ATV

Author: G.O.

  • ​Hashim Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat që lidhen me pengim të drejtësisë

    ​Hashim Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat që lidhen me pengim të drejtësisë

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat kundër administrimit të drejtësisë, njoftoi më 7 janar Gjykata Speciale në Hagë.

    Deklarimin, Thaçi e ka bërë në formë të shkruar të hënën, më 6 janar.

    “Pas ftesës së gjykatëses së procedurës paraprake në konferencën për ecurinë e çështjes më 17 dhjetor, Hashim Thaçi u deklarua lidhur me fajësinë në formë të shkruar më 6 janar 2025. Ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykatë Speciale.

    Thaçi po akuzohet për herë të dytë nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. ZPS-ja e ngarkon atë me vepra që lidhen me ndikimin në dëshmitarë – derisa ai ndodhet në një proces të tejzgjatur gjyqësor për krime të pretenduara të luftës.

    Më 6 dhjetor 2024, Specialja konfirmoi aktakuzë të re kundër Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Fadil Fazliut.

    Bëhet fjalë për vepra penale që lidhen me pretendime për “të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve” në rastin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”.

    Dy javë më parë, derisa ka folur në gjykatoren e Hagës, Thaçi ka kërkuar respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

    “Dëshiroj të ritheksoj dhe nënvizoj domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës në këtë sallë. Mosrespektimi i ligjeve të Kosovës dhe normave të tjera ligjore nga palët, në këtë sallë të shenjtë për drejtësinë, paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë, paraqet rrezik për cenimin e besimit qytetar, prandaj ftoj që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë edhe në këtë sallë”, tha Thaci në konferencën mbi ecurinë e çështjes më 18 dhjetor.

    Thaçi tha se ai nuk paraqet rrezik në kuptimin politik e as “për ndonjë projekt qeveritar”.

    “Ju e dini para katër vitesh, në nëntor 2020 u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjedhësha president i vendit. Tash, para dhjetë ditësh, nxitimthi, Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Dua të sqaroj edhe njëherë, nuk jam pjesë e garës politike e as nuk kam ndonjë ambicie politike as për president as për kryeministër e as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për pozitë publike. E ritheksoj se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik e as për ndonjë projekt qeverisës”, tha Thaçi.

    Aktakuza e re vjen ndërkohë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë hyrë në vitin e pestë që ndodhen në paraburgim nën pretendimet për krime lufte.

    Ndaj tyre po zhvillohet një proces gjyqësor që aktualisht ndodhet në fazën e paraqitjes së provave nga ana e ZPS-së. Çështja e prokurorisë pritet të mbyllet në pranverën e këtij viti, për t’i hapur rrugë çështjes së mbrojtjes.

  • ShBA-ja raporton rastin e parë të vdekjes nga gripi i shpezëve

    ShBA-ja raporton rastin e parë të vdekjes nga gripi i shpezëve

    Një person në Luiziana, i cili ishte shtruar në spital me simptoma të rënda respiratore, ka vdekur të hënën, duke u bërë personi i parë që vdes nga gripi i shpezëve në Shtetet e Bashkuara.

    Zyrtarët shëndetësorë në këtë shtet njoftuan për vdekjen e këtij personi të hënën, ndërsa Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve konfirmoi se ky është rasti i parë i vdekjes nga gripi i shpezëve.

    Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se personi ishte mbi 65-vjeçar, kishte probleme të mëparshme shëndetësore dhe kishte qenë në kontakt me shpezë të sëmurë dhe të vdekur në një tufë shpendësh në oborrin e tij. Ata gjithashtu thanë se analiza gjenetike tregoi se virusi i gripit të shpezëve kishte pësuar mutacion brenda pacientit, çka mund të ketë çuar në një sëmundje më të rëndë.

    Ata nuk kanë dhënë hollësi të tjerë rreth këtij personi.

    Që nga muaji mars, janë raportuar 66 infeksione të konfirmuara me gripin e shpezëve në SHBA, por sëmundjet e mëparshme kanë qenë të lehta dhe shumica e rasteve janë zbuluar mes punonjësve të fermave të ekspozuar ndaj shpezëve të sëmura ose lopëve të qumështit.

    Një vdekje nga gripi i shpezëve nuk ishte e papritur, thanë ekspertët e virusit. Ka pasur më shumë se 950 infeksione të konfirmuara me gripin e shpezëve në mbarë botën që nga viti 2003, dhe më shumë se 460 nga këta njerëz kanë vdekur, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

    Virusi i gripit të shpezëve “është një kërcënim serioz dhe historikisht ka qenë një virus vdekjeprurës”, tha Jennifer Nuzzo, drejtoreshë e Qendrës për Pandemitë në Shkollën e Shëndetit Publik në Universitetin Broën.

    Në një komunikatë, zyrtarët e përshkruan vdekjen në Luiziana si tragjike, por gjithashtu thanë se “nuk ka ndryshime virologjike shqetësuese që po përhapen aktivisht te shpezët e egra, shpezët e fermave ose lopët që do të rrisnin rrezikun për shëndetin e njeriut”.

    Në dy nga rastet e fundit në SHBA – një i rritur në Misuri dhe një fëmijë në Kaliforni – zyrtarët shëndetësorë nuk kanë arritur të përcaktojnë se si ata e morën virusin. Origjina e infeksionit të personit në Luiziana nuk është konsideruar mister. Por, ky ishte rasti i parë i infektimit të njeriut në SHBA që lidhet me ekspozimin ndaj shpezëve në oborr, sipas tyre.

    Gripi i shpezëve H5N1 përhapet gjerësisht te shpezët e egra, shpezët e fermave, lopët dhe kafshë të tjera. Prania e tij e madhe në mjedis rrit mundësinë që njerëzit të ekspozohen dhe potencialisht të infektohen, kanë thënë zyrtarët.

    Zyrtarët vazhdojnë të këshillojnë ata që kanë kontakt me shpezë të sëmura ose të vdekura, të marrin masa paraprake, përfshirë përdorimin e mbrojtjes respiratore dhe syze mbrojtëse dhe doreza kur trajtojnë shpezët./REL

  • Meta deklarohet publikisht pas intervistimit në SPAK: Ishte një seancë me pyetje reciproke

    Meta deklarohet publikisht pas intervistimit në SPAK: Ishte një seancë me pyetje reciproke

    Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dhënë detaje nga intervistimi i tij i sotëm nga SPAK.

    Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka falënderuar mediat që e njoftuan për zhvillimin e paraparë të sotëm, ndërsa shton se SPAK ishin të interesuar për çështjen e lobimeve.

    “Dua t’ju siguroj se kam dhënë sqarime shumë të qarta, me sjelljen time tepër transparente, për të gjitha pyetjet që m’u drejtuan, duke sqaruar edhe njëherë në respektin tim të plotë ndaj të gjitha ligjeve shqiptare dhe amerikane për çështjen e lobimit”, shkruhet në postim.

    Postimi i plotë:

    Falenderoj mediat që më njoftuan dje se do të thirresha sot në SPAK, pasi ende nuk kam një dokument zyrtar njoftimi për t’u paraqitur.

    Megjithatë, unë isha sot i gatshëm të shkoja në seancë, që në ora 10:00, siç u bë njoftimi vetëm nga mediat dhe vonesa ndodhi vetëm për shkak të SPAK.

    U kërkoj ndjesë gazetarëve që nuk m’u dha leja që kërkova, që edhe me pranga dhe i shoqëruar, t’u përgjigjesha çdo pyetje të tyre.

    Dua t’ju siguroj se kam dhënë sqarime shumë të qarta, me sjelljen time tepër transparente, për të gjitha pyetjet që m’u drejtuan, duke sqaruar edhe njëherë në respektin tim të plotë ndaj të gjitha ligjeve shqiptare dhe amerikane për çështjen e lobimit.

    Por më lejoni t’ju sqaroj se ishte një seancë me pyetje reciproke, ne ju përgjigjëm të gjitha pyetjeve të tyre, ata ju shmangën “për moskompetencë” pyetjeve tona.

    Pyetja jonë e parë ishte se çfarë bëhet me kallëzimin tonë të dorëzuar më 6 dhjetor në SPAK lidhur me rrëmbimin kriminal dhe banditesk.

    Meqënëse ata ishin të interesuar për çështjen e lobimeve, pasi ju përgjigja të gjitha pyetjeve të tyre, si President i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare në vend, u bëra unë dy pyetje që kanë të bëjnë me interesin e lartë publik, konkretisht me çështjen e lobimeve të paligjshme.

    Së pari, çfarë bëhet me hetimin e çështjes McGonigal, kryeagjentit të FBI të dënuar me burg për shkak të korruptimit nga kryekorruptuesi i ndërkombëtarëve, aktualisht Kryeministër?

    Së dyti, çfarë bëhet me hetimin për fotografinë e paligjshme me Presidentin Obama të “Gruas së Bilalit” për të cilën një shtetas shqiptaro-amerikan ka bërë burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

  • BE-ja i bën thirrje Kuvendit të Kosovës për miratimin e Projektligjit përmes së cilit rregullohet statusi i Kishës Ortodokse Serbe

    BE-ja i bën thirrje Kuvendit të Kosovës për miratimin e Projektligjit përmes së cilit rregullohet statusi i Kishës Ortodokse Serbe

    Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës për miratimin e Projektligjit për Lirinë fetare përmes së cilit pritet të definohet statusi për Kishën Ortodokse Serbe.

    Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, në konferencën e sotme për media tha se miratimi i këtij ligji në Kuvendin e Kosovës është në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë kur u pyet mbi statusin e Kishës Serbe.

    “Dhe për projektligjin e Kishës Ortodokse Serbe, ne bëjmë thirrje për miratimin e Ligjit për Lirinë Fetare. Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit që të mbështesin miratimin e ligjit”, tha ajo.

    Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen e Ohrit janë dakorduar që të palët të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe.

    “Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese europiane”, thuhet ndër të tjera në Nenin 7 të marrëveshjes së 27 shkurtit 2023.

    Për këtë çështje në mars të 2023-ës kishte folur kryeparlamentari Glauk Konjufca ku kishte thënë se Kisha Ortodokse Serbe nuk mund të bëhet me status special.

    Ai kishte thënë se shteti sekular i Kosovës e ka “distancën e barabartë ndaj çdo bashkësie fetare në Kosovë”, përfshirë edhe atë ortodokse.

    “Është larg barabartë të gjithave njëjtë. Kisha ortodokse tash nuk mundet me kërku për një status special në shtetin e Kosovës, ku ne e nënshkruajmë atë”.

    Megjithatë, Konjufca kishte thënë se “statusin do ta definojmë se i mungon”.

  • Jasharaj: Kurti e Nagavci nuk e “çajnë kokën” për sistemin e arsimit

    Jasharaj: Kurti e Nagavci nuk e “çajnë kokën” për sistemin e arsimit

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka shprehur shqetësim për sektorin e arsimit, duke theksuar se sindikata po kalon në një situatë shumë të keqe.

    Jasharaj thotë se pas protestës së fundit, ata angazhuan një ndërmjetësues ligjor për të mundësuar një dialog me Ministrinë e Arsimit, me qëllim që të shqyrtohen kërkesat e SBASHK-ut lidhur me kontratën kolektive.

    “Jemi në një situatë shumë të keqe. Pas protestës së fundit e angazhuam ndërmjetësuesin ligjor që të vë komunikim të mundësoj dialog me ministrinë e Arsimit me kërkesa të thjeshta sipas Kontratës Kolektive, në mënyrë SBASHK-u të jetë i përfaqësuar edhe në këshillin shtetërorë licensor siç ka qenë gjithmonë se atje po ndodhin gjëra dhe ne s’kemi informatë”.

    Sipas Jasharajt, ndërmjetësuesi ligjor nuk ka marrë ende asnjë përgjigje nga Ministria.

    Ai akuzoi Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë për mungesë angazhimi dhe përkundër kërkesave të sindikatës, për të mos treguar interes për të zhvilluar dialog dhe për të përmirësuar sistemin arsimor.

    “Ndërmjetësuesi ka pritur afatin ligjor dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ministria bashkë me Qeverinë janë kundër dialogut dhe nuk çajnë kokën për sistemin arsimor”, u shpreh Jasharaj për “Front Online”.

  • Petkoviq e sulmon Bislimin: Vjen gjithmonë vetëm në Bruksel, në tavolinë bën sikur i di të gjitha

    Petkoviq e sulmon Bislimin: Vjen gjithmonë vetëm në Bruksel, në tavolinë bën sikur i di të gjitha

    Kreu i ekipit negociator të Serbisë, Petar Petkovic, në një intervistë për TV pink ka folur për negociatat e Brukselit.

    Ai ka thënë se kreu i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi, gjithmonë paraqitet i vetëm në tryezën e bisedimeve në Bruksel dhe sipas Petkovic “ ai bën sikur i di të gjitha”.

    Petkovic ka thënë se Republika e Kosovës është e interesuar vetëm për njohjen nga ana e Serbisë, megjithatë sipas tij sa të është Vuçiq president, diçka e tillë s’do të ndodhë kurrë.

    “Negociatori i tyre vjen pothuajse gjithmonë i vetëm dhe paraqitet si një shumëfunksional që mendon se di gjithçka, por në të vërtetë e vetmja gjë që bën është sabotimi i dialogut. Prishtina nuk dëshiron asnjë lloj normalizimi të marrëdhënieve; e vetmja gjë që intereson regjimin e Kurtit është njohja nga ana e Beogradit, por kjo nuk do të ndodhë kurrë, për sa kohë që Serbinë e udhëheq presidenti Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Petkoviq në një intervistë në TV PINK.

  • Vdes politikani francez i ekstremit të djathtë, Jean-Marie Le Pen

    Vdes politikani francez i ekstremit të djathtë, Jean-Marie Le Pen

    Politikani francez i ekstremit të djathtë, Jean Marie Le Pen, ka vdekur në moshën 96-vjeçare.

    Lajmi është bërë i ditur nga familja.

    Le Pen i cili kishte qenë në një institucion përkujdesjeje për disa javë.

    Ai ishte një mohues i Holokaustit dhe një ekstremist i papenduar për racën, gjininë dhe emigracionin, e po ashtu themeloi partinë e ekstremit të djathtë francez “Fronti Kombëtar” në vitin 1972.

    Ai arriti në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale kundër Jacques Chirac në vitin 2002.

  • A ka pasur heqja e dinarit “efekt pozitiv” në sistemin financiar të Kosovës?

    A ka pasur heqja e dinarit “efekt pozitiv” në sistemin financiar të Kosovës?

    Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që transaksionet financiare të kryhen vetëm në euro, nuk e ka arritur qëllimin e saj, pasi valuta e Serbisë, dinari ende qarkullon në zonat serbe në Kosovë dhe të ardhurat nga buxheti i Serbisë nuk konvertohen në euro, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi.

    “Kjo rregullore ishte një vendim i nxituar. Një vendim politik i kësaj Qeverie”, mendon ai dhe shton se çështja e heqjes së dinarit duhej të zgjidhej nëpërmjet dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Bektashi thekson se edhe pas një viti nga miratimi i rregullores, nuk ekziston një marrëveshje për transferimin e parave që do t’i siguronte Bankës Qendrore të Kosovës qasje në këto fonde, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, duke e komentuar këtë rregullore në konferencën vjetore në fund të dhjetorit, tha se ajo ka pasur një “efekt pozitiv” në të gjithë sektorin financiar, duke sjellë “unifikimin e sektorit dhe ndërprerjen e financimeve të paligjshme”.

    Rregullorja, e cila ndalon pagesat me valuta të tjera pos euros – rrjedhimisht edhe me dinarë – u miratua në fund të dhjetorit 2023 dhe hyri në fuqi më 1 shkurt 2024.

    Pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë në dinarë, reaguan ashpër ndaj kësaj rregulloreje, ndërsa ajo u kritikua edhe nga komuniteti ndërkombëtar me arsyetimin se mund të ketë pasoja negative për komunitetet pakicë.

    Profesor Bektashi thotë se e vetmja gjë që ka ndryshuar gjatë këtij viti është se qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb duhet të shkojnë në Serbi për t’i marrë të ardhurat e tyre në dinarë.

    “Periudha e tranzicionit duhej të kishte një kuptim, që Banka Qendrore e Kosovës dhe Banka Popullore e Serbisë të arrinin një marrëveshje për konvertimin e dinarit në euro dhe të sigurohej qarkullimi i parave për pensionistët dhe të tjerët që marrin të ardhura në dinarë”, konsideron Bektashi.

    Banka Popullore e Serbisë ka insistuar që çështja e dinarit të diskutohet në kuadër të dialogut, gjë që Kosova përgjithësisht e ka refuzuar, duke argumentuar se kjo është çështje e brendshme.

    Cila është gjendja reale në terren?
    Petar nga Mitrovica e Veriut është punëtor i një prej institucioneve të mbyllura, që funksiononin sipas sistemit serb, të cilat Kosova i ka mbyllur me arsyetimin se “funksiononin në mënyrë të paligjshme”.

    Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Petari thotë se aktualisht nuk shkon në punë, porse pagën e merr rregullisht.

    “Paga më transferohet në një llogari që është në dinarë. Ndoshta edhe kjo duhej të zgjidhej, që paga të konvertohej disi dhe ta merrnim normalisht në euro në Kosovë, përmes bankave si NLB Banka ose Raiffeisen Banka, që ndodhen në qytetin tonë”, thotë ky qytetar.

    Ai vëren se “asnjëra palë nuk dëshiron t’i kushtojë vëmendje popullit që po kalon nëpër vështirësi”.

    Banka Qendrore e Kosovës ka pohuar se heqja e transaksioneve financiare në dinarë nuk e ndalon pagesën e të ardhurave nga buxheti i Serbisë, por ato duhet të jenë ekskluzivisht në euro, për të mundësuar qasjen në rrjedhën e parasë.

    Megjithatë, deri më sot, këto të ardhura kanë mbetur në dinarë. Gjithashtu, në disa zona serbe – kryesisht në komunat në veri – dinari vazhdon të qarkullojë si mjet pagese në objektet tregtare.

    Beogradi zyrtar refuzon t’i mbyllë institucionet e veta në Kosovë, dhe disa prej tyre janë transferuar në vendet kufitare në Serbi. Aty janë vendosur edhe bankomatë, prej nga qytetarët e Kosovës tërheqin të ardhurat e tyre në dinarë.

    Radomiri nga Leposaviqi thotë se tani, “si zakonisht”, i tërheq të ardhurat e tij në dinarë në Rashkë, një qytet kufitar në Serbi, rreth 30 kilometra larg kësaj komune me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    “Zakonisht shkojmë atje (në Rashkë) dhe blejmë edhe produkte serbe që këtu (në Kosovë) ishin të ndaluara për një periudhë. Jemi mësuar të paguajmë edhe me kartelë… në përgjithësi, nuk është shumë e thjeshtë, por po përshtatemi”, thotë ai.

    Ai vë në dukje se në pikat kufitare krijohen radhë të gjata gjatë kohës kur bëhen pagesat nga buxheti i Serbisë, dhe shpesh ndodh të presin për disa orë për të kaluar nga Kosova në Serbi ose anasjelltas.

    “Duhet të armatosesh me durim, sepse krijohen turma të mëdha kur bëhet pagesa e pensioneve ose ndonjë e ardhur tjetër. Në familje kam dy pensionistë (prindërit), i kam çuar në Rashkë, por tani kam marrë një autorizim dhe ua tërheq pensionet vetë”, tregon Radomiri.

    Miloradi nga Graçanica, një komunë me shumicë serbe pranë Prishtinës, deri në heqjen e dinarit e merrte pensionin me çek, pra paratë i jepeshin në sportelin e Postës që funksiononte në sistemin serb ose i dërgoheshin në adresën e shtëpisë nga postieri.

    Ai shpjegon se në muajt e parë pas ndalimit të përdorimit të dinarit, shkonte çdo muaj në Serbi për ta tërhequr pensionin, por më pas ka hapur një llogari në bankën e Kursimores së Postës serbe , ku i transferohen paratë.

    Tani, siç thotë, kartën bankare ua jep fëmijëve të tij, të cilët e tërheqin pensionin e tij në Serbi.

    Çdo vit Serbia ndan miliona euro për pagesën e të ardhurave për serbët në Kosovë.

    Përveç pagave dhe pensioneve, aty përfshihen edhe ndihmat financiare si asistenca sociale, shtesat për fëmijë dhe të ngjashme.

    Në fund të tetorit të vitit 2024, Qeveria e Serbisë shpalli territorin e Kosovës si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”, gjë që parashikon ndihmë shtesë financiare për të papunët, pensionistët dhe fëmijët./REL

  • Shkon në 95 numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm në Tibet të Kinës

    Shkon në 95 numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm në Tibet të Kinës

    Të paktën 95 njerëz kanë vdekur dhe 130 janë lënduar nga një tërmet i fuqishëm që e goditi rajonin bjeshkor të Tibetit të martën në mëngjes, raportojnë mediat shtetërore kineze.

    Shumë njerëz të tjerë kanë ngecur nën rrënoja të shtëpive dhe ndërtesave në këtë rajon në perëndim të Kinës.

    Mediat shtetërore raportuan se 1.000 shtëpi janë dëmtuar në Tibet.

    Tërmeti u ndje edhe në Nepalin fqinj dhe në pjesë të Indisë.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së njoftoi se tërmeti ishte me magnitudë prej 7.1 ballësh dhe goditi në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Kina e regjistroi tërmetin si 6.8 ballësh.

    Epiqendra e tërmetit ishte rreth 75 kilometra në verilindje të Malit Everest, i cili shtrihet në kufirin mes Kinës dhe Nepalit. Kjo zonë është sizmologjikisht aktive, pasi aty përplasen mes vete pllakat nëntokësore të Indisë dhe Eurazisë.

    Rreth 50 lëkundje u dëgjuan në tri orët pas tërmetit, dhe zona turistike e Malit Everest në anën kineze u mbyll si pasojë.

    Rreth 1.500 zjarrfikës dhe shpëtimtarë janë dërguar për t’i kërkuar njerëzit e ngecur nën rrënoja, sipas Ministrisë së Menaxhimit të Emergjencave. Gjithashtu, 200 ushtarë iu bashkuan operacionit të kërkimit, raportojnë mediat shtetërore.

    Lideri i Kinës, Xi Jinping, bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme për shpëtimin e njerëzve, minimizimin e viktimave dhe sistemimin e personave që kanë humbur shtëpitë e tyre, raporton REL.

    Ndërkohë, në Nepal, autoritetet u kërkuan zyrtarëve në zonën bjeshkore në afërsi të epiqendrës të shikojnë nëse ka viktima apo dëme.

    Qendra Kombëtare e Operacioneve Emergjente në Kathmandu raportoi se njerëzit në verilindje të Nepalit e ndien tërmetin, por nuk kishte njoftime të menjëhershme për lëndime apo dëme në shtëpi.

  • IKShPK-ja thirrje qytetarëve: Vaksinohuni kundër gripit sezonal

    IKShPK-ja thirrje qytetarëve: Vaksinohuni kundër gripit sezonal

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal.

    Nga IKSHPK është thënë se gripi sezonal është sëmundje akute infektive e cila te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore,

    Postimi i plotë:

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër Gripit sezonal, ndërkohë që javët e fundit është shënuar një intensitet më i rritur i rasteve të raportuara, karakteristikë për këtë sezon të gripit.

    Kjo ka rezultuar edhe me rritje të fluksit të qytetarëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore.

    Gripi sezonal është sëmundje akute infektive e cila te jë numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, ndërsa vaksina kundër gripit është mënyra më e mirë për të reduktuar rrezikun e infektimit dhe përhapjen e virusit.

    Duke qenë që sezoni i gripit zgjat edhe për disa muaj, IKSHPK u bën thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim moshe që të vaksinohen si masë parandaluesekundër gripit me theks të veçantë grupeve me prioritet si:

    • Punëtorët shëndetësor;
    • Gratë shtatzëna;
    • Personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të komprometuar;
    • Personat mbi 65 vjeç; dhe
    • Fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç me indikacione shëndetësore.

    Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për këtë sezon të gripit 85 000 doza të vaksinës dhe qytetarët mund të vaksiohen në secilën komunë, në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare.

    Në të njëjtën kohë, IKSHPK u bën thirrje qytetarëvë që të zbatojnë edhe masa të tjera parandaluese si:

    • Mbajtjen e higjienës personale;
    • Evitimin e kontakteve të afërta me individë të sëmurë;
    • Redukimin e vizitave të familjarëve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale);
    • Evitimin e vendeve të mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz;
    • Ushqimin e shëndetshëm me shumë vitamina;
    • Aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm;
    • Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi .
    • Konsultimi me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, të cilat duhet të merren vetëm me rekomandimin e mjekut.

    Vaksinimi mbetet mënyra më efikase për parandalimin e virusit të gripit, ndërsa efekti i saj fillon 1 deri 2 javë pas marrjes, ndërsa mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit.