ATV

Author: G.O.

  • Komandanti i KFOR-it: Paqja e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë kërkon zgjidhje politike

    Komandanti i KFOR-it: Paqja e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë kërkon zgjidhje politike

    Komandanti i ri i KFOR-it, Enrico Barduani, ka deklaruar se paqja e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë kërkon zgjidhje politike.

    Barduani ka sqaruar se “zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të jetë me mjete ushtarake, por me dialog”, nënkupton se alternativa për çështje thelbësore mes palëve është në duar të diplomacisë dhe politikës.

    “Ndërsa prania ushtarake e KFOR-it është e nevojshme për të përballuar sfidat aktuale të sigurisë, paqja e qëndrueshme kërkon një zgjidhje politike. Në fakt, pas një krize ndërkombëtare, forcat ushtarake janë funksionale për të krijuar një mjedis të sigurt, por është në duar të diplomacisë dhe politikës që të zgjidhin çështjet thelbësore që shkaktuan krizën dhe të arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme. Kjo nuk mund të jetë një detyrë që i besohet personelit ushtarak”, deklaroi Barduani për AP.

    Barduani kishte shërbyer në Kosovë në vitin 2001 si oficer dhe më pas, në vitin 2015, si shef i kabinetit të komandantit të KFOR-it. Aktualisht, ai e konsideron situatën e sigurisë më stabile, por megjithatë ajo vazhdon të mbetet e brishtë edhe pas më shumë se dy dekadash.

    “Situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 2001, ajo ka mbetur e qetë, por e brishtë prej vitesh. Kjo është kryesisht për shkak të mungesës së përparimit të dukshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin ne vazhdojmë ta mbështesim plotësisht”.

    Barduani, ka deklaruar se menjëherë pas sulmit terrorist në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, të cilin aktualisht ai e udhëheqë, kanë siguruar zonën, por që ka theksuar se përgjegjës për sundimin e ligjit është Policia e Kosovës.

    Ushtaraku italian mori komandën e KFOR-it më 11 tetor, duke e zëvendësuar kështu ne këtë pozitë turkun, Ozkan Ulutas-in.

    Një muaj e gjysmë pasi mori detyrën, Kosova u përballe me një nga sulmet më të rënda në infrastrukturën kritike.

  • Ministria e Infrastrukturës: Të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme

    Ministria e Infrastrukturës: Të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme

    Reshjet e borës në vend po vazhdojnë edhe sot, e të cilat po ashtu gjatë natës kanë krijuar një shtresë të re.

    Nga Ministria e Infrastrukturës kanë thënë se të gjitha rrugët që janë përgjegjësi e ministrisë janë të hapura.

    Kështu ka njoftuar sot zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    “Reshjet e borës po vazhdojnë dhe pritet që të ketë reshje edhe në ditët në vazhdim. Ekipet e mirëmbajtjës janë në teren dhe janë duke intervenuar vazhdimisht në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme. Sipas raportimeve nga tereni të gjitha rrugët që janë përgjegjësi e ministrisë janë të hapura. Ju lutemi që të keni kujdes gjatë vozitjes duke respektuar rregullat dhe përshtatur kushteve klimatike. Do të jemi vazhdimisht në gatishmëri që rrugët tona të jenë të hapura për lëvizjën sa më të lehtë për ju”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.

  • Zelensky e quan ‘çnjerëzor’ sulmin rus në ditën e Krishtlindjes

    Zelensky e quan ‘çnjerëzor’ sulmin rus në ditën e Krishtlindjes

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar pas sulmit rus në ditën e Krishtlindjes.

    “Çdo goditje masive ruse kërkon kohë për t’u përgatitur. Nuk është kurrë një vendim spontan. Është një zgjedhje e ndërgjegjshme jo vetëm e objektivave, por edhe e kohës dhe datës”.

    “Sot, Putini zgjodhi qëllimisht Krishtlindjet për një sulm. Çfarë mund të ishte më çnjerëzore? Më shumë se 70 raketa, duke përfshirë ato balistike, dhe më shumë se 100 drone sulmuese. Objektivat janë sektori ynë i energjisë. Ata vazhdojnë të luftojnë për një ndërprerje të energjisë në Ukrainë.

    “Sipas të dhënave paraprake, mbrojtësit tanë arritën të rrëzojnë më shumë se 50 raketa dhe një pjesë të konsiderueshme të dronëve. Fatkeqësisht, ka goditje. Deri më tani, ka ndërprerje në disa rajone. Punonjësit e energjisë po punojnë për të rivendosur furnizimin me energji elektrike. sa më shpejt të jetë e mundur.

  • Rusia nis një tjetër sulm në shkallë të gjerë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës

    Rusia nis një tjetër sulm në shkallë të gjerë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës

    Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko, ka njoftuar se forcat ruse po kryejnë një sulm në shkallë të gjerë në sistemin energjetik të Ukrainës.

    “Armiku po fillon sërish një sulm në shkallë të gjerë në infrastrukturën tonë energjetike”, ka shkruar në Facebook, Halushchenko, transmeton Telegrafi.

    Operatori i Sistemit të Transmetimit po merr masat e nevojshme, për të kufizuar konsumin dhe minimizuar pasojat negative për rrjetin elektrik.

    “Sapo të lejojë situata e sigurisë, punonjësit e energjisë do të vlerësojnë dhe konfirmojnë shkallën e dëmit”, shtoi Halushchenko.

    Shpërthime janë raportuar në qytetet Dnipro, Kryvyi Rih, Samar dhe Kamianske.

    Kryebashkiaku i Kharkivit, Ihor Terekhov deklaroi se qyteti është nën sulm nga raketat balistike.

    Tre persona janë plagosur në lagjen Saltivskyi, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Sulme janë regjistruar edhe në lagjen Kyivskyi të qytetit.

    Një paralajmërim për sulm ajror mbetet në fuqi në të gjithë vendin. /Telegrafi/

  • Irani heq kufizimet për WhatsApp dhe Google Play

    Irani heq kufizimet për WhatsApp dhe Google Play

    Irani i ka hequr kufizimet për platformën online të aplikacioneve Google Play, si dhe për aplikacionin për mesazhe, WhatsApp, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

    Agjencia ka thënë se aplikacionet janë riaktivizuar nga autoritetet, dhe që bllokada pritet t’iu hiqet edhe disa aplikacioneve tjera.

    Pas protestave masive të vitit 2022, autoritetet patën rritur kufizimet në internet, me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së pamjeve nga protestat.

    Megjithatë, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, i cili është ngjitur këtë vit në pushtet, e ka quajtur ndalesën absurditet dhe është zotuar për t’iu dhënë fund kufizimeve.

    Ai mund të pretendojë tani fitore të pjesshme kundrejt politikanëve të linjës së ashpër.

    Megjithatë, mbetet të shihet nëse në këtë shtet do të riaktivizohen edhe platformat tjera sikurse Instagrami, Facebooku, X, apo Telegrami, raporton REL.

    Një pjesë e madhe e popullsisë iraniane i ka shmangur bllokadat në internet përmes rrjetit virtual privat (VPN).

    Për më shumë, pothuajse e gjithë udhëheqësia politike në këtë shtet është prezente në plaformat e ndaluara sikurse X – i njohur më parë si Twitter, dhe Instagram.

  • Reshjet e borës, rruga Pejë-Kullë e pakalueshme për automjete të rënda

    Reshjet e borës, rruga Pejë-Kullë e pakalueshme për automjete të rënda

    Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se pas reshjeve të borës, rruga Pejë Kullë është e pakalueshme për automjete të rënda.

    Në përditësimin e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar bëhet e ditur se të gjitha rrugët e tjera janë të kalueshme.

    “Pejë-Kullë: E pa kalueshme për automjete të rënda (kamion), për automjetet e udhëtarëve të domosdoshme janë pajisjet dimërore”, thuhet në përditësim.

    Pritjet nëpër pikat kufitare, këto janë të dhënat e fundit

  • Dy të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në një lokal në Prishtinë

    Dy të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në një lokal në Prishtinë

    Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur brenda një lokali në Prishtinë.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se shpërthimi dyshohet se ka ndodhur nga një bombolë gazi.

    “Rreth orës 23:00 në një lokal në rrugën “Mark Sopi” në Prishtinë, ka ndodhur një shpërthim. Zyrtarët policor kanë reaguar menjëherë pasi ndodheshin në afërsi të vendit të ngjarjes. Bazuar në informacionet e para dyshohet që shpërthimi ka ardhur nga një bombolë gazi. Deri tani bëhet e ditur se dy persona kanë pësuar lëndime”, tha Ahmeti për RTKlive.

    Ajo tha se Policia është në vendngjarje dhe po merret me trajtimin e rrethanave të ngjarjes.

  • Pritjet nëpër pikat kufitare, këto janë të dhënat e fundit

    Pritjet nëpër pikat kufitare, këto janë të dhënat e fundit

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat sa i përket pritjeve nëpër pikat kufitare.

    Sipas të dhënave të fundit pritje nuk ka në asnjë pikë kufitare, përpos Dheut të Bardhë ku ka 10 metra kolonë për të hyrë dhe për të dalë nga territori i Kosovës.

  • Kurti uron Krishtlindjen: Kujdesi dhe dashuria për tjetrin nuk duhen parë si privilegje – janë përgjegjësi ndaj çdonjërit

    Kurti uron Krishtlindjen: Kujdesi dhe dashuria për tjetrin nuk duhen parë si privilegje – janë përgjegjësi ndaj çdonjërit

    Kryeministri Albin Kurti i ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes.

    “Uroj që Krishtlindja të na e sjellë afër mendjes dhe zemrës se kujdesi dhe dashuria për tjetrin nuk duhen parë si privilegje. Ato janë përgjegjësi ndaj çdonjërit që të jetoj me dinjitet”, shkruan Kurti në postimin e tij.

    Urimi i kryeministrit Albin Kurti:

    Urime Krishtlindjen!

    Të dashur besimtarë të krishterë, urime këtë datë të shënuar!

    Uroj që Krishtlindja të na e sjellë afër mendjes dhe zemrës se kujdesi dhe dashuria për tjetrin nuk duhen parë si privilegje. Ato janë përgjegjësi ndaj çdonjërit që të jetoj me dinjitet.

    Krishtlindja është edhe mirënjohje dhe falënderim.

    Andaj këtë festë të Krishtlindjes le të reflektojmë me mirënjohje dhe falënderim, për atë që kemi te njëri-tjetri.

    Për çdo vit kjo periudhë na gjen pranë familjes e miqve me shpresën e pakursyer se e mira te njeriu e te shoqëria nuk pushon së çeluri.

    U bëftë më e mira për të gjithë, e veçanërisht për ata që sakrifikojnë nga vetja për të tjerët!

    Urime Krishtlindja!

  • Procedohen 40 zyrtarë të PD-së dhe 21 qytetarë pas “paralizimit” të Tiranës, 7 të arrestuar

    Procedohen 40 zyrtarë të PD-së dhe 21 qytetarë pas “paralizimit” të Tiranës, 7 të arrestuar

    Një ditë pas protestës së opozitës që bllokuan 5 akse kryesore në Tiranë, policia arrestoi 7 protestues dhe 61 të tjerë i procedoi penalisht në gjendje të lirë, mes të cilëve edhe 40 deputetë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike.

    Ndaj tyre rëndojnë një sërë akuzash dhe vepra penale, si ajo e “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të policisë”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.

    Shtatë protestuesit e arrestuar pritet të dalin para gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. Përveç arrestimit të tyre, policia e Tiranës procedoi në gjendje të lirë po për të njëjtat akuza 40 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike, Partisë Republikane dhe të Partisë së Lirisë, si dhe 21 qytetarë.

    Mes deputetëve të proceduar janë Flamur Noka, Xhelal Mziu, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj. Ky i fundit, nënkryetar i Kuvendit, njëherazi dhe drejtues politik i qarkut Lezhë, i pozicionuar në zonën e njohur si pallati me shigjeta, gjatë përplasjes me policinë, humbi ndjenjat dhe u dërgua në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Përfaqësues të opozitës hodhën akuza të rënda teksa pohuan se Gjekmarkaj u dhunua nga policia, ndërsa vetë policia mohoi diçka të tillë. (A2 Televizion)