ATV

Author: G.O.

  • Përkrahen dy projekte, Banka Botërore miraton mbi 89 milionë dollarë për Kosovën

    Përkrahen dy projekte, Banka Botërore miraton mbi 89 milionë dollarë për Kosovën

    Banka Botërore njoftoi se ka miratuar ndihmën financiare për dy projekte të reja në Kosovë në vlerë totale prej 89.7 milionë dollarë që synojnë forcimin e konkurrencës së sektorit privat.

    Banka Botërore do të mbështesë Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar, me vlerë 52 milionë dollarë, dhe Projektin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit 2.0, me vlerë 37.7 milionë dollarë përmes kredisë koncesionare nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit, tha huadhënësi global në një deklaratë për shtyp të enjten.

    Projekti për Zhvillimin e Sektorit Financiar synon të rrisë stabilitetin financiar dhe përfshirjen në Kosovë përmes forcimit të kapaciteteve të fondit të sigurimit të depozitave, financimit të firmave të pashërbyera dhe katalizimit të pagesave më të shpejta.

    Ndërkaq projekti i dytë, do të financojë infrastrukturën dhe uljen e kostove tregtare dhe për të rritur efikasitetin e transportit ndërmjet Kosovës dhe vendeve fqinje.

  • Vazhdon protesta, pronarët e autobusëve në linjën Podujevë – Prishtinë nuk punojnë as sot

    Vazhdon protesta, pronarët e autobusëve në linjën Podujevë – Prishtinë nuk punojnë as sot

    Transportuesit e udhëtarëve me autobusë Podujevë – Prishtinë po vazhdojnë edhe sot grevën e nisur dje për shkak të një vendimi të komunës së Prishtinës për shtimin e linjave në drejtim të Podujevës, deri në Tenezhdoll.

    Shoqata e Transportit “Podujevë-Prishtinë” njoftoi se pezullimi i përkohshëm i aktivitetit të saj transportues të udhëtarëve është si rrjedhojë e siç thuhet “shkeljeve flagrante të të drejtave elementare dhe rrezikut të falimentimit të kompanive transportuese”.

    Përkundër reagimit të kësaj shoqate, nga Komuna e Prishtinës, dje kanë thënë se vendimi është ligjor.

    Në grevë po marrin pjesë mbi 50 operatorë ekonomik- transportues me autobusë.

    Si rrjedhojë e kësaj greve, udhëtarët e Llapit kanë mbetur pa transport publik tash e dy ditë në relacionin Podujevë-Prishtinë.

  • Ambasada e Kosovës në Washington del me njoftim për votimin me postë nga Amerika

    Ambasada e Kosovës në Washington del me njoftim për votimin me postë nga Amerika

    Ambasada e Kosovës në Washington ka dhënë një informacion të rëndësishëm rreth votimit të diasporës atje për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Kjo ambasadë në një postim të publikuar në Facebook ka publikuar adresën ku mund të dërgohen fletëvotimet.

    “Vëmendje për Diasporën e Kosovës në SHBA!Të nderuar bashkatdhetarë, Siç jeni të informuar, votimi përmes postës është hapur zyrtarisht. Adresa e vetme për të dërguar fletët e votimit përmes postës në SHBA është:Consulate General of Kosovo in New York – KQZ450 Lexington AveP.O. Box Number 4485, New York, NY 10163, US Postal Service Grand Central”, shkruhet në njoftim.

    Ambasada po ashtu ka bërë thirrje që të ndiqen rregullat e KQZ-së për procesin e votimit në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

  • PZAP-ja ndëshkon me 2 mijë euro LV-në

    PZAP-ja ndëshkon me 2 mijë euro LV-në

    Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 2 mijë euro për shkak të shkeljes së Kodit në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) ka njoftuar se kjo ankesë është bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Në vendim thuhet se anëtarit të Komisionit Komunal Zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq, Berat Gashit, i është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje si kandidat apo edhe si pjesë administrative e ndonjë organi zgjedhor për dy vite nga dita e marrjes së vendimit duke përfshirë edhe zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

    Ndryshe, ky është dënimi i dytë që ky subjekt politike ka marrë brenda pak ditësh.

    Kjo pasi LVV është dënuar më 3 mijë euro edhe për për shkak të gjuhës fyese që kryeministri Albin Kurti e ka përdorur gjatë një tubimi elektoral më 13 janar në Pejë.

  • Ish-kryeministri pakistanez dënohet me 14 vjet burgim për korrupsion

    Ish-kryeministri pakistanez dënohet me 14 vjet burgim për korrupsion

    Një gjykatë në Pakistan e dënoi ish-kryeministrin e vendit, që tashmë gjendet në burg, Imran Khan, me 14 vjet burgim, ndërkaq gruan e tij me shtatë, pasi i gjeti fajtorë nën akuza për korrupsion, thanë zyrtarët dhe avokatët e tij.

    Çifti është akuzuar se kur Khan ishte në pushtet, ka pranuar dhuratë një tokë nga një pasanik i patundshmërive, në këmbim të pastrimit të parave.

    Prokurorët thanë se biznesmeni, Malik Riaz, më pas u lejua nga Khani që të paguante gjoba që i ishin vendosur për një rast tjetër me të njëjtat para të pastruara prej 190 paundësh britanikë (240 milionë dollarë). Këto para u kthyen në Pakistan nga autoritetet britanike më 2022 për t’u depozituar në thesarin e shtetit.

    Khan ka mohuar akuzat dhe ka insistuar se që nga arrestimi i tij më 2023 se të gjitha akuzat kundër tij janë komplot nga rivalët që ta mbajnë larg garimit për post shtetëror.

    Khan, që u bë kryeministër më 2018, u rrëzua nga pushteti përmes një mocioni mosbesimi në Parlament prillin e vitit 2022.

    Më herët është dënuar për akuza për korrupsion, zbulim të sekreteve shtetërore dhe shkelje të ligjeve të martesës dhe në tri vendime të ndara, ai është dënuar me dhjetë, 14 dhe shtatë vjet, respektivisht, raporton REL.

    Sipas ligjit në Pakistan, ai duhet t’i vuajë të gjitha dënimet, që do të thotë kohëzgjatja e burgimit do të jetë më e gjatë.

    Khan, 72 vjeç, përballet me më shumë se 150 raste penale, edhe pse ai gëzon popullaritet të madh në mesin e pakistanezëve.

    Ai dhe partia e tij politike, Pakistan Tehrik-e Insaf (PTI) kanë thënë se këto raste janë të motivuara politikisht.

  • Papa Françesku lëndon krahun në rrëzimin e dytë në gati një muaj

    Papa Françesku lëndon krahun në rrëzimin e dytë në gati një muaj

    Papa Françesku u rrëzua të enjten dhe lëndoi krahun e djathtë, njoftoi Vatikani, vetëm disa javë pasi një tjetër rënie duket se rezultoi me një mavijosje të rëndë në mjekër.

    Papa Françesku nuk e ka thyer krahun, por krahu iu lidh me fasho si masë paraprake, tha zëdhënësi i Vatikanit në një deklaratë.

    Më 7 dhjetor, Papa goditi mjekrën në komodinën e tij në një rënie që duket se shkaktoi një mavijosje të madhe.

    Papa 88-vjeçar, i cili është përballur me probleme shëndetësore, përfshirë periudha të gjata të bronkitit, shpesh duhet të përdorë një karrige me rrota për shkak të gjunjëve të dobët. Ai përdor një shkop kur lëviz nëpër apartamentin e tij në hotelin Santa Marta të Vatikanit.

    Vatikani tha se rënia e së enjtes ndodhi gjithashtu në Santa Marta dhe Papa më vonë u pa në audiencë me krahun e djathtë të lidhur. Në një nga takimet, Papa Françesku kërkoi falje që përdori dorën e majtë për një shtrëngim duarsh kur përshëndeti kreun e fondit të OKB-së për zhvillimin e bujqësisë, Alvaro Lario.

    “Këtë mëngjes, për shkak të një rënieje në Casa Santa Marta, Papa Françesku pësoi një nxirje në parakrahun e djathtë, pa ndonjë frakturë. Krahu është imobilizuar si masë paraprake”, thuhet në njoftim.

    Spekulimet për shëndetin e Papa Françeskut janë të vazhdueshme në qarqet e Vatikanit, veçanërisht pasi Papa Benedikti XVI theu traditën 600-vjeçare dhe dha dorëheqjen në vitin 2013, raporton VOA.

    Ndihmësit e PapaBenediktit ia atribuojnë vendimin një rënieje natën që ai pësoi gjatë një udhëtimi në Meksikë në vitin 2012, pas së cilës ai vendosi se nuk mund t’i përmbushte më kërkesat e detyrës në mbarë globin.

    Papa Françesku ka thënë se nuk ka në plan të japë dorëheqjen së shpejti, megjithëse Papa Benedikti “e ka çelur derën” tashmë për këtë mundësi.

    Në autobiografinë e tij “Shpresë” të publikuar këtë javë, Papa Françesku thotë se nuk e kishte menduar të jepte dorëheqjen as kur pati një operacion më të madh në zorrë.

  • Netanyahu thotë se është arritur marrëveshja për lirimin e pengjeve

    Netanyahu thotë se është arritur marrëveshja për lirimin e pengjeve

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se është arritur marrëveshja për kthimin e pengjeve që mbahen në Rripin e Gazës, pasi paraprakisht deklaroi se kishte pengesa në minutën e fundit për finalizimin e një armëpushimi që do të pauzonte luftën 15-mujore.

    Netanyahu tha se ai do të mbledhë kabinetin e tij të sigurisë më vonë gjatë së premtes dhe më pas Qeveria do ta miratojë marrëveshjen e shumëpritur për lirimin e pengjeve.

    Kjo deklaratë duket se i hap rrugë miratimit nga Izraeli të marrëveshjes, e cila parasheh pauzimin e luftimeve në Rripin e Gazës dhe lirimin e dhjetëra pengjeve që mbahen nga luftëtarët radikalë në Gazë në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, që mbahen nga Izraeli.

    Marrëveshja po ashtu do të lejojë që qindra mijëra të zhvendosur palestinezë të kthehen në shtëpitë e tyre në Gazë.

    Kryeministri izraelit tha se ka udhëzuar një task-forcë speciale që të përgatitet për pranimin e pengjeve që do të kthehen nga Gaza dhe familjarët e tyre janë informuar se marrëveshja është arritur.

    Të mërkurën, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe ndërmjetësi, Katari, kishin njoftuar se marrëveshja ishte e përfunduar.

  • Përgatitjet për zgjedhjet, KQZ dhe Misioni Vëzhgues i BE-së diskutojnë sigurinë dhe transparencën

    Përgatitjet për zgjedhjet, KQZ dhe Misioni Vëzhgues i BE-së diskutojnë sigurinë dhe transparencën

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se kryetari i këtij institucioni Kreshnik Radoniqi, ka pritur në takim eurodeputeten Nathalie Loiseau, njëkohësisht shefe e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian.

    Sipas njoftimit, takimi u fokusua në përgatitjet për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    “Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, theksoi rëndësinë e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe siguroi se gjetjet e vëzhguesve do të merren seriozisht nga institucioni që ai udhëheq”, thuhet në njoftim.

    Gjatë takimit, KQZ gjithashtu informoi Loiseau dhe ekipin e Misionit të BE-së për përgatitjet në zhvillim, përfshirë mundësinë e votimit përmes postës për qytetarët jashtë Kosovës dhe trajnimin e trupave zgjedhorë.

    Ky takim thekson angazhimin e KQZ-së për sigurinë dhe transparencën e zgjedhjeve të ardhshme, duke siguruar që procesi zgjedhor të jetë i mbikëqyrur dhe i besueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

  • Ngrihet atakuzë për terrorizëm, i pandehuri i ishte bashkuar grupit terrorist “Al Nusra” në vitin 2013

    Ngrihet atakuzë për terrorizëm, i pandehuri i ishte bashkuar grupit terrorist “Al Nusra” në vitin 2013

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj të pandehurit O.K., për shkak të kryerjes së veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

    Sipas njoftimit prokurori i Shtetit, pas mbledhjes dhe analizimit të provave personale dhe materiale, ka konstatuar se: “Përtej dyshimit të bazuar mirë, është vërtetuar se i pandehuri O.K., që nga janari 2013, i është bashkuar dhe ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist ‘Al Nusra’, në rrethinën e qytetit të Damaskut, në shtetin e Sirisë.”

    Në aktakuzë, prokurori thekson se O.K. ka ndërmarrë veprime konkrete të caktuara nga udhëheqësit e kësaj organizate terroriste, duke përmbushur elementet e veprës penale për organizimin dhe pjesëmarrjen në grup terrorist.

    Po ashtu, prokurori ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas Kodit Penal.

    “Gjithashtu, kërkohet që masa e paraburgimit të vazhdohet deri në përfundim të rastit penal,” thuhet në njoftim.

  • Naser Hafizit i vazhdohet paraburgimi edhe për 1 muaj

    Naser Hafizit i vazhdohet paraburgimi edhe për 1 muaj

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj ushtruesit të detyrës së Udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Naser Hafizit.

    Hafizi ishte arrestuar në tetor të vitit të kaluar pas një serie raportimesh nga Albanian Post, ku ishin evidentuar keqpërdorime dhjetëra miliona euro nëpërmjet shlyerjes së borxheve të kompanive për ambalazhimin e ujit dhe pijeve në Kosovë.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, në çështjen penale kundër të pandehurit N. H., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special më datë 08.01.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N. H., iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj, e cila masë i llogaritet nga data 10.01.2025 deri më datë 10.02.2025”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.