ATV

Author: G.O.

  • Raporti i Guterres: Atmosfera në veri ende e tensionuar, ka mundësi përshkallëzimi

    Raporti i Guterres: Atmosfera në veri ende e tensionuar, ka mundësi përshkallëzimi

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka vlerësuar se situata në veri të Kosovës është e tensionuar, me mundësi përshkallëzimi.

    Në raportin e tij të rregullt, i cili do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 30 tetor, ai ka deklaruar se veprimet e “njëanshme”, si mbyllja e institucioneve të financuara nga Beogradi, kufizimi i qarkullimit të mallrave dhe shpallja e hapjes së urës mbi Ibër, rrisin tensionet.

    “Atmosfera në veri të Kosovës është ende e tensionuar, me mundësinë e përshkallëzimit ende të pranishme. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përsërisin angazhimin e tyre për dialogun me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese”, tha Guterres në raportin e rregullt gjashtëmujor për gjendjen në Kosovë.

    Ai paralajmëroi se këto lëvizje “ngrenë tensionet dhe zvogëlojnë besimin midis komuniteteve dhe minojnë komunitetet dhe institucionet”.

    “Është e një rëndësie thelbësore që lëvizjet e liderëve politikë të jenë në përputhje me nevojat dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha Guterres.

    Guterres tha gjithashtu se “incidenti serioz i sigurisë në Banjskë më 23 shtator të vitit të kaluar është një tregues i nevojës që të gjitha palët të bashkëpunojnë në kërkimin e drejtësisë dhe se sqarimi i incidenteve të tilla është i një rëndësie kyçe për rivendosjen e besimit”.

  • Kosova dhe Serbia përsëri s’pajtohen për ecjen përpara drejt normalizimit të raporteve

    Kosova dhe Serbia përsëri s’pajtohen për ecjen përpara drejt normalizimit të raporteve

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk kanë arritur përsëri pajtueshmëri gjatë një takimi të enjten në Bruksel, për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

    Në një takim trepalësh të dialogut nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, ata thanë se u pajtuan vetëm për disa çështje “më pak të rëndësishme”.

    Duke folur pas takimit, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

    “Fatkeqësisht për temën kryesore që jemi mbledh, nuk ka rezultat. Në pikën rreth ecjes përpara në normalizimin e raporteve. Serbia me gjasë ende po ngul këmbë në zbatim të pjesshëm, pra sipas idesë, ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, tha Bislimi.

    Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha pas takimit se Beogradi “nuk po ikë” nga detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë, por se Prishtina duhet të jetë e para që do të fillojë, duke nisur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Thelbi i asaj Marrëveshjeje nga Ohri është, para së gjithash, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviq, duke shtuar se ajo është “shtylla” e procesit të dialogut.

    Kosova ngul këmbë se kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është detyruese për palët pavarësisht nënshkrimit, dhe e ka akuzuar Serbinë edhe në të kaluarën se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të saj.

    Takimi trepalësh i pasoi takimet dypalëshe që i dërguari i bllokut Mirosllav Lajçak mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht.

    Bislimi shtoi se pala serbe ka thënë se kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ia ka dërguar një letër Komisionit Evropian, në të cilën thekson se shteti i tij është i përkushtuar t’i zbatojë detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë.

    Por, ai theksoi Serbia duhet së pari ta tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, me të cilën kishte dalë kundër marrëveshjes, për t’u cilësuar si e sinqertë përpjekja e Vuçeviqit.

    Bislimi tha se si kusht, e përsëriti kërkesën e Kosovës që Serbia ta dorëzojë Millan Radoiçiqin, të cilin e akuzon si përgjegjës të sulmit terrorist kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, në shtator 2023.

    Në lidhje me themelimin e Asociacionit, e cila është ndër detyrat kryesore të Kosovës në këtë marrëveshje, Bislimi tha se vendi i tij nuk do t’iu ikë detyrimeve nëse nënshkruhet Marrëveshja.

    “Nuk mund të insistohet kur, për këtë punë, së pari duhet të zgjidhet udhëheqja e re e komunave. Mendoj se duhet të plotësohen disa kushte tjera. Por, e kemi bërë të qartë se në atë moment kur ka dakordim për zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazë, Kosova nuk i ik asnjë prej obligimeve të saja”, tha ai.

    Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura.

    Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

    Disa orë pas takimit, Lajçak tha se “diskutuam për një numër çështjesh me rëndësi që burojnë nga marrëveshjet e kaluara dhe u pajtuam për hapat e ardhshëm”, pa shpjeguar më shumë.

  • Nis takimi trepalësh në Bruksel

    Nis takimi trepalësh në Bruksel

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë duke e zhvilluar një takim trepalësh në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Takimi trepalësh nisi të enjten pasdite, pas takimeve dypalëshe që i dërguari i bllokut mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht, për zbatimin e marrëveshjeve të kaluar në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ky është takimi i parë trepalësh pas më shumë se tre muajve, pasi në takimeve e kohëve të fundit, Bislimi dhe Petkoviqin nuk kishin arritur pajtueshmëri për temat e takimeve.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke folur një ditë para takimeve në kuadër të dialogut, kishte thënë se mbajtja e një takimi të përbashkët do të varej nga vullneti i palëve.

    Në takimin e fundit në shtator, Lajçak nuk arriti t’i bindë Bislimin dhe Petkoviqin të mbajnë takim trepalësh, pasi ata kishin mospajtime për temat që do të donin t’i shtjellonin.

    Në lidhje me temat që pritet të shtjellohen në takimet në Bruksel, Stano tha se ato kanë të bëjnë me nevojën për zbatimin e detyrimeve nga dialogu i deritashëm, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

    “Agjenda është e njëjtë sikur që ka qenë edhe në të kaluarën, pra nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të obligimeve nga dialogu. Nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që edhe Kosova edhe Serbia të pajtohen për progresin në dialog”, tha Stano.

    Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

    Herën e fundit kur ishte zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime.

    Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.

    Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.

    Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

    Emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i tërë ekipi i ri i Komisionit Evropian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Evropian.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut./rel/

  • Edhe për dy muaj u vazhdohet paraburgimi tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Edhe për dy muaj u vazhdohet paraburgimi tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Tre të dyshuarve, masa e paraburgimit iu vazhdua deri më 24 dhjetor 2024.

    “Ju njoftojmë se me datë 24.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. Të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj për secilin, e cila masë do ju zgjasë deri me datë 24.12.2024”, konfirmoi Gashi.

    Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

    Të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor 2023 i është caktuar masa e paraburgimit. Ai u arrestua më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

    Ndryshe, për të dyshuarin e katërt, T.D, Gjykata Supreme kishte marrë vendim që t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri pasi ai kishte paraqitur ankesë kundër vendimeve të dy gjykatave më të ulëta të cilat e linin në paraburgim.

    Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

    Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D.

  • Në mungesë të kuorumit s’votohet rezoluta e opozitës për KEK-un

    Në mungesë të kuorumit s’votohet rezoluta e opozitës për KEK-un

    Në mungesë të kuorumit nuk u hodh në votim rezoluta e partive opozitare parlamentare për “ta përmirësuar” gjendjen në KEK.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se rezoluta do të hidhet në votim kur do të ketë kuorum të mjaftueshëm.

    Me këtë përfundoi edhe seanca e jashtëzakonshme që u thirr nga LDK-ja për të diskutuar gjendjen në KEK.

    Në seancë sërish munguan deputetët e pushtetit.

     

  • Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore!

    Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore!

    Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë

    Përbërësit:

    – 3 vezë;
    – 1 gotë sheqer;
    – 2 gota arra;
    – 1 gotë grizë;
    – 1 qese pluhur për ëmbëlsira;
    – ½ gote vaj;
    – 3 – 4 mollë të grira në rende;
    – ½ gote qumësht;
    – 1 lugë kakao pluhur.

    Përgatitja:

    Tundni vezët me sheqerin, shtoni vajin, qumështin, mollët, grizin me pluhurin për ëmbëlsira, arrat dhe kakaon pluhur.

    Tretjen qiteni në tepsi dhe piqeni në 200 gradë Celsius rreth 30 minuta.

    Ju bëftë mirë! – transmeton Telegrafi.

