ATV

Author: G.O.

  • Dështon propozimi i PDK-së për shkarkimin e bordit të RTK-së

    Dështon propozimi i PDK-së për shkarkimin e bordit të RTK-së

    Në mungesë kuorumi ka dështuar votimi i propozimit të PDK-së për shkarkimin e bordit të RTK-së.

    Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca ka konstatuar se nuk ka kuorum.

    “Konstatoj që kuvendi nuk i ka numrat për me ia dhënë një epilog kësaj çështje kështu që mbetet për një ditë tjetër”, ka thënë Konjufca.

    Gjashtë deputetë të PDK-së kanë propozuar shkarkimin e anëtarëve të bordit të RTK-së.

    Gjatë kësaj seance, në sallë nuk kanë qëndruar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa seancën e ka kryesuar Konjufca.

    ​Lekaj: Nuk është Radiotelevizioni i Kosovës, por Radiotelevizioni i Kurtit

  • Pas shumë muajsh punime, hapet ura e Kukësit

    Pas shumë muajsh punime, hapet ura e Kukësit

    Pas shumë muajsh punime është hapur ura e Kukësit. Kjo është bërë e ditur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Në llogarinë e tij në Facebook, Rama ka publikuar video me pamje të Urës së Kukësit, ndërsa ka thënë se kjo është një vepër mbresëlënëse.

    “Një vepër mbresëlënëse, e cila çliron përfundimisht qarkullimin e ngërçosur prej vitesh dhe i jep një përgjigje kuptimplotë të gjitha qyqeve që mbushën rrjetet sociale me vrer lajmesh të rreme, ndërkohë që po siguroheshin edhe akseset e komuniteteve përreth,” ka shkruar Rama në Facebook.

  • ​Lekaj: Nuk është Radiotelevizioni i Kosovës, por Radiotelevizioni i Kurtit

    ​Lekaj: Nuk është Radiotelevizioni i Kosovës, por Radiotelevizioni i Kurtit

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se që katër vjet “nuk është Radiotelevizioni i Kosovës, por Radio Televizioni i Kurtit. Ai theksoi se duhet të shkarkohet bordi i RTK-së dhe se sipas tij, asnjëherë transmetuesi publik nuk ka qenë më i kontrolluar.

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se partia në pushtet shkarkoi padrejtësisht bordin e RTK-së në vitin 2021.

    “Kurrë RTK-ja nuk ka qenë më e dobët. Po ju rikujtojmë që kurrë RTK-ja nuk ka qenë më e kontrolluar nga politika dhe Lëvizja Vetëvendosje. Po ju rikujtojmë që kurrë raportet e auditimit se kanë nxjerr më keq RTK-në se në qeverinë Kurti. Po ju rikujtojmë që kurrë punëtorët e RTK-së s’kanë qenë më të nëpërkëmbur e pa të drejtat e tyre. Po ju rikujtojmë që kurrë gratë punëtore të RTK-së s’kanë pasur më shumë presion, gjuhë kërcënuese dhe seksiste. Po ju rikujtojmë që RTK-ja nuk po punon me program të vet por me program të Lëvizjes Vetëvendosje… Po ju rikujtojmë që RTK është televizioni i propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk është i qytetarëve të Kosovës. Po ju rikujtojmë që katër vjet nuk është Radioteleviozioni i Kosovës por është Radiotelevizioni i Kurtit ”, tha Lekaj.

  • Disa pije që pastrojnë mëlçinë ndërsa jeni në gjumë

    Disa pije që pastrojnë mëlçinë ndërsa jeni në gjumë

    Mëlçia është një nga organet më të mëdha në organizëm.

    Ajo ndihmon në eliminimin e mbetjeve të ndryshme nga organizmi dhe përpunimin e ushqyesve dhe medikamenteve.

    Konsumi i tepërt i alkoolit dhe ushqimeve jo të shëndetshme mund të shkaktojë një barrë të rëndë në mëlçi dhe herë pas here, njeriu duhet të kryejë disa kura natyrale për pastrimin e saj.

    Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni si të shfrytëzoni disa pije të caktuara, të cilat mund t’i pini në mbrëmje, për të pastruar mëlçinë nga toksinat.

    Këto pije ju ndihmojnë edhe të digjni yndyrat dhe depozitat dhjamore.

    Pijet më të mira për pastrimin e mëlçisë
    Në mjekësinë popullore kineze besohet se mëlçia funksionon më mirë nga ora një deri në tre të mëngjesit, kur trupi pushon.

    Çaji i kamomilit
    Ky çaj përmban shumë antioksidantë dhe ka aftësi qetësuese.

    Ai përmirëson cilësinë e gjumit, zbut nervat dhe largon stresin.

    Antioksidantët tek kamomili luftojnë inflamacionin që i kanoset organeve dhe i pastrojnë ato nga toksinat.

    Çaji i kamomilit i ëmbëlsuar me pak mjaltë duhet pirë çdo mbrëmje për dy javë me rradhë.

    Ujë i ngrohtë me limon
    Kjo pije mund të pihet në mëngjes por edhe në mbrëmje.

    Nëse zgjidhni ta pini në mbrëmje, kjo pije do ju ndihmojë të pastroni mëlçinë dhe të eliminoni toksinat e mbetjet e ndryshme ushqimore.

    Ekspertët thonë që gjysmë ore përpara gjumit duhet të pini 200 ml ujë të ngrohtë të përzier me lëngun e një limoni.

    Kura duhet konsumuar për 21 ditë me radhë.

    Çaj xhenxhefili me limon
    Xhenxhefili me limon janë të mrekullueshëm jo vetëm për rënien nga pesha por edhe përmirësimin e shëndetit.

    Ato ofrojnë shumë vitaminë C dhe antioksidantë të cilët luftojnë shumë sëmundje.

    Xhenxhefili dhe limon luftojnë inflamacionin dhe eliminojnë toksinat nga mëlçia.

    Çaji i xhenxhefilit dhe limonit duhet pirë tre herë në javë.

    Për këtë çaj, ju nevojiten 250 ml ujë, një fetë xhenxhefili dhe lëngu i një gjysmë limoni.

    Çaji i nenexhikut
    Ky çaj është i shkëlqyer për stomakun dhe ndihmon tretjen.

    Vajrat esencialë të nenexhikut eliminojnë toksinat në mëlçi dhe në zorrën e trashë.

    Për këtë çaj ju nevojiten dy lugë gjelle me nenexhik dhe 250 ml ujë.

    Këtë kurë duhet ta konsumoni shpesh jo vetëm për pastrimin e mëlçisë por edhe për qetësim./AgroWeb.org

  • Selena shpërthen ndaj komentuesve, thotë se vuan nga një sindromë

    Selena shpërthen ndaj komentuesve, thotë se vuan nga një sindromë

    Këngëtarja e aktorja Selena Gomez dhe kolegu i saj David Henrie ishin në promovimin e komedisë Disney Wizards of Waverly Place në Los Angeles.

    Selena erdhi në event e veshur me një fustan të kuq të ngushtë dhe më pas ndjekësit i komentuan se dukej si të ishte shtatzënë, megjithëse më parë ajo kishte deklaruar se nuk mund të lind kurrë, transmeton Indeksonline.

    Selena iu përgjigj atyre dhe tha se vuan nga rritja e baktereve të zorrët (SIBO).

    “Kjo më bën të sëmurë. Unë kam SIBO në zorrën e hollë. Nuk më intereson sesi dukem. Nuk kam një trup të tonifikuar dhe ky është fundi i historisë. Dhe jo, nuk jam viktimë, jam thjesht njëri”, ka shkruar Selena.

    SIBO është një sindromë e karakterizuar nga numri i tepërt i baktereve në zorrën e hollë.

     

  • Izraeli thotë se ka vrarë një komandant të Hezbollahut në Liban

    Izraeli thotë se ka vrarë një komandant të Hezbollahut në Liban

    Ushtria izraelite tha më 4 nëntor se ka vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

    Izraeli e kishte akuzuar atë se kishte mbikëqyrur sulmet ajrore dhe me raketa kundërtanke ndaj forcave izraelite në jug të Libanit.

    Abu Ali Rida, komandant i Hezbollahut në zonën Baraçi në jug të Libanit, u “eliminua” gjatë një sulmi ajror, tha ushtria izraelite, pa dhënë më shumë detaje.

    Rida “ishte përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve ajrore dhe me raketa kundërtanke ndaj ushtrisë izraelite dhe kishte mbikëqyrur aktivitetet terroriste të operativëve të Hezbollahut në këtë zonë”, tha Izraeli përmes një njoftimi.

    Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj caqeve të Hezbollahut në Liban, që kur u intensifikuan luftimet mes palëve në fund të shtatorit. Në tetor, Izraeli madje nisi një ofensivë tokësore në jug të Libanit.

    Në javët e fundit, Izraeli ka vrarë disa komandantë të Hezbollahut, që është grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka në listë të zezë vetëm krahun ushtarak, por jo edhe partinë politike të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

    Në mesin e udhëheqësve të vrarë nga Izraeli ishte edhe lideri paraprak i grupit, Hassan Nasrallahu.

    Përleshjet mes Izraelit dhe Hezbollahut nisën në tetorin e vitit të kaluar, kur nisi edhe lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja./REL/

  • Irina Shayk tërheq vëmendjen me fustanin e saj të tejdukshëm në Milano

    Irina Shayk tërheq vëmendjen me fustanin e saj të tejdukshëm në Milano

    Irina Shayk mahniti me paraqitjen e saj mahnitëse në një event të markës vegane të bukurisë në Milano, duke e veshur një minifustan argjendtë pa sytjena.

    Supermodelja 38-vjeçare u shfaq në prezantimin e linjës së re të produktit D’Alba Piedmont në Palazzo Viscon.

    Fustani i saj nudo me xhaketë të tejdukshme ishte i mbuluar me rreshta bizhuterish argjendi, duke e bërë atë të duket sensacionale, shkruan DailyMail.

    Irina e kombinonte fustanin me një pulovër të zezë me kapuç dhe taka nudo me rripa.

    Flokët e saj të errët ishin të lëshuara dhe stilizuar pas shpinës, duke theksuar vathët e saj me diamante.

    Para kësaj, ajo bëri bujë me kostumin e saj të Halloween-it si Lara Croft në New York, duke mbajtur një pinata me Jack Skellington.

    Irina po shijonin festat e frikshme, ndërsa ajo shfaqi një pamje të guximshme me një bluzë të zezë dhe pantallona të shkurta, duke e kompletuar me çizme të larta. /Telegrafi/

  • Pesë llojet më të mira të mjaltit dhe përfitimet e tyre shëndetësore

    Pesë llojet më të mira të mjaltit dhe përfitimet e tyre shëndetësore

    Këto janë llojet e mjaltit që mbrojnë mushkëritë dhe zemrën dhe që mund të ndihmojë me aneminë

    Ilaç i ëmbël, nektar i perëndive, flori i lëngshëm… Këto janë vetëm disa nga epitetet që e zbukurojnë madhështinë e tij – mjalti.

    Disa e duan në formën e tij origjinale, disa në ëmbëlsira, disa e përdorin për zbukurim dhe kujdes, por të gjithë janë dakord se është jashtëzakonisht i shëndetshëm.

    Përdorimi i rregullt i mjaltit dhe i produkteve të tjera të bletëve përmirëson shëndetin dhe vitalitetin e organizmit, si dhe rrit rezistencën e tij ndaj shumë sëmundjeve infektive dhe të tjera, gjë që është veçanërisht e rëndësishme në periudhën kur viruset fillojnë të përhapen.

    Përmban shumë vitamina dhe minerale, duke përfshirë vitaminën B6, kalcium, bakër, hekur, mangan, magnez, fosfor, kalium, riboflavin, natrium, zink, transmeton Telegrafi.

    Po ju prezantojmë pesë llojet më të mira të mjaltit dhe përfitimet e tyre shëndetësore.

    Mjalti i akacies – është i përshtatshëm për pacientët me çrregullime të tretjes dhe ka një efekt qetësues në të gjithë trupin. Mund ta hanë edhe fëmijët deri në tre vjeç.

    Mjalti i livadhit – përmban më shumë vajra esencialë dhe rekomandohet veçanërisht për pacientët me sëmundje të zemrës, si dhe mund të ndihmojë në sëmundjet e frymëmarrjes.

    Mjalti i blirit – ka efekt antiseptik dhe përdoret për gripin dhe bronkitin dhe sëmundje të tjera të frymëmarrjes. Është mirë të konsumohet së bashku me çaj bimor.

    Mjalti i pyllit – përmban 13 herë më shumë minerale se mjalti i luleve. Është veçanërisht i pasur me hekur, ndaj rekomandohet veçanërisht për personat anemikë.

    Mjalti i luleradhiqes – Mjalti i luleradhiqes i bërë në shtëpi konsiderohet gjithashtu një ilaç natyral për kollën në rast të ftohjes, pasi qetëson një kollë të thatë dhe intensive. Është një “pastrues” i shkëlqyer i organizmit nga toksinat, e sidomos i mushkërive nga nikotina.

    Mënyra më e mirë për të përdorur mjaltin:

    Shpërndani mjaltin në ujë, lëng frutash, çaj ose qumësht, pasi kjo do të maksimizojë vetitë e tij kuruese.

    Temperatura e lëngut nuk duhet të jetë më e lartë se 37 gradë Celsius. Përndryshe, mjalti humbet vetitë e tij antimikrobike. Në kontakt me metalin, enzimat në mjaltë dëmtohen, kështu që ai duhet të fshihet gjithmonë me një lugë druri ose plastike. Nuk është mirë që mjalti të gëlltitet menjëherë, por duhet mbajtur në gojë për dy deri në tre minuta, me “rrëshqitje” të vazhdueshme.

    Mënyra më e keqe për të marrë mjaltë është ta gëlltisni dhe më pas të hidhni ujë mbi të. Mjalti, shpjegojnë ekspertët, ka një peshë specifike të lartë, ndaj bie në fund të stomakut, është higroskopik, largon ujin nga mukoza dhe e dëmton atë. Me këtë metodë të marrjes, ne marrim kalori vetëm nga sheqernat e pranishme dhe asgjë më shumë.

    Bletarët thonë se të gjithë duhet të ndjekin rregullin: “asnjë ditë pa mjaltë”.

    Vitet e fundit është zhvilluar një disiplinë e re shkencore – apiterapia, e cila përfshin përdorimin e produkteve të bletëve – mjaltë, polen, propolis, pelte mbretërore, helm blete dhe dyllë për qëllime parandaluese dhe terapeutike. /Telegrafi/

  • Turqia shkarkon tre kryetarë kurdë

    Turqia shkarkon tre kryetarë kurdë

    Turqia ka shkarkuar tre kryetarë në rajonin juglindor me shumicë kurde, të cilët i akuzon për terrorizëm.

    Kryetarët e qyteteve Mardin, Batman dhe Halfeti u shkarkuan nga pozitat e tyre dhe u zëvendësuan me njerëz të besuar, tha Ministria e Brendshme turke.

    Të tre kryetarët janë pjesë e DEM, partia kryesore prokurde, të cilët ishin zgjedhur në zgjedhjet lokale të marsit, kur kandidatët opozitarë fituan në disa qyteza dhe qytete, përfshirë në Stamboll.

    Ahmet Turk, 82 vjeç, ishte kryetar i Mardinit, ndërkaq Gulistan Sonuk shërbente si kreu i Batmanit dhe Mehmet Karayilan ishte kryetar në Halfeti.

    Përmes një njoftimi, Ministria e Brendshme paraqiti akuza të forta kundër tyre, përfshirë akuzën se ishin anëtarë të një grupi të armatosur e deri tek akuza se përhapnin propagandë për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), që është e ndaluar në Turqi.

    Që nga viti 1984, PPK-ja zhvillon kryengritje kundër shtetit turk, kryengritje që ka lënë të vrarë mijëra persona, teksa PPK-ja është futur në listë të zezë edhe nga aleatët perëndimorë të Turqisë.

    Kurdët përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë në Turqi.

    Partia DEM dënoi largimin e kryetarëve, duke e cilësuar si “sulm të madh ndaj të drejtave të popullit kurdë për të votuar dhe për të zgjedhur”.

    “Qeveria e ka bërë shprehu që të marrë atë që nuk mund ta fitojë përmes zgjedhjeve, duke përdorur gjyqësorin, policinë dhe sistemin e personave të saj të besuar”, tha kjo parti përmes një deklarate të publikuar në X.

    Ahmet Turk, një politikan i njohur kurd që ishte shkarkuar edhe dy herë më parë, në maj u dënua me 10 vjet burgim nën akuzat se ishte anëtar i PPK-së dhe nën pretendimin se ishte përfshirë në një seri të protestave vdekjeprurëse më 2014.

    Atëbotë, partia HDP – tani DEM – kishte bërë thirrje për protesta pas dështimit të Ankarasë për të dërguar trupa për të mbrojtur Kobanen, një qytet kurd në verilindje të Sirisë, që ishte marrë nga grupi ekstremist, Shteti Islamik.

    Përmes një postimi në X, Turk tha se nuk do të dorëzohet.

    “Ne nuk do të zmbrapsemi nga lufta për demokraci, paqe dhe liri”, tha ai.

    Shkarkimi i tre kryetarëve vjen disa ditë pasi një kryetar tjetër i partisë kryesore opozitare, Partisë Popullore Republikane, u arrestua nën dyshimet se ka lidhje me PPK-në dhe u zëvendësua me një të besuar të Ankarasë.

    Si Partia Popullore Republikane, ashtu edhe DEM, e dënuan arrestimin e kryetarit të një qarku të Stambollit, duke e cilësuar si të motivuar politikisht.

    Gjatë viteve të fundit, Qeveria turke ka shkarkuar dhjetëra kryetarë kurdë në juglindje dhe i ka zëvendësuar me njerëzit e saj të besuar./REL

  • Baerbock në Kiev, premton vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën

    Baerbock në Kiev, premton vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën

    Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, është zotuar se aleatët perëndimorë do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, teksa nisi vizitën e tetë në Kiev, që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj më 2022.

    Kjo vizitë më 4 nëntor po zhvillohet një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve amerikane, rezultati i të cilave është kritik për Ukrainën.

    “Gjermania, së bashku me partnerët në mbarë botën, qëndron fort në anën e Ukrainës”, tha Baerbock përmes një deklarate, teksa lufta në Ukrainë është duke shkuar drejt vitit të katërt.

    “Ne do të mbështesim popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që ata të shkojnë drejt rrugës së një paqeje të drejtë”, shtoi kryediplomatja gjermane.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. Në garën presidenciale amerikane janë nënpresidentja demokrate, Kamala Harris, që ka premtuar vazhdimin e mbështetjes së Ukrainës, dhe ish-presidenti republikan, Donald Trump, i cili ka përmendur një zgjidhje të shpejtë për luftën.

    Baerbock përmendi rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës së energjisë së Ukrainës nga shkatërrimi gjatë sezonit të dimrit.

    Ajo tha se Gjermania do të ndihmojë në luftimin e fushatës “brutale” të Rusisë, në mënyrë që “ukrainasit jo vetëm të mbijetojnë gjatë dimrit, por edhe shteti i tyre të mund të mbijetojë”.

    Gjermania, mbështetësja e dytë më e madhe e Ukrainës pas SHBA-së, ka dhënë 170 milionë euro ndihmë emergjente për të ndihmuar vendin që të mund t’ia dalë gjatë dimrit.

    Për një kohë të gjatë, Ukraina i ka kërkuar Gjermanisë që t’i japë raketat me rreze të gjatë veprimi, Taurus, por kancelari Olaf Scholz, ka refuzuar që të plotësojë këtë kërkesë të Kievit, nga frika se konflikti mund të përshkallëzohet dhe zgjerohet.

    Scholz po ashtu ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të menjëhershëm në NATO. Një kërkesë e tillë është bërë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa ai ua ka prezantuar “Planin e Fitores” aleatëve të tij perëndimorë. /REL/