ATV

Author: G.O.

  • Plagoset një person nga arma e zjarrit në Prishtinë, policia po punon për zbardhjen e rastit

    Plagoset një person nga arma e zjarrit në Prishtinë, policia po punon për zbardhjen e rastit

    Plagoset një person nga arma e zjarrit sot rreth orës 00:15 në rrugën “Shkupi”, në Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

    Sipas tij, i plagosuri është dërguar menjëherë në QKUK për trajtim mjekësor.

    “Rreth orës 00:15, është raportuar për shkrepje të armës së zjarrit në rrugën ‘Shkupi’ në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se një person është plagosur nga arma e zjarrit dhe se i njëjti është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Borovci.

    Tutje ai tha se aktualisht policia ka identifikuar një të dyshuar të përfshirë në rastin në fjalë, ndërkaq po vazhdon punën e saj operativo-hetimore si dhe të ekzaminimit të vendngjarjes me qëllim të sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, si dhe lokalizimin e të dyshuarit.

  • KQZ-ja pa përditësim që nga 12 shkurti, çfarë po ndodh me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare

    KQZ-ja pa përditësim që nga 12 shkurti, çfarë po ndodh me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare

    Tashmë kanë kaluar pesë ditë që nga dita e zgjedhjeve në Kosovë. Pasi përfundoi ky proces, u mendua se për pak kohë merr fund gjithçka. Por, që nga ajo ditë e deri më sot në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk u përmbyll procesi dhe publikimi i rezultateve finale nga numërimi i votave nëpër komunat e Kosovës.

    Hera e fundit kur u rifreskuan të dhënat në këtë faqe ishte para dy ditësh, më 12 shkurt.

    Asgjë më nuk ka lëvizur, derisa përqindja e numërimit të votave mbetet e njëjtë. 99.72 përqind.

    Rënia e serverit dhe e ueb-faqes zyrtare të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë, telashet me blerjen e kamerave dhe mostrajnimi i duhur i stafit, janë vetëm disa prej problemeve që kanë dalë gjatë rrugës, të cilat, siç thonë disa, ia kanë zbehur besueshmërinë gjithë procesit.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka kërkuar nga KQZ-ja marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale.

    Vetë KQZ-ja ka thënë më 12 shkurt se i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për të ofruar mbështetje teknike, teksa ka siguruar se, pavarësisht gjithë kësaj situate, integriteti i votës nuk është cenuar dhe se rezultatet do të jenë të sakta.

  • Edhe një muaj paraburgim për Naser Hafizin

    Edhe një muaj paraburgim për Naser Hafizin

    Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj Naser Hafizit, ushtrues i detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

    Hafizi dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lajmin për vazhdimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës PPS.nr.84/2024 e datës 05.02.2025 për vazhdimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, në çështjen penale kundër të pandehurit N.H., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 10.02.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N.H. iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj”, thuhet në përgjigje Gashit.

    Më 10 tetor 2024, Naser Hafizi, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL), ishte arrestuar në aeroportin e Prishtinës. Kjo pasi, Prokuroria Speciale, gjatë aksionit më 8 tetor kishte bërë të ditur se Hafizi nuk është gjetur në vendbanimin e tij.

    Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2024 kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit– zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje. Atij i është ndërprerë kjo masë.

    Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, borxhi që operatorët ekonomikë kishin ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) ishte afër 20 milionë euro. Mirëpo, Naser Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve.

    Në vendimin e Themelores për caktimin e paraburgimit, thuhet se ekziston dyshimi se Hafizi ka kryer veprat në cilësinë e zëvendësuesit të drejtorit të ARPL-së në MMPHI, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, udhëzimin administrativ Nr. 06/2021 për Strukturën e pagesave Ujore, si dhe ka anashkaluar raportin e Grupit Ministror, i cili ishte formuar për qëllim të përllogaritjes së borxheve të ambalazhuesve ndaj ARPL-së.

    Aty thuhet se raporti në fjalë tregonte se vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga operatorët ekonomikë është 19,297,447.67 euro, ndërsa i pandehuri pa bazë ligjore ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve të paligjshme për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve ekonomikë, me qëllim të përfitimit për veten ose për persona të tjerë në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.

    Tutje, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naser Hafizi duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktiviteti i paligjshëm dhe është e fituar me kryerjen e veprës penale, me qëllim të fshehjes së burimit të vërtetë të pasurisë, të hollat- paratë kesh i ka futur në sistemin bankar me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme.

    Në anën tjetër, thuhet se Hafizi në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, por që nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara. Përkatësisht, për vitin 2020 nuk ka deklaruar banesën në rrugën “Bill Klinton”, edhe që më 2022 kishte blerë një banesë tjetër në Fushë-Kosovë dhe nuk e ka deklaruar një banesë që e kishte blerë më 2023, e që e kishte obligim ta deklarojë më 2024.

  • I vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj tjerë të dyshuarit për manipulim me prova në rastin e vrasjes në Aktash

    I vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj tjerë të dyshuarit për manipulim me prova në rastin e vrasjes në Aktash

    Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit Vesel Bunjakut, i dyshuar për manipulim me prova në rastin e vrasjes që ndodhi më 1 shtator 2024 në lagjen “Aktash” në Prishtinë.

    Këtë e konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.B., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 10.02.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PTHP-në, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit V.B. iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigje.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, ekziston dyshimi i arsyeshëm se më 1 shtator 2024, sipas orës së kamerave 21:42:16, e cila ka dallim me kohën reale, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimit me prova, i pandehuri Vesel Bunjaku merr dy armë të cilat dyshohet se njëra është e të pandehurit Salih Sekiraqa dhe tjetra e të pandehurit Fatos Abazi.

    Më tej, në kërkesën e Prokurorisë thuhet se i pandehuri Bunjaku shkon në tarracën e lokalit në drejtim të banakut, ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal sipas kohës së kamerave 21:42:36, ku në duar nuk ka më asgjë.

    Me këtë, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, par.1 të Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilat armë janë përdorë si mjete për kryerjen e veprave penale.

    Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

    Ndryshe për vrasjen e ndodhur në lagjen Aktash në Prishtinë nën masën e paraburgimit gjenden edhe Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi, të dyshuar për rastin e vrasjes së Premtim Gashit.

  • Zjarri në diskotekën ‘Gate’, Policia nis hetimin për të zbuluar motivin dhe rrethanat e rastit

    Zjarri në diskotekën ‘Gate’, Policia nis hetimin për të zbuluar motivin dhe rrethanat e rastit

    Një zjarr i madh ka përfshirë objektin e diskotekës ‘Gate Club’ në orët e para të mëngjesit. Shkaqet e incidentit akoma s’dihen, por zjarrfikësit bashkë me njësitë përkatëse kanë intervenuar dhe ndodhen në vendin e ngjarjes.

    Sinjali raportoi se dëmet janë të mëdha, ndërsa tashmë rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.

    Policia ka njoftuar se në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e rastit.

    “Rreth orës 05:15, është pranuar informata se në rrugën “Epiri” në Prishtinë, një lokal është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit.

    Deri më tani nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale.

    Zjarri ka prekur edhe një objekt në afërsi të objektit që po digjej, ndërkaq për shkaqe sigurie janë larguar disa automjete përreth vendit të ngjarjes.

    Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.”

     

  • Incident në Ferizaj: Theret me thikë një person, pëson lëndime të rënda

    Incident në Ferizaj: Theret me thikë një person, pëson lëndime të rënda

    Një incident i përcjellur me armë të ftohtë ka ndodhur pasditen e djeshme në Ferizaj, ku për pasojë një person ka mbetur i plagosur, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas informacioneve të para, personi që u lëndua nga sulmi me thikë, ka pranuar edhe ndihmë mjekësore.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar prezencën e të dyshuarit.

    Rasti është cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërkaq hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes tashmë kanë filluar.

  • Një grua gjendet e vdekur në banesën e saj

    Një grua gjendet e vdekur në banesën e saj

    Një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj në Suharekë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, si dhe emergjenca, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Rasti është raportuar dje pasdite dhe sipas mjekut trupi i pajetë nuk ka shenja të dhunës, dyshohet se vdekja ishte natyrore.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Kallas: Do të përpiqemi ta bëjmë funksional dialogun Kosovë-Serbi

    Kallas: Do të përpiqemi ta bëjmë funksional dialogun Kosovë-Serbi

    Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka thënë të enjten se është duke dëgjuar kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo paralajmëroi se do ta shqyrtojë mundësinë, së bashku me të dërguarin e ri për dialogun, Peter Sorensen, për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.

    “Sapo kemi emëruar një përfaqësues të posaçëm për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe, unë do të ulem me të në mars, për të parë se si do të vazhdojmë me këtë”, tha Kallas në një bisedë të përbashkët me grupin “Redaksia Evropiane”, ku bëjnë pjesë rreth 20 agjenci evropiane të lajmeve.

    “Unë vërtet dua të shikoj se si mund ta bëjmë këtë funksional. E kam adresuar këtë edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë. Dhe, ai më ka thënë se është i gatshëm vërtet të investojnë kohë në normalizimin”, tha Kallas.

    Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.

    Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të të dërguarit të kaluar të bllokut, Mirosllav Lajçakut, në fillim të vitit 2023 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku, i cili i ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.

    Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia.

    Pasardhësi i tij, Peter Sorensen nga Danimarka, e nisi zyrtarisht punën më 1 shkurt.

    Nuk është e qartë se kur mund ta mbajë takimin e parë Sorensen në kuadër të dialogut, duke qenë se Kosova mbajti zgjedhje më 9 shkurt dhe pritet ta formojë qeverinë e re, ndërsa Serbia përballet me paqartësi politike pas dorëheqjes së kryeministrit.

    Kallas tha se po pret derisa Kosova të formojë qeveri të re, për të “parë se si të vazhdojmë tutje”.

    Sorensen, për dallim nga paraardhësi i tij, do të merret vetëm me dialogun ndërmjet dy vendeve fqinje, e jo edhe me çështje rajonale të Ballkanit.

    Emërimi i Sorensenit është parë si pozitiv, duke qenë se 57-vjeçari e njeh rajonin. Diplomat prej shumë vitesh, ai ishte angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.

    Sipas njohësve të politikës, ai nuk ka nevojë që të informohet paraprakisht për njerëzit apo faktet historike të rajonit, sepse tashmë ka pasur mundësinë ta krijojë një pasqyrë nga afër.

    Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog.

    Kallas e përsëriti të enjten se normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore është e nevojshme për Kosovën dhe Serbinë për të ecur përpara.

    “Nëse ato mendojnë se mund të lëvizin në rrugëtimin evropian pa normalizimin e marrëdhënieve, atëherë unë mendoj se një gjë e tillë nuk është e mundur”, tha ajo.

  • Osmani në Konferencën e Sigurisë në Mynih – çka pritet të ndodhë?

    Osmani në Konferencën e Sigurisë në Mynih – çka pritet të ndodhë?

    Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC), një nga forumet më prestigjioze globale për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.

    Gjatë qëndrimit të saj në Mynih, Osmani do të zhvillojë takime me liderë botërorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të rëndësishme të politikës globale, me fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    Përveç takimeve bilaterale, Osmani do të marrë pjesë edhe në panele diskutimi që organizohen përgjatë konferencës.

    Ndryshe, këtë fundjavë, e gjithë vëmendja do të jetë e drejtuar nga jugu i Gjermanisë, ku liderët botërorë do të mblidhen në hotelin Bayerischer Hof për Konferencën treditore të Sigurisë në Munih.

    Dhe përderisa do të ketë bollëk deklaratash zyrtare dhe diskutimesh në nivele të larta, ato që cilësohen si bisedimet më të rëndësishme – për të ardhmen e Ukrainës – do të zhvillohen në prapaskenë.

    Shumë nga diskutimet e ditëve të fundit lidhur me konferencën janë përqendruar tek ajo se a do ta paraqesë një plan paqeje të shumëpritur i dërguari i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg.

    Kellogg i tha agjencisë AP se Shtëpia e Bardhë po merret me detajet e çdo negociate të mundshme.

    “Kur të kthehemi nga Munihu, duam t’ia dorëzojmë presidentit opsionet, në mënyrë që kur ai të përfshihet drejtpërdrejt në procesin e paqes, ta dijë se si do të duket kjo gjë për të”, tha Kellogg.

    Përtej Ukrainës, shumë liderë në Munih do ta kenë vëmendjen e tyre në Gazë, pasi afati për lirimin e pengjeve izraelite nga Hamasi përfundon në mesditën e 15 shkurtit – pikërisht në mes të konferencës.

    Trumpi ka paralajmëruar më parë se “të gjitha opsionet janë të hapura dhe le të shpërthejë ferri” nëse ato nuk lirohen.

  • Hamasi thotë se do të lirojë më shumë pengje siç ishte planifikuar

    Hamasi thotë se do të lirojë më shumë pengje siç ishte planifikuar

    Hamasi tha të enjten se do të lironte grupin e ardhshëm të pengjeve izraelitë siç ishte planifikuar, duke hapur rrugën drejt zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje të madhe që kërcënonte armëpushimin në Rripin e Gazës.

    Grupi militant tha se ndërmjetësit egjiptianë dhe tw Katarit kanë pohuar se do të punojnë për të “hequr të gjitha pengesat” dhe se do të zbatojë marrëveshjen e armëpushimit.

    Deklarata tregonte se tre pengje të tjerë izraelitë do të liroheshin të shtunën. Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Izraeli mbi njoftimin e Hamasit, raporton Associated Press.

    Lëvizja e Hamasit duhet të lejojë që armëpushimi në Rripin e Gazës të vazhdojë për momentin, por e ardhmja e tij mbetet në dyshim.

    Hamasi kishte kërcënuar se do të vononte lirimin e radhës të pengjeve izraelitë, duke e akuzuar Izraelin për dështimin e përmbushjes së detyrimeve të tij për të lejuar hyrjen në tenda dhe strehimore, mes shkeljeve të tjera të supozuara të armëpushimit. Izraeli, me mbështetjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kishte kërcënuar se do të rinovonte ofensivën nëse pengjet nuk liroheshin.