ATV

Author: G.O.

  • Haradinaj për Pavarësi: Ta mbrojmë e forcojmë lirinë që u fitua me gjakun e më të mirëve të kombit

    Haradinaj për Pavarësi: Ta mbrojmë e forcojmë lirinë që u fitua me gjakun e më të mirëve të kombit

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka uruar Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

    Haradinaj tha se në këtë ditë, përkulet me nderim të thellë në Prekaz, para varrezave të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes heroike.

    “Kjo ditë na kujton përpjekjet për liri të brezave, bashkëluftëtarët e rënë, e na përkujton se edhe ëndrrat më të mëdha bëhen realitet kur je i vendosur dhe në të drejtën e Zotit. Ta mbrojmë e forcojmë këtë liri që u fitua me gjakun e më të mirëve të kombit.

    Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!

    Gëzuar dita e Pavarësisë – ka shkruar Haradinaj.

  • Abdixhiku: Le të kujtojmë se dashurinë për pavarësi dhe shtet s’mund ta zhbëjë përplasja jonë e brendshme

    Abdixhiku: Le të kujtojmë se dashurinë për pavarësi dhe shtet s’mund ta zhbëjë përplasja jonë e brendshme

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka uruar Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke u shprehur se kjo ditë është arritