ATV

Author: G.O.

  • Procedohen 40 zyrtarë të PD-së dhe 21 qytetarë pas “paralizimit” të Tiranës, 7 të arrestuar

    Procedohen 40 zyrtarë të PD-së dhe 21 qytetarë pas “paralizimit” të Tiranës, 7 të arrestuar

    Një ditë pas protestës së opozitës që bllokuan 5 akse kryesore në Tiranë, policia arrestoi 7 protestues dhe 61 të tjerë i procedoi penalisht në gjendje të lirë, mes të cilëve edhe 40 deputetë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike.

    Ndaj tyre rëndojnë një sërë akuzash dhe vepra penale, si ajo e “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të policisë”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.

    Shtatë protestuesit e arrestuar pritet të dalin para gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. Përveç arrestimit të tyre, policia e Tiranës procedoi në gjendje të lirë po për të njëjtat akuza 40 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike, Partisë Republikane dhe të Partisë së Lirisë, si dhe 21 qytetarë.

    Mes deputetëve të proceduar janë Flamur Noka, Xhelal Mziu, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj. Ky i fundit, nënkryetar i Kuvendit, njëherazi dhe drejtues politik i qarkut Lezhë, i pozicionuar në zonën e njohur si pallati me shigjeta, gjatë përplasjes me policinë, humbi ndjenjat dhe u dërgua në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Përfaqësues të opozitës hodhën akuza të rënda teksa pohuan se Gjekmarkaj u dhunua nga policia, ndërsa vetë policia mohoi diçka të tillë. (A2 Televizion)

  • Anglia nis testimin e mjetit me Al që mund të identifikojë diabetin e tipit 2 përpara se të zhvillohet

    Anglia nis testimin e mjetit me Al që mund të identifikojë diabetin e tipit 2 përpara se të zhvillohet

    Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) në Angli po nis një provë të parë botërore të një mjeti me Al që mund të identifikojë pacientët në rrezik të diabetit të tipit 2 më shumë se një dekadë përpara se të zhvillojnë këtë gjendje.

    Bëhet e ditur se më shumë se 500 milionë njerëz në mbarë botën kanë diabet të tipit 2, dhe gjetja e mënyrave të reja për të dalluar njerëzit në rrezik përpara se të zhvillojnë këtë gjendje është një prioritet kryesor shëndetësor global.

    Vlerësimet sugjerojnë se 1 miliard njerëz do të kenë diabet të tipit 2 deri në vitin 2050.

    Gjendja është një shkak kryesor i verbërisë, dështimit të veshkave, sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe amputimit të gjymtyrëve të poshtme.

    Shpesh lidhet edhe me të qenit mbipeshë ose joaktiv, ose me një histori familjare të diabetit të tipit 2, megjithëse jo të gjithë të diagnostikuarit janë në ato kategori.

    Tani mjekët dhe shkencëtarët kanë zhvilluar një mjet transformues me AI që mund të parashikojë ata që janë në rrezik nga kjo gjendje deri në 13 vjet përpara se të fillojë të zhvillohet.

    Raportohet se teknologjia analizon leximet e elektrokardiogramit (EKG) gjatë skanimeve rutinë të zemrës, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

    Ai mund të zbulojë ndryshime delikate shumë të vogla për t’u vënë re nga syri i njeriut që mund të ngrenë alarmin herët për një pacient në rrugën drejt diabetit të tipit 2.

    Gjithashtu, mund të mundësojë ndërhyrje të hershme dhe potencialisht t’i ndihmojë njerëzit të shmangin zhvillimin e sëmundjes krejtësisht, për shembull, duke bërë ndryshime në dietën dhe stilin e tyre të jetesës.

    NHS do të fillojë testimin e mjetit në vitin 2025, duke u bërë sistemi i parë i kujdesit shëndetësor në botë që e bën këtë.

    Ata që janë të përfshirë në zhvillimin e teknologjisë shpresojnë që ajo të mund të përhapet në të gjithë shërbimin shëndetësor të Anglisë dhe vendeve tjera gjatë viteve të ardhshme.

    “AI ka një potencial të madh për të transformuar kujdesin që mund të çojë në përmirësime thelbësore në shëndet”, tha Dr. Libor Pastika.

    Ndryshe, një ekip i udhëhequr nga D.r Fu Siong Ng dhe Dr. Arunashis Sau në Imperial e zhvilluan mjetin duke përdorur 1.2 milion EKG nga të dhënat spitalore.

    Më pas ata përdorën të dhëna nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar, e cila mban të dhënat gjenetike dhe të dhënat mjekësore të më shumë se 500,000 njerëzve, për të vërtetuar aftësinë e mjetit për të zbuluar ndryshimet delikate në EKG.

    Mjeti harton modelet e vogla të EKG-së më të zakonshme tek ata që do të vazhdojnë të zhvillojnë diabetin e tipit 2 në të ardhmen – dhe më pas kërkon të njëjtat modele në EKG-të e reja.

    Shenjat treguese përfshijnë ndryshime në mënyrën se si udhëton sinjali elektrik i zemrës, të tilla si ndryshime të vogla në kohën, formën ose modelet e valëve të caktuara elektrike.

    Mjeti gjithashtu mund të identifikojë kohë më të gjata të aktivizimit elektrik ose ndryshime në mënyrën se si rivendosen sinjalet elektrike të zemrës.

    Ndërsa këto ndryshime mund të duken të vogla, ato pasqyrojnë efektet e hershme të diabetit në strukturën dhe funksionin e zemrës, shumë përpara se të shfaqen simptomat.

    Testet kanë treguar tashmë se mjeti parashikon me saktësi rrezikun në njerëz të moshave, gjinive, etnive dhe prejardhjeve socio-ekonomike të ndryshme, në rreth 70% të rasteve.

    Studiuesit kanë njoftuar se kur parashikimet e AI u kombinuan me informacionin gjenetik dhe klinik, si mosha dhe presioni i gjakut, saktësia u përmirësua më tej, duke ofruar një pamje edhe më të qartë të rrezikut.

  • NASA me mision për të studiuar nga afër diellin

    NASA me mision për të studiuar nga afër diellin

    Një sondë e Agjencisë amerikane Hapësinore (NASA) është duke bërë përpjekje që të bëjë histori duke bërë afrimin më të madh ndonjëherë me diellin.

    Sonda diellore Parker synon të zhytet në atmosferën e jashtme të këtij ylli, duke iu rezistuar temperaturave brutale dhe rrezatimit ekstrem.

    Pajisja nuk do të ketë sinjal për disa ditë, sa të jetë e ekspozuar në flakët e diellit, dhe shkencëtarët do të jenë në pritje të sinjalit më 28 dhjetor, nëse sonda nuk do të digjet.

    I gjithë studimi është duke u bërë ashtu që njerëzimi të kuptojë se si funksionon dielli.

    Ky studim ka nisur më 2018, duke pasur në qendër sistemin diellor.

    Sondat kanë qarkulluar rreth diellit, në distanca shumë të largëta për 21 herë rresht, mirëpo misioni aktual mund të shënojë rekord.

    Nëse gjithçka shkon si duhet, sonda do t’i afrohet diellit në distancë prej 6.2 milionë kilometrash, më të afërtën ndonjëherë.

    Sondës do t’i duhet të durojë temperatura mbi 1.400 gradë Celsius dhe rrezatim të jashtëzakonshëm.

    Shkencëtarët besojnë që përmes këtij studimi të zbulojnë më shumë për diellin dhe sistemin e tij./REL

  • Ardhja e mërgimtarëve, deri në dy orë pritje te Dheu i Bardhë

    Ardhja e mërgimtarëve, deri në dy orë pritje te Dheu i Bardhë

    Pritje të gjata janë regjistruar në hyrje të pikës kufitare te Dheu i Bardhë.

    Sipas përditësimit të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet e mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë në pikën kufitare te Dheu i Bardhë kanë arritur deri në dy orë.

    Bëhet e ditur se kolonat e veturave atje arrijnë deri në 1.5 kilometra.

  • Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte kundër popullsisë civile

    Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte kundër popullsisë civile

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër një personi të nacionalitetit serb, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Në njoftim thuhet se hetimet kanë vërtetuar se gjatë periudhës kohore të luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, i pandehuri ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktime të nacionalitetit shqiptar.

    “Në mbështetje të neneve 234 par.2 dhe 303 par. 7 të KPP-së, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të mbaj gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri G.V është i paarritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 234 i KPP-së, për ngritjen e aktakuzës në mungesë. Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme”, shkruhet në njoftim.

