ATV

Author: G.O.

  • Ekipi nga Koreja e Jugut zhvillon robotin që ndihmon paraplegjikët të ecin

    Ekipi nga Koreja e Jugut zhvillon robotin që ndihmon paraplegjikët të ecin

    Studiuesit koreano-jugorë kanë zhvilluar një robot të lehtë për t’u veshur që mund të shkojë deri te personat paraplegjikë dhe t’u mundësojë atyre të ecin, të manovrojnë me pengesa e të ngjisin shkallë.

    Ekipi i Laboratorit Exoskeleton në Institutin e Avancuar të Shkencës dhe Teknologjisë në Kore (KAIST) tha se qëllimi i tyre është të krijojnë një robot që integrohet pa probleme në jetën e përditshme të individëve me aftësi të kufizuara.

    Kim Seung-hwan, i cili është vetë një paraplegjik dhe pjesë e ekipit KAIST, demonstroi prototipin që e ndihmoi të ecte me një shpejtësi prej 3.2 km/h të ngjiste një shkallë dhe të bënte hapa anash, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

    “Mund të më afrohet kudo që të jem, edhe kur jam ulur në një karrige me rrota për të më ndihmuar të ngrihem në këmbë, gjë që është një nga tiparet e tij më të dallueshme”, tha Kim.

    Bëhet e ditur se roboti me fuqi, i quajtur WalkON Suit F1, ka përbërje alumini dhe titani që peshon 50 kg dhe mundësohet nga 12 motorë elektronikë që simulojnë lëvizjet e nyjeve njerëzore gjatë ecjes.

    Park Jeong-su, një tjetër anëtar i ekipit KAIST, tha se veshja ishte frymëzuar nga filmi “Iron Man”.

    “Pasi pashë Iron Man, mendova se do të ishte mirë nëse mund t’i ndihmoja njerëzit me një robot në jetën reale”, tha ai.

    Ndërsa për të siguruar ekuilibrin e përdoruesit gjatë ecjes, roboti është i pajisur me sensorë në thembra dhe në pjesën e sipërme të trupit që monitorojnë 1000 sinjale në sekondë dhe parashikojnë lëvizjet e synuara.

    Lentet në pjesën e përparme të robotit funksionojnë si sy që analizojnë rrethinën e tij, identifikojnë lartësinë e shkallëve dhe zbulojnë pengesat.

  • Kurti sërish refuzon të përgjigjet rreth ftesës së Prokurorisë Speciale

    Kurti sërish refuzon të përgjigjet rreth ftesës së Prokurorisë Speciale

    Kryeministri i Kosovës edhe njëherë ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve rreth Prokurorisë Speciale të Kosovës.

    Kurti sot sërish është pyetur nga gazetarët nëse do t’i përgjigjet ftesës së re për t’u intervistuar, por ka shmangur përgjigjen.

    “Në Dragash e në Malishevë duhet të shkoj”, ishte përgjigja e shkurtër e tij kur dëgjoi pyetjen.

    Prokuroria Speciale ka përcjellë një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit, për çështjen e rezervave shtetërore.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu bëri të ditur se Kurti ka shprehur gatishmëri që prokurorët ta intervistojnë në zyrën e tij, për çka edhe ka propozuar tri orare.

  • Ipeshkvi Gjergji uron Krishtlindjet: T’i lutemi Zotit të na mbush me paqe, gëzim dhe forcë

    Ipeshkvi Gjergji uron Krishtlindjet: T’i lutemi Zotit të na mbush me paqe, gëzim dhe forcë

    Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji ka uruar Krishtlindjes, duke thënë bërë thirrje që të bëhen lutje për paqe, gëzim e forcë.

    Ai gjithashtu u shpreh se janë Kërshëndellat e 25-ta që po i festojmë në liri dhe tha se sivjet, sikur asnjëherë tjetër, nëpër gjitha sheshet e qyteteve dhe oborret e famullive, besimtarët dhe bashkëqytetarët tanë janë duke festuar, “po gëzojnë e po kënaqën me njëri -tjetrin”.

    “Por, nuk duhet harruar që ne të pagëzuarit, kremtojmë Mishërimin e Fjalës, ardhjen e Zotit në historinë e botës dhe në jetën e njerëzve, sikurse e dëshmon Shën Gjoni në ungjillin e tij: “Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hir e të vërtetë.” (Gjn 1, 14). Në të kaluarën kemi përjetuar lloj-lloj vuajtjesh, padrejtësish e mohimesh, si nga të huajit ashtu edhe nga tanët. Megjithatë, ne qëndruam të fortë e të pathyeshëm duke kënduar: “Lavdi Zotit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve që i ka për zemër!” (Lk 2, 14). Me shpirtin e kësaj kënge të mbushur me gëzim, kemi shprehur besimin tonë në Zotin dhe kemi përjetuar shfaqjen e dashurisë së Hyjit në ne”.

    “Fjala e Mishëruar-Krishti, është shpresa jonë që na mban të fort e të lumtur gjatë përballimit të vështirësive të botës, na forcon në vuajtjet tona dhe iu jep kuptim sakrificave që bëjmë përditë, kurse Shpirti i Tij i shenjtë na mëson të duam, të besojmë dhe shpresojmë. Ai është frymëzimi ynë që na bën t’i mbetemi besnikë Fjalës. Forca jonë që na bën të qëndrueshëm në fe dhe gëzimi i shpresës që na mëson të shpresojmë në amshim”.

    “Me Krishtin, Hyji ka kryer projektin e tij për shpëtimin tonë, përvujtënisht ka manifestuar dashurinë e tij në ne, dhe ka shfaq mbi ne mëshirën e vet. Nëpër Krishtin e ka shpall Ungjillin, Lajmin e Mirë të shpëtimit; na ka ftuar në kthim dhe pajtim me Hyjin Atë dhe ata që kanë pranuar Atësinë e Tij, i ka bërë bijë për amshim. Në Krishtin e ka manifestuar gjithë madhështinë dhe lavdinë e Tij, duke e ngjallur nga të vdekurit. Me ngjalljen e tij të gjithë ne jemi bërë pjesë e Lavdisë Hyjnore. Prandaj, ndonëse akoma shtegtojmë mbi tokë, të jetojmë hyjnisht duke i kultivuar dhe përdorur frytet e shpirtit, që janë: “dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria.” (Gal 5,22-23)”, thuhet në mesazhin e tij.

    Ai tha gjithashtu se ushtrimi i fesë me dhe brenda bashkësisë së të pagëzuarve nëpërmjet siç u shpreh ai, “uratës, shërbesës së sakramenteve dhe shërbimit me dashuri, na mundëson të jetojmë realitetin e sotëm”.

    “Ne të pagëzuarit besojmë, dëshmojmë dhe shpallim Krishtin shpëtimtar, pasi jemi “…trupi i Krishtit dhe secili prej nesh gjymtyrë e Tij” (1 Kor 12,27) . Duam të jemi burim paqeje dhe gurrë dashurie për të gjithë, sikur lutej Shën Françesku, e pastaj edhe Shën Nënë Tereza: “O Zot më bëjë vegël të paqes sate, ashtu që ku ka urrejtje të sjell dashuri, ku ka fyerje, të sjell falje; ku ka përçarje, të sjell unitet; ku ka dyshim, të sjell besim, ku ka dëshpërim, të sjell shpresë; ku ka errësirë, të sjell dritë; ku ka trishtim, të sjell gëzim.”

    “Në këtë lutje përmblidhet tërë feja dhe misioni i të pagëzuarave, këndej dëshirojmë ta duam çdo njeri e çdo krijesë me zemrën e Krishtit, mu ashtu siç Ai na deshi ne (Khs. Gjon 15,12). Por, e gjithë kjo nuk mund të kuptohet pa fe. Pasi, s’ka shkencë që mund t’i vërtetojë, nuk kultivohen me asnjë lloj ndërhyrje gjenetike, nuk mund t’i njohë e as t’i lexojë algoritmi më i përkryer i inteligjencës artificiale. Pastaj, ato nuk mund të blihen me pasuri materiale, të ruhen me rite religjioze, ose të mbrohen me mjete juridike. Këto dhunti mund t’i ketë, t’i ndjejë, t’i sheh e t’i njeh vetëm një zemër e shëruar me mëshirë, një mendje e ndriçuar me fe dhe një njeri i shpëtuar prej Zotit dashuri”.

    “Ushtrimi i fesë me dhe brenda bashkësisë së të pagëzuarve nëpërmjet uratës, shërbesës së sakramenteve dhe shërbimit me dashuri, na mundëson të jetojmë realitetin e sotëm, duke e bâ të tashme t’kaluemen e të qyshtashme atë që shpresojmë. Kjo do të thotë se në ne shprehet, përjetohet dhe shpresohet dashuria e Zotit, njëkohësisht dhe vazhdimisht. Kështu na mundësohet të shohim rrugën që përshkuan të parët tanë, të ndriçojmë shtigjet nga duhet të kalojmë, duke krijuar njëkohësisht shtegun e udhëtimit për gjeneratat e reja. Për këtë arsye, “përqendroni të gjitha forcat tuaja që t’ia shtoni fesë virtytin, virtytit dijen, dijes përkormërinë, përkormërisë qëndresën, qëndresës përshpirtërinë, përshpirtërisë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë që përfshin gjithkënd.” (2 Pjt 1, 5-7)”.

    “Vëllezër dhe motra, si gjithmonë, as në këto Krishtlindje, nuk do të mungojnë lutjet e mija për ju. Njëkohësisht ftoj që gjithë së bashku t’i lutemi Zotit të na mbush me paqe, gëzim dhe forcë, që si pasues të Krishtit, ta mbushim misionin tonë dhe të shpallim dashurinë e Tij në çdo kohë e në çdo vend. Qofshin të gjitha lutjet dhe veprat tona të mbushura me hirin e Hyjit dhe udhëzimin e Shpirtit Shenjt. Gëzuar Krishtlindjet. Zoti ju bekoftë të gjithëve”, thuhet tutje në mesazhin e Ipeshkvi Gjergjit.

  • GAP: Përfaqësimi i grave në bordet e ndërmarrjeve publike mbetet relativisht i ulët

    GAP: Përfaqësimi i grave në bordet e ndërmarrjeve publike mbetet relativisht i ulët

    Përfaqësimi i grave në menaxhmentin e lartë në ndërmarrjet publike mbetet relativisht i ulët.

    Ndonëse gjatë vitit 2023 dallohet një zhvillim pozitiv, përqindja e grave që mbajnë pozita të tilla në këto 16 ndërmarrje publike është rritur nga 21 në 26 për qind.

    Kurse, në administratë, 31 për qind e të punësuarve në këto ndërmarrje publike janë gra, ndërsa 69 për qind burra.

    Këto të dhëna u publikuan të martën nga Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

    Një dallim më i madh mbetet te të punësuarit në terren ose prodhim te këto ndërmarrje, ku 96 për qind e të punësuarve janë burra, ndërsa vetëm 4 për qind gra.

    Në periudhën 2021-2023, vërehet një rënie në numrin e përgjithshëm të të punësuarve në këto ndërmarrje publike, ku në vitin 2023 ka rreth 8.8% më pak punonjës se në vitin 2021.

    Telekomi i Kosovës ka rreth 488 punëtorë më pak (-21.2%), “Trepça” 290 (-19.6%), KEK-u 146 (-3.9%) etj. Faktorët që kanë ndikuar në uljen e numrit të punëtorëve janë mosha e shtyrë, pakot e daljes vullnetare nga puna të adoptuara nga disa ndërmarrje, si dhe riorganizimi ose sistematizimi i vendeve të punës. Për nga aspekti i rritjes së numrit të punëtorëve, vetëm KRU Prishtina ka një rritje më përmbajtësore (+11.9%), me 65 punëtorë më shumë në vitin 2023 se në 2022.

    Anisa Zogaj nga Instituti GAP, ka thënë se ky raport analizon të dhënat e punësimit dhe përfaqësimit të grave në 16 ndërmarrje publike qendrore, në pozita drejtuese dhe të larta në këto ndërmarrje, si dhe në administratë dhe terren.“Ndër vite, shumë nga ndërmarrjet publike nuk kanë zbatuar Ligjin për barazinë gjinore, i cili është i integruar edhe në Ligjin për ndërmarrjet publike, që obligon përfaqësim të barabartë të burrave dhe grave në pozitat e larta udhëheqëse. Shkalla e punësimit të grave nëpër ndërmarrje publike është jo-proporcionale me atë të burrave, si në nivelin drejtues, po ashtu edhe ne punën në administratë dhe punën në terren. Raporti analizon të dhënat e punësimit dhe përfaqësimit të grave në gjithsej 16 ndërmarrje publike qendrore, në pozita drejtuese dhe të larta në këto ndërmarrje, si dhe në administratë dhe ne terren”, deklaroi Zogaj.

    “Viteve të fundit, vërehet një trend më pozitiv veçmas në përfaqësimin e grave në bordet e ndërmarrjeve, por edhe pozitat e larta menaxheriale. Konkretisht, në dhjetor të vitit 2024, në 14 nga 16 ndërmarrjet e analizuara, mbi 40% e anëtarëve të bordeve janë gra, ku në rastin e Telekomit (80%), KRU ‘Mitrovicës’ (60%), Postës së Kosovës (50%) dhe KRU ‘Radoniqit’ (50%) kjo shifër arrin në 50% ose më lart”, ka thënë ajo.

    Besart Zhuja, nga Instituti GAP, ka thënë se raport statistikor ka pasur fokus aspektin e bilancit gjinorë nëpër ndërmarrjet publike, duke shtuar se subjekt i këtij raporti janë ndërmarrjet publike qendrore dhe rajonale të ujit.

    Zhuja ka thënë se nga të dhënave e paraqitura në këtë raport, nga viti 2021 deri në vitin 2023, nga gjithë të punësuarit nëpër ndërmarrjet publike, mesatarisht për këto vite 11% të punëtorëve janë gra, kurse 89% burra, gjë që sipas tij tregon një hendek të theksuar gjinor.

    “Si trend i përgjithshëm i punësimit, nëpër ndërmarrjet e analizuara, kemi një ulje të numrit të përgjithshëm të të punësuarve nëpër ndërmarrjet publike në një mesatare prej 6.2% ose 994 veta më pak të punësuar. Këtu prijnë ndërmarrjet si Telekomi me 488 më pak punëtorë në vitin 2023 sesa në vitin 2021, pasuar nga ‘Trepça’, KEK-u dhe ‘Ibër Lepenci’. Në këtë ulje kanë ndikuar një seri e faktorëve siç janë pensionimi i parakohshëm dhe riorganizimet e fuqisë punëtore. Pra, ky trend i rënies së numrit të punëtorëve është i dukshëm tek 10 nga 16 ndërmarrjet e analizuara”.

    “Sidoqoftë, një trend që shkon në anën e kundërt, pra të rritjes së numrit të punëtorëve vërehet kryesisht te Kompanitë Rajonale të Ujërave: e këtu përfshihen: KRU ‘Prishtina’ me rritjen më të madhe me 65 punëtorë më shumë nga viti 2021 në vitin 2023, pasuar nga Hidroregjioni Jugor dhe ‘Bifurkacioni’. Për nga aspekti i përgjithshëm i punësimit gjinorë, pra, nga gjithë të punësuarit nëpër NP, mesatarisht për këto vite 11% të punëtorëve janë gra, kurse 89% burra. Që tregon një hendek të thellë të përfaqësimi në ndërmarrjet publike”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se hendeku gjinor ka edhe në punësimin në punët e terrenit, si dhe administratë.

    “Si përqindje e të punësuarve në punët e terrenit, gratë përbëjnë vetëm 4% të punës në terren, derisa ka dominim absolut të burrave me 96%. Kur flasim për punësimin në Administratë, po ashtu ekziston hendeku mes burrave dhe grave, kemi një mesatare, 69% të të punësuarve janë burra, kurse 31% gra. Edhe këtu, sikurse tek rasti i punësimit të përgjithshëm, vërejmë se ka një rritje për 1% të grave, derisa ka një ulje prej 1% të burrave që janë të punësuar në Administratë”.

    “Menaxhmeti, kur flasim për menaxhmentin, flasim për katër pozitat e lartë në ndërmarrje të përcaktuara në ligj. Aktualisht, hendeku mes burrave dhe grave për kryeshef ekzekutiv vërehet qartë, i kemi vetëm dy nga 16 ndërmarrjet e prezantuara udhëhiqen nga gratë, derisa 14 ndërmarrje si kryeshefa janë burra. Derisa në KEK, ‘Ibër Lepenc’, ‘Drinin e Bardhë’ dhe Hidroregjionin Jugor nuk ka asnjë grua në pozitat e larta”, ka thënë ai.

  • Tajani nënvizon rolin jetik të KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

    Tajani nënvizon rolin jetik të KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, Antonio Tajani, në ‘Camp Film City’, në Prishtinë.

    Gjeneral Barduani informoi ministrin Tajani mbi aktivitetet e vazhdueshme dhe situatën e sigurisë, duke theksuar kontributin e rëndësishëm të Italisë në KFOR, që përbën 20% të forcës totale, duke përfshirë lidershipin dhe njësitë operacionale.

    Në një komunikatë për media thuhet se ministri Tajani iu drejtua Kontingjentit Italian, duke nënvizuar rolin jetik të KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit në Ballkan, një prioritet kyç për Italinë dhe Bashkimin Evropian. Ai përfundoi duke lavdëruar personelin italian për mbajtjen e standardeve më të larta të drejtësisë, ligjshmërisë dhe respektit për dinjitetin njerëzor.

  • Shkëlqimi me Napolin, Rrahmani në formacionin e javës në Serie A

    Shkëlqimi me Napolin, Rrahmani në formacionin e javës në Serie A

    Ka përfunduar xhiro e 17-të në elitën e futbollit italian Serie A, ku skuadrat e mëdha kanë marrë pikët e plota.

    Inter, Napoli, Juventus, Milan, Roma, Atalanta dhe Lazio të gjitha kanë fituar këtë javë ndeshjet e tyre.

    SofaScore ka publikuar formacionin më të mirë të javës në Serie A, ku vend ka zënë edhe kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.

    Qendërmbrojtësi dardan ka qenë fantastik në fitoren e Napolit 1-2 në udhëtim te Genoa, duke shënuar edhe një gol të rëndësishëm.

    Në portë është Turati i Monzës, derisa në mbrojtje përveç Rrahmanit janë edhe Holm (Bologna), Augusto (Inter) dhe Augello i Cagliarit.

    Në mesfushë është Leandro Paredes, derisa ofensiva përbëhet nga Alexis Saelemaekers, Paulo Dybala, Charles De Ketelaere, Kenan Yildiz dhe Artem Dovbyk. /Telegrafi/

  • Aktakuzë ndaj 5 zyrtarëve në Mamushë, futën në listë për përfitim nga dëmet persona që s’ishin fermerë

    Aktakuzë ndaj 5 zyrtarëve në Mamushë, futën në listë për përfitim nga dëmet persona që s’ishin fermerë

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.M., F.T., E.M., F.M., dhe V.Sh., kryetari dhe anëtarët e Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga vërshimet dhe shirat e rrëmbyeshëm në Komunën e Mamushës, për shkak të dyshimit të bazuar mirë, se në cilësinë e personave zyrtarë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës ata kanë përfshirë jashtëligjshëm në listën e përfituesve 43 fermerë.

    Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës, me datë 29.01.2021 në Mamushë, në cilësinë e personave zyrtarë – duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në bashkëkryerje i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkelin të drejtat e personit tjetër.

    “I pandehuri S.M., në cilësinë e Kryetarit të komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga vërshimet dhe shirat e rrëmbyeshëm në Komunën e Mamushës, ndërsa të pandehurit F.T., E.M., F.M. dhe V.Sh., – si anëtarë të komisionit, përpilojnë Raportin mbi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe listën prej 169 fermerëve përfitues të mbështetjes financiare publike në shumën prej 416,874.77 €, me ç’rast 43 fermerë nga 169 sosh si fermerë përfitues, janë përfshirë në listën e përfituesve në kundërshtim me opinionin ligjor të MBPZHR-së – të datës 17.07.2018 dhe në kundërshtim me Vendimin për shlyerjen e njërit NIF (Numri Identifikues i Fermës) të cilët kanë përfituar mbështetje financiare në shumën prej 97,456.61 € si dhe 13 persona të tjerë të cilët ishin futur në listën e përfituesve pa qenë fare fermerë, me ç’rast këta të fundit kanë përfituar shumën prej 22,936.70 €, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 120,393.31 € (njëqind e njëzet mijë e treqind e nëntëdhjetë e tre euro e tridhjetë e një cent)”, thuhet në njoftim.

    Me këto veprime, të pandehurit thuhet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

  • Sulmoi ish-bashkëshorten e cila kishte urdhër mbrojtës, arrestohet i dyshuari në Gjilan

    Sulmoi ish-bashkëshorten e cila kishte urdhër mbrojtës, arrestohet i dyshuari në Gjilan

    Një person është arrestuar në Gjilan pasi dyshohet se sulmoi ish-bashkëshorten e tij, e cila kishte urdhër mbrojtës të lëshuar nga gjykata.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 08:50 dhe është iniciuar si “Dhunë në familje”.

    “Gjilan 23.12.2024-08:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht ish bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare edhe pse viktima ka pasur urdhër mbrojtës të lëshuar nga gjykata. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Prokuroria Speciale dhe SPAK nënshkruajnë marrëveshje për hetime të përbashkëta

    Prokuroria Speciale dhe SPAK nënshkruajnë marrëveshje për hetime të përbashkëta

    Kreu i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, është takuar sot me kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, me të cilin edhe kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore.

    Në komunikatën e lëshuar për media thuhet se gjatë këtij takimi dy kryeprokurorët diskutuan për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimit dhe efikasitetit në luftën kundër krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit në të dyja shtetet.

    Ky bashkëpunim për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore do të përbëhet nga prokurorë të të dyja prokurorive përkatëse.

    Siç njofton Sistemi Prokurorial, qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në mes të dy krerëve të institucioneve të ndjekjes parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.

    “Kryeprokurori Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani, nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e kanë vlerësuar të rëndësishme, duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë në mes të dy institucioneve të drejtësisë”, shkruhet në njoftim.

  • Kanali amerikan në New York që publikoi për herë të parë videon e Parashqevi Simakut, e cilëson këngëtaren ‘Madona e Shqipërisë’

    Kanali amerikan në New York që publikoi për herë të parë videon e Parashqevi Simakut, e cilëson këngëtaren ‘Madona e Shqipërisë’

    Kanali amerikan në New York, “Abc7” që publikoi për herë të parë videon e Parashqevi Simakut teksa ajo merrte ndihma sociale, ka publikuar një artikull ku e cilëson këtë histori si ‘mrekulli’.

    “Abc7” shkruan sesi ajo video u kthye në një histori ndërkombëtare dhe e lidhi Parashqevi Simakun me Shqipërinë, populli që atë e donte aq shumë dhe e cilësonte si “Madona e Shqipërisë”.

    Artikulli i plotë:

    Një video me një akt të thjeshtë dashamirësie, është bërë tani një histori e madhe ndërkombëtare.

    Më 10 dhjetor, ekipi i 7 On Your Side po ndiqte një bamirësi lokale duke u shpërndarë çanta shpine njerëzve të pastrehë.

    Gazetarja jonë Nina Pineda ndaloi për të folur me një grua, një të huaj në nevojë, në Penn Station të Nju Jorkut pasi ajo mori një nga dhuratat.

    Gruaja u gëzua pa masë me frymën e festës së një dhurate kaq të thjeshtë, një çantë shpine me furnizime dhe një shënim të shkruar me dorë për fëmijë me fjalë inkurajuese, nga një grup i quajtur me vend “Vetëm Dashuri e Bekime”.

    Ajo që ndodhi më pas po quhet një mrekulli. Ajo grua me të cilën foli Nina tha se ishte këngëtare. Rezulton se ajo është aq e famshme, sa njerëzit në vendin e saj e njohën menjëherë nga segmenti.

    Ajo quhet Parashqevi Simaku. Simaku është një këngëtare dhe aktore nga Shqipëria, dhe është një nga thesaret e tyre kombëtare. “Ajo ishte si Madona e Shqipërisë”, tha fansi Bale Erbeli.

    Erbeli ishte duke gatuar kur pa klipin dhe menjëherë njohu Simakun, i cili kishte qëndruar me familjen e saj në Nju Xhersi në vitin 1986 kur ajo niste karrierën e saj.

    Si rezultat, komuniteti shqiptaro-amerikan u bashkua shpejt, duke postuar dhe shpërndarë klipin në të gjithë rrjetet sociale. Madje ka arritur tek një prej influencuesve më të mëdhenj të tyre, Elton Ilirjani.

    Elton Ilirjani është model dhe CEO. Me të parë gjendjen e një ikone kombëtare, ai dhe të tjerët e gjetën Simakun në Penn Station brenda dy ditësh.

    “Kam pesë vjet që e kërkoja”, tha Ilirjani. “Vrapova drejt saj dhe e përqafova”. Ilirjani i ofroi t’i blinte Simakut një dhomë për të fjetur, gjë që ajo pranoi.

    “Ajo bëri një dush të gjatë. Mbretëresha u kthye. Ajo bëri flokët dhe grimin”, tha Ilirjani. “Ajo ishte e bukur. Ne shkuam në një restorant në Hudson Yards, ku ajo këndoi në anglisht dhe frëngjisht.”

    Parashqevi tha për Eyewitness News se askush nuk shkon nga rrugët drejt yjeve, por se ajo po bëhet më e mirë dhe komuniteti i saj vazhdon ta mbështesë.