ATV

Author: G.O.

  • Fillon rundi i ri i dialogut në Bruksel, fillimisht Lajçaku takohet me Petkoviqin

    Fillon rundi i ri i dialogut në Bruksel, fillimisht Lajçaku takohet me Petkoviqin

    Pak pas orës 9:00 në Bruksel ka filluar takimi i delegacionit nga Serbia i udhëhequr kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, me të dërguarin special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

    Delegacioni nga Serbia dhe ai nga Kosova, i kryesuar nga kryenegociatori zv/kryeministri Besnik Bislimi, fillimisht do të kenë takime të ndara me Lajçakun dhe për momentin nuk dihet nëse do të mbahet një takim trepalësh.

    Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, tha dje se agjenda do të përfshijë nevojën për “fillimin e menjëhershëm të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit” dhe që të dyja palët “të bien dakord përfundimisht” për përparimin në dialog.

    Dialogu Kosovë-Serbi, sot mbahet takimi i radhës në Bruksel

     

  • Si të kemi më shumë energji pa konsumuar kafeinë?

    Si të kemi më shumë energji pa konsumuar kafeinë?

    Një ndër perceptimet e marrjes së energjisë në kohët e sotme është pikërisht pirja e kafesë

    Disa e kanë këtë proces si pjesë të stilit të jetesës, ndërsa të tjerët thjesht e shijojnë një kafe në disa momente të ditës. Megjithatë, konsumimi i saj i lartë po shndërrohet në problem.

    Në fakt, kafeja nuk jep energji, ajo thjesht maskon lodhjen duke bllokuar receptorët e adenozinës.

    Edhe pse mund të ofrojë një motivim të përkohshëm, mbështetja e tepruar te kafeina mund të dëmtojë cilësinë e gjumit, i cili është thelbësor për ruajtjen e energjisë së vërtetë.

    Ekspertët kanë disa sugjerime për të zëvendësuar kafeinën:

    Zgjohuni në të njëjtën orë çdo ditë

    Zgjidhni një orar zgjimi që u përshtatet juve për të zvogëluar përgjumjen dhe për të përmirësuar energjinë gjatë ditës.

    Ekspozohuni ndaj dritës brenda 15 minutave nga zgjimi

    Drita natyrale ose artificiale në mëngjes ndihmon në rregullimin e orës së brendshme dhe përmirëson cilësinë e gjumit.

    Praktikoni frymëmarrjen e thellë

    Filloni ditën tuaj me frymëmarrje të thella për të oksigjenuar trurin dhe për të zgjuar sistemin tuaj. Lëvizni dhe trupin gjithashtu. Ushtrimet në mëngjes rrisin metabolizmin dhe rrisin prodhimin e kortizolit, hormonit të energjisë.

    Hidratohuni me ujë dhe jo me kafeinë

    Pini ujë sapo të zgjoheni për të rihidratuar trupin dhe trurin, duke përmirësuar energjinë dhe lëkurën tuaj. Përvetësimi i këtyre zakoneve do të përmirësojë nivelet tuaja të energjisë në mënyrë natyrale, pa pasur nevojë për kafeinë. /Telegrafi/

  • Dietologët shpjegojnë se pse duhet të hani shpesh fara kungulli

    Dietologët shpjegojnë se pse duhet të hani shpesh fara kungulli

    Farat e kungullit janë një meze e lehtë e njohur, veçanërisht në periudhën e vjeshtës. Edhe pse janë më të njohura në muajt e vjeshtës, këto fara mund të konsumohen gjatë gjithë vitit, gjë që është veçanërisht e mirë sepse duke i ngrënë i bëni mirë të gjithë trupit.

    Një grup dietologësh për mediumin Eating Well kanë veçuar disa nga përfitimet më të njohura të këtyre farave të shijshme dhe të shëndetshme.

    Ndikon në mbrojtje kundër inflamacionit

    Farat e kungullit përmbajnë linjan, përbërës që promovojnë shëndetin, raporton Eating Well. Linjanet në farat e kungujve “ulin inflamacionin dhe veprojnë si antioksidantë të fuqishëm”, thotë dietologia Pam Hartnett. Sipas Hartnett, linjanet në farat e kungullit mund të ndihmojnë gjithashtu në uljen e rrezikut të kancerit, sepse “këto përbërës bllokojnë enët e gjakut që ushqejnë tumoret, duke ndihmuar në ngadalësimin e rritjes së kancerit”.

    Ndikon në mbështetjen e shëndetit të zemrës

    Dietologia Jessi Holden thekson se farat e kungullit “mund të përmirësojnë shëndetin e zemrës dhe të nxisin nivele të balancuara të sheqerit në gjak”.

    Ato janë të ulëta në yndyrna të ngopura, por të larta në proteina bimore miqësore për zemrën. Nëse kjo nuk mjafton, magnezi i tyre mund të ndihmojë në rregullimin e presionit të gjakut, sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, raporton Eating Well.

    Forcon sistemin imunitar

    “Farat e kungullit janë një burim i mirë zinku, i cili mund të shkurtojë kohëzgjatjen e një ftohjeje. Plus, proteinat dhe magnezi i tyre mbështesin nivelet e energjisë dhe forcojnë sistemin tuaj imunitar, duke siguruar një burim të shëndetshëm energjie për të gjithë familjen”, shpjegon dietologia Holden.

    Ngrënia e këtyre farave mund t’ju ndihmojë të flini më mirë

    Nëse jeni duke kërkuar për një mënyrë natyrale për të përmirësuar cilësinë e gjumit, një grusht i vogël fara kungulli para gjumit mund t’ju ndihmojë të flini më mirë dhe të reduktoni shqetësimin.

    “Farat e kungullit janë të pasura me triptofan, një aminoacid që ndihmon në prodhimin e serotoninës, një hormon për ndjenjën e mirë dhe melatoninës, e cila mund të ndihmojë në trajtimin e pagjumësisë”, thotë dietologia Amy Beney.

    Ato mund të parandalojnë problemet e kapsllëkut

    Farat e kungullit janë një burim i mirë i fibrave dietike që kontribuojnë në një sistem të shëndetshëm të tretjes duke inkurajuar lëvizjet e rregullta të zorrëve dhe duke parandaluar kapsllëkun. Këto fara përmbajnë gjithashtu magnez, i cili vepron si një laksativ natyral duke tërhequr ujin në traktin tretës për ta mbajtur jashtëqitjen e butë. Gjithashtu relakson muskujt e zorrëve, duke ndihmuar që përmbajtja e tretjes të lëvizë më mirë, raporton Eating Well.

    A janë farat e kungullit të sigurta për të gjithë?

    Kur bëhet fjalë për konsumimin e kungujve, ka disa masa paraprake në varësi të gjendjes shëndetësore. Ata që duhet të kenë kujdes të mos e teprojnë janë personat me sindromën e zorrës së irrituar (IBS). Për më tepër, njerëzit me divertikulit gjatë një periudhe inflamatore mund të kenë nevojë të shmangin farat, pasi ato mund të irritojnë zorrët.

  • Shiu është qetësuesi më i fuqishëm natyror: Truri e identifikon si ilaç për depresion, nervozë dhe ankth!

    Shiu është qetësuesi më i fuqishëm natyror: Truri e identifikon si ilaç për depresion, nervozë dhe ankth!

    Koha me shi mbase ju duket depresonuese dhe shumica e njerëzve e lidhin me ndjenjat melankolike dhe pikëllimin, mirëpo ekspertët konstatojnë që kjo është vetëm iluzion

    Në të vërtetë, personat të cilët vuajnë nga depresioni dhe ankthi dëshmojnë që u përshtatet koha me shi, sepse atëherë nuk arrijnë në pikën kur përjetojnë sulme depresioni dhe ankthi.

    Njësoj është edhe me personat të cilët janë impulsivë dhe nevrikë. Personat e tillë shpesh thonë që e duan shiun dhe shkaku është që kisha i qetëson dhe i relakson. Nëse mendoni pak më mirë, kjo është vërtet plotësisht e logjikshme.

    Shiu ka mostër të parashikueshme, prandaj tingulli i shiut jashtë çon deri aty ku truri ynë e kupton si zhurmë qetësuese dhe të këndshme. Pikërisht për këtë shkak ekzistojnë aq shumë video dhe shënime tingullore për qetësim dhe meditim të cilat përmbajnë tingullin e shiut.

    Derisa bie shi, njerëzit nuk kanë dëshirë të dalin jashtë, prandaj në hapësirë të mbyllur bëjnë atë që duan në së shumti, transmeton Telegrafi.

    Tingulli i shiut qetëson andaj me të është më lehtë të lexohet libri, të mësohet apo të relaksohet në dush të ngrohtë. Veç kësaj, edhe vetë aroma e shiut shumicën e njerëzve e lidh me meditime pozitive dhe ndjenja për të kaluarën.

    Aroma e tillë intensive dhe këndshme të cilën ajri e merr ju kthen në kohën kur keni qenë në ambient të ngrohtë dhe të sigurt.

    Shkencëtarët theksojnë që bashkë me ndryshimet hormonale është i rëndësishëm edhe tingulli i shiut. Kur tingulli është i qetë apo paksa i fortë dhe i harmonizuar siç është rënia e shiut, truri e kupton si sinjal qetësues.

    Veç kësaj, kjo shushurimë do të “mbulojë” disa tinguj më pak të këndshëm të cilët do të na kishin shqetësuar dhe zgjuar, si për shembull zhurma e automobilit apo thërritja e njerëzve të cilët ecin rrugës. /Telegrafi/

  • Vazhdon procesi gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së

    Edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po mbahet në Hagë.

    Vazhdon sot procesi gjyqësor në rastin “Thaçi dhe të tjerët në Hagë.

    Seanca në Gjykatën Speciale nis në ora 09:00 dhe mbahet deri në ora 16:30.

  • Dialogu Kosovë-Serbi, sot mbahet takimi i radhës në Bruksel

    Dialogu Kosovë-Serbi, sot mbahet takimi i radhës në Bruksel

    Sot do të zhvillohet takimi i radhës në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi.

    Megjithatë nuk dihet nëse do të ketë takim trilateral apo vetëm takime të ndara të palëve me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak.

    Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian nuk e kanë konfirmuan se do të ketë takim të përbashkët ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviq.

    Në ekzekutiv thonë se fokusi i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit.

    Nevojën për këtë të fundit e potencojnë edhe në Bashkimin Evropian.

    Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara dhe të arrijnë përparim në dialog.

    Takimi trepalësh nuk është mbajtur as në muajin shtator, kur Bislimi dhe Petkoviq kishin udhëtuar në Bruksel, mirëpo ishin takuar vetëm me ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak. Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel.

    Një muaj më vonë ishte arritur dakordimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

    Megjithatë, palët ende nuk janë pajtuar për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes.

    Në qeverinë e Kosovës insistojnë në nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e mirëbesimit në proces të dialogut, derisa kërkojnë edhe tërheqjen e letrës së Serbisë, të cilën e kishin dërguar në Bruksel vitin e kaluar, ku praktikisht ishin tërhequr nga ujdia e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.

  • Nën patronatin e Presidentes mbahet manifestimi “Ecja Simbolike”

    Nën patronatin e Presidentes mbahet manifestimi “Ecja Simbolike”

    Sot [ e enjte] do të mbahet manifestimi tradicional “Ecja Simbolike” në sheshin “Ibrahim Rugova” në kryeqytet.

    Ky manifestim do të jetë nën patronatin e presidentes Vjosa Osmani.

    Ky aktivitet pritet të fillojë nga ora 12:00.

    Ndryshe, në Kosovë çdo vit regjistrohen rreth 300 gra të prekura nga kanceri i gjirit. Tetori shënon muajin e ndërgjegjësimit kundër kësaj sëmundjeje e cila rrezikon çdo të tetën grua gjatë jetës së saj.

  • Sot mbahet seancë e jashtëzakonshme për menaxhimin në KEK

    Sot mbahet seancë e jashtëzakonshme për menaxhimin në KEK

    Sot Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë një seancë e jashtëzakonshme.

    Kuvendi ka njoftuar se e vetmja pikë e rendit të ditës është: “Debat Parlamentar për skandalet dhe keq menaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës”.

    Ndryshe për këtë seancë të jashtëzakonshme ka shkruar edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

    “Në emër të 43 deputetëve të nënshkruar, kam thirrur seancën e jashtëzakonshme, e cila do të mbahet në orën 12:00. Kjo kërkesë është bërë për të adresuar skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), që kanë ngritur shqetësime të mëdha për publikun dhe institucionet”, ka shkruar Gashi.

    Për këtë çështje do të propozohet edhe një projektrezolutë.

    Kuvendi me këtë kërkon që të hetohet edhe roli dhe ndikimi i jashtëligjshëm i Dejona Mihalit në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK.

    Më poshtë gjeni tekstin se çka përmban kjo rezolutë:

    • 1.Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet kompetente qe te vazhdojë hetimet e plota dhe te thelluara per skandalet ne KEK, duke perfshire keqmenaxhimin e tenderëve njeburimore dhe mungesën e konkurrences ne prokurimin publik. Te gjitha shkeljet e konstatuara te ndiqen penalisht.
    • 2. Kuvendi kerkon nga Qeveria e Kosoves dhe Bordi i KEK që te raportojne për kontratat e shitblerjes se energjise gjate periudhes 2021-2024, duke perfshire kushtet e favorshme per palët e treta dhe ndikimin ne financat publike. Kuvendi obligon organet perkatese qe te rishikojne keto kontrata per te mbrojtur interesin publik dhe te ndjekin çdo parregullsi.
    • 3. Kuvendi kerkon nga autoritetet kompetente te hetojë nderhyrjet e personave te paautorizuar ne menaxhimin dhe vendimmarjen ne KEK, veçanerisht ne lidhje me dhenien e tenderëve, tregtine e energjise dhe proceset e punësimit. Tê merren masa konkrete per te ndaluar nderhyrjet e paligishme dhe per te siguruar nje menaxhim transparent dhe te pavarur ne KEK.
    • 4. Kuvendi kerkon nje hetim te plote per rolin e Dejona Mihalit dhe çdo personi tjeter që ka ushtruar ndikim te jashteligishem ne menaxhimin e KEK dhe proceset e rekrutimit, duke perfshire punesimet e jashteligjshme.
    • 5.Kuvendi e obligon Bordin e KEK dhe institucionet pergjegjëse pë r menaxhimin e energjisë që te rrisin transparencën në te gjitha proceset e prokurimit dhe tregtise së energjise, duke përfshire publikimin e kontratave dhe raportimin e detajuar mbi performancën financiare dhe operacionale.
    • 6.Kuvendi rekomandon që Qeveria e Kosovës te marrë masa për permirësimin e qeverisjes në KEK, duke emëruar nje bord te pavarur dhe profesionist, me qellim qe te sigurohet funksionimi efikas dhe i pérgiegishëm i ndermarrjes.
    • 7.Kuvendi kerkon nga Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK qe të raportojné çdo tre muaj për situatën në KEK, përfshirë masat e marra për permirësimin e menaxhimit, prokurimit dhe transparences në ndermarrje.
    • Kjo rezolute hyn né fuqi menjeherë pas miratimit ne Kuvendin e Kosovës.
  • Detaje nga sulmi terrorist në Turqi, ministri i Brendshëm: 7 nga të plagosurit pjesëtarë të forcave speciale

    Detaje nga sulmi terrorist në Turqi, ministri i Brendshëm: 7 nga të plagosurit pjesëtarë të forcave speciale

    Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, ka reaguar lidhur me sulmin terrorist të ndodhur në dje Ankara, ku humbën jetën pesë persona dhe u plagosën 22 të tjerë. Gjatë një deklarate për shtyp, Yerlikaya theksoi se autorët e sulmit mund të jenë pjesë e organizatës terroriste PKK, duke nënvizuar se hetimet janë ende në vazhdim.

    Në fjalën e tij, ministri shtoi: “Nga të plagosurit, shtatë prej tyre janë pjesëtarë të forcave speciale. Jemi të bindur se ata do të shërohen dhe do të ribashkohen me familjet e tyre. Ky akt i tmerrshëm tregon edhe një herë fytyrën e vërtetë të terrorizmit dhe na forcon në luftën kundër kësaj plage.”

    Autoritetet turke janë mobilizuar për të ndjekur gjurmët e autorëve dhe për të marrë masa shtesë sigurie. Terrorizmi ka qenë një nga sfidat kryesore për Turqinë, e cila ka përballuar sulme të ngjashme nga grupe të ndryshme gjatë viteve të fundit.

    Autoritetet turke kanë ripërsëritur përkushtimin e tyre për të luftuar terrorizmin me vendosmëri dhe për të mbrojtur qytetarët e vendit nga kërcënimet.

  • Mot me diell edhe sot, maksimalja deri në 20 gradë

    Mot me diell edhe sot, maksimalja deri në 20 gradë

    Intervale më të gjata me diell do të ketë ditën e enjtë, megjithëse vransira kalojnë më shpesh mbi vend, herë herë më të dendura, por pa kushte për të reshura.

    Orëve të mëngjesit nëpër ultësira formohen shtresa mjegulle, që deri nga mesdita pritet të shpërndahet. Dominojnë më shumë qetësitë, e ditën frynë e lehtë drejtimesh të ndryshme 1-3m/s. Temperaturat minimale zbresin në 3C e 6C, derisa maksimalet gjatë ditës shkojnë deri në 18C e 20C.

    Të premtën kalojnë vransira përgjatë vendit, derisa në fundjavë parashihet mot kryesisht me diell, njofton Prishtina Weather.

    Orëve të mëngjesit përgjatë ultësirave, formohen kushte për shtresa mjegulle, që deri nga mesdita shpërndahet. Temperaturat pa ndonjë ndryshim, minimalet zbresin në 2C e 3C, e ato maksimale gjatë ditës shkojnë në 18C e 20C.

    Këto kushte të qëndrueshme atmosferike kanë përkeqësuar gjendjen me cilësinë e ajrit, meqenëse ndotësit ajror mbetet të ngujuar pranë sipërfaqes duke çuar indeksin e cilësisë së ajrit në vlera të dobëta, me ngjyrë të kuqe. Sipas parashikimeve edhe ditëve të ardhshme indeksi mbetet në vlera të dobëta, meqë nuk duket si mundësi ndonjë qarkullim i mirë ajror.