ATV

Author: G.O.

  • Stagnim ekonomik, Rafuna: Bizneset në gjendje të vështirë, ngecën investimet kapitale

    Stagnim ekonomik, Rafuna: Bizneset në gjendje të vështirë, ngecën investimet kapitale

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka kritikuar qeverinë për mungesën e masave efektive që mbështesin bizneset, duke theksuar se politika fiskale nuk ka ndryshuar që nga pandemia. Ai ka kërkuar që të miratohen lehtësira dhe ndryshime në TVSh, si dhe reformë të thelluar të politikave fiskale – për të krijuar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e bizneseve.

    Në një intervistë për KosovaPress, Rafuna është shprehur i shqetësuar për gjendjen e vështirë të bizneseve në Kosovë, duke theksuar se investimet kapitale, që janë thelbësore për zhvillimin ekonomik, nuk janë realizuar gjatë mandatit të kësaj qeverie.

    Ai ka vënë në dukje se nuk ka asnjë projekt konkret që mund të konsiderohet si sukses, ndërkohë që investimet kapitale, të cilat janë paraparë me ligjin e buxhetit, nuk janë realizuar siç duhej.

    Rafuna, gjithashtu, ka theksuar se, edhe pse diaspora ka kontribuar me investime, ato janë fokusuar kryesisht në sektorin e paluajtshmërive. Sipas tij, kjo ka rezultuar në një zhvillim ekonomik që nuk është i qëndrueshëm, pasi investimet në këtë sektor nuk krijojnë vende të qëndrueshme pune dhe nuk stimulojnë rritjen afatgjatë të ekonomisë.

    “Nuk është se ka pas ndonjë përkrahje për bizneset. Në qoftë se shohim në kuptimin e politikave fiskale, që rreth 4 apo 5 vite prej pandemisë, që nga ajo kohë nuk është bërë më asnjë freskim i politikave fiskale, përkundër që ka qenë kërkesa jonë që të ketë ende më shumë lirime, shkallëzim të TVSh-së, të ketë një reformim serish të TVSh-së, nuk kemi pas një transparencë, dialog sa i përket sjelljes së ligjeve…Ka mbizotëruar një pasiguri totale juridike sa i përket biznesit”, ka deklaruar Rafuna.

    Rafuna vlerëson se ngecjet më të mëdha kanë qenë tek pjesa e investimeve kapitale të cilat sipas tij nuk janë realizuar.

    “Ngecjet më të mëdha që kemi vërejtur dhe që kemi parë kanë qenë sidomos tek pjesa e investimeve kapitale, ajo pjesë ku neve si biznes na intereson shumë dhe të cilat janë një infuzion shumë i madh për ekonominë e vendit tonë. Asnjëherë gjatë këtyre katër viteve nuk është realizuar ajo shumë e cila ka qenë e paraparë me ligjin e buxhetit. Ai trend ka vazhduar edhe në vitin e fundit të mandatit të kësaj qeverie, edhe pse kemi qenë shumë të zëshëm dhe kemi kërkuar që në qoftë se nuk mund të rritet shuma e investimeve kapitale të shpenzohet ajo që është e paraparë…Nuk po më kujtohet që ka ndonjë projekt që ja vlen. Kemi shumë projekte, shumë rrugë që kanë mbetur të pa realizuara, por nuk e di asnjë projekt që u finalizua dhe qëja vlen të përmendet…Nuk e kemi asnjë projekt konkret kapital që ja kish vlejte të potencohet”, ka nënvizuar Rafuna.

    Ai thekson se diaspora ka luajtur një rol të rëndësishëm në investime, por sipas tij, në sektorin e paluajtshmerisë.

    Rafuna konsideron që këto investime duhet të kthehen në projekte konkrete zhvillimore që do të kishin përfitime të drejtpërdrejta për ekonominë e Kosovës.

    “Te investimet e huaja duhet t’i falënderohemi diasporës të cilët kanë bërë investime. Ato të cilat kanë dominuar kanë ardhur në paluajtshmëri që sërish është pyetje e madhe se a duhen gjitha ato të konsiderohen investime apo jo? Sidomos tek ato paluajtshmëri për të cilat nuk merret një e mirë materiale. Kështu, sërish dominojnë diaspora dhe nuk kemi arrit që të riorientojmë diasporën në projekte konkrete zhvillimore. Dhe tani jemi duke punuar bashkë me të gjitha shoqatat, agjencitë e diasporës që të krijojmë një zyrë këtu që do t’i ndihmojmë diasporës tonë për t’i kthyer ato mjete në projekte konkrete zhvillimore për interes të vendit”, ka thënë Rafuna.

    Ai flet edhe për masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, dështimi nga sanksionet nuk është vetëm në aspekt material, por edhe në kuptim të imazhit të vendit.

    “Dëmtimi nuk është vetëm në aspekt material, por edhe në kuptimin e imazhit. Dhe kjo e ka rënduar edhe më shumë situatën sa i përket investimeve, dhe për qindjes së nivelit të zhvillimit ekonomik. Në qoftë se i përmbledhim shohim shpenzimi i pakët i investimeve kapitale nën masa ndëshkuese që nuk i kemi thithur minimumi 300 milionë që kanë qenë të parapara për projekte kapitale. Shto këtu edhe borxhin e ulët, pra mos rritja e borxhit për projekte kapitale për interes të shtetit e sheh më së miri se ku jemi me nivelin e zhvillimit ekonomik si shtet…Në qoftë se nuk kishin qenë këto masa ne së paku i kishim thith gjitha ato grante, mjete që kanë qenë të parapara për investime të cilat i kanë marrë vendet tjera përreth neve, por ne nuk kemi mundur t’i marrim si rezultat i këtyre masave. Tek fondi i digjitalizimit gjitha shtetet e rajonit morën pjesën e vet, kurse Kosova nuk arriti ta thith atë pjesën e vet, dhe po ashtu edhe në fonde tjera”, ka thënë Rafuna.

    Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 si rrjedhojë e zhvillimeve politike në veri të vendit.

    Këto sanksione kanë hyrë në fuqi më 28 qershor 2023, derisa përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.

  • ​Dërgohet për trajtim në Turqi i lënduari nga fishekzjarrët në Prizren

    ​Dërgohet për trajtim në Turqi i lënduari nga fishekzjarrët në Prizren

    Personi që ishte lënduar natën e 31 dhjetorit pas shpërthimit të një pike shitjeje të mjeteve piroteknike në Prizren, është dërguar për trajtim në Turqi të hënën.

    Pas lëndimit nga zjarri i madh, ai ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku ka qëndruar deri më 6 janar.

    Bashkësia Islame e Kosovës tha përmes një njoftimi se në bashkëpunim me Ambasadën turke në Prishtinë, kanë mundësuar që personi i lënduar të dërgohet me aeroplan special për në Turqi.

    Sipas BIK-ut, trajtimi do të bëhet në Qendrën Hulumtuese Spitalore për djegie të thella në Stamboll.

    Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren, në natën e Vitit të Ri.

    Zjarri ishte përhapur edhe në lokalet dhe ndërtesat rreth pikës së shitjes.

    Autoritetet pritet të bëjnë vlerësimin e saktë të dëmeve.

  • Katër të lënduar nga aksidenti mes disa veturave në Prizren

    Katër të lënduar nga aksidenti mes disa veturave në Prizren

    Katër persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit mes disa veturave, që ndodhi mbrëmë pas mesnate në rrugën “Wesley Clark” në Prizren.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili tha se të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme materiale.

    “Rasti ka ndodhur rreth orës 00:28. Pra, aksident me lëndime dhe dëme materale. Hetimet po zhvillohen nga Stacioni Policor në Prizren”, tha Gashi.

  • Tërmet i fuqishëm në Kinë, raportohet për mbi 50 të vdekur

    Tërmet i fuqishëm në Kinë, raportohet për mbi 50 të vdekur

    Më shumë se 50 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar pas një tërmeti të fortë në Kinë, sipas mediave shtetërore të vendit.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) tha se kishte regjistruar një tërmet me magnitudë 7.1 ballë, me qendër në rajonin e Tibetit, shkruajnë mediat e huaja.

    Ai goditi në një zonë malore, pranë kufirit me Nepalin, pak pas orës 9:05 të mëngjesit të martën, sipas Qendrës së Rrjeteve të Tërmeteve në Kinë.

    Televizioni shtetëror i Kinës (CCTV) tha se epiqendra ishte në rajonin Tingri, rreth 380 km (240 milje) nga kryeqyteti i Tibetit Lhasa dhe rreth 23 km (14 milje) nga qyteti i dytë më i madh i rajonit, Shigatse – i njohur gjithashtu si Xigaz.

    Shigatse është një nga qytetet më të shenjta të Tibetit. Është shtëpia e Manastirit Tashilhunpo – selia tradicionale e Panchen Lama, i cili është i dyti vetëm pas Dalai Lamës për sa i përket autoritetit shpirtëror në budizmin tibetian.

    Ndërkohë janë publikuar pamje që tregojnë momentin e dridhjeve dhe pasojat e tij, përcjell Telegrafi.

  • Vdes një i burgosur në QKUK, po trajtohej nga gripi

    Vdes një i burgosur në QKUK, po trajtohej nga gripi

    Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve ka njoftuar se sot, rreth orës 22:00, në Klinikën Infektive të SHSKUK-së, ka ndërruar jetë i burgosuri me inicialet A.M.

    I ndjeri ishte duke u trajtuar nga një grip, i cili e ka progreduar në mushkëri.

    Edhe pas trajtimeve nga mjekët adekuat në klinikën infektive, gjendja e tij ishte përkeqësuar dhe nuk ka mundur të mbijetojë.

  • 105 kërkesa për falje nga të burgosurit – Një pret faljen nga presidentja Osmani, 16 të tjera në shqyrtim

    105 kërkesa për falje nga të burgosurit – Një pret faljen nga presidentja Osmani, 16 të tjera në shqyrtim

    Është viti i katërt që presidentja Vjosa Osmani nuk është duke e shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese që t’i fal të burgosurit, pavarësisht numri i kërkesave për falje në vitin 2024 ka arritur 105 kërkesa për falje.

    Por, nga presidenca kanë bërë të ditur se këtë vit Komisioni për Falje ka rekomanduar për falje një të dënuar, dhe ky rekomandim është në procedurë të shqyrtimit nga Presidenca.

    Ndërsa, gjithsej janë shqyrtuar tetëdhjetë e nëntë kërkesa për falje të personave të dënuar, ndërsa gjashtëmbëdhjetë prej tyre janë në pritje të shqyrtimit nga Komisioni, pas kompletimit të tyre me informata shtesë.

    Përfaqësues të drejtësisë dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, thonë se pavarësisht që presidentja ka mundësi që të fal ose jo të burgosurit, mos faljen e tyre e konsiderojnë si një shkelje të të drejtave të njeriut.

    Avokati Xhevdet Smakiqi, tha se mungesa e faljeve për katër vite është një keqpërdorim i diskrecionit presidencial.

    Sipas tij, praktika e faljeve është një element i rëndësishëm i demokracive perëndimore, që ndihmon në rehabilitimin e të dënuarve.

    “Është e çuditshme në një shtet demokratik siç pretendon dhe është Kosova me Kushtetutën e saj dhe ne duhet të zbatojmë praktikat më të mira të shteteve demokratike perëndimore. Ju e keni parë që edhe Joe Biden dhe plot shtete ku presidentët në fund të vitit, apo për ndonjë festë kombëtare zakonisht e përdorin institutin e drejtës penale që është falja, pra në mënyrë individuale të presidenteve të shteteve përfshirë edhe Vjosa Osmanin ka diskrecion. Por, nuk mund të quhet diskrecion apo keqpërdorim të diskrecionit, kemi të bëjmë me një keqpërdorim të diskrecionit të presidentes e cila për katër vite nuk e ka aprovuar as një rekomandim të Komisioneve të cilët ekzistojnë një varg kërkesash dhe kushtesh të cilat përmbushen”, ka thënë ai.

    Sipas Smakiqit, për një periudhë katërvjeçare, presidentja Osmani nuk ka pranuar asnjë rekomandim për falje, duke e cilësuar këtë si një shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut.

    Ai tha se është e dhimbshme mos falja e të dënuarve duke marr parasysh që vetë Osmani është juriste.

    “Unë e konsideroj këtë si pjesë të karakterit të Vjosa Osmanit dhe është e dhimbshme se ajo është edhe vetë juriste. Mbi këtë bazë çuditem se çfarë etike profesionale mund të ketë një presidente e cila për katër vite rresht nuk fal sepse falja nuk nënkupton që t’i po ndërhynë në sistemin e drejtësisë, por nënkuptim një vullnet të mirë dhe një praktikë demokratike, në një shtet ku nuk do të thotë të lirohen të burgosurit, por për shembull t’i falen disa vite, ti falen disa muaj, ata që janë në fund dënimit që kanë sjelle të mira që nuk janë në komisione disiplinore të SHKK-së. Pra’ ata të cilët në një farë mënyre janë përgatitur të kthehen shoqërisë, presidentja nuk po ja jep këtë mundësi dhe unë e konsideroj edhe shkelje të të drejtave të njeriut dhe kjo do të pasqyrohet edhe në raportin e progresit të organizatave të tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.

    Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, e cilësoi këtë situatë si të paprecedentë, duke e krahasuar me sisteme diktatoriale.

    Shala ka theksuar se mungesa e faljeve mund të ndikojë negativisht në motivimin e të burgosurve për t’u sjellë mirë dhe ka pasur gjithashtu shqetësime se ky veprim do të ketë pasoja për reputacionin e vendit.

    “Nuk ka ndodh në historinë jo vetëm të Kosovës por edhe në shtet diktatoriale fashiste që nuk ka pasur falje, i ke parë kohën e fundit para një viti sa ka përfituar Shqipëri të burgosurit, edhe Biden ka falur një numër të madh të dënuarve, në mesin e tyre edhe një shqiptar i akuzuar për trafikim me narkotik. Që tek ne nuk hynë as në listë për falje. Ne mendoj se ajo po e shpërdor një të drejtë kushtetuese sikurse që po e shpërdor sjelljen e mirë të burgosurve, sepse nuk mund të motivohen të burgosurit që të sillen mirë në qoftë se nuk ka falje. Në anën tjetër po e vënë në pozitë shumë të rëndë Shërbimin Korrektues të Kosovës që punon shumë me të burgosur. Dhe e treta nuk është normale, këtë vit janë vetëm 94 kërkesa dhe më herët kanë qenë 400-500, të mos të gjendet as një burgosur i vetëm i cili e meriton faljen”, ka thënë ai.

    Shala ka thënë se është për tu çuditur edhe fakti se si vetë presidentja ka krijuar Komisionin, i cili i trajton kërkesat e të burgosurve për falje dhe se nuk i merr parasysh ato rekomandime të Komisionit.

    Shala ka përmendur edhe disa raste të të burgosurve që do të duhej të liroheshin.

    “Me këtë presidentja po e krijon një perceptim që Kosova është shoqëri kriminale dhe nuk mund të falet as kush, është një porosi e keqe edhe për vendim edhe për jashtë. Vetë presidentja e formon një Komision ad hoc i cili i trajton kërkesat të burgosurve, ata anëtar paguhen prej buxheti të Kosovës edhe në fund i vije puna që vetë presidentja nuk po i beson atij Komision që vetë e ka themeluar i cili ja dërgon presidentes një listë të ngushtë për ata që e meritojnë që të falen. Kjo do ta përfundoj mandatin thuaj pa falur as një të burgosur, për ne është e pa kuptueshëm. Edhe ne që punojmë gjatë me të burgosur e kemi të qartë se kush e meriton të falen. Kemi raste në mesin e femrave për shembull shtatëzëna e dënuar për trafik, e burgosur me kancer shtetase e Serbisë e dënuar në Kosovë që vetëm është barrë për burgjet dhe buxhetin e Kosovës dhe nuk e sheh as një arsye që ajo të fal. Është e pa kuptueshëm edhe ne nuk kemi përgjigje për këtë veprim të presidentes”, ka thënë ai.

    BNga Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një përgjigje me shkrim për EO kanë thënë se gjatë vitit 2024 ka pranuar 94 kërkesa për falje, por që asnjëra nuk është miratuar nga Presidentja.

    “Gjatë viti kemi pranuar gjithsej 94 kërkesa për falje nga personat e dënuar. Deri më tani, kur në pozitën e Presidentes ka qenë znj. Vjosa Osmani, nuk kemi pranuar asnjë dekret për falje nga Zyra e Presidentes”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

    Nga Presidenca në një përgjigje me shkrim kanë thënë se një rast janë duke e shqyrtuar.

    Bekim Kupina, Këshilltar për Media në Presidencë ka thënë se deri tani janë shqyrtuar tetëdhjetë e nëntë kërkesa për falje të personave të dënuar, ndërsa gjashtëmbëdhjetë prej tyre janë në pritje të shqyrtimit nga Komisioni, pas kompletimit të tyre me informata shtesë.

    “Gjatë vitit 2024 janë pranuar njëqind e pesë (105) kërkesa për falje të personave të dënuar të cilat janë duke u shqyrtuar nga Komisioni për Falje. Deri tani janë shqyrtuar tetëdhjetë e nëntë (89) kërkesa për falje të personave të dënuar, ndërsa gjashtëmbëdhjetë (16) prej tyre janë në pritje të shqyrtimit nga Komisioni, pas kompletimit të tyre me informata shtesë. Këtë vit Komisioni për Falje ka rekomanduar për falje një (1) të dënuar, dhe ky rekomandim është në procedurë të shqyrtimit nga Presidenca”, ka thënë Kupina.

  • Kongresi certifikon fitoren e presidentit të zgjedhur Trump

    Kongresi certifikon fitoren e presidentit të zgjedhur Trump

    Kongresi amerikan zyrtarisht certifikoi fitoren elektorale të Presidentit të zgjedhur republikan Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, duke i hapur rrugë betimit të tij më 20 janar.

    Certifikimi i rezultatit zgjedhor në 50 shtetet dhe në Distriktin e Kolumbisë u përcoll me një ceremoni të shkurtër zyrtare gjatë një seance të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

    Kjo seancë u udhëhoq nga Nënpresidentja Kamala Harris, rivalja demokrate e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale, e cila u paraqit në rolin e drejtueses së Senatit.

    Ky ritual, që bëhet çdo katër vjet, dalloi nga ngjarjet e para katër viteve kur një turmë përkrahësish të Trump hynë me forcë në Kapitol, duke bërë një përpjekje të dështuar për ta bllokuar certifikimin e humbjes së vitit 2020 ndaj presidentit demokrat Joe Biden.

    Trump vazhdon të bëjë pretendime të pavërtetuara se humbja e tij në vitin 2020 ishte rezultat i një vjedhje të përhapur.

    Certifikimi përfundimtar vulosi rezultatet paraprake se Trump fitoi 312 votat e Kolegjit Zgjedhor krahasuar me 226 votat e Harris.

    Republikanët do të kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin, raporton VOA.

    Republikanët po ashtu fituan shumicën e vendeve në Senatin amerikan dhe një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit, fitore që do t’i japin Trumpit përkrahjen e partisë, e cila i nevojitet për të zbatuar planin e tij për shkurtim të taksave dhe dëbim të emigrantëve të jashtëligjshëm.

    Demokratët nuk u përpoqën që të bllokojnë certifikimin e fitores së Trump të hënën.

  • Foshnja 35-ditëshe vdes nga moti i ftohtë në Gaza, mijëra palestinezë të prekur nëpër strehimore

    Foshnja 35-ditëshe vdes nga moti i ftohtë në Gaza, mijëra palestinezë të prekur nëpër strehimore

    Një foshnjë 35-ditëshe ka vdekur për shkak të ekspozimit ndaj motit të ashpër të dimrit në Gaza, duke u bërë të paktën viktima e tetë e të ftohtit në dy javët e fundit, raporton Reuters.

    Moti ka prekur qindra mijëra në Gaza të zhvendosur në strehimore të improvizuara.

    Grupet e ndihmës kanë luftuar për të ofruar ushqime dhe furnizime dhe thonë se ka mungesë batanijesh, veshje të ngrohta dhe dru zjarri. Grupet e ndihmës kanë akuzuar ushtrinë izraelite për pengimin dhe madje bllokimin e dërgesave në Gaza.

    Të dielën, agjencia e ndihmës e OKB-së për refugjatët palestinezë (Unrwa) tha se “moti i ftohtë dhe mungesa e strehimit po shkaktojnë vdekjen e të porsalindurve në Gaza”.

  • A krijon varësi ‘Snus’-i dhe sa është i rrezikshëm për shëndetin?

    A krijon varësi ‘Snus’-i dhe sa është i rrezikshëm për shëndetin?

    Ky produkt i duhanit pluhur i paketuar në qese, është gjithnjë e më i popullarizuar dhe më i aksesueshëm për të rinjtë, pavarësisht pranisë së lartë të disa substancave të dëmshme

    ‘Snus’-i është një produkt duhani i lagësht pa tym me origjinë nga Suedia, i cili u krijua në fillim të shekullit të 18-të. Vendoset në gojë (midis buzës dhe mishit të dhëmbëve) për periudha më të gjata, si në aplikimin sublabial.

    Kjo metodë e përdorimit u mundëson përdoruesve të shijojnë nikotinën pa pasur nevojë të pinë duhan, e cila shpesh konsiderohet një alternativë më joshëse.

    Përdorimi kërkon të kuptuarit se si të paketoni dhe poziciononi siç duhet produktin për të maksimizuar kënaqësinë.

    ‘Snus’-i vjen në dy forma kryesore: pluhur dhe i paketuar në qese.

    ‘Snus’-i pluhur u ofron përdoruesve mundësinë për të përshtatur madhësinë e dozave, ndërsa qeset ofrojnë përdorim më të thjeshtë dhe më të pastër. Në varësi të asaj që u pëlqen, përdoruesit mund të kontrollojnë sasinë e nikotinës dhe intensitetin e shijes.

    Një përvojë optimale e ‘Snus’-i përfshin gjithashtu të kuptuarit e tolerancave individuale të nikotinës dhe shmangien e konsumimit të tepërt.

    Ky produkt zakonisht mbahet nën buzë për rreth tridhjetë deri në gjashtëdhjetë minuta, por kjo mund të ndryshojë në varësi të fuqisë së produktit. Përqendrimi në përdorimin e moderuar mund të ndihmojë në shmangien e efekteve anësore të mundshme nga ekspozimi i tepërt i nikotinës, transmeton Telegrafi.

    A krijon varësi ‘Snus’-i?

    Shumë përdorues pohojnë se është më pak i dëmshëm se pirja e duhanit, por ekspertët paralajmërojnë se ende mbart disa rreziqe shëndetësore, si dhe krijon varësi.

    ‘Snus’-i përmban nikotinë, e cila njihet për natyrën e saj të varur dhe për rritjen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Gjithashtu, përmban kimikate të shumta që janë të dëmshme për shëndetin.

    Cili është ndryshimi midis ‘Snus’-it dhe cigareve elektronike?

    Le të fillojmë me atë që kanë të përbashkët ‘Snus’-i dhe cigaret elektronike.

    Pra, të dy produktet mund të jenë shumë të dëmshme. Cigarja elektronike është një pajisje me bateri që lejon përdoruesin të thithë nikotinë përmes avullit.

    Këto pajisje punojnë në parimin e ngrohjes së lëngut në mënyrë që ai të kthehet në avull që përdoruesi mund të thithë ose ‘tymosë’.

    Edhe pse avulli mund të duket si avull uji, ai nuk përmban ujë.

    ‘Snus’-i nuk prek drejtpërdrejt mushkëritë, por vendoset mes buzëve dhe mishrave të dhëmbëve. Cigaret elektronike konsumohen nga pirja e duhanit dhe ky është një nga dallimet më të mëdha mes dy produkteve.

    Shumica e atyre që fillojnë të përdorin ‘Snus’ fillimisht përjetojnë të përziera, të vjella, një ndjenjë mbytjeje, dhimbje koke dhe të fikët.

    Kur kalon periudha e të mësuarit me të, jep një ndjenjë relaksi dhe kënaqësie, përmirëson disponimin, si produktet e tjera të nikotinës, prandaj krijohet varësia.

    ‘Snus’ një përqindje të lartë të nikotinës, shumë më e lartë se cigarja, ndaj është më e lehtë të shkaktojë varësi.

    Kur bëhet fjalë për të, pështyma shpërndan përmbajtjen e qeses, e cila arrin në qarkullimin e gjakut përmes mukozës dhe mund të shkaktojë dëmtime në organe të tjera.

    Së pari, zgavra e gojës, mishrat, dhëmbët dhe smalti i dhëmbëve preken dhe zhvillohet sëmundja periodontale.

    Për shkak se hyn në gjak, ka pasoja për sistemin nervor qendror, ndërsa për shkak se ka një përqendrim të lartë të nikotinës, është i rrezikshëm edhe për sistemin kardiovaskular, mund të çojë në përshpejtim të rrahjeve të zemrës, çrregullime metabolike, diabeti dhe obezitet.

    Në të njëjtën mënyrë, përdorimi i cigareve elektronike mund të shkaktojë dhimbje koke, përgjumje, lodhje dhe me konsumimin afatgjatë shfaqen të gjithë elementët e varësisë.

    Në mushkëri, për shkak të përbërësit të quajtur diacetil, zhvillohet dëmtimi i përhershëm i indit të mushkërive, gjë që rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të mushkërive.

    Përqendrimi i nikotinës në avujt e cigareve elektronike është i ngjashëm me atë të cigareve të zakonshme, ndaj nuk ndryshojnë shumë për sa i përket shkaktimit të varësisë.

    A është ‘Snus’-i më pak i dëmshëm se cigaret?

    Edhe pse prodhuesit deklarojnë se ky produkt është më pak i dëmshëm se cigaret, ai është vetëm një truk marketingu, sepse, sipas hulumtimeve, pasojat e përdorimit janë shumë më të mëdha dhe më komplekse, sidomos tek të rinjtë.

    Studime të shumta konfirmojnë se ‘Snus’-i është i rrezikshëm për shëndetin. Kjo vlen veçanërisht për të rinjtë, organet e të cilëve janë shumë të ndjeshme ndaj ndikimit agresiv të nikotinës dhe substancave të tjera.

    A ndihmon ‘Snus’-i në lënien e duhanit?

    Edhe pse shumë pretendojnë se ‘Snus’-i ndihmon në lënien e duhanit, ky pohim nuk është vërtetuar shkencërisht dhe për këtë arsye nuk duhet të përdoret si zëvendësues i cigares, pasi të dyja produktet janë njësoj të dëmshme.

    Edhe pse disa pretendojnë se ‘Snus’-i është më pak i dëmshëm se pirja e cigareve, kjo nuk do të thotë se është plotësisht i sigurt, sepse ai gjithashtu fut kimikate potencialisht të rrezikshme në trup.

    Ende ekziston rreziku i problemeve të ndryshme shëndetësore, si acarimi i mushkërive, dëmtimi i qelizave të mushkërive dhe probleme të tjera.

    Gjithashtu, ‘Snus’-i mund të jetë veçanërisht i dëmshëm për adoleshentët dhe të rinjtë që mund të jenë më të prirur ndaj abuzimit dhe zhvillimit të varësisë, sepse, sipas hulumtimeve, ashtu si pirja e produkteve tradicionale të duhanit, konsumimi gjithashtu krijon varësi.

    Cilat janë rreziqet afatgjata të përdorimit të ‘Snus’-it?

    Një nga problemet më serioze është efekti i tij potencialisht i dëmshëm në mishrat e dhëmbëve. Përdorimi mund të çojë në një sërë problemesh.

    Irritimi i mishrave të dhëmbëve – Snus mund të shkaktojë irritim të mishrave të dhëmbëve, i cili mund të çojë në skuqje, ënjtje dhe madje edhe gjakderdhje të mishrave të dhëmbëve kur lani dhëmbët.

    Recesioni i mishrave të dhëmbëve – Përdorimi i zgjatur mund të çojë në largimin e mishrave të dhëmbëve, i njohur si recesioni i mishrave të dhëmbëve. Përdorimi mund të zbulojë rrënjën e dhëmbit dhe të çojë në rritjen e ndjeshmërisë së dhëmbit ndaj stimujve të jashtëm (më shpesh ndaj të ftohtit / të nxehtë ose të ëmbël).

    Rritja e rrezikut të sëmundjes periodontale – Sëmundja periodontale, duke përfshirë gingivitin dhe sëmundjen periodontale, është më e zakonshme tek përdoruesit e snusit.

    Shkatërrimi i indeve – Përbërja kimike e tij mund të shkaktojë dëmtime të përhershme në mishrat e dhëmbëve dhe indeve të buta të zgavrës me gojë.

    Efekti i ‘Snus’-it në dhëmbë

    Kur bëhet fjalë për ndikimin në dhëmbë, duhet të merren parasysh disa faktorë:

    Erozioni i dhëmbëve – Snus mund të shkaktojë erozion të smaltit, i cili mund të çojë në dhëmbë të ndjeshëm dhe një rrezik në rritje të prishjes së dhëmbëve.
    Çngjyrosja e dhëmbëve – Përbërja kimike e snusit mund të shkaktojë zbardhjen e dhëmbëve dhe formimin e njollave të errëta.
    Era e keqe e gojës – Shijet dhe kimikatet në snus mund të çojnë në erë të keqe.
    Rritja e rrezikut të tumoreve orale – Është vërtetuar se përdorimi i snusit rrit rrezikun e tumoreve orale.

    Edhe pse snusi shpesh perceptohet si një alternativë më pak e dëmshme ndaj cigareve, është e rëndësishme të kuptohet se snusi mbart gjithashtu disa rreziqe shëndetësore, veçanërisht për shëndetin oral.

    Përdorimi i snusit mund të çojë në acarim të mishrave të dhëmbëve, largim të mishrave të dhëmbëve, dëmtim të dhëmbëve dhe probleme të tjera. /Telegrafi/

  • IKShPK-ja rekomandon masa kundër gripit

    IKShPK-ja rekomandon masa kundër gripit

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës(IKSHPK) në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, ka njoftuar sot qytetarët rreth metapneumovirusit njerëzor (hMPV), duke ofruar informacione për simptomat dhe parandalimin e përhapjes së tij, raporton Ekonomia Online.

    IKShPK-ja ka bërë të ditur se metapneumovirusi njerëzor, i cili shpesh shkakton simptoma të ngjashme me të ftohtin e zakonshëm, përhapet përmes pikave gjatë kollitjes dhe teshtitjes, si dhe nëpërmjet kontaktit të ngushtë me individë të infektuar.

    “Simptomat përfshijnë kollë, ethe, kongjestion nazal dhe fishkëllimë, ndërsa për personat më të ndjeshëm si fëmijët, të moshuarit dhe ata me imunitet të dobësuar, mund të shkaktojë komplikacione të rënda si bronkit apo pneumoni”, thuhet në njoftim.

    Për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, Instituti rekomandon që individët të mbajnë maska në hapësira të mbushura me njerëz, të mbulojnë kollën dhe teshtitjen, të praktikojnë larjen e rregullt të duarve dhe të qëndrojnë në shtëpi kur janë të sëmurë.