ATV

Author: G.O.

  • 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarit për kultivimin e hashashit dhe kokainës në Pejë

    30 ditë paraburgim për tre të dyshuarit për kultivimin e hashashit dhe kokainës në Pejë

    Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë ndaj tre të dyshuarve Gzim Gashi, Faik Gashi dhe Selim Gashi, për kultivimin e bimës së hashashit e kokainës.

    Kjo është bërë e ditur nga aktvendimi i siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, Prokuroria Themelore në Pejë, kishte marrë vendim mbi fillimin e hetimeve kundër të dyshuarve Gzim Gashi, për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer veprën penale, “Kultivimi i bimës së hashashit, Shkurres së kokainës ose bimëve të hashashit”, ndërsa për të dyshuarit Faik dhe Selim Gashi, aktvendim për zgjerimin e hetimeve për veprën e njëjtë.

    Gjykata më 31 tetor 2024, kishte mbajtur dhe zhvilluar seancën dëgjimore për caktimin e paraburgimit, ku prokurori i shtetit Ersan Qavolli kishte deklaruar se janë plotësuar kushtet themelore për dyshimin e bazuar se të pandehurit kishin kryer veprën penale të lartcekur.

    Ai kishte theksuar se përmes raporteve janë identifikuar parcela e cila dyshohet se ka të mbjellur narkotikë.

  • Rohde: Serbia ta rishqyrtojë projektligjin për Kosovën

    Rohde: Serbia ta rishqyrtojë projektligjin për Kosovën

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në llogarinë e tij në platformën X e rivendosi postimin e Zyrës për Punë të Jashtme Gjermane, ku thuhet se projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe juridiksionin e veprave penale, shkel qartë detyrimet e saj të Dialogut.

    “I kërkojmë Serbisë të rishqyrtojë. Të dyja vendet, Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 pa vonesë, duke përfshirë ASMM (Asociacionin)”, thuhet në postim.

    Rohde e përforcon këtë kërkesë, duke shkruar se Serbia duhet ta rishqyrtojë projektligjin në fjalë sepse kjo do të përbënte një shkelje të qartë të detyrimeve të Dialogut.

  • Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj pesë zyrtarëve të Istogut

    Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj pesë zyrtarëve të Istogut

    Seanca e paraparë të mbahej sot ndaj zyrtarëve komunalë të Komunës së Istogut, është shtyrë për shkak të mungesës së të akuzuarit Rexhep Blakaj, i cili gjendej në spital.

    Këtë e bëri të ditur mbrojtësi i të akuzuarit Blakaj, avokati Flamur Bllacaku, ku tha se i mbrojturi i tij i ishte nënshtruar një intervenimi dy ditë më herët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Andaj në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës e njëjta u shty për 23 dhjetor 2024.

    Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 7 shtator 2022, po i ngarkon Jashar Blakajn, Rrustem Gashin, Rexhep Blakajn, Isa Hoxhën dhe Besart Dreshajn, për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Konflikt interesi” si dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

  • Pse disa njerëz kanë gjithmonë ftohtë? Ja sëmundjet që e shkaktojnë këtë gjendje

    Pse disa njerëz kanë gjithmonë ftohtë? Ja sëmundjet që e shkaktojnë këtë gjendje

    Disa njerëz nuk e durojnë dot të ftohtin, dhe nuk ndihen mirë sa herë temperaturat ulen. Ata kanë duar apo këmbë të ftohta dhe në shumë raste edhe dridhje të trupit.

    Kur moti ndryshon shumë shpesh, trupit i duhet disa javë që të përshtatet me temperaturat. Por nëse keni më shumë ftohtë kjo tregon diçka për shëndetin tuaj

    Shkaqet e të paturit ftohtë gjithmonë
    Hipotiroidizmi
    Simptomat më të zakonshme të hipotirodizmit janë lodhja, depresioni dhe ndjesia e të paturit ftohtë gjithë kohës.

    Hipotiroidizmi ndodh kur gjëndra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone. Këto hormone janë të rëndësishme në rregullimin e metabolizmit dhe të temperaturës së trupit.

    Kur trupi nuk ka mjaftueshëm hormone të tiroides, proceset e tij ngadalësohen.

    Sëmundja Reinaud
    Kjo sëmundje lidhet me arteriet që gjenden tek duart dhe tek këmbët. Këto enë të qarkullimit të gjakut ngushtohen shumë dhe kështu qarkullojnë më pak gjak.

    Gjatë kësaj sëmundjeje, gishtërinjtë mund të marrin ngjyrë blu apo të bardhë. Kur gjaku fillon të qarkullojë normalisht personat mund të ndjejnë dhembje tek këto pjesë të trupit.

    Anemia
    Anemia ndodh kur një person ka më pak rruaza të kuqe që qarkullojnë në organizëm duke shpërndarë kështu oksigjen. Simptomat e kësaj sëmundjeje përfshijnë ndjesinë e të ftohtit që vjen pikërisht nga kjo mungesë e oksigjenit.

    Simptoma të tjera janë këmbë dhe duar të ftota, lodhje, plogështi, vështirësi në frymëmarrje dhe rrahje të çrregullta të zemrës.

    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, disa nga llojet e anemisë që shkaktojnë edhe ndjesinë e të ftohtit janë:

    Anemia nga mungesa e hekurit që është dhe më e përhapura ndër tyre. Kjo ndodh kur qelizat nuk arrijnë të përthithin mirë hekurin në gjak.

    Anemia nga mungesa e vitaminave e cila vjen si rrjedhojë e një kequshqyerje. Nivele të ulta të B12 apo acidit folik mund të çojnë në shfaqjen e anemisë.

    Anoreksia nervoze
    Ose e njohur ndryshe si anoreksi është një çrregullim në mënyrën e të ushqyerit e cila karakterizohet nga imazhi që ka personi për trupin e tij por lidhet edhe me reagimin mendor dhe emocional ndaj shtimin në peshë.

    Personat që vuajnë nga anoreksia reduktojnë jashtëzakonisht shumë sasinë e ushqimit që konsumojnë dhe nxisin të vjellat.

    Anoreksia mund të shkaktojnë ndjesinë e të ftohurës si pasojë e nivelit të ulët të dhjamit në trup.

    Trajtimet të kësaj sëmundjeje zakonisht kërkojnë konsultimin e mjekëve.

    Sëmundje të arterieve periferike
    Kjo sëmundje ndodh kur disa pllaka formohen në arteriet që qarkullojnë gjakun në organizëm. Njihet gjerësisht si artereoskleroza.

    Grumbullimi i këtyre pllakatave nëpër arterie bën që enët e gjakut të ngushtohen, që do të thotë se gjaku nuk arrin të përçohet ashtu siç duhet.

    Zakonisht kjo reflektohet tek ekstremet e organizmit, pra tek gjymtyrët, duke krijuar ndjesinë e të ftohurit dhe të mpirjes të duarve apo këmbëve. Shpesh kjo sëmundje kërkon një trajtim intensiv që lidhet me ushqyerjen dhe aktivitetin fizik.

    Përse femrat kanë më shumë ftohtë sesa meshkujt?
    Studime ku AgroWeb.org bazohet tregon se femrat preferojnë temperaturën 25 gradë Celsius, ndërsa meshkujt ndihen shumë mirë në një ambient në 22 gradë.

    Kjo lidhet me faktin se femrat kanë një metabolizëm më të ngadaltë sesa meshkujt, kështu që nuk prodhojnë më pak energji sesa meshkujt.

    Kur duhet të shqetësoheni?
    Nëse këto simptoma zgjasin në kohë, dhe ju shfaqen komplikime duhet patjetër të lini një vizitë tek mjeku specialist.

    Analizat kryesore përfshijnë analizat e gjakut, pasi kështu kuptohet nëse ka një shkak të fshehtë mjekësor.

  • Zbulohet pllaka përkujtimore për heroin Afrim Zhitia në Prishtinë

    Zbulohet pllaka përkujtimore për heroin Afrim Zhitia në Prishtinë

    Në kujtim dhe nderim të heroit Afrim Zhitia, gjithë të rënëve dhe demonstruesve të vitit 1989, Shoqëria Lëvizja ka zbuluar sot pllakën përkujtimore në kryeqytet.

    Pllaka është vendosur pikërisht në vendin ku Afrim Zhitia mbajti fjalim para popullit, kundër dhunës, terrorit dhe represionit që ushtronte pushtuesi serb.

    Në këtë pllakë përkujtimore është vendosur edhe një pjesë e fjalimit që Zhitia kishte mbajtur para demonstruesve.

    “Vëllezër dhe motra! Jemi mbledhur këtu që me forcë të ngrisim zërin kundër pushtuesve shovinistë, të cilët po ushtrojnë dhunë e terror të paparë mbi popullin tonë. Ka ardhur koha që kërkesat tona t’i themi më fuqishëm dhe më të organizuar. Andaj, të bashkohemi rreth Lëvizjes dhe kushtrimin për liri ta çojmë në çdo shtëpi shqiptare”, kanë qenë fjalët e heroit kombëtar në demonstratën e 1 nëntorit të vitit 1989.

  • Izraeli e bombardon jugun e Bejrutit

    Izraeli e bombardon jugun e Bejrutit

    Ushtria izraelite i ka bombarduar periferitë jugore të Bejrutit me një sërë sulmesh ajrore mëngjesin e së premtes, pasi fillimisht i urdhëroi banorët të largoheshin, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

    Disa ndërtesa u shkatërruan në disa lagje të Dayihehut në jug të Bejrutit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Liban.

    Nuk dihet nëse ka viktima nga këto bombardime.

    Ushtria izraelite tha se në shënjestër të sulmeve ishin objektet dhe asetet e Hezbollahut. Izraeli vazhdimisht e ka përsëritur këtë qëndrim gjatë kryerjes së sulmeve në gati dy muajt e fundit në Liban.

    Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

    Bombardimet vijnë pas përpjekjeve të reja po të pafrytshme të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës dhe në Liban, për t’i dhënë fund një viti luftimesh mes Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani, Hezbollah dhe Hamas.

    Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të enjten se Izraeli dhe Libani janë duke punuar për ta kuptuar se çfarë nevojitet për ta zbatuar një rezolutë të shkelur të OKB-së, 1701, e cila do të ishte themeli për t’i dhënë fund konfliktit.

    Por, koha po soset për të gjetur një zgjidhje para zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA. Zyrtarët e Libanit dhe analistët u treguan pesimistë pas lajmeve se i dërguari amerikan, Amos Hochstein, nuk do të shkojë në Bejrut nga Izraeli, ku ndodhej të enjten.

    Konflikti përgjatë kufirit mes Hezbollahut dhe Izraeli u përshkallëzua në luftë të përgjithshme muajin e kaluar, kur Izraeli nisi një valë bombardimesh në të gjithë Libanin dhe vrau udhëheqësin kryesor të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe shumicën e zëvendësve të tij.

    Forcat tokësore izraelite depërtuan në Liban në fillim të tetorit.

    Udhëheqësi i sapoemëruar i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se grupi militant do ta vazhdojë luftën me Izraelin derisa t’i plotësohen kushtet për një armëpushim që ai i vlerëson të pranueshëm.

    Rreth 1.2 milion njerëz janë zhvendosur si pasojë e konfliktit në Liban, sipas vlerësimeve të qeverisë. Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se më shumë se 2.800 njerëz janë vrarë dhe 12.900 janë plagosur që nga 8 tetori 2023, kur Hezbollahu filloi të hidhte raketa në Izrael, duke nxitur hakmarrje./REL/

  • ShBA-ja sanksionon firmat serbe dhe malazeze për shkak të mbështetjes të luftës së Rusisë

    ShBA-ja sanksionon firmat serbe dhe malazeze për shkak të mbështetjes të luftës së Rusisë

    Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj kompanisë serbe, Ventrade, dhe ndaj International Business Corporation Bar (IBC), me bazë në Mal të Zi, për shkak të eksportimit të mallrave me përdorim të dyfishtë në Rusi, të cilat mund të përdoren në industrinë e mbrojtjes.

    Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha përmes një deklarate se Ventrade i ka shitur Rusisë radio të kategorisë ushtarake, ndërkaq IBC ka transferuar pajisje të përpunimit dhe kushineta të topave te kompanitë ruse, përfshirë te një kompani që është nën sanksione amerikane, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Sipas të dhënave të tregtisë të kompanisë Ventrade, kompani e themeluar në prill të vitit 2022, pak pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, kjo firmë eksportoi radio në Rusi në vlerë prej 570.000 dollarësh. Këto eksporte ishin bërë në periudhën shtator 2022 deri në qershor 2023 përmes Gjermanisë, Malajzisë, Austrisë, Kinës dhe Meksikës.

    Që nga viti 2021, IBC është në pronësi të shtetasit rus me bazë në Mal të Zi, Sergei Kokorev, dhe kjo kompani ka rritur fitimet më 2023 me rreth 1 milion dollarë.

    Pesë firma të tjera serbe – MCI Trading, Kominvex, Goodforwarding, Soha Info dhe TR Industries – po ashtu veçse janë nën sanksione nga OFAC për shkak të bashkëpunimit me Rusinë.

    Mali i Zi ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ndërkaq Serbia, pavarësisht se është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk i është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian kundër Rusisë./REL/

  • Sinani: Raporti i BE-së për Serbinë, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të diskriminuar

    Sinani: Raporti i BE-së për Serbinë, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të diskriminuar

    Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024 për Serbinë është thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të diskriminuar.

    Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se në raport janë vënë në vëmendje disa çështje të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Luginë.

    “‘Pasivizimi’ i adresave dhe kontrolli i paqartë i statusit të rezidencës nga policia. Mungesa e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike dhe polici”.

    “Tekste të pakta shkollore dhe pamundësi për arsim në gjuhën amtare. Kërkojmë që Serbia të veprojë tani për të përmbushur këto detyrime dhe të garantojë të drejtat tona si qytetarë të barabartë”, ka thënë Sinani.

  • Drita triumfon në derbin ndaj Prishtinës

    Drita triumfon në derbin ndaj Prishtinës

    Drita e ka mposhtur Prishtinën në derbin e javës së 11-të të Superligës së Kosovës në futboll me rezultat 3-0.

    “Intelektualët” epërsinë fillestare e krijuan në minutën e 22-të të takimit me anë të Krasniqit i cili shënoi nga penalltia.

    Kurse dy minuta më vonë, ishte Dabiqaj ai që u gjend i vetëm përballë portierit dhe e dërgoi topin në rrjetën e “Plisave”.

    Prishtina në pjesën e dytë nuk arriti që t’i kundërpërgjigjet Dritës, teksa vendasit arritën që ta shënonin edhe golin e tretë në minutën e 88-të të takimit, ku Dabiqaj e shënoi golin e dytë personal.

    Me këtë fitore, Drita gjendet në vendin e tretë me 18 pikë, ndërsa Prishtina është në vendin e pestë me 16 pikë.

  • Gërvalla, në konferencën për Ukrainën: Pjesëmarrja e Kosovës dëshmon përkushtimin tonë në paqe

    Gërvalla, në konferencën për Ukrainën: Pjesëmarrja e Kosovës dëshmon përkushtimin tonë në paqe

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka udhëtuar drejt Kanadasë për konferencën e Ukrainës.

    Gërvalla përmes një postimi në facebook bëri të ditur se është takuar edhe me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau.

    Ajo, është shprehur se pjesëmarrja e Kosovës në këtë konferencë dëshmon përkushtimin tonë në mbështetjen e një paqeje të qëndrueshme, solidaritetin e Kosovës me popullin ukrainas, mbështetjen përmes programeve që po implementojmë si dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe stabilitet.

    “Në Montreal të Kanadasë në pritjen e organizuar për delegacionet pjesëmarrëse në Konferencën Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes për Ukrainën, organizuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly, në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrii Sybiha. Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë konferencë dëshmon përkushtimin tonë në mbështetjen e një paqeje të qëndrueshme, solidaritetin e Kosovës me popullin ukrainas, mbështetjen përmes programeve që po implementojmë si dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe stabilitet”, ka shkruar Gërvalla.