ATV

Author: G.O.

  • Të paktën 17 të vrarë pas një sulmi izraelit në Gazë

    Të paktën 17 të vrarë pas një sulmi izraelit në Gazë

    Një sulm ajror izraelit ndaj një shkolle, ku po strehohen personat e zhvendosur në Gazën qendrore, la të vrarë të paktën 17 persona, shumica gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë më 24 tetor.

    Edhe 42 persona u plagosën gjatë sulmit në kampin e refugjatëve në Nuseriat, sipas spitalit Avda, që ka pranuar të plagosurit.

    Sipas zyrtarëve shëndetësorë, në mesin e të vrarëve ishin shtatë fëmijë – më i vogli 11 muajsh – si dhe tri gra.

    Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këtë sulm.

    Muajve të fundit, Izraeli ka sulmuar disa shkolla, të shndërruara në strehimore, duke thënë se shënjestron luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që fshihen në mesin e civilëve. Nga këto sulme shpesh vriten gra dhe fëmijë.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke marrë pengë afër 250 të tjerë. Afër 100 pengje janë ende brenda Gazës, një e treta e të cilëve besohet se kanë vdekur.

    Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, institucion që nuk tregon se sa nga viktimat ishin luftëtarë, por thotë se mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite ka deklaruar se ka vrarë më shumë se 17.000 luftëtarë, pa ofruar dëshmi për këtë pretendim.

    Si pasojë e luftës, afër 90 për qind e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh, janë zhvendosur disa herë. Qindra mijëra persona janë të strehuar në kampe me tenda./REL/

  • Abazi: Deputetët e LV-së s’po guxojnë të vijnë në Kuvend, kjo është çmenduri

    Abazi: Deputetët e LV-së s’po guxojnë të vijnë në Kuvend, kjo është çmenduri

    Deputeti i pavarur, Haki Abazi tha se ka tendencë për ngulfatej të demokracisë, ndërsa komentoi mungesën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohet për menaxhimin e Korporatës Energjetike të Kosovës.

    Ai tha se “ideja për ta zhbërë demokracinë është pikërisht kjo mendësia kur deputetët nuk guxojnë me ardhë me u ulë në vendet e tyre”, raporton Ekonomia Online.

    Abazi i falënderoi deputetet Doarsa Kica e Drita Millaku, të cilat nga grupi parlamentar i LVV-së kaluan në LDK.

    “Unë po dua t’i falënderojë publikisht Drita Millakun, Doarsa Kicën e deputetëve tjerë të cilët e kanë kuptu dhe nuk iu kanë nënshtruar diktatit dhe idesë që nuk guxon me debatu në demokraci për çështje të interesit publik. Ky është paradoks. Kjo është çmenduri”, tha ai.

  • Kurti pas takimit me Barduanin: Qeveria, e gatshme për bashkëpunim me KFOR-in

    Kurti pas takimit me Barduanin: Qeveria, e gatshme për bashkëpunim me KFOR-in

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Enrico Barduanin.

    Kurti i uroi mirëseardhje Barduanit, teksa shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim të afërt mes qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe KFOR-it.

    “Biseduan rreth rëndësisë së komunikimit të rregullt dhe bashkërendimit në shërbim të sigurisë dhe paqes në vend, dhe bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta të KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës. Kryeministri falënderoi KFOR-in për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm në Kosovë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

    Barduani është oficeri i 14-të italian që merr komandën dhe do të jetë komandanti i 29-të i KFOR-it. Ai e mori komandën më 11 tetor të këtij viti.

    Komandanti i ri i KFOR-it takohet me Kurtin, zotohet për zvogëlim të mundësisë së veprimeve që çojnë në tensione

  • Arben Gashi kërkon hetime të thelluara për ndërhyrjet e Dejona Mihalit në KEK

    Arben Gashi kërkon hetime të thelluara për ndërhyrjet e Dejona Mihalit në KEK

    Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës foli i pari në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet lidhur me “skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës”.

    Ai përmendi “skandalet me tenderët njëburimorë dhe mungesa e konkurrencës në prokurimin publik në KEK”, “shitblerjen e energjisë elektrike” që tha se “ka ngritur shqetësime të mëdha”.

    “Raportet tregojnë se KEK ka lidhur kontrata jo të favorshme që kanë dëmtuar stabilitetin financiar të korporatës”, tha Gashi.

    Gashi përmendi koordinatoren e komiteteve në Lëvizjen Vetëvenosje, Dejona Mihali, për të cilën kërkoi “hetim të plotë”, për rolin e saj dhe ndikimin në KEK.

    “Një çështje tjetër që duhet të diskutohet dhe për të cilën Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të marrë qëndrimin e vet është përfshirja e personit të quajtur Dejona Mihali dhe ndërhyrjet e paligjshme në KEK, përfshirë punësimet e paligjshme”, tha ai.

    Gashi propozoi një rezolutë që përfshin kërkesën që “organet kompetente që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet e KEK-ut, përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik”.

    “Kuvendi nga Qeveria që të raportojnë për kontratat e shitblerjes së energjisë elektrike gjatë periudhës 2001-2024, duke përfshirë kushtet e favorshme për palët e treta dhe ndikimin financiar në financat publike”, tha ai.

    Gashi tha se Mihali “ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në menaxhimin e KEK-ut duke ndikuar në dhënien e tenderëve, në tregtimin e energjisë elektrike, si dhe duke shkaktuar një valë punësimesh të jashtëligjshme për të cilat ka kallëzim penal nga Lidhja Demokratike e Kosovës”.

  • A e dini se cilat vende kanë shpejtësinë më të madhe të internetit, jo keq pozita e Kosovës?

    A e dini se cilat vende kanë shpejtësinë më të madhe të internetit, jo keq pozita e Kosovës?

    Kur bëhet fjalë për shpejtësinë e internetit, Evropa ka disa nga lidhjet më të shpejta të internetit në botë.

    Në një renditje të publikuar nga Cable, dhjetëshja dominohet nga vendet evropiane.

    Me një shpejtësi prej 264.5 Mbps, ishulli Jersey ka internetin më të shpejtë në botë, i ndjekur nga Lihtenshtajni (246.8).

    Maja e renditjes globale përmban shumë mikro-shtete. E Nëse i përjashtojmë ato, atëherë Islanda (229.4 Mbps), Franca (152.5 (Mbps) dhe Holanda (142.5 Mbps) kanë internetin më të shpejtë në Evropë.

    Në anën tjetër, Turqia (24.8 Mbps), Shqipëria (25.4 Mbps) dhe Kroacia (25.7 Mbps) kanë internetin më të ngadaltë në Evropë.

    Por Kosova me 57.3 Mpbs nuk qëndron keq në Ballkan, lë pas Kroacinë, Malin e Zi, Turqinë e Greqinë. /Telegrafi/

     

  • Ukraina rrëzon dhjetëra dronë të Rusisë

    Ukraina rrëzon dhjetëra dronë të Rusisë

    Mbrojtja ukrainase ka rrëzuar 40 nga 50 dronët që lëshoi Rusia ndaj 11 rajoneve ukrainase mëngjesin e 24 tetorit.

    Forcat ajrore ukrainase thanë se shtatë dronë rusë u rrëzuan për shkak se paktën telashe me sistemin e tyre të navigimit.

    Drontë u rrëzuan në rajonet e Odesës, Mikolajivit, Dnipropetrovskit, Vinitsjas, Zhitomirit, Kmelnitskit, Çerkasit, Kirovoradit, Kievit, Poltavës dhe Çernihivit, teksa forcat ajrore shtuan se një dron mbeti në hapësirën ajrore ukrainase, ndërkaq dy të tjerë u larguan në drejtim të Rusisë dhe Bjellorusisë.

    Ushtria ukrainase, ndërkaq, njoftoi se Rusia ka gjuajtur dy raketa precize dhe dy raketa lundruese, duke pretenduar se raketat nuk goditën në caqe.

    Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe që atëherë sulmon rajonet ukrainase me lloje të ndryshme armësh, përfshirë dronë dhe raketa./REL

  • Franca me ndihmë për Libanin në vlerë prej 100 milionë eurosh

    Franca me ndihmë për Libanin në vlerë prej 100 milionë eurosh

    Franca do t’i japë Libanit një paketë të ndihmës në vlerë prej 100 milionë eurosh, bëri të ditur presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë një konference ndërkombëtare në Paris më 24 tetor.

    Macron tha se “është e nevojshme që ndihma masive e menjëhershme për popullin libanez, si për qindra mijëra njerëz të zhvendosur nga lufta, por edhe për komunitetet që po i strehojnë”.

    Lufta mes Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike libaneze – dhe Izraelit ka detyruar 1 milion persona të zhvendosen në Liban.

    Si pasojë e luftimeve, më shumë se 2.500 persona janë vrarë dhe është thelluar kriza ekonomike në Liban.

    Organizatorët francezë të konferencës ndërkombëtare kanë thënë se shpresojnë që pjesëmarrësit të zotohen për ndihmë humanitare që do të arrijë shifrën prej 426 milionë dollarësh, që sipas Kombeve të Bashkuara, i duhen urgjentisht Libanit.

    Parisi po ashtu ka thënë se dëshiron të ndihmojë në rivendosjen e sovranitetit në Liban dhe forcimit të institucioneve të këtij shteti.

    Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr në kufi pothuajse në baza ditore.

    Tensionet u përshkallëzuan në fillim të këtij muaji, me Izraelin që kryen sulme ajrore në mbarë Libanin dhe ka nisur një operacion tokësor në jug të këtij shteti, ku ka prani të Hezbollahut.

    Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka futur në listën e tij të zezë krahun ushtarak, por jo dhe partinë politike të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez./REL/

  • Komandanti i ri i KFOR-it takohet me Kurtin, zotohet për zvogëlim të mundësisë së veprimeve që çojnë në tensione

    Komandanti i ri i KFOR-it takohet me Kurtin, zotohet për zvogëlim të mundësisë së veprimeve që çojnë në tensione

    Kryeministri Albin Kurti sot ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.

    Në komunikatën e KFOR-it për këtë takim thuhet se Barduani i ka thënë Kurtit se mbështet dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja si platformë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura.

    “Komandanti i KFOR-it nënvizoi se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake. Ai përsëriti mbështetjen e plotë të KFOR-it për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, duke shtuar se kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, tha KFOR.

    KFOR-i thotë se Barduani në takim me Kurtin vuri në dukje gjithashtu “angazhimin e tij të palëkundur” për të promovuar unitetin me të gjithë homologët e tij, “në mënyrë që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione”.

    “Kjo është ajo që do të mbështesë të gjitha përpjekjet e mia dhe të gjitha aktivitetet e përditshme të KFOR-it, siç dëshmohet nga motoja e KFOR-it “UNITAS OMNIA VINCIT”, tha ai.

    KFOR-i përsëriti se vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), “respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”.

  • Tahiri: Për katër vjet të qeverisjes së Kurtit, KEK-u shpenzoi mbi 600 milionë euro

    Tahiri: Për katër vjet të qeverisjes së Kurtit, KEK-u shpenzoi mbi 600 milionë euro

    Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se për katër vjet të qeverisjes së Albin Kurtit, KEK-u ka shpenzuar mbi 600 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

    Tahiri ka implikuar figura të partisë në pushtet në siç ka thënë skandalet në KEK.

    “Nga 23 prilli i vitit 2020, KEK udhëhiqet nga qeveria Kurti. KEK është kompania më e madhe publike në vend, në vitin 2024 parashihet që buxheti të jetë rreth 250 milionë euro. Nëse e shohim buxhetin e kalon shifrën e 600 milionë euro dhe nuk e dimë se nga kush është menaxhuar, nga Nagipi, nga Dejona apo nga kush”.

    “Kemi evidentuar në këtë kuvend se janë dhënë rreth 150 milionë euro përmes kontratave njëburimore. Kjo situatë nuk ka ndodh asnjëherë në KEK. Në drejtimin e VV, ka ndodh shtrenjtimi 100 për qind i energjisë, çmimi i energjisë është rritur ani se ka mjaftueshëm për të mbuluar shpenzimet në Kosovë”, u shpreh Tahiri, teksa shprehu pakënaqësi edhe për procesin e shpronësimeve në KEK.

  • Rasti Thaçi dhe të tjerët, Nuredin Ibishi vazhdon dëshminë

    Rasti Thaçi dhe të tjerët, Nuredin Ibishi vazhdon dëshminë

    Në Dhomat e specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të dytën ditë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 97-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Nuredin Ibishi, i njohur me nofkën “Komandant Leka”, i cili mban kodin 04758 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas prokurores Silvia D’Ascoli është marrë nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, e që është një organogram që tregon formacionin e brigadave brenda UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Dëshmitari tha se ka njohuri për përmbajtjen e këtij dokumenti dhe se përfaqëson strukturën e organizimit të brigadave të UÇK-së, konkretisht atë që e kanë aplikuar edhe në Zonën Operative të Llapit.

    Ai tha se nuk është i sigurt se kur e ka marrë një organogram të tillë gjatë luftës, por mendon që mund të jetë pas gushtit 1998.

    Ibishi pohon se organogrami që ai ka pasur gjatë luftës mbante vulën e njëjtë të Shtabit ashtu siç e ka tashmë dokumenti i prezantuar në gjykatë.

    Më pas, dëshmitarit iu prezantua një organogram tjetër, për të cilin ai tha se është formacioni i një komande të një zone operative të UÇK-së.

    Ibishi tha se kur e ka marrë një dokument të tillë, nuk i kujtohet koha dhe nga kush e ka marrë.

    Dëshmitari tha se këto organograme i ka përditësuar dhe modifikuar me të dhëna përkatëse dhe si rrjedhojë i ka informuar autoritetet përkatëse.

    Ludhur me autoritetet përkatëse, dëshmitari tha se e kishte fjalën për komandantin e zëvendëskomandantin e zonës pasi që sipas tij, këto ndryshime i ka bërë në koordinim me ata.

    Në seancën e së enjtes, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Ndërsa, të mërkurën seanca ka përfunduar si private me kërkesë e prokurores, me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi