ATV

Author: G.O.

  • ​Arrestohen dy persona për keqpërdorim të kartelave bankare në Pejë

    ​Arrestohen dy persona për keqpërdorim të kartelave bankare në Pejë

    Policia e Kosovës sot ka zbatuar urdhër kontrollin e Gjykatës Themelore në Pejë, ku janë kontrolluar tri lokacione dhe janë arrestuar dy persona, me dyshime për veprat penale keqpërdorim të detyrës zyrtare, lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit.

    Hetimet lidhur me rastin kishin filluar në muajin korrik 2024 me autorizim të Prokurorisë Themelore Pejë, me ç’rast janë aplikuar masat e veçanta të hetimit si dhe ka bërë grumbullimin e informatave të nevojshme, duke bashkëpunuar edhe me institucione tjera përmes të cilave është arritur të sigurohen dëshmi të arsyeshme për veprat panele.

    Dy persona të dyshuar në këtë rast, një femër dhe një mashkull kosovarë, dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete kanë keqpërdorur kartelat bankare të disa personave dhe ua kanë tërhequr mjetet e përfituara nga skema pensionale. Tërheqja e parave dyshohet se ka ndodhur në vazhdimësi për disa muaj.

    Gjatë kontrollit të lokacioneve janë gjetur dhe janë sekuestruar gjashtë kartela bankare në emër të personave të tjerë, një telefon, dokumentacion me rëndësi për procedurat hetimore, dy armë zjarri, një AK-47 dhe një armë e shkurtër për të cilat pas konsultimit me prokurorin e rastit është iniciuar rast i veçantë.

    Personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri 48 orë.

  • Presideti Biden lehtëson masën e dënimit për afro 2500 persona

    Presideti Biden lehtëson masën e dënimit për afro 2500 persona

    Presidenti Joe Biden njoftoi të premten vendimin për uljen e masës së dënimit për thuajse 2500 persona, të cilët ishin dënuar për vepra jo të dhunshme që kishin të bënin me drogën.

    Me këtë vendim, Joe Biden bëhet Presidenti që ka nënshkruar më shumë falje dhe lehtësim dënimi se sa çdo president tjetër i Shteteve të Bashkuara.

    Presidenti është shprehur se me keto akte synon të korrigjojë pabarazinë e masës së dënimit, pasi individët përfitues “do të kishin marrë dënime më të shkurtra nëse akuzoheshin sipas ligjeve, politikave dhe praktikave të sotme”.

    “Ky veprim është një hap i rëndësishëm drejt korrigjimit të gabimeve historike, korrigjimit të pabarazive në dënime dhe ofrimin e mundësisë që individët të kthehen në familjet dhe komunitetet e tyre pasi kanë kaluar shumë kohë pas hekurave”, tha Biden përmes një deklarate

    Shtëpia e Bardhë nuk i publikoi emrat e atyre që do të marrin zbritje të masës së dënimit.

    Presidenti Biden njoftoi se mund të ketë edhe vendime për akte të tjera lehtësimi të masës së dënimit, duke premtuar se do të përdorë kohën përpara ianugurimit të Trump të hënën “që të shqyrtojë mundësinë për të tjera falje dhe zbritje të dënimit”.

    Kjo mund të përfshijë falje për zyrtarë dhe aleatë për të cilët Shtëpia e Bardhë druhet se mund bëhen padrejtësisht objektiv i adminsitratës së re.

    Muajin e kaluar, Presidenti në largim fali 39 persona të dënuar për krime jo të dhunshme dhe u uli dënimet rreth 1500 të tjerëve. Për nga numri, këto vendime ishin më të mëdhatë të ndërmarra në një ditë të vetme.

    Po në dhjetor, Presidenti Joe Biden lehtësoi dënimet për 37 nga 40 personat e dënuar me vdekje nga gjykatat federale, duke ua ulur dënimin në burgim të përjetshëm.

    Së fundmi, Biden fali gjithashtu djalin e tij, Hunter Biden, i dënuar mbi akuza federale për armë dhe mos pagim taksash.

    Presidentët zakonisht nënshkruajnë një seri faljesh në fund të mandatit të tyre.

    Pak para mesnatës, në natën e fundit të mandatit të tij të parë, republikani Trump, nënshkroi një sërë faljesh dhe uljesh dënimi për më shumë se 140 persona, duke përfshirë ish-aleatin e tij kryesor, Steve Bannon, reperët Lil Wayne dhe Kodak Black dhe ish-anëtarë të Kongresi, raporton VOA.

    Akti i fundit i Trump si President në mandatin e tij të parë ishte falja për Al Pirro-n, ish-bashkëshorti i gazetares së kanalit Fox News, Jeanine Pirro, një nga mbrojtësit e tij më të vendosur. Al Pirro ishte shpallur fajtor për akuza për komplot dhe evazion fiskal dhe ishte dënuar me më shumë se dy vjet burg në vitin 2000.

  • Flutura Kusari denoncon përpjekjen e pushtetit për kapjen e KPM-së tinëz, publikon dokumentin

    Flutura Kusari denoncon përpjekjen e pushtetit për kapjen e KPM-së tinëz, publikon dokumentin

    Juristja e medias dhe aktivistja e shoqërisë civile, Flutura Kusari ka dhënë informata tjera me rëndësi për tentim kapjen e KPM-së nga pushteti.

    Ajo thotë se “KPM ka planifiku sot me ndryshu rregulloren e punës që me mujtë me e kapë politikisht pozitën e kryetarit dhe të nënkryetarit”.

    Kusari tha se kjo është alarmuese dhe e pabesueshme, teksa shtoi se ky ndryshim tinëzar i rregullores, pa e përfshi as në agjendë, është dëshmi që është proces i kundërligjshëm dhe politik.

    “Ky ndryshim tinzar i rregullores, pa e përfshi as në agjendë, është dëshmi që është proces i kundërligjshëm dhe politik. Ndryshimi i rregullores në këtë formë është i jashtëligjshëm po ashtu”.

    Ajo e krahason këtë metodë që pushteti aktual e ka përdorë në RTK për me zgjedhë drejtorin.

    “Ju rikujtoj që të njëjtën metodë pushteti aktual e ka përdorë në RTK për me zgjedhë drejtorin. Copy paste e njëjta metodë. Wow”, ka shkruar Kusari.

  • Kurti për Jusuf Gërvallën: Ka qenë një veprimtar politik me vetëdije të lartë

    Kurti për Jusuf Gërvallën: Ka qenë një veprimtar politik me vetëdije të lartë

    Në përvjetorin e 43-të të vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës, kryeministri Albin Kurti ka kujtuar tre heronjtë si dhe ka bërë homazhe në Dubovik, në vendlindjen Jusufit e Bardhoshit, raporton Ekonomia Online.

    Kurti në një postim në Facebook, shkruan se Jusuf Gërvalla ka qenë një veprimtar i kulluar politik, me vetëdije të lartë, me vullnet të pathyeshëm, me talent të rrallë dhe me energji të pashtershme.

    “Jusuf Gërvallën e kanë eliminuar shërbimet sekrete serbe, ashtu siç kishin bërë edhe me të tjerë, bashkë me vëllain e tij Bardhoshin dhe shokun e tyre bashkëveprimtar, gazetarin Kadri Zeka, sepse vetëm duke i vrarë mund t’ua pushonin aktivizmin dhe angazhimin. Por aktivizmi dhe angazhimi për çlirimin e Kosovës vazhdoi edhe pas tyre deri më 1999, kurse përpjekja dhe puna për t’ia shtuar e forcuar substancën lirisë së Kosovës ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot”, shkruan Kurti.

    “Ishim për ta kujtuar Jusufin që nga origjina e tij, sepse në rrugën tonë për Republikën e Kosovës, për shtetësi dhe sovranitet, ne jemi bashkë me të dhe ajo është bashkë me neve, Donika Gërvalla, vajza e Jusuf Gërvallës:, shkruan tutje Kurti.

    Kryeministri Kurti tha se si zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, vetë shërbyesja në këto detyra, Donika Gërvalla është dëshmi e gjallë e triumfit të historisë tonë dhe lirisë së popullit për një Kosovë të pavarur e sovrane, demokratike e prosperuese.

    “Dhe në këtë triumf, njëri nga trofetë e mbanë edhe emrin e Jusuf Gërvallës. Lavdi heronjve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, lavdi heroit Kadri Zeka!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • PZAP-ja refuzoi kërkesën e LV-së kundër Aleksandar Arsenijeviqit për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore

    PZAP-ja refuzoi kërkesën e LV-së kundër Aleksandar Arsenijeviqit për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundër Aleksandar Arsenijeviqit, kryetar i “Demokracia Serbe”, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

    Sipas vendimit të PZAP-së, LVV-ja ishte ankuar se Arsenijeviqi kishte penguar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në veriun e Mitrovicës, ku ka theksuar se partia kishte planifikuar aktivitet në kuadër të fushatës zgjedhore atje.

