ATV

Author: G.O.

  • PDK-ja të shtunën hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit, thotë se do të mbajë mbi 1,700 tubime

    PDK-ja të shtunën hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit, thotë se do të mbajë mbi 1,700 tubime

    Partia Demokratike e Kosovës, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku janë prezantuar planet dhe vizioni për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

    Sekretarja e Përgjithshme e këtij subjekti, Vlora Çitaku tha se PDK-ja është mobilizuar dhe e përgatitur për të udhëhequr Kosovën drejt një të ardhmeje më të mirë.

    “Kandidatët tanë dhe strukturat tona në terren kanë punuar pareshtur për t’u siguruar se çdo qytetar do të përfaqësohet denjësisht”, tha Çitaku.

    Çitaku njoftoi se gjatë fushatës, PDK-ja do të mbajë mbi 1,700 tubime me qytetarët anembanë Kosovës, ku do të prezantohet programi dhe vizioni i saj.

    Ajo gjithashtu ftoi qytetarët të marrin pjesë në hapjen zyrtare të fushatës, më 11 janar në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke e cilësuar këtë aktivitet si një festë e unitetit dhe shpresës.

    Sekretarja e Përgjithshme njoftoi gjithashtu se Blerand Stavileci është caktuar si zëdhënës zyrtar i fushatës, i mbështetur nga nënkryetarja Besianë Musmurati.

    “Angazhimi ynë për transparencë dhe bashkëpunim me mediat do të jetë prioritet. Vlerësojmë lart rolin e gazetarëve në demokracinë tonë dhe premtojmë bashkëpunim të plotë gjatë gjithë fushatës”, tha zëdhënësi zyrtar i fushatës, Blerand Stavileci.

    Ai theksoi se këto zgjedhje janë një mundësi për ta formësuar të ardhmen e Kosovës dhe për të adresuar nevojat reale të qytetarëve.

    Kujtojmë se PDK-ja  në zgjedhjet e 9 shkurtit mban numrin 131 në fletëvotim.

  • Detajet e divorcit të Ben Affleck me Jennifer Lopez: Si do të ndahet pasuria e tyre?

    Detajet e divorcit të Ben Affleck me Jennifer Lopez: Si do të ndahet pasuria e tyre?

    Jennifer Lopez dhe Ben Affleck, të cilët u martuan në vitin 2022, kanë caktuar datën e divorcit vetëm pesë muaj pasi ua dhanë lajmin fansave në përvjetorin e tyre të dytë të martesës.

    Sipas mediave të huaja, të dy kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund martesës së tyre zyrtarisht më 20 shkurt të këtij viti.

    Çifti ranë dakord që secili të ruante pronën që fitoi gjatë martesës, duke përfshirë një rezidencë prej 61 milionë dollarësh në Beverly Hills që ata blenë së bashku.

    Edhe pse nuk kishin një marrëveshje paramartesore, pasuria e tyre totale është rreth 550 milionë dollarë, nga të cilat Jennifer Lopez ka fituar 400 milionë.

    Ben Affleck do të mbajë aksionet e tij në kompaninë e prodhimit “Artists Equity”, të cilën e themeloi në vitin 2022 me mikun Matt Damon, e cila është përgjegjëse për filma si “Air”, “The Accountant 2” dhe “Unstoppable”.

    Jennifer Lopez, megjithatë, thuhet se fiton rreth 40 milionë dollarë në vit, ndërsa paga e Affleck ndryshon, por në vitin 2020 ishte 55 milionë dollarë.

    Edhe pse vendosën t’i japin fund martesës së tyre, Lopez dhe Affleck mbetën në marrëdhënie miqësore, kryesisht për hir të fëmijëve të tyre. Ben ka tre fëmijë me ish-bashkëshorten Jennifer Garner, ndërsa Jennifer Lopez ka një djalë dhe një vajzë nga martesa me këngëtarin Marc Anthony.

    Ndonëse nuk janë në një lidhje romantike, të dy kanë vendosur të vazhdojnë të jenë prezent në jetën e njëri-tjetrit, për shkak të fëmijëve dhe miqësisë së gjatë. /Telegrafi/

  • ​Dënimi i parë në mungesë, precedent i rëndësishëm për sistemin gjyqësor në Kosovë

    ​Dënimi i parë në mungesë, precedent i rëndësishëm për sistemin gjyqësor në Kosovë

    Njëzetepesë vjet pas luftës, Kosova ka shpallur aktgjykimin e parë në mungesë. I dënuari është Çedomir Aksiq i cili kreu krime lufte në Reçak, Mulapolc dhe Petrovë – fshatra në komunën e Shtimës. Në fund të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi atë me 15 vjet burgim dhe ky vendim po konsiderohet precedent i rëndësishëm për sistemin gjyqësor në vend.

    Vetëm gjatë vitit të kaluar janë ngritur mbi 12 aktakuza për krime lufte, ku pesë prej tyre janë gjykim në mungesë.

    Ndërkaq, në total deri më tani janë ngritur mbi 60 aktakuza për krime lufte. Dhjetë prej këtyre rasteve janë duke u gjykuar në mungesë.

    Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se numri i aktakuzave të ngritura gjatë vitit të kaluar është sa gjysma e vitit paraprak.

    “Gjatë vitit 2024 deri në mesin e dhjetorit janë ngritur tetë aktakuza, dy prej tyre janë në mungesë. Gati gjysma më pak se në vitin 2023. Por në rast se e shikojmë se sa raste janë aktuale pranë gjykatave të Kosovës, nga të gjitha fazat e procedurës, qoftë në procedurën paraprake ku personat janë të arrestuar dhe janë në paraburgim, në gjykim edhe në shkallë dytë apo të tretë, janë diku 31 raste aktive pranë gjykatave të Kosovës. Pra, janë mjaftueshëm raste”, shprehet ai.

    Dënimi me 15 vjet burgim për Çedomir Aksiq, shton ai, do të jetë precedent i rëndësishëm për sistemin gjyqësor në Kosovë.

    “Ky vendim do të jetë precedent i rëndësishëm në jurisprudencën e Kosovës, për arsye se deri më tani nuk kemi pasur vendime në mungesë, apo aktgjykime në mungesë. Dhe mbetet për tu parë se sa këto vendime do të jenë, të themi, të ligjshme, të zbatueshme pasi që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe palët pasi të kenë të drejtë që të iniciojnë procedurat pranë Gjykatës së Strasburgut. Për arsye se gjatë gjykimit është shumë vështirë që të sigurohen të drejtat e barabarta të palëve dhe sigurisht që pak do të jetë e vështirë që avokati të ofrojë një mbrojtje efektive të palës”, deklaron Alija.

    Gjykimi në mungesë mund të procedohet vetëm pasi të dërgohen pesë ftesa në shtetin përkatës, e të jenë shpallur në kërkim për hetim në procedurë penale për së paku gjashtë muaj në gazetën zyrtare.

    Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala thotë se gjykimi në mungesë duhet të jetë shumë profesional.

    “Kanë filluar të gjykohen aktgjykimet në mungesë, duke marrë parasysh që me Kodin e Procedurës Penale është dhënë mundësia që gjykimet të mbahen edhe në mungesë kur të akuzuarit gjenden jashtë vendit apo janë të paarritshëm për gjykatën. Çështja është se gjykimi në mungesë duhet me qenë më shumë profesional për shkak se ai gjykim do të mbahet në mungesë të palës së akuzuar dhe se provat, të cilat duhet jenë shumë bindëse që ta bindin gjykatën që i akuzuari ka kryer një vepër penale”, deklaron ai për kp.

    Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka miratuar strategjinë e drejtësisë tranzicionale e cila synon të adresojë krimet e kryera gjatë luftës.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se po punojnë për adresimin e krimeve të luftës, ndërkohë që vlerëson se Këshilli Prokurorial duhet të shtojë kapacitetet.

    “Gjykimin në mungesë e kemi adresuar po ashtu në fillimin e vitit të kaluar. Ka pasur lëvizjet e para të prokurorisë për gjykim në mungesë. Dhe, vlerësoj që asnjëherë nuk është bërë më shumë për adresimin e krimeve të luftës. Natyrisht, asnjëherë nuk është shumë, sepse krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë janë të shumta. Vrasje, masakra, përdhunime, dëbime, shkatërrime të shtëpive. Pra, ka pasur shumë krime që janë bërë në Kosovë.

    Sa do që mund të punojnë institucionet në përgjithësi, nuk duket shumë. Por, krahasuar me periudhat e kaluara mendoj që jemi në rrugë të mbarë. Por, unë vlerësoj që Këshilli Prokurorial duhet sërish të shtojë kapacitetet në kuadër të Departamentit për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale, sepse krimet e luftës kanë ndodhur në Kosovë para 25 viteve, gjithçka është më e vështirë tani, shumëçka do të ishte më e lehtë sikur menjëherë të kishim veprime serioze nga ana e institucioneve”, deklaron Haxhiu.

    Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë mbi 13 mijë civilë, mbi 20 mijë gra e burra të dhunuar seksualisht, mbi gjashtë mijë të zhdukur, prej tyre 1.600 vazhdojnë të jetë të pagjetur e më shumë se 800 mijë persona të zhvendosur gjatë viteve 1998-1999. Por Serbia vazhdon t’i mohojë të gjitha këto krime të kryera në Kosovë.

     

  • Hamza tregon pesë prioritetet e tij: 50% rritje pagash, 70% rritje pensionesh, 25 milionë euro bursa

    Hamza tregon pesë prioritetet e tij: 50% rritje pagash, 70% rritje pensionesh, 25 milionë euro bursa

    Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka postuar një video ku flet për pesë shtyllat kryesore të programit të tij zgjedhor.

    Hamza duke premtuar më shumë zhvillim për biznese e më pak tatime, më shumë të ardhura për secilin, më shumë vende pune me paga më të mira, shërbime shëndetësore më të mira për të gjithë dhe arsim modern në të gjitha nivelet, ai ka thënë se është koha të punojmë së bashku për ta bërë Kosovën ma të mirë.

    “Është koha të punojmë së bashku për ta bërë Kosovën ma të mirë!

    Më shumë zhvillim për biznese, më pak tatime. Më shumë të ardhura për secilin. Më shumë vende pune, me paga më të mira. Shërbime shëndetësore më të mira për të gjithë. Arsim modern në të gjitha nivelet.

    MaMirë në pesë shtylla ⤵️”, ka shkruar Hamza.

    https://www.facebook.com/reel/566871682887308

  • Biden nderon viktimat e sulmit në New Orleans, takon familjet e tyre

    Biden nderon viktimat e sulmit në New Orleans, takon familjet e tyre

    Presidenti Joe Biden u takua të hënën me familjet e viktimave, mori pjesë në një shërbesë lutjesh dhe u ndal në një memorial të improvizuar në New Orleans për nder të atyre që humbën jetën në sulmin vdekjeprurës në Ditën e Vitit të Ri në lagjen historike të qytetit.

    Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden e bënë ndalesën e tyre të parë në një përkujtimore në rrugën Bourbon, aty ku një veteran i ushtrisë kreu sulmin duke përplasur një kamion me turmën, duke vrarë 14 vetë dhe duke plagosur 30 të tjerë.

    Lule, mesazhe dhe kryqe ishin vendosur në trotuar për të nderuar viktimat. Më pas çifti u drejtua për tek katedralja St. Louis aty pranë. Presidenti dhe zonja e parë u takuan privatisht me familjet e atyre që humbën jetën, të mbijetuarit dhe forcat lokale të zbatimit të ligjit.

    Më pas, ata morën pjesë në një shërbesë ndërfetare.

    Biden ka bërë dhjetëra vizita në zona që janë goditur nga dhuna, fatkeqësitë natyrore dhe të tjera gjatë katër viteve të tij në detyrë. Atij i kanë mbetur vetëm dy javë në detyrë, kështuqë vizita e së hënës në New Orleans mund të jetë e fundit e kësaj natyre.

    Është një detyrë solemne e presidentëve, megjithëse jo çdo udhëheqës e ka përqafuar një rol të tillë me aq ndjeshmëri sa 82-vjeçari Biden, i cili ka përjetuar shumë tragjedi personale në jetën e tij.

    Gruaja e tij e parë dhe vajza e tij e vogël vdiqën në një aksident me makinë në fillim të viteve 1970, dhe djali i tij i madh, Beau, vdiq nga kanceri në 2015.

    “E kam përjetuar një gjë të tillë. Nuk mund t’i thuash asgjë dikujt që ka pasur një humbje kaq tragjike,” u tha Biden gazetarëve të dielën.

    Biden shpesh flet privatisht në raste të tilla me familjet, nuk ngurron të japp numrin e tij personal të telefonit në rast se njerëzit duan të flasin më pas dhe flet për dhimbjen hapur dhe në mënyrë personale.

    Pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë kanë kapur momentet kur veterani 42-vjeçar i ushtrisë amerikane Shamsud-Din Jabbar shtypi me kamion turmat e njerëzve në fillim të ditës së Vitit të Ri në New Orleans.

    Një flamur i zi i Shtetit Islamik u gjet në kamionin e tij, duke nxitur FBI-në ta hetojë incidentin si një akt terrorist.

    Presidenti amerikan Joe Biden thotë se agjencitë federale të zbatimit të ligjit po hetojnë të gjitha lidhjet e mundshme të sulmuesit.

    “Forcat federale të zbatimit të ligjit dhe agjencitë e zbulimit po hetojnë në mënyrë aktive çdo kontakt të huaj apo vendas të sulmuesit, që mund të jetë i rëndësishëm në zbardhjen e rrethanave të sulmit. Ne do të vazhdojmë pa pushim luftën kundër ISIS-it dhe organizatave të tjera terroriste kudo që ato janë. Ato nuk do të gjejnë asnjë strehë të sigurt këtu”, tha Presidenti Biden.

    Katërmbëdhjetë persona u vranë në sulmin e Vitit të Ri në New Orleans dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Autori i sulmit, veterani i ushtrisë Shamsud-Din Jabbar, vdiq pas shkëmbimit të zjarrit me policinë.

    FBI-ja thotë se Shamsud-Din Jabbar kishte fshehur pajisje shpërthyese të improvizuara në disa rrugë, përfshirë një kryqëzim, ku zakonisht ka shumë lëvizje të njerëzve.

    Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se ky është një rast tjetër i ekstremizmit të dhunshëm në vend.

    “Po përballemi me lloje të vështira kërcënimesh dhe kjo është arsyeja pse ne si komunitet, jo vetëm qeveria federale, por zyrtarët dhe banorët shtetërorë dhe lokalë, duhet të jemi vigjilentë ndaj tyre dhe të marrim masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunës”, tha Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, raporton VOA.

    Më vonë, në ditën e Vitit të Ri, dhe më shumë se dy mijë kilometra larg në Nevada, anëtari i forcave speciale të ushtrisë amerikane, Matthew Livelsberger, hodhi në erë një kamion të kompanisë Tesla, që e kishte me qera, pranë hotelit “Trump International” në Las Vegas.

    Mjeku ligjor i Qarkut Clark konfirmoi se Livelsberger, një ushtar i dekoruar, për të cilin zyrtarët thonë se vuante nga stresi post-traumatik, vrau veten, pak para se kamioni të shpërthente. Zyrtarët thonë se askush tjetër nuk u lëndua rëndë.

    Forcat e zbatimit të ligjit thonë se deri më tani nuk kanë gjetur asnjë lidhje midis sulmeve.

  • Konjufca uron Krishlindjet ortodokse: Të mbizotërojë mirësia, toleranca e solidariteti

    Konjufca uron Krishlindjet ortodokse: Të mbizotërojë mirësia, toleranca e solidariteti

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u ka uruar të gjithë besimtarëve, Krishtlindjen ortodokse.

    Konjufca u shpreh se në frymën e kësaj feste të shpresës, harmonisë dhe paqes, uroj që sot e gjithmonë të mbizotërojë mirësia, toleranca, solidariteti dhe përkushtimi

    ”Gëzuar Krishtlindjen Ortodokse të gjithë qytetarëve tanë të këtij besimi!Në frymën e kësaj feste të shpresës, harmonisë dhe paqes, uroj që sot e gjithmonë të mbizotërojë mirësia, toleranca, solidariteti dhe përkushtimi ndaj më të mirës për njëri-tjetrin dhe për shoqërinë tonë.”, ka shkruar Konjufca.

    Kjo ditë e shënuar e Krishtlindjes Ortodokse të kalendarit Julian, uroj t’i gjejë ata që e festojnë me shëndet, begati dhe përmbushje shpirtërore, me mesazhet më të mira e më të ngrohta të dashurisë dhe paqes, ka shtuar më tutje kreu i Kuvendit.

    Presidentja Osmani uron Krishtlindjen ortodokse

  • Presidentja Osmani uron Krishtlindjen ortodokse

    Presidentja Osmani uron Krishtlindjen ortodokse

    Presidentja Vjosa Osmani u ka uruar të gjithë besimtarëve, Krishtlindjen ortodokse.

    Osmani ka thënë se kjo festë kujton dashurinë, solidaritetin dhe shpresën, vlera që na bashkojnë dhe forcojnë si shoqëri.

    “Në këtë ditë feste, uroj të gjithë besimtarët ortodoksë për paqe, harmoni dhe begati në familjet e tyre. Kjo festë na kujton dashurinë, solidaritetin dhe shpresën, vlera që na bashkojnë dhe na forcojnë si shoqëri. Qoftë kjo kremte një moment reflektimi dhe gëzimi për të gjithë! Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen ortodokse!”, ka thënë presidentja Osmani.

  • Pesë të vdekur nga stuhia e fortë dimërore në ShBA

    Pesë të vdekur nga stuhia e fortë dimërore në ShBA

    Të paktën pesë persona kanë vdekur në një stuhi dimërore që ka kapur një pjesë të Shteteve të Bashkuara, duke çuar në mbyllje masive të shkollave, kaos udhëtimesh dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

    Shtatë shtete amerikane shpallën gjendje emergjente: Maryland, Virginia, West Virginia, Kansas, Missouri, Kentucky dhe Arkansas.

    Më shumë se 2,300 fluturime janë anuluar, me afro 9,000 vonesa të raportuara gjithashtu për shkak të motit ekstrem të shkaktuar nga vorbulla polare e ajrit të ftohtë.

    Rreth 190,000 njerëz nuk kishin energji elektrike herët të martën në të gjitha shtetet në rrugën e stuhisë, sipas raportimeve të mediave botërore.

    Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), bora dhe reshjet parashikohen të vazhdojnë gjatë ditës në pjesën më të madhe të pjesës verilindore të SHBA-së.

    Ndërsa reshjet më pas do të ndalen, ajri i ftohtë i Arktikut pritet të mbajë kushtet e akullta në një pjesë të vendit për disa javë të tjera.

  • Arrestohen dy persona në Prizren, dyshohet se demoluan disa vila dhe shtëpinë e një personi

    Arrestohen dy persona në Prizren, dyshohet se demoluan disa vila dhe shtëpinë e një personi

    Dy persona janë arrestuar në Prizren pasi dyshohen se demoluan disa vila dhe shtëpinë e një tjetri.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 15:00 dhe është iniciuar si “Armëmbajtje pa leje”, “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Dhunë në familje”.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar pasi që të njëjtit i kanë demoluar disa vila dhe shtëpinë ankuesit mashkull kosovar. Vlera e demit raportohet të jetë e lartë”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se gjatë kontrollit në shtëpitë e të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar: dy pushkë gjuetie, 105 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, një thikë, një shufër metalike, tre karikator dhe një automjet.

    Bëhet e ditur se pas intervistimit me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Dyshohet se u rrah nga bashkëshorti, gruaja në Ferizaj dërgohet në strehimore

    Dyshohet se u rrah nga bashkëshorti, gruaja në Ferizaj dërgohet në strehimore

    Një grua në Ferizaj është dërguar në strehimore pasi dyshohet se u rrah nga bashkëshorti. Ky i fundit gjendet në arrati.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 23:00.

    “I dyshuari mashkull kosovar-bashkëshorti dyshohet se ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës femër kosovare, ku si pasoj me 03.01.2025 ishte larguar nga shtëpia. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati, rasti nën hetime”, thuhet në njoftim.