ATV

Author: G.O.

  • Çfarë duhet ta bëni për ta mbajtur ankthin nën kontroll?

    Çfarë duhet ta bëni për ta mbajtur ankthin nën kontroll?

    Të përballesh me ndjenja të herëpashershme të ankthit është një pjesë normale e jetës, por njerëzit me çrregullime ankthi përjetojnë ankth, frikë, terror dhe panik të shpeshtë dhe të tepruar në situatat e përditshme.

    Këto ndjenja janë të pashëndetshme nëse ndikojnë në cilësinë e jetës tuaj dhe ju pengojnë të funksiononi normalisht.

    Simptomat e zakonshme të çrregullimeve të ankthit përfshijnë:

    Përjetimi i një ndjenje paniku, rreziku ose dënimi të afërt

    Ndjeheni të pafuqishëm

    Ndjeheni nervoz

    Ju rriten rrahjet e zemrës

    Mendoni në mënyrë obsesive për shkaktuesin e panikut

    Djersiteni

    Dridheni

    Por çfarë duhet të bëni të menaxhoni ankthin? Këtu kemi listuar disa këshilla nga ekspertët.

    Shmangni alkoolin dhe drogat rekreative

    Këto substanca mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë ankthin. Nëse nuk mund ta lini vetë, konsultoheni me ekipin tuaj të kujdesit shëndetësor ose gjeni një grup mbështetës për t’ju ndihmuar.

    Hani ushqime të shëndetshme

    Një dietë e shëndetshme që përfshin perime, fruta, drithëra dhe peshk mund të lidhet me uljen e ankthit, por nevojiten më shumë kërkime.

    Identifikoni shkaktarët

    Mësoni se cilat situata ose veprime ju shkaktojnë stres ose rrisin ankthin tuaj. Praktikoni strategjitë që keni zhvilluar me profesionistin tuaj të shëndetit mendor, në mënyrë që të jeni gati të përballeni me ndjenjat e ankthit në këto situata.

    Bëni palestër

    Zhvilloni një rutinë në mënyrë që të jeni fizikisht aktiv në shumicën e ditëve të javës. Ushtrimi është një reduktues i fuqishëm i stresit që mund të përmirësojë disponimin tuaj dhe t’ju ndihmojë të qëndroni të shëndetshëm. Filloni ngadalë dhe gradualisht rrisni sasinë dhe intensitetin e aktiviteteve tuaja.

    Bëjeni gjumin prioritet

    Bëni atë që mundeni për të siguruar që po flini mjaftueshëm për t’u çlodhur. Nëse nuk jeni duke fjetur mirë, bisedoni me profesionistin tuaj të kujdesit shëndetësor.

    Lëreni duhanin dhe reduktoni ose hiqni dorë nga pirja e pijeve me kafeinë.

    Nikotina dhe kafeina mund të përkeqësojnë ankthin.

    Socializoheni me njerëz të tjerë

    Mos lejoni që shqetësimet t’ju izolojnë nga njerëzit e dashur apo aktivitetet.

    Përdorni teknika të menaxhimit të stresit dhe relaksimit.

    Teknikat e vizualizimit, meditimi dhe joga janë shembuj të teknikave të relaksimit që mund të lehtësojnë ankthin.

    Shkruani ndjenjat në një ditar

    Mbajtja e gjurmëve të jetës suaj personale mund t’ju ndihmojë ju dhe profesionistin tuaj të shëndetit mendor të identifikoni se çfarë ju shkakton stres dhe çfarë duket se ju ndihmon të ndiheni më mirë. /Telegrafi/

  • Kori i Filharmonisë së Kosovës performon në Slloveni

    Kori i Filharmonisë së Kosovës performon në Slloveni

    Kori i Filharmonisë së Kosovës ka dhënë koncertin e parë në Lubjanë, përpara personaliteteve të jetës kulturore dhe politike të Sllovenisë. I pranishëm në koncert ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari, u interpretuan vepra nga kompozitorë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, si Rafet Rudi, Mendi Mengjiqi, Baki Jashari, Vasil S. Tole dhe Hajrullah Syla.

    Përpara publikut u prezantuan gjithashtu edhe vepra nga kompozitorë ndërkombëtarë, si Eric Whitacre, Ambrož Čopi, Laura Jēkabsone dhe Jake Runestad.

    Performancat e mrekullueshme nga solistët dhe Kori i Filharmonisë u përcollën me duartrokitje të gjata nga publiku.

    Koncerti u mbajt në kuadër të javës kulturore të Kosovës në Slloveni.

    Ky ishte koncerti i fundit i Korit të Filharmonisë për vitin 2024. Aktivitetet e këtij viti do të përmbyllen me Gala Koncertin e Vitit të Ri, i cili do të mbahet më 21 dhjetor 2024, në AMC Hall, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30. /Telegrafi/

  • Plenkoviq: Kosova shtet i njohur ndërkombëtarisht është realitet, s’shoh skenar që kjo do të rrënohej

    Plenkoviq: Kosova shtet i njohur ndërkombëtarisht është realitet, s’shoh skenar që kjo do të rrënohej

    Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, kanë dalë në konferencë të përbashkët, ku ka folur për pavarësinë e Kosovës dhe njohjet e deritanishme.

    Plenkoviq ka thënë se Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe një gjë e tillë është realitet, duke shtuar që s’sheh ndonjë skenar që një gjë e tillë të rrënohej.

    “Kosova si shtet është i njohur ndërkombëtarësht është tashmë realitet, nuk shoh ndonjë skenar që kjo do të rrënohej. Tani ajo që është e rëndësishme, është që raportet mes shteteve që kanë lindur nga rrënimi I Ish Jugosllavisë, të rregullohen në mënyrë përmbajtjesore pa konflikte, me respekt të ndërsjellë. Pa këtë, kthehemi në një kohë dhe kontekst tjetër, që jam i bindur që askush s’ka apetit për gjëra të tilla. Mu për këtë, kjo marrëveshje e Brukselit që e përmendi Kurti është kualifikuar në një numër aktorësh dhe kanë thënë se kjo çon në një njohje de-facto.

    Kemi mandatin e ri në BE, kryetarin e ri të Këshillit Evropian dhe kemi marrëdhënie të reja. Këto procese kanë fituar më shumë intensitet dhe besoj që do të ketë përparim, por që s’kemi iluzione që kjo të rregullohet brenda natës, e di dhe kryeministri Kurti. Është me rëndësi që procesi të jetë paqësor dhe që të ketë qasje pragmatike, për këtë qëndrojmë fuqimisht”, ka thënë Plenkoviq.

  • Kurti beson se sulmi në Ibër-Lepenc u orkestrua nga Serbia, kryeministri kroat pret që dialogu të përfundojë me njohje

    Kurti beson se sulmi në Ibër-Lepenc u orkestrua nga Serbia, kryeministri kroat pret që dialogu të përfundojë me njohje

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Kroaci, është takuar me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, me të cilin ka zhvilluar takim dhe kanë mbajtur një konferencë të përbashkët, ku është folur për disa tema, raporton Gazeta Sinjali.

    Ndër të tjera, temë ka qenë edhe siguria dhe konkretisht sulmi i fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, në fund të muajit të kaluar.

    Kurti në fjalën e tij tha se ky sulm ishte i orkestruar nga Serbia, duke shtuar se ndonëse po pritet përfundimi i hetimit, sipas tij përgjegjësit s’janë qytetarë të zakonshëm.

    “Duhet të presim se cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve. Ne konsiderojmë që gjithçka tregon që këtë nuk e kanë bërë qytetarët e zakonshëm dhe se na bën të besojmë që një sulm i këtillë vjen i mbështetur dhe orkestuar nga Serbia siç ishte edhe rasti me sulmin në Banjskë apo atë me sulmin e KFOR’it në maj 2023 apo rrëmbimi i tre policëve tanë në Leposaviq në qershor 2023”, tha Kurti.

    Ai përmendi edhe sulmet e mëhershme ndaj Policisë së Kosovës në veri.

    Kurse kryeministri i Kroacisë, Plenkoviq, theksoi se të gjitha këto probleme duhet të zgjidhen me dialogun mes dy shteteve, që siç tha ai, duhet të përfundojë me njohje reciproke.

    “E kam përmendur që ky incident s’është i ri, ka pasur tri së paku sulme që kanë ndodhur dhe sa i përket Kroacisë, do të analizohen shumë thellësisht dhe janë marrë me shumë shqetësim. Besojmë tek dialogu Kosovë-Serbi që të rezultojë me normalizim të marrëdhënieve dhe gjithsesi të përfundojë me njohje reciproke. Dhe të çojë tek pozita që Kosova të marrë rrugëtimin e saj adekuat drejt BE-së. Procesi mund të mos jetë i shpejtë për shkak të 5-shes që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën”, ka thënë Plenkoviq.

  • Pesë të hospitalizuar dhe 62 të arrestuar pas sulmeve ndaj tifozëve izraelitë në Amsterdam

    Pesë të hospitalizuar dhe 62 të arrestuar pas sulmeve ndaj tifozëve izraelitë në Amsterdam

    Tifozët izraelitë dhe protestuesit u përleshën gjatë natës së mbrëmshme pas ndeshjes mes Ajaxit dhe Maccabi Tel Aviv, tha policia holandeze të premten.

    Autoritetet holandeze thanë se sulmuesit i sulmuan tifozët izraelitë në mënyrë sistematike.

    Nuk është e qartë se si filloi dhuna. Liderët e Izraelit dhe Holandës e dënuan dhunën duke e cilësuar si antisemitike. Videot nga Amsterdami gjithashtu shfaqin tifozët izraelitë duke brohoritur thirrje antiarabe në rrugët e qytetit.

    Kryetarja e Amsterdamit, Femke Halsema, tha para gazetarëve të premten se vëzhguesi kundër terrorizmit i Holandës theksoi se nuk kishte kërcënime konkrete ndaj tifozëve izraelitë të futbollit para ndeshjes.

    Peter Holla, shefi në detyrë i policisë së qytetit, tha në një konferencë për media se tifozët “u sulmuan qëllimshëm”.

    Policia e Amsterdamit tha në rrjetet sociale se ka filluar një hetim të madh ndaj incidenteve të shumta të dhunës. Ajo nuk dha më shumë hollësi për të lënduarit apo të arrestuarit gjatë dhunës të enjten mbrëma, pas ndeshjes mes Ajaxit dhe Maccabi Tel Avivit në Ligën e Evropës.

    Ende nuk është e qartë se kur dhe ku shpërtheu dhuna pas luftës.

    “Në disa pjesë të qytetit u sulmuan tifozët. Policia u detyrua të ndërhyjë disa herë, për t’i mbrojtur tifozët izraelitë dhe për t’i shoqëruar ata në hotele”, tha policia.

    Dhuna shpërtheu megjithëse ishte ndaluar një protestë propalestineze në afërsi të stadiumit. Halsema nuk kishte dhënë leje për protestë nga frika se do të shpërthenin përleshje mes protestuesve dhe tifozëve të klubit izraelit.

    Para ndeshjes nuk kishte incidenteve ku përfshiheshin tifozët.

    Transmetuesi holandez NOS raportoi se një flamur palestinez u bë copa-copa në një ndërtesë në qendër të qytetit dhe se policia nuk i lejoi mbështetësit propalestinezë të marshonin drejt stadiumit ku po zhvillohej ndeshja.

    Izraeli fillimisht urdhëroi dërgimin e dy avionëve në kryeqytetin holandez për t’i kthyer izraelitët në shtëpi, por më vonë zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se do të punojë “për të gjetur një zgjidhje për kthimin e qytetarëve tanë përmes aviacionit civil”.

    Kryeministri i Holandës, Dick Schoof, tha në X se ishte i “tmerruar” nga raportimet për dhunë në Amsterdam.

    “Sulme plotësisht të papranueshme antisemitike ndaj izraelitëve. Jam në kontakt me të gjithë të përfshirët”, tha ai, duke shtuar se bisedoi me Netanyahun dhe “theksova se përgjegjësit do të ndiqen dhe do të përballen me drejtësi”.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se i dënon sulmet ndaj tifozëve të ekipit izraelit të futbollit në Amsterdam.

    “I dënoj fuqishëm këto akte të papranueshme. Antisemitizmi nuk ka vend në Evropë. Ne jemi të vendosur t’i luftojmë të gjitha format e urrejtjes”, tha ajo.

    Politikani antimysliman, Geert Wilders, i cili është lider i partisë më të madhe në Qeverinë holandeze, i dënoi sulmet e raportuara në Amsterdam.

    “Ndihem i turpëruar se kjo mund të ndodhë në Holandë. E papranueshme”, shkroi ai në X.

  • Osmani dhe Starmer diskutojnë për sigurinë dhe mbrojtjen

    Osmani dhe Starmer diskutojnë për sigurinë dhe mbrojtjen

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar kryeministrinë e Britanisë së Madh, Keir Starmer, me të cilin kanë diskutuar për marrëveshjen e fundit për emigracionin mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimin për sigurinë dhe mbrojtjen.

    Ata janë takuar gjatë vizitës që po bën Osmani në Budapest.

    “Mirënjohës për mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën”, ka shkruar Vjosa Osmani.

    Kujtojmë, se me herët ishte raportuar se Mbretëria e Bashkuar synon që të arrijë marrëveshje me Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.

    Kështu kishte raportuar media britanike Independent, teksa ka pasqyruar pjesëmarrjen e kryeministrit Keir Starmer në samitin e Komunitetit Politik Europian në Hungari.

    Qeveria britanike kishte njoftuar se këto marrëveshje synojnë të rrisin shkëmbimin e informacionit dhe ekspertizës për të goditur rrjetet kriminale të trafikimit.

  • “Pas një muri ka mure të tjera” / Galeria “GOCAT” në Tiranë çel ekspozitën e artistit Naim Spahiu

    “Pas një muri ka mure të tjera” / Galeria “GOCAT” në Tiranë çel ekspozitën e artistit Naim Spahiu

    “Pas një muri ka mure të tjera”, ekspozita e artistit nga Kosova Naim Spahiu, hapi dyert në Galerinë “GOCAT” si një ftesë për të trajtuar peshën e ngjarjeve të së kaluarës dhe nevojën për të parë drejt së ardhmes.

    Naim Spahiu vjen për herë të parë me artin e tij në Shqipëri.

    “Pas një muri ka mure të tjera” u çel më 7 nëntor në Galerinë “GOCAT” për një komunitet të gjerë artistik, për të qëndruar e hapur deri më 30 nëntor.

    Çelja e ekspozitës vjen qëllimisht në prag të datës së njohur të rënies së Murit të Berlinit, për të ngacmuar dhe për të trajtuar konceptin metaforik të murit, jo si një pengesë, por si një sfidë që duhet tejkaluar.Cikli i punimeve është mjaft i veçantë dhe i serviret artdashësve në format instalativ pas një hulumtimi 2-vjeçar nga ana e piktorit Spahiu. Ai i ka dhënë identitet materialeve të gjetura nëpër vende të ndryshme, më saktë mbulesave të karrocerive të kamionëve që i kanë rezistuar forcës së viteve, duke i kthyer në telajo.

    Çdo punë e ekspozuar përçon një emocion ndryshe, por që në thelb të gjitha së bashku trajtojnë raportin e njeriut me kohën, se si kjo e fundit lë vraga me ngjarje siç është lufta e Kosovës, dhe se si ndonjëherë ndodh që të mban të lidhur, e të bën të harrosh se ka një të tashme që duhet jetuar dhe një të ardhme për të cilën duhet menduar. Një element tjetër dallues është se çdo vepër ka diçka për të treguar nga çdo kënd.

    Naimi pohon se kjo është e qëllimshme: “Gjurmët e kohës fshihen edhe aty ku ka dritë, edhe aty ku nuk ka. Është një zgjedhje e imja të flas për to përmes rrugës së artit.” Ndërsa për përvojën jetësore, artisti thotë: “Ne vetë si qenie jemi notues. Të jesh i suksesshëm në profesion ose në çfarëdo sfere, duhet të jesh notar i mirë, pa marrë parasysh ballafaqimet jetësore. Çdo individ e shoh si notues në kohë dhe secilin e shoh në drejtimin e tij.”

    I pranishëm në hapje të ekspozitës, artisti nga Kosova, Driton Hajredini, nuk i kurseu komentet pozitive për ekspozitën e Naimit dhe ndër të tjera, për suksesin e saj, vlerësoi rolin e Galerisë “GOCAT”.

    “Ekziston një harmoni e jashtëzakonshme mes hapësirës së galerisë dhe punës së Naimit, për të cilën duhet të them se më ka impresionuar shumë. Vepra është e rëndësishme, nuk ka pikë dyshimi për këtë, por rëndësi ka edhe vendi dhe mënyra se si ekspozohet. Këtu te “GOCAT”, ideja dhe mesazhi parësor që ka dashur të përçojë Naimi, është ruajtur më së miri”, tha Driton Hajredini.

    Galeria “GOCAT” është një dhuratë e Fondacionit Mane për banorët, turistët, të apasionuarit pas artit, si dhe për artistët. Ajo është falas si për vizitorët të cilët duan të kalojnë momente cilësore të veshura me art bashkëkohor, ashtu edhe për artistët të cilët duan të promovojnë punën e tyre.

    “Pas një muri ka mure të tjera” është ekspozita e tretë që vjen në kryeqytet falas, duke pasuar ekspozitën “Poezi Vizuale mbi Fotografi Sociale” që pasqyroi padrejtësitë shoqërore përmes lenteve të fotografëve të njohur ndërkombëtarë si Paul Lowe, Fabrizio Bellomo, Seamus Murphy & P.J Harvey, dhe të fotografëve shqiptarë si Burim Myftiu dhe Bevis Fusha.

  • Erdogan: Shpresoj se Trumpi do t’i thotë Izraelit ta ndalë luftën

    Erdogan: Shpresoj se Trumpi do t’i thotë Izraelit ta ndalë luftën

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të premten se shpreson se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do t’i thotë Izraelit ta “ndalë” luftën.

    Ai tha se një “fillim i mirë” do të ishte duke e ndërprerë furnizimin e Izraelit me armë nga SHBA-ja

    “Trump ka dhënë premtime për t’u dhënë fund konflikteve… ne duam që ai t’i mbajë këto premtime dhe që t’i thotë Izraelit ‘ndalu’”, tha Erdogan për gazetarë duke u kthyer nga Budapesti.

    “Fillim i mirë do të ishte që Trump ta ndërpresë mbështetjen me armë për Izraelin, në mënyrë që të ndalet agresioni i Izraelit në tokave palestineze dhe libaneze”, tha ai.

    Turqia i ka kritikuar ashpër ofensivat ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës dhe në Liban, si dhe e ka ndërprerë tregtinë me Izraelin, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ajo gjithashtu i është bashkuar një rasti për gjenocid kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

    Presidenca e Trumpit do të ketë ndikim të madh ndaj balancave politike dhe ushtarake në Lindjen e Mesme, tha Erdogan, duke shtuar se mbajtja e qëndrimeve të tanishme amerikane do ta thellojë dhe zgjerojë konfliktin.

    Izraeli është duke luftuar kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – tash e një vit.

    Lufta, e cila ka lënë mbi 43.000 të vdekur sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, u nxit nga një sulm i Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

    Në atë sulm, luftëtarët e Hamasit i vranë rreth 1.200 njerëz në jug të Izraelit dhe i rrëmbyen më shume se 250 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.

    Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të Hamasit.

    Në muajt e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit.

    Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit.

    Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

    Izraeli thotë se lufta e tij në Liban synon ta bëjë veriun e Izraelit të sigurt për dhjetëra mijëra njerëz që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë vitit të fundit si pasojë e sulmeve raketore nga Hezbollahu.

    Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 2.500 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh.

    Raketat e Hezbollahut kanë vrarë të paktën 54 njerëz në Izrael, më shumë se gjysma e tyre civilë, sipas autoriteteve izraelite./REL

  • Princi William: Ka qenë ndoshta viti më i vështirë në jetën time

    Princi William: Ka qenë ndoshta viti më i vështirë në jetën time

    Princi William ka thënë se viti që po lëmë pas ka qenë “brutal” për të, pasi Mbreti Charles III dhe Kate Middleton u diagnostikuan me kancer.

    Në një intervistë të gjerë dhe çuditërisht personale në fund të turneut të tij njëjavor në Cape Town, Princi i Uellsit, u pyet si ka qenë ky vit për të që po lëmë pas.

    “Sinqerisht? Ka qenë i tmerrshëm”, u përgjigj ai.

    “Ka qenë ndoshta viti më i vështirë në jetën time. Kështu që, përpjekja për të kaluar gjithçka tjetër dhe për të mbajtur gjithçka në rrugën e duhur ka qenë vërtet e vështirë”.

    Princi William gjithashtu u pyet për ballafaqimet e Mbretit Charles III me sëmundjen e rëndë dhe po ashtu të Kate Middleton.

    “Jam shumë krenar me gruan time. Jam krenar me babanë tim, për mënyrën se si i kanë menaxhuar situatat. Por nga eksperienca ime personale, ka qenë një vit brutal”, shtoi ai. /Telegrafi/

  • Çfarë ushqimesh duhet të hani kur keni sheqer të ulët në gjak?

    Çfarë ushqimesh duhet të hani kur keni sheqer të ulët në gjak?

    Sheqeri i ulët në gjak, i njohur si hipoglikemi në botën mjekësore, përkufizohet si niveli i sheqerit (glukozës) në gjak nën 70 miligramë për decilitër (mg/dL)

    Hipoglikemia shfaqet më shpesh te njerëzit me diabet, veçanërisht te njerëzit me diabet të tipit 1.

    Sheqeri i ulët në gjak mund të çojë në marramendje, të fikët, ankth dhe simptoma edhe më serioze, siç janë krizat.

    Në shumicën e rasteve, sheqeri i ulët në gjak mund të trajtohet duke konsumuar burime të gatshme të sheqerit, të tilla si lëng frutash ose bonbone të forta.

    Në këtë artikull, ne do të diskutojmë se si të menaxhojmë sheqerin e ulët në gjak dhe do të përmendim gjithashtu se cilat ushqime janë më të mira kur sheqeri në gjak është i ulët, shkruan Health, përcjell Telegrafi.

    Pse ndodh sheqeri i ulët në gjak?

    Niveli i sheqerit në gjak të çdo personi ndryshon gjatë ditës, në varësi të faktorëve të tillë si marrja e ushqimit, aktiviteti fizik dhe faktorë të tjerë.

    Edhe pse është normale që niveli i sheqerit në gjak të ngrihet dhe të ulet, ai mund të bëhet shumë i lartë ose shumë i ulët, gjë që ndikon negativisht në shëndetin.

    Hipoglikemia ndodh kur niveli i glukozës në gjak bie nën 70 mg/dL. Edhe pse ky nivel konsiderohet “i ulët”, shumica e njerëzve nuk do të përjetojnë simptoma të hipoglikemisë, si dridhje, konfuzion dhe shikim të paqartë, derisa niveli i tyre i glukozës të bjerë nën 55 mg/dL.

    Diabeti

    Edhe pse sheqeri në gjak mund të bjerë në kufirin hipoglikemik te këdo, ai është shumë më i zakonshëm tek njerëzit me diabet që marrin ilaçe për këtë sëmundje, veçanërisht njerëzit me diabet të tipit 1. Në fakt, njerëzit me diabet të tipit 1 kanë tre herë më shumë gjasa përjetojnë nivele të ulëta të sheqerit në gjak në krahasim me njerëzit me diabet të tipit 2.

    Antidiabetikë, barna për trajtimin e diabetit

    Nga ana tjetër, barnat antidiabetike, si insulina, meglitinidet dhe sulfonilureat, janë shkaku më i zakonshëm i hipoglikemisë tek njerëzit me diabet. Njerëzit me diabet të tipit 1 që përdorin insulinë kanë shanset më të larta për të përjetuar hipoglicemi.

    Përveç kësaj, sheqeri i ulët në gjak mund të shkaktohet nga marrja aksidentale e shumë insulinës, injektimi i llojit të gabuar të insulinës ose injektimi i insulinës direkt në një muskul në vend të nën lëkurë.

    Dieta

    Marrja e pamjaftueshme e kalorive, drejtimi i gabuar i niveleve të insulinës sipas marrjes së karbohidrateve dhe aktivitetit fizik, si dhe koha e gabuar e injektimit të insulinës në lidhje me një vakt, janë disa nga faktorët që mund të çojnë në hipoglicemi.

    Një nga aspektet e rëndësishme të menaxhimit të diabetit të tipit 1 është të dish se si të trajtosh shpejt dhe në mënyrë të sigurt sheqerin e ulët në gjak.

    Rregulli 15-15

    Kur një person me diabet përjeton hipoglicemi, ekspertët këshillojnë zbatimin e rregullit 15-15. Rregulli 15-15 është një plan trajtimi që përfshin konsumimin e 15 gram karbohidrate (një porcion karbohidrate) për të rritur sheqerin në gjak, më pas pritjen 15 minuta për të rivlerësuar gjendjen. Nëse niveli i sheqerit në gjak është ende nën 70 mg/dL pas 15 minutash, përsërisni marrjen e 15 gram karbohidrate të tjera.

    Është e rëndësishme t’i përmbaheni një marrjeje prej 15 gram karbohidrate në një kohë për të shmangur konsumimin e shumë karbohidrateve. Shumë karbohidrate në të njëjtën kohë mund të shkaktojnë një rritje të tepruar të niveleve të sheqerit në gjak.

    Rregulli 15-15 duhet të përsëritet derisa niveli i sheqerit në gjak të arrijë të paktën 70 mg/dL dhe më pas duhet të hahet një vakt ose meze e lehtë e ekuilibruar për të mbajtur nivelin e sheqerit të qëndrueshëm.

    Mos harroni se rregulli 15-15 duhet të përdoret vetëm për të trajtuar sheqerin e ulët në gjak midis 55-69 mg/dL.

    Ushqimet që rrisin nivelin e sheqerit në gjak

    Nëse sheqeri në gjak është ndërmjet 55-69 mg/dL, mund të përdorni rregullin 15-15 për të trajtuar hipoglikeminë.

    Ushqimet dhe pijet e mëposhtme rekomandohen nga Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe Shoqata Amerikane e Diabetit. Secili prej këtyre ushqimeve përmban rreth 15 gram karbohidrate dhe mund të rrisë shpejt nivelet e sheqerit në gjak, duke i bërë ato një zgjedhje të mirë për trajtimin e hipoglikemisë.

    Një çerek filxhani (½ filxhan) lëng ose ujë të thjeshtë të gazuar

    Lëngu (si lëngu i mollës ose i rrushit) mund të rrisë shpejt dhe në mënyrë efektive nivelet e sheqerit në gjak. Lëngu është i ulët në fibra dhe nuk përmban proteina ose yndyra, duke e bërë atë një zgjedhje të mirë kur keni hipoglicemi.

    Gjithashtu mund të përdoret uji i thartë sepse është shumë i pasur me sheqer.

    Një lugë sheqer, mjaltë ose shurup panje

    Ëmbëltuesit, si sheqeri i bardhë, mjalti dhe shurupi i panjave, mund të rrisin shpejt nivelet e sheqerit në gjak dhe janë zakonisht të disponueshëm në shumicën e familjeve.

    Përzieni një ëmbëltues të grimcuar, siç është sheqeri i thjeshtë, në gjysmë filxhani ujë për ta bërë më të lehtë gëlltitjen.

    Karamele të forta, karamele pelte ose karamele gome

    Karamelet që janë kryesisht sheqer mund të rrisin gjithashtu sheqerin e ulët në gjak.

    Tabletat e glukozës

    Tabletat e glukozës janë produkte të prodhuara posaçërisht për trajtimin e sheqerit të ulët në gjak. Ato vijnë në shije të ndryshme dhe mund të blihen në internet ose në farmaci.

    Madhësitë e porcioneve mund të ndryshojnë në varësi të markës, prandaj është e rëndësishme të lexoni udhëzimet në paketim dhe të ndiqni udhëzimet për trajtimin e sheqerit të ulët në gjak.

    Xhel me glukozë

    Ashtu si tabletat e glukozës, xheli i glukozës është një produkt i krijuar posaçërisht për trajtimin e hipoglikemisë.

    Shumica e produkteve të xhelit të glukozës vijnë në tuba ose pako individuale, secila përmban 15 gram karbohidrate, duke e bërë të lehtë për t’u përdorur.

    Frutat me indeks të lartë glicemik (GI)

    Nëse nuk keni në dorë asnjë nga ushqimet ose pijet e mësipërme, mund të përdorni ushqime të tjera me indeks të lartë glicemik (GI), si fruta të caktuara, për të rritur sheqerin në gjak.

    Për shembull, 15 rrush të thatë, gjysmë banane, ½ filxhan salcë molle dhe një portokall i vogël përmbajnë rreth 15 gram karbohidrate.

    Këshilla të tjera për të ushqyerit

    Hipoglikemia mund të parandalohet me monitorimin e rregullt të niveleve të sheqerit në gjak dhe respektimin e një diete të ekuilibruar.

    Marrja e rregullt e ushqimit është çelësi për parandalimin e sulmeve të hipoglikemisë. Kjo do të thotë që ju duhet të konsumoni vakte dhe ushqime në intervale të rregullta, të cilat do t’i japin energji trupit tuaj. Është gjithashtu e rëndësishme të dihet sasia e karbohidrateve të nevojshme në çdo vakt dhe meze të lehtë, si dhe se si llojet e ndryshme të karbohidrateve ndikojnë në nivelin e sheqerit në gjak dhe nevojën për insulinë.

    Çdo person me diabet është i ndryshëm, kështu që është e rëndësishme të zhvilloni një plan të personalizuar të ushqyerjes me një ekspert, si endokrinologu juaj ose një dietolog i regjistruar i specializuar në menaxhimin e diabetit.

    Ato mund t’ju ndihmojnë të planifikoni dietën tuaj në lidhje me nivelin e sheqerit në gjak, t’ju mësojnë se si të dozoni siç duhet insulinën dhe t’ju japin këshilla për trajtimin dhe parandalimin e sheqerit të ulët në gjak. /Telegrafi/