ATV

Author: G.O.

  • Aksidenti në Maqedoninë e Veriut, gjendet trupi i pajetë i pasagjerit të katërt

    Aksidenti në Maqedoninë e Veriut, gjendet trupi i pajetë i pasagjerit të katërt

    Tragjedia e mbrëmshme te lumi Vardar, afër Shkupit ka tronditur vendin. Trupat e tri grave janë nxjerrë pa shenja jete nga lumi, pasi u aksidentuan dhe vetura e tyre doli nga rruga. Në veturë ka qenë edhe një person tjetër, familjar i viktimave – teksa fëmija që ndodhej po ashtu në veturë shpëtoi.

    Pas një kërkimi disa orësh, diku rreth orës 15:00 është gjetur sot edhe trupi i pajetë i pasagjerit të katërt që ndodhej në veturën që mbrëmë doli nga rruga dhe ra në lumin Vardar.

    Nga aksidenti tragjik që ndodhi dje pasdite në Maqedoninë e Veriut mbetën të vdekura edhe tri gra, ndërsa një fëmijë katërvjeçar shpëtoi dhe po trajtohet në spital.

    Sipas raportimeve të fundit, thuhet se fëmija është jashtë rrezikut për jetën.

  • Shtohen kolonat tek Dheu i Bardhë e Merdarë, kaq janë pritjet

    Shtohen kolonat tek Dheu i Bardhë e Merdarë, kaq janë pritjet

    Kolona të shumta kanë filluar të jenë në dalje të pikave kufitare të Kosovës pas festave të fundvitit.

    Qendra për Menaxhimin Kufitar bën të ditur se në pikën kufitare të Dheut të Bardhë pritjet në dalje janë dy orë e 20 minuta.

    Ndërsa në Merdarë pritjet janë deri në 90 minuta, në Jarinjë gjysmë ore, e në Muçibabë 20 minuta.

  • Orav: Zotimi im për 2025, ta afroj Kosovën me BE-në

    Orav: Zotimi im për 2025, ta afroj Kosovën me BE-në

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav ka bërë një zotim për vitin në të cilin sapo hymë.

    Në një opinion të botuar në ueb-faqen zyrtare të Zyrës së BE-së në Kosovë, ai ka thënë se zotohet që do ta ndihmojë Kosovën të afrohet sa më shumë me BE-në.

    “Gjatë katër muajve të fundit, kam shërbyer si urë lidhëse ndërmjet BE-së dhe Kosovës, duke nxitur marrëdhënie më të thella diplomatike, ekonomike, zhvillimore dhe kulturore. Zotimi im për Vitin e Ri është ta njoh më mirë Kosovën dhe qytetarët e saj dhe të ndihmoj që Kosova të afrohet edhe më shumë me BE-në”, ka thënë mes tjerash ambasadori Orav.

    Ndër të tjera, ai ka thënë se vullneti i popullit të Kosovës është i qartë, siç është edhe vizioni i BE-së për Ballkanin Perëndimor: “E ardhmja e rajonit është në BE. Së bashku, duam të ecim përpara drejt këtij synimi të përbashkët”.

  • I jepet lamtumira e fundit ish-politikanit Anton Berisha

    I jepet lamtumira e fundit ish-politikanit Anton Berisha

    Sot i është dhënë lamtumira e fundit ish-ambasadorit kosovar dhe ish-zëvendësministrit të Jashtëm, Anton Berisha, i cili vdiq të enjten.

    Ai u varros në varrezat katolike të Pejës pas orës 13:00.

    Lajmin për vdekjen e ka bërë të ditur dje djali i tij, Genci, përmes një postimi në Facebook, duke thënë se vdekja erdhi për shkak të një sëmundje të shkurtër që ai kishte.

    “Të dashur familjarë dhe miq, Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar ju njoftojmë se babai ynë i shtrenjtë, Anton Berisha, sot, më datë 2 janar, pas një sëmundjeje të shkurtër, u nda nga kjo jetë, duke lënë pas një boshllëk të paimagjinueshëm në zemrat tona”, shkruan ai në Facebook.

    Anton Berisha ka qenë anëtar i AAK-së, parti nga e cila rreth 5 vite më parë dha dorëheqje.

    I njëjti ka shërbyer si Zëvendësministër i Punëve të Jashtme gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt.

  • Haradinaj: Kosova patjetër duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente

    Haradinaj: Kosova patjetër duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova patjetër duhet të ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente.

    Sipas Haradinajt, aeroporti duhet të jetë në mënyrë që udhëtarët e saj të mos vijnë në situatë – që në pamundësi për të ateruar në Aeroportin e Prishtinës – të aterojnë në Beograd dhe Shkup.

