ATV

Author: G.O.

  • ​Policia realizon një bastisje në Mitrovicë, sekuestrohet një armë

    ​Policia realizon një bastisje në Mitrovicë, sekuestrohet një armë

    Policia e Kosovës në Mitrovicë ka kryer një bastisje dhe si rezultat ka sekuestruar një armë.

    Sipas njoftimit të policisë si rezultat i bastisjes është gjetur dhe është sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tetë fishekë.

    “Mbi bazën e informacionit dhe dyshimeve të arsyeshme për posedim ilegal të armës, policia në Mitrovicën e Jugut, me datën 11 janar 2025 ka realizuar një bastisje. Bastisja është realizuar në shtëpinë e të dyshuarit në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’ në Mitrovicën e Jugut, ku si rezultat i bastisjes është gjetur dhe është sekuestruar një armë e llojit ‘Pistoletë’ me tetë fishekë”, thuhet në njoftim.

    Në cilësi të të dyshuarit për posedim ilegal të armës policia ka thënë se është intervistuar i dyshuari i moshës së mitur, ku pas procedurave të intervistimit i dyshuari është liruar për procedurë të rregullt.

    Ndaj tij sipas policisë është iniciuar rast për vepër penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’.

  • Transparency International: Kosova shënoi përparim të lehtë në luftimin e korrupsionit

    Transparency International: Kosova shënoi përparim të lehtë në luftimin e korrupsionit

    Kosova ka shënuar përparim në lehtë në luftimin e korrupsionit më 2024, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

    Këtë vit, Kosova është vlerësuar me 44 pikë, për dallim nga 41 pikë sa kishte më 2023.

    Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

    Kosova është renditur në mesin e shtatë shteteve që në pesë vjetët e fundit kanë përmirësuar shifrat e tyre në raportin e kësaj organizate.

    Sipas raportit të publikuar më 11 shkurt, shumica e vendeve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore dështojnë që të ndëshkojnë korrupsionin e nivelit të lartë, apo edhe të ruajnë integritetin gjyqësor, pasi degët tjera të Qeverisë dhe grupet e interesit shtrijnë ndikimin e tyre.

    Këto rajone vazhdojnë të kenë mesataren më të ulët në vendet që mbulon Indeksi – 35 nga 100 – për luftim të korrupsionit.

    Sa u përket vendeve të rajonit, edhe Shqipëria ka shënuar rritje, me 42 pikë nga 37 sa ka pasur në vitin paraprak, ndonëse Qeveria shqiptare është përmendur si shembull kur injorohet interesi publik dhe shfrytëzohen legjislacione speciale për të shmangur kontrollin në investime me shuma të mëdha.

    Ajo përmendet për arritjen e marrëveshjeve për investime, në vlerë të miliarda dollarëve, që mund të rrezikojnë shkatërrimin e shtratit të lumit Vjosa.

    Ky shtet, megjithatë, është lavdëruar për punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për, siç është thënë, kthimin e besimit të njerëzve në drejtësi, pas ngritjes së padive për ish-ministra, pjesëtarë të parlamentit dhe zyrtarë tjerë.

    “SPAK vazhdon të hetojë ish-presidentin, ish-kryeministrin dhe zyrtarë tjerë publikë të nivelit të lartë”, është thënë në raport, si referencë për ish-presidentin Ilir Meta, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-zëvëndëskryeministrin Arben Ahmetaj.

    Nga vendet tjera të rajonit, Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie, duke u vlerësuar me 40 pikë, dy më pak se vitin 2023, Serbia ka shënuar po ashtu rënie, me 35 pikë, një më pak se vitin paraprak, Bosnje-Hercegovina është vlerësuar me 33 pikë, dy më pak se më 2023, ndërsa Mali i Zi është vlerësuar njëjtë sikurse vitin paraprak, me 46 pikë, raporton REL.

    Në krye të listës së këtij Indeksi janë si rëndom, Danimarka, Finlanda dhe Singapori, ndërsa në fund, si vende me probleme të thella në luftim të korrupsionit, janë Sudani i Jugut, Somalia, Venezuela dhe Siria.

  • Loiseau: Deklaratat e Grenellit ishin ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë

    Loiseau: Deklaratat e Grenellit ishin ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë

    Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, Nathalie Loiseau, ka kritikuar ndërhyrjen e Richard Grenell disa ditë para zgjedhjeve, duke e quajtur atë jodiplomatike dhe të papranueshme, raporton Ekonomia Online.

