ATV

Author: G.O.

  • IKShPK: Uji nga Badoci ende i papijshëm

    IKShPK: Uji nga Badoci ende i papijshëm

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi të hënën se uji nga fabrika e ujit në Liqenin e Badocit vazhdon të jetë i papërdorshëm për pije.

    “Rezultatet nga analizat e ditës e diele (03. 11. 2024) tregojnë se vlerat e manganit sillen: Më e ulëta 0.151 mg/l (Lagja Qëndresa) deri te më e larta: 0.467 mg/L (Rr. Hyzri Talla -Kodra e Diellit). Bazuar në të dhënat si më lart, uji në tërë zonën e furnzimit nga Liqeni i Badovcit (PR 03) ende nuk mund të përdoret për pije”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

    Po ashtu, në njoftim thuhet se IKSHPK-ja në bashkëpunim me Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” do të vazhdojnë monitorimin e rregullt të ujit dhe popullata do të mbahet e informuar.

    Më poshtë keni hartën e zonës PR 03 që furnizohet me ujë nga Liqeni i Badocit:

  • Presidentja Osmani uron presidenten moldave për postin e ri

    Presidentja Osmani uron presidenten moldave për postin e ri

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar homologen e saj të Moldavisë, Maia Sandu, për postin e saj të ri.

    Osmani ka shkruar se fitorja e saj është e merituar dhe një dëshmi e qëndrueshmërisë së demokracisë së popullit moldav.

    “E dashura, Maia Sandu. Fitorja juaj dje është një dëshmi e fuqishme e qëndrueshmërisë së demokracisë dhe forcës së popullit moldav. Pavarësisht përpjekjeve të pamëshirshme nga Rusia dhe përfaqësuesit e saj për të prishur dhe destabilizuar procesin demokratik, vullneti i popullit ka triumfuar sërish. Mezi pres të punoj me ju ndërsa vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të forcojmë lidhjen mes popujve tanë. Shumë suksese”, ka shkruar Osmani.

  • Serbia nis hetime pas shembjes së strehës në Novi Sad që la 14 të vdekur

    Serbia nis hetime pas shembjes së strehës në Novi Sad që la 14 të vdekur

    Serbia ka nisur të shtunën hetime për shembjen e një strehe betoni mbi hyrjen e një stacioni hekurudhor në Novi Sad të Serbisë, që ka rezultuar me vdekjen e 14 personave.

    Për shembjen është raportuar të premten, ndonëse moti ka qenë i mirë, me diell.

    Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë punuar përgjatë natës për t’i nxjerrë të vdekurit dhe të lënduarit nga rrënojat prej betoni.

    Në stacionin në Novi Sad, qytet rreth 70 kilometra në veriperëndim të Beogradit, janë kryer punime për rinovimin e tij.

    Ministri i Transportit, Goran Vesiq ka thënë se hetimet që kanë nisur në Novi Sad, do të përfshijnë edhe Institutin shtetëror të Trafikut, kompani shtetërore për hekurudha, dhe një konsorcium kinez, që ka kryer punimet për renovim.

    “Hetimet do të vërtetojnë kush i ka marrë vendimet dhe kush ka vënë nënshkrimet, kush ka qenë i angazhuar për të kontrolluar cilësinë e punimeve”, ka thënë Vesiq për televizionin shtetëror.

    Vesiq, kompania shtetërore hekurudhore, Instituti shtetëror i Trafikut dhe konsorciumi kinez, kanë thënë se pjesa e shembur e ndërtesës nuk ka qenë pjesë e rinovimeve.

    Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se 20 persona do të intervistohen të shtunën lidhur me këtë katastrofë, përfshirë zyrtarë të ministrisë që janë të ngarkuar për këto çështje.

    “Do të sigurohet edhe dokumentacioni për ndërtesën… kush i ka marrë vendimet”, ka thënë Daçiq.

    Autoritetet e kanë shpallur të shtunën ditë zie.

    Njerëzit janë parë duke dërguar lule dhe duke ndezur qirinj afër zonës së incidentit.

    Opozita serbe, e cila akuzon autoritetet besnike ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për korrupsion enorm dhe nepotizëm, ka bërë thirrje për protesta në Novi Sad, më vonë gjatë ditës, raporton REL.

    Vuçiq dhe aleatët e tij, hedhin poshtë këto pretendime.

    Vetë Vuçiq është zotuar të premten se do të ketë drejtësi dhe ka kërkuar ndëshkime të ashpra për përgjegjësit.

  • FShF-ja dënohet nga UEFA për ndeshjen Gjeorgji – Shqipëri

    FShF-ja dënohet nga UEFA për ndeshjen Gjeorgji – Shqipëri

    Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA për ndeshjen Gjeorgji – Shqipëri, që u fitua nga kuqezinjtë në stadiumin “Mikheil Meskhi” me rezultatin 1-0.

    Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur të gjobisë me 26,875 mijë euro Federatën e Futbollit për hedhjen e sendeve në fushë dhe transmetimin e mesazheve jo sportive.

    Vendimet e Komisionit të Etikës e Disiplinës në UEFA për ndeshjen Gjeorgji-Shqipëri:

    1. Te gjobisë FSHF-në në vlerën €6,875 për hedhjen e sendeve.
    2. Te gjobisë FSHF-në në vlerën €20,000 për transmetimin e mesazheve jo sportive.
    3. Vlera totale e gjobës, prej €26,875 duhet të paguhet brenda 90 ditëve nga komunikimi i këtij vendimi.

    Federata e Futbollit i fton tifozët të mbështesin Kombëtaren, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë, pozitive dhe të tregojnë qytetari dhe respekt përmes një sjelljeje korrekte ndaj ekipit kundërshtar për të shmangur çdo lloj problematike që mund të dëmtojë ekipin.

  • Kurti e Konjufca në përvjetorin e 35-të rënies së Afrim Zhitia e Fahri Fazliu: Heronjtë do të kujtohen përherë

    Kurti e Konjufca në përvjetorin e 35-të rënies së Afrim Zhitia e Fahri Fazliu: Heronjtë do të kujtohen përherë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në nderim të 35-vjetorit të rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, Kurti e Konjufca thanë se heronjtë do të kujtohen përherë.

    Kryeministri Albin Kurti tha se një ditë para se të bien heroikisht, Zhitia e Fazliu kishin marrë pjesë në demonstratat e një nëntorit në vitin 1989.

    “Saktësisht para 35 vjetëve, në lagjen ‘Bregu i Diellit’ tek hyrja e tretë e bllokut të tretë ku luftuan, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, deri sa ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe për debimin e forcave okupatore e armike serbe nga atdheu ynë. Afrimi edhe Fahriu ishin udhëheqës të Lëvizjes Popullore asokohe dhe pikërisht me ta udhëheqja e organizatës dhe udhëheqja e aktiviteteve bëhej nga brenda Kosovës e jo më prej jasht sikurse deri atëherë. Viti 1989 ka qenë vit i demonstrative dhe shumë të fuqishme, dhe shume të shpeshta gjithandej Kosovës. Një ditë para se të bien heroikisht kanë marrë pjesë në demonstratat e një nëntorit në vitin 1989 me ç’rast masës së demonstruesve I është drejtuar Afrim Zhitia. Në ato rrethana janë kalitur veprimtarët më të denjë luftëtarët më të pa epur dhe heronjët e popullit tonë që janë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe shumë e shumë të tjerë”, tha Kurti.

    E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se porosia e tyre atë kohë ishte që “më mirë të vdiset me armë në dorë kundër serbisë, kundër okupatorit se sa të jetojmë në robëri”.

    “Liria e Kosovës erdhi sepse kishte çlirimtarë si Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, porosia e tyre ishte e qartë ‘më mirë të vdiset me armë në dorë kundër serbisë, kundër okupatorit se sa të jetojmë në robëri’. Ata jo vetëm se ishin luftëtar e çlirimtar por ishin edhe intelektual të mëdhenjë, veprat e tyre shkrimet e tyre mendimi I tyre politik na frymëzon sot e kësaj dite”, tha Konjufca.

  • Haradinaj për nder të 35-vjetorit të rënies Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu: Pa sakrificën e heronjve, nuk do të kishte mbërri liria

    Haradinaj për nder të 35-vjetorit të rënies Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu: Pa sakrificën e heronjve, nuk do të kishte mbërri liria

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe me rastin e 35-vjetorit të rënies së heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, raporton Ekonomia Online.

    Haradinaj tha se pa sakrificën e heronjve, nuk do ta kishte mbërri liria.

    “Në përvjetorin e rënies heroike të heronjve tanë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, nderojmë këtu ku pushojnë e po ashtu, nderojmë edhe tek vendi i rënies. Nuk ndalemi asnjëherë me i kujtu e nderu, vitet kalojnë por e vërteta mbetet e njëjtë. Pa sakrificën e tyre, pa gjakun e derdhur për liri, nuk do ta kishim mbërri lirinë”, tha Haradinaj.

  • Përfshihet nga zjarri kati i dytë i një shtëpie në Ferizaj, nënë e bijë kërcejnë nga dritarja – dërgohen për trajtim në QKUK

    Përfshihet nga zjarri kati i dytë i një shtëpie në Ferizaj, nënë e bijë kërcejnë nga dritarja – dërgohen për trajtim në QKUK

    Një grua bashkë me vajzën e saj të mitur ka kërcyer nga dritarja, meqë kati i dytë i shtëpisë së tyre ishte përfshirë nga zjarri. Si pasojë e kërcimit, kanë pësuar lëndime trupore.

    Policia ka bërë me dije se viktimat janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

    Rasti ka ndodhur në Ferizaj.

    “Ferizaj 01.11.2024-17:45. Raportohet se është përfshi nga zjarri kati i dyti i një shtëpie. Si pasojë e zjarrit, viktima femër kosovare, së bashku me vajzën e saj të mitur, ka kërcyer nga dritarja dhe kanë pësuar lëndime trupore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi zjarrfikës ka lokalizuar zjarrin. Për shkak të lëndimeve, viktimat janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.

  • Amerika do e ndihmojë Ukrainën edhe me afro 400 milionë euro ndihmë ushtarake

    Amerika do e ndihmojë Ukrainën edhe me afro 400 milionë euro ndihmë ushtarake

    Pentagoni ka njoftuar se do të dërgojë një ndihmë ushtarake shtesë prej 425 milionë dollarësh (392 milionë euro) për Ukrainën, ndërsa Kievi përgatitet të përballet me forcat ruse të përforcuara nga më shumë se 10 mijë ushtarë koreanë të Veriut.

    Paketa e re e ndihmës, e shpallur nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, përfshin armë që do të nxirren nga depot ekzistuese të SHBA-së, duke përfshirë interceptors për sistemet e mbrojtjes ajrore, municione për Sistemet e Raketimeve të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë, si dhe artileri 155 mm, mjete të blinduara dhe armë kundër tankeve.

    Kjo paketë ndihme e shpallur nga Pentagoni e çon totalin e ndihmës ushtarake që SHBA ka ofruar për Ukrainën që nga fillimi i luftës ruse në shkurt 2022 në 60.4 miliardë dollarë (55 miliardë euro).

    Në qytetet lindore të Ukrainës vazhdojnë sulmet nga raketat ruse, përfshirë një sulm në Kharkiv me një bombë 500 kilogramëshe, e cila goditi një kompleks apartamentesh, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e disa të tjerëve.

    Rusia ka filluar të përdorë gjithnjë e më shumë bomba të fuqishme për të goditur pozitat ukrainase përgjatë vijës së kontaktit prej 1 mijë kilometrash dhe për të sulmuar qytete që ndodhen dhjetëra kilometra nga fronti.

    Ukraina po përballet gjithashtu me pasiguri të reja, pasi valë ushtarësh koreanë të Veriut të dërguar në Rusi kanë arritur pranë kufirit të Ukrainës dhe janë duke u përgatitur të bashkohen në luftë kundër trupave ukrainase në ditët në vijim.

  • Disa lagje në Prishtinë kanë mbetur pa ujë, KRU “Prishtina” del me sqarim

    Disa lagje në Prishtinë kanë mbetur pa ujë, KRU “Prishtina” del me sqarim

    Që nga dita enjte, banorët në rrugën “Rrustem Statovci”, afër Parkut të Qytetit në Prishtinë nuk kanë fare ujë.

    Situata më mirë nuk duket të jetë edhe në lagje të tjera. Edhe banorët e lagjes së Spitalit kanë mbetur pa ujë që nga dita e premte.

    Ndërkaq nga KRU “Prishtina”, ka dal me njoftim ku thuhet se janë në identifikim të problemve.

    “E kuptojmë shqetësimin tuaj kur nuk ka ujë. Kur kemi punime të planifikuara e kemi obligim ligjor që të njoftojmë 24 orë më herët. Por, duhet ta keni parasysh që kur ka punime të paplanifikuara por defekte që ndodhin aty për aty është krejt diçka tjetër. Kohët e fundit, probleme me furnizim me ujë kanë pasë pjesa që furnizohet nga Badovci, por jo edhe nga Batllava apo Shkabaj. Në pjesën që furnizohet nga Badoci, sidomos rruga B, rruga C apo edhe një pjesë e lagjes Bregu i Diellit problemet shpesh nuk kanë ardhë nga ne, por nga prekja e paautorizuar e valvolave të ujit, andaj jemi në identifikim të problemeve“, thuhet në njoftim.

  • Aksident i rëndë në Pavlan të Pejës: Treni godet veturën, lëndohen tre persona

    Aksident i rëndë në Pavlan të Pejës: Treni godet veturën, lëndohen tre persona

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 10:00 në fshatin Pavlan të Pejës, ku treni ka goditur një veturë, raporton Gazeta Sinjali.

    Si pasojë e kësaj, tre persona kanë mbetur të lënduar dhe tashmë janë duke u trajtuar në emergjencën e Spitalit të Pejës.

    Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

    “Sot rreth orës 10:00, policia është njoftuar për një aksident në mes të një treni dhe një veture në fshatin Pavlan. Si pasojë e këtij aksidenti, tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës për tretman mjekësor”, ka potencuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.