ATV

Author: G.O.

  • Rundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi, javën e ardhshme

    Rundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi, javën e ardhshme

    Javën e ardhshme, që sipas të gjitha gjasave të enjten më 24 tetor, në Bruksel pritet të zhvillohet rundi i ri i takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

    Kështu thanë burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë në Bashkimin Evropian, pa dhënë hollësi për takimet.

    Në BE gjithmonë e përdorin fjalën “takime”, pasi nuk janë të sigurt nëse do të ketë takim trepalësh, pra takim mes dy delegacioneve në prani të lehtësuesit nga BE-ja.

    Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

    Herën e fundit kur është zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime. Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.

    Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.

    Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

    Emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i tërë ekipi i ri i Komisionit Evropian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Evropian.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut./rel

  • Ministri Peci: Mbi 300 milionë euro investime në bujqësi gjatë mandatit tim

    Ministri Peci: Mbi 300 milionë euro investime në bujqësi gjatë mandatit tim

    Mbështetja financiare e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për fermerët në tre vjetët e fundit arrin në mbi 300 milionë euro, ndërsa rritja e mbështetjes përmes programeve arrin deri në 275 për qind për disa kultura bujqësore, përkrahje kjo e cila ka reflektuar në rritje të pjesëmarrjes në aktivitete bujqësore për 27 për qind.

    Këto të dhëna janë bërë të ditura sot nga ministri i BPZHR-së, Faton Peci në “Konferencën për bujqësinë e qëndrueshme dhe vendimmarrjen e bazuar në të dhëna”, e cila është organizuar nga MBPZHR-ja në bashkëpunim me PPSE (Promoting Private Sector Employment), projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që implementohet nga Swisscontact dhe instituti “Riinvest”.

    Me këtë rast, Peci ka theksuar se krahas rritjes së mbështetjes gjatë mandatit të tij në tre vjetët e fundit, sektori i bujqësisë ka pësuar një ndryshim rrënjësor në mënyrën e menaxhimit dhe zhvillimit. Kjo sipas tij është arritur përmes zbatimit të praktikave të qëndrueshme, rritjes së investimeve në sektor, luftimit të korrupsionit dhe rritjes së transparencës.

    “Pas 9 vjetëve ngecje nga 4 qeveri radhazi, kemi avancuar legjislacionin dhe dokumentet strategjike, me ç’rast kemi aprovuar 28 ligje, përgjatë mandatit tonë e për herë të parë kemi hartuar dhe aprovuar Strategjinë për zhvillimin e bujqësisë. Angazhimi ynë për të përmirësuar konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e sektorit agroushqimor është kyç për të ardhmen tonë. Në strategjinë për zhvillimin e bujqësisë, kemi vendosur që qëndrueshmëria të jetë në qendër të objektivave tona duke vendosur si objektivi strategjik të parë rritjen e konkurrencës së sektorit agroushqimor dhe përmirësimin e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së prodhimit të fermës”, tha ministri Peci.

    Ai ka treguar se sipërfaqja e punuar e tokës sipas Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë si institucioni më relevant për të dhënat në bujqësi, në vitin 2019 ishte 81,517ha, ndërsa në vitin 2023 sipërfaqja e punuar është 121,650,17ha apo 49,23% më shumë, se në vitin 2019.

    Ndërkaq, në kuadër të angazhimit të tij, Peci ka theksuar se për hartimin e projekt-ideve për fondet IPA 2025-2027, si prioritet kanë trajtuar fuqizimin e bujqësisë së qëndrueshme në Kosovë, duke harmonizuar atë me politikat evropiane, si Marrëveshja e Gjelbër dhe strategjia “Farm to Fork”.

    Nga ana tjetër, Jean-Christophe Fave, përfaqësues nga Agjencia për Zhvillim dhe Bashkëpunim, tha se bashkëpunimi ndërmjet fermerëve, bizneseve dhe institucioneve është shumë i rëndësishëm dhe se në këtë mënyrë po kontribuojnë jo vetëm në ekonominë, por në transformimin e shoqërisë. “Kosova po u bashkohet e forcave globale për mjedis. Bashkëpunimi ndërmjet fermerëve, bizneseve dhe institucioneve është shumë i rëndësishëm”, tha ai.

    Ndryshe, gjatë kësaj konference, zyrtarë të MBPZHR-së kanë mbajtur prezantime lidhur me mbështetjen institucionale për Sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, përkrahjen e Sektorit të bujqësisë përmes granteve dhe vendimmarrje bazuar në të dhëna, si dhe prezantime që tregojnë rezultate të studimeve për bujqësinë e qëndrueshme.

