ATV

Author: G.O.

  • BE-ja paralajmëron masa ndaj importeve të lira nga Kina

    BE-ja paralajmëron masa ndaj importeve të lira nga Kina

    Bashkimi Evropian pritet të marrë masa të reja për të kufizuar importet e lira nga Kina, të cilat sipas zyrtarëve evropianë po dëmtojnë industrinë vendore.

    Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Tregti në Komisionin Evropian, Denis Redonnet, tha se BE-ja do të miratojë masa mbrojtëse të njëanshme para afatit të tetorit, nëse nuk ka përparim në bisedimet me Kinën.

    Sipas tij, Komisioni Evropian do të shqyrtojë disa sektorë dhe do të përpiqet të ulë nivelin e importeve kineze që po krijojnë presion mbi prodhuesit evropianë.

    Industria e çelikut, kimikateve, makinerive dhe elektronikës janë ndër sektorët më të prekur nga konkurrenca e produkteve kineze me çmime të ulëta.

    BE-ja tashmë ka rritur tarifat për disa importe të çelikut dhe ka ulur kuotat e importit, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

    Zyrtarët evropianë kanë bërë të ditur se masa të ngjashme mund të zbatohen edhe në fusha të tjera.

    Komisioni Evropian po shqyrton gjithashtu përdorimin e tarifave kundër subvencioneve kineze, pasi Pekini akuzohet se mbështet eksportet e kompanive të tij me ndihma shtetërore.

    Tensionet tregtare mes BE-së dhe Kinës janë rritur për shkak të shqetësimeve se produktet kineze po mbushin tregun evropian dhe po kërcënojnë prodhimin vendas.

  • Deklarata e ministres serbe për Kosovën, PD-ja kërkon shpalljen “non grata” të Snezhana Paunoviq

    Deklarata e ministres serbe për Kosovën, PD-ja kërkon shpalljen “non grata” të Snezhana Paunoviq

    Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar pas deklaratës së ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, ndaj Kosovës, duke thënë se ajo meriton të shpallet person “non grata” dhe të paditet për nxitje të gjenocidit.

    Në reagimin zyrtar, PD-ja ka dënuar deklaratën e Paunoviqit, duke e cilësuar si raciste dhe antishqiptare, ndërsa ka thënë se ajo bie ndesh me parimet themelore të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

    “Këto ditë, në media ka qarkulluar një deklaratë ultraraciste dhe antishqiptare e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, në qeverinë e padronit të Edi Ramës, Aleksander Vuçiçit.

    Në këtë deklaratë, ajo shprehet: “Po të isha në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën.”

    Me këtë deklaratë, kjo figurë e ultranacionalizmit serb shpreh keqardhje që xhelati i Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi, me operacionin e tij “Patkoi” dhe me gjenocidin e fundit serb ndaj shqiptarëve, nuk arriti t’i dëbonte ata nga trojet e tyre mijëvjeçare”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.

    Më tej, PD-ja ka theksuar se dënon qëndrimet e tilla, si dhe ka kritikuar reagimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama përballë deklaratave të tilla.

    “Partia Demokratike e dënon me forcë deklaratën raciste dhe antishqiptare të kësaj përfaqësueseje të ultranacionalizmit primitiv serb, si edhe qëndrimin e Edi Ramës dhe të narkoqeverisë së tij përballë deklaratave të tilla çnjerëzore dhe nxitëse të urrejtjes, të cilat bien ndesh me parimet themelore të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Shpallja e saj non grata dhe paditja për nxitje të gjenocidit janë të vetmet qëndrime që ajo meriton”, thuhet në deklaratën zyrtare të Partisë Demokratike.

  • Jashari takon Hargreaves, diskutimi u përqendrua tek situata aktuale e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë

    Jashari takon Hargreaves, diskutimi u përqendrua tek situata aktuale e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Gjatë takimit, gjenerali Jashari prezantoi të arriturat e FSK-së, aktivitetet, operacionet dhe planet për zhvillimin e mëtejmë të forcës. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Britania e Madhe i ka dhënë FSK-së në të gjitha fazat e zhvillimit të saj.

    Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, si dhe u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit profesional në fushën e arsimit, edukimit dhe zhvillimit profesional të liderëve dhe njësive të FSK-së, me synim rritjen e kapaciteteve operacionale dhe profesionalizmit.

    Në përfundim të takimit, ambasadori Hargreaves vlerësoi lidershipin e gjeneral Jasharit në udhëheqjen e proceseve zhvillimore të FSK-së, ndërsa të dyja palët u zotuan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë.

  • Dyshimet për spiunazh: Edhe dy muaj prapa grilave për Fatmir Shehollin

    Dyshimet për spiunazh: Edhe dy muaj prapa grilave për Fatmir Shehollin

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për veprën penale të spiunazhit.

    Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.

    Zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e PSRK-së dhe ka vendosur vazhdimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajsh.

    Sipas njoftimit të gjykatës, ndaj Shehollit ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të “spiunazhit në vazhdimësi”.

    Hetimet për rastin janë duke vazhduar nga Prokuroria Speciale.

  • Një “re cunami” gjigante godet plazhin francez me një erë të fortë të papritur duke i bërë turistët të vrapojnë për të shpëtuar jetën

    Një “re cunami” gjigante godet plazhin francez me një erë të fortë të papritur duke i bërë turistët të vrapojnë për të shpëtuar jetën

    Ky është momenti i tmerrshëm kur një ‘re gjigante cunami’ përplaset në një plazh francez, me një stuhi të papritur që i bën turistët të vrapojnë për të shpëtuar jetën.

    Kjo vjen ndërsa vendet evropiane raportuan më shumë se 10,000 vdekje gjatë valës rekord të nxehtësisë që përfshiu perëndimin e kontinentit në fund të qershorit, treguan të dhënat zyrtare, transmeton Telegrafi.

    Pamjet nga vija bregdetare në Hendaye tregojnë plazhistët që ikin me tërbim nga galerna – një fenomen meteorologjik i dhunshëm i karakterizuar nga një rënie e menjëhershme e temperaturës dhe erëra të forta veriperëndimore.

    Turistët në bregdetin bask mund të shiheshin me ankth duke kapur dërrasat e tyre të surfimit, unazat e gomës dhe peshqirët ndërsa nxitonin për në siguri.

    “Ishte si një tornado: papritmas, era u forcua, njerëzit ngriheshin dhe ikin, dhe errësohej. Kishim diell, por pastaj, menjëherë, u mbulua me re dhe u bë mjegull”, tha një grua për Franceinfo.

    “Ishte madhështore, por shumë shqetësuese. Jemi mësuar të shohim “enbata”-n (fjala lokale për stuhinë galerne) në plazh, por shkalla e kësaj ishte ndryshe nga çdo gjë që kishim parë ndonjëherë”, tha një burrë.

    Notuesit që shijonin nxehtësinë prej 38°C të dielën papritmas u përballën me çadra dielli fluturuese, stuhi rëre verbuese dhe një rënie të shpejtë të temperaturës prej 11°C në vetëm gjashtë minuta.

    I njëjti fenomen ndodhi në Biarritz, i cili sapo kishte thyer rekordin e tij të të gjitha kohërave të nxehtësisë prej 42.9°C në fund të pasdites. Brenda pak minutash, një erë e fuqishme perëndimore e detyroi temperaturën të ulte në 23°C. /Telegrafi/

  • Vala e të nxehtit ekstrem godet Italinë dhe Evropën, temperaturat pritet të arrijnë deri në 45°C

    Vala e të nxehtit ekstrem godet Italinë dhe Evropën, temperaturat pritet të arrijnë deri në 45°C

    Një valë e re e të nxehtit ekstrem ka përfshirë Italinë dhe një pjesë të madhe të Evropës, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 45°C në disa zona gjatë ditëve në vijim.

    Për të tretën herë brenda pak javësh, autoritetet italiane kanë shpallur alarm të kuq për disa qytete. Aktualisht, niveli më i lartë i rrezikut është në fuqi në Firence, Peruxhia, Breshia dhe Torino, ndërsa të mërkurën listës do t’i shtohen edhe Bolonja, Frosinone dhe Roma.

    Sipas meteorologëve, temperaturat do të luhaten nga 39°C deri në 41°C në pjesën më të madhe të Italisë qendrore dhe jugore, si edhe në Sardenjë. Në zonat e brendshme, termometri mund të shënojë deri në 45°C deri në fund të javës.

    Përveç vapës përvëluese, Italia po përballet edhe me një thatësirë të theksuar dhe mungesë të burimeve ujore. Situata paraqitet veçanërisht kritike në rajonin e Piemontes, ku autoritetet kanë ngritur alarmin për krizën e ujit.

    Temperaturat e larta po ndikojnë edhe në jetën e përditshme. Në Firence, korrierët e platformave të shpërndarjes së ushqimit kanë paralajmëruar grevë, duke kërkuar masa më të forta mbrojtëse për punën në ambiente të hapura gjatë orëve me temperatura ekstreme.

    Ndërkohë, vala e të nxehtit po prek edhe pjesën tjetër të Evropës. Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat mbi 30°C po favorizojnë përhapjen e zjarreve, ndërsa në Francë flakët kanë përfshirë një pjesë të madhe të pyllit Fontainebleau. Në Gjermani, autoritetet raportojnë rritje të rasteve të mbytjeve, me 99 viktima të regjistruara vetëm gjatë muajit qershor, shkruan Euronews.al.

    Autoritetet në disa vende evropiane u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të shtuar për grupet më të rrezikuara, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

  • Ambasadori Guerot: Franca mbetet aleate e besueshme e Kosovës

    Ambasadori Guerot: Franca mbetet aleate e besueshme e Kosovës

    Sot Franca feston Ditën e saj Kombëtare, e njohur ndryshe si Dita e Bastijës, një datë që shënon fillimin e Revolucionit Francez dhe triumfin e vlerave të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë.

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, shpjegoi rëndësinë e kësaj feste dhe lidhjen e fortë që populli francez ka me idenë e Republikës dhe demokracisë, shkruan RTK.

    Ambasadori foli edhe për mënyrën se si shënohet kjo ditë në Francë, duke përmendur tri aktivitetet kryesore.

    “Në Francë i kemi tre momente kryesore. Më 13 korrik është tradita e ballos së zjarrfikësve. Më 14 korrik mbahet parada ushtarake, ndërsa në mbrëmje organizohen fishekzjarre në të gjithë Francën”, tha Guerot.
    Duke folur për marrëdhëniet me Kosovën, ambasadori theksoi se Franca ka qenë mbështetëse e saj që nga fillimi.

    “Franca është përkrah Kosovës prej fillimit. Franca është një aleat, një mik i besueshëm, solidar në qëndrueshmëri, në vazhdimësi. E kemi mbështetur pavarësinë e Kosovës, krijimin e shtetit të Kosovës”, deklaroi ai.

    Sipas Guerot, fokusi aktual i bashkëpunimit është mbështetja për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke veçuar organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 në Prishtinë.

    Ai shtoi se Franca synon ta intensifikojë bashkëpunimin me Kosovën në fusha të ndryshme, veçanërisht në kulturë dhe ekonomi.

  • Kryeministri polak thotë se paqja në Ukrainë nuk ka gjasa të arrihet së shpejti

    Kryeministri polak thotë se paqja në Ukrainë nuk ka gjasa të arrihet së shpejti

    Kryeministri polak Donald Tusk tha të martën se dukej shumë e pamundur që paqja në Ukrainë të arrihej së shpejti, dhe se priste që Rusia ta zgjaste konfliktin të paktën deri në dimër.

    Ai tha se e kishte diskutuar situatën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, transmeton Telegrafi.

    “Në këtë pikë, duket e pamundur që të arrihet një armëpushim ose një marrëveshje paqeje në të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh qëndrimin e ngurtë të Rusisë dhe Putinit”, u tha Tusk gazetarëve në Paris.

    “Të gjithë presin një përshkallëzim të veprimeve nga Rusia në këtë kohë dhe është shumë e mundshme që Rusia të dëshirojë ta zgjasë këtë luftë të paktën deri në dimër”, shtoi ai.

    Tusk tha se Polonia do të organizojë stërvitje ushtarake me trupa franceze dhe britanike në vjeshtë, në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për të siguruar sigurinë për Ukrainën dhe rajonin pasi të arrihet përfundimisht një marrëveshje paqeje ose armëpushim.

    “Këto do të jenë ushtrime që do ta përgatisin të gjithë koalicionin (e të gatshëmve) të mbledhur sot në Paris për garanci të tilla reale sigurie për Ukrainën, por edhe për rajonin”, tha ai. /Telegrafi/

  • Komuna e Kaçanikut njofton bizneset për lejet shtesë për punë jashtë orarit gjatë sezonit veror

    Komuna e Kaçanikut njofton bizneset për lejet shtesë për punë jashtë orarit gjatë sezonit veror

    Komuna e Kaçanikut ka njoftuar të gjitha bizneset që operojnë në territorin e saj se për zhvillimin e aktiviteteve jashtë orarit të rregullt të punës gjatë sezonit veror, duhet të pajisen paraprakisht me leje të veçantë.

    Sipas njoftimit të Komunës, bizneset janë të obliguara që, përveç pajisjes me leje, të kryejnë edhe pagesën e taksës shtesë, në përputhje me Rregulloren për Përcaktimin e Orarit të Punës për Subjektet Afariste në territorin e Komunës së Kaçanikut, përkatësisht nenin 5 të saj.

    “Bizneset që dëshirojnë të zhvillojnë aktivitet jashtë orarit të natës gjatë sezonit veror, janë të obliguara të pajisen paraprakisht me leje të veçantë dhe të kryejnë pagesën e taksës shtesë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kaçanikut.

    Komuna ka bërë të ditur se Inspektorati do të zhvillojë kontrolle në terren për të verifikuar respektimin e rregullave, ndërsa bizneset që operojnë jashtë orarit të lejuar pa lejen përkatëse do të përballen me masa ndëshkuese.

    “Çdo biznes që ushtron veprimtarinë jashtë orarit të lejuar pa qenë i pajisur me lejen përkatëse do t’i nënshtrohet masave ndëshkuese dhe gjobave, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi”, ka njoftuar Komuna.

    Për informata shtesë rreth procedurës së pajisjes me leje, bizneset mund t’i drejtohen Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Kaçanikut. /Telegrafi/

  • Tentoi të grabis një argjendari në Gjilan, arrestohet i dyshuari – konfiskohet një revole, kapelë e zezë dhe një skuter

    Tentoi të grabis një argjendari në Gjilan, arrestohet i dyshuari – konfiskohet një revole, kapelë e zezë dhe një skuter

    Një person është arrestuar pasi i njëjti kishte tentuar që ta kryente grabitjen në një argjendari.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 14:09 në rrugën “Shatërvani”, në Gjilani.

    Tutje thuhet se nga i dyshuari janë konfiskuar: një revole, një kapelë e zezë, një skuter dhe një çantë krahu.

    “Raportohet se është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte tentuar që ta kryente grabitjen në një argjendari. Nga i dyshuari janë konfiskuar: një revole, një kapelë e zezë, një skuter dhe një çantë krahu. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/