ATV

Author: G.O.

  • Macron: Franca do ta lejojë Ukrainën të prodhojë raketa franceze kruiz

    Macron: Franca do ta lejojë Ukrainën të prodhojë raketa franceze kruiz

    Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se Franca do t’i lejojë Ukrainës të prodhojë raketa franceze kruiz, bomba me precizion të lartë dhe raketa interceptuese për mbrojtjen ajrore, pasi Kievi porositi sisteme të reja të mbrojtjes ajrore franko-italiane dhe avionë luftarakë Rafale.

    “Më herët sot, unë dhe Presidenti Zelensky ramë dakord për një plan veprimi midis dy vendeve tona, i cili zbaton atë që u ra dakord në parim nëntorin e kaluar në lidhje me bashkëpunimin tonë dypalësh në mbrojtje ”, tha Macron në një konferencë për shtyp pas një takimi me rreth 25 udhëheqës në Paris, raporton Reuters.

    Prodhimi do të lidhet me bombat ajër-tokë me udhëzim preciz AASM, raketat interceptuese të mbrojtjes ajrore Aster dhe raketat kruz të lëshuara nga ajri me rreze të gjatë veprimi SCALP, të cilat prodhohen gjithashtu nga Britania e Madhe.

    Macron tha gjithashtu se sistemet e radarëve do t’i jepen Ukrainës. Ai deklaroi se Zelensky urdhëroi gjithashtu dorëzimin e sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore SAMP/T, të cilat do të shoqërojnë dorëzimin e versionit më të vjetër të atij sistemi dhe sasive shtesë të raketave.

    Macron tha se 16 avionë luftarakë Rafale do t’i dorëzohen Ukrainës, të cilët duhet të jenë funksionalë në hapësirën ajrore të Ukrainës deri në vitin 2028-2029.

    Macron njoftoi gjithashtu se aleatët e Ukrainës kanë rënë dakord të fillojnë stërvitje ushtarake në vendet që kufizohen me Ukrainën, si pjesë e një plani për të formuar forca shumëkombëshe që do të vendosen pas arritjes së një armëpushimi me Rusinë.

  • Ndodh edhe kjo në Angli: Piloti shkroi “Jam mërzitur” në ajër gjatë një fluturimi provë, shefi i jep ditë pushimi

    Ndodh edhe kjo në Angli: Piloti shkroi “Jam mërzitur” në ajër gjatë një fluturimi provë, shefi i jep ditë pushimi

    Piloti i kompanisë ajrore Ravenair tërhoqi vëmendjen e publikut pasi shkroi fjalinë “I’m bored” (Jam mërzitur) mbi qiejt e Anglisë dhe Uellsit në itinerarin e fluturimit.

    Kjo lëvizje e pazakontë u regjistrua qartë në faqen e njohur të gjurmimit të fluturimeve Flightradar24.

    Siç raportohet nga The Guardian, piloti, një instruktor fluturimi në të njëzetat e tij, fluturoi nga Liverpooli të shtunën me një aeroplan të vogël Piper Tomahawk.

    Linja ajrore tha se ishte një fluturim rutinë testues dy-orësh, qëllimi i të cilit ishte testimi i avionit pas zëvendësimit të njërit prej cilindrave.

    Gjatë fluturimit, pilotit iu deshën 20 minuta për të shkruar mesazhin e tij mbi grykëderdhjen e lumit Dee. Sipas të dhënave, ai ka fluturuar në një lartësi prej 335 metrash, me një shpejtësi prej rreth 100 nyjesh, duke bërë kthesa të ngushta dhe të sakta në mënyrë që shkronjat të dukeshin në radar.

    Wayne Barrett, menaxheri i operacioneve të linjës ajrore, konfirmoi se avioni po funksiononte në mënyrë perfekte dhe theksoi se piloti i ri nuk do të përballet me asnjë sanksion. Për më tepër, ai vlerësoi aftësitë e tij.

    “Unë mendoj se ai ishte fjalë për fjalë pak i mërzitur sepse ishte thjesht një fluturim provë. Ishte fluturim mjaft i aftë, megjithatë. Edhe pse mund të ishte mërzitur në fillim, ai ndoshta duhej të përqendrohej shumë për të nxjerrë fjalët,” tha Barrett.

    Ai gjithashtu shtoi se avioni u kthye i sigurt në hangar, ndërsa pilotit iu dha një ditë pushimi.

  • Arrestohen katër persona për kanosje dhe armbajtje pa leje në Ferizaj

    Arrestohen katër persona për kanosje dhe armbajtje pa leje në Ferizaj

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona për kanosje dhe armbëmbajtje pa leje ën Feerizaj gjatë ditës së djeshme.

    Të dyshuarit: H.TH( 50 vjeç), SH.TH(27 vjeç). E.B ( 37 vjeç) dhe E.H (27 vjeç), me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale:

    “Kanosja”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

    Postimi i plotë:

    Më datën 13.07.2026, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur një ankues, M.B, i cili ka deklaruar se ishte kanosur nga disa persona.

    Pas ndërmarrjes së veprimeve operative-hetimore nga njësitet reaguese dhe njësia e hetimeve, janë identifikuar dhe lokalizuar personat e dyshuar në një lokal në Ferizaj, ku gjatë kontrollit janë sekuestruar katër armë zjarri dhe sasi municioni.

    Të dyshuarit: H.TH( 50 vjeç), SH.TH(27 vjeç). E.B ( 37 vjeç) dhe E.H (27 vjeç), me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale:

    “Kanosja”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe

    “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

  • Investimet e huaja në Ballkan kërkojnë më shumë kapital e krijojnë më pak vende pune, Kosova shënon ngadalësim

    Investimet e huaja në Ballkan kërkojnë më shumë kapital e krijojnë më pak vende pune, Kosova shënon ngadalësim

    Investimet e huaja në Ballkanin Perëndimor po bëhen gjithnjë e më intensive në kapital, ndërsa për çdo shumë të investuar po gjenerohen më pak vende pune se më parë.

    Banka Botërore në raportin e fundit Rajonal vuri në dukje se investimet e huaja direkte për çdo vend pune janë rritur në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit gjatë periudhës 2021–2025, krahasuar me vitet 2016–2020. Treguesi mat raportin ndërmjet vlerës së investimit dhe numrit të vendeve të punës që krijohen. Rritja e tij do të thotë se projektet e reja kërkojnë më shumë kapital për çdo vend pune të hapur, duke sinjalizuar një zhvendosje drejt investimeve më të mëdha, më të kushtueshme dhe më pak intensive në punësim.

    Shuma e investuar për një vend pune pas pandemisë shënoi rritjen më të fortë në Shqipëri me mbi 300% në krahasim me periudhën 2016-2020, ndërsa Serbia u rendit e dyta, me rreth 190%. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut shënuan rritje më të moderuara, në intervalin rreth 80–90%.

    Në Bosnjë-Hercegovinë, shpenzimi kapital për vend pune mbeti pothuajse i pandryshuar, duke treguar se struktura e projekteve të investimeve nuk ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me periudhën e mëparshme. Kosova paraqiti një ecuri të ndryshme, pasi në periudhën 2021–2025 investimet e huaja për një vend pune u ngadalësuan.

    Madhësia e projekteve të investimeve u rrit në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërmjet viteve 2010 dhe 2025, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi.

    Rritja u bë më e dukshme në Shqipëri pas vitit 2020, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë kishte nisur që prej vitit 2018. Në vlerë absolute, projektet më të mëdha u regjistruan në Mal të Zi, e ndjekur nga Serbia.

    Kjo prirje tregon se investimet e huaja po orientohen më shumë drejt projekteve që kërkojnë shuma të mëdha për ndërtesa, pajisje, teknologji dhe infrastrukturë, por që nuk po krijojnë një numër të lartë vendesh pune. Për rrjedhojë kapitali i investuar po rritet më shpejt se punësimi i gjeneruar prej tij.

    Rritja e shpenzimeve kapitale për vend pune mund të ketë edhe efekte pozitive, nëse lidhet me teknologji më të avancuar, automatizim dhe rritje të produktivitetit. Por në rastin e vendeve të Ballkanit treguesi nuk provon se projektet janë më produktive apo se po krijojnë vende pune më cilësore. Investimet në sektorin e energjisë sidomos parqet fotovoltaike, prodhim energjie apo në pasuri të paluajtshme, gjenerojnë kapital por jo punësim.

  • Policia shqiptoi 2486 gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia shqiptoi 2486 gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2486 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 27 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 39 me dëme materiale.

    Po ashtu, policia njofton se janë arrestuar 12 persona, ndërkaq 10 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Turqia kujton Srebrenicën, thotë se mbetet zë i të shtypurve – edhe i Kosovës

    Turqia kujton Srebrenicën, thotë se mbetet zë i të shtypurve – edhe i Kosovës

    Drejtori i Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Burhanettin Duran, ka përkujtuar 31-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, duke e cilësuar atë si një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit dhe një plagë që vazhdon të mbetet e hapur në ndërgjegjen kolektive.

    Në një deklaratë, Duran tha se masakra, në të cilën u vranë më shumë se 8 mijë myslimanë boshnjakë, mbetet një nga krimet më të rënda të kryera ndonjëherë kundër dinjitetit njerëzor. Ai tha se i kujton me mëshirë viktimat e gjenocidit dhe se ndan me gjithë zemër dhimbjen dhe pikëllimin e popullit të Bosnjë e Hercegovinës, raporton “TRT World”.

    Duran theksoi se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor, si dhe do të mbetet zë i të shtypurve kudo që ndodhin përndjekje, padrejtësi apo tragjedi humanitare – nga Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, te Kaukazi, Lindja e Mesme, Gaza dhe Afrika.

    Ai rikujtoi fjalët e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, se një botë më e drejtë është e mundur, duke shtuar se Ankaraja do të vazhdojë të punojë për forcimin e ndërgjegjes së përbashkët të njerëzimit dhe për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme.

    Gjenocidi i Srebrenicës ndodhi në korrik të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq, pushtuan zonën e shpallur të sigurt nga OKB-ja në Srebrenicë dhe, gjatë disa ditëve, vranë sistematikisht më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.

    Ky krim është njohur nga gjykatat ndërkombëtare si gjenocid dhe konsiderohet mizoria më e rëndë e kryer në tokën evropiane që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

    Ankaraja e ka shfrytëzuar edhe në vitet e kaluara përvjetorin e Srebrenicës për të ripërsëritur thirrjet për llogaridhënie ndërkombëtare dhe për të paralajmëruar kundër përsëritjes së mizorive masive që mbeten pa u trajtuar nga komuniteti ndërkombëtar.

  • Një muaj paraburgim për të miturin që theri me thikë dy persona dhe një polic në Ferizaj

    Një muaj paraburgim për të miturin që theri me thikë dy persona dhe një polic në Ferizaj

    Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të miturit që dyshohet se ka therur dy persona dhe një zyrtar policor në dy ngjarje të ndara të ndodhura më 10 korrik në Ferizaj.

    Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndërsa i mituri dyshohet për veprat penale “vrasje në tentativë”, “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Sipas dosjes së rastit, ngjarja e parë ka ndodhur më 10 korrik, rreth orës 07:50, në Parkun e Qytetit në Ferizaj.

    Sipas dyshimeve të Prokurorisë, i mituri, i veshur me rroba ushtarake, me dorëza dhe i maskuar, ka sulmuar me thikë dy persona me inicialet I.M. dhe S.H., duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë vitale të trupit.

    Pas sulmit, ai dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Ferizajt.

    Sipas aktvendimit të gjykatës, rreth 20 minuta pas sulmit, i dyshuari është lokalizuar në oborrin e shtëpisë së gjyshes së tij në fshatin Greme të Ferizajt, ku ndodhej edhe nëna e tij dhe ku dyshohet se ishte fshehur pas largimit nga vendi i ngjarjes.

    Gjykata ka bërë të ditur se i mituri ka refuzuar urdhrat e zyrtarëve policorë për t’u dorëzuar dhe për ta hedhur thikën që mbante me vete.

    Gjatë ndërhyrjes së policisë për arrestimin e tij, ai dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë.

    Sipas aktvendimit, njëri nga policët është rrëzuar pasi është tërhequr nga nëna e të miturit, ndërsa i dyshuari ka tentuar ta godasë me thikë.

    Në përpjekje për ta neutralizuar, një major i Policisë së Kosovës ka ndërhyrë, por dyshohet se është goditur me thikë në anën e majtë të qafës nga veprimet e të miturit.

    Po ashtu, sipas gjykatës, i dyshuari ka poseduar pa autorizim një thikë kuzhine në vend publik, e cila më pas është konfiskuar nga Policia e Kosovës.

  • ​KFOR-i amerikan patrullon përgjatë kufirit Kosovë-Serbi

    ​KFOR-i amerikan patrullon përgjatë kufirit Kosovë-Serbi

    Ushtarët amerikanë të KFOR-it, të caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-East), në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, po zhvillojnë patrullime të rregullta përgjatë asaj që KFOR-i e quan “Vijë Administrative Kufitare”, përgjatë zonës së tyre të përgjegjësisë që lidhet me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

    KFOR-i, përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se këto patrullime zhvillohen gjatë gjithë vitit dhe kanë për qëllim ruajtjen e vetëdijes për situatën në terren, mbështetjen e stabilitetit dhe lirisë së lëvizjes, monitorimin e ndryshimeve në mjedisin operacional, si dhe sigurimin e një pranie të dukshme të forcave të sigurisë.

    Sipas KFOR-it, këto aktivitete janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të misionit të NATO-s për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe transparente.

     

  • Kosovarët “pushtojnë” Shqipërinë, mbi 12 mijë qytetarë kaluan kufirin brenda katër orëve

    Kosovarët “pushtojnë” Shqipërinë, mbi 12 mijë qytetarë kaluan kufirin brenda katër orëve

    Gjatë muajve maj dhe qershor është shënuar rekord i hyrje-daljeve në pikat kufitare të qarkut Kukës me Kosovën, ndërsa mijëra qytetarë dhe drejtues mjetesh nga Kosova kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar, Parkut Kombëtar të Valbonës dhe destinacioneve të tjera turistike për fundjavë dhe pushime verore.

    Sipas drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, Arben Alika, gjatë këtyre dy muajve janë përpunuar në hyrje dhe dalje mbi 2 milionë shtetas, me një mesatare ditore prej më shumë se 42 mijë personash.

    Pjesa dërrmuese e udhëtarëve kanë qenë shtetas të Kosovës.

    Për të përballuar fluksin në rritje, Policia Kufitare ka shtuar kapacitetet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të qarkut Kukës, duke rritur numrin e sporteleve dhe të efektivëve në shërbim.

    Vëmendja kryesore është përqendruar në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, e cila përballon volumin më të madh të lëvizjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Vetëm gjatë katër orëve të para të kësaj të shtune, përmes Pikës së Kalimit Kufitar Morinë kanë hyrë në Shqipëri 12 mijë e 431 shtetas nga Kosova, me 2 mijë e 879 automjete të vogla dhe autobusë.

  • Italia “e vendosur” për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

    Italia “e vendosur” për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se vendi i tij është i vendosur të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).

    Tajani priti në rezidencën shtetërore Villa Madama në Romë takimin e “Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor” me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në takim morën pjesë ministra dhe zëvendësministra nga Austria, Kroacia, Greqia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia.

    Në fjalimin e tij në hapje të takimit, Tajani theksoi se zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor është “prioritet absolut politik” për Italinë, raporton Anadolu – transmeton Sinjali.

    Ministri italian bëri të ditur se në takimin e sotëm do të miratojnë një dokument politik që do t’i paraqitet Brukselit me synim përshpejtimin e procesit të zgjerimit.

    Tajani tha se duhet të forcojnë më tej bashkëpunimin dhe harmonizimin mes BE-së dhe Ballkanit në fushat e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.

    Pas fotografisë familjare me pjesëmarrësit, Tajani u tha gazetarëve pas takimit: “Italia është e vendosur të mbështesë rrugën e këtyre vendeve drejt BE-së. Disa prej tyre, si Mali i Zi dhe madje Shqipëria, janë gati për anëtarësim”.

    Tajani tha se Italia gjithashtu mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE, por theksoi se përparësi kanë vendet e Ballkanit, duke shtuar se këto vende nuk duhet ta humbasin besimin.