ATV

Author: G.O.

  • Aksident mes dy veturave në Prishtinë, lëndohen gjashtë persona

    Aksident mes dy veturave në Prishtinë, lëndohen gjashtë persona

    Gjashtë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot në mëngjes mes dy automjeteve në kryeqytet.

    Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:00.

    “Sot rreth orës 04:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Dëshmorët e kombit në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona. Me rastin po merret njësiti i trafikut rrugor”, ka thënë Ahmeti për Ekonomia Online.

  • Arsyet përse njeriu plaket më shpejt në dimër – Çfarë duhet të bëni

    Arsyet përse njeriu plaket më shpejt në dimër – Çfarë duhet të bëni

    Plakja dhe moti i ftohtë janë një kombinim jo dhe aq i mirë.

    Temperaturat e ulëta lënë gjurmë në shëndet dhe zmadhojnë shenjat fillestare të plakjes.

    Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për 8 arsyet përse njeriu plaket më shpejt në dimër.

    Mungesa e lagështisë në ajër
    I ftohti dhe thatësia e ajrit nuk janë miqësore me lëkurën.

    Dimri arrin të prishë ekuilibrat e lëkurës duke shkaktuar skuqje dhe ndjeshmëri të lartë të saj.

    Kjo e fundit e bën lëkurën më të brishtë dhe rrit predispozitat për një plakje të parakohshme të saj.

    Nga ana tjetër, përdorimi i tepërt i kondicionerit përthan lëkurën dhe flokët duke shkatërruar paraqitjen e tyre rinore.

    Stresi
    Për fat të keq, festat dhe pushimet e fundvitit rritin nivelet e stresit.

    Nivelet e larta të hormonit të stresit, kortizolit, janë të ashpra me lëkurën dhe e plakin atë përpara kohe.

    Dermatologët rekomandojnë më shumë kohë në kushtet e shtëpisë për t’i dhënë lëkurës mundësinë e rimëkëmbjes.

    Kremi kundër diellit
    Lëkura duhet mbrojtur me krem kundër diellit edhe gjatë dimrit kur qiejt janë plot me re.

    Rrezet UVA nuk e humbasin intensitetin e tyre gjatë dimrit dhe janë përgjegjëse për shumë dëmtime të thella në nivel qelizor.

    Dermatologët thonë se kremi kundër diellit duhet vendosur edhe gjatë dimrit.

    Përkujdesja
    Përkujdesja ndaj lëkurës duhet të jetë e ndryshme në verë dhe në dimër.

    Në verë, duhet të tregoni kujdes ndaj nxehtësisë dhe lagështisë.

    Në dimër, duhet të përdorni kremëra me aftësi të madhe hidratuese dhe me përmbajtje të lartë të acidit hyaluronik.

    Dushi i nxehtë
    Dushi me ujë të nxehtë e përthan ndjeshëm lëkurën dhe e zhvesh atë nga vajrat natyralë.

    Uji që përdoret për lëkurën e fytyrës duhet të jetë i ngrohtë dhe kontakti me të nuk duhet të zgjasë më shumë se 20 minuta.

    Menjëherë pas banjës duhet ta lyeni lëkurën me një krem ushqyes.

    Sa i përket pastrimit, dermatologët rekomandojnë përdorimin e solucioneve vajore për pastrimin që nuk e përthajnë lëkurën.

    Ushqimet e gabuara
    Pasojat dhe përfitimet e çdo regjimi ushqimor ndihen që në fillim në lëkurë.

    Dermatologët thonë se konsumi i frutave, perimeve dhe erëzave duhet të jetë më i lartë në dimër.

    Mungesa e diellit
    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, gjatë dimrit, niveli i vitaminës D dhe K bie.

    Në këtë mënyrë, dalin në pah rrathët e zinj të syve dhe lëkura zbehet.

    Mungesa e aktivitetit fizik
    Aktiviteti fizik nuk duhet të mungojë në dimër sepse mungesa e tij ndikon tek humori, pesha dhe inflamacioni në trup.

  • Rusia sulmon Kievin dhe Harkivin

    Rusia sulmon Kievin dhe Harkivin

    Kievi ishte subjekt i dy valëve të sulmeve me dronë në orët e para të 5 nëntorit, tha kryetari i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitscho. Ai shtoi se sistemet e mbrojtjes ajrore në Kiev po punojnë për të zmbrapsur sulmin e dytë në qarkun Obolonski, në verilindje, pasi qarku Holosvivski në jug një ditë më parë u godit po ashtu nga dronët rusë.

    Përmes një postimi në Telegram, Klitschko u bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë në strehimore, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, dy gra u plagosën nga granatimet ruse më 5 nëntor, tha kryetari Ihor Terekhov.

    Në javët e fundit, Kievi dhe Harkivi kanë qenë cak i sulmeve ajrore ruse pothuajse përditë, teksa Ukraina po përgatitet për dimrin e tretë që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj.

    Forcat ajrore ukrainas, ndaras, thanë se kanë rrëzuar 48 nga 79 dronët e lëshuar nga Rusia ndaj rajoneve ukrainase.

    Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka shkatërruar gjashtë dronë rusë mbi rajonin e Brijanskut./REL

  • Katër vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, deputetët besojnë në drejtësi “edhe pse ka çaluar procesi”

    Katër vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, deputetët besojnë në drejtësi “edhe pse ka çaluar procesi”

    Sot mbushen katër vjet që kur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi janë dërguar në paraburgim në Hagë.

    Deputetët shprehin optimizëm se Gjykata Speciale do t’i shpallë ata të pafajshëm.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka deklaruar se beson në drejtësinë dhe se katër krerët e UÇK-së do të dalin nga kjo gjykatë të pafajshëm.

    Sipas tij, lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, luftë çlirimtare, dhe jo një luftë okupues në drejtim të Serbisë.

    “Ne besojmë dhe shpresojmë që do të dalin të pafajshëm, lufta e UÇK-së ka qenë lufta çlirimtare dhe më e pastër e një ushtrie vullnetare dhe çlirimtare, prandaj ne besojmë thellë që lufta e UÇK-së që do të dëshmohet që ka qenë e pastër dhe është e pastër në realitet ne mendojmë që edhe krerët e UÇK-së që po përballen me këtë proces gjyqësor më në fund do të dalin të pafajshëm dhe do ta fitojnë lirinë e tyre e cila e tashmë po bëhet katër vite, një periudhë mjaftë e gjatë kohore e cila sigurisht i godet ata edhe familjet e tyre. Ne besojmë në drejtësi dhe duhet të besojmë gjithmonë në të, prandaj shpresojmë që do të dalin të pafajshëm”, ka thënë Dugolli për EO.

    Tutje, Dugolli ka theksuar se krahas pretendimeve për krime lufte nga UÇK-ja, duhet të hapet akuzë për krime të Serbisë ndaj Kosovës.

    “Nëse e krahasojmë akuzën apo pretendimet e akuzës për të cilat ata veçse po mbahet atje dhe bëjmë një analizë se çka është ndërmarrë deri tani ndaj krimeve që ka ushtruar Serbia ndaj shqiptarëve, ndaj popullatës civile ndaj njerëzve të pafajshëm dhe bëjmë një krahasim se çka është bërë për të hedhur dritë në errësirë. Del që bilanci është tejet negativ ndaj shqiptarëve për shkak se shqiptarët kanë bërë luftë çlirimtare dhe nuk kanë bërë luftë okupuese dhe në këtë drejtim mund të them se drejtësia ka çaluar dhe po çalon. Sepse nëse do të duhej të hapet një hetim apo një akuzë të bëjnë ndaj shqiptarëve më së paku 10 do të duhej që të bëhet kundër Serbisë, të cilët kanë ushtruar terror dhe gjenocid ndaj popullatës civile. Besoj shumë në drejtësi dhe do të triumfoj do të lirohen dhe do të shpallen të pafajshëm”, ka theksuar ai.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha për Ekonomia Online, ka deklaruar se beson se drejtësia është në favorin e UÇK-së.

    Berisha ka thënë se që nga fillimi i kësaj gjykate nuk ka pasur bazë për ngritje të aktakuzave.

    “Mbetem fanatik i qëndrimit se besojmë në drejtësi dhe besojmë që do të vendoset drejtësi dhe do të jetë në favor të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes liderëve të saj që sot qëndrojnë në Hagë. Që nga fillimi i kësaj gjykate ka provuar se nuk pasur bazë për ngritje të aktakuzave bazuar në dokumentin të cilin e ka shkaktuar formimin e saj që është raporti i Dick Martyt i miratuar në Këshillin e Evropës. Zgjerimi i periudhës hetimore deri në dhjetor 2000 është një shkelje dhe një veprim i pa ndershëm i cili ka kaluar në votim edhe në këtë legjislaturë të kësaj mazhorance sepse UÇK e ka kryer misionin e saj në qershor të vitit 1999 dhe është shpërbërë përmes një procesit të atëhershëm”, ka deklaruar Berisha.

    “Nuk bartë përgjegjësi UÇK për veprat dhe krimet e kryera pas kësaj periudhe të Çilat duhet të hetohen dhe të zbardhen dhe njerëzit duhet të marrin dënimin që e meritojnë”, shtoi ai.

    Ndërsa për vazhdimin tutje të kësaj gjykate, Berisha ritheksoi se është marrë një drejtim tjetër e jo e vendosjes së drejtësisë, por të bërjes politikë.

    “Vazhdimi tutje i kësaj gjykate dhe funksionimit të saj me përcjellësin e hetimit të dëshmitarit e të tjerëve që nga prokurori i parë e të tjerët kanë dëshmuar që kjo gjykatë ka marrë një drejtim tjetër jo të vendosjes së drejtësisë, por të bërjes politikë në raport me vlerat që qëndrojnë në themelet e rinisë, pavarësisë, shtetit dhe institucioneve të Kosovës, pra funksionalizmin e tij. Dhe që shkon çdoherë ndesh me opinione të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të drejtën në Kosovë dhe pacenueshmërinë e të drejtës ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë”, ka thënë Berisha.

    Sipas tij, janë demantuar të gjithë dëshmitarët, për ta paraqitur UÇK-në si ndërmarrje kriminale.

    “Kanë demantuar të gjithë dëshmitarët e prokurorisë nën pretendimin e tyre për krime që kanë qenë nivele banale duke pretenduar që në emër të gjendjes afektive në periudha lufte, ta paraqesin UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale, që gjoja paska kryer dhe vepra makabre të trafikimeve të organeve e të tjera. Diçka që nuk ka kuptim e pa mundshme pra një ushtri që ka lindur nga populli dhe nga dhuna e presioni i regjimit të Millosheviqit. Besoj në drejtësi dhe ky katër vjetor nuk do të shkoj tutje duke u bazuar edhe zhvillimet politike në ShBA dhe në ardhjen në pushtet të partive që mbrojnë vlerat konservatore dhe popujt që luftojnë për lirinë dhe mbrojtjen e identitetit vet kombëtar”, përfundoi Berisha.

    Krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

  • Presidentja Osmani merr pjesë në lansimin e raportit të UNICEF-it rreth ndikimeve klimatike te fëmijët

    Presidentja Osmani merr pjesë në lansimin e raportit të UNICEF-it rreth ndikimeve klimatike te fëmijët

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot merr pjesë në lansimin e një raporti të UNICEF-it, raporton Ekonomia Online.

    Sipas njoftimit për media, raporti është analizë mbi gjendjen klimatike për fëmijët (CLAC), i cili hedh dritë mbi mënyrën se si ndryshimet klimatike, sfidat mjedisore dhe energjetike ndikojnë në të drejtat e fëmijëve.

    Ngjarja pritet të filloj nga ora 11:00 në Fakultetin e Arkitekturës në Prishtinë.

     

  • Vazhdon dëshminë Shukri Buja në Hagë

    Vazhdon dëshminë Shukri Buja në Hagë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në seancën e sotme vazhdon dëshminë e tij, Shukri Buja.

    Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Shukri Buja, gjatë dëshmisë së tij të hënën në Hagë, ka theksuar se në kohën kur shkoi për të organizuar njësitet e UÇK-së në vendin e tij të lindjes nuk e kanë ditur se kush është në Shtabin e Përgjithshëm dhe se nuk kanë marrë urdhra nga ata.

    Bujës ndërë të tjera iu prezantua një fragment i deklaratës së dëshmitarit në çështjen kundër Fatmir Limajt në vitin 2005, ku thoshte se dëshmitari ishte vendosur në Komunën e Shtimes për të organizuar njësitin për Shtimen dhe Lipjanin, Agim Bajrami e ka pasur përgjegjësinë të organizojë njësitet në Kaçanik. Ndërsa, për Limajn kishte thënë se e ka pasur përgjegjësinë për organizimin e njësitit në Malishevë.

    Sipas prokurorit James Pace, dëshmitari Buja kishte thënë se “urdhrat për njësitet guerile jepeshin nga Shtabi i Përgjithshëm”.

    “Po, është e saktë. Unë e kam sqaruar. Ne i kemi pritur urdhrat nga Shtabi i Përgjithshëm por kush është Shtabi i Përgjithshëm nuk e kemi ditur dhe nuk na është dhënë ndonjë urdhër në atë kohë nga Shtabi i Përgjithshëm”, ka deklaruar Buja.

    Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një deklaratë që pretendohet se ai e ka dhënë në vitin 2003 në ish-Tribunalin e Hagës.

  • Amerika zgjedh sot një president të ri: Ja kur duhet të dihen rezultatet e para

    Amerika zgjedh sot një president të ri: Ja kur duhet të dihen rezultatet e para

    Sot në ShBA mbahen zgjedhjet presidenciale dhe amerikanët do të zgjedhin mes Kamala Harris dhe Donald Trump. Një numër i madh njerëzish tashmë kanë votuar, por mazhoranca do të votojë sot më 5 nëntor.

    Meqenëse ka katër zona kohore në SHBA, rezultatet jozyrtare mund të priten në kohë të ndryshme.

    Rezultatet e para, ose exit poll-et, mund t’i presim në mesnatë me kohën e Bosnje dhe Hercegovinës, dhe ato do të mbërrijnë nga disa pjesë të shteteve të Kentakit dhe Indianës. Të dy shtetet pritet të votojnë për Donald Trump.

    Një orë më vonë, gjashtë shtete mbyllin qendrat e votimit, duke përfshirë shtetin “swing” të Gjeorgjisë. Përveç kësaj, do të ketë rezultate të plota të sondazheve në Karolinën e Jugut, Vermont, Virxhinia, Kentaki dhe Indiana.

    Në orën 1:30 të mëngjesit ET, qendrat e votimit mbyllen në Karolinën e Veriut, Ohajo dhe Virxhinia Perëndimore.

    Gjysmë ore më vonë, pra në orën 2 të mëngjesit sipas kohës BH, rezultatet publikohen në 21 shtete federale dhe në disa pjesë të tjera.

    Këto janë shtetet e Alabama, Connecticut, Delaware, Florida, Illinois, Kansas, Maine, Maryland, Massachusetts, Mississippi, Missouri, New Hampshire, New Jersey, North Dakota, Oklahoma, Pennsylvania, Rhode Island, South Dakota, Tennessee dhe Texas.

    Në orën 2:30 të mëngjesit mbërrijnë rezultatet e exit poll-eve nga Arkansas dhe në orën 3:00 të mëngjesit me kohën tonë, një grup më i madh shtetesh mbyllin sërish qendrat e votimit. Këto janë Arizona, Kolorado, Iowa, Kansas, Louisana, Michigan, Minesota, Nebraska, New Mexico, Nju Jorku, Dakota e Jugut dhe e Veriut, Wisconsin dhe Wyoming.

    Në orën 16 mbërrijnë rezultatet e exit poll-eve nga shtetet e Idaho, Nevada, Montana, Oregon dhe Utah, ndërsa në orën 5 mund të presim rezultatet e para nga Kalifornia dhe Uashingtoni.

    Më në fund, në orën 5 do të mbërrijnë rezultatet e para nga Alaska dhe Hawaii, ndërsa në orën 6 të mëngjesit do të arrijnë rezultatet përfundimtare të exit poll-eve nga Alaska, pas mbylljes së qendrave të fundit të votimit në këtë shtet federal.

    Megjithatë, vini re se të gjitha këto janë rezultate jozyrtare dhe paraprake që publikohen kryesisht nga media dhe se rezultatet e plota ndoshta do të zgjasin deri në disa ditë.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot me diell gjatë ditës, ndërsa orët e mëngjesit do të jenë me acar, ku pritet lokalisht të ketë brymë dhe mjegull në ultësira.

    Era do fryjë kryesisht nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi prej 6-23 km/h, njofton Meteo Kosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej -2 deri në 1°C, ndërsa ato maksimale prej 12 deri në 15°C.

  • ShBA shtoi kritikat ndaj Izraelit, sekretari i Shtetit kërkon veprime të mëtejshme

    ShBA shtoi kritikat ndaj Izraelit, sekretari i Shtetit kërkon veprime të mëtejshme

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken foli me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant të hënën dhe kërkoi veprime të mëtejshme për të rritur ndjeshëm ndihmën humanitare në Rripin e Gazës.

    Kështu tha Departamenti i Shtetit përmes një deklarate.

    “Sekretari i Shtetit rishikoi veprimet që Izraeli ka ndërmarrë deri më sot dhe kërkoi veprime të mëtejshme për të rritur dhe mbështetur ndjeshëm ndihmën humanitare, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe furnizimet e tjera thelbësore, për civilët në të gjithë Gazën”.

    Administrata e presidentit Biden po shton kritikat ndaj Izraelit për mungesë të veprimeve të mjaftueshme për të përmirësuar kushtet humanitare në Rripin e Gazës, ndërsa zyrtarët izraelitë i afrohen një afati 30-ditor për të përmbushur disa kërkesa të Uashingtonit ose të rrezikojnë kufizime të mundshme të ndihmës ushtarake.

    Gjithashtu, administrata Biden po dënon dhunën e fundit kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor nga kolonët ekstremistë hebrenj dhe po bën thirrje që përgjegjësit e këtyre veprimeve të sillen para drejtësisë.

  • Kurti në Forumin Ekonomik, kërkon që Serbia t’i lehtësojë procedurat e transitit

    Kurti në Forumin Ekonomik, kërkon që Serbia t’i lehtësojë procedurat e transitit

    Në Forumin Ekonomik të Vjenës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia duhet të lehtësojë procedurat e hyrjes së të huajve kah territori i saj në Kosovë, pasi sipas tij, kjo do të ndikonte në zhvillimin ekonomik dhe në rregullimin e raporteve fqinjësore.

    Të hënën, Kurti ka thënë se kushdo që futet në Kosovë si hyrje të parë, nuk mund të udhëtojë më pas kah Serbia pa shkuar në Maqedoni të Veriut “pasi për Beogradin hyrja në Kosovë fillimisht nënkupton hyrje të paligjshme”.

    “Fqinji ynë verior, Serbia duhet t’i lejojë të huajt, destinacioni i të cilëve është Kosova, që më pas të mund të shkojnë në Serbi. Fatkeqësisht, kushdo që vjen nga Austria në Kosovë si hyrje e parë, nuk mund të vazhdojë (udhëtojë) për në Serbi pa shkuar më parë në Maqedoninë e Veriut, sepse në këndvështrimin e Beogradit zyrtar hyrja në Kosovë e parë nënkupton hyrje të paligjshme në territorin e Serbisë. Për marrëdhënie të mira fqinjësore, për bashkëpunim ekonomik kjo duhet të ndryshohet”, ka thënë ai.

    Kurti u tha se ka folur edhe për hapjen e hapësirës ajrore.

    “…Hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale për dhe nga Kosova. Kjo nuk është as e mirë për marrëdhënie fqinjësore, për bashkëpunim ekonomik e as për përshtatje klimatike. Fluturimet nga Vjena në Prishtinë dhe anasjelltas mund të jenë shumë më të shkurtra dhe më pak të ndotura nëse Serbia i lejon aeroplanët komercialë të fluturojnë nëpër hapësirën ajrore të Serbisë, destinacioni i të cilëve është Prishtina”, ka thënë Kurti, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

    Ai ka përmendur edhe mundësinë që qytetarë nga Bosnjë-Hercegovina të futen në Kosovë me letërnjoftime, duke kërkuar që një gjë e tillë të vlejë edhe për kosovarët.

    “Muajin e kaluar në 10 vjetorin e Procesit të Berlinit, në Berlin njoftova se Kosova do të mundësojë lirinë e lëvizjes për të gjithë ata që posedojnë letërnjoftime të Bosnjës dhe Hercegovinës. Kjo do t’i japë fund pritjes së gjatë dhe procedurave të shtrenjta të nevojës për vizë për të udhëtuar lirshëm. Natyrisht, shpresoj se në kohën e mbetur, Bosnja dhe Hercegovina do të mund të ratifikojë Marrëveshjen e Procesit të Berlinit në mënyrë që qytetarë të të dy vendeve tona të lëvizin lirshëm me letërnjoftime. Por edhe nëse nuk e bëjnë këtë, nga 1 janari 2025, të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës do të mund të vijnë lirisht në Kosovë me letërnjoftime. Liria e lëvizjes është një nga katër liritë themelore që ka mundësuar lëvizjen e njerëzve në të gjithë Evropën dhe kështu duhet të jetë rasti midis dy vendeve tona”, ka deklaruar Kurti.

    Kurti ka shtuar se heqja e barrierave tregtare është thelbësore, por ato duhet të bazohen në bashkëpunim, besim dhe qëllime të mira.

    Nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal ne po ecim në drejtimin ku jo vetëm do të kemi mundësi të kemi qasje në një treg më të gjerë, por edhe të integrojmë ekonominë tonë me fqinjët tanë. Kjo do t’i ndihmojë bizneset në Kosovë të ekspozohen, të rriten dhe të bëhen më konkurruese. Duke eliminuar tarifat, duke harmonizuar standardet dhe duke promovuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve, ne bëhemi shumë më të fortë ekonomikisht, krijojmë vende të reja pune dhe mbështesim industrinë tonë vendase”, ka theksuar ai.

    Kreu i ekzekutivit tutje ka folur për shoqërinë kosovare, duke thënë se është e re dhe inovative.

    “Me moshën mesatare të popullsisë 34 vjeç, ne kemi një fuqi punëtore të re dhe dinamike që mund të nxisë inovacionin dhe sipërmarrjen nëse i jepet mbështetja e duhur. Të rinjtë në Kosovë të gjithë flasin anglisht, shumë prej tyre flasin edhe gjermanisht dhe mjaft flasin gjuhët e rrethit tonë: boshnjakisht, kroatisht, serbisht dhe disa flasin gjithashtu turqisht”, ka shtuar Kurti.