    “Kosova patjetër duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente, në mënyrë që udhëtarët e saj të mos vijnë në situatë – që në pamundësi për të ateruar në Aeroportin e Prishtinës – të aterojnë në Beograd dhe Shkup. Për këtë qëllim, ne do ta aftësojmë Aeroportin e Gjakovës, për të shërbyer si pikë strategjike për funksionalitetin e trafikut ajror. Kjo përshtatje do të arrihet me një investim të përballueshëm për buxhetin”, ka shkruar Haradinaj.

    Tutje, ai pohon se “angazhimi ynë për ta shndërruar këtë aset në një pikë të rëndësishme të infrastrukturës së sigurisë kombëtare është pjesë e vizionit të Kosovës Fituese”. /Telegrafi/

  • Raportohet se është liruar nga Serbia ish-ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj

    Raportohet se është liruar nga Serbia ish-ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj

    Raportohet se është liruar ish-ushtari i UÇK-së, i arrestuar në Serbi një vit më parë

    Ish-ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj, raportohet se është liruar nga burgu në Serbi.

    I njëjti ishte arrestuar bashkë me vëllain e tij, janarin e vitit të kaluar teksa po e kalonte kufirin në Merdarë.

    Ata ishin nisur në drejtim të Italisë.

  • Të paktën 30 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Të paktën 30 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Të paktën 30 persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë në Gazë nga sulmet izraelite të kryera gjatë natës dhe mëngjesin e 3 janarit, thanë zyrtarët spitalorë, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Stafi i spitalit Martirët e Al-Aksës tha se gra dhe fëmijë janë në mesin e të vrarëve në sulmet ajrore që goditën disa vende në Gazën qendrore, përfshirë në Nuseirat, Zavaida, Magazi dhe Deir al Bala. Edhe një ditë më parë kishte pasur viktima nga sulmet, duke bërë që numri i të vrarëve në 24 orë të arrijë në 56.

    Ushtria izraelite nuk ka komentuar sulmet e fundit ajrore. Megjithatë, në një deklaratë të premten tha se gjatë ditës paraprake kishte sulmuar dhjetëra pika kontrolli dhe qendra të komandës të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në mbarë Gazën, nga ku tha se Hamasi po planifikonte të kryente sulme. Ushtria izraelite tha se ka ndërmarrë masa për të minimizuar dëmet ndaj civilëve, duke përdorur municione precize dhe teknologji të vëzhgimit nga ajri.

    Teksa lufta në Gazë po vazhdon, bisedimet për arritjen e një armëpushimi pritet të rinisin të premten.

    Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ka autorizuar një delegacion nga agjencia e inteligjencës, Mossad, nga agjencia për siguri të brendshme, Shin Bet dhe ushtria për të vazhduar negociatat në Katar.

    Bisedimet, që udhëhiqen nga SHBA-ja, vazhdimisht kanë ngecur gjatë 15 muajve luftë, që u nxit pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023. Hamasi vrau afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Afër 100 pengje ende janë brenda Gazës dhe të paktën një e treta e tyre besohet se kanë vdekur.

    Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka lënë të vrarë më shumë se 45.500 palestinezë në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor. Kjo ministri thotë se mbi gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë./REL

  • Këshilli njofton marrjen e Presidencës së BE-së nga Polonia

    Këshilli njofton marrjen e Presidencës së BE-së nga Polonia

    Polonia e ka marrë zyrtarisht kryesimin e Presidencës së e Këshillit të Bashkimit Evropian.

    Ky njoftim është dhënë nga vetë faqja zyrtare e Këshillit në rrjetin social “X”.

    Kryeministri polak, Donald Tusk, në fjalën e tij pas nisjes zyrtare të Presidencës, ka thënë se siguria do të jetë top prioritet përgjatë kësaj presidence.

    “Kjo presidencë do të jetë novator në shumë mënyra. Fillon gjatë një kohe sfiduese të shënuar nga konflikte dhe detyra jonë do të jetë të bindim të 27 vendet anëtare të BE-së se Evropa mund të vazhdojë të jetë vendi më i sigurt dhe më i qëndrueshëm në Tokë. Siguria do të jetë prioriteti ynë kryesor gjatë gjashtë muajve të ardhshëm”, ka thënë Tusk.

  • Insistimi i Kurtit të intervistohet në zyrën e tij, Bajraktari: Krijon praktikë jo të duhur, kryeministri duhet të jetë shembull

    Insistimi i Kurtit të intervistohet në zyrën e tij, Bajraktari: Krijon praktikë jo të duhur, kryeministri duhet të jetë shembull

    Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë se insistimi i kryeministrit Albin Kurti për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale si dëshmitar në Zyrën e tij, mund të krijojë precedent të keq tek qytetarët e vendit.

    Sipas tij, Albin Kurti si kreu i Qeverisë duhet të jetë shembull që urdhrat e organeve të zbatimit të ligjit duhet të zbatohen.

    Bajraktari ka thënë se është shqetësuese hezitimi i kryeministrit lidhur me dëshminë e tij për çështjen e rezervave shtetërore, të cilat tash e sa kohë janë nën llupën e Prokurorisë Speciale.

    “Sa i përket këtij procesi, natyrisht e kam parë me shqetësim hezitimin e kryeministrit të vendit për faktin se për dallim prej herës së parë kur për shkak të pamundësisë objektive, përgjegjësisht u mirëkuptua. Kërkesa e tij pastaj për t’u intervistuar në zyrën e tij natyrisht që në bindjen vë në pozitë të pabarabartë qytetarët e vendit, prandaj vlerësoj që sistemi prokurorial i ka tri alternativa: Të dëshmojë që në raport me ligjin janë apo jo të gjithë qytetarët e barabartë apo ka disa të tillë të cilët janë më të barabartë se sa të tjerët që nënkupton që t’i përgjigjet ftesës së kryeministrit”, ka thënë Bajraktari, teksa tregon edhe për mundësitë tjera. Shqiptimi i gjobës dhe autorizimi i Policisë për ta intervistuar Kurtin, janë disa nga alternativat tjera që i përmend Bajraktari.

    “Alternativa e dytë në bindjen time është që kryeministri të reflektojë, nëse jo natyrisht që prokuroria të veprojë konform dispozitave ligjore që në rast të mos-përgjigjes pozitivisht të ftesës dhe të mos-arsyetimit të saj, të veprojë sipas dispozitave, fillimisht të shqiptojë gjobë deri në 250 euro e në rast se kjo bëhet e vazhdueshme atëherë mund të jetë edhe subjekt i ndëshkimit me burgim jo me tepër se 1 muaj apo të shkohet në alternativën e tretë që në bindjen time po ashtu është e ligjshme ku sipas nenit 118 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria mund ta autorizojë Policinë të ndërmarrë një nga veprimet hetimore dhe duke qenë se kjo gjë është e ligjshme, atëherë le të shikohet si alternativë që Policia e Kosovës nën udhëzimet e Prokurorisë së Shtetit ta kryejë këtë veprim procedural”, u shpreh Bajraktari.

    Por a ka bazë ligjore që Kurti të intervistohet në Zyrën e tij, Bajraktari e sheh të pamundur. Kjo sipas tij mund të bëhet vetëm në rrethanat kur qytetarët nuk mund të intervistohen për shkaqe shëndetësore.

    “Këtë mundësi e përcakton si rrethanë përjashtuese në rrethanat kur ata për shkaqe shëndetësore e të ngjashme nuk mund t’i përgjigjen, ata mund të intervistohen (në shtëpi), ndërsa në bindjen time kjo nuk ka mbulesë ligjore, prandaj është nën përgjegjësinë e Prokurorisë së Shtetit të dëshmojë që në rast se janë ose jo të gjithë qytetarët e vendit të barabartë para ligjit”, u shpreh tutje Bajraktari.

    Ai ka thënë se shefi i ekzekutivit duhet të përçojë mesazh se organet e zbatimit të ligjit duhet të zbatohen dhe jo të krijojë precedent “të rrezikshëm”.

    “Pikërisht kjo është një gjë që kryeministri i vendit duhet me pas parasysh, duhet me reflektua si kreu i Qeverisë në raport me përgjegjësinë që ka jo vetëm si qytetar i vendit, mirëpo edhe si kreu i ekzekutivit dhe të përçojë një mesazh që organet e zbatimit të ligjit dhe urdhrat dhe veprimet e tyre të ligjshme duhet të zbatohen, prandaj duhet t’i përgjigjet pozitivisht ftesës dhe të shkojë për të dhënë dëshminë e tij. E kam thënë disa herë, dëshmia nuk duhet të paragjykohet për faktin se është detyrë dhe përgjegjësi e prokurorit të çështjes që me u sigurua që krahas provave fajësuese, të përkujdeset edhe për sigurimin edhe atyre shfajësuese, prandaj vlerësoj që politizimi i kësaj çështje është i panevojshëm dhe në rrjedhë të kësaj kryeministri duhet të dëshmojë që është i përgjegjshëm në raport me ftesën e Prokurorisë”, ka deklaruar Bajraktari.

  • Nga janari deri në nëntor, diaspora dërgoi 1.2 miliardë euro në Kosovë

    Nga janari deri në nëntor, diaspora dërgoi 1.2 miliardë euro në Kosovë

    Remitancat e huaja në Kosovë arritën në 1,224 miliardë euro në periudhën janar-nëntor, nga 1,208 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha banka qendrore, duke cituar të dhënat preliminare.

    Vetëm në muajin nëntor, remitancat e huaja në Kosovë u rritën me 2.3% krahasuar me një vit më parë, tha Banka Qendrore e Kosovës në një publikim të të dhënave.

    101.3 milionë euro është shuma e mjeteve të dërguara në muajin nëntor të vitit 2024.

    Krahasuar me muajin tetor, remitancat nga jashtë ranë me 9.6% në muajin nëntor.

    Në vitin 2023, remitancat e huaja në Kosovë u rritën 10% krahasuar me vitin paraprak.