    Tutje në arsyetimin e VV-së është thënë se Arsenijeviqi ka tentuar ta pengojë aktivitetin, ka ofenduar dhe fishkëllyer drejt Kurtit, ministrave e deputetëve.

    Ndërsa, Arsenijeviq në përgjigjen e tij ka thënë se VV-ja nuk ka shpallur aktivitet të fushatës zgjedhore për atë ditë në Mitrovicë të Veriut dhe askush “publikisht nuk ishte në dijeni se kryeministri Kurti po planifikonte një vizitë edhe në Mitrovicën e Veriut”.

    PZAP-ja ka thënë se pretendimet e LV-së janë “të paqëndrueshme” dhe i refuzon “për faktin se veprimet e përshkruara në ankesë nuk paraqesin ndonjë nga shkeljet e pretenduara”. /Telegrafi/

  • Hakerët rusë shënjestrojnë llogaritë në WhatsApp të ministrave në mbarë botën

    Hakerët rusë shënjestrojnë llogaritë në WhatsApp të ministrave në mbarë botën

    Hakerët e lidhur me shtetin rusë kanë shënjestruar llogaritë WhatsApp të ministrave të qeverisë dhe zyrtarëve në mbarë botën me email që i ftojnë ata të bashkohen me grupet e përdoruesve në aplikacionin e mesazheve.

    Bëhet e ditur se taktika e përdorur shënon një qasje të re nga një njësi hakerimi e quajtur Star Blizzard.

    Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Britanisë (NCSC) e ka lidhur Star Blizzard me agjencinë vendase të spiunazhit të Rusisë, FSB dhe e ka akuzuar atë se kërkon të “minojë besimin në politikën në Mbretërinë e Bashkuar dhe shtetet me të njëjtin mendim”.

    Sipas një postimi në blog nga Microsoft, “viktimat” marrin një email nga një sulmues që imiton një zyrtar të qeverisë amerikane, duke e joshur marrësin të klikojë në një kod QR që i jep sulmuesit akses në llogarinë e tyre WhatsApp.

    Kodi, në vend që të japë akses në një grup WhatsApp, lidh një llogari me një pajisje të lidhur ose me portalin ueb WhatsApp, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

    “Aktori i kërcënimit mund të fitojë akses në mesazhet në llogarinë e tyre WhatsApp dhe të ketë aftësinë për të shfrytëzuar këto të dhëna”, tha Microsoft.

    Por, Microsoft nuk deklaroi nëse të dhënat ishin vjedhur me sukses nga llogaritë e synuara të WhatsApp.

    Kompania tha se emaili i rremë ishte një ftesë për t’u bashkuar me një grup në WhatsApp në “iniciativat më të fundit joqeveritare që synojnë mbështetjen e Ukrainës”.

    Përveç synimit të ministrave dhe zyrtarëve në vende të paidentifikuara, fushata ka tentuar të futë në grackë njerëz të përfshirë në diplomacinë, politikën e mbrojtjes dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

    Ndryshe, në vitin 2023, NCSC tha se Star Blizzard kishte shënjestruar deputetë, universitete dhe gazetarë britanikë, ndër të tjera, në përpjekje për të “ndërhyrë në politikën dhe demokracinë e Mbretërisë së Bashkuar”.

    Si pjesë e njoftimit të vitit 2023, Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj dy anëtarëve të Star Blizzard duke përfshirë një oficer në FSB.

    Microsoft tha se fushata WhatsApp dukej se ishte ndërprerë në nëntor, por ndryshimi i taktikave nga Star Blizzard nënvizoi këmbënguljen e njësisë në përdorimin e spear phishing – termi për shënjestrimin e individëve ose grupeve të veçanta me email me qëllim të keq – për të marrë informacione të ndjeshme.

    Raportohet se praktika gjithnjë e më popullore e përdorimit të kodeve QR nga kriminelët kibernetikë quhet “quishing” në komunitetin e sigurisë kibernetike.

    Microsoft rekomandoi që përdoruesit e emaileve që i përkasin sektorëve të synuar nga Star Blizzard duhet “të qëndrojnë gjithmonë vigjilentë” kur kanë të bëjnë me email, veçanërisht mesazhe që përmbajnë lidhje të jashtme.

    “Kur jeni në dyshim, kontaktoni personin që mendoni se po dërgon emailin duke përdorur një adresë emaili të njohur dhe të përdorur më parë për të verifikuar që emaili është dërguar me të vërtetë prej tyre”, shpjegoi Microsoft.

    WhatsApp, i cili është në pronësi të kompanisë mëmë të Facebook, Meta, është një aplikacion i koduar end-to-end, që do të thotë se vetëm dërguesi dhe marrësi i një mesazhi mund ta shohin atë, përveç nëse përdoruesi mashtrohet për t’i dhënë akses në llogarinë e tij. /Telegrafi/

  • Ambasada e Shqipërisë del me apel për qytetarët që udhëtojnë drejt Kosovës, shkak kushtet atmosferike

    Ambasada e Shqipërisë del me apel për qytetarët që udhëtojnë drejt Kosovës, shkak kushtet atmosferike

    Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë iu ka bërë thirrje qytetarëve që planifikojnë të udhëtojnë nga Shqipëria drejt Kosovës të informohen mbi kushtet klimatike aktuale.

    Në njoftimin për media thuhet që sidomos për qytetarët që planifikojnë t’i vizitojnë zonat turistike dimërore si Brezovicë, Brod, Bogë, Rugovë të pajisen me goma dimërore, zinxhirë dhe mjete të tjera për qarkullim të sigurt.

    “Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës i bën thirrje të gjithë qytetarëve tanë që planifikojnë të udhëtojnë nga Shqipëria drejt Kosovës, sidomos në zonat turistike dimërore si Brezovicë, Brod, Bogë, Rugovë, etj., të informohen mbi kushtet klimatike aktuale, si dhe të sigurohen që të jenë të pajisur me goma dimërore, zinxhirë dhe mjete të tjera për qarkullim të sigurtë, sipas Kodit Rrugor në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Tutje thuhet që të respektohen këto masa për të shmangur rrezikun e aksidenteve.

  • Kurti priti në takim ekipe të misioneve vëzhguese të zgjedhjeve nga BE-ja, Asambleja Parlamentare e Këshilli i Evropës

    Kurti priti në takim ekipe të misioneve vëzhguese të zgjedhjeve nga BE-ja, Asambleja Parlamentare e Këshilli i Evropës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim në mëngjesin e sotëm ekipe të misioneve vëzhguese të zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, raporton Ekonomia Online.

    Përgjatë këtyre takimeve u diskutua rreth procesit zgjedhor e zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe rëndësisë së mbarëvajtjes së tyre. Kryeministri Kurti theksoi se procesi duhet të jetë transparent e demokratik.

    U konstatua se Kosova ka arritur të realizojë shumicën e rekomandimeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë në lidhje me procesin zgjedhor, gjersa vendi ynë vijon të jetë shtet i pluralizmit politik dhe i garës së hapur e të drejtë për të gjithë.

    Kryeministri Kurti i falënderoi ekipet e misioneve vëzhguese për takimin e bisedën e sotme si dhe angazhimin e tyre.

  • PDK-ja apelon te anëtarët e saj të shmangin gjuhën e urrejtjes gjatë fushatës

    PDK-ja apelon te anëtarët e saj të shmangin gjuhën e urrejtjes gjatë fushatës

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK), iu ka bërë thirrje anëtarëve të saj që gjatë fushatës të shmangin përdorimin e gjuhës së urrejtjes.

    “Përdorni gjuhë të respektueshme: Shmangni çdo gjuhë nxitëse, fyese ose urrejtjeje, si në komunikimet publike ashtu edhe në ato private. Le të reflektojë diskursi ynë dinjitetin e kauzës sonë”, thuhet në një postim të cilin e ka shpërndarë nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

    Tutje bëhet thirrje për “promovim të drejtësisë dhe transparencës”.

    “Jepni kontributin tuaj për një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe pa konflikte, duke siguruar që veprimet tona të përputhen me parimet demokratike. Ruani sjelljen shembullore: Përfaqësoni vlerat e PDK-së me dinjitet, përgjegjësi dhe një sjellje shembullore që frymëzon besim dhe unitet. Respektimi i ligjeve dhe rregullave zgjedhore nuk është vetëm një detyrim ligjor—është një përgjegjësi morale që forcon demokracinë tonë dhe ndërton themelet për suksesin tonë të përbashkët”, thuhet në postim.

  • Konjufca pret në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, flasin për zgjedhjet

    Konjufca pret në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, flasin për zgjedhjet

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Petra Bayr.

    Konjufca ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, derisa kanë folur edhe për zgjedhjet.

    “Në takim u diskutua rreth ligjit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës që e definon këtë proces, si dhe në lidhje me pritshmëritë që këto zgjedhje të vazhdojnë traditën e mirë demokratike, si një vend që aspirojmë zhvillim sa më të madh në këtë drejtim, me aspirata të anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane”, thuhet në njoftim.