ATV

Author: G.O.

  • Policia gjen mbi 9 kilogramë lëndë narkotike gjatë kontrollit të një veturë, arrestohen dy persona

    Policia gjen mbi 9 kilogramë lëndë narkotike gjatë kontrollit të një veturë, arrestohen dy persona

    Hetuesit policorë nga Sektori Qendror për Hetimin me Narkotik në koordinim me agjenci tjera të sigurisë, në dalje të autostradës në fshatin Mazgit kanë ndaluar për kontroll një veturë dhe i kanë gjetur lëndë narkotike.

    Hetuesit kanë gjetur rreth 9 kilogramë narkotikë që dyshohen të jenë marihuanë. Dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje.

    “Kurse gjatë kontrollit të dy personave që kanë qenë në veturë, janë gjetur dhe rreth 0.5 gr lëndë narkotike që dyshohet të jetë kokainë dhe te personi tjetër rreth 94 gr lëndë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë”, ka njoftuar Policia.

    Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe në koordinim me organet e drejtësisë janë kontrolluar dy lokacione. Gjatë kontrollit në njërin lokacion janë gjetur 16 gramë lëndë narkotike, dyshohet të jetë kokainë. Kurse, në lokacionin tjetër janë gjetur 418 gramë lëndë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë.

    “Në tërësi, gjatë këtij operacioni policor janë konfiskuar 9 kg e 512 gr lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë dhe 16.5 gr substancë që dyshohet të jetë kokainë. E tërë lënda narkotike e konfiskuar, mendohet se ka vlerë tregu rreth 15 mijë euro. Po ashtu, janë konfiskuar edhe një veturë dhe një telefon”, njoftoi tutje PK-ja.

  • Demokratët kanë një plan nëse Trump shpall fitoren e zgjedhjeve para kohe

    Demokratët kanë një plan nëse Trump shpall fitoren e zgjedhjeve para kohe

    Demokratët janë duke përgatitur një përgjigje të shpejtë për të mbushur rrjetet sociale dhe mediat me thirrje për qetësi dhe durim në numërimin e votave, nëse Donald Trump përpiqet të shpallë fitore para kohe, siç bëri në vitin 2020.

    Këto komente i thanë për Reuters zyrtarë të fushatës së Harris dhe të partisë.

    Trump shprehu shpresën se do të mund të shpallë fitore në Ditën e Zgjedhjeve, por ekspertët e zgjedhjeve paralajmërojnë se rezultatet përfundimtare mund të zgjatin disa ditë, sidomos nëse kërkohen ri-numerime votash në disa zona kyçe.

    Ai është në një garë shumë të ngushtë me rivalen e tij demokratike, Kamala Harris.

    Fituesit e zgjedhjeve zakonisht shpallen nga mediat kryesore që analizojnë numrat e votave të dhëna nga zyrtarët e zgjedhjeve.

    Ndërsa kandidatët ndonjëherë shpallin fitore përpara se të bëhen këto njoftime, është e pazakontë ta bëjnë këtë përpara se të duket qartë kush është fituesi.

    Harris tha se janë të gatshëm të reagojnë nëse Trump shpall fitore para kohe, duke shtuar se janë të përgatitur për të ndikuar në opinionin publik.

    Zyrtarët demokratë planifikojnë të mbushin mediat me kërkesa për të numëruar të gjitha votat përpara se të shpallen fitoret.

    Një zyrtar i lartë i Komitetit Kombëtar Demokratik tha se sa herë që Trump shpall fitore të pavërtetë, ata janë të gatshëm të dalin në televizion dhe të ofrojnë të vërtetën.

    Një zyrtar i fushatës së Harris tha se ata presin që Trump të shpallë fitore të pavërtetë në mbrëmjen e zgjedhjeve.

    Në vitin 2020, Trump shpalli veten fitues në orët e para pas Ditës së Zgjedhjeve, tri ditë përpara se televizionet të bënin njoftimin.

    Ai përfundimisht humbi ndaj Joe Biden dhe nuk e pranoi kurrë rezultatin, duke vazhduar të thotë se zgjedhjet ishin vjedhur.

    Një aleat i Trumpit, Steve Bannon, sugjeroi që Trump duhet të shpallë shpejt fitore, duke thënë se ai duhet të qëndrojë dhe të deklarojë, “Hej, kam fituar këtë.”

    Fushata e Trumpit tha se ai do të luftojë për çdo votë deri në mbylljen e kutive, por nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse ai planifikon të shpallë fitore para se gara të përfundojë.

    Një donator i Trumpit, Bill Bean, shpreson që ose Harris ose Trump të fitojnë me diferenca të mëdha, për të siguruar që rezultatet të pranohen nga sa më shumë njerëz, shkruan Reuters.

  • Premierliga vjen sot me ndeshje interesante, luajnë City, Liverpooli dhe Arsenali

    Premierliga vjen sot me ndeshje interesante, luajnë City, Liverpooli dhe Arsenali

    Premier League vjen sot me disa ndeshje interesante.

    Në fushë zbresin Arsenal, Manchester City e Liverpool.

    Topçinjtë përballen me Newcastle, Liverpool e pret Brightonin, kurse City ndeshet me Bournemouth.

    Kujtojmë që nesër zhvillohet super ndeshja mes Manchester United dhe Chelsea.

  • Libani sulmon me raketa Izraelin, raportohet për të lënduar

    Libani sulmon me raketa Izraelin, raportohet për të lënduar

    Në Izrael, sirenat u dëgjuan në disa rajone, pas së cilës u lëshuan tre raketa nga Libani dhe 19 persona u plagosën dhe u shkaktuan dëme materiale, sipas informacioneve nga ushtria izraelite.

    Shtatë persona u plagosën në qytetin izraelit Tire, sipas shërbimit izraelit të urgjencës.

    Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) më vonë njoftuan se rreth 15 raketa u hodhën nga Libani.

    Sipas IDF-së, rreth pesë raketa të lëshuara në Galilenë e Epërme u kapën dhe u shkatërruan para se të godasin objektivat.

    Rreth 10 raketa u hodhën gjithashtu në zonën e Gjirit të Haifa dhe Galilesë dhe aktualisht nuk ka informacione për të lënduar.

    Ndryshe, Izraeli ka nisur tash e sa kohë një ofensivë kundër militantëve libanez të Hezbollahut. /Telegrafi

  • PDK-ja mban sot Konventën për Bedri Hamzën kryeministër

    PDK-ja mban sot Konventën për Bedri Hamzën kryeministër

    Partia Demokratike e Kosovës do ta mbajë sot Konventën “për Bedri Hamzën kryeministër”.

    Konventa do të mbahet në orën 18:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

    Ajo pritet të zgjasë deri në një orë.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se kjo konventë “nuk është vetëm e PDK-së, por e secilit qytetar i cili dëshiron ta rikthejë Kosovën në drejtimin e duhur”.

  • Pasivizimi i adresave, Sinani i fton shqiptarët në protestë në Medvegjë

    Pasivizimi i adresave, Sinani i fton shqiptarët në protestë në Medvegjë

    Ardita Sinani, kryetare e Komunës së Preshevës, ka njoftuar për një protestë të shqiptarëve në Medvegjë të Luginës së Preshevës.

    Më saktë, Sinani ka treguar se protesta do të mbahet para stacionit policor në Medvegjë për të kundërshtuar për pasivizimin e adresave.

    Tutje, Sinani ka ftuar shqiptarët t’i bashkohen kësaj proteste.

    “Në Medvegjë për të kërkuar drejtësi dhe për të rikthyer adresat e pasivizuara në mënyrë të padrejtë! Të mos lejojmë që qytetarët tanë të humbasin të drejtën për identitet dhe ekzistencë në vendin e tyre. Kjo protestë është një thirrje kundër diskriminimit dhe në mbrojtje të së drejtës së çdo shqiptari për të jetuar me dinjitet në vendlindje. Mos hesht! Bashkohu për identitetin dhe të ardhmen tonë!”, ka shkruar ajo.

    Shqiptarët e Luginës së Preshevës së fundmi kanë protestuar kundër shtypjes dhe diskriminimit që po ushtrohet ndaj tyre nga autoritetet e Serbisë.

    Javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, shprehën shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë duke theksuar se kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave.

    Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, deri më tani janë pasivizuar rreth 6.000 adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

  • Qeveria i përgjigjet Brukselit që kërkoi themelimin e Asociacionit në bazë të draftit të tyre: Është veç një non-paper

    Qeveria i përgjigjet Brukselit që kërkoi themelimin e Asociacionit në bazë të draftit të tyre: Është veç një non-paper

    Qeveria e Kosovës i është kundërpërgjigjur Brukselit që së fundmi kërkuan që themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe të bëhet në bazë të propozimit të tyre.

    Nga Zyra e Kryeministrit thanë sot se nuk munden që pas një viti takim, ku ishte refuzuar oferta e palës së Kosovës, të nxjerrin siç thanë ata, draft statutin e BE-së nga paketa e ta hedhin paketën e njohjes de facto reciproke.

    Në deklaratën e Qeverisë thuhet se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, as të emisarit të tij, Miroslav Lajçak dhe as të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, dhe se ai dokument është vetëm një non-paper.

    “Kërkesat tona gjithmonë kanë për qëllim sigurimin dhe garantimin e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të dakorduar. Andaj edhe ekziston insistimi ynë që të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të zbatimit. Qëndrimet dhe propozimet tona gjithmonë respektojnë një rend të gjërave. Prandaj, nuk mundemi që një vit pas takimit të tetorit të vitit të kaluar, në të cilin refuzohet oferta jonë për nënshkrimin e paketës, të nxjerrim draft statutin e BE-së nga paketa e ta hedhim paketën e njohjes se paku de facto reciproke. Rikujtojmë se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell e as të emisarit të tij, Lajçak, aq më pak të Kryeministri Kurti. Statusi i draft statutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara”, thuhet në njoftim.

    Reagimi i plotë i ZKM-së:

    Në takimin e 26 tetorit 2023 në Bruksel me kancelarin gjerman Scholz, presidentin francez Macron, kryeministren italiane Meloni, presidentin e Këshillit Evropian, Michel, përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell dhe emisarin e BE-së, Lajcak, Kryeministri Kurti kishte ofruar që të nënshkruhet paketa e Marrëveshjes Bazike, përfshirë draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-ja për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Një gjë e tillë u refuzua nga Serbia. Krahas refuzimit për të nënshkruan pakon, Serbia kishte kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023. Në fund të atij takimi Kryeministri kishte thënë: “Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”, siç edhe potencohet në komunikatën zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me atë takim që mund ta gjeni në këtë link: https://kryeministri.rks-gov.net/blog/komunikate-per-media-pas-takimit-ne-bruksel-me-kreret-e-bashkimit-evropian/. Meqenëse nuk pati nënshkrim, andaj nuk ka as pranim.

    Kjo nuk është hera e parë që ofertat nga ana e Kryeministrit Kurti që kanë të bëjnë me zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike, janë refuzuar. Një e tillë ishte refuzuar edhe në Ohër në mars 2023 kur Kryeministri Kurti kishte shprehur gatishmërinë për hartimin e draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, Letrës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini të vitit 2015 dhe opinionin e publikuar të emisarit amerikan Escobar dhe këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Chollet në vitin 2023.

    Kërkesat tona gjithmonë kanë për qëllim sigurimin dhe garantimin e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të dakorduar. Andaj edhe ekziston insistimi ynë që të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të zbatimit. Qëndrimet dhe propozimet tona gjithmonë respektojnë një rend të gjërave. Prandaj, nuk mundemi që një vit pas takimit të tetorit të vitit të kaluar, në të cilin refuzohet oferta jonë për nënshkrimin e paketës, të nxjerrim draft statutin e BE-së nga paketa e ta hedhim paketën e njohjes se paku de facto reciproke. Rikujtojmë se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell e as të emisarit të tij, Lajçak, aq më pak të Kryeministri Kurti. Statusi i draft statutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara.

  • Tetë të vdekur pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad

    Tetë të vdekur pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad

    Tetë persona kanë vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar pasi është shembur streha e stacionit hekurudhor në Novi Sad të Serbisë, tha ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.

    Dy persona ende janë të bllokuar nën rrënoja dhe Daçiq tha se ekipet e shpëtimit po tentojnë që t’i nxjerrin nga aty.

    Aktualisht, afër 80 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë në vendin e ngjarjes.

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se kjo është një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës të Novi Sadit, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Ne do të insistojmë që të gjithë përgjegjësit të gjenden dhe ata që janë përkujdesur për gjendjen e kësaj strukture dhe të kësaj ndërtese të mbahen përgjegjës”, tha kryeministri serb.

    Ai tha se streha që u shemb ishte ndërtuar në vitin 1964.

    Ky stacion hekurudhor ishte ndërtuar më 1964. Më 2024, pas rikonstruktimit për tre vjet, ky stacion u hap sërish. Më 5 korrik, në hapjen e objektit të rindërtuar kishte marrë pjesë edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Goran Vesiq, kryetarja e Qeverisë Krahinor Maja Gojkoviq dhe kryetari i Komunës së Novi Sad, Millan Gjuriq.

    Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë bëri të ditur se streha që u shemb “nuk ka qenë subjekt i rindërtimit në kuadër të punimeve për rinovimin e objektit të stacionit në kuadër të projektit të ndërtimit të linjës së shpejtësisë së lartë Novi Sad-Suboticë”.

    Siç u tha në njoftimin e kësaj kompanie, në kuadër të rikonstruksionit është punuar në pjesën e brendshme e stacionit, çatisë dhe fasadës sipër dhe poshtë strehës./REL

  • Feronikeli 74 vazhdon garat në Superligë

    Feronikeli 74 vazhdon garat në Superligë

    Një ditë pas vendimit për tërheqje, Feronikeli 74 ka njoftuar se do t’i vazhdojë garat në Superligë.

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të premten, presidenti i klubit, Endrit Krasniqi, konfirmoi se Feronikeli 74 do të vazhdojë garat.

    Kapiteni Lapidar Lladrovci u shpreh se klubi nga Drenasi është prej skuadrave më të dëmtuara në ligë.

    “Por për hir të futbollit e tifozëve, kemi vendosur të mbesim në ligë”, ka thënë Lladrovci, i cili kërkoi nga Federata e Futbollit të merr masa ndaj gjyqtarëve.

    Tifozët e mbledhur në stadiumin “Rexhep Rexhepi” gjatë konferencës brohorisnin fyerje ndaj FFK-së dhe kryetarit Agim Ademi.

    Feronikeli 74 vendosi të enjten të tërhiqet nga garat pasi pretendoi se është dëmtuar nga gjyqtarët në 11 javët e para të Superligës.

    Klubi nga Drenasi është i vetmi pa fitore këtë edicion, teksa ka vetëm tri barazime.

    Nikli të shtunën (nesër) e pret Ballkanin nga ora 13:00.

  • FSK-ja merr në menaxhim pronat e Aeroportit të Dumoshit në Podujevë

    FSK-ja merr në menaxhim pronat e Aeroportit të Dumoshit në Podujevë

    Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës nga sot, më 01.11.2024 do të ketë në menaxhim pronat e Aeroportit të Dumoshit, si pika strategjike për rritjen e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.

    Kështu ka bërë të ditur Ministri i Mbrotjes, Ejup Maqedonci përmes një positmi në rrjetin social në Facebook.

    ‘’Sot, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mori në menaxhim pronat e Aeroportit të Dumoshit, si pika strategjike për rritjen e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit. Kjo datë përkon edhe me ditëlindjen e Heroit të Kosovës, strategut dhe inspiruesit të luftës sonë çlirimtare, Komandant Zahir Pajazitit. Vendosja e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në pronat e Aeroportit të Dumoshit në Podujevë është një zhvillim domethënës për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Ky hap forcon praninë e FSK-së në regjionin e Llapit dhe Gollakut, duke ofruar siguri shtesë për banorët e kësaj ane si dhe për të ofruar mbështetje më të mirë dhe më të shpejtë për reagime emergjente dhe për operacione në rast të emergjencave civile’’, ka shkruar Maqedonci.

    Ky vendim tregon angazhimin e institucioneve të Kosovës për të fuqizuar kapacitetet ushtarake dhe për të kontribuar në një mjedis më të sigurtë, ka shtuar më tutje Ministri.