    Postimi i plotë:

    Prishtinë, 24 dhjetor 2024 –Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me inicialet G.V, i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të RSFJ-së.

    Hetimet kanë vërtetuar se gjatë periudhës kohore të luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, i pandehuri ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktime të nacionalitetit shqiptar.

    Në mbështetje të neneve 234 par.2 dhe 303 par. 7 të KPP-së, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të mbaj gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri G.V është i paarritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 234 i KPP-së, për ngritjen e aktakuzës në mungesë.

    Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

  • PZAP-ja e konfirmon që kanë pranuar ankesë nga Lista Serbe, vendimi merret brenda 48 orëve

    PZAP-ja e konfirmon që kanë pranuar ankesë nga Lista Serbe, vendimi merret brenda 48 orëve

    Lista Serbe është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Nga PZAP kanë konfirmuar se kanë ka pranuar ankesën dhe do të vendosë brenda 48 orëve, sipas afatit ligjor.

    “Ju njoftojmë se kemi pranuar një ankesë nga subjekti politik Lista Serbe dhe PZAP brenda afatit ligjor do të vendosë”, kanë thënë nga PZAP për RTV21.

    Ndërkaq, nga Lista Serbe, sot në një konferencë për media kanë konfirmuar se do të paraqesin ankesë, duke e cilësuar këtë vendim si të kundërligjshëm.

    “Besojmë se kjo është bërë me urdhër të Albin Kurtit për të penguar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe është dëshmi se sa shumë dëshiron Kurti të eliminojë serbët nga këto treva. Kurti nuk dëshiron të shohë anëtarë të Listës Serbe në Kuvend, por dëshiron të shohë në të serbë të bindur si Nenad Rashiq”, ka thënë në konferencën për media Zlatan Elek, kryetar i Listës Serbe.

  • Presidentja Osmani uron festën e Krishtlindjes: Mundësi reflektimi për shpresën, bujarinë e bashkimin

    Presidentja Osmani uron festën e Krishtlindjes: Mundësi reflektimi për shpresën, bujarinë e bashkimin

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë, duke thënë se festa e Krishtlindjes është një mundësi reflektimi për shpresën, bujarinë dhe bashkimin – një periudhë kur na kujtohet fuqia e dashurisë dhe shpresës.

    Osmani ka thënë edhe se, Krishtlindja na kujton se shpresa duhet të triumfojë përballë sfidave.

    Urimi i Presidentes Osmani për Krishtlindje:

    Festa e Krishtlindjes është një mundësi reflektimi për shpresën, bujarinë dhe bashkimin – një periudhë kur na kujtohet fuqia e dashurisë dhe shpresës.

    Në këtë ditë ne çmojmë posaçërisht lidhjet dhe traditat që na bashkojnë.

    Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave, duhet të triumfojë shpresa.

    Uroj të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindje me shumë dashuri, gëzim dhe paqe! Le të na frymëzojë kjo festë për një të ardhme me shpresë të pakufishme!

    Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen!

  • Zjarr në Kullën Eiffel, evakuohen turistët

    Zjarr në Kullën Eiffel, evakuohen turistët

    Ditën e sotme është ngritur alarmi në Kullën Eiffel, për shkak të zjarrit të shkaktuar në një nga ashensorët.

    Zjarri u vu shpejt nën kontroll dhe u shua, por pati shumë panik pasi 1200 persona brenda atraksionit turistik u detyruan të evakuoheshin.

    Sipas informacioneve fillestare, zjarri ka rënë në një bosht ashensori mes katit të parë dhe të dytë.

    Në fakt, vlerësimet e para të zjarrfikësve tregojnë se zjarri ka nisur kur një pajisje pranë një kablloje ashensori është mbinxehur.

    Autoritetet franceze vendosën me shpejtësi shërbimet e urgjencës për të menaxhuar situatën.

    Kulla Eifel, një nga destinacionet turistike më të njohura në botë, zakonisht tërheq 15,000 deri në 25,000 vizitorë çdo ditë, siç vërehet nga databaza e statistikave RoadGenius.

    Ndërsa hetimet vazhdojnë, priten të dhëna të reja për shkakun dhe shtrirjen e zjarrit.

  • Gucati njoftohet nga Specialja se e ka përfunduar dënimin: Liria ime nuk mund të jetë e plotë pa shokë

    Gucati njoftohet nga Specialja se e ka përfunduar dënimin: Liria ime nuk mund të jetë e plotë pa shokë

    Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka njoftuar se e ka përfunduar dënimin prej 4 vite e 3 muaj.

    Këtë e ka bërë të ditur vetë Gucati përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar se për këtë është njoftuar nga Gjykata Speciale.

    Mes tjerash, ai ka thënë se ky vendim ishte i padrejtë dhe lirinë nuk e gëzon të plotë pa shokët.

    “Gjatë qëndrimit në Hagë së bashku më shokët dhe bashkëluftëtaret i qëndruam pranë njëri tjetrit dhe secili nga ne treguam zotësi të vërtetë dhe qëndruam ballë lartë dhe krenar për veprat tona, asnjëherë nuk u dorëzuam, por liria ime nuk mund të jetë liri e plotë pa shokët, duke filluar nga Baca Jakup, Hashimi, Kadriu, Rexha, Cali e Pjetri, të cilët janë të pafajshëm dhe i duhen më shumë se kurrë Kosovës sot”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

    Sot u njoftova nga Gjykata Speciale përmes avokatëve që kam përfunduar dënimin prej 4 vite e 3 muaj, dënim që ishte ulur nga 4 vite e 6 muaj, i tërë vendim ishte i padrejtë.

    Gjatë këtyre 4 viteve nuk mund të isha pranë familjes dhe atdheut tonë të dashur Kosovës, gjatë qëndrimit në Hagë në Kosovë dhe në familje ndodhën një mori ngjarjes, ajo që me goditi më së shumti ishte vdekja e babes i cili ndërroi jetë sa isha në Hagë.

    Gjatë qëndrimit në Hagë së bashku më shokët dhe bashkëluftëtaret i qëndruam pranë njëri tjetrit dhe secili nga ne treguam zotësi të vërtetë dhe qëndruam ballë lartë dhe krenar për veprat tona, asnjëherë nuk u dorëzuam, por liria ime nuk mund të jetë liri e plotë pa shokët, duke filluar nga Baca Jakup, Hashimi, Kadriu, Rexha Cali e Pjetri, të cilët janë të pafajshëm dhe i duhen më shumë se kurrë Kosovës sot.

    Faleminderit gjithë atyre që më qëndruan pranë mua dhe familjes time gjatë kësaj periudhe.

    Çdo herë do jem në mbrojtje të vlerave të luftës dhe të Kosovës.

  • Nëse jeni përdorues i këtyre modeleve të telefonave, nga 1 janari 2025 nuk do mund ta përdorni më WhatsApp

    Nëse jeni përdorues i këtyre modeleve të telefonave, nga 1 janari 2025 nuk do mund ta përdorni më WhatsApp

    Duke filluar nga 1 janari 2025, WhatsApp nuk do të mbështetet më në telefonat më të vjetër Android.

    Ky ndryshim do të thotë që nëse jeni duke përdorur ende një pajisje të vjetër si telefonin tuaj kryesor, do t’ju duhet ta zëvendësoni me një model më të ri për të vazhduar përdorimin e WhatsApp.

    Meta, kompania që qëndron pas aplikacionit, po ndërpret mbështetjen për këto pajisje të vjetra sepse atyre u mungojnë aftësitë harduerike për veçoritë dhe funksionalitetet në zhvillim të aplikacionit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Disa nga modelet e njohura të telefonave që do të preken nga ky ndryshim janë: Samsung Galaxy S3, Samsung Galaxy Note 2, Samsung Galaxy S4 Mini, Motorola Moto G (1st Gen), Motorola Razr HD, Moto E 2014, HTC One X, HTC One X+, HTCDesire 500, HTCDesire 601, LG Optimus G, LG Nexus 4, LG G2 Mini, LG L90, Sony Xperia Z, Sony Xperia SP, Sony Xperia T dhe Sony Xperia V.

    Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Meta njofton planet për t’i dhënë fund mbështetjes për pajisjet e vjetra.

    Disa muaj më parë, kompania njoftoi se do të ndalonte mbështetjen e iPhone-ve që funksionojnë në iOS më të vjetër se versioni 15.1. /Telegrafi/