ATV

Author: G.O.

  • Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin “Kobra City”

    Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin “Kobra City”

    Në seancën gjyqësore ndaj Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit lidhur me akuzat për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren janë dëgjuar dy dëshmitarë, Liridon Ajazi dhe Brendon Kurtaj.

    Liridon Ajazi gjatë dhënies së dëshmisë së tij tha se asgjë nuk i kujtohet sepse ka qenë shumë i dehur, por ai tha se të akuzuarit i njeh sepse janë të një fshati.

    Prokurorja e rastit Merita Bina Rugova e ballafaqoi me disa pjesë të deklaratës së tij dhënë në Polici dëshmitarin Liridon Ajazi, raporton KP.

    Ajo tutje e pyeti dëshmitarin se a ka dëgjuar të shtëna, ndërsa, dëshmitari Ajazi tha se ka dëgjuar krisma por “nuk e di sa”.

    Sipas tij, në natën e 3 janarit 2023 ka ndodhur një tollovi në lokal dhe ai ka shkuar në afërsi të banjos.

    I pyetur nga avokati i Dibran Hoxhës, Florent Latifaj se kur e ka parë klientin e tij atë natë, dëshmitari Latifi tha se në lokal Dibran Hoxhën e ka parë në momentin kur ka arritur Policia.

    Se ndodhej në lokalin “Kobra City” në natën kritike deklaroi edhe dëshmitari tjetër, Brendon Kurtaj.

    Edhe ai tha se ka qenë në lokal dhe ka qenë po ashtu shumë i dehur.

    Gjatë seancës, trupi gjykues dha njoftimin se Policia nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës për Hasime Idrizin dhe nuk e kanë gjetur në adresën e dhënë, madje u tha se nuk e njohin as banorët e rrethinës.

    Derisa prokurorja Merita Rugova kërkoi të lexohet deklarata e kësaj dëshmitareje me këtë kërkesë u pajtua edhe mbrojtja e palës së dëmtuar.

    Ndërsa, avokati i Dibran Hoxhës, Florent Latifaj kërkoi që fillimisht të bëhen më shumë përpjekje të sigurohet dëshmitarja.

    Më pas trupi gjykues mori vendim që të mos të lexohet në seancën e sotme dëshmia e dëshmitares Hasime Idrizi dhe se “do të urdhërojë verifikim të adresës”.

    Data e radhës për seanca u caktuan më 2 dhe 4 prill, si dhe 15 prill nga ora 09:30.

  • Shefi i zyrës së BE-së shkon në QKN, vëzhgon nga afër procesin e numërimit

    Shefi i zyrës së BE-së shkon në QKN, vëzhgon nga afër procesin e numërimit

    Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka vizituar Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, konkretisht sallën “1 Tetori”, për të parë nga afër procesin e numërimit të votave.

    Këtë e ka bërë të ditur vetë Orav nëpërmjet një postimi në “X” ku ka postuar fotografi nga kjo qendër.

    “Sot kam vizituar Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku është duke vazhduar procesi i numërimit”, ka shkruar shefi i BE-së në Kosovë.

  • Makina përplas turmën e njerëzve në Mynih të Gjermanisë, raportohet për disa të plagosur

    Makina përplas turmën e njerëzve në Mynih të Gjermanisë, raportohet për disa të plagosur

    Një makinë ka përplasur një turmë  njerëzish në Mynih të Gjermanisë, duke lënë të plagosur shumë persona.

    Mediat atje raportojnë se të paktën 15 persona kanë mbetur të plagosur.

    Një zëdhënës i policisë lokale tha: “Aktualisht është një operacion i madh policor në zonën e Dachauer Straße. Jemi në vend.”

    Incidenti ndodhi në një tubim të organizuar nga sindikata gjermane Verdi.

    Detaje të tjera nuk dihen ende. Sipas një dëshmitari okular makina është përplasur qëllimisht në grupin e njerëzve.

  • Sylejman Selimi: Adem Jashari ka qenë kryesori, s’ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm

    Sylejman Selimi: Adem Jashari ka qenë kryesori, s’ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Sylejman Selimi tha se Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK dhe se ai nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.

    “Nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm, por ka dhënë urdhra ose u konsultu me Shtabin e Përgjithshëm me njerëzit që i ka njohur”, tha fillimisht dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sylejman Selimi shpjegoi se Adem Jashari ka pasur lidhje me Shtabin e Përgjithshëm e po ashtu edhe me persona të tjerë nëpër vende të ndryshme.

    “Ai vazhdimisht e ka pas lidhjen me Shtabin e Përgjithshëm. Shtabi i Përgjithshëm gjithmonë ka kontaktuar me të. Ademi ka qenë figura kryesore e ushtrisë…Normal në këtë kohë ka pasur edhe nëpër vende të ndryshme si Dukagjini edhe Llap por nuk kam mujtë me i njoftë tanë në këtë periudhë. Anëtarët e shtabit i kanë pasur të gjithë anëtarët e vetë në të gjitha zonat”, tha dëshmitari.

    Gjyqtari i tha dëshmitarit se javën e kaluar ka thënë për ZPS-në se Adem Jashari ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm. Madje, dëshmitarit iu prezantua edhe një deklaratë që e kishte dhënë lidhur me këtë çështje për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

    “Çdo gjë që është bërë është bërë me plan të Shtabit të Përgjithshëm… Njëkohësisht edhe në zonat tjera kanë vepruar me të njëjtin plan nga Shtabin e Përgjithshëm. Çdo gjë ka qenë e organizuar nga Shtabi i Përgjithshëm”, kishte thënë dëshmitari për TPNJ-në.

    Si rrjedhojë, dëshmitari deklaroi se ai e ka shpjegua se si ka shkua procesi, por sipas tij Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK.

    “Unë e kam spjegu si ka shku, por Adem Jashari ka qenë kryesor, organizimin nëpër…”, tha dëshmitari para se t’iu ndërpritet fjala nga gjyqtari.

    “Jo jo, dëshmitar nuk po iu pyes këtë. Ju e dëgjua vetë tani se kur thatë se kush i jepte urdhra kujt”, tha gjyqtari Mettraux.

    Megjithatë, dëshmitari insistoi në qëndrimin e tij se Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK.

    “Unë çdo herë mund të them që kryesor në UÇK ka qenë Adem Jashari. Unë e kam spjegu se si unë kam mëndu dhe si u organizu Shtabi i Përgjithshëm nga mendimi jem, por duke e ditë që unë nuk kam qenë anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm unë i kam jep ato mendimet e mija”, tha dëshmitari.

    Sylejman Selimi tha se pa Adem Jasharin nuk do të kishte UÇK.

    Nuk besoj që kam thanë që Adem Jashari ka marrë urdhra. Adem Jashari s’ka marrë urdhra por ka jep urdhra. Adem Jashari ka qenë komandant  kryesor. Pa Adem Jasharin s’kishte me pas as UÇK.

    Gjatë kohës sa ka qenë komandant i përgjithshëm i UÇK-së, dëshmitari mohoi se i ka raportuar dikujt. Ndërsa tha se nuk ka pasur personel në Shtabin e Përgjithshëm.

    “Kurrfarë personeli s’ka pas në sh të p kur kam shku. Kanë qenë këta individ por kur jam kthy kam qenë me njerëzit e mi prapë”, tha ai.

    Ndërsa, kur u pyet se a u takua me ndonjërin prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së sa ka qenë komandant, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

    “Përveç se me Bislim Zyrapin nuk e di që kam pasur kontakte”, tha ai.

    “Sa me kujtohet s’kam pas kontakte”, tha dëshmitari kur u pyet se a ka pasur ndonjë kontakt me drejtorin e sektorit të Policisë ushtarake, ose me atë të Zbulim-kundërzbulimit.

    Ai mohoi se i kujtohet që ka lëshuar ndonjë komunikatë si komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

    Gjithashtu ai u përgjigj me ‘e saktë’ që nuk i ka raportuar asnjëherë Qeverisë së Përkohshme të Kosovës sa ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

    Sylejman Selimit thotë se katër të akuzuarit kanë pasur kontakte me Adem Jasharin

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 121 i ZPS-së, Sylejman Selimi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ngjashëm si ditëve tjera të dëshmisë së tij, dëshmitari përfaqësohet nga avokati Artan Qerkini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux dëshmitari tha se nuk i din kontaktet direkte të Adem Jasharit por që ai ka komunikuar me personat rreth tij dhe me grupe të ndryshëm të UÇK-së.

    “Kontaktet direkte të tij nuk i di më kë i ka pas por ka pasur me shumë njerëz dhe shumë grupe se ka qenë i pari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha dëshmitari.

    Serish dëshmitari u pyet se a ka pasur dijeni që përpara luftës Adem Jashari ka pasur kontakte me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm.

    “Prapë po them të njëjtën gjë edhe tash edhe atëherë kur kam deklaru. Adem Jashari ka pasur kontakte me të gjithë. Unë nuk kam ditur ku ka qenë Shtabi dhe a ka ekzistu në atë kohë por ai ka pasur kontakte edhe me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm edhe me njerëz të tjerë.

    Dëshmitari pohoi se katër të akuzuarit kanë pasur kontakte me Adem Jasharin përpara periudhës së luftës.

    Kryegjyqtari njoftoi se të hënën me 17 shkurt do të jetë pushim. Veç kësaj, ai njoftoi për procesverbal se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/

  • Pjetër Shalës i zgjatet afati për ta dorëzuar dosjen e apelimit të urdhrit për zhdëmtim

    Pjetër Shalës i zgjatet afati për ta dorëzuar dosjen e apelimit të urdhrit për zhdëmtim

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që për mbrojtjen e Pjetër Shalës të zgjatet afati për dorëzimin e dosjes së apelit ndaj urdhrit për zhdëmtim të viktimave, i cili obligon të pandehurin që t’i paguaj 208 mijë euro dëmshpërblim.

    Njoftimi për apel, mbrojtja e Shalës e kishte dorëzuar më 28 janar andaj afati i fundit ishte që dosjen ta dorëzonte me së largu deri më 28 shkurt. Por, ky afat është shtyrë deri më 14 mars 2025.

    Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro.

    Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndryshe, në kërkesën e dorëzuar më 28 janar 2025, thuhet se Paneli i gjyqtarëve ka gabuar duke e mbajtur përgjegjës Shalën për dëmin që nuk është shkaktuar nga veprimet ose mosveprime e tij.

    Ndërsa, në pikën dy, Shala nëpërmjet mbrojtjes së tij, të kryesuar nga Jean-Louis Gilissen pretendon se paneli ka gabuar në përcaktimin e dëmshpërblimit, duke u bazuar në supozime për dëmet që viktimat mund të kenë pësuar, pa vlerësuar nëse këto mund të lidhen me veprimet e të pandehurit.

    Në pikën tre, Shala pretendon se Paneli ka gabuar duke dhënë shpërblime kompensimi pa kërkuar prova të mjaftueshme për dëmet e pësuara. Si rrjedhojë, Shala pretendon se Paneli i gjyqtarëve ka supozuar kostot e trajtimeve mjekësore dhe humbjet financiare pa kërkuar të dhëna konkrete që të vërtetojnë këto humbje.

    Kësisoj, Shala thotë se Paneli ka vepruar arbitrarisht, duke mos kërkuar vërtetimin e dëmeve dhe ka kundërshtuar jurisprudencën e njohur të GJEDNJ-së, që kërkon dëshmi të qarta për dëmet për të marrë kompensim.

    Në pikën katër, Shala pretendon se Paneli ka gabuar duke caktuar një shpërblim joproporcional me gjetjet lidhur me rolin e tij në krimet për të cilat u dënua, duke shtuar faktin se ai është dënuar për pjesëmarrjen në ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

    Si rrjedhojë, mbrojtja pretendon se nuk është marrë në konsideratë aspekti financiar i Shalës si dhe ai është urdhëruar të paguajë dëmshpërblim të lartë.

    Në pikën e pestë, mbrojtja e Shalës thotë se paneli ka gabuar duke vendosur përgjegjësi civile ndaj të pandehurit para se të përfundojë apelimi ndaj dënimit me burgim.

    Mbrojtja pretendon që nëse dënimi ndaj Shalës ndryshohet në Apel, atëherë urdhri për dëmshpërblim duhet të rishikohet dhe shumat financiare të përcaktuara duhet të rregullohen.

    Si rrjedhojë, ata pretendojnë se duke pasur parasysh se dënimi nuk është ende përfundimtar dhe po shqyrtohet në Apel, është e drejtë që procesi për zhdëmtimin të ndërpritet derisa të përfundojë shqyrtimi i apelimit për dënimin.

    Sipas tyre, kjo do të sigurojë që të drejtat e Shalës për një proces të drejtë të respektohen.

    Ndryshe, më 29 nëntor 2024, Pjetër Shala u urdhërua që të paguaj 208 mijë euro për viktimat si zhdëmtim.

    Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim  ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.

    Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi/

  • E shoqëruar nga prindi i saj, një vajzë raportoi se nga fundi i muajit janar është dhunuar nga një person në Ferizaj – arrestohet i dyshuari

    E shoqëruar nga prindi i saj, një vajzë raportoi se nga fundi i muajit janar është dhunuar nga një person në Ferizaj – arrestohet i dyshuari

    Një vajzë e shoqëruar nga prindi ka raportuar se nga fundi i muajit janar është dhunuar nga një person.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën në Ferizaj.

    Tutje thuhet se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Më 12.05.2025 viktima femër kosovare, e shoqëruar nga prindi, ka raportuar se nga fundi i muajit janar, është dhunuar nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Aleatët e NATO-s ngulin këmbë se Ukraina dhe Evropa duhet të përfshihen në bisedime me Rusinë

    Aleatët e NATO-s ngulin këmbë se Ukraina dhe Evropa duhet të përfshihen në bisedime me Rusinë

    Disa vende aleate të NATO-s kanë theksuar të enjten se Ukraina dhe Evropa nuk duhet të përjashtohen nga bisedimet për paqe, pasi administrata e presidentit amerikan Donald Trump sinjalizoi se synon fillimin e bisedimeve ballë për ballë me Rusinë, pa përfshirë ato.

    “Të mos harrojmë, Rusia mbetet kërcënim edhe [për vendet] shumë përtej Ukrainës”, tha sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, John Healey, pasi SHBA-ja tronditi NATO-n duke thënë se Ukraina nuk duhet t’i bashkohet aleancës ushtarake dhe se aleatët evropianë duhet ta marrin përsipër ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën në të ardhmen.

    “Nuk mund të ketë bisedime për Ukrainën pa Ukrainën. Zëri i Ukrainës duhet të dëgjohet në çfarëdo bisedimesh”, tha Healey për gazetarë në selinë e NATO-s.

    Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha: “Për mua është e qartë…. Evropa duhet të përfshihet në bisedime dhe mendoj se kjo mund të kuptohet lehtësisht”.

    Ministrat e 32 vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur për bisedime për Ukrainën në Munih.

    Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson, tha se vendet evropiane siguruan rreth 60% të mbështetjes ushtarake për Ukrainën vitin e kaluar dhe duhet të jenë të përfshira, veçanërisht duke pasur parasysh kërkesat e SHBA-së që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e Ukrainës në të ardhmen.

    “Është shumë e natyrshme që ne të angazhohemi në këto diskutime”, tha Jonson.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se pavarësisht se çfarë marrëveshje arrihet mes Rusisë dhe Ukrainës, është jetike që “marrëveshja e paqes të jetë e qëndrueshme, që Putini ta kuptojë që ky është fundi, që ai të mos tentojë kurrë më ta kapë asnjë Ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, theksoi se Bashkimi Evropian ka udhëhequr vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, ka investuar shumë në mbrojtjen e Ukrainës dhe do t’i kërkohet të mbulojë faturën për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.

    “Ne duhet të jemi aty. Pra, nuk ka asnjë dyshim për këtë. Përndryshe, kjo paqe nuk do të zgjasë”, paralajmëroi Pevkur.

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u tha mbështetësve perëndimorë të Ukrainës të mërkurën se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është i mundur. Ai gjithashtu tha se Kievi duhet të heqë dorë nga shpresat për ta rimarrë të gjithë territorin e tij nga Rusia dhe në vend të kësaj të përgatitet për një marrëveshje të negociuar për paqe, e cila do të mbështetej nga trupa ndërkombëtare.

    Pasi bisedoi me Putinin dhe më pas me Zelenskyn, Trump tha të mërkurën se ai “ndoshta” do të takohet personalisht së shpejti me liderin rus dhe sugjeroi se takimi mund të ndodhë në Arabinë Saudite.

  • Problemet që u shfaqën me rezultatet preliminare, kryetari i KQZ-së e njoftoi Osmanin se janë në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë

    Problemet që u shfaqën me rezultatet preliminare, kryetari i KQZ-së e njoftoi Osmanin se janë në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

    Presidenca njofton se tema kryesore e këtij takimi ishte mbarëvajtja e procesit zgjedhor, me ç’rast presidentja ripotencoi rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi, transmeton Telegrafi.

    “Lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve, Radoniqi sqaroi se KQZ-ja, menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme. Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem”, bëhet e ditur në njoftim.

    Njëkohësisht, presidentja Osmani është njoftuar nga Radoniqi se KQZ-ja, është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve. Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit.

    “Që nga dita e zgjedhjeve, Presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik”, vijon njoftimi.

    Në takim, Presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve.

    Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 9 shkurt, ku sipas rezultateve preliminare, LVV ka dalë e para, PDK e dyta dhe LVV e treta./Telegrafi/

  • Antidroga me aksion në Ferizaj, kap 19 paketime me narkotikë dhe arreston dy persona

    Antidroga me aksion në Ferizaj, kap 19 paketime me narkotikë dhe arreston dy persona

    Në vazhdën e aksioneve të Drejtorisë për Hetimin Kundër Narkotikëve, është kryer dje një aksion tjetër në Ferizaj, që rezultoi me arrestimin e dy personave të dyshuar për posedim të drogës, raporton Gazeta Sinjali.

    Në këtë aksion janë kapur 19 paketime me sasi të ndryshme të kokainës dhe marihuanës.

    Për rastin janë arrestuar dy persona, ndërsa janë kryer edhe bastisje në lokacione që lidhen me të dyshuarit.

    Policia ka sekuestruar drogën si dhe një shumë të parave prej qindra eurosh, veturën e të dyshuarve, si dhe dy telefona.

    Me udhëzim të Prokurorit është hapur procedura penale për: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Dy të dyshuarit me vendim të Prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • KQZ: Po vazhdon numërimi në 19 komuna

    KQZ: Po vazhdon numërimi në 19 komuna

    Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se po vazhdon procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Hani i Elezit.

    KQZ tutje njofton se procesi i numërimit ka filluar edhe në Qendrën komunale të numërimit në Ferizaj.

    “Në orën 08:00 ka vazhduar procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Hani i Elezit.

    Gjithashtu, procesin e numërimit e ka filluar edhe Qendra Komunale e Numërimit në Ferizaj, ndërkaq për qendrat tjera të cilat do të fillojnë procesin e numërimit do të njoftojmë së shpejti”, thekson KQZ.

    Ndryshe, referuar ueb-faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) deri më tani janë përpunuar 99.72% e votave nga 2.526 qendra votimi nga gjithsej 2.533.

    Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë me 40.86% të votave, që përbën 341,562 vota.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK): E dyta me 22.05% ose 184,238 vota.

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): E treta me 17.64% ose 147,777 vota.

    AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal: E katërta me 7.46% ose 62,278 vota.

    Lista Serbe: E pesta me 4.53% ose 37,843 vota.

    Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës, të cilat janë ende në proces numërimi.  /Telegrafi/