ATV

Author: G.O.

  • Kosovarët “pushtojnë” Shqipërinë, mbi 12 mijë qytetarë kaluan kufirin brenda katër orëve

    Kosovarët “pushtojnë” Shqipërinë, mbi 12 mijë qytetarë kaluan kufirin brenda katër orëve

    Gjatë muajve maj dhe qershor është shënuar rekord i hyrje-daljeve në pikat kufitare të qarkut Kukës me Kosovën, ndërsa mijëra qytetarë dhe drejtues mjetesh nga Kosova kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar, Parkut Kombëtar të Valbonës dhe destinacioneve të tjera turistike për fundjavë dhe pushime verore.

    Sipas drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, Arben Alika, gjatë këtyre dy muajve janë përpunuar në hyrje dhe dalje mbi 2 milionë shtetas, me një mesatare ditore prej më shumë se 42 mijë personash.

    Pjesa dërrmuese e udhëtarëve kanë qenë shtetas të Kosovës.

    Për të përballuar fluksin në rritje, Policia Kufitare ka shtuar kapacitetet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të qarkut Kukës, duke rritur numrin e sporteleve dhe të efektivëve në shërbim.

    Vëmendja kryesore është përqendruar në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, e cila përballon volumin më të madh të lëvizjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Vetëm gjatë katër orëve të para të kësaj të shtune, përmes Pikës së Kalimit Kufitar Morinë kanë hyrë në Shqipëri 12 mijë e 431 shtetas nga Kosova, me 2 mijë e 879 automjete të vogla dhe autobusë.

  • Italia “e vendosur” për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

    Italia “e vendosur” për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se vendi i tij është i vendosur të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).

    Tajani priti në rezidencën shtetërore Villa Madama në Romë takimin e “Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor” me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në takim morën pjesë ministra dhe zëvendësministra nga Austria, Kroacia, Greqia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia.

    Në fjalimin e tij në hapje të takimit, Tajani theksoi se zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor është “prioritet absolut politik” për Italinë, raporton Anadolu – transmeton Sinjali.

    Ministri italian bëri të ditur se në takimin e sotëm do të miratojnë një dokument politik që do t’i paraqitet Brukselit me synim përshpejtimin e procesit të zgjerimit.

    Tajani tha se duhet të forcojnë më tej bashkëpunimin dhe harmonizimin mes BE-së dhe Ballkanit në fushat e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.

    Pas fotografisë familjare me pjesëmarrësit, Tajani u tha gazetarëve pas takimit: “Italia është e vendosur të mbështesë rrugën e këtyre vendeve drejt BE-së. Disa prej tyre, si Mali i Zi dhe madje Shqipëria, janë gati për anëtarësim”.

    Tajani tha se Italia gjithashtu mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE, por theksoi se përparësi kanë vendet e Ballkanit, duke shtuar se këto vende nuk duhet ta humbasin besimin.

  • Gjithçka që u diskutua në takimet e Kurtit me Hamzën dhe Abdixhikun për formimin e institucioneve

    Gjithçka që u diskutua në takimet e Kurtit me Hamzën dhe Abdixhikun për formimin e institucioneve

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka nisur konsultimet politike për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare, duke zhvilluar takime me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

    Kurti u takua fillimisht me Hamzën në orën 09:00, ndërsa pasditen e së premtes, në orën 18:00, zhvilloi takim me Abdixhikun, i cili ishte i shoqëruar edhe nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

    Pas takimit me kreun e PDK-së, Kurti e cilësoi bisedën si konstruktive, por bëri të ditur se nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

    “Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret apo ndonjë të arritur, por uroj që kjo frymë konstruktiviteti të mbizotërojë dhe, në përputhje me afatet kushtetuese, të arrijmë t’i konstituojmë institucionet dhe vendit t’i japim kryetarin e Kuvendit, kryeministrin dhe presidentin e ri”, u shpreh ai.

    Kurti bëri të ditur se konsultimet do të vazhdojnë edhe me subjektet e tjera politike, ndërsa njoftoi se do të takohej edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

    “Duhet të jemi optimistë në rrugën përpara. Sot pasdite do ta takoj edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, dhe shpresoj që tri partitë t’i mbledhim deputetët dhe t’i konstituojmë të gjitha institucionet e legjislaturës së 11-të”, tha ai.

    Sipas Kurtit, për zgjedhjen e presidentit nevojitet mbështetja e 80 deputetëve, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011. Ai vlerësoi se LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja së bashku kanë numra të mjaftueshëm për ta realizuar këtë proces.

    Ai shprehu keqardhje për refuzimin e një takimi nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

    “Kur i mblodha numrat e deputetëve nuk thashë plus shtatë, pasi kryetari i Aleancës nuk e ka parë të domosdoshme dhe të rëndësishme të takohet me mua. Mendoj që do të duhej të takohej. Nuk është në rregull që një parti e respektuar si AAK të mos takohet me mua. Andaj më duhet të them 93 në vend që të them 100 deputetë”, deklaroi Kurti.

    Kreu i LVV-së theksoi se përgjegjësia për formimin e Qeverisë i takon partisë fituese, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet një dakordim më i gjerë politik.

    “Nëse unë, si fitues i zgjedhjeve, kam përgjegjësi për formimin e Qeverisë, zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese, por është menduar të ndodhë në bashkëpunim me të tjerët. Prandaj, si pikënisje do të kishim një figurë konsensuale, dikë që nuk është pjesë e asnjë partie politike dhe që ka vlera të dëshmuara kombëtare dhe institucionale. Për qeverisjen përgjegjësia bie mbi ne, ndërsa për presidentin përgjegjësia bie mbi të gjithë ne”, theksoi ai.

    Pas takimit me Kurtin, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se partia e tij do të qëndrojë në opozitë gjatë këtij mandati.

    Hamza tha se takimi u zhvillua në një atmosferë korrekte, ndërsa rikujtoi se PDK në zgjedhje ka garuar me një program të fokusuar në ekonomi, mirëqenie sociale, energji dhe infrastrukturë.

    “Posa e përfunduam takimin me Kurtin. PDK në këto zgjedhje ka garuar me program dhe me prioritete që kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë, mirëqenies sociale, si dhe me projekte në energji dhe infrastrukturë. Për t’i zbatuar këto prioritete, PDK nuk ka vija të kuqe dhe është e hapur për të biseduar për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike”, tha Hamza.

    Megjithatë, ai theksoi se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar.

    “Bazuar në bisedat që i kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK në këtë mandat është e gatshme të jetë në opozitë dhe i dëshirojmë sukses Kurtit”, u shpreh ai.

    Hamza tha se për zgjedhjen e presidentit nevojitet bashkëpunim mes partive.

    “Të gjitha partitë tjera nuk mund ta zgjedhin presidentin pa LVV-në. LVV-ja duhet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të tyre për t’i dhënë vendit institucione”, deklaroi ai.

    Takimi me Abdixhikun dhe Osmanin

    Në orët e pasdites, Kurti zhvilloi takimin e dytë konsultativ, këtë herë me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, i shoqëruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

    Pas takimit, Abdixhiku tha se diskutimet u fokusuan në stabilitetin institucional dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

    “Folëm për stabilitetin institucional dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve. Në këtë fazë u dakorduam që t’i vazhdojmë bisedimet”, deklaroi ai.

    Sipas tij, palët kanë diskutuar për parime dhe jo për emra konkretë.

    “Ne biseduam për parime dhe, për LDK-në, këto parime kërkojnë balancën demokratike në vend. Në këtë balancë duhet të kontribuojnë të gjitha palët. Nuk kemi arritur të flasim për emra të përveçëm”, tha Abdixhiku.

    Ai e cilësoi takimin si një hap pozitiv për vazhdimin e komunikimit.

    “Në këtë takim ishte e pamundur të flasim për të gjitha temat, por ishte hap i mirë për të vazhduar tutje në bisedime. I kemi 30 ditë kohë për konstituimin e Kuvendit dhe 60 ditë për zgjedhjen e presidentit. E rëndësishme është që po flasim para se të merren hapa të njëanshëm. Kjo jep shpresë”, u shpreh ai.

    Abdixhiku shtoi se ende nuk është arritur konsensus për parimet, por bisedimet do të vazhdojnë.

    “Ende nuk kemi arritur konsensus rreth parimeve, por po bisedojmë”, deklaroi kreu i LDK-së.

    Pas takimit, Kurti tha se është ende herët për të vlerësuar rezultatin e diskutimeve, por u shpreh optimist për vazhdimin e tyre.

    “I kemi edhe katër javë përpara deri në fillimin e seancës konstituive. Nuk ka temë që s’e kemi diskutuar, por ende nuk kemi ndonjë konkluzion për ta ndarë me ju”, u shpreh ai.

    Kurti tha se bisedimet kanë përfshirë të gjitha çështjet kryesore politike.

    “Jam optimist për racionalitetin që po mbizotëron nga këto takime. Është një ndërmarrje që kërkon besim dhe kohë për rezultate. E kemi edhe konfidencialitetin e këtyre bisedave. Kemi diskutuar për qeverinë dhe Kuvendin, por edhe për presidentin, ndërsa fokusi ka qenë te zhvillimet aktuale politike”, deklaroi ai.

    Ai theksoi se synimi i LVV-së është arritja e një marrëveshjeje politike që do të shmangte zgjedhjet e reja.

    “Ne jemi të interesuar për marrëveshje që të mos kemi zgjedhje. Synimi i përbashkët është që të shmangen zgjedhjet. Ne synojmë marrëveshje politike, pasi jemi subjekte politike”, tha Kurti.

  • Raporti i OBSh-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën

    Raporti i OBSh-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën

    Numri i rasteve me kancer në botë pritet të rritet nga rreth 20.6 milionë në afro 35 milionë në vit deri në vitin 2050, ndërsa një në pesë persona do të diagnostikohet me këtë sëmundje gjatë jetës, paralajmëron një raport i ri i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka raportuar The Guardian.

    Sipas raportit, 92 për qind e njerëzve do të preken nga kanceri, qoftë përmes një diagnoze personale ose të një familjari apo personi të afërt.

    “Për vite me radhë kemi folur për përparimin shkencor, teknologjitë e reja dhe trajtimet që japin shpresë. Kjo është e vërtetë, por nuk është e gjithë historia”, ka thënë doktori Andre Ilbawi nga OBSH.

    Raporti thekson se pabarazitë në qasjen ndaj parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të kancerit vazhdojnë të jenë të mëdha, sidomos mes vendeve të pasura dhe atyre me të ardhura të ulëta.

    Në vendet e pasura, 85 për qind e pacientëve me kancer gjiri ose kancer te fëmijët, mbijetojnë të paktën pesë vjet, ndërsa në vendet më të varfra kjo përqindje bie në më pak se 30 për qind. Në 23 shtete mungojnë plotësisht pajisjet për radioterapi.

    Raporti zbulon gjithashtu se kostoja e lartë e trajtimit detyron deri në 90 për qind të pacientëve në disa vende ta ndërpresin terapinë, ndërsa shumë familje përballen me vështirësi të mëdha financiare dhe psikologjike.

    “Kam parë prindër që detyroheshin të zgjidhnin mes pagesës së trajtimit dhe mbajtjes së fëmijëve në shkollë. Kam parë edhe fëmijë që ndërprisnin arsimin sepse të gjitha kursimet e familjes shkonin për kujdesin ndaj kancerit”, ka thënë Abigail Simon-Hart, e mbijetuar nga kanceri i gjirit dhe aktiviste nga Nigeria

    Ajo ka shtuar se në disa vende stigma ndaj kancerit është aq e fortë, sa disa gra kanë zgjedhur të humbin jetën në vend që t’i nënshtrohen një operimi për heqjen e gjirit që mund t’u shpëtonte jetën.

    Megjithatë, raporti sjell edhe lajme pozitive.

    Sipas ekspertëve, katër në dhjetë raste të reja me kancer lidhen me faktorë rreziku që mund të parandalohen, si duhani, alkooli, infeksionet dhe mbipesha.

    “Katër në dhjetë raste të reja të kancerit lidhen me faktorë rreziku që ne tashmë dimë si t’i parandalojmë”, ka thënë doktoresha Isabelle Soerjomataram nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin.

    OBSH u bën thirrje qeverive që të investojnë më shumë në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit, duke i kushtuar kujdesit ndaj pacientëve të njëjtën rëndësi si zhvillimit të kurave të reja.

  • Kanye West sot në Tiranë, Rama: Gati stadiumi i koncertit që do të fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale

    Kanye West sot në Tiranë, Rama: Gati stadiumi i koncertit që do të fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se është gjithcka gati sa i përket organizimit të sotëm ku do të mbahet koncerti i Kany West në Kashar të Tiranës.

    Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook tha se ky koncert do ta fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të amatorëve të muzikës.

    “Gati stadiumi i koncertit që do të fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të amatorëve të muzikës, të cilët falë ngjarjes muzikore të mbrëmjes së sotme do të bëjnë atë që bëjnë kudo shkon Kanye West: Do të vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Disa vazhdojnë të flasin për 4 milionë euro shpenzim për një natë, por vetëm kush nuk do s’e kupton që ato 4 milionë janë një INVESTIM, i cili do të rikthehet nga mijëra vizitorët që në 48 orët e fundit janë shtuar në hotelet, apartamentet, restorantet, baret, dyqanet, taksitë. Më shumë se sa 4 milionë do të jenë të ardhurat që do të rikthehen edhe në vetë arkën e shtetit, nga rritja e konsumit – është vërtetë gjynah që rrimë bëjmë këtë bisedë, në një ditë të shënuar kulturore si kjo për Shqipërinë”, ka shkruar Rama.

    Tutje ai tha se: “Një koncert i kësaj përmase dhe i këtij artisti, nuk është thjesht një ngjarje artistike. Është MARKETING GLOBAL PËR SHQIPËRINË, një reklamë që do të kushtonte shumë më tepër po të blihej me fushata tradicionale. Dhe kjo nuk është një shpikje shqiptare. Është mënyra se si veprojnë vendet më të zhvilluara të Europës. Kush kujton se kultura është luks duhet ta rishikojë këtë opinion të gabuar. ‘S’kemi bukë, s’na duhet kultura’? Gabim, kultura nuk është vetëm ushqim shpirtëror, po edhe ekonomi, turizëm, zhvillim. Bukë! (Nga koncerti Kanye Ëest pak javë më parë, Stambolli pati mbi 100 milionë euro vlerë të shtuar)”, ka shkruar Rama.

  • Më shumë viktima në aksidente gjatë vitit 2026, eksperti: Problemet kryesore janë sinjalizimi dhe infrastruktura

    Më shumë viktima në aksidente gjatë vitit 2026, eksperti: Problemet kryesore janë sinjalizimi dhe infrastruktura

    Numri i aksidenteve me pasoja fatale dhe i personave që kanë humbur jetën në trafikun rrugor në Kosovë ka shënuar rritje gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, nga janari deri në qershor të vitit 2026 janë regjistruar 45 aksidente fatale, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2025 ishin 40 raste. Edhe numri i viktimave ka shënuar rritje, nga 45 persona në 46.

    Eksperti i komunikacionit, Lavdim Hamiti, ka vlerësuar se mungesa e sinjalizimit rrugor, infrastruktura jo e përshtatshme dhe mungesa e investimeve në sigurinë në komunikacion janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e aksidenteve.

    Sipas tij, qytetarët nuk kanë mundësi të ndryshojnë gjendjen e rrugëve apo të vendosin sinjalizime, por duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

    “Është një zinxhir problemesh që ndikojnë deri te aksidentet. Njëra prej tyre është mungesa e sinjalizimeve, ndërsa një tjetër është infrastruktura jo e duhur. Kemi zhavorr në rrugë, kyçje pa sinjalizime dhe vende të rrezikshme që mund të shkaktojnë huti te vozitësit”, ka deklaruar Hamiti për EO.

    Ai ka theksuar se gjatë sezonit veror, me rritjen e numrit të automjeteve dhe ardhjen e mërgimtarëve, rreziku për aksidente shtohet edhe më shumë.

    Hamiti ka kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin masa konkrete për përmirësimin e infrastrukturës, vendosjen e sinjalizimeve dhe eliminimin e pikave të rrezikshme në rrugë.

    “Për uljen e numrit të aksidenteve nuk mjaftojnë vetëm gjobat. Vetëdijesimi i qytetarëve është ai që ndikon në uljen e aksidenteve. Duhet të punohet më shumë në sigurinë rrugore”, ka thënë ai.

    Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, përveç aksidenteve fatale, gjatë kësaj periudhe janë rritur edhe aksidentet me lëndime, nga 3 mijë e 943 raste në vitin 2025 në 4 mijë e 117 raste në vitin 2026.

    Numri i personave të lënduar ka shënuar një rënie të lehtë, nga 7 mijë e 513 në 7 mijë e 482 persona. Ndërkohë, aksidentet me dëme materiale kanë rënë nga 6 mijë e 696 në 6 mijë e 8 raste.

    Policia ka bërë të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 ka shqiptuar 394 mijë e 82 tiketa trafiku, krahasuar me 372 mijë e 425 tiketa në periudhën e njëjtë të vitit 2025.

  • Iu përkeqësua gjendja, vdes një burrë në Qendrën e Shëndetit Mendor në Gjilan

    Iu përkeqësua gjendja, vdes një burrë në Qendrën e Shëndetit Mendor në Gjilan

    Një burrë ka vdekur pas përkeqësimit të gjendjes derisa ishte në Qendrën e Shëndetit Mendor në Gjilan.

    Njësitet policore kanë dalë në vend të ngjarjes, ndërsa mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij.

    Policia tha se është duke e hetuar vdekjen.

