ATV

Author: G.O.

  • Vritet një person në Gjilan

    Vritet një person në Gjilan

    Një person i moshës 37-vjeç ka mbetur i vrarë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri sot në qytetin e Gjilanit.

    Siç njoftoi Policia, viktima është gjetur i shtrirë skaj rrugës ”Mërgimtarët e Gjilanit”, pa shenja jete.

    Në njoftimin e Policisë thuhet se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi nga emergjenca e spitalit të Gjilanit dhe se viktima shtetas kosovar dyshohet se është qëlluar nga arma e zjarrit.

    “Ju njoftoj se me datën 07.11.2024 rreth orës 13:52 kemi pranuar informacion se një person është i shtrirë skaj rrugës ”Mërgimtarët e Gjilanit” në qytetin e Gjilanit. Njësitet policore relevante kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes se bashku me një ekip nga emergjenca e spitalit të Gjilanit të cilët ka konstatuar se viktima është pa shenja jete.
    Nga hetimet e para dyshohet se viktima shtetas i Kosovës i vitit të lindjes 1987 është qëlluar nga armë zjarri”, njoftuan nga Policia për ATV-në.

    Tutje, Policia njoftoi se në koordinim me Prokurorin e Shtetit, njësiti i hetimeve rajonale ka filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rastit.

    Ndërkohë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion./atvlive.tv/

  • Përfitimet shëndetësore dhe rreziqet nga çaji i zi

    Përfitimet shëndetësore dhe rreziqet nga çaji i zi

    Çaji është pija e dytë më e konsumuar në botë, pas ujit. I gjithë çaji vjen nga bima e Camellia sinensis, por mënyra të ndryshme të korrjes dhe përpunimit prodhojnë çarja të ndryshëm.

    Për të bërë çaj të zi, gjethet janë të zbehura, të plasaritura, të mbështjella, dhe të oksidohen plotësisht. Çaji i zi përbën 75 për qind të çajit të konsumuar në botë.

    Përfitimet shëndetësore të çajit

    Shumica e studimeve mbi përfitimet potenciale shëndetësore të çajit janë fokusuar në çajin e gjelbër.

    Megjithatë, duke marrë parasysh procesin e oksidimit të përfshirë në bërjen e çajit të zi, disa studime kanë hulumtuar përfitimet unike që mund të ofrojë kjo.

    Disa nga përfitimet e tij janë, ulja e rrezikut të prekjes nga kanceri, ul tensionin e lartë të gjakut, vepron si antioksidant, ndihmon në funksionimin e duhur të zemrës, etj.

    Rreziqet e mundshme

    Për shkak të përmbajtjes së lëndëve toksike siç janë disa lloje të mineraleve, çaji i zi në raste të caktuara di të jetë helmues.

    Gjithashtu, për shkak të përmbajtjes së kafeinës, ajo mund të shkaktojë probleme te disa persona të cilët janë të ndjeshëm ndaj kafeinës.

    Në raste më të rralla, çaji i zi mund të shkaktojë edhe anemi.

  • Çitaku: Raportet me ShBA-në, varen edhe nga kush udhëheq me institucionet e Kosovës

    Çitaku: Raportet me ShBA-në, varen edhe nga kush udhëheq me institucionet e Kosovës

    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk varen vetëm nga kush është në Shtëpinë e Bardhë, por edhe kush i udhëheq institucionet e Kosovës.

    Për këtë, ajo ka bërë thirrje që bartësit e institucioneve të Kosovës dhe eksponentët e lartë politik të kenë gjuhën shumë më të kalibruar, pas zgjedhjeve të fundit në ShBA ku Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Amerikës.

    Çitaku ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet që të angazhohen fuqimisht në përforcimin e misionit diplomatik në Washington, i cili sipas saj është lënë me dy-tre diplomat.

    Ajo ka shtuar se Kosova nuk duhet të lihet në harresë nga administrata Trump, por një gjë të tillë e quan të mundur “vetëm nëse Kosova është pro aktive dhe në Washington imponohet si zgjidhje, jo si problem”.

    “Zgjedhjet në SHBA përcillen me shumë kuriozitet në mbarë globin, kjo për shkak të relevancës politike ushtarake, ekonomike të SHBA-së dhe është e natyrshme që njerëzit të kenë preferenca për kandidatët në garë. Megjithatë, bartësit e institucioneve të Kosovës, eksponentë e lartë politik duhet ta kenë gjuhën shumë më të kalibruar. Ne duhet që të jemi shumë më të kujdesshëm, një administratë e re e presidentit Trump, sigurisht që do të rishikoj listën e prioriteteve. Është e rëndësishme që Kosova, institucionet e Kosovës, të angazhohen fuqimisht në përforcimin e misionit tonë diplomatik në Washington, i cili është lënë me dy tre diplomat. Duhet të trokasim në çdo derë, duhet të fuqizojmë raportet dhe të krijojmë miqësi të reja. Kosova nuk duhet të lihet në harresë nga administrata Trump dhe një gjë e tillë është e mundur vetëm nëse ne jemi pro aktiv dhe në Ëashington imponohemi si zgjidhje, jo si problem. Unë nuk i frikësohem asnjëherë Shtëpisë së Bardhë, nga Shtëpia e Bardhë, Kosovës gjithmonë i kanë ardhur vetëm lajme të mira”, ka thënë ajo.

    Çitaku ka thënë se si administrata Republikane edhe ato Demokrate në SHBA, historikisht kanë qenë në mbështetje të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, sipas saj, njohja e fundit ndaj Kosovës si dhe vendimi për ndryshimin e mandatit të FSK-së në ushtri, ka ardhur pikërisht në kohën e administratës së Presidentit Trump.

    “Tradicionalisht në tri dekadat e fundit politka e jashtme amerikane në raport me Ballkanin perëndimor dhe me Kosovën në veçanti është karakterizuar nga konsistenca. Edhe administrata Republikane edhe ato  Demokrate kanë qenë në mbështetje të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe orientimi i tyre strategjikë ka qenë identik, integrimi i kësaj pjese të Evropës në familjen euro-atlantike. Ajo çfarë ka dalluar ndonjëherë është nuanca, gjuha, tempoja dhe shpejtësia e implementimit të planeve apo projekteve. Në dekadën e fundit në fakt administrata kur është udhëhequr nga presidentet demokrat, po ashtu është karakterizuar me një koordinim më të ngushtë me partneret evropian. Tani kemi një presidencë të dytë të Trump. Ne duhet të kujtojmë që njohja e fundit Kosovës i ka ardhur pikërisht në kohën e administratës së Presidentit Trump, nga Izraeli. Si dhe vendimi për ndryshimin e mandatit të FSK-së në ushtri është bërë gjatë asaj periudhe. Raportet mes Kosovës dhe ShBA-së nuk diktohen vetëm nga kush është në Shtëpi të Bardhë, por edhe kush i udhëheq institucionet e Kosovës”, ka thënë ajo.

    Çitaku është shprehur se raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve patën arritur një nivel që nuk është parë më herët, sipas saj si shkak i “sjellëve të papërgjegjshme të kryeministrit Kurti”.

    Ajo ka shtuar se në Kosovë duhet të përqendrohemi në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo si shprehet Çitaku “natyra e raporteve të Kosovës me SHBA-të e BE-në varet në masë të madhe edhe nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës”.

    “Në katër vitet e fundit në ShBA ka qenë Joe Biden, i cili deri në detaje është i familjarizuar me çështjen e Kosovës. Përkundër kësaj për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të kryeministrit Kurti, të institucioneve të Kosovës, raportet mese Kosovës dhe SHBA-ve patën mbërri një nivel të cilin nuk e kemi parë më herët. Pra, ne në Kosovë duhet të përqendrohemi në zgjedhjet tona që i kemi me 9 shkurt sepse natyra e raporteve të Kosovës jo vetëm me SHBA-të, por edhe me BE-në varet në masë të madhe edhe nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës”, ka thënë ajo.

    “Raportin mesë Kosovës dhe SHBA-së nuk duhet që të reduktohet vetëm në çështjen e dialogut mesë Kosovës dhe Serbisë. Kosova duhet që të jetë shumë me aktive, shumë me insistuese që të sjell investitor amerikanë. Ju kujtoj që kjo qeveri, patë hequr dorë nga një projekt shumë i rëndësishëm ai i Gaz përçuesit i cili do të ndikonte besoj unë pozitivisht edhe në fuqizimin e raporteve mesë Kosovës dhe SHBA-ve”, ka thënë ajo.

    Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, pas fitores ndaj demokrates, Kamala Harris, e cila nuk ia doli të bëhej presidentja e parë grua në Amerikë. Republikani Trump 78-vjeçar, ka siguruar votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Elektoral, aq sa ishin të nevojshme për t’u bërë president.

    Trumpi e ka shpallur fitoren dhe ka paralajmëruar lidership të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Donald Trump ka qenë president i SHBA-së nga viti 2017 deri më 2021.

  • Kandidatja për komisionare të Zgjerimit kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë

    Kandidatja për komisionare të Zgjerimit kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë

    Kandidatja për komisionare të Zgjerimit e BE-së, sllovenia Marta Kos, ka thënë të enjten se ajo nuk do t’i ndiqte tendencat e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo i bëri këto komente duke folur në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian (PE), ku u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në komisionin e politikës së jashtme të PE-së.

    “Sa i përket shkëmbimit të territorit, jo. Jo. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, ka thënë ajo pasi është pyetur për idetë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas deputetit që bëri pyetje, mund të kthehen përsëri në tryezë pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane.

    Administrata e mëparshme e Trumpit ka thënë se nuk do ta kundërshtonte shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen mes tyre, me kusht që Prishtina dhe Beogradi do të përpunonin një “zgjidhje të kënaqshme reciproke”.

    Kos është pyetur gjithashtu edhe për rolin e saj të mundshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo shprehu gatishmëri për të punuar me Kaja Kallasin, e cila pritet të konfirmohet në postin e përfaqësues për politikë të jashtme të BE-së, dhe ta marrë përsipër ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve fqinje.

    “Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit. Unë do të punoj sigurisht me të. Pasi e njoh këtë rajon dhe mentalitetin, dua të bashkëpunoj në këtë fushë. Të lëvizim përpara. Është bërë shumë formalisht deri me tani”, tha ajo.

    Ajo tha se pret nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën u pajtuan në fillim të vitit 2023 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

    Por, Kos paralajmëroi se “nëse gjërat nuk shkojnë, duhet të gjejmë një rrugë të re”, duke e cituar Albert Ajnshtajnin se “është çmenduri të vazhdosh ta bësh të njëjtën gjë çdo ditë dhe të presësh rezultat tjetër“.

    Ndërkaq, duke folur për zgjerimin, kandidatja për komisionare ka thënë se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi t’i përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026 dhe 2027, përkatësisht.

    Kos shpreson ta marrë pëlqimin e komisionit për t’u emëruar në postin e komisionares për Zgjerim./REL/

  • Këto janë sëmundjet që kuron qumështi i bletës

    Këto janë sëmundjet që kuron qumështi i bletës

    Kërkesa për qumështin e bletës është gjithnjë në rritje, ndaj dhe bletarët janë duke i kushtuar vëmendje të lartë nxjerrjes së këtij qumështi të artë.

    Përdorimi i qumështit të Bletës po njeh një zgjerim të konsiderueshëm në tregun shqiptar.

    Çdo pikë qumështi i bletës është jetë. Vlerësohet si nektari i perëndive për nga vlerat e jashtëzakonshme shëruese që ka për shëndetin.

    I njohur ndryshe me emrin “Xhelatina Mbretërore” qumështi i bletës është ndër më të kërkuarit në botë.

    Vlerat kurative për shëndetin

    Vlerësohet si një super ushqim i fuqishëm për shkak të vlerave që ai mbart. Qumështi i Bletës përmban ujë, lëndë minerale, yndyrna, proteina, karbohidrate, vitamina etj.

    Ai mund të përdoret për kurimin e një sërë sëmundjesh si: Hipertiroidisem, Diabeti, Hiperkolesterolemi, hipertrigliceridemi (kolesterol dhe trigliceride të larta), sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut, sëmundje kronike të mushkërive, sëmundje të gojës, probleme me mishrat e dhëmbëve, probleme të fytit, sëmundje të veshkave, artrite reumatoide, probleme me riprodhimin, ndihmon në periudhat e premenopauzës etj

    Ai rekomandohet që të përdoret herët në mëngjes duke e marrë nën gjuhë. Kjo pasi aty ka mjaft enë gjaku që bëjnë thithjen e menjëhershme dhe kalimin në gjak. Zgjatja e kurimit është e ndryshme dhe varet nga shkalla e sëmundjes ose qëllimi për të cilin përdoret, por asnjëhere më pak se një muaj. Ka efekt qetësues dhe çlodhës, ul nivelin e hormoneve të tiroides. Ai është një pastrues fantastik për organizmin nga toksinat.

    Ndihmon funksionimin e veshkave, rrit jetëgjatësinë e njerëzve, duke ruajtur rininë e enëve të gjakut. Zgjeron enët e gjakut, ndihmon në uljen e kolesterolit dhe triglicerideve dhe rrit imunitetin. Ky qumësht ndihmon në formimin e rruazave të kuqe të gjakut, këshillohet në anemi dhe ndihmon në mikrohemorragji. Në lëkurë, rregullon prodhimin e yndyrës. Përdoret në kozmetikë, sepse ndihmon në pastrimin dhe rinimin e lëkurës. Përdoret si agjent antibakterial dhe antivirusal lokal për probleme të ndryshme të lëkurës. Te fëmijët e sapolindur ndihmon në rritjen në peshë.

    Qumështi i bletës, nxit gjëndrat riprodhuese, ndihmon prodhimin e vezoreve, gjatë shtatzanisë, duke rritur nivelin e progesteronit në gjak. Rrit nivelin e testosteronit në gjak, duke ndihmuar në problemet e potencës mashkullore. Stimulon gjëndrat mbiveshkore dhe ndihmon në sëmundje si artriti ose lodhja kronike. Ndihmon në funksionimin e mëlçisë dhe sëmundjet e saj, hepatite dhe rigjeneron strukturën e mëlçisë.

    Rekomandohet që kura duhet të zgjasë një muaj, maksimumi tre muaj, ndërkohë që dozat kurative duhet të ndërmerren sipas specifikimeve përkatëse. Vlerësohet se asnjë ilaç nuk mund të zëvendësojë vlerat kurative të Qumështit të Bletëve.

  • Australia zotohet të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Australia zotohet të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Qeveria e Australisë është zotuar të prezantojë atë që e përshkroi si legjislacion “udhëheqës në botë” për të ndaluar fëmijët nën moshën 16 vjeç nga rrjetet sociale.

    “Rrjetet sociale po u bëjnë dëm fëmijëve tanë”, tha kryeministri australian Anthony Albanese.

    “Kam folur me mijëra prindër, gjyshër, halla dhe xhaxhallarë. Ata, si unë, janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve tanë në internet”, shtoi ai.

    Bëhet e ditur se legjislacioni do të futet në parlamentin e vendit gjatë dy javëve të fundit të sesionit të këtij viti, duke filluar nga 18 nëntori, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

    Albanese tha se kufiri i moshës do të hyjë në fuqi një vit pasi të miratohet ligji – me platforma duke përfshirë Facebook, Instagram, X dhe TikTok.

    Edhe YouTube ka të ngjarë të jetë gjithashtu brenda fushëveprimit të legjislacionit, ka njoftuar ministrja e Komunikimit e Australisë, Michelle Rowland.

    Platformat do të penalizohen për shkelje të kufirit të moshës, por fëmijët e mitur dhe prindërit e tyre jo.

    Nuk do të ketë përjashtime për fëmijët që kanë pëlqimin e prindërve, ose që kanë tashmë llogari.

    Megjithatë, Albanese tha se do të kishte përjashtime në rrethana të tilla si nevoja për të vazhduar me qasje në shërbimet arsimore.

    Ndërkohë, pronari i Facebook dhe Instagram, Meta tha se platformat do të respektojnë çdo kufizim moshe që qeveria dëshiron të vendosë.

    Antigone Davis, shefja e sigurisë në Meta, tha: “Megjithatë, ajo që mungon është një diskutim më i thellë se si ne zbatojmë mbrojtjen”.

    Ndryshe, më shumë se 140 akademikë australianë dhe ndërkombëtarë me ekspertizë në fushat që lidhen me teknologjinë dhe mirëqenien e fëmijëve nënshkruan një letër të hapur drejtuar Albanese muajin e kaluar duke kundërshtuar një kufi moshe të rrjeteve sociale si “një instrument shumë i hapur për të trajtuar rreziqet në mënyrë efektive”. /Telegrafi/

  • Vetëaksident trafiku në Prishtinë – Vetura përfundon në pompë derivatesh, lëndohet vozitësja

    Vetëaksident trafiku në Prishtinë – Vetura përfundon në pompë derivatesh, lëndohet vozitësja

    Një grua ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një vetëaksidenti që ka ndodhur në rrugën “Ahmeti Krasniqi”, në Prishtinë.

    Raportohet se vetura ka përfunduar në një pompë derivatesh, derisa nga Policia thanë se janë duhet hetuar rrethanat e këtij vetëaksidenti.

    Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se në aksident ka qenë e përfshirë një veturë dhe për pasojë vozitësja është lënduar dhe e njëjta është dërguar për trajtim mjekësor.

    “Rreth orës 13:00,  është pranuar informata për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën Ahmet Krasniqi në Prishtinë. Në këtë aksident është përfshirë një automjet dhe për pasojë vozitësja është lënduar dhe e njëjta është dërguar për trajtim mjekësor. Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij vetaksidenti”, tha Ahmeti.

  • BE: Qeveria nuk mund t’ia bartë komunave përgjegjësitë për Asociacionin

    BE: Qeveria nuk mund t’ia bartë komunave përgjegjësitë për Asociacionin

    Bashkimi Evropian tha se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë Statutin e Asociacionit jashtë dialogut, të lehtësuar në Bruksel.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se BE-ja e mbështetur nga vendet e saj anëtare dhe partnerët e saj përfshirë SHBA-në, zyrtarisht e ka paraqitur draft–statutin evropian për krijimin e Asociacionit. Ai tha se ky draft i është prezantuar personalisht kryeministrit Kurti nga lehtësuesi i BE-së së bashku me këshilltarët e sigurisë kombëtare të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së. Stano tha se Qeveria e Kosovës nuk mund të heq dorë nga përgjegjësitë e saj të dialogut ose t’i delegojë ato tek komunat me shumicë serbe.

    “Në vitin 2013, Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit, e cila u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretave. 11 vjet më vonë, Kosova ende nuk i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt krijimit të saj dhe për këtë arsye po dështon në përmbushjen e detyrimit të saj të qartë sipas ligjit ndërkombëtar, i cili më pas u përsërit në marrëveshjet e 2015 dhe 2023. Sipas Marrëveshjeve përkatëse të Dialogut të 2013 dhe 2015, Statuti për themelimin e ASM-së duhet të hartohet dhe të diskutohet në Dialog. Çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Kjo gjithashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë Statutin jashtë Dialogut”, tha Stano për RTV21.

    Kryeministri, Albin Kurti, ka refuzuar të themelojë Asociacionin mbi propozimin evropian duke thënë se “ne e kemi një asociacion të komunave, nëse dikush e dëshiron një tjetër, kjo duhet të bëhet nga komuna. Nuk formon kryeministri asociacion e as nuk i themelon”. Por, Bashkimi Evropian konsideron se Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjegjësive që ka marrë në procesin e dialogut dhe ato t’ia delegojë komunave me shumicë serbe. Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, drafti iu dorëzua kryeministrit Kurti personalisht nga lehtësuesi i BE-së së bashku me Këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe përfaqësuesi special të SHBA-së.

    “Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të Dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe të Kosovës. Në tetor 2023, në një përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja prezantoi zyrtarisht një projekt-statut evropian për krijimin e Asociacionit. Ky draft-statut Evropian bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Drafti iu dorëzua kryeministrit Kurti personalisht nga Facilitatori i BE-së së bashku me Këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së”.

    Përveç dorëzimit të draft-statutit Evropian në Qeverinë e Kosovës nga emisarët Evropian dhe Amerikanë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, rikujton se drafti i ngjashëm ishte pranuar nga kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq edhe në takimin e 26 tetorit 2023 në Bruksel.

    “Në një takim të nivelit të lartë në mbështetje të Dialogut në prani të Presidentit Macron, Kryeministres Meloni dhe kancelarit Scholz, të dyja palët pranuan në parim draft-statutin Evropian. Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti “gatishmërinë e Serbisë dhe të Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga Lehtësuesi i BE-së”. Kjo është një njohje zyrtare e dokumentit nga 27 shtetet anëtare të BE-së. Etiketimi i projektstatutit Evropian si “thjesht një non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dhe vonon më tej perspektivën e krijimit të tij’’, tha Stano.

    Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ndërmarr hapa konkretë për themelimin e Asociacionit, ndërsa për Serbinë përmbushjen e obligimeve të saj që rrjedhin nga marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve.

    “Na vjen keq që një vit pasi palët miratuan dokumentin në parim, nuk u bë asnjë përparim në krijimin e tij në përputhje me draft-statutin Evropian. Në përputhje me riangazhimin e saj zyrtar ndaj Dialogut dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut të 20 shtatorit 2024. Ne i bëjmë thirrje Kosovës që të ecë përpara me themelimin e saj pa vonesa të mëtejshme. Serbia pritet të përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, paralelisht me Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit bazuar në Draft Statutin Evropian, në përputhje me planin e zbatimit të propozuar nga Lehtësuesi i BE-së”, tha Stano.

    Qeveria e Kosovës përmes një përgjigje nga zëdhënësi, Përparim Kryeziu, ka thënë se insistojnë që të ketë nënshkrim të marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të zbatimit, duke kërkuar që të respektohet rendi i gjërave në proces të dialogut.

    “Prandaj, nuk mundemi që një vit pas takimit të tetorit të vitit të kaluar, në të cilin refuzohet oferta jonë për nënshkrimin e paketës, të nxjerrim draft statutin e BE-së nga paketa e ta hedhim paketën e njohjes se paku de facto reciproke. Rikujtojmë se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell e as të emisarit të tij, Lajçak, aq më pak të Kryeministri Kurti. Statusi i draft statutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara”, tha Kryeziu.

  • Ernest Muçi i jep autograf, tifozja e Besiktasit shpërthen në lot dhe bëhet virale në rrjetet sociale

    Ernest Muçi i jep autograf, tifozja e Besiktasit shpërthen në lot dhe bëhet virale në rrjetet sociale

    Ernest Muçi ka rikthyer formën e tij më të mirë ku po shënon vazhdimisht gola me Besiktasin.

    Ylli shqiptar ka shënuar edhe në Ligën e Evropës, ku gjiganti turk triumfoi ndaj Malmos me rezultat 2-1.

    Muçi është bërë edhe një nga futbollistët më të preferuar nga tifozët e Besiktasit, kjo falë edhe paraqitjeve fantastike në fushë.

    Se sa shumë e duan Muçin në Stamboll tregon edhe video që është bërë virale pas ndeshjes Besiktas – Malmo.

    23-vjeçari pas ndeshjes i ka dhënë një autograf një tifoze dhe duket se ajo kohë të gjatë e ka pritur një gjë të tillë.

    Pasi Muçi nënshkroi fanellën e saj, tifozja shpërthen në lot prej gëzimit.

    Një moment shumë i bukur nga Turqia me protagonist yllin e Kombëtares së Shqipërisë. /Telegrafi/

  • Izraeli nënshkruan marrëveshje për blerjen e 25 avionëve luftarakë F-15

    Izraeli nënshkruan marrëveshje për blerjen e 25 avionëve luftarakë F-15

    Ministria e Mbrojtjes e Izraelit njoftoi të enjten se e ka nënshkruar një marrëveshje për blerjen e 25 avionëve luftarakë të gjeneratës së ardhshme, F-15, nga kompania Boeing Co.

    Ajo tha se marrëveshja, e vlefshme 5.2 miliardë dollarë, është pjesë e një pakete të gjerë e ndihmës amerikane të miratuar nga administrata amerikane dhe Kongresi në fillim të këtij viti, që përfshinte edhe mundësinë për 25 avionë luftarakë shtesë.

    Izraeli do të fillojë t’i pranojë F-15-shat në vitin 2031, nga 4-6 sosh në vit, sipas saj.

    Avionët luftarakë do të jenë të pajisur me sisteme izraelite të armatimit, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Këto përparësi do t’ia mundësojnë Forcës Ajrore të Izraelit ta ruajë superioritetin e vet strategjik përballë sfidave të tanishme dhe të ardhshme në Lindjen e Mesme”, tha Ministria në një komunikatë.

    Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Eyal Zamir, tha në një komunikatë se Qeveria izraelite ka siguruar marrëveshje prokurimi në vlerë gati 40 miliardë dollarë prej se filloi lufta në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023.

    Për Boeing, marrëveshja për shitjen e avionëve F-15 është ujdia e dytë e madhe këtë vit. Në gusht, El AI Israel Airlines nënshkroi marrëveshje me Boeing për blerjen e rreth 31 avionëve 737, në vlerë rreth 2.5 miliardë dollarë.

    Ido Nehushtan, president i Boeing Israel, tha se marrëdhëniet e kompanisë me Izraelin datojnë që nga themelimi i Izraelit dhe “ne do të vazhdojmë të punojmë me qeveritë e SHBA-së dhe Izraelit për dorëzimin e avionëve të avancuar luftarak, F-15, përmes kanaleve standarde të prokurimit ushtarak”./REL