ATV

Author: G.O.

  • Berlin: Gruaja mbahet peng për 11 orë në një supermarket, arrestohet agresori

    Berlin: Gruaja mbahet peng për 11 orë në një supermarket, arrestohet agresori

    Policia gjermane i ka dhënë fund një situate pengmarrjeje në një supermarket në Berlin, ku një grua ishte mbajtur peng për rreth 11 orë e 20 minuta. I dyshuari është arrestuar pas ndërhyrjes së forcave speciale.

    Ngjarja përfundoi rreth orës 09:20 të së shtunës, kur njësitë speciale të policisë hynë në objekt dhe neutralizuan personin e dyshuar me një armë elektrike “Taser”, para se ta arrestonin.

    Sipas mediave gjermane, një arkëtare e supermarketit ishte mbajtur peng nga një burrë, i cili dyshohet se e kishte kërcënuar me thikë pasi kishte hyrë në dyqan rreth orës 22:00 të së premtes.

    Gjatë gjithë operacionit, zona përreth supermarketit ishte rrethuar nga policia, ndërsa në vendngjarje ishin angazhuar forca speciale, ambulanca, zjarrfikës dhe një numër i madh i automjeteve policore.

    Negociatorët e policisë kishin qenë në kontakt të vazhdueshëm me pengmarrësin gjatë përballjes, ndërsa ende nuk është bërë e ditur nëse ai dhe gruaja njiheshin mes vete.

    Punonjësit e tjerë që ndodheshin brenda supermarketit në momentin e nisjes së incidentit kanë arritur të largohen pa u lënduar dhe janë asistuar nga shërbimet emergjente.

    Një punonjës i supermarketit ka deklaruar për gazetën gjermane “Bild” se personi i dyshuar kishte qenë fillimisht te arka dhe më pas kishte nxjerrë një thikë. Megjithatë, policia nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë dëshmi.

    Hetimet për rastin po vazhdojnë.

  • Shtrenjtohet nafta, MINT-i publikon çmimet e derivateve

    Shtrenjtohet nafta, MINT-i publikon çmimet e derivateve

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës, të cilat hyjnë në fuqi nga ora 10:00 e ditës së sotme.

    Sipas vendimit të ri, çmimi maksimal i lejuar për një litër naftë është 1.49 euro.

    Ndërkohë, çmimi maksimal për benzinën është përcaktuar në 1.38 euro për litër, ndërsa për gazin në 0.61 euro për litër.

    Këto çmime do të vlejnë deri në vendimin e radhës nga MINT për përcaktimin e çmimeve maksimale të lejuara të derivateve.

  • Deficiti tregtar u rrit me 4%, ekonomistët kërkojnë mbështetje urgjente për prodhuesit vendorë

    Deficiti tregtar u rrit me 4%, ekonomistët kërkojnë mbështetje urgjente për prodhuesit vendorë

    Rritja e deficitit tregtar të Kosovës gjatë muajit maj 2026 po konsiderohet si pasojë e mungesës së mbështetjes institucionale për sektorin privat, kostove të larta të prodhimit dhe orientimit gjithnjë e më të madh të ekonomisë drejt importeve. Njohësit e ekonomisë, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dhe ekonomisti Bashkim Mustafa, vlerësojnë se pa politika konkrete për stimulimin e prodhimit vendor dhe eksportit, vendi do të vazhdojë të thellojë varësinë nga importi.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar në muajin maj 2026 u rrit për 4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 544.4 milionë euro, nga 523.4 milionë euro sa ishte në maj 2025. Eksportet mbuluan vetëm 14.7 për qind të importeve.

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online tha se sektori privat po përballet me sfida të shumta, ndërsa sipas tij mungon mbështetja institucionale dhe promovimi i prodhimeve vendore.

    “Sektori privat është duke u ballafaquar me sfida të shumta. Në rend të parë, mungon një mbështetje institucionale, qoftë në mënyrë direkte, qoftë indirekte. Në rend të dytë, kemi një vakum diplomatik, ku vërtet, në vend që të promovohen vlerat e prodhimeve dhe shërbimeve ‘Made in Kosova’, ata merren me zgjedhje dhe me agjenda politike. Dhe, definitivisht, situata aktuale në Kosovë është më se shqetësuese, gjë që rëndohet edhe nga fakti që Kosova çdo ditë e më tepër po e vulos fatin e dënimit për të qenë shtet i varur nga importi. Prandaj, është krijuar ky luks që ne mund të jetojmë nga importi. Nuk kemi një trajtim të mirëfilltë për të promovuar prodhimet dhe shërbimet vendore. Fati i diplomacisë ekonomike në Kosovë shumë më tepër ka mbetur në dorë të bizneseve sesa në dorë të institucioneve dhe kjo është vërtet goditja më e madhe”, tha ai.

    Gërxhaliu tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe problemet me furnizimin kanë ndikuar drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e prodhimeve kosovare.

    “Prandaj, nuk duhet të na habisë fakti që sot jemi vërtet një shoqëri e varur, ku krahas importit të produkteve, importojmë edhe inflacion të heshtur. Dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që me ngritjen e çmimit të energjisë dhe me këtë mungesë që po ndodh sa i përket furnizimit me energji elektrike, prodhimet dhe shërbimet e Kosovës kanë rënë në konkurrencë dhe nuk janë konkurrente në tregjet evropiane. Është vërtet shqetësimi më i madh. Këtë e thotë diaspora, e cila në të kaluarën është furnizuar me shumë prodhime ‘Made in Kosova’, por tani, falë krejt kësaj që është duke ndodhur në Kosovë, prodhimet e Kosovës nuk janë konkurrente në tregun evropian. Ata furnizohen nga Polonia, Hungaria, Bullgaria, Spanja e Portugalia e jo nga Kosova. Prandaj duhet vërtet të jenë të orientuar në mbështetje ekonomike të sektorit privat, mbështetje të sektorit prodhues dhe vetëm atëherë mund të kemi trende pozitive që mund të ndikojnë në përmirësimin e bilancit të pagesave. Kur krejt kësaj i shtohet fakti që sot nuk kemi investitorë të huaj apo fare pak investime nga diaspora, besoj që është një momentum që duhet të na orientojë më tepër për stabilitet politik, për diplomaci ekonomike dhe për tërheqjen e investitorëve apo investimeve të huaja, qoftë nga diaspora, qoftë nga brendet ndërkombëtare”, u shpreh ai.

    Duke folur për rritjen e importeve, përfshirë edhe ato nga Serbia, ai tha se bizneset udhëhiqen nga logjika ekonomike.

    “Jo vetëm nga Serbia, rritja e importit është vërtet evidente nga viti në vit. Në këtë drejtim duhet të kuptohet që në një biznes emocionet janë dytësore, racionaliteti ekonomik dhe kalkulimet janë vendimtare. Vetë fakti që i njëjti mall i importuar nga Austria apo Gjermania koston e transportit e ka 2 mijë e 800 deri në 3 mijë euro, ndërsa i njëjti prodhim nga Serbia e ka vetëm 500 euro, është arsyeja e parë. E dyta, mos harroni që brendet më të mëdha evropiane janë të fokusuara dhe të orientuara në përfaqësitë e tyre në Serbi. Në këtë drejtim, kur analizohet struktura e prodhimeve, shumë pak janë prodhime njëqind për qind serbe. Janë shumë më tepër brende evropiane dhe ndërkombëtare që janë aktive në Serbi dhe ato produkte, qoftë si finale, qoftë si gjysmëprodukte, të cilat inkorporohen në prodhimet kosovare, janë të importuara. T’i thuash dikujt që ne importojmë lëndë të parë për mobileri, kur mobilerinë e kemi sektorin më të zhvilluar, apo që importojmë lëndë të parë për paketimin e pijeve freskuese apo pijeve energjetike dhe shumë gjysmëprodukte të tjera që inkorporohen në prodhimin final në Kosovë, është realitet i kohës. Mirëpo, besoj që në aspektin e partneritetit rajonal ne duhet shumë më tepër të bëjmë në drejtim të fuqizimit të prodhimit vendor dhe jo gjithmonë të jemi ata që në emër të patriotizmit e kalkulojnë kah importon lëndë të parë dhe prodhime biznesi kosovar”, theksoi Gërxhaliu, për Ekonomia Online.

    Edhe ekonomisti Bashkim Mustafa e lidh rritjen e deficitit tregtar me mungesën e politikave që mbështesin prodhimin vendor.

    “Mungesa e politikave të duhura dhe adekuate për të stimuluar bizneset vendore dhe për të përkrahur prodhimin vendor ka bërë që tregtarët dhe bizneset ta kenë më të lehtë të blejnë dhe të importojnë produkte sesa të prodhojnë dhe të zgjerojnë zinxhirin e prodhimit. Pse ndodh kjo? Sepse kostot operative të bizneseve janë rritur. Janë rritur çmimet e energjisë elektrike, është rritur kostoja e fuqisë punëtore dhe është rritur çmimi i derivateve në muajt e fundit. Kjo bën që bizneset e Kosovës të mos jenë konkurruese me ato të huaja. Ato fitojnë më lehtë dhe më shumë duke importuar mallra dhe shërbime sesa duke prodhuar. Për eksport, pothuajse nuk mund të flitet”, deklaroi Mustafa.

    Ai shtoi se qeveria e ardhshme duhet ta ketë prioritet krijimin e politikave fiskale që ndihmojnë prodhuesit dhe eksportuesit.

    “Hapat e parë të qeverisë së ardhshme, kushdo që ta formojë atë, duhet të jenë një analizë e mirëfilltë e gjendjes së bizneseve dhe krijimi i politikave të duhura fiskale, të cilat do t’i stimulojnë bizneset prodhuese dhe ato që kanë potencial eksporti. Këto biznese duhet të mbështeten dhe subvencionohen në forma të ndryshme, qoftë përmes uljes së kostos së energjisë elektrike, qoftë përmes subvencionimit të kostos së fuqisë punëtore. Duhet të gjenden politika të duhura, në mënyrë që të shpëtohen edhe këto pak biznese prodhuese që kanë mbetur në vend”, tha Mustafa.

    Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në maj 2026 arriti në 94.1 milionë euro, ndërsa importi në 638.6 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, eksportet u rritën për 15.7 për qind, ndërsa importet shënuan rritje prej 5.6 për qind.

    Tregtia e jashtme e Kosovës në maj 2026 u karakterizua me rritje të deficitit tregtar, ndërsa eksportet vazhduan të mbulojnë vetëm një pjesë të importeve.

    “Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një rritje të deficitit tregtar prej 4,0 % në muajin maj 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 544,4 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 523,4 milion Euro në vitin 2025. Eksporti mbulon importin me 14,7 %”, njoftoi Agjencia e Statistikave e Kosovës.

    Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin maj 2026 kishte vlerën 94,1 milionë euro, ndërsa importi 638,6 milionë euro – që është një rritje prej 15,7% për eksport, si dhe një rritje prej 5,6% për import – duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

  • Italia dëbon dy diplomatë rusë për spiunazh: Akuzohen për mbledhje sekretesh ushtarake mbi Ukrainën dhe NATO-n

    Italia dëbon dy diplomatë rusë për spiunazh: Akuzohen për mbledhje sekretesh ushtarake mbi Ukrainën dhe NATO-n

    Italia ka urdhëruar dëbimin e dy atasheve ushtarakë rusë të akuzuar për spiunazh, duke i dhënë një goditje të re marrëdhënieve me Moskën dhe duke e cilësuar rastin si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.

    Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili njoftoi se qeveria ka vendosur të dëbojë dy diplomatë të ambasadës ruse në Romë, pasi ata dyshohet se janë përfshirë në aktivitete spiunazhi të zbuluara nga Prokuroria e Romës.

    Sipas Tajanit, bëhet fjalë për Ivan Petrovich Gorbachev dhe Mikhail Vasilyevich Astakhov, të cilëve u është kërkuar të largohen nga Italia brenda tre ditësh.

    “Moska vazhdon të përdorë luftë hibride për të sulmuar Perëndimin dhe Italinë. Këto janë akte ndërhyrjeje serioze dhe të papranueshme për institucionet italiane dhe sigurinë kombëtare”, deklaroi ai.

    Dëbimi i diplomatëve vjen vetëm dy ditë pasi autoritetet italiane njoftuan arrestimin e dy ish-agjentëve të inteligjencës, të cilët dyshohet se i kanë dorëzuar Rusisë informacione të ndjeshme mbi ndihmën ushtarake italiane për Ukrainën.

    Sipas Policisë së Romës, një ish-oficer i inteligjencës, 59 vjeç, kishte marrë pagesa nga një ndërmjetës rus dhe i kishte transmetuar informacione konfidenciale të siguruara përmes gjashtë burimeve, përfshirë katër ushtarakë aktivë të vendosur në pozita me nivel të lartë sigurie.

    Raportimet e mediave italiane bëjnë të ditur se informacionet e rrjedhura përfshinin të dhëna mbi sistemin e mbrojtjes ajrore italo-franceze SAMP/T, i cili pritet t’i dorëzohet Ukrainës gjatë këtij viti, si dhe mbi raketat Aster që tashmë janë dërguar në Kiev, shkruan Euronews.

    Po ashtu, agjentët rusë dyshohet se kanë kërkuar informacione për një mision të NATO-s në Bullgari dhe për kompaninë italiane Avio, e cila prodhon motorë për dronë dhe raketa supersonike.

    Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, ish-oficeri i arrestuar kishte zbuluar edhe identitetet e agjentëve italianë të kundërspiunazhit të angazhuar në monitorimin e aktiviteteve ruse në vend.

    Rasti po hetohet nga autoritetet italiane, ndërsa tensionet mes Romës dhe Moskës pritet të rriten pas këtij zhvillimi.

  • Tragjike në Turqi: 7-vjeçarja vdes në karrigen e dentistit gjatë një ndërhyrjeje nën anestezi të përgjithshme

    Tragjike në Turqi: 7-vjeçarja vdes në karrigen e dentistit gjatë një ndërhyrjeje nën anestezi të përgjithshme

    Një ndërhyrje dentare që synonte t’i kursente një 7-vjeçareje vizitat e shumta dhe dhimbjet te dentisti përfundoi në tragjedi në Turqi, ku vajza humbi jetën gjatë trajtimit nën anestezi të përgjithshme.

    Sipas mediave të huaja, Ela, 7 vjeçe, ndërroi jetë në spitalin privat Davraz-Yaşam në qytetin Isparta, në jugperëndim të Turqisë, pasi pësoi arrest kardiak gjatë një procedure dentare.

    Ngjarja ndodhi më 3 korrik, kur fëmija ishte paraqitur në klinikë për trajtimin e tetë dhëmbëve gjatë një seance të vetme. Për t’i shmangur vajzës dhimbjet dhe stresin e disa ndërhyrjeve të ndara, mjekët kishin vendosur që procedura të kryhej nën anestezi të përgjithshme.

    Megjithatë, gjatë operacionit ndodhën komplikime të rënda dhe 7-vjeçarja pësoi arrest kardiak. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta rikthyer në jetë, ajo nuk arriti të mbijetojë.

    Rasti tashmë është marrë në hetim nga Prokuroria, e cila do të shqyrtojë nëse para administrimit të anestezisë janë kryer të gjitha ekzaminimet dhe analizat e nevojshme.

    Avokati i familjes ka ngritur dyshime lidhur me procedurat paraprake, duke kërkuar sqarime nëse janë kryer analizat e alergjive dhe ato të gjakut. Ndërkohë, prindërit e vajzës, Serap dhe Ali, kërkojnë të mësojnë se çfarë doze anestezie i është administruar fëmijës dhe nëse gjatë gjithë ndërhyrjes ka qenë i pranishëm një anestezist, siç parashikojnë procedurat mjekësore.

    Shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas përfundimit të autopsisë.

    Nga ana tjetër, klinika private ku ndodhi ngjarja ka deklaruar se janë respektuar të gjitha protokollet mjekësore, duke e cilësuar arrestin kardiak të 7-vjeçares si një komplikim të paparashikueshëm.

  • PDK mbledh kryesinë pas ftesës së Kurtit për takim me liderët politikë

    PDK mbledh kryesinë pas ftesës së Kurtit për takim me liderët politikë

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thirrur mbledhjen e kryesisë së saj, pas ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një takim me drejtuesit e partive politike lidhur me zhvillimet e ardhshme institucionale.

    Takimi i kryesisë së PDK-së është caktuar të mbahet në orën 15:00, ku pritet të diskutohen qëndrimet e partisë dhe hapat e mëtejshëm pas ftesës së ardhur nga Kurti.

    Nga PDK kanë konfirmuar se në këtë mbledhje do të shqyrtohen të gjitha çështjet politike aktuale dhe qëndrimi që partia do të mbajë në raport me takimin e propozuar.

    Ftesa e Kurtit u është dërguar liderëve të tri partive opozitare – kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kreut të AAK-së, Ardian Gjini – pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Takimi mes liderëve pritet të fokusohet në çështjet institucionale, përfshirë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

  • Zemaj: Më është kërkuar nënshkrimi për shkarkimin e Abdixhikut, qëndrimin do ta jap pas mbledhjes

    Zemaj: Më është kërkuar nënshkrimi për shkarkimin e Abdixhikut, qëndrimin do ta jap pas mbledhjes

    Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka konfirmuar se i është kërkuar nënshkrimi për iniciativën që synon shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. Megjithatë, ai nuk ka treguar nëse e ka nënshkruar atë, duke thënë se qëndrimin e tij do ta bëjë të ditur pas mbledhjes së strukturave të partisë.

    Zemaj theksoi se preferon që debatet dhe çështjet e brendshme të trajtohen brenda LDK-së, duke vënë në pah rëndësinë e unitetit dhe reflektimit pas rezultatit zgjedhor.

    “Unë kisha kërkuar mirëkuptimin që edhe në aspektin personal, por edhe në atë çka përfaqësoj, edhe si strukturë organizative e LDK-së, e preferoj debatin brenda subjektit tim politik, në ruajtjen e unitetit edhe të kërkesës çdo herë për fitore, por çdo rezultat kërkon edhe reflektim mbi shifrat, numrat, edhe rezultatet që i merr subjekti politik. Kështu që, na jepni mundësinë që të bisedojmë. Dëgjo nënshkrimet kërkohen për kuvend të jashtëzakonshëm sepse ne kemi pasur një kuvend të rregullt. Sigurisht që po”, tha ai.

  • Azemi: Do të flasim për rezultatin zgjedhor, nuk diskutohet shkarkimi i Abdixhkut

    Azemi: Do të flasim për rezultatin zgjedhor, nuk diskutohet shkarkimi i Abdixhkut

    Anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ka thënë se çështja e shkarkimit të kryetarit Lumir Abdixhiku, nuk do të jetë pjesë e diskutimit në mbledhjen e sotme të kryesisë së partisë, raporton Ekonomia Online.

    “Nuk ka shkarkim të Abixhikut dhe të askujt. Kena me diskutuar për rezulatin zgjedhor edhe tema të tjera. Nuk do të diskutohet”, tha ai.

    Ndërsa, anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi para mbledhjes së kryesisë ka bërë të ditur se nuk ka nënshkruar iniciativën për largimin e kryetarit të LDK, Lumir Abdixhiku.

     

  • Begaj nga Lugina e Preshevës: Shqipëria do të vijojë mbështetjen për të drejtat e shqiptarëve

    Begaj nga Lugina e Preshevës: Shqipëria do të vijojë mbështetjen për të drejtat e shqiptarëve

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi këtë të enjte një vizitë në Luginën e Preshevës, ku u takua me drejtuesit institucionalë dhe politikë të shqiptarëve në Preshevë e Bujanoc, duke përcjellë mesazhe për unitet, bashkëpunim dhe mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar.

    Gjatë vizitës, Begaj zhvilloi takime me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, si edhe me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Në fokus të bisedimeve ishin shqetësimet e shqiptarëve të Luginës, forcimi i bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar dhe projektet që synojnë mbështetjen e të rinjve.

    Në fjalën e mbajtur gjatë çeljes së Panairit të Librit Shqip 2026 në Preshevë, Presidenti garantoi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë adresimin e çështjeve që prekin shqiptarët e Luginës, përfshirë përfaqësimin në institucione, çështjen e pasivizimit të adresave, si edhe respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare.

    “Të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e kudo ku ata jetojnë duhen të respektohen. Shqiptarët duhet të jetojnë këtu, të mos diskriminohen, gjuha shqipe të përdoret pa drojë e frikë, ndërsa kultura, identiteti dhe traditat të mbrohen dhe promovohen”, u shpreh Begaj.

    Presidenti theksoi gjithashtu se shqiptarët mbeten faktor paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Preshevë është, sipas tij, pjesë e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe diversitetin kulturor.

    Një mesazh të veçantë ai ua drejtoi të rinjve të Luginës, duke i ftuar që ta përdorin gjuhën shqipe jo vetëm në familje, por edhe si gjuhë të dijes, profesionit dhe suksesit./euronews/

     

  • Kosova dhe Italia diskutojnë integrimin në BE, NATO dhe bashkëpunimin ekonomik

    Kosova dhe Italia diskutojnë integrimin në BE, NATO dhe bashkëpunimin ekonomik

    Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Edmondo Cirielli.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë, procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO, si dhe për zhvillimet aktuale politike në vend, përfshirë procesin e formimit të qeverisë së re.

    Bashkëbiseduesit i kushtuan vëmendje të veçantë edhe bashkëpunimit ekonomik, me theks në intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, rritjen e ndërveprimit ekonomik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do të thellonin partneritetin ndërmjet dy vendeve.

    Konjufca e falënderoi zëvendësministrin italian për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, duke theksuar se Italia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të Kosovës.

    Sipas MPJD-së, takimi u zhvillua në frymë miqësore dhe konstruktive, duke konfirmuar gatishmërinë e të dyja vendeve për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët. /Telegrafi/