    “Rr. Vjosa, Gjilan 10.07.2026-22:00. Është raportuar se në Qendrën e Shëndetit Mendor, viktimës mashkull kosovar i ishte keqësuar gjendja shëndetësore dhe kishte vdekur. Vdekjen e kishte konstatuar mjeku kujdestar. Në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”.

  • Franca aktivizon planin e emergjencës kundër të nxehtit ekstrem

    Franca aktivizon planin e emergjencës kundër të nxehtit ekstrem

    Qeveria franceze ndërmori hapin e paprecedentë të aktivizimit të një “plani për nxehtësinë ekstreme në Orsec” për departamentet që përballen me një valë të re të nxehti që parashikohet të shtrihet deri në javën e ardhshme.

    “Plani i nxehtësisë ekstreme të Orsec” u aktivizua në departamentet që i nënshtrohen një alarmi të kuq të nxehtësisë dhe vlen për Morbihan (56), Ille-et-Vilaine (35), Mayenne (53), Sarthe (72), Loire-Atlantique (44), Vendée (85), Maine-et-Loire (49), Vienne (89) dhe Des.

    “Ka pasur konsultime, shkëmbime dhe punë të kryer”, tha zëdhënësja e qeverisë Maud Bregeon për transmetuesin francez TF1.Nëntë departamente në perëndim të Francës u vunë në alarm të kuq për nxehtësi ekstreme të premten, ndërsa 72 janë nën alarm portokalli, njoftoi parashikuesi kombëtar i motit Météo France.

    Paralajmërimi i kuq për valë të nxehti do të shtrihet në 24 departamente, duke përfshirë të gjitha departamentet e Ile-de-France.

    Plani Orsec është një mekanizëm reagimi dhe ndihme emergjente për ngjarje të jashtëzakonshme dhe në përgjithësi është aktivizuar në rastin e fatkeqësive natyrore si përmbytjet.

    Ndryshe, zjarret kanë djegur dy herë më shumë tokë në Francë deri më tani këtë vit sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Kombi evropian po përballet me valën e tretë të të nxehtit që nga maji, me një pjesë të Francës perëndimore nën paralajmërimin më të ashpër për nxehtësi dhe zjarre që kanë shpërthyer në disa pjesë të vendit gjatë javës së kaluar.

    Është episodi më i fundit vdekjeprurës i motit ekstrem, frekuenca në rritje e të cilit në dekadat e fundit, shkencëtarët e kanë lidhur me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.

    Vendi regjistroi më shumë se 2,000 vdekje shtesë gjatë valës së të nxehtit të qershorit dhe 300 gjatë temperaturave të larta në fund të majit, sipas shifrave zyrtare.

  • Rihapet sot Pishina e Gërmisë, ndërmarrja që e menaxhon thotë se analizat e ujit kanë dalë mirë

    Rihapet sot Pishina e Gërmisë, ndërmarrja që e menaxhon thotë se analizat e ujit kanë dalë mirë

    Pishina e Gërmisë do të rihapet nga sot, pasi analizat e kryera nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kanë konfirmuar se uji është i pastër.

    Më 7 korrik, kompania publike komunale e Kryeqytetit, NPL “Sport Marketing”, kishte njoftuar për mbylljen e përkohshme të pishinës deri në marrjen e mostrave dhe përfundimin e analizave nga IKSHPK.

    Të premten, ndërmarrja bëri të ditur se rezultatet e analizave tashmë janë kthyer dhe se cilësia e ujit ka rezultuar brenda standardeve.

    “Ashtu siç edhe kemi pritur, uji në pishinën e Gërmisë i pastër si loti”, u tha në njoftimin e ndërmarrjes.

    NPL “Sport Marketing” ka falënderuar IKSHPK-në për përfundimin e analizave, duke vlerësuar institutin për nxjerrjen e rezultateve “në kohë rekorde”.

  • Gjuajti me armë zjarri në aheng familjar në Viti, i sekuestrohet arma dhe fishekët

    Gjuajti me armë zjarri në aheng familjar në Viti, i sekuestrohet arma dhe fishekët

    Një person kishte shtënë me armë gjatë një ahengu familjar në Viti.

    Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur më 10 korrik 2026, rreth orës 20:10, ndërsa i është sekuestruar arma me gaz së bashku me gjashtë fishekë.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Viti 10.07.2026-20:10. Raportohet se   i dyshuari mashkull kosovar, gjatë një ahengu familjar, kishte gjuajtur me armë zjarrit në ajër. Nga i dyshuari  janë sekuestruar një revole me gaz me 6 fishekë.  Pas intervistimit, me vendim të prokurorit  i dyshuari është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.