  • Patate dhe kungullesha në salcë kërpudhash

    Patate dhe kungullesha në salcë kërpudhash

    Provoni patatet dhe kungulleshat të pjekura në furrë në mënyrë paksa më ndryshe

    Do ta ndieni fantazinë e shijes dhe do të kënaqeni me kungullesha të pjekura, shtojcë salce nga kërpudhat.

    Përbërësit:

    – 600 g patate,
    – 1 karotë,
    – 2 kungullesha të vogla;
    – 1 qepë;
    – 1 domate,
    – 1 hudhër pluhur;
    – 3 lugë miell misri;
    – 2 lugë griz;
    – erëza;
    – kripë;
    – piper;
    – spec i bluar djegës;
    – pak spec të ëmbël;
    – fletë majdanozi;
    – një qese kërpudhash për supë të dendur.

    Përgatitja:

    Patatet, kungulleshat dhe karotën pastroni dhe pritni në rrathë.

    Qitni kripë dhe erëza. Qepën dhe domaten priteni në rrathë.

    Në patate, karotë dhe kungulleshë shtoni specin e kuq të bluar, shtoni hudhrën, vajin, miellin e misrit dhe grizin dhe të gjitha përzieni mirë.

    Tepsinë lyeni dhe radhisni patatet në tepsi. Shtoni qepën dhe domaten dhe vendosni midis patateve.

    Qesen me përzierje kërpudhash tundeni në ujë të vakët rreth 250 ml dhe qiteni sipër patateve.

    Qitni edhe pak vaj, qitni fletët e majdanozit dhe piqni në 220 gradë Celsius, rreth 40 minuta.

    Ju bëftë mirë, – transmeton Telegrafi.

  • Billie Eilish rrëzohet në koncertin e saj

    Billie Eilish rrëzohet në koncertin e saj

    Billie Eilish pësoi një incident gjatë një koncerti të saj madhështor.

    Krijuesja e hitit “Birds Of A Feather” po performonte në Madison Square Garden javën e kaluar në tre koncerte të shitura plotësisht, në kuadër të turneut të saj, “Hit Me Hard dhe Soft”.

    Por, gjatë një performance ‘live’ Billie u rrëzua para mijëra fansave.

    Këngëtarja ishte duke zbritur poshtë shkallëve të skenës, brenda sallës së koncerteve në qytetin e New Yorkut.

    Ajo siç duket nuk i mirë mendoi hapat, dhe derisa po ecte poshtë shkallëve, artistja u rrëzua.

    Megjithatë, ajo mblodhi shpejt veten dhe u zgjua në këmbë.

    Ajo i ripostoi pamjet në rrjetet sociale, përpara se ndante një foto të këmbës së saj të mavijosur./Telegrafi/

  • Shkencëtarët thonë se mund të përdorin AI për të kuptuar se çfarë thonë derrat

    Shkencëtarët thonë se mund të përdorin AI për të kuptuar se çfarë thonë derrat

    Komunikimi me derrat mund të jetë së shpejti i mundur pasi shkencëtarët thonë se kanë zhvilluar një mjet me AI që mund të interpretojë atë që thonë kafshët.

    Bëhet e ditur se algoritmi është i aftë të dekodojë tingujt e derrit dhe potencialisht mund të paralajmërojë fermerët për emocionet negative të tyre, thonë studiuesit.

    Shpresohet se mjeti mund të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies së kafshëve.

    Siç raportohet, shkencëtarët nga universitetet në Danimarkë, Gjermani, Zvicër, Francë, Norvegji dhe Republikën Çeke, përdorën mijëra tinguj derri të regjistruar për të ndërtuar algoritmin.

    Skenarët përfshinin lojën, izolimin dhe konkurrencën për ushqim, dhe ata zbuluan se rënkimet e derrave zbulojnë emocione pozitive dhe negative, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

    “Emocionet e kafshëve janë thelbësore për mirëqenien e tyre, por ne nuk i masim shumë ato në ferma”, tha Elodie Mandel-Briefer, biologe e sjelljes në Universitetin e Kopenhagës.

