ATV

Author: G.O.

  • Buja: Krasniqi ka qenë zëdhënës, s’ka pasur të bëjë me detyra operative

    Buja: Krasniqi ka qenë zëdhënës, s’ka pasur të bëjë me detyra operative

    Shukri Buja tha të enjten në Hagë që Jakup Krasniqi ka qenë zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe është marrë me detyra operative.

    “Ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe detyrat operative nuk kanë kuptim”, tha Buja, i cili po dëshmon për të tretën ditë me radhë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Një gjë të tillë, Buja e kishte thënë edhe në gjykimin ndaj Fatmir Limajt në vitin 2005 dhe se këtë përgjigje ai e dha gjatë kundërpyetjeve të avokates së Krasniqit, Shyamala Alagendra, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Buja tha se emërimin e Krasniqit si zëdhënës e ka pritur me padurim për shkak të personalitetit të tij.

    “Jakup Krasniqin në emërimin si zëdhënës i UÇK-së e kam prit me padurim sepse ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm. Një njeri që ka pasur vizion politik të jashtëzakonshëm dhe ka qenë një njeri që është pritur në mënyrë jashtëzakonisht të mirë nga popullata civile”, tha Buja, duke shtuar se Krasniqin e ka takuar rreth qershorit 1998.

    Nga dalja publike si zëdhënës i UÇK-së, Buja tha se u kuptua që Krasniqi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Tha se detyra operative në UÇK gjatë verës kanë pasur Azem Syla si komandant i Përgjithshëm dhe Sokol Bashota si zëvendës i tij.

    Ndërsa, në korrik të ’98-ës, sipas tij, Bislim Zyrapi ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm e që edhe kjo ishte një detyrë operative.

    Në pyetjet e avokatit të Veselit, Rodney Dixon, dëshmitari tha se e kishte kuptuar që Veseli në periudhën maj-qershor ka qenë ministër i Shërbimit Informativ të Kosovës.

    “Në muajin maj ka dalë informacioni për ministrat në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës”, tha Buja.

    Buja tha se nuk ishte përgjegjësi e Ilmi Reçicës për t’i zbatuar rregullat disiplinore dhe nuk kishte të bënte me asnjë lloj hetimi sa i takon çështjeve disiplinore.

    “Nuk ka qenë detyrë e Zbulim-Kundërzbulimit. Ka qenë detyrë e Policisë Ushtarake dhe e komandantit të brigadës”, tha Buja.

    Ai pohoi se ZKZ-ja dhe Policia Ushtarake nuk kishin të bëjnë me njëri-tjetrin pasi ishin të ndara nga funksionimi.

  • Osmani në Budapest: Mbështetja ndaj Kosovës do të vazhdojë edhe me administratën Trump

    Osmani në Budapest: Mbështetja ndaj Kosovës do të vazhdojë edhe me administratën Trump

    “Nuk ka arsye që Kosova të mos e ketë mbështetjen e administratës së re të presidentit Donald Trump”. Kështu ka thënë presidentja, Vjosa Osmani, para mediave derisa është duke marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Budapest.

    Osmani ka thënë se Kosova ka pasur përkrahjen të secilës administratë amerikane.

    “Zgjedhja e presidentit Trump do të vazhdojë të forcojë këtë raport transatlantik dhe të gjithë duhet të japim kontributin tonë për këtë çështje. Kosova ka pasur përkrahjen bipartisane të secilës administratë amerikane. Që nga vitet e 90-ta kemi qenë të bekuar me një përkrahje të tillë dhe për këtë arsye kemi çdo arsye për të besuar që kjo përkrahje do të vazhdojë, gjithashtu me administratën e presidentit Trump”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani në Budapest.

    Tutje, Osmani ka thënë se nuk e sheh zgjedhjen e Trump president si kërcënim derisa ka shtuar se Kosova kishte fituar pavarësinë kur republikanët kishin qenë në pushtet.

    “Nuk e shoh si kërcenim. Kosova ka përfituar për dekada nga një përkrahje dypalëshe nga SHBA. U bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet, u çliruam kur demokratët ishin në pushtet. Kemi punuar ngushtë më secilën administratë, dhe fuqishëm besoj që do të vazhdojë kështu”.

  • Barack dhe Michelle Obama urojnë Trump dhe Vance: Ne jemi të gatshëm të pranojmë kalimin paqësor të pushtetit

    Barack dhe Michelle Obama urojnë Trump dhe Vance: Ne jemi të gatshëm të pranojmë kalimin paqësor të pushtetit

    Ish-presidenti amerikan Barack Obama bashkë me gruan e tij Michele e kanë uruar Donald Trump për zgjedhjen si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Në një njoftim të lëshuar për media thuhet se duan të përgëzojnë presidentin Trump dhe senatorin JD Vance për fitoren e tyre.

    “Ky nuk është padyshim rezultati që ne kishim shpresuar, duke pasur parasysh mosmarrëveshjet tona të thella me republikanët për një mori çështjesh. Por të jetosh në një demokraci ka të bëjë me të kuptuarit se këndvështrimi ynë nuk do të fitojë gjithmonë dhe të jemi të gatshëm të pranojmë kalimin paqësor të pushtetit”.

    “Michelle dhe unë nuk do të mund të ishim më krenarë për zëvendëspresidenten Harris dhe guvernatorin Tim Walz – dy shërbyes të jashtëzakonshëm që zhvilluan një fushatë të jashtëzakonshme. Dhe ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës stafit dhe vullnetarëve që derdhën zemrën dhe shpirtin e tyre për  zgjedhjen e punëtorëve publikë tek të cilët besonin vërtet”.

    Në deklaratën e përbashkët thuhet dhe bëhet thirrje që të ketë bashkëpunim që të punohet sa më shumë për Amerikën.

  • Joseph: Kurti do të përballet me zgjidhje të vështira nëse Grenell emërohet në ndonjë pozitë të lartë në politikën e jashtme

    Joseph: Kurti do të përballet me zgjidhje të vështira nëse Grenell emërohet në ndonjë pozitë të lartë në politikën e jashtme

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbase do të kishte dashur ta ndryshonte qasjen e tij nën administratën e presidentit Joe Biden, tha në një intervistë Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin John Hopkins në SHBA, pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet e mbajtura në SHBA më 5 nëntor.

    Joseph shtoi se do Kurti do të përballet me zgjidhje të vështira, veçanërisht nëse Richard Grenell, i cili ka qenë shumë kritik ndaj Kurtit, emërohet sekretar i Shtetit, apo në ndonjë pozitë tjetër të lartë në politikën e jashtme.

    “Në serbi po e festojnë fitoren e Trumpit. Richard Grenell, të cilin Trumpi e përmendi në një tubim rishtazi, ka mundësi ta mbajë një pozitë të lartë, madje edhe pozitën e sekretarit të Shtetit. Grenelli për kohë të gjatë ka pasur mospajtime me Albin Kurtin, dhe ka vazhduar me kritika edhe këtë vit”, tha Joseph.

    Në vitin 2020, Kurti e kishte akuzuar Richard Grenellin, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi ishte “drejtpërdrejt i përfshirë” në rrëzimin e qeverisë së tij më pak se dy muaj pasi mori detyrën si kryeministër.

    Në atë kohë, Grenell kishte thënë se Kurti ishte antiamerikan dhe se ai ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë: Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.

    “Kryeministri Kurti do të presë zgjedhjet [në Kosovë] – dhe pastaj do t’i duhet të vendosë nëse do të vazhdojë me njëanshmëri dhe shpërfillje ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai mbase mund të kishte dëshiruar ta ndryshonte kursin nën administratën Biden. Qëndrimi më i mirë i Kurtit është ai për të cilin unë kam bërë thirrje gjithmonë: je kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe tregoju serbëve se Prishtina i mbron interesat e tyre më shumë se Beogradi”, theksoi ai për Radio Evropa e Lirë.

    Duke komentuar kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, Joseph tha se populli amerikan injoroi gjithçka që dinte për Trumpin.

    “Kjo është vërtet pika më befasuese. Është aftësia e kaq shumë mbështetësve të Trumpit për të ndarë në kategori të veçanta të kaluarën dhe skandalet e vazhdueshme të tij, si dhe fyerje dhe madje nxitjet e hapura për dhunë. Tre ditë më parë, në një tubim në Pensilvani, ai sugjeroi se nuk do t’i interesonte nëse gazetarët do të qëlloheshin me armë. E tha këtë si një ‘shaka’ — në një vend ku dhuna me armë nuk është aspak shaka. Nuk ka as zemërim dhe as shqetësim për një koment të tillë mes mbështetësve të tij. Dhe ky është vetëm një shembull”, shpjegoi ai.

    Ai shton gjithashtu se, përtej kësaj, ekziston edhe e kaluara e tij në politikën e jashtme, “e cila i shpëton çdo lloj kontrolli”.

    “Qasja e tmerrshme e Trumpit në negociatat për Kim Jong Un; vendimi i Trumpit për të hequr dorë nga marrëveshja bërthamore me Iranin – një vendim me gjasë vetëm për t’i bërë dëm Obamas – ishte katastrofike. Ishte Trump ai që negocioi me talebanët për të nxituar tërheqjen nga Afganistani, të cilën Biden vetë e zbatoi në mënyrë katastrofike”, tha Joseph.

    Ata që votuan për Trump, sipas Joseph, si çështje që i shqetësonte më së shumti ishin ekonomia dhe emigracioni.

    “Lidhur me inflacionin, politikat thelbësore të Trumpit për rritjen e tarifave posaçërisht ndaj mallrave kineze, do t’i rrisin çmimet. Kjo është poenta e tarifave: rritja e çmimit të një malli të importuar. Pra, kjo mosvazhdimësi flagrante injorohet”, përfundoi ai.

  • Tre javë pas tragjedisë që tronditi botën, trupi i pajetë i Liam Payne i dorëzohet familjes së tij për t’u dërguar në Britani

    Tre javë pas tragjedisë që tronditi botën, trupi i pajetë i Liam Payne i dorëzohet familjes së tij për t’u dërguar në Britani

    Trupi i pajetë i Liam Payne iu dorëzua familjes së tij të mërkurën, për t’u dërguar me aeroplan në Mbretërinë e Bashkuar.

    Kjo u konfirmua nga prokurori publik përgjegjës për rastin e tij, shkruan BBC.

    Këngëtari vdiq tre javë më parë, pasi ra nga ballkoni i katit të tretë të një hoteli në Buenos Aires, Argjentinë.

    Sipas autopsisë, 31-vjeçari kishte pësuar gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme dhe lëndime të shumta traumatike të marra si pasojë e rënies.

    Trupi i tij ishte mbajtur në Argjentinë për t’u kryer testet e mëtejshme toksikologjike dhe laboratorike. Derisa vetëm tani trupi i pajetë iu dorëzua familjes së tij të mërkurën, tha prokurori publik Andres Madrea për BBC.

    Payne ishte njëri nga emrat më të njohur në pop, pas famës që mori me grupin e njohur One Direction. /Telegrafi/

  • Gërvalla në Lituani, dështon seanca në rastin ku akuzohet për mosdeklarim të pasurisë

    Gërvalla në Lituani, dështon seanca në rastin ku akuzohet për mosdeklarim të pasurisë

    Për shkak se Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre gjendet në vizitë zyrtare jashtë vendit, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes ndaj saj në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Ministrja Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mbrojtësi i të akuzuarës Gërvalla, avokati Arianit Koci, e ka njoftuar gjykatësin Dibran Jusufi se e akuzuara Gërvalla nuk ka mundur të jetë prezente në këtë seancë për shkak të një vizite zyrtare jashtë vendit.

    Po ashtu, i njëjti ka kërkuar që seanca të caktohet për një datë tjetër, atëherë edhe e akuzuara Gërvalla do të jetë prezente.

    Lidhur me këtë, prokurori Paulin Pashku, ka thënë se sipas Kodit të Procedurës Penale ka mundësi ligjore që të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor në mungesë të të pandehurës, por që nëse e pandehura do të paraqitet në seancën tjetër, atëherë nuk e kundërshton propozimin e avokatit Koci.

    Më pas, gjykatësi Jusufi konstatoi se në mungesë të të akuzuarës Gërvalla nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance.

    Ndryshe, MPJD-ja ka njoftuar se Gërvalla do të marrë pjesë në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, që do të mbahet më 7 dhe 8 nëntor 2024 në Vilnius, Lituani, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.

    Gjykata Themelore në Prishtinës më 19 qershor 2024 kishte konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj Gërvallës, duke refuzuar kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

    Më pas, Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Gërvallës, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza ndaj saj.

    Lidhur me akuzën për mosraportim të saktë të pasurisë, në seancën fillestare më 7 mars 2024, Gërvalla ishte deklaruar e pafajshme.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 31 janar 2023 nga prokurori Astrit Gashi, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

    Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.

    Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.

    Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.

    Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023 kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.

    “Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

    Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.

    Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.

    Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.

    Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.

  • Izraeli miraton ligjin që mundëson dëbimin e familjeve të sulmuesve palestinezë

    Izraeli miraton ligjin që mundëson dëbimin e familjeve të sulmuesve palestinezë

    Parlamenti i Izraelit e ka kaluar një ligj mëngjesin e së enjtes, i cili mundëson dëbimin e familjarëve të sulmuesve palestinezë, përfshirë edhe të shtetasve të vendit.

    Sipas këtij ligji, ata do të dëboheshin në Gazën e rrënuar nga lufta, ose në vende të tjera.

    Ligji, i cili u shty përpara nga anëtarët e partisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij të ekstremit të djathtë, kaloi me 61 vota për dhe 41 kundër.

    Megjithatë, ai pritet të sfidohet në gjykatë.

    Ligji do të vlente për qytetarët palestinezë të Izraelit dhe për banorët e Jerusalemit të aneksuar lindor, të cilët do të ishin në dijeni paraprakisht për sulmet e anëtarëve të familjes, apo të cilët “shprehin mbështetje apo identifikohen me akte terroriste”.

    Ata do të dëboheshin qoftë në Gazë, apo në vende të tjera, për një kohë prej 7 deri në 20 vjet.

    Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – është duke vazhduar në Gazë, ku janë vrarë dhjetëra mijëra palestinezë dhe ku shumica e popullsisë është zhvendosur shumë herë brenda vendit.

    Nuk është e qartë nëse ligji do të vlente për Bregun e uzurpuar Perëndimor, ku Izraeli e zbaton një politikë të kamotshme për shkatërrimin e shtëpive familjare të sulmuesve.

    Palestinezët kanë kryer sulme me thikë, me të shtëna dhe me vetura kundër izraelitëve në vitet e fundit.

    Eran Shamir-Borer, hulumtues në Institutin Demokratik të Izraelit dhe ish-ekspert ligjor ndërkombëtar për ushtrinë izraelite, tha se nëse ky ligj dërgohet në Gjykatën Supreme, gjasat janë që ai të rrëzohet, bazuar në rastet e kaluara izraelite në lidhje me dëbimin.

    “Çështja kryesore është se ky ligj është plotësisht jokushtetuese dhe bie ndesh me vlerat themelore të Izraelit”, tha Shamir-Borer.

    Izraeli i pushtoi Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen.

    Ai u tërhoq nga Gaza më 2005, por rimori nën kontroll pjesë të saj prej se Hamasi e kreu një sulm në Izrael më 7 tetor 2023, i cili edhe e nxiti luftën.

    Aneksimi i Jerusalemit lindor nga Izraeli nuk njihet nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare. Palestinezët në këtë vend kanë lejeqëndrimi të përhershme dhe lejohen të aplikojnë për shtetësi, por shumica s’e bëjnë, ndërsa ata që e bëjnë, përballen me shumë pengesa.

    Palestinezët që jetojnë në Izraeli e përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë së Izraelit.

    Ata kanë shtetësi dhe të drejtë vote, por përballen me diskriminim të madh. Shumica prej tyre kanë gjithashtu lidhje familjare me ata që jetojnë në territoret e tjera dhe shumica e përqafojnë kauzën palestineze./REL/

  • Shkencëtarët thonë se 2024 do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë

    Shkencëtarët thonë se 2024 do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë

    Viti 2024 do ta kalojë “sigurt” vitin 2023 si viti më i nxehtë në botë i regjistruar ndonjëherë, tha të enjten Shërbimi për Ndryshime Klimatike (C3S) i Bashkimit Evropian, Copernicus

    Të dhënat u publikuan para samitit të OKB-së për klimën, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Azerbajxhan, ku vendet do të përpiqen të pajtohen për një rritje të madhe të financimit për luftimin e ndryshimit klimatik.

    C3S-ja tha se nga janari deri në tetor, temperatura globale mesatare ka qenë aq e lartë saqë viti 2024 do të jetë i nxehtë në botë – nëse anomalia e temperaturës në muajt e mbetur të vitit nuk bie nën zero.

    “Shkaktari thelbësor, kryesor i rekordit të këtij viti është pikërisht ndryshimi klimatik”, tha për Reuters drejtori i C3S, Carlo Buontempo.

    “Klima po ngrohet në përgjithësi. Po ngrohet në të gjitha kontinentet, në të gjitha pellgjet e oqeanit. Prandaj pritet që këto rekorde të vazhdojnë të thyhen”, tha ai.

    Shkencëtarët thanë se 2024-ta do të jetë gjithashtu viti i parë në të cilin planeti është më i ngrohet për 1.5 gradë, krahasuar me kohën paraindustriale, 1850-1900, kur njerëzit filluan të djegin lëndë fosile në shkallë industriale.

    Emetimet e dyoksidit të karbonit nga djegia e thëngjillit, karburanteve dhe gazit, janë shkaktarët kryesorë të ngrohjes globale.

    Çdo rritje temperature nxit mot ekstrem. Në tetor, qindra njerëz humbën jetën si pasojë e përmbytjeve katastrofike në Spanjë. Zjarret rekorde goditën Perunë, ndërsa përmbytjet në Bangladesh shkatërruan më shumë se 1 milion tonë oriz, duke bërë që të rriten tej mase çmimet.

    Në SHBA, ndërkohë, uragani Milton u bë më i vrazhdë si pasojë e ndryshimit klimatik të shkaktuar nga dora e njeriut.

    C3S filloi regjistrimin e rekordeve në vitet ’40, të cilat verifikohen me rekordet e temperaturave të regjistruara qysh nga vitet 1850./REL

  • Kolla e natës, ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji?

    Kolla e natës, ja si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji?

    Çdo vit miliona njerëz vuajnë nga simptoma të ndryshme të ftohjes, gripit, sëmundjeve të frymëmarrjes apo alergjive.

    Kollitje pa pushim natën, dhimbje fyti apo teshtima, por nuk jeni të sigurt nëse po përjetoni simptomat e një ftohje të vjetër apo të një alergjie që sapo ka filluar?

    Mjekët japin disa mënyra se si mund t’i dalloni ato fare lehtë megjithëse janë shumë të ngjashme.

    Është shumë e rëndësishme të kuptoni saktë simptomat të cilat po vuani që të mund të merrni trajtimin e duhur.

    Ne ju tregojmë një listë me këshilla të cilat duhet të merrni parasysh për të bërë këtë ndarje.

    Alergjitë

    Kolla e natës që shkaktohet nga alergjitë shfaqet në periudhat kur në ajër ka shumë polene lulesh, kryesisht në pranverë.

    Ajo shfaqet papritur dhe zgjat me javë të tëra derisa alergjia të kalojë.

    Mund të shkaktohen nga pluhuri , një element i ri në dhomë, një parfum apo detergjent i ri rrobash.

    Në rastin e alergjisë përveç kollës ju nuk do të përjetoni simptoma të tjera siç janë dhimbjet trupit apo temperatura.

    Kontrolloni nëse ndjeni rëndesë në zonën e syve, zonën e hundës dhe sinuseve.

    Kur trupi ndjen rreziqe të jashtme si alergjitë lëshon istaminën e cila shkakton alergjitë.

    Nëse ndjeni zonën poshtë syve të rënduar atëherë me shumë mundësi ju po vuani nga ndonjë alergji.

    Nëse keni shqetësime të fytit, por jo dhimbje dhe ndjesia është ajo e gërvishtjes dhe deshirës për ta kruajtur njësoj siç ndodh me lëkurën atëherë po vuani nga ndonjë alergji.

    Ftohja

    Kolla me natyrë inflamatore shkaktohet nga gripi apo ftohje të ndryshme të cilat bllokojnë rrugët e frymëmarrjes.

    Kjo lloj kolle shfaqet edhe gjatë ditës, por përkeqësohet natën duke penguar gjumin e qetë.

    Kolla e ftohjes ndryshe nga alergjitë është e avashtë dhe zgjat 3-14 ditë.

    Në rastet e ftohjeve do të keni edhe sekrecione të shumta të hundës apo dhimbje të fytit të cila vazhdojnë gjatë gjithë ditës duke ju penguar të konsumoni lehtësisht ushqim.

    Kur vuani nga gripi apo ftohja në shumë raste do të keni edhe temperaturë apo dhimbje të trupit.

    Për të qetësuar kollën nga i ftohti përdorni çajin e dafinës duke zierë tre gjethe dafine në një filxhan çaji dhe nëse dëshironi mund t’i shtoni dhe pak mjaltë. Pijeni para gjumit.

    Për të qetësuar alergjinë përdorni çaj mente. Çaji i mentes është një balancues natyral i cili ul nivelin e istaminës, që shkakton alergjitë në trup.

    Përgatitja

    1 lugë mente e thatë (10gr)
    1 lugë mjalt (25gr)
    1 flixhan ujë (250ml)
    Kollën që shkaktohet nga gripi apo ftohja mund ta qetësoni duke përdorur çaj bliri.
    Çaji i blirit ul temperaturën e turpit dhe lufton të ftohtin. Ka veti qetësuese ndaj dhimbjeve të trupit apo fytit duke i dhënë fuqi sistemit imunitar.
    1 çaj bliri (10gr)
    Pak sheqer ose mjaltë
    1 filxhan ujë (250ml)

  • Britania nënshkruan marrëveshje me Kosovën për t’i luftuar bandat e trafikimit me njerëz

    Britania nënshkruan marrëveshje me Kosovën për t’i luftuar bandat e trafikimit me njerëz

    Kryeministri britanik, Keir Starmer, do të nënshkruajë marrëveshje të reja për të penguar bandat kriminale që kontrabandojnë emigrantë nëpër Ballkanin Perëndimor, si pjesë e përpjekjeve për të bllokuar vendkalimet me varka të vogla.

    Starmer do t’i bëjë publike marrëveshjet për të rritur shkëmbimin e inteligjencës, ekspertizën dhe bashkëpunimin me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në një takim të Komunitetit Politik Evropian në Budapest, Hungari, të enjten, raporton media britanike “Standard”.

    Ai pritet të nxisë partnerët evropianë të ndërmarrin veprime për të reduktuar vdekjet në Kanalin Anglez gjatë kalimeve me varka të vogla dhe t’u thotë atyre se bashkëpunimi i ligjshëm ndërkombëtar do të jetë çelësi i përpjekjeve.

    Media britanike shkruan se Ballkani Perëndimor është një rrugë kyçe e përdorur nga emigrantët që përfundojnë në BE ose Mbretëri të Bashkuar ilegalisht. Pothuajse 100,000 emigrantë udhëtuan në këtë rrugë vitin e kaluar.

    Marrëveshjet thuhet se do të nxisin shkëmbimin e informatave të inteligjencës dhe bashkëpunimin për të penguar bandat kriminale ndërsa ato kontrabandojnë njerëz nëpër këto vende. Qëllimi është të arrestohen bandat dhe të thyhen modelet e tyre të biznesit qysh në start.

    Mbretëria e Bashkuar tashmë punon me Shqipërinë për të luftuar flukset e paligjshme financiare që mbështesin operacionet e bandave të kontrabandës.

    “Ekziston një perandori kriminale që vepron në kontinentin tonë, duke zhvatur njerëzit dhe duke minuar sigurinë tonë kombëtare”.

    “E mbështetur nga Komanda jonë e re e Sigurisë Kufitare, Mbretëria e Bashkuar do të jetë në qendër të përpjekjeve për t’i dhënë fund plagës së krimit të organizuar të imigracionit – por ne nuk mund ta bëjmë atë të vetëm”.

    “Ne duhet të shkojmë më tej dhe më shpejt, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe ta çojmë luftën drejtpërdrejt në zemër të këtyre rrjeteve të ndyra të kontrabandës me njerëz. Unë do ta bëj këtë tipar qendror të diskutimeve të mia në takimin e sotëm të Komunitetit Politik Evropian”, është shprehur kryeministri britanik, Starmer

    Sekretarja e Brendshme britanike, Yvette Cooper tha: “Puna jonë me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është absolutisht thelbësore për çmontimin e rrjeteve kriminale që orkestrojnë shfrytëzimin e njerëzve të cenueshëm për përfitime financiare”.

    “Duke punuar më ngushtë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ne do të ndajmë informacione dhe inteligjencë dhe do të punojmë përtej kufijve për të përcaktuar se çfarë po ndodh dhe ku, për të thyer modelet e biznesit të këtyre bandave të paskrupullta në burim”.

    “Përmes punës sonë të intensifikuar, kriminelët së shpejti do të kuptojnë se nuk kanë ku të fshihen”, u shpreh ajo.

    Kryeministri britanik nisi një fushatë njëjavore për kalimet me varka të vogla të hënën kur njoftoi 90 milionë euro fonde shtesë për Komandën e tij të re të Sigurisë Kufitare, duke e çuar fondin total në 180 milionë euro

    Ai tha se planifikonte të shtynte përpara përpjekjet e Mbretërisë së Bashkuar për të lidhur një pakt sigurie me BE-në, duke përfshirë rivendosjen e aksesit në rrjetet e shkëmbimit të inteligjencës në kohë reale.