ATV

Author: G.O.

  • Selimi: Deri në pranverë të ‘98-ës s’kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave të UÇK-së

    Selimi: Deri në pranverë të ‘98-ës s’kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave të UÇK-së

    Dëshmitari Sylejman Selimi pohoi se deri në pranverë të vitit 1998 nuk kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Këtë pohim, dëshmitari e bëri gjatë pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mishetiq fillimisht e pyeti dëshmitarin se çfarë ishte Grupi i Prekazit, ku ishte i përfshirë edhe vetë Sylejman Selimi.

    Ai tha se ky grup kryesohej nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari, Hamëz Jashari dhe disa shokë të tjerë.

    “Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Fadil Kodra, Nuredin Lushtaku, Zenun Kodra”, tha Selimi, kur u pyet se kush tjetër përveç tij bënte pjesë në këtë grup.

    Dëshmitari u pyet gjithashtu se a është e vërtetë që ka thënë se më ’97-ën ka dëgjuar për një Shtab të Përgjithshëm.

    “Gjithmonë kam dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, por nuk i kam njohur dhe nuk e di se ku e kanë pasur selinë”, u përgjigj dëshmitari Sylejman Selimi.

    Selimi tha se publikisht si pjesëtar i UÇK-së ka dalë më 30 janar të 1997-ës, ndërsa kyçja e tij në këtë strukturë ka qenë më herët.

    Dëshmitari u përgjigj me “e saktë” kur u pyet se a është e vertetë që nga ’97-ta deri në mars të ’98-ës ka pasur vetëm një autoritet mbi të, e që ai ka qenë Adem Jashari.

    “Adem Jashari ka qenë gjithmonë prijësi dhe komandanti kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Sylejman Selimi.

    Përgjigja e tij nuk u dëgjua kur u pyet se a ka pasur ndonjë njohuri për ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë të dëshmitarit me ndonjërin prej personave në Shtabin e Përgjithshëm.

    “Ka mundësi që jam taku me disa persona por nuk e kam ditë asnjëherë se çfarë pozicioni kanë edhe nuk e kam ditë. Më vonë e kam ditë që kanë qenë pjesëtarë ose anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm”, u përgjigj Selimi kur u pyet për kontaktet e tij me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm.

    Sipas Mishetiq, në një deklaratë dëshmitari kishte thënë se në këtë kohë nuk kishte ndonjë strukturë të mirëfilltë të UÇK-së dhe as nuk kishte zona e as grupe.

    Dëshmitari pohoi se kjo është një përshkrim i saktë i UÇK-së deri në fillim të ’98-ës.

    Veç kësaj, ai pohoi se është e saktë të thuhet që ai së bashku me 10-15 ushtarë ishin vendosur nga Adem Jashari që ta mbronin një fshat të vetëm të Drenicës, e që ishte Açareva, konkretisht vendlindja e dëshmitarit.

    Pas kësaj, Mishetiq tha se dëshmitari ka deklaruar se deri në pranverë të ’98-ës nuk kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave.

    “E saktë është”, tha dëshmitari.

    Selimi pohoi se si zonë fshatarët janë mobilizuar që të mbrojnë fshatrat, duke u formuar në grupe të ndryshme dhe se vetë e kanë zgjedhur komandantin e zonës.

    “Në Zonën e Drenicës ka pas edhe disa grupe apo shokë të tjerë që kanë pasur edhe ata disa ushtarë të vet dhe i gjithë këtyre grupeve dhe individëve është ardhë deri tek një propozim për komandant Drenice. Në atë kohë janë quajtë pika ose edhe me shifra të ndryshme si Shkoza, ku kam qenë unë e kështu me radhë. Është e saktë”, tha dëshmitari.

    Ndryshe, Mishetiq njoftoi se sa i takon kohës, pyetjet e tij do të përfundojnë më shpejtë se sa që e kishte planifikuar.

  • Rënia e ueb-faqes së KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, Prokuroria nis hetimet

    Rënia e ueb-faqes së KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, Prokuroria nis hetimet

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me çdo abuzim apo keqpërdorim të votave, pas rënies së ueb faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në ditën e zgjedhjeve.

    Kështu bëri të ditur kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Zyra për Komunikim Publik e Prokurorisë Themelore në Prishtinë konfirmoi mëngjesin e së martë se tashmë po trajtohet çështja në fjalë.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar që Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, të ndërmarrë veprime apo masa hetimore për secilin abuzim apo keqpërdorim të votave pas rënies së ueb-faqes së KQZ-së”, tha Gashi.

    Ndryshe, në mbrëmjen e 9 shkurtit, në ditën e zgjedhjeve janë hasur probleme në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. /Telegrafi/

  • ​Ngrihet aktakuzë për kontrabandim me migrantë në Prizren

    ​Ngrihet aktakuzë për kontrabandim me migrantë në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Q.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”.

    Sipas aktakuzës, me datë 10 dhjetor 2024, në ora 22:25 në fshatin Vërmicë të Komunës së Prizrenit saktësisht në daljen nga autostrada ‘’Ibrahim Rugova’’ për në fshatin Vërmicë, i pandehuri merret me kontrabandim të migrantëve, në atë mënyrë që, derisa ishte duke e drejtuar automjetin e tij, ndalohet nga ana e Policisë Kufitare.

    I pandehuri sipas aktakuzës kishte qenë duke i bartur katër emigrantë (shtetas të Bangladeshit), për të cilët ishte pajtuar që për një shumë parash në vlerë prej 150 euro t’i dërgojë deri në Gjilan edhe pse sipas aktakuzës kishte qenë në dijeni se të njëjtit ishin futur ilegalisht në territorin e Kosovës.

    “Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

  • Ndahet nga jeta gazetari dhe pronari i agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, Faton Osmani

    Ndahet nga jeta gazetari dhe pronari i agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, Faton Osmani

    Pronari i Agjencisë së Lajmeve Ekonomia Online, Faton Osmani, është ndarë nga jeta sot, në moshën 49-vjeçare.

    Lajmin e ka bërë të ditur EO përmes një njoftimi.

    “Faton Osmani do të mbahet mend për përkushtimin e tij ndaj gazetarisë së pavarur dhe për rolin e tij në zhvillimin e medias në vend.

    Para se të themelonte Agjencinë e Lajmeve “Ekonomia Online”, Osmani ka punuar në disa media vendore dhe ndërkombëtare të shkruara, si dhe televizione ku me punën e tij ka lënë gjurmë në zhvillimin e një gazetarie profesionale.

    Ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të tij në këtë moment të vështirë.“

  • Policia në kërkim të një personi, dyshohet për një incident të zjarrvënies

    Policia në kërkim të një personi, dyshohet për një incident të zjarrvënies

    Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim një person, i cili dyshohet se është përfshirë në një rast të zjarrvënies, që dyshohet se ka ndodhur në Fushë Kosovë.

    Njësiti i Hetimeve të Fushë Kosovës, me autorizim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, po kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e vendndodhjes së personit, i identifikuar si Florent Bunjaku.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin vendodhjes së tij kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose [email protected].” – thuhet në njoftim.

  • Sylejman Selimi vazhdon dëshminë në Speciale

    Sylejman Selimi vazhdon dëshminë në Speciale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit po vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Edhe sot po vazhdon dëshminë ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, i cili është dëshmitari i 121 i Prokurorisë speciale.

    Selimi është thirrur për të dëshmuar nga ZPS-ja, ndërsa është caktuar një avokat për të ndihmuar dëshmitarin, duke siguruar se ai mund të kërkojë udhëzime në lidhje me aspekte të vetinkriminimit të mundshëm.

    Në përgjigje ndaj kërkesës së dëshmitarit, Trupi Gjykues, në përputhje me rregullën 151, e siguroi dëshmitarin se dëshmia e tij nuk do të përdorej kundër tij në ndjekje penale të mëvonshme para Dhomave të Specializuara.

    I pyetur nga Trupi Gjykues, Selimi bëri të ditur se dëshiron që dëshmia të kryhet në seancë të hapur.

  • Osmani në Samitin për inteligjencë artificiale: Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim

    Osmani në Samitin për inteligjencë artificiale: Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin ndërkombëtar për veprim mbi inteligjencën artificiale.

    Ajo ishte e ftuar në darkën e organizuar nga ana e presidentit të Francës, Emanuel Macron. Pos Osmanit në këtë evet kanë qenë edhe drejtues e liderë tjerë.

    Lidhur me këtë Osmani është shprehur se momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim.

    ‘’Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim. Së bashku me Presidentin Macron, Zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, Kryeministrin indian Narendra Modi, atë kanadez Justin Trudeau, e shumë liderë të tjerë botëror, si dhe liderë të disa prej kompanive më të mëdha botërore si Google, Open AI, Alibaba, etj, kishim mundësi të diskutojmë tema të rëndësishme në interes të qytetarëve që përfaqësojmë’’, është shprehur Osmani.

  • Osmani në Paris me ftesë të Macronit, merr pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale

    Osmani në Paris me ftesë të Macronit, merr pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka udhëtuar dje drejt Parisit me ftesë të homologut të saj francez, Emmanuel Macron.

    Gjatë qëndrimit në Francë, Osmani do të marrë pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale, përkrah Macronit, zëvendëspresidentit të ShBA-ve, JD Vance, kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, si dhe liderëve të tjerë botërorë.

    Osmani poashtu do të jetë e pranishme në darkën zyrtare në Pallatin Élysée, në pritjen zyrtare të organizuar nga delegacioni amerikan, si dhe në seancën plenare të bashkëkryesuar nga presidenti Macron dhe kryeministri Modi.

  • ​Sot fillon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

    ​Sot fillon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

    Sot në Qendrat Komunale të Numërimit do të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

    Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së tha se gjatë këtij procesi, ashtu siç parashihet edhe me rregulloren zgjedhore të KQZ-së do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.

    “Pas përfundimit të këtyre procedurave, numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe aspekteve tjera që parashihen me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë”, tha Elezi.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka numëruar 99.17 qind për qind të votave nga 2,512 qendra votimi nga gjithsej 2.533, deri në orën 19:10, sipas të cilave vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje me 40.83 për qind ose 339 mijë 350 vota.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.15 për qind ose 184 mijë e 40 vota, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me 17.59 për qind ose 146 mijë 241 vota.

    AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal renditet subjekti i katërt me 7.47 për qind ose 62 mijë e 66 vota.

  • PDK-ja e AAK-ja refuzojnë koalicionin me LVV-në, LDK-ja ende pa qëndrim: A po futet Kosova në pasiguri pasgjedhore?

    PDK-ja e AAK-ja refuzojnë koalicionin me LVV-në, LDK-ja ende pa qëndrim: A po futet Kosova në pasiguri pasgjedhore?

    Dy parti opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e hodhën poshtë mundësinë e lidhjes së ndonjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Bedri Hamza, i cili ishte kandidat i PDK-së për kryeministër, tha se kjo parti nuk do të hyjë në asnjë koalicion që përfshin partinë e kryeministrit Albin Kurti.

    “Kemi dallime të mëdha”, tha Hamza në një konferencë për gazetarët, të hënën në Prishtinë.

    “Ata [Vetëvendosje] duan pushtet absolut dhe nuk kanë program. Gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi edhe në debate televizive. I ofenduan kundërshtarët politikë dhe qytetarët. Nxitën urrejtje, kurse ne bashkim dhe bashkëpunim”, shtoi Hamza.

    Me mbi 99 për qind të votave të numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me rreth 41 për qind, PDK-ja me mbi 22%, LDK-ja me mbi  17% dhe AAK-Nisma me mbi 7.5 %.

    Por, për të pasur shumicën në Kuvend, një partie i duhen së paku 61 deputetë nga 120 sa ka ky institucion gjithsej.

    Dje, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e përjashtoi mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se preferon krijimin e një qeverie nga partitë opozitare.

    “Me kënaqësi do të kishim bashkëpunuar me subjektet politike opozitare shqiptare, për të krijuar shumicën që realisht është e mundur”, tha Haradinaj, kandidat i AAK-së për kryeministër, në një konferencë për gazetarë.

    “Është në nderin tim që ta ndihmoj një qeveri të opozitës – assesi me Vetëvendosjen”, theksoi ai.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se LDK-ja pret numërimin e plotë të votave përpara se të dalë me qëndrimet e saj politike.

    “Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura, sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK-ja do t’i ofrojë qëndrimet e veta politike”, tha Abdixhiku.

    Ai nuk e komentoi thirrjen e Haradinajt për një qeveri të opozitës. Ngjashëm edhe zyrtarë të PDK-së, që folën për REL-in, thanë se nuk e kanë komentuar idenë e tij në parti.

    Duke iu drejtuar mbështetësve një natë më herët, Kurti, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2021, tha se partia e tij do të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm, por pa dhënë detaje se si apo në aleancë me kë.

    Përkundër fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje pësoi humbje të mbështetjes për gati 10%, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

    Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kurti nuk është shumë i interesuar për ta bërë qeverinë e re.

    “Kurti ka qenë i interesuar për ta ruajtur rezultatin që ka pasur, por me më shumë se 100 mijë vota të humbura, vështirë se do t’i qaset bërjes së qeverisë. Unë mendoj se edhe opozita nuk ka unitet për ta bërë qeverinë”, thotë Paçarizi

    Ai shton se vendi, “fatkeqësisht, mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, përmes disa akrobacioneve kushtetuese dhe ligjore, duke e vonuar deri në maksimum konstituimin e Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve”.

    Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ishin të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

    Pjesëmarrja e qytetarëve në to ishte pak mbi 40 për qind.

    Bashkimi Evropian e mirëpriti organizimin e zgjedhjeve në, siç tha, atmosferë të qetë./Radion Evropa e Lirë