    Loiseau vuri në dukje gjithashtu gjuhën negative të partisë në pushtet ndaj medias, ndërsa theksoi se transmetuesit kishin ofruar kohë të barabartë për të gjitha partitë.

    Ajo vlerësoi ditën e zgjedhjeve si të qetë, por nënvizoi se fazat kritike të procesit, si numërimi i votave, ende kërkojnë transparencë të plotë.

    “Kemi vërejtur me brengosje gjuhën negative nga partia në pushtet ndaj medias. Transmetuesit kanë dhënë kohë të barabartë për të gjitha partitë. Transmetuesi publik ka mundur të kontribuojë më shumë me komunitetet. Fushata në komunat me shumicë serbe ishte më e përmbajtur se në komuna tjera. Kemi pasur ndërhyrje nga Grenelli që kritikoi kryeministrin Kurti, kjo mund të vlerësohet si diçka jodiplomatike”, ka thënë ajo, në një konferencë për media ku ka folur për procesin zgjedhor të 9 shkurtit.

    Tutje, Loiseau vlerësoi ditën e zgjedhjeve si të qetë, por nënvizoi se fazat kritike të procesit, si numërimi i votave, ende kërkojnë transparencë të plotë.

    “Dua të përgëzoj votuesit që morën pjesë në këto zgjedhje historike pas një mandati të plotë. Këto janë zgjedhjet e para pas ndryshimeve të ligjit në të cilin ka pasur rekomandime të BE-së. Në përgjithësi dita e zgjedhjeve ishte e qetë. Fazat kritike të procesit zgjedhor ende mbeten për tu përfunduar. Vështirësitë janë bërë të dukshme gjatë fazës së numërimit. KQZ-ja ka pasur sfida gjatë punësimit, trajnimit dhe prokurimit. Duhet të ketë transparencë të plotë për ato gjëra që nuk po shkojnë si duhet dhe pse”, ka thënë ajo.

  • Bojkotimi i marketeve në Kosovë vazhdon edhe në fundjavë

    Bojkotimi i marketeve në Kosovë vazhdon edhe në fundjavë

    Të hënën edhe në Kosovë ka filluar fushata për bojkotimin e marketeve të mëdha për shkak të çmimeve të larta, bojkot ky i cili do të vazhdojë edhe në fundjavë më 15-16 shkurt.

    Sipas organizatorit, Xhevat Kastrati ky bojkot vjen si pasojë e rritjes së çmimeve.

    “Rritja enorme e çmimeve viteve të fundit, mashtrimet me çmime të ndryshme për produkte të caktume si dhe iniciativat tjera të rajonit”, tha Kastrati

    Sipas Kastratit gjatë 10 shkurtit në Kosovë rreth 10 mijë qytetarë i janë bashkuar kësaj fushate.

    Më këtë fushatë kërkohet që të ulen çmimet e ushqimeve bazike e disa kërkesa të tjera.

    “Ne kërkojmë: Ulje afatgjate të çmimeve nga marketet, investigim nga mediat dhe organet kompetente për mashtrimet me çmime, rregullim ligjor për çmime përmes aplikimit të ligjit për çmimet tavan, transparencë më të lartë për qytetarët në lidhje me lëvzizjen e çmimeve”, tha ai.

    Mbështetje për këtë fushatë ka dhënë edhe Selatin Kaçaniku, drejtor i Shoqatës “Konsumatori”.

    “Është iciativë e duhur, e qëlluar, e provokuar me çmime spekulative për 25 vite me rradhë”, tha Kaçaniku për rtv21.

    Sipas Kaçanikut ky bojkot mund të sjell rezultat.

    “Ligjet, standardet…edhe dinjiteti i qytetarit konsumator taksapagues – edhe pa parti e institucione, pa Qeveri, pa Kuvend, pa ministri e institucione, agjenci, mekanizma…po vie në shprehje. Po e jep rezulatin e parë: Populli, sovrani, publiku, qytetari konsumator taksapagues…jep detyra, ndërsa Kuvendi, Qeveria…të gjithë të tjerët duhet të jenë në shërbim të tyre e jo në shërbim të vetvetes dhe të intereseve të ngushta”, tha ai.

    Në ndërkohë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni mesatar për vitin 2024 ka qenë 1.6%, në vitin 2023 ka qenë 4.9%, ndërsa në vitin 2022 ishte 11.6%.

    Paga mesatare në Kosovë për vitin 2023, sipas ASK-së, ka qenë 506 euro neto. Në sektorin publik paga mesatare është 630 euro neto, ndërsa në sektorin privat 459 euro. Të dhëna për vitin 2024 nuk ka ende.

    Qeveria në tetor të vitit 2022 kishte miratuar Ligjin për Çmimet Tavan në Produktet Bazë, por opozita e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo Gjykatë në nëntor të vitit 2023 e kishte shpallur të pavlefshëm.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deficiti tregtar në dhjetor të vitit 2024 ka qenë 17.5%. Sipas ASK-së, eksporti në dhjetor ka qenë 69 milionë euro, ndërsa importi 631.1 milionë euro.

  • Ancelotti po përgatit një ndryshim befasues në formacionin ndaj Manchester Cityt

    Ancelotti po përgatit një ndryshim befasues në formacionin ndaj Manchester Cityt

    Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti nuk është i njohur për ngatërresat e tepërta në formacionet e tij apo për eksperimentet në pozita, përveç situatave emergjente.

    Sidoqoftë, kriza e lëndimeve ka kapluar sërish klubin madrilen këtë vikend duke detyruar teknikun italian që të improvizojë për duelin ndaj Manchester Cityt.

    Që të gjithë mbrojtësit titullarë janë të lënduar, me Antonio Rudiger dhe David Alaba që u bë e ditur se do të mungojnë javën e kaluar.

    Duke shtuar këtu edhe mungesat e Eder Militao dhe Dani Carvajal, do të thotë se Aurelien Tchouameni do të luajë nga minuta e parë në mbrojtje si partner i Raul Asencios.

    Lëndimi që pësoi Lucas Vaqzuez në derbin ndaj Atletico Madridit do ta lë atë jashtë fushave për 2-3 javë andaj Ancelotti nuk do ta ketë një mbrojtës të djathtë në dispozicion.

    Ishte supozuar gjerësisht se Federico Valverde do të spostohet në atë pozitë, megjithatë, Cadena Cope ka raportuar se Ancelotti po planifikon ta vendos Ferland Mendyn në atë pozicion.

    Francezi ka luajtur një herë si mbrojtës i djathtë ndaj Eibarit nën urdhrat e Zinedine Zidane, por ai nuk është pozicioni i tij natyral.

    Në rast se Ancelotti vendos të shkojë përpara me këtë ide, atëherë Dani Ceballos dhe Jude Bellingham do të shoqëroheshin në mesfushë nga Valverde./Telegrafi/

  • Erion Veliaj nesër del para gjykatës

    Erion Veliaj nesër del para gjykatës

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të dalë nesër para Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.

    Seanca gjyqësore ndaj Veliajt do të mbahet në ora 08:30.

    Ai u arrestua dje me kërkesë të SPAK-ut, ndërsa gjykata vendosi masën e ndalimit arrest me burg.

    “Duke patur parasysh interesin që ka në media dhe në publik procedimi penal nr. 27, i vitit 2024, rregjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të personave nën hetim Erjon Veliaj, etj…, ju njoftojmë se seanca e marrjes në pyetje për personat nën hetim Erjon Veliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkëlqim Fusha për të verifikuar kushtet dhe kriteret e caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit është caktuar me datë 12.02.2025, ora 08:30”, thuhet në njoftim

  • QKUK: Gjatë vitit 2024, mbi 4 mijë e 500 pacientë operuan sytë

    QKUK: Gjatë vitit 2024, mbi 4 mijë e 500 pacientë operuan sytë

    Mbi 4 mijë e 500 pacientë janë operuar në Klinikën e Syve, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë vitit 2024.

    Në njoftimin e bërë nga QKUK thuhet se ky numër është rritur për 500, krahasuar me vitin paraprak.

    “Rritja e numrit të operacioneve dhe performancës është bërë falë investimeve që janë bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK, qoftë në investimet në infrastrukturë, poashtu edhe në resurse humane dhe pajisje mjekësore”, thuhet në njoftim.

    Tutje, theksohet se në këtë klinikë janë kryer edhe mbi 45 mijë vizita ambulantore specialistike dhe sub-specialistike në profile të ndryshme oftalmologjike.

    “Duhet theksuar se në këtë klinikë është rritur edhe gama dhe llojet e operacioneve, përfshirë edhe ato më të komplikuara, që ka mundësuar që referimet për trajtim jashtë vendit të ulen dukshëm”, vijon njoftimi.

  • Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për Fikrim Damkën dhe nipin e tij

    Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për Fikrim Damkën dhe nipin e tij

    Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të kryetarit të KDTP-së, Fikrim Damka dhe nipit të tij, F.D., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale të sulmit dhe kanosjes.

    Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, kjo kërkesë është paraqitur në seancën për caktimin e masës së sigurisë, që është mbajtur në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

    Ndërkohë gjatë ditës pritet vendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit lidhur me caktimin e masës së sigurisë.

    Ndryshe, një ditë më parë kryeprokurori në Prizren, Petrit Kryeziu ka bërë të ditur se tre persona dyshohen për rastin e sulmit dhe kanosjes ndaj anëtarëve të YTHP-së në Prizren, ndërkohë që për dy prej tyre është nxjerrë vendimi për ndalimin 48 orësh.

    Në këtë rast të ndaluarit janë Fikrim Damka, kryetar i KDTP-së dhe ministër i MZhR-së dhe nipi i tij, F.D.

    Kryeziu ka theksuar se rasti dyshohet se ka ndodhur të dielën me 9 shkurt.

    “Në ditën e zgjedhjeve kemi pasur një rast ku rreth orës 18:30 janë paraqitur dy ankues, në cilësinë e viktimave, një grua dhe një burrë, duke pretenduar se janë viktima të një sulmi dhe të një kanosjeje për jetë”, ka thënë Kryeziu.

    Sipas tij pas kësaj informate bashkë me hetuesit policorë janë ndërmarrë veprime në vendin e ngjarjes dhe janë siguruar prova personale dhe materiale. /Telegrafi/

  • Ngjarje e rëndë në Shkup: Vritet me armë zjarri 35-vjeçari shqiptar

    Ngjarje e rëndë në Shkup: Vritet me armë zjarri 35-vjeçari shqiptar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Çair të Shkupit, ku një person ka mbetur i vrarë pas një përleshjeje me armë zjarri, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Mediat në Maqedoni kanë raportuar se viktimë e këtij rasti është shqiptari Hebib Bunjaku, shkruan Gazeta Sinjali.

    Sipas informacioneve nga MPB e Maqedonisë, 35-vjeçari Hebib Bunjaku ishte dërguar në spital pasi kishte marrë lëndime nga arma e zjarrit, ku edhe ka ndërruar jetë pasi nuk ka arritur t’iu mbijetojë plagëve të marra nga arma e zjarrit.

    “Më 11.02.2025 në orën 00.06 në SPB Shkup, nga spitali i qytetit ‘Shën Naumi i Ohrit” është denoncuar se tek ata, me lëndime nga arma e zjarrit janë sjell H.B (35) dhe A.D. (35) që të dy nga Shkupi, dhe se më vonë H.B ka humbur jetën, ndërsa mbi A.D. është kryer intervenim dhe është ndaluar për mjekim. Pas masave të marra është konfirmuar se ata më herët kanë marrë pjesë në një përleshje të armatosur në rajonin e Çairit.

    Për shkak lëndimeve nga arma e zjarri në kompleksin e klinikave ‘Nënë Tereza’ në Shkup është sjellë edhe N.D. nga Shkupi. Po ashtu, pas masave të marra, ndërsa nën dyshimin se kanë marrë pjesë në përleshjen, zyrtarë policorë nga SPB në Shkup rreth orës 01.40 në spital e kanë arrestuar B.B. (39) nga Shkupi, në rajonin e Çairit e kanë arrestuar N.D (22) nga Shkupi, ndërsa pak më vonë janë gjetur dhe arrestuar edhe R.R (41) dhe K.T (28) që të dy nga Shkupi”, shkruhet në njoftimin e MPB-së.

    Mes tjerash, nga MPB kanë thënë se deri tek konflikti me armë zjarri dyshohet se ka ardhur pas një mosmarrveshjeje në komunikacion.

    Në lidhje me këtë rast, deri më tani janë arrestuar katër persona të dyshuar.

    “Po ashtu, pasi janë marrë masa dhe për shkak të dyshimit se kanë marrë pjesë në përleshjen e armatosur, zyrtarët policorë nga SPB-Shkup rreth orës 01:40 në spital kanë privuar nga liria B.B.(39) nga Shkupi, në rajonin e Çairit kanë privuar nga liria N.D. (22) nga Shkupi, ndërsa më pas janë gjetur dhe janë privuar nga liria R.R. (41) dhe K.T. (28), të dy nga Shkupi”, kanë thënë nga MPB.

  • Zogaj kërkon zbatim të sistemit audio dhe video nga gjykatat: Po dalim joseriozë përballë partnerëve ndërkombëtarë

    Zogaj kërkon zbatim të sistemit audio dhe video nga gjykatat: Po dalim joseriozë përballë partnerëve ndërkombëtarë

    Kryesuesi Albert Zogaj tha se po hezitohet në përdorimin e sistemit audio dhe video për proceset gjyqësore nga ana e gjykatave. Kjo gjë, sipas tij po bën që të dalin joseriozë para ndërkombëtarëve.

    “Duhet m’i mbajtë përgjegjës, këtu e fus edhe sistemin audio, ku kosto është mbi 5 milionë dollarë, e knej kemi hezitim në përdorim e tyre nga gjykatat, po dalim joseriozë te partnerët ndërkombëtarë”, tha Zogaj.

    Këtë deklarim, ai e bëri në mbledhjen e 342-të të KGJK-së të martën, gjatë raportimit të drejtorit të Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Zogaj tha se në sistemin gjyqësor po vijon të mbizotërojë kryerja e punëve në mënyrë urgjente dhe se kjo kulturë duhet të largohet nga sistemi gjyqësor duke kërkuar planifikim të aktiviteteve, i cili garanton cilësi të proceseve.

    Kryesuesi përmendi edhe çështjet e sigurisë nëpër gjykata, duke ofruar mbështetjen e Këshillit për adresim të problemeve që mund të ketë pjesa e sigurimit të gjykatave.

    Ndërkaq, lidhur me cilësinë e të dhënave, Zogaj tha se tash e tutje nuk do të jetë më temë në Këshill dhe se një çështje e tillë i bartet Sekretariatit pasi që ka strukturën e nevojshme për trajtimin e çështjeve dhe vendosjen para përgjegjësisë të stafit në rast të gabimit në cilësinë e të dhënave.

    Po ashtu, Zogaj kërkoi që Sekretariati të fillojë përgatitjtet për Gjykatën Administrative dhe përmbushje të të gjitha rekomandimeve që rrjedhin nga Auditori i Brendshëm dhe ai i Jashtëm.

    Ndërkaq, drejtori Maliqi tha se nga ana e Sekretariatit nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë vullneti për adresimin e çështjeve dhe përmbushjen e obligimeve.

    Lidhur me çështjet e Sekretariatit, foli edhe anëtari i Këshillit, Vilard Bytyqi, i cili tha se duhet të eliminohet përmendja e të njëjtave problematika që po e përcjellin Këshillin vit pas viti.

    Ndërkaq anëtari tjetër, Artan Abazi kërkoi të dijë se a janë përmbushur të gjitha objektivat e Sekretariatit dhe a ka pasur pengesa gjatë realizimit të objektivave. Me këtë rast, Maliqi tha se nuk ka pengesa dhe se objektivat janë tejkaluar.

    Tutje, mbledhja vazhdoi me raportimin nga ushtruesi i detyrës së Njësisë për Inspektim Gjyqësor, Dul Gjocaj, i cili tha se si Njësi kanë nevojë për staf mbështetës dhe se janë të angazhuar nëpër tema të ndryshe për inspektim.

    Lidhur me punën e Njësisë, Bytyqi tha se Njësia duhet të largohet nga disa role teknike dhe duhet të futet në thelbin e çështjes që kanë për trajtim sipas legjislacionit.

    Ndërkaq, anëtari tjetër i Këshillit, Fahret Vellija tha se duhet të punojnë që të kenë një databazë të të dhënave për çështje të ndryshe, si ato familjare, për korrupsion, duke kërkuar që të lehtësohet filtrimi i të dhënave kur ato nevojiten.

    Po ashtu, u paraqit edhe implementimi i aktiviteteve të Planit të Punës së KGJK-së për vitin 2024 nga drejtori i zyrës ligjore, Astrit Hoti, si dhe u themelua Komisioni për vlerësimin e performancës së ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi.

    Komisioni do të ketë këtë përbërje: Teuta Ibrahimi- kryesuese, Ahmet Imami dhe Artan Abazi- anëtarë, si dhe Vilard Bytyqi dhe Besnik Bislimaj- anëtarë rezervë.

    Në fund, Këshilli bëri ndryshimin e vendimit KGJK.nr.29/2025 të datës 24 janar 2025, në lidhje me përbërjen e Komisionit vlerësues për konkursin “Gjyqtar mbikëqyrës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës”, duke e vendosur Arjeta Sadikun anëtare të komisionit.

    Ndërkaq, u tërhoq nga rendi i ditës shqyrtimi i raportit mbi pozitat e shpallura për administratorë të gjykatës, si dhe me dyer të mbyllura vijoi mbledhja për themelim të një paneli hetimor për një rast disiplinor.