ATV

Author: G.O.

  • Me pagë nën minimale, punëtorët e sigurimit dhe mirëmbajtjes shkelen në institucione

    Me pagë nën minimale, punëtorët e sigurimit dhe mirëmbajtjes shkelen në institucione

    Përderisa palët e përfshira – Qeveria e Kosovës, komunat dhe kompanitë e kontraktuara – gjuajnë përgjegjësinë te njëra-tjetra, punëtorët e pastrimit dhe sigurimit në shumë institucione shtetërore vazhdojnë të paguhen jashtëligjshëm nën pagën minimale.

    Që nga 15 korriku i vitit 2008, Hakif Sylejmani ka kaluar nga të paktën tetë orë në ditë, e shpeshherë edhe më gjatë, duke ruajtur në objektet e ndryshme të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Në muajin e parë ai ishte punësuar si punëtor i sigurimit fizik nga QKUK-ja, ndërsa më vonë për këtë shërbim u punësua përmes kompanive private.

    Për Sylejmanin, baba i katër fëmijëve, muaji i parë ka qenë më i miri financiarisht.

    “Në 2008-tën e kam marrë rrogën 121 euro. I kam marrë 40 euro për rrugë, 40 euro për shujta ditore. Edhe çka kam marrë për kujdestari… rroga më dilte më e madhe në 2008-tën sesa sot. Atëherë e merrja mbi 300 euro”, thotë Sylejmani për Radion Evropa e Lirë.

    Aktualisht, i kontraktuar nga kompania Security Code, Sylejmani paguhet nga 277 euro në muaj. Për rritjen e katër fëmijëve të tij – nga 6 deri në 14 vjeç – ai thotë se kjo pagë, që është nën pagën minimale, është e pamjaftueshme.

    “Me një pagë të tillë, një punëtor nuk është në gjendje t’i mbajë katër fëmijë. Po flas vetëm për t’i dërguar në shkollë, jo për t’u blerë libra, fletore e veshmbathje. Kjo është katastrofë”, shton Sylejmani.

    I zgjedhur nga punëtorët e tjerë të sigurimit fizik në QKUK si përfaqësues i tyre, ai tregon se të gjithë punëtorët shpresojnë që këtë muaj të rregullohet çështja e pagës së tyre.

    Kompania e tij nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për komente.

    Por, në të njëjtën situatë me Sylejmanin gjenden edhe punëtorët e sigurimit fizik dhe ata të mirëmbajtjes në shumë institucione publike, pasi marrin pagë nën pagën e re minimale në Kosovë. Vlera e saj, e vendosur më 28 gusht të vitit të kaluar, është 350 euro.

    Kompania Security Code është njëra ndër kompanitë që vazhdon t’i paguajë punëtorët nën pagë minimale. Ajo s’ka pranuar të flasë për REL-in.

    Kompania Security Code është njëra ndër kompanitë që vazhdon t’i paguajë punëtorët nën pagë minimale. Ajo s’ka pranuar të flasë për REL-in.

    Të gjithë këta punëtorë janë punësuar nga kompani të kontraktuara nga institucione shtetërore për kryerjen e këtyre shërbimeve.

    Në tenderët e hapur, kompanitë tentojnë të aplikojnë me çmim sa më të ulët, në mënyrë që të përzgjidhen për ta kryer shërbimin.

    “Kompanitë nuk kanë mundësi t’i rrisin pagat tani, sepse ato i kanë bërë kalkulimet që kanë në kontratë për kaq mjete”, thotë Jusuf Azemi, drejtues i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë.

    E, dikur pasi kompanitë nënshkruan kontratat me institucionet shtetërore, Qeveria e Kosovës doli me vendimin për ta rritur ndjeshëm pagën minimale.

    Vendimi bëri që paga minimale të rritej në 350 euro nga 130 euro sa ishte për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

    “Është thënë se ka pasur rritje të pagës në 264 euro në vitin 2022, por ai ka qenë propozim i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) dhe në asnjë rrethanë vendim”, sqaron Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), për REL-in.

    Por, edhe tani që rritja e pagës është konkretizuar nga propozimi në vendim, ai sërish nuk zbatohet plotësisht.

    Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa nga kompanitë që ende i paguajnë punëtorët nën 350 euro, por vetëm kompania Double I&I, e kontraktuar për pastrim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ka qenë e gatshme për t’u prononcuar.

    Ajo sqaron se ka bërë kërkesë në Komunën e Malishevës për t’ia rritur vlerën e kontratës – që vlen edhe për një vit e gjysmë – pas rritjes së pagës minimale, por se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

    Menaxheri i kësaj kompanie, Ardian Aliu, thotë se institucione të tjera ku kjo kompani ofron shërbime, si Korporata Energjetike e Kosovës, kanë marrë parasysh kërkesën dhe e kanë rritur vlerën e kontratës.

    “Për çdo muaj kemi dërguar email duke kërkuar rritje të vlerës së kontratës. Ne nuk jemi për t’i shkelur të drejtat e punëtorëve. Me punëtorët kemi arritur marrëveshje që, përderisa nuk na përgjigjen nga komuna, ne nuk kemi mjete që t’i mbulojmë këto shpenzime”, thotë Aliu për REL-in.

    Edhe për përfaqësuesit sindikalë të punëtorëve, faji nuk qëndron te pronarët e kompanive, por te Qeveria e Kosovës.

    Një gjë e tillë theksohet edhe në denoncimin e bërë nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës në Inspektorat të Punës dhe Administratë Tatimore të Kosovës (ATK).

    “Këto janë kompani që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore dhe me këtë rast faji nuk është te kompanitë, por tek institucionet për të cilat këto kompani kryejnë shërbime”, thuhet në denoncimin e bërë.

    Inspektorati i Punës nuk është përgjigjur në pyetjet e REL-it, ndërsa ATK-ja ka vlerësuar se kjo çështje i takon Inspektoratit të Punës.

    Kryesuesi i Sindikatës, Azemi, beson se Qeveria duhet t’i subvencionojë kompanitë e kontraktuara, në mënyrë që ato të kenë mundësi financiare t’i paguajnë punëtorët e tyre sipas vendimit për pagën minimale.

    Ai beson se MFPT-ja është dashur ta dijë se një problem i tillë do të shfaqej dhe fakti që nuk ka ndërmarrë ndonjë masë për t’i subvencionuar kompanitë e kontraktuara nga institucionet shtetërore, “është qesharak”.

    “Është obligim i Qeverisë së Kosovës, nuk është obligim i kompanive”, thotë Azemi.

    Por, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) nuk pajtohet.

    Në një përgjigje për REL-in, nga kjo ministri thonë se, fillimisht, asnjë kompani nuk ka kërkuar subvencionim të tillë dhe se ajo “nuk është përgjegjëse për të pranuar kërkesa nga bizneset”.

    “Presim që kompanitë ta zbatojnë këtë ndryshim dhe të mos paguajnë nën këtë prag. Ky obligim është i qartë dhe i detyrueshëm për të gjithë punëdhënësit”, thuhet në përgjigjen e MFPT-së.

    Vendimi për rritjen e pagës minimale ka hyrë në fuqi më 1 tetor.

    Sindikata e Punëtorëve Teknikë kërkon që humbja e punëtorëve në pagë gjatë muajve tetor, nëntor, dhjetor dhe muajve të ardhshëm, derisa të gjendet një zgjidhje, t’u kompensohet atyre në mënyrë retroaktive.

    Përndryshe, Azemi paralajmëron se do të ngrenë padi ndaj vetë Qeverisë së Kosovës.

    “Nuk mund të jetë i përkryer asnjë ligj, por te ne kryesore është që atë ligj që e kemi në fuqi, ta respektojnë ata që e kanë nxjerrë. Qeveria e Kosovës po i shkel vetë vendimet që i ka nxjerrë”, thotë Azemi.

    Jakaj nga IKD-ja sqaron se i gjithë procesi lidhur me pagën minimale, është përcjellë me parregullsi. Procedura ligjore parasheh që fillimisht Qeveria, në fund të çdo viti kalendarik, të propozojë pagë minimale në bazë të një propozimi nga Këshilli Ekonomik dhe Social (KES).

    Por, KES-i – që përbëhet nga pesë përfaqësues të punëtorëve (sindikatave), pesë përfaqësues të punëdhënëseve (odat ekonomike) dhe pesë zyrtarë që caktohen nga Qeveria – nuk është funksional që nga viti 2023.

    Më 18 prill të atij viti, anëtarëve u ka skaduar mandati katërvjeçar dhe MFPT-ja ende nuk është angazhuar për rifunksionalizimin e tij.

    “Në mungesë të konsultimeve me sindikatat, me odat ekonomike dhe me publikun, e po ashtu dhe në mungesë të përgatitjeve të nevojshme të tjera, tanimë janë shfaqur situata problematike, ku shumë nga kompanitë kanë nënshkruar kontrata me institucionet publike, bazuar në pagën minimale të mëparshme prej 170 eurosh”, thotë Jakaj për REL-in.

    “Me rritjen e pagës minimale, këto kontrata janë bërë të vështira për t’u zbatuar, pasi kostot operative janë rritur në mënyrë të ndjeshme”, shton ai.

    Vendimi për pagën minimale ngre dilema ligjore, Ministria e Financave heshtJakaj propozon që vlera e kontratave të përditësohet tani, në mënyrë që të mos dëmtohen financiarisht as kompanitë, e as punëtorët.

    “Qeveria duhet të ndërmarrë hapa për t’i rishikuar kontratat ekzistuese midis kompanive private dhe institucioneve publike, duke përfshirë klauzola që reflektojnë rritjen e pagës minimale, duke qenë se kjo kërkesë është në pajtim me Ligjin për prokurimin publik”, thotë ai.

    Për Sylejmanin, i punësuar si rojë fizike në QKUK, pak rëndësi ka se kush e ka fajin. Ai vetëm shpreson që atij dhe kolegëve të tij do t’u respektohen të drejtat.

    “Ne po kërkojmë atë që na takon. Për atë që s’na takon, s’po i kërkojmë askujt të na e japë”, thotë ai.

  • Sulm me thikë në një shkollë të Sllovakisë, dy të vdekur

    Sulm me thikë në një shkollë të Sllovakisë, dy të vdekur

    Të paktën dy persona u vranë në një shkollë në veri të Sllovakisë pasi një nxënës sulmoi njerëzit me thikë, thanë shërbimet e urgjencës të enjten.

    Zëdhënësja e shërbimeve të urgjencës sllovake, Danka Capakova i tha Reutersit se disa ekipe ishin dërguar në një shkollë të mesme në Spisska Stara Ves në orën 12:00

    “Të paktën dy persona kanë vdekur dhe një është plagosur”, tha ajo.

    Policia tha në një postim në Facebook se një nxënës 18-vjeçar ka sulmuar një mësuese dhe dy shokë të klasës.

  • KGjK: Prioritet zvogëlimi i lëndëve në gjykata dhe rritja e llogaridhënies

    KGjK: Prioritet zvogëlimi i lëndëve në gjykata dhe rritja e llogaridhënies

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën ka diskutuar dhe miratuar planin e punës së Gjykatave për vitin 2025.

    Kryesuesit e Gjykatave në këtë mbledhje u pajtuan se prioritetet mbetet zvogëlimi i lëndëve si dhe rritja e llogaridhënies dhe transparencës.

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, në këtë mbledhje ka pasur dy kërkesa në drejtim të gjykatave, duke kërkuar që në planin e punës të kenë edhe konsolidimin e zyrës për skanim të hershem të çështjeve si dhe çështjen e paneleve të paracaktuara.

    Në fund me gjitha votat për, KGjK-ja ka miratuar planet e punës për gjitha gjykatat.

  • Aksioni i djeshëm kundër strukturave paralele, BE-ja insiston në fuqinë e Dialogut dhe nevojën për të

    Aksioni i djeshëm kundër strukturave paralele, BE-ja insiston në fuqinë e Dialogut dhe nevojën për të

    Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, në një konferencë për media ka folur për zhvillimet e djeshme në Kosovë ku janë mbyllur institucione paralele të Serbisë në Kosovës.

    Hipper e pyetur për qëndrimin e BE-së se zgjidhja për strukturat parlele duhet të gjendet përmes Dialogut, ka thënë se BE gjithmonë ka besuar në fuqinë e dialogut dhe se dialogu është shumë i nevojshëm.

    Zëdhënësja e BE-së tutje ka shtuar se është shumë e rëndësishme që të dy palët të vazhdojnë dialogun në mënyrë konstruktive.

    “Ne gjithmonë kemi besuar në fuqinë e dialogut. Kjo është shumë e nevojshme. Kjo është arsyeja pse po i vendosim të gjitha përpjekjet në Dialog dhe pse po kërkojmë nga palët që të bëjnë një gjë të tillë. Ju keni parë reagimin tonë. Është e rëndësishme që të vazhdohet dialogu në mënyrë konstruktive”, ka thënë Hipper.

  • Çahet diga e hidrocentralit në Himarë, emergjencat civile po evakuojnë personat e rrezikuar

    Çahet diga e hidrocentralit në Himarë, emergjencat civile po evakuojnë personat e rrezikuar

    Sot, rreth orës 12:38, në Bunec, Lukovë, dyshohet se është çarë diga e hidrocentralit, duke krijuar rrezik për përmbytje.

    Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe emergjencave civile, të cilat po punojnë për të siguruar evakuimin e çdo personi që mund të jetë në rrezik.

    Deri tani janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa situata po monitorohet nga afër për të shmangur pasoja të tjera.

    Policia fton qytetarët që të shmangin lëvizjet në zonën e rrezikuar dhe të raportojnë menjëherë për çdo rast emergjence./Topchannel

  • ​PZAP-ja dënon me 12 mijë euro AAK-në

    ​PZAP-ja dënon me 12 mijë euro AAK-në

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, përmes një vendimi të enjten, ka gjobitur me 12 mijë euro Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

    Vendimi vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje kishte dërguar ankesë në PZAP duke thënë se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte cenuar Ligjin për Zgjedhjet bërë akuza të pabaza dhe të pavërtetuara kundrejt kryeministrit Kurti, ashtu si edhe kandidati për deputet i AAK-së, Ardian Gjini.

    Paneli tha se Haradinaj dhe Gjini kanë nxitur “urrejtje” ndaj kryeministrit Kurti duke përdorur gjuhë denigruese dhe urrejtëse, pasi kishin thënë se “duhet ta heqim mashtruesin” dhe se “nuk duam më lojëra me sigurinë kombëtare pas shpinës së aleatëve tanë e në interes të Serbisë e Rusisë nga argati i tyre”.

    Sipas vendimit të PZAP-së, AAK-ja obligohet të paguajë gjobën brenda afatit prej 15 ditësh.

    Të enjten, PZAP-ja dënoi edhe Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë euro dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 20 mijë euro.

    PZAP-ja e dënon Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë euro, shkak gjuha e përdorur nga Kurti në Pejë

    LDK-ja gjobitet me 20 mijë euro, kandidatja për deputete e krahasoi Albin Kurtin me Adolf Hitlerin

     

  • BE-ja njofton 120 milionë euro ndihmë për Gazën pas armëpushimit

    BE-ja njofton 120 milionë euro ndihmë për Gazën pas armëpushimit

    Bashkimi Evropian ka njoftuar se do të japë 120 milionë euro ndihmë për Gazën e shkatërruar nga lufta për të trajtuar krizën humanitare.

    Në një reagim në lidhje me këtë paketë presidentja e KE-së, Ursula von Der Leyen tha:

    “Marrëveshja e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve ofron shpresë që rajonit i nevojitej dëshpërimisht. Por situata humanitare mbetet e zymtë në Gaza”.

    “Evropa do të kanalizojë 120 milionë euro ndihmë në vitin 2025, së bashku me tonelatat e ndihmës në natyrë, për të vazhduar mbështetjen e palestinezëve”, shkruan ajo.

  • Arrestohet një person në Prishtinë, i gjendet pistoletë me leje të skaduar

    Arrestohet një person në Prishtinë, i gjendet pistoletë me leje të skaduar

    Në Prishtinë është arrestuar një person për shkak se gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me dy karikatorë, për të cilën kishte leje të skaduar.

    Policia njofton se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Prishtina sot renditet e 24-ta në botë për cilësinë e ajrit

    Prishtina sot renditet e 24-ta në botë për cilësinë e ajrit

    Aktualisht Prishtina radhitet në vendin e 24 në botë për cilësinë e ajrit.

    Kjo është e theksuar se tabela e platformës për matjen e ndotjes së ajrit “IQ Air”.

    Sipas të dhënave të fundit, vlera e nivelit të grimcave të dëmshme PM është 121 njësi.

     

  • Kylie Jenner dhe Timothee Chalamet janë fotografuar së bashku, të kapur për dore

    Kylie Jenner dhe Timothee Chalamet janë fotografuar së bashku, të kapur për dore

    Kylie Jenner është fotografuar me të dashurin e saj, aktorin Timothée Chalamet.

    Dyshja ishin dorë për dore teksa hynë në hotelin Royal Manceau në Paris. Para kësaj, sipas raportimeve, ata kanë darkuar në restorantin e shefit të famshëm francez Cyril Lignac.

    Për këtë rast Kylie kishte veshur një ‘jumpsuit’ të zi të ngushtë dhe taka të zeza, ndërsa në duar mbante një pallto të zezë.

    Chalamet zgjodhi xhinse të thjeshta dhe një bluzë të bardhë, me të cilën kishte veshur një shall rozë dhe një kapele të së njëjtës ngjyrë.

    Kjo dalje e tyre vjen disa ditë pasi ata u shfaqën së bashku në Golden Globes të këtij viti.

    Page Six më pas raportoi se ata nuk ecën bashkë në tapetin e kuq sepse Kylie donte që fokusi të ishte te Timothée. /Telegrafi/