ATV

Author: G.O.

  • Trepça dhe Bashkimi sonte kërkojnë trofeun e Kupës së Kosovës

    Trepça dhe Bashkimi sonte kërkojnë trofeun e Kupës së Kosovës

    Super finalja e Kupës së Kosovës në basketboll do t’i vë përballë sonte Trepçën dhe Bashkimin.

    Përballja pritet të jetë me spektakël, duke marrë parasysh rivalitetin mes skuadrave, por edhe formën e treguar në këtë edicion.

    Ky trofe është shumë i rëndësishëm për të dy skuadrat, që synimin e vetëm e kanë fitoren.

    Mitrovicasit e kanë fituar shtatë herë Kupën e Kosovës, duke i përfshirë edhe tri herët e fundit.

    Bashkimi e ka fituar vetëm një herë këtë trofe të rëndësishëm, më 2001.

    Në pesë takimet e fundit direkte mes tyre, mitrovicasit kanë tri fitore derisa prizrenasit dy.

    Sa i përket garave në Superligë, të dy skuadrat kanë nga 14 fitore e gjashtë humbje.

    Rruga drejt finales nuk ishte aspak e lehtë.

    Mitrovicasit në çerekfinale eliminuan Proton Cable Prizrenin, kurse në gjysmëfinale rivalin e vjetër, Sigal Prishtinën, ku edhe pse humbën ndeshjen e parë, u rikthyen në atë të dytë për të siguruar biletën për finale.

    Bashkimi në çerekfinale eliminoi Borën, derisa në gjysmëfinale Vëllaznimin.

    Në ndeshjen e parë pësuan nga kuqezinjtë, derisa në përballjen e dytë arritën rikthimin për të siguruar finalen.

    Biletat për ndeshjen finale të ProCredit Kupës do të shiten për klubet finaliste, Trepçës dhe Bashkimit.

    Gjithsej do të ndahen nga 750 bileta për klubin e Trepçës dhe 750 për Bashkimin.

    Biletat e thjeshta kushtojnë 5 Euro, kurse ato VIP nën kosh kushtojnë 15 Euro, që janë në sasi më të vogël dhe po ashtu janë në menaxhim të klubeve finaliste.

    Ndeshja finale do të luhet sonte në Prishtinë nga ora 19:00.

  • Ndiqni këto këshilla për t’i shpëtuar gripit të këtyre ditëve!

    Ndiqni këto këshilla për t’i shpëtuar gripit të këtyre ditëve!

    Pasojat e ndryshimeve të motit janë të gjitha mbi ne! Këto ditë të paktën një nga pjesëtarët e familjes apo kolegëve nëpër zyra është në gjendje gripale!

    Luhatja e temperaturave ndikon në organizmin tonë, kështu që jemi ende në sezonin e gripit!

    Çfarë duhet të kemi parasysh që ndjesia më e bezdisshme të kalojë brenda pak ditëve? Ndiqni këshillat më poshtë.

    1. Hidratohuni

    Ngjan me një këshillë klishe, por është shumë e rëndësishme të pini ujë rregullisht për të ‘pastruar’ veten nga gripi dhe për të mbajtur fytin të lubrifikuar. Shmangni pijet me sheqer apo me qumësht, aq më tepër nëse keni shumë mukozë, sepse kjo mund ta përkeqësojë më shumë. Dhe, mos harroni. Nëpër lokale, porosisni çaj!

    2. Vitamina C

    Nëse s’mund të merrni mjaftueshëm nëpërmjet frutave, si qitro, tretni në ujë vitaminë C çdo ditë, dy ose tre herë në ditë dhe do ta ndihmoni sistemin imunitar të përballojë çdo sfidë. Antioksidantët janë shumë të rëndësishëm dhe nëse hani perime dhe fruta rregullisht, minimizoni rrezikun e prekjes nga infeksionet. Shmangni antibiotikët për aq sa mundeni.

    3. Probiotik çdo ditë

    Konsumoni një probiotik çdo ditë. Kjo jo vetëm ju ndihmon të keni shëndet të mirë, por përmirëson në mënyrë drastike sistemin tuaj imunitar. Rekomandohet të merrni edhe vitamina D çdo ditë gjatë vitit, nëse nuk kaloni shumë kohë në diell. Ndërsa ditëve të ftohta të gjithë duhet të konsumojnë vitaminën D, kur nuk ka diell. Vaji i peshkut funksionon ende!

    Përveç këshillave që duhet t’i ndiqni pa pritur të prekeni nga gripi, nëse kjo ka ndodhur, ekziston një hile tjetër që mund t’ju shpëtojë. Bëhet fjalë për metodën e çorapeve të lagura.

    Kjo metodë konsiston në veshjen e çorapeve të lagura, të cilat bëjnë që gjaku të fokusohet tek këmbët për t’i ngrohur.

    Kjo formë mikroqarkullimi bën pikërisht atë që qarkullimi i gjakut bën normalisht: sjell vlerat ushqyese dhe largon toksinat. Një gjë e tillë largon gjakun nga zonat problematike, si sinuset e zënë.

    Filloni duke i ngrohur këmbët në një banjë të ngrohtë, lagni çorapet dhe vishini. Mbi to, vishni çorape të thata ose qese plastike, në kohën kur jeni gati të shtriheni për të fjetur. Në mëngjes, do të zgjoheni shumë më mirë.

  • Kjo është Vaktia e Ramazanit 2025

    Kjo është Vaktia e Ramazanit 2025

    Bashkësia Islame e Kosovës ka publikuar vaktinë e Ramazanit për vitin 2025.

    Muaji i madhërishëm i Ramazanit do të fillojë me 1 mars, ditë e shtunë, ndërsa përfundon me 29 mars, po ashtu ditë e shtunë.

    Dita e parë e Fitër Bajramit do të jetë më 30 mars, ditë e diel.

    Ramazani është muaji më i zgjedhur dhe më i rëndësishmi për të gjithë myslimanët. Muaji në të cilin është urdhëruar agjërimi dhe në të cilin filloi zbritja e Kur’anit të madhërishëm.

    Është muaji i sakrificës dhe i përkushtimit ndaj njëri-tjetrit, për ditë të bardha, të paqta. Është muaji i shenjtë që zbret engjëjt në Tokë për të përhapur mirësinë mes nesh.

    Muaji i Ramazanit është gjithashtu një mundësi për të parë “bazat dhe themelet” e praktikës shpirtërore. Mbi të gjitha, është kohë e solidaritetit dhe e ndarjes.

    Besimtarët gjatë këtij muaji abstenojnë nga ushqimi, pijet dhe kënaqësitë trupore nga agimi deri në muzg, me shpresën se kjo do të çojë në devotshmëri më të madhe.

  • Liderët globalë diskutojnë të ardhmen e inteligjencës artificiale, Osmani: Kosova duhet të përfshihet në këtë transformim

    Liderët globalë diskutojnë të ardhmen e inteligjencës artificiale, Osmani: Kosova duhet të përfshihet në këtë transformim

    Kosova ka marrë pjesë në një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, ku liderë dhe profesionistë të fushës u mblodhën në Paris për të diskutuar zgjidhje dhe inovacione që do të transformojnë botën.

    Në këtë samit për inteligjencën artificiale, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.

    “Kosova në hartën globale të diskutimeve për inteligjencën artificiale. Liderë nga mbarë bota dhe profesionistë të fushës u mblodhën në Paris për të diskutuar zgjidhje që do të transformojnë
    botën, duke e vënë teknologjinë në shërbim të njerëzimit”, ka shkruar Osmani.

    Presidentja theksoi rëndësinë e këtij diskutimi, duke deklaruar se teknologjia po udhëheq një revolucioni global dhe Kosova duhet të jetë e gatshme të përfshihet në këtë transformim të madh.

    “Teknologjia po i prinë një revolucioni të paparë global dhe Kosova duhet të jetë e gatshme të jetë pjesë e këtij transformimi”, u shpreh Osmani.

    Ajo theksoi se është e rëndësishme që vendet si Kosova të kontribuojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron ky zhvillim për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

  • Goditi me thikë dy të mitur javë më parë në Prishtinë – arrestohet i dyshuari

    Goditi me thikë dy të mitur javë më parë në Prishtinë – arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar në Prishtinë, pasi që i njëjti më 5 shkurt të këtij viti kishte goditur me thikë dy të mitur.

    Arrestimi i tij ka ndodhur të martën nga policia.

    “Më 11.02.2025 pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti kishte goditur me thikë dy viktimat meshkuj kosovarë (të mitur) duke ju shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në raportin e policisë.

    I dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

  • BE: Mezi presim formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet

    BE: Mezi presim formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet

    Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se mezi pret formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të cilat i cilësoi si paqësore dhe konkurruese.

    Në një komunikatë të përbashkët më 11 shkurt, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionarja për Zgjerim në BE, Marta Kos, thanë se do ta “vazhdojmë angazhimin tonë me autoritetet, me qëllim mbështetjen e Kosovës për t’u afruar më shumë me BE-në dhe për të përfituar plotësisht nga mundësi të rëndësishme si, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.

    Pas numërimit të 99 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, përkatësisht 47 nga 120 vendet parlamentare – megjithëse, jo mjaftueshëm për të formuar qeverinë e vetme.

    Sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë 25 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe koalicioni i mbledhur rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 8.

    Këto shifra mund të ndryshojnë pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Rreth 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë votuan më 9 shkurt në zgjedhje që misioni vëzhgues i bllokut i vlerësoi si pozitive dhe të qeta, por me disa të meta.

    BE-ja pret që Qeveria e re e Kosovës të angazhohet në bashkëpunim të përgjegjshëm rajonal dhe t’i rrisë përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike, si dhe për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, thuhet në komunikatë.

    Partia e kryeministrit Kurti është përballur me kritika për përdorim të gjuhës negative dhe për bojkotimin e medias gjatë fushatës zgjedhore, përfshirë nga vetë misioni vëzhgues i BE-së në Kosovë.

    Në fillim të janarit, organizata joqeveritare ndërkombëtare e vendore i bënë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të hiqte dorë nga bojkotimi i disa mediave të caktuara.

    Ajo kishte thënë se nuk po bojkotonte mediat, por po “përjashtonte” tri kanale specifike dhe se një vendim i tillë “nuk cenonte peizazhin e pasur dhe të larmishëm mediatik të Kosovës”.

    BE-ja gjithashtu e përsëri se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është e vetmja mënyrë për Kosovën për të ecur përpara në rrugën e saj evropiane.

    “Prej Kosovës pritet t’i zbatojë detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe nga të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut, pa vonesa të mëtejshme dhe pa parakushte. Nuk ka zgjidhje tjetër mos dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet tutje në komunikatë.

    Kosova dhe Serbia e arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, por asnjëra prej tyre nuk ka bërë asnjë hap drejt zbatimit të saj deri tani.

    Sipas komunikatës, Komisioni Evropian “mbetet i gatshëm ta përgatisë një opinion” rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, “sapo Këshilli ta kërkojë atë”.

    Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022, por vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat

    Këshilli, përkatësisht përfaqësuesit e 27 shteteve anëtare, vendosin se kur aplikacioni i dërgohet Komisionit Evropian, i cili ftohet të përgatisë një opinion për meritat e vendit aplikues për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat e anëtarësimit./REL

  • Publikohet logoja zyrtare shtetërore si dhe programi i manifestimeve në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Publikohet logoja zyrtare shtetërore si dhe programi i manifestimeve në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Kosova me 17 shkurt, feston 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

    Më këtë rast Qeveria e ka publikuar logon zyrtare të kësaj date dhe programin për shënimin e Pavarësisë.

    “Logoja zyrtare shtetërore për shënimin e 17-të vjetorit të Pavarësisë dhe programi i plotë i manifestimeve shtetërore”, thuhet në njoftimin qeveritar.

  • Netanyahu thotë se lufta nis sërish nëse nuk lirohen pengjet

    Netanyahu thotë se lufta nis sërish nëse nuk lirohen pengjet

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të martën deklaroi se armëpushimi në Gaza do të përfundojë dhe luftimet me Hamasin do të vazhdojnë nëse grupi militant palestinez nuk liron pengjet deri të shtunën në mesditë, shkruan Reuters.

    “Në dritën e njoftimit të Hamasit për vendimin e tij për të shkelur marrëveshjen dhe për të mos liruar pengjet tona, mbrëmë urdhërova ushtrinë të mbledhë forcat brenda dhe rreth Rripit të Gazës. Ky operacion po kryhet në këtë kohë dhe do të përfundojë në një të ardhme shumë të afërt”, ka thënë Netanyahu.

    Njoftimi erdhi pasi Netanyahu u takua me disa ministra kyç, për të cilët ai tha se i dhanë mbështetje të plotë ultimatumit.

    Nuk është e qartë nëse Netanyahu nënkuptonte që Hamasi duhet të lirojë të gjitha pengjet e mbajtura në Gaza apo vetëm tre që pritej të liroheshin të shtunën sipas armëpushimit.

     

  • Dyshohet se një grua u dhunua dhe u sulmua fizikisht në Gjilan, prokuroria inicion rastin si “Trafikimi me njerëz”

    Dyshohet se një grua u dhunua dhe u sulmua fizikisht në Gjilan, prokuroria inicion rastin si “Trafikimi me njerëz”

    Prokuroria Themelore në Gjilan bën të ditur se pas postimit nga qytetarët në rrjetin social “Facebook” të fotografisë së të dëmtuarës A.S. me lëndime trupore, ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarre veprime hetimore, lidhur me këtë çështje penale.

    Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar rasti është iniciuar si “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Prokuroria Themelore në Gjilan në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në mënyrë që të identifikohet/en kryerësi/it e kësaj vepre penale”, thuhet në njoftim.

  • ​Këto janë ndeshjet e sotme në Champions

    ​Këto janë ndeshjet e sotme në Champions

    Pas ndeshjeve të së martës, gara më prestigjioze evropiane për klube, Liga e Kampionëve do të vazhdojë edhe sot me ballafaqime interesante.

    Në program janë katër sfida që janë: Club Brugge-Atalanta, Celtic-Bayern Mynich, Feynoord-Milan dhe Monaco-Benfica, raporton KosovaPress.

    Këto ndeshje janë të vlefshme për fazën e playoff-it të Ligës së Kampionëve dhe janë me sistem vajtje-ardhje.