës dje kanë zhvilluar kontrolle në disa lokacione në Qendrën Korrektuese në Dubravë ku kanë zbuluar substanca narkotike te të burgosurit.

    Sipas policisë, janë gjetur dhe konfiskuar 19.3 gramë drogë ndërsa ndaj të dyshuarve është hapur rasti për posedim të narkotikëve.

    “Qendra korrektuese e Dubravës 15.10.2024. Raportohet se në disa lokacione në Qendrën korrektuese janë gjetur dhe konfiskuar 19.3 gramë substancë e dyshuar narkotike. Rastet janë duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.