ATV

Author: G.O.

  • Brenda dhjetë muajve, një mijë e 408 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Brenda dhjetë muajve, një mijë e 408 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Gjatë dhjetë muajve nga janari deri në tetor, 1 mijë e 408 çifte i kanë dhënë fund martesës së tyre.

    Numri më i madh i shkurorëzimeve është regjistruar në muajin janar të këtij viti. Gjatë këtij muaji 155 çifte i kanë dhënë fund martesës ës tyre. Pasuar nga shkurti me 151 shkurorëzime. Në mars janë regjistruar 149 raste të shkurorëzimeve.

    Në muajin prill numri i shkurorëzimeve ka pësuar një rënie të lehtë, pasi që gjatë këtij muaji 114 çifte i kanë dhënë fund martesës së tyre. Ndërsa në maj ka pasur sërish rritje të numrit të shkurorëzimeve dhe se numri i tyre ka shkuar në 138 raste. Në qershor janë regjistruar 118 raste të shkurorëzimeve, në korrik 142 raste, në gusht 136 raste, në shtator 152 dhe tetori me 153 raste të shkurorëzimeve.

    Sa u përket shkurorëzimeve të ndodhura në Kosovë për muajin tetor sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), janë regjistruar gjithsej 153 raste.

  • Maqedonci: Kosova do të prodhojë armë edhe për eksport

    Maqedonci: Kosova do të prodhojë armë edhe për eksport

    Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka dhënë disa detaje rreth marrëveshjes së nënshkruar me Turqinë, ku qeveria nënshkroi të hënën një marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Makine ve Kimya Endüstrisi, për themelimin e një fabrike të municioneve në Kosovë.

    Maqedonci tha se fokusi i marrëveshjes ka qenë fabrika e municionit, sipas tij kjo do të bëhet me financim nga qeveria e Kosovës, ndërsa pajisjet do të sigurohen nga shteti turk.

    “Ne kemi nënshkruar kontratën dhe pas nënshkrimit fillon edhe puna për funksionalizimin e kësaj fabrike. Do të jetë një ndërmarrje publike që do të menaxhojë komplet fabrikën dhe qëllim kryesor do të ketë prodhimin e municione 5.56 dhe 7.62, municione këto që përdoren nga njësitë e hetuesërisë dhe njësitë ushtarake dhe që janë municionet që më së shumti shpenzohen edhe gjatë operacioneve por edhe gjatë trajnimeve”, tha Maqedonci për Euronews.

    Ai theksoi se prodhimi nuk do të bëhet vetëm për furnizimin e institucioneve vendore por edhe për eksport.

  • Orav: Synojmë ofrimin e Kosovës sa më shpejt drejt BE-së

    Orav: Synojmë ofrimin e Kosovës sa më shpejt drejt BE-së

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se për synim kanë ofrimin e Kosovës sa më shpejt drejt BE-së. Këtë zotim e ka bërë pas takimit me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, raporton Ekonomia Online.

    Ambasadori Orav, ka shtuar se janë takuar me kryetarin Rama për të diskutuar për problemet dhe sfidat e Kryeqytetit.

    “Ishte e mirëpritur të bisedoja me Kryetarin e Komunës dhe gjithashtu me ekipin e tij, për të mësuar më shumë rreth Prishtinës, rreth problemeve, rreth sfidave dhe për të mësuar gjithashtu se si BE-ja dhe komuna mund të punojnë më ngushtë së bashku. Sepse synimi është ta afrojmë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe nuk është vetëm qeveria me të cilën po punojmë, por po punojmë edhe me të gjitha komunat. BE-ja është donatori më i madh këtu në Kosovë. Ka shumë projekte të BE-së që janë duke u zhvilluar. Ka shumë projekte edhe në plan dhe shpresoj shumë që të mund të vazhdojmë punën tonë në fusha si arsimi, shëndetësia, menaxhimi i mbeturinave, bashkëpunimi me të rinjtë, me ndihmën e BE-së”, ka thënë ai.

    Kryetari Rama ka thënë se komuna ka bërë hapa në përmirësimin e infrastrukturës, arsimit shëndetësi e sektorë e tjerë në kryeqytet.

    Ai ka shtuar se kanë bërë hapa për ti përmbushur të gjitha detyrat të cilat na janë dhenë nga komuniteti Evropian.

    “Diskutuam mbi sfidat që i kemi si kryeqytet dhe mundësit për bashkëpunim dhe investime tash ne muzeun, sallën koncentrale, pra mënyra se si mund ti tejkalojmë problemet e tanishme. Në mënyrë që të krijojmë hapësira të mirëfillta edhe të komunitete të artit, kulturës, për arsim, shëndetësi edhe për sfera të ndryshme në kryeqytet. I tregova se kemi bërë hapa të mëdhenj në arsim, shëndetësi, infrastrukturë e po ashtu edhe në investime në qytetin e mençur. Ne kemi bërë hapa për t’i përmbushur të gjitha detyrat të cilat na janë dhënë nga komuniteti evropian”, ka thënë ai.

  • Prokuroria në Hagë: Haxhi Shala e Sabit Januzi pranojnë se e frikësuan një dëshmitar

    Prokuroria në Hagë: Haxhi Shala e Sabit Januzi pranojnë se e frikësuan një dëshmitar

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar të martën se ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, dhe Sabit Januzi kanë pranuar akuzën për frikësimin e një dëshmitari dhe pengimin e drejtësisë, në marrëveshje për pranimin e fajësisë me këtë zyrë.

    “Të pandehurit janë akuzuar për frikësim gjatë procedurave penale dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në njoftim.

    Në një reagim lidhur me marrëveshjet, Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka deklaruar se “arritja e zyrës sonë për t’i përfunduar këto marrëveshje është dëshmi e forcës së hetimeve tona lidhur me çështjet e frikësimit dhe pengimit të drejtësisë”.

    Gjyqi ndaj Shalës dhe Januzit, së bashku me Ismet Bahtijarin, ishte planifikuar të hapej më 14 nëntor 2024.

    Aktakuza kundër Haxhi Shalës u konfirmua më 4 dhjetor 2023 nga gjykatësi i procedurës paraprake. Ai u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

    Prokuroria në Hagë e ka ngarkuar Shalën me aktakuzë me tri pika: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.

    Sipas aktakuzës, në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin (të dy të akuzuar nga Specialja), kontaktuan një dëshmitar.

    Aktakuza thotë se ata, veçmas, takuan dëshmitarin, në dy raste, “për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.

    Prokuroria, në dhjetor të vitit të kaluar, kishte propozuar që çështja Januzi dhe Bahtijari të bashkohej me çështjen Shala në një gjykim të vetëm.

    Më 15 dhjetor 2023, Shala ishte deklaruar i pafajshëm për pikat me të cilat e akuzon prokuroria në Hagë./REL

  • Tërmet në Kosovë, epiqendra ndërmjet Ferizajt e Gjilanit

    Tërmet në Kosovë, epiqendra ndërmjet Ferizajt e Gjilanit

    Një tërmet prej 3.1 shkallësh të Rihterit e goditi Kosovën para pak minutash.

    Qendra Sizmologjike Europiane e Mesdheut (EMSC) thotë se epiqendra e dridhjeve ishte 24 km në lindje të Ferizajt, jo shumë larg Gjilanit.

  • Gjashtë raste të dhunës në familje u raportuan në 24 orët e fundit, viktima gratë

    Gjashtë raste të dhunës në familje u raportuan në 24 orët e fundit, viktima gratë

    Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Prishtinë, Drenas, Suharekë, Rahovec dhe Skenderaj. Në të gjitha rastet, viktima ishin gratë.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se në rastin e parë në Prishtinë një burrë raportohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Prishtinë / 16.12.2024 – 14:50. Është ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, i dyshuari mashkull kosovar ka shkaktuar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

    Kurse, në rastin e dytë në Prishtinë, bëhet e ditur se është arrestuar i dyshuari se në gjendje të dehur ushtroi dhunë psikike ndaj një gruaje.

    “Prishtinë / 16.12.2024 – 20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që në gjendje të dehur dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

    E në Drenas, raportohet se u arrestuar i dyshuari se ushtroi dhunë fizike ndaj një gruaje.

    “Gllogoc / 16.12.2024 – NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

    Kurse, në Suharekë raportohet se u arrestuar një burrë nën dyshimin se sulmoi fizikisht një grua.

    “Suharekë / 16.12.2024 – 17:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

    Edhe në Rahovec raportohet se dy të dyshuar kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje.

    “Rahovec / 16.12.2024 – 16:00. Është raportuar se dy të dyshuarit meshkuj kosovarë kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

    Kurse, në Skenderaj raportohet se u arrestua një burrë nën dyshimin se i shkaktoi dhunë fizike dhe psikike një grauej.

    “Skenderaj / 31.10.2024 – 12:00. Me 16.12.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës femër kosovare. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia. /

  • Sveçla: Fabrika për prodhimin e municioneve në Kosovë, hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të sigurisë

    Sveçla: Fabrika për prodhimin e municioneve në Kosovë, hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të sigurisë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur rreth marrëveshjes së nënshkruar dje për hapjen në Kosovë të fabrikës për prodhimin e municioneve me prodhuesit turk shtetëror i industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), raporton Ekonomia Online.

    Sveçla ka theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për forcimin e kapaciteteve të Kosovës në prodhimin e municioneve, jo vetëm për Ushtrinë e Kosovës, por edhe për Policinë e Kosovës.

    Ai ka shpjeguar se puna do të nisë shumë shpejt dhe se kjo kontratë do të realizohet brenda afateve të kërkuara teknike.

    “Dje është nënshkruar kjo marrëveshje apo kontratë me quajtur ashtu siç është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë. Republika e Kosovës do të ndërrojë kapacitetet për të prodhuar municionet e nevojshme për ushtrinë, por edhe për Policinë e Kosovës, besoj se duke parë kontratën shumë shpejt do të fillojnë punimet dhe në afatin rekord brenda kërkesave teknike kjo do të realizohet vullneti jonë është që kjo të bëhet sa parë kjo e ka gatishmërinë nga pala tjetër ata të fillojnë menjëherë dhe të ketë angazhim serioz që kjo të kryet më sukses. Me përfundimin e saj një mangësi që e kemi pasur ne dhe ka qenë evidente do të tejkalohet qoftë në kuptimin e furnizimit të nevojave aktuale qoftë në plotësimin e rezervave të nevojshme po ashtu edhe në trajtimet shtesë të cilat janë të nevojshme për të gjitha institucione që përdorin këtë lloj të municione”, ka deklaruar Sveçla.

    Ministri,gjithashtu ka theksuar se ky projekt është pjesë e një iniciative më të gjerë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë.

    Ai ka përmendur se vendi është në bisedime dhe negociata me partnerë të ndryshëm, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin kryesor strategjik të Kosovës.

    “Ne kemi po shohim për zhvillimin e gjithë industrisë të mbrojtjes dhe sigurisë kemi kontakte dhe biseda e negocime me të gjithë, patjetër që ShBA që është aleati ynë kryesor strategjikë dhe kemi bashkëpunim të ngushta edhe me ta do të bisedojmë me të gjithë ata parterë të cilët plotësojnë nevojat tona por edhe janë si vazhdimësi e bashkëpunimi të pa kursyer të pandalshëm mes nesh. Do të ketë dhe jam i bindur rezultatet të tjera të cilat do të shfaqen shumë shpejtë dhe do të kemi lajme të mira ende”, theksoi ai.

    Në fund, ai ka bërë një koment lidhur me çështjen e sigurimeve shëndetësore, duke u referuar një ankese të një subjekti opozitar që e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke sugjeruar se kjo çështje është në duar të gjykatës.

    “Ju e dini shumë që sigurimet shëndetësore një subjekt politik opozitar i ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ju e pyesni Gjykatën Kushtetuese për këtë”, përfundoi ai.

  • Rama në Bruksel: I kemi bërë detyrat tona për t’u anëtarësuar në BE, negociatat të mbyllen në 2027

    Rama në Bruksel: I kemi bërë detyrat tona për t’u anëtarësuar në BE, negociatat të mbyllen në 2027

    Në Konferencën e Tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, kryeministri shqiptar Edi Rama, theksoi se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë dhe se negociatat të mbyllen në vitin 2027.

    Sipas kreut të qeverisë, anëtarësimi i Shqipërisë në BE duhet të mbyllet brenda kësaj dekade.

    “Sot kemi një pamje më të qartë për punën që është bërë dhe gjithashtu marrim si një inkurajim real që kemi shumë punë përpara dhe falënderime të veçanta për skuadrën e komisionit evropian, na mëson se sit ë mbijetojmë me një buzëqeshje të madhe ndaj përqasjes neurotike të BE”, tha ai.

    “Të gjitha falënderimet janë shumë të sinqerta dhe vijnë nga zemra falë punës së skuadrës dhe përpjekjeve të përbashkëta dhe për t’i lidhur të gjitha pikat nuk është e lehtë dhe ata vetë e dinë se sa e vështirë është dhe në të njëjtën kohë është pjesa e përmbushjes dhe përpjekjes dhe mësimit si të bëhemi më mirë, për ne është e qartë, ne jemi të ndërgjegjshëm që Evropë nuk është e bashkuar vetëm nga gjeografia, por na vlera, sundimi i ligjit, s’ka dyshim se në Evropë me Ballkanin Perëndimor do të jetë më e fortë dhe më e bashkuar dhe do të jetë më e sigurt. Ambicia jonë nuk është sekret, duam të sigurohemi, i kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe negociatat tona të mbyllen në vitin 2027 dhe me shpresë anëtarësimi ynë në BE të mbyllet brenda kësaj dekade. Është ambicioze, por e kemi ndarë këtë së bashku”, tha Rama.

  • Shkon në 154 numri i viktimave pjesëmarrëse në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Shkon në 154 numri i viktimave pjesëmarrëse në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është pranuar edhe një viktimë pjesëmarrëse, duke e çuar numrin e listës në 154.

    Sipas vendimit të trupit gjykues, kjo viktimë do të përfaqësohet nga i njëjti mbrojtës sikurse viktimat e tjera.

    Megjithatë, në vendim ishte theksuar se afati për pranimin e viktimave në këtë çështje gjyqësore kishte përfunduar më 15 shkurt 2023. Por, thuhet se kjo viktimë u pranua pasi ekzistonin arsye të vlefshme për pranimin e saj edhe pse ishte dorëzuar pas afatit të paraparë.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Prodhuesi turk del me deklaratë pas marrëveshjes me Kosovën për fabrikën e municioneve

    Prodhuesi turk del me deklaratë pas marrëveshjes me Kosovën për fabrikën e municioneve

    Prodhuesi turk shtetërore i industrisë së mbrojtjes “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE) ka dalë me një deklaratë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Qeverinë e Kosovës për hapjen e fabrikës së municioneve në vend.

    MKE thotë municionet do të prodhohen sipas standardeve të NATO-s, raporton Paparaci.

    “Nënshkruam marrëveshje për themelimin e një fabrike moderne në Kosovë që do të prodhojë municion sipas standardeve të NATO-s.

    Me këtë kontratë të nënshkruar, ne jemi krenarë që kemi kontribuar në eksportet e industrisë së mbrojtjes së Turqisë duke forcuar industrinë e mbrojtjes së vendit tonë mik dhe vëlla, Kosovën”, thuhet në një postim në LinkedIn