    Studimi zbuloi se derrat e mbajtur në ferma të jashtme, të lira ose organike, me aftësinë për të bredhur dhe gërmuar në papastërti, prodhonin më pak stres sesa derrat e rritur në mënyrë konvencionale.

    Studiuesit mendojnë se kjo metodë një ditë mund të përdoret për të etiketuar fermat, duke ndihmuar konsumatorët të bëjnë zgjedhje të informuara.

    “Pasi ta kemi mjetin në funksion, fermerët mund të kenë një aplikacion në telefonin e tyre që mund të përkthejë atë që po thonë derrat e tyre për sa i përket emocioneve”, shtoi Mandel-Briefer. /Telegrafi/

  • Ngrënia e thonjve, vesi i keq që nxit infeksionet

    Ngrënia e thonjve, vesi i keq që nxit infeksionet

    Çdo njeri në këtë planet e ka nga një ves apo zakon të keq, e këtu nuk po flasim për probleme si bixhozi apo duhan pirja.

    Në veset e këqija përfshihen edhe sjellje të caktuara kundrejt trupit ose zonave të caktuara të tij.

    Bëhet fjalë për shkuljen e kutikulave të thonjve, ngacmimin e lëkurës së buzëve, ngacmimin e puçrrave, plagëve në lëkurë apo ngrënien e thonjve.

    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, 30% e njerëzve në botë i hanë thonjtë, madje edhe pa vetëdije.

    Kjo gjë dëmton lëkurën dhe thonjtë por shkakton dëmtime edhe tek dhëmbët dhe mund të nxisë infeksionet.

    Mbajini thonjtë e shkurtër ose përdorni produkte speciale që tu japë thonjve një shije të hidhur.

    Ngrënia e thonjve – Vesi i keq që nxit infeksionet

    Studimet thonë se ngrënia e thonjve është më e përhapur tek fëmijët por jo ekskluzivitet i kësaj grupmoshe.

    Në mesin e të rriturve, ky ves shfaqet në të tridhjetat.

    Pavarësisht moshës, arsyet e mëposhtme janë të vlefshme dhe duhet t’iu nxisin që ta lini këtë ves sa më parë.

    Bashkë me thonjtë vijnë bakteret
    Njerëzit që kafshojnë ose hanë thonjtë janë më të prirur të vuajnë nga infeksionet në stomak apo e ftohura.

    Arsyeja është e thjeshtë: thonjtë mbledhin qindra mijëra baktere, nga më të këqijat, të cilat më pas transferohen direkt në gojë, duke rritur rrezikun e infeksioneve apo sëmundjeve nga më të ndryshmet.

    Në kohët aktuale, ngrënia e thonjve është më e rrezikshme se kurrë.

    Infeksionet në lëkurë
    Shkulja e kutikulave apo kafshimi i thonjve mund të shkaktojë infeksione nga më të rrezikshmet në lëkurë.

    Çarjet e vogla në lëkurë përbëjnë strehën ideale të baktereve, të cilat mund të depërtojnë edhe në shtresat më të thella të lëkurës.

    Mishrat e dhëmbëve
    Sikur të mos mjaftonin dy arsyet e mësipërme, ekspertët thonë se ky ves mund të shkaktojë dëmë në enamelin e dhëmbëve.

    Ka pasur raste kur njerëz me ves të tillë kanë zhvendosur nofullën.

    Ky ves është tepër i dëmshëm sepse nxit infeksione të ndryshme në mishrat e dhëmbëve.

    Si të hiqni dorë nga vesi i ngrënies së thonjve

    Strategjia e parë është që të jeni të vëmendshëm ndaj emocioneve që ju nxisin të kryeni këtë veprim.

    E bëni nga mërzia apo trishtimi?

    Nëse jeni prezentë në moment dhe të vëmendshëm, mundet që thjesht të ndaloni ose t’i mbani duart të zëna.

    Ju mund të mbani një topth të vogël në duar ose të përtypni çamçakëz që të frenoheni nga kjo dëshirë.

    Një alternativë tjetër është t’i lyeni thonjtë me llak.

    Shija e tij do të jetë aq e keqe sa do ju pështiroset edhe vesi i keq./AgroWeb.org