ATV

Author: G.O.

  • Kurti në Mynih: Marrëveshja e Brukselit po shkelet nga Serbia, duhet ta bëjnë dorëzimin e kryeterroristit Radojiçiq

    Kurti në Mynih: Marrëveshja e Brukselit po shkelet nga Serbia, duhet ta bëjnë dorëzimin e kryeterroristit Radojiçiq

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, takoi Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.

    Në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti uroi Sørensen për pozitën dhe përgjegjësitë e reja.

    Zyra e kryeministrit njofton se Kurti ” veçoi progresin e Kosovës në katër vitet e fundit, me theks te rritja ekonomike mesatare prej 6%, raporti i fundit i BE-së për vendin, që evidenton progres në 36 nga 38 fushat e vlerësimit dhe asnjë fushë me regres, pastaj rishpërndarja sociale, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi i të drejtave politike e lirive civile”.

    Ai tha se Kosova është shembull se si zhvillimi dhe demokracia shkojnë krah për krah.

    “Sa i përket raporteve me Serbinë, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj. Në të njëjtën kohë, ai tha se kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja”, thuhet në komunikatë.

    Tutje, theksohet se për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës.

    Kryeministri Kurti tha se është absurde që Presidenti i Serbisë ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, por nuk e dorëzon Radoiçiqin./Telegrafi/

  • Gjatë 2024-tës, çmimet e prodhimeve bujqësore u rriten rreth 50 për qind

    Gjatë 2024-tës, çmimet e prodhimeve bujqësore u rriten rreth 50 për qind

    Në vitin 2024, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore kishte rritje për 46,9 për qind, krahasuar me vitin 2020. Ndërkaq, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale kishte rritje për 46,5 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në publikimin e saj bënë të ditur se indeksi vjetor i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore kishte rritje për 46,8 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020.

    Më tej në raport thuhet se në vitin 2024, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore kishte rënie për 4,6 për qind, krahasuar me vitin 2023. Ndërkaq, indeksi i çmimeve prodhimeve blegtorale kishte rritje për 5,7 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023.

    Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore kishte rënie për 0,9 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023.

    “Në vitin 2024, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore kishte rritje për 46,9%, krahasuar me vitin 2020. Ndërkaq, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale kishte rritje për 46,5% në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020. Kurse, indeksi vjetor i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore kishte rritje për 46,8% në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020”, thuhet në raportin e ASK-së.

  • Ambasada e Kosovës në Austri me një njoftim të rëndësishëm për konvertimin e patentë shoferëve

    Ambasada e Kosovës në Austri me një njoftim të rëndësishëm për konvertimin e patentë shoferëve

    Ambasada e Kosovës në Austri, ka njoftuar se nga data 1 mars, do të hyjë në fuqi ndryshimi i rregullores zbatuese të Ligjit të Patentës së Shoferëve në Austri, i cili lehtëson procedurën e konvertimit të patentës së shoferit për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.

    Kështu bëhet e ditur në njoftimin e ambasadës së Kosovës në Austri.

    “Të nderuar bashkatdhetarë, sapo jemi njoftuar zyrtarisht se nga data 1 Mars 2025, hyn në fuqi ndryshimi i rregullores zbatuese të Ligjit të Patentës së Shoferëve në Austri, i cili lehtëson procedurën e konvertimit të patentës së shoferit për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë një patentë shoferi të vlefshme të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës NUK kanë më nevojë të japin provim praktik për konvertimin e saj në një patentë austriake”, thuhet në njoftim.

    Tutje, theksohet se ky lehtësim vlen për të gjitha kategoritë e patentave të shoferit të lëshuara në Republikën e Kosovës.

  • Prishtinë, më 17 shkurt do të parakalojnë FSK-ja dhe Policia e Kosovës

    Prishtinë, më 17 shkurt do të parakalojnë FSK-ja dhe Policia e Kosovës

    Me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me datë 17 shkurt, në ora 12:00, do të zhvillohet parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në sheshin “George Bush” në Prishtinë.

    Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se qytetarët dhe përfaqësuesit e mediave janë të ftuar të ndjekin manifestimin qendror, dedikuar përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, që mbahet nën patronatin e Presidentes dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

    “Kjo ngjarje do të shërbejë si një nderim për të arriturat e vendit tonë dhe një mundësi për të gjithë qytetarët që të bashkohen në një atmosferë feste, për të shfaqur krenarinë kombëtare dhe për të kujtuar sakrificat e shumta në rrugën drejt lirisë e pavarësisë”, thuhet në njoftim.

  • Presidentja Osmani takon përfaqësuesin e ri të BE-së për dialog: Do të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë

    Presidentja Osmani takon përfaqësuesin e ri të BE-së për dialog: Do të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani po vazhdon takimet me liderë të botërorë në kuadër të konferencës së sigurisë në Mynih, ndërsa sot ka takuar edhe përfaqësuesin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Osmani në një postim në Facebook shkruan se në takimin tim të parë me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen, diskutuan mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.

    “Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, shkruan Osmani.

    Presidentja gjatë ditës në Mynih ka takuar edhe anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, shkruan Telegrafi.

    “Në Mynih, u takuam me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq. Diskutuam për situatën e sigurisë në rajon, thellimin e bashkëpunimit tonë për të ardhmen euro-atlantike të shteteve tona dhe rëndësinë që Kosova dhe Bosnje e Hercegovina të përparojnë tutje në këtë rrugëtim”, tha e para e shtetit të Kosovës.

  • BE-ja thotë se do të kundërpërgjigjet “ashpër” kundër rritjes së tarifave reciproke të SHBA-së

    BE-ja thotë se do të kundërpërgjigjet “ashpër” kundër rritjes së tarifave reciproke të SHBA-së

    Komisioni Evropian ka thënë të premten se e vlerëson si të paarsyeshëm propozimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për tregti reciproke dhe theksoi se do të reagojë “ashpër dhe menjëherë” nëse ka rritje të tarifave.

    Komisioni, i cili bashkërendon politikën tregtare për të gjitha 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, e përshkroi propozimin e Trumpit si hap në drejtimin e gabuar.

    “Tarifat e BE-së janë ndër më të ulëtat në botë dhe ajo nuk sheh asnjë arsye për rritjen e tarifave amerikane ndaj eksporteve të saj”, tha Komisioni Evropian në një komunikatë.

    Dega ekzekutive e BE-së tha se tarifa mesatare e aplikuar nga Bashkimi Evropian për mallrat e importuara është ndër më të ulëtat globalisht, dhe se mbi 70 për qind e importeve hyjnë pa tarifa doganore në vendet e bllokut, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Një njoftim nga Shtëpia e Bardhë të enjten vuri në pah ndryshimin midis tarifave të BE-së për importet e makinave, që është 10 për qind, krahasuar me tarifën prej 2.5 për qind për ato që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, si dhe kufizimet e BE-së mbi importet e frutave të detit nga SHBA-ja.

    “BE-ja do të reagojë në mënyrë të vendosur dhe të menjëhershme kundër pengesave të paarsyeshme ndaj tregtisë së lirë dhe të ndershme, përfshirë kur tarifat përdoren për t’i sfiduar politikat legjitime dhe jodiskriminuese”, thuhet në komunikatë.

    Kjo deklaratë pasqyron zotimin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha të martën se do të vendoseshin “kundërmasa proporcionale” ndaj vendimit të Trump për të vendosur tarifa mbi të gjitha importet e çelikut dhe aluminit.

    Ministrat e BE-së, të ngarkuar me tregtinë, mbajtën qëndrim më të butë të mërkurën, pasi folën për negociata në vend të masave hakmarrëse, duke qenë të vetëdijshëm se tarifat amerikane për çelikun dhe aluminin do të hyjnë në fuqi nga 12 marsi.

    “Ka vend për negociata”, tha ministri i Jashtëm irlandez, Simon Harris, në një komunikatë.

    Urdhri i Trumpit të enjten nuk ishte për vendosjen e tarifave të reja menjëherë, por nisjen e shqyrtimit të tarifave të vendosura ndaj mallrave amerikane nga partnerët e tjerë tregtarë para se të merret vendim për t’u përgjigjur. Kjo mund të zgjasë me javë apo muaj.

    Tre diplomatë të BE-së thanë se ka kuptim të shfrytëzohet kjo kohë për negociata, derisa vazhdojnë përgatitjet për një përgjigje të fuqishme nëse SHBA-ja vendos tarifa./REL

  • ​Mburoja e reaktorit të Çernobilit goditet nga një dron rus

    ​Mburoja e reaktorit të Çernobilit goditet nga një dron rus

    Gjatë natës një sulm me dron rus ka goditur mbrojtësen e rrezatimit mbi reaktorin e dëmtuar në centralin bërthamor të Çernobilit, ka deklaruar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Sulmi goditi mbulesën e njësisë së katërt të shkatërruar të centralit, duke shkaktuar një zjarr që më pas u shua, shtoi ai, derisa nuk u raportua për ndonjë viktimë.

    Që nga mëngjesi i së premtes, nivelet e rrezatimit nuk kishin shënuar rritje në central, sipas Zelensky.

    Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se ekipet dhe automjetet e sigurisë kundër zjarrit reaguan brenda pak minutash pas shpërthimit.

    IAEA, e cila monitoron sigurinë bërthamore në mbarë botën, konfirmoi se nivelet e rrezatimit brenda dhe jashtë Çernobilit mbeten normale dhe të qëndrueshme.

    Agjencia mbetet në “gatishmëri të lartë” pas incidentit, me drejtorin e saj të përgjithshëm, Rafael Mariano Grossi, që theksoi se “nuk ka vend për vetëkënaqësi”.

    Zelensky postoi pamje në X që duket se tregojnë dëmtime në mburojën gjigante prej betoni dhe çeliku, e cila mbulon mbetjet e reaktorit që humbi çatinë në shpërthim, shkruan BBC News.

    Kjo mburojë është projektuar për të parandaluar rrjedhje të mëtejshme të materialeve radioaktive për shekullin e ardhshëm.

  • Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarve babë e bir për vrasjen në Skenderaj

    Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarve babë e bir për vrasjen në Skenderaj

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurit H.I., dhe B.I, të dyshuar për vrasjen e 42-vjeçarit gjatë së mërkurës në Skenderaj.

    Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“.

    Të pandehurit, me aktvendim të prokurorit të shtetit gjenden në ndalim nga data 12 shkurt 2025.

    Policia ka bërë me dije se të dyshuarit për këtë vrasje janë babë e bir.

  • Sorensen diskuton në Paris e Berlin për avancimin e dialogut Kosovë – Serbi

    Sorensen diskuton në Paris e Berlin për avancimin e dialogut Kosovë – Serbi

    I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se në dy ditët e kaluara ka qëndruar në Paris dhe Berlin, ku ka diskutuar për vazhdimin e dialogut.

    “Kam kaluar dy ditët e fundit në Paris dhe Berlin. Kemi pasur biseda shumë të mira dhe kuptimplota se si të ecim përpara në dialog”, ka shkruar Sorensen në rrjetin social “X”.

    Ai shtoi se është mirënjohës për mbështetjen e plotë të dhënë në përpjekjet e tij në këtë drejtim.

  • Konferenca e Sigurisë në Mynih, marrin pjesë presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti

    Konferenca e Sigurisë në Mynih, marrin pjesë presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti

    Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih (MSC) do të mbahet nga sot deri më 16, në Mynih të Gjermanisë.

    Përveç Presidentes Vjosa Osmani, në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Sot, programi kryesor i konferencës do të fillojë me një fokus në sfidat e sigurisë globale, duke përfshirë qeverisjen globale, rezistencën demokratike, sigurinë klimatike dhe shumë tema të tjera.