  • Apple befason fansat me një produkt krejt të ri – iPad Mini

    Apple befason fansat me një produkt krejt të ri – iPad Mini

    Ende pa kaluar një muaj që kur prezantoi iPhone-in më të fundit, Apple tashmë ka të gatshme një pajisje të re për ta nxjerrë në treg.

    Gjiganti amerikan zbuloi gjeneratën e 7-të të iPad Mini – përditësimi i parë i kësaj linje të produktit për më shumë se tre vite, transmeton Telegrafi.

    Kjo pajisje 650 dollarëshe ka një ekran 8.3-inç dhe jetëgjatësia e baterisë është përmirësuar – duke i mundësuar përdoruesve që të përdorin edhe Apple Pencil Pro që u lansua në maj dhe që kushton 168 dollarë, transmeton Telegrafi.

    Sikurse iPhone 15 Pro i vitit të kaluar, iPad vihet në funksion nga çipi A17 Pro, që do të thotë se do të ketë të integruar edhe Apple Intelligjence (inteligjencën artificiale).

    Apple Intelligence është kompleti i ri i softuerit të inteligjencës artificiale të firmës që përfshin redaktimin e imazheve, ‘Genmoji’ dhe një integrim me ChatGPT.

    Apple zbuloi pajisjen e re në një postim në blog, duke e quajtur atë iPad Mini më ‘i aftë dhe më i gjithanshëm’ ndonjëherë.

    Në paletën e ofertës do të jetë modeli me 128 GB dhe 512 GB. Ai është i disponueshëm në katër ngjyra – gri, starlight, e kaltër dhe vjollcë – dhe është i disponueshëm për t’u porositur paraprakisht tani, përpara datës së lansimit më 23 tetor. /Telegrafi/

  • Protesta e opozitës në Shqipëri shkakton përplasje mes gardës dhe policisë

    Protesta e opozitës në Shqipëri shkakton përplasje mes gardës dhe policisë

    Gjatë protestës së deputetëve të opozitës përpara Kuvendit të Shqipërisë ka pasur një mosmarrëveshje me tone të lartë mes drejtuesve të gardës dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë që u zhvendosën në parlament me lëvizjen e protestuesve përpara bashkisë.

    Ka qenë pikërisht momenti i tensionuar kur deputeti Luan Baçi pretendon se një efektiv me skafandër i nxori pistoletën, kur një drejtues i Gardës ka dalë përpara policëve dhe iu ka kërkuar të largohen me tone të larta.

    Pas disa momentesh forcat e FNSH-së u larguan dhe situata u qetësua, shkruan A2.

    LEXONI EDHE:

    Deputetët e përjashtuar opozitarë tentojnë të hyjnë me forcë në seancën e Kuvendit në Shqipëri

  • Avokati i familjes Hajrizi dorëzon padi ndaj Kurtit, Bislimit, deputetit Rexha e avokatit Halilaj

    Avokati i familjes Hajrizi dorëzon padi ndaj Kurtit, Bislimit, deputetit Rexha e avokatit Halilaj

    Avokati i familjes së Faton Hajrizit, Gent Gjini, ka dorëzuar padi dhe kallëzime penale ndaj kryeministrit Albin Kurti, zëvendësit të tij, Besnik Bislimi, deputeti të VV-së, Arbër Rexha e avokatit Gazmend Halilaj, raporton Ekonomia Online.

    Gjini tha se padinë e ka bërë sipas tij, kanë vazhduar fyerjet ndaj Faton Hajrizit.

    Ai tha se fjala “kriminel” ishte arsyeja kryesore se pse po e bënë këtë padi.

    I pranishëm ishte edhe vëllai i Fatonit, Artan Hajrizi.Faton Hajrizi, u vra më 19 korrik në Lloznicë të Serbisë.

  • Biden viziton sot Gjermaninë për bisedime për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme

    Biden viziton sot Gjermaninë për bisedime për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të udhëtojë sot për në Gjermani për një vizitë të shkurtër, gjatë të cilës do të diskutojë me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

    Kievi është duke u bërë thirrje aleatëve të vet perëndimorë të ndërmarrin hapa urgjent për t’i dhënë fund luftës.

    Konflikti i zgjeruar në Lindjen e Mesme pritet të jetë gjithashtu lart në agjendën e bisedimeve mes liderëve.

    Biden fillimisht planifikoi ta mbante një takim më të madh me mbështetësit ushtarak të Ukrainës në bazën ajrore amerikane në Gjermani, Ramstein, javën e kaluar gjatë një vizite të paraparë treditore. Por, ai e anuloi atë vizitë për t’u marrë me pasojat e uraganit Milton.

    Tani, presidenti amerikan do ta kryejë një vizitë të shpejtë. Ai pritet të mbërrijë në Gjermani të enjten vonë dhe të takohet me presidentin dhe kancelarin e Gjermanisë të premten në mëngjes, para se takohet me katërshen evropiane pasdite.

    Ai po e bën këtë vizitë në një javë kur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i vizitoi vendet perëndimore për ta paraqitur “planin e fitores” për t’i dhënë fund pushtimit të plotë nga Rusia, i cili nisi në shkurt 2022.

    “Situata në fushëbetejë në Ukrainë, trajektorja e luftës dhe si mund aleatët ta mbështesin më së miri Ukrainën, do të jenë temë diskutimi”, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane para vizitës së Bidenit, në lidhje me takimin me udhëheqësit evropianë.

    Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz tha të mërkurën në Parlamentin gjerman se SHBA-ja dhe Gjermania nuk do ta ndalin ndihmën për Ukrainën.

    “Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj, si dhe të demokracisë së saj. Dhe, ne do të vazhdojmë të jemi të tillë”, tha Scholz.

    “Por kjo është një kohë kur, përveç mbështetjes sonë të qartë për Ukrainën, duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta kuptuar se si mund të sigurohemi që kjo luftë të mos vazhdojë përgjithmonë, që të mos vazhdojë të vrasë një numër të pabesueshëm grash dhe burrash”, shtoi ai.

    Zelensky thotë se plani i tij, i cili do të përfshinte ftesë të pakushtëzuar për Ukrainën për t’iu bashkuar NATO-s tani, synon ta detyrojë Kremlinin të negociojë në mirëbesim.

    Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë aleatë të ngushtë të Izraelit, i cili është bërë gjithnjë e më i izoluar për shkak të fushatës së tij ushtarake në enklavën palestineze të Gazës, ku autoritetet vendase thonë se janë vrarë më shumë se 42.000 njerëz.

    “Ne nuk do të pranojmë që Irani të sulmojë Izraelin me raketa”, tha Scholz të mërkurën.

    “Kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk duhet të ketë destabilizim të mëtejshëm të rajonit. Dhe, Irani po luan me zjarrin. Kjo duhet të ndalet”, shtoi ai.

  • Mbi 900 dosje të krimeve të luftës – Haxhiu: EULEX-i dhe UMNIK-u qëllimisht s’i kanë trajtuar këto lëndë

    Mbi 900 dosje të krimeve të luftës – Haxhiu: EULEX-i dhe UMNIK-u qëllimisht s’i kanë trajtuar këto lëndë

    Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), me rastin e 25-vjetorit ka mbajtur ditën e dytë të konferencës ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se punën që është dashur që ta bëjën institucionet në trajtimin e këtyre rasteve e kanë bërë organizatat joqeveritare.

    Sipas Haxhiut, UNMIK-u dhe EULEX-i nuk i kanë trajtuar krimet siç duhet, madje shtoi se qëllimisht nuk janë trajtuar dosjes e krimeve të luftës, ani pse viktimat e dhunës kanë pasur besim dhe kanë rrëfyer rastin e tyre.

    “Atë që institucionet nuk e kanë bërë me kohë, e kanë bërë organizatat e shoqërisë civile. Me shpresën se rastet e dënimit të shtohen. Është vonë jemi 25 vite, por ne kemi nisur punën para dy viteve. Unë kam thënë edhe më herët as UMNIK as ELUEX nuk ka trajtuar krimet siç duhet. Mendoj që qëllimshëm nuk janë trajtuar dosjes e krimeve të luftës, dhe më vjen keq për të, nuk kemi parë drejtësi nga këto misione”.

    “Në përgjithësi ka munguar vullneti për të adresuar këto krime. Ku janë ato dëshmi, kur viktimat kanë dhënë dëshmi ku janë ato nuk ka dhënë askush përgjegjësi për të. Ne nuk mundemi ta ndërrojmë historinë, është proces i ndjeshëm përgjatë këtyre dy viteve. Kemi pasur takime të shumta me viktimat e dhunës seksuale “, ka thënë Haxhiu.

    Drita Hajdari, ish-prokurore speciale në Departamentin e Krimeve të Luftës, tha se nga viti 2016 deri në vitin 2018, nuk ka pasur raste të raportuara të dhunës seksuale nga konflikti.

    “Rasti i parë doli kur një e mbijetuar iu drejtua me guxim zyrës së prokurorit. Kjo e mbijetuar ishte përballur më parë me zhgënjime si me EULEX-in ashtu edhe me UNMIK-un. Unë jam prokuroria e parë e cila ngriti aktakuzën për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovës. Kjo mundësi më është dhënë mjaftë vonë. Kjo mundësi i është dhënë nga UMNIK-u dhe EULEX. Kam punuar në Prokurorinë Speciale dhe në vitin 2016 u emërova udhëheqëse e Departamentit. Me pranimin e të gjitha rasteve në 2018 ku ishin 900 raste të krimeve të luftës dhe 2 mijë të zhdukur nuk ishin asnjë për dhunë seksuale gjatë luftës. Ishte vetëm një rast i Vasfie Krasniqi i cili ka dështuar tashmë e dini. Rasti i parë në të cilën është ngritur aktakuza ashtu që viktima me erdhi në zyre dhe ishte mjaftë e shqetësuar faktin që kishe dhënë dëshmi në EULEX dhe UMNIK-ut dhe asgjë nuk kishte ndodhur”.

    “Viktimën e mora në pyetje dhe erdha në ide të shmangu ardhjen e viktimës në prokuro dhe është zhvilluar në prani të psikologes. Në QKRMT, e mbijetuara u prit në një mjedis të sigurt, ku u bë marrja në pyetje në prani të psikologut për të siguruar mirëqenien e saj emocionale. Pas marrjes në pyetje të viktimës janë zhvilluar hetimet tjera dhe isha ballafaquar me sidën tjetër të mbrojë identitetin e saj sepse refuzonte t’i zbulohej. Gjykimi ka qenë një sfidë tjetër, viktima e përjetoi shumë rëndë ballafaqimin e kryesit të veprës, por e mbante kokën lartë, madje në një moment ku i akuzuari i është drejtuar me një provokim ndaj viktimës, ajo kishte aq fuqi sa që i është ngrit në këmbë dhe i tha shikom në sy ti je ai që e ke kryer krimin dhe ma ke shkatërruar jetën. Gjykimi përfundoi me shpalljen fajtor të kryesit të veprës. Dënimi është bërë me 13 vjet burgim, ky model i krijuar është aplikuar edhe në rastet e tjera të cilat kanë pësuar pas këtij rasti”, ka thënë Hajdari.

    Feride Rushiti, drejtoresh e QKRMT-së ka theksuar se shpirti i viktimave të dhunës seksuale nuk gjen qetësi pa pasur përkrahje dhe drejtësi.

    Megjithëkëtë, ajo shtoi se për ballafaqimin e kësaj sfide, viktimës i duhet edhe mbështetja e familjes.

    “Shpiti i tyre nuk gjen qetësi pa drejtësi, krimi i dhunës seksuale ka realisht të vështirë qasjen në drejtësi. Periudha e pasluftës ka qenë periudhë fragjile ku shumë prej viktimave kanë pasur besim në organet e OKB-së, por fatkeqësisht ka munguar aspektin psiko-social të trajtimit. Ka bërë që viktimat e dhunës të ndihen keq dhe të tërhiqen nga procesi, procesi i drejtësisë kur fajësinë e vet ia drejton dhunuesit dhe lirohet psiqiksiht. Sepse kjo e bënë më tej ta mbajë barrën dhe të rëndohet në aspektin psikologjikë”.

    “Kemi menduar që me ndihmën e EULEX do të kemi bashkëpunim me shumë, me dhjetar dëshmi kanë përfunduar pa asnjë rezultat.  Pas 23 vite kemi arritur që të kemi një dhunues prapa grilave, na është dashur 23 vite. Nuk mundemi me punuar me viktimën pa pasur mbështetjen e familjes”, ka theksuar Rushiti.

    Ilir Morina, prokuror special, udhëheqës e Departamentit për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale, tha se nga periudha e UNMIK-ut dhe EULEX-it deri në vitin 2023, janë dokumentuar 77 raste të dhunës seksuale si krim lufte, gjashtë aktakuza janë ngritur, ndërsa të tjerat janë në proces.

    Madje sipas tij, sfidë e madhe mbetet mungesa e provave, veçanërisht pasi kanë kaluar kaq shumë vite. Kjo e bën edhe më të vështirë zbulimin e drejtësisë dhe të vërtetës, raporton EO.

    “Jemi mbledhur për të reflektuar mbi një kapitull të erret dhe të dhimbshme të historisë sonë. Gjatë këtyre 25 viteve kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për të sjellë drejtësi dhe për të sjellë para drejtësisë kryesit e veprës. Është e rëndësishme që krimet e luftës në Kosova kanë kaluar në tri periudha kohore të ndryshme”.

    “Ne kemi pranuar mbi 900 dosje nga misioni i EULEX, KPK ka krijuar strategji për krimet e luftës. Nga UMNIK-u kemi 77 raste të krimeve. Një sfidë qe na përcjellë është bashkëpunimi kombëtar. Hezitimi i raportimin të viktimave është shumë e vështirë, kushdo që është i gatshëm për te raportuar rastin kemi krijuar mekanizma”, ka potencuar Morina.

  • Shumë barna esenciale mungojnë në farmacitë shtetërore

    Shumë barna esenciale mungojnë në farmacitë shtetërore

    Lista esenciale e barnave është një dokument zyrtar, që përmban një përzgjedhje barnash dhe produktesh mjekësore, të nevojshme për përmbushjen e nevojave themelore të shëndetit për popullatën.

    Produktet nga kjo listë, që përfshin rreth 200 lloje barnash, ofrohen falas.

    Por, Bedrije Emini nuk i gjeti të gjitha barnat që ia përshkroi mjeku në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime, edhe pse ato janë të përfshira në listën esenciale të barnave.

    “Disa i mora e disa nuk i paskan. Më duhet t’i blej vetë në ndonjë barnatore private”, i tha Emini, Radios Evropa e Lirë.

    “Do të ishte më mirë po t’i merrja të gjitha këtu, por çfarë të bëj?”, u shpreh shkurtimisht pacientja, teksa në dorë mbante një letër me emrin e antibiotikut që do ta kërkonte jashtë institucionit publik shëndetësor.

    Por, sikurse Emini, shumë pacientë e gjejnë veten duke paguar nga xhepat e tyre për barnat që duhet të jenë të disponueshme përmes sistemit të kujdesit shëndetësor.

    Kjo, për faktin se furnizimet nga lista esenciale në disa komuna të Kosovës sillen vetëm nga 25 deri në 30 për qind.

    Udhëheqësit lokalë të sistemit shëndetësor drejtojnë gishtin te Ministria e Shëndetësisë, e cila është përgjegjëse për përmbushjen e listës esenciale.

    Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë në dijeni për situatën dhe se janë duke punuar për përmirësimin e zinxhirit të furnizimeve, megjithëse pohojnë se, në bazë të dokumenteve, 80 për qind e barnave janë të siguruara./REL

  • Së shpejti nis evidentimi i kosovarëve që Gjermania i regjistroi edhe si shtetas të Serbisë

    Së shpejti nis evidentimi i kosovarëve që Gjermania i regjistroi edhe si shtetas të Serbisë

    Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka bërë të ditur se shumë shpejt do të përfundojë evidentimi i qytetarëve të Kosovës të regjistruar me automatizëm edhe si shtetas të Serbisë në komuna të ndryshme gjermane.

    Ajeti bëri të ditur se konfirmimi zyrtar për zgjidhjen e këtij problemi, sipas tij, të kamotshëm, u bë në takimin me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, Bernd Krosser.

    “Ky problem i trashëguar prej më shumë se 16 viteve ka prekur dhjetëra mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës me vendbanim në Gjermani, duke iu shkaktuar probleme në forma të ndryshme”.

    “Nga takimi ynë i radhës me Bernd Krösser, Sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme, pranuam konfirmimin zyrtar për zgjidhjen e këtij problemi të kamotshëm. Shumë shpejtë do t’ju informojmë mbi përmirësimin praktik të këtij procesi”, shkroi Ajeti.

  • KQZ-ja informon votuesit se si mund të votojnë deri në 10 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit (Video)

    KQZ-ja informon votuesit se si mund të votojnë deri në 10 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit (Video)

    Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të një subjekti politik.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur fushatën për të informuar votuesit rreth procesit të votimit.

    Mënyra e votimit është kjo: Së pari, në anën e majtë të fletëvotimit, votuesi duhet të zgjedhë vetëm një subjekt politik dhe së dyti, në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të zgjedhë deri në 10 kanadidatë për deputetë të atij subjekti politik. Pra, voto vetëm një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë për deputetë.

    Mësoni më shumë se si duhet të plotësohet fletëvotimi dhe shpërndaje videon: