ATV

Author: G.O.

  • Ndërpritet seanca e Kuvendit, deputetët nuk kthehen pas pauzës

    Ndërpritet seanca e Kuvendit, deputetët nuk kthehen pas pauzës

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka ndërprerë seancën e sotme të Kuvendit.

    Kjo pasi shumica e deputetëve nuk u kthyen në sallë pas pauzës që parashihej të zgjaste deri në orën 14:00.

    Seanca do të vazhdojë të hënën pas mbledhjes së Kryesisë.

  • Borrell paralajmëroi Serbinë: Nuk mund të mbani lidhje me Rusinë dhe të prisni anëtarësim në BE

    Borrell paralajmëroi Serbinë: Nuk mund të mbani lidhje me Rusinë dhe të prisni anëtarësim në BE

    Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, paralajmëroi Serbinë se duke mos miratuar sanksione kundër Rusisë, vendi rrezikon anëtarësimin e plotë në BE.

    “Serbia duhet të ndryshojë shkallën e shtrirjes së politikës së jashtme. Herët a vonë, Serbisë do t’i duhet të përafrohet me politikën e jashtme të BE-së. Përndryshe, anëtarësimi do të jetë në rrezik,” tha Borrell.

    Ai tha se nuk mund të mbajë lidhje me Rusinë dhe të presë anëtarësimin në BE.

    “Pajtueshmëria është treguesi më i rëndësishëm nëse kandidatët ndajnë vlerat dhe orientimin tonë politik”, tha kreu i diplomacisë evropiane.

    Së bashku me Komisionerin Evropian për Zgjerim Oliver Varhelji, dje Borrell prezantoi paketën e zgjerimit të miratuar nga Komisioni Evropian (KE).

    Në raportin për Serbinë, konfirmohet se vendi nuk ka përparuar në procesin e harmonizimit dhe se ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë “ngre pikëpyetje për drejtimin strategjik të Serbisë”.

    Komisioni Evropian ka miratuar paketën e tij vjetore të zgjerimit për dhjetë vendet që janë pjesë e procesit të zgjerimit.

    Është dokumenti më i rëndësishëm që KE publikon çdo vit, i cili paraqet një pasqyrë të detajuar të progresit në reformat kyçe që janë të nevojshme për përparimin në procesin e integrimit evropian.

    Dhjetë vende janë pjesë e paketës, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Gjeorgjinë, Republikën e Moldavisë, Ukrainën dhe Turqinë.

    KE konfirmon se procesi i zgjerimit vazhdon të jetë i bazuar në merita dhe varet nga progresi objektiv i secilit partner.

    “Demokracia, sundimi i ligjit dhe vlerat themelore do të vazhdojnë të jenë gur themeli i politikës së zgjerimit të BE-së dhe anëtarësimi në BE mbetet një zgjedhje strategjike”, thuhet në deklaratën e KE-së.

    Konfirmohet se procesi i zgjerimit mori një vrull të ri gjatë viteve 2023 dhe 2024.

  • Pamje dhe detaje për aksionin “Milioni” kundër fajdexhinjve në rajonin e Prizrenit

    Pamje dhe detaje për aksionin “Milioni” kundër fajdexhinjve në rajonin e Prizrenit

    Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit e kanë zhvilluar një aksion kundër fajdesë dhe detyrimit, ku u arrestuan gjashtë të dyshuar.

    Aksioni u zhvillua në disa lokacione në Prizren dhe Suharekë.

    Lajmi është konfirmuar edhe nga Prokuroria, me ç’rast janë bërë të ditura detaje të reja – si dhe janë publikuar pamjet nga aksioni i koduar si ‘Milioni’.

    Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë kundërligjshëm shuma të mëdha të parave si dhe prona, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro.

    Po ashtu, janë sekuestruar njësi banesore, lokale, vetura, armë, kontrata e prova tjera materiale.

    Policia e Kosovës i ka publikuar disa momente nga zhvillimi i këtij operacioni.

  • Begaj pret në takim Haxhiun, ia rikonfirmon angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën

    Begaj pret në takim Haxhiun, ia rikonfirmon angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur sot në takim ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiun.

    Gjatë takimit, Begaj ka përshëndetur nismat dhe reformat e reja të ndërmarra nga qeveria e Kosovës, veçanërisht në fushën e drejtësisë si dhe përkushtimin për përputhshmërinë me politikat euroatlantike.

    “Është një proces i gjatë dhe aspak i lehtë, – u shpreh Presidenti i Republikës, duke theksuar se kryerja e reformave në interes të qytetarëve përmbush ëndrrën tonë si komb, atë të integrimit në Bashkimin Evropian”.

    Në takim u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer mes institucioneve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.

    Begaj shprehu edhe rëndësinë e avancimit të këtij bashkëpunimi në projektet strategjike të Portit të Durrësit, Portit të Thatë të Prishtinës dhe lidhjen e tyre me hekurudhën Durrës- Prishtinë që do të na ndërlidhin më shumë.

    Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi se bashkëpunimi mes shqiptarëve ka një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën Euroatlantike të dy vendeve dhe gjithë rajonit si qëllim strategjik.

    Tutje, Begaj rikonfirmoi angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve të reja dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, teksa shtoi se është i rëndësishëm hartimi i strategjive të përbashkëta për të prezantuar reformat e ndërmarra dhe progresin e synuar.

    “Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë aty për Kosovën”, u shpreh Begaj, i cili theksoi se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, pavarësisht çdo tentative dashakeqe që është e destinuar të dështojë.

  • BE ngre alarmin: Disa produkte kozmetike nga firma të ndryshme përmbajnë kimikate të ndaluara

    BE ngre alarmin: Disa produkte kozmetike nga firma të ndryshme përmbajnë kimikate të ndaluara

    Agjencia Evropiane e Kimikateve (ECHA) ka identifikuar 285 produkte kozmetike që përmbajnë kimikate të ndaluara në Evropë.

    Nga inspektimet e kryera gjatë një projekti pilot të Agjencisë Evropiane të Kimikateve rezultoi se rreth 6% e produkteve kozmetike përmbanin substanca të rrezikshme të ndaluara sipas rregullave evropiane.

    ECHA njoftoi se agjencitë kombëtare në 13 shtetet anëtare të Zonës Ekonomike Evropiane kishin kontrolluar rreth 4,500 produkte kozmetike dhe gjetën në 285 prej tyre substanca të ndaluara.

    Agjencia Evropiane e Kimikateve, me seli në Helsinki, e gjeti shumicën e substancave të ndaluara duke parë listat e përbërësve.

    “Inspektimet u kryen kryesisht duke kontrolluar listën e përbërësve – gjë të cilën mund ta bëjnë lehtë edhe konsumatorët,” thuhet në njoftimin e Agjencisë Evropiane të Kimikateve.

    Në lapsat dhe e syve dhe të buzëve u gjet shpesh perfluorononyl dimethicone, i cili degradon në PFOA dhe PFCA, kurse në balsamet, kondicionerët dhe maskat e flokëve ishin shpesh të pranishme D4 dhe D5.

    “Konsumatorët duhet të jenë të vetëdijshëm se substancat e ndaluara u gjetën në lloje të ndryshme produktesh kozmetike, të prodhuara nga firma të ndryshme dhe në të gjitha kategoritë e çmimeve”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Evropiane të Kimikateve. (A2 Televizion)

  • Gjendet një çantë me eksploziv në një stacion treni në Berlin, policia nis kërkimin e të dyshuarit

    Gjendet një çantë me eksploziv në një stacion treni në Berlin, policia nis kërkimin e të dyshuarit

    Policia gjermane është në kërkim të një burri që braktisi një çantë me eksploziv në një stacion treni në Berlin dhe u largua pasi u ndalua nga oficerët.

    Policia tha se kishte tentuar ta ndalonte burrin për një kontroll rutinë të identitetit në stacionin Neukölln në kryeqytetin gjerman.

    Por, ai u largua dhe la pas një çantë me eksplozivë.

    Bëhet e ditur se materiali shpërthyes u dërgua në një park aty pranë, ku ekspertët e shpërthyen.

    Raportohet se kërkimi po vazhdon, megjithëse policia tha se nuk kishte arritur ende të identifikonte të dyshuarin dhe se rrethanat pas incidentit ishin të paqarta.

    Sipas mediave lokale, çanta përmbante triperoksidin e triacetonit (TATP) shumë shpërthyes.

    Dirk Wiese, ligjvënës nga partia e qendrës së majtë SPD e kancelarit gjerman Olaf Scholz, tha se policia kishte qenë “në gjendje të pengonte një sulm”.

    “Kjo tregon qartë se sa i lartë është kërcënimi terrorist në vendin tonë”, tha Wiese./Euronews

  • ​Orav: Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit

    ​Orav: Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav thotë se Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se Asociacioni është një nga marrëveshjet e dialogut që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 dhe si i tillë duhet të zbatohet pa vonesa.

    Orav nënvizon se një gjë e tillë theksohet edhe në Raportin për Kosovën, derisa e quan të domosdoshme që Kosova dhe Serbia të bëjnë hapa drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023.

    “E vërtetë, nuk është vetëm raporti i këtij viti që merret me dialogun por edhe raporti i mëparshëm është marrë me dialogun, sepse fillimisht Serbia dhe Kosova janë pajtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe Bashkimi Evropian në mënyrë aktive po e lehtëson këtë proces. Kështu që ka shumë më tepër se çfarë duhet bërë, dhe kaq shumë nga këto detyrime janë në një marrëveshje reciproke të cilat duhet të zbatohen. Është absolutisht e qartë”, thotë ai.

    Duke folur për të ardhmen e dialogut, Orav thotë se dinamika e këtij procesi mbetet të shihet pas konstituimit të strukturave të reja në Bashkimin Evropian.

    “Është e vështirë për mua sepse dua të them se duhet të vazhdojmë, nëse do të jetë pak më ndryshe, apo një mënyre tjetër që nuk më takon mua ta them për momentin sepse unë jam thjesht ambasador këtu në Kosovë dhe nuk mund të jap këtë lloj mendimi për momentin, por Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Brukseli dhe përfaqësuesi i ri i lartë duhet të vendosin se si të vazhdojnë kur komisioni i ri të vijë, dhe shpresojmë se do të ndodhë më 1 dhjetor por mund të ndodhë edhe pak më vonë”, thekson Orav.

    Megjithatë, diplomati evropian, konsideron se Kosova e ka detyrim ligjor të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    “Gjatë këtyre viteve kur Kosova dhe Serbia po negociojnë në këtë proces të dialogut, janë arritur disa marrëveshje, dhe Asociacioni i shumicës serbe [komunave] është një nga marrëveshjet. Mendoj se vetëm një marrëveshje është ratifikuar nga parlamenti i Kosovës me shumicë dy të tretat e votave. Dhe është një detyrim ligjor për ta bërë atë, dhe për ta zbatuar atë, pra si në latinisht ‘Pacta sunt servanda’ [marrëveshjet duhet të respektohen], kështu që marrëveshjet duhet të respektohen dhe zbatohen”, shton ai.

    Duke përmendur Raportin e progresit për vendin, ambasadori Orav, thotë se Kosova ka pasur përparim të mirë në disa fusha.

    Ai thekson funksionimin e mirë të liberalizimit të vizave, linjëzimin e politikës së jashtme të Kosovës me Bashkimin Evropian, agjendën e reformave dhe zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA.

    “Mendoj se do të veçoja katër fusha, njëra është liberalizimi i vizave, më në fund u krye dhe u desh shumë kohë, por më në fund është aty dhe tani liberalizimi i vizave po funksionon shumë mirë. E dyta është ndjekja vullnetare nga Kosova e politikës, së jashtme dhe të sigurisë, së përbashkët të Bashkimit Evropian. Dua të them se mund të tingëllojë pak e mërzitshme, por për ta thënë më konkretisht, Kosova i është bashkuar Bashkimit Evropian në sanksionet e saj kundër Rusisë, kundër Bjellorusisë, dhe kjo është e jashtëzakonshme sepse Kosova po e bën këtë në baza vullnetare. Pastaj e treta është agjenda e reformave, kur presidentja Ursula Von Der Layen ishte këtu ajo theksoi gjithashtu se sa mirë ka punuar Kosova me agjendën reformatore, dhe unë mund ta përsëris atë. Dhe fusha e katërt është CEFTA, sepse tani Kosova po merr pjesë në punën e CEFTA-s, janë zhbllokuar 12 marrëveshje të rëndësishme për rajonin dhe mendoj se ky është një hap shumë i mirë për Kosovën por edhe për të gjitha vendet e tjera të rajonit drejt tregut të përbashkët”, thekson Orav.

    Duke folur për Raportin e Komisionit Evropian, Orav deklaron se Kosova ka bërë progres të kufizuar në reformën në drejtësi.

    “Nuk ka ngecje në këtë raport, por në disa raste, po, kemi përmendur se është bërë vetëm progres i kufizuar, por është prapë progres, por ende pak gjëra duhen bërë, dhe këtu mund të përmend ndoshta reformën në drejtësi kur ende ka pak gjëra që duhen bërë. Dhe gjithashtu liria e medias, në përgjithësi ka liri të medias, mjedisi mediatik është shumë pluralist, por më pas ka pikëpyetje për pronësinë, transparencën dhe financimin e medias, ku ende ka shumë për të bërë”, përfundon Orav.

  • Zelensky e shkarkon prokurorin e Përgjithshëm

    Zelensky e shkarkon prokurorin e Përgjithshëm

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, e ka shkarkuar edhe zyrtarisht prokurorin e Përgjithshëm, Andriy Kostin, pasi hetimet zbuluan se shumë zyrtarë qeveritarë dyshohet se e shmangën shërbimin ushtarak duke pretenduar rrejshëm se ishin me aftësi të kufizuara.

    Zelensky e nënshkroi të enjten dekretin për shkarkimin e tij, pasi Parlamenti i Ukrainës kishte votuar në favor të shkarkimit të Kostin dy ditë më parë.

    Kostin kishte thënë më herët se do të jepte dorëheqje për të marrë përgjegjësi politike, pas fillimit të hetimeve për korrupsion dhe për dyshimet se zyrtarët kishin shfrytëzuar hendeqe ligjore për ta shmangur thirrjen në ushtri.

    Hetimet rishtazi gjetën se disa prokurorë publikë në rajonin perëndimor të Ukrainës, Hmelnitski, kishin nxjerrë dokumente në mënyrë të parregullt si persona me aftësi të kufizuar. Kjo ua kishte mundësuar atyre të merrnin beneficione të veçanta nga shteti dhe ta shmangnin shërbimin në ushtri njëkohësisht.

    Ky skandal ka nxitur kritika të mëdha në vend dhe thirrje për hetime në gjithë vendin, në një kohë kur Ukraina po ka vështirësi t’i zmbrapsë forcat ruse, të cilat e nisën pushtimin e vendit në shkurt të vitit 2022.

    Pas njoftimit të Kostinit për dorëheqje, kryeministri ukrainas Denys Shmyhal njoftoi se kishte shkarkuar disa zyrtarë të lartë të përfshirë në këtë skandal.

    Çështja e thirrjes në ushtri është bërë e ndeshje në Ukrainë, pasi ushtria ukrainase po përballet me sfida të mëdha, sidomos me pakësim të numrit të trupave si pasojë e luftimeve.

    Rekrutuesit ushtarakë shfaqen shpesh nëpër ngjarje publike për të vëzhguar nëse është duke u zbatuar ligji kontrovers për mobilizim.

    Zelensky e ka pranuar vazhdimisht se ushtria ukrainase përballet me rrethana “shumë, shumë të vështira”./rel

  • Selmanaj: Gjetjet e Raportit të Progresit janë shqetësuese

    Selmanaj: Gjetjet e Raportit të Progresit janë shqetësuese

    Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka komentuar gjetjet e Raportit të Progresit të BE-së për Kosovën.

    Selmanaj tha se “të dhënat që janë aty janë më shumë se shqetësuese”.

    “Dhe njëra nga ato që përmendet më së shumti dhe unë kam përshtypjen që në raportet e kaluara nuk ka qenë, është centralizim te pushteti ekzekutiv i pothuajse të gjitha temave dhe çështjeve. Po ashtu edhe te reforma në gjyqësor dhe çfarë është më e dëmshme, te cenimi i lirisë së shprehjes”, tha deputeti.

    Sipas Selmanajt, Qeveria Kurti ka zgjedhur rrugën e izolimit dhe autoritarizmit. Megjithatë, Selmanaj vlerësoi se kjo logjikë qeverisëse do të marrë fund më 9 shkurt, data kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

    “Të vetmen rrugë që e ka zgjedhur kjo qeveri është izolimi, autoritarizmi dhe përpjekja për fundin e demokracisë, por kjo normalisht që nuk do të lejohet. Jemi të bindur që kjo nuk do të ndodh dhe kjo logjikë qeverisëse e tillë çfarë ka qenë për katër vite do të merr fund me 9 shkurt”, tha Selmanaj.

  • Kuvendi voton zëvendësimin e tre deputetëve në komisione parlamentare

    Kuvendi voton zëvendësimin e tre deputetëve në komisione parlamentare

    Kuvendi i Kosovës ka votuar Propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për zëvendësimin e deputetëve në komisione parlamentare, raporton Ekonomia Online.

    Ky propozim kaloi me 50 vota pro, dy kundër dhe nëntë abstenime.

    Zëvendësimi i ish-deputetëve të partisë në pushtet është bërë pas largimit të tre deputetëve, Eman Rrahmani, Visar Korenica dhe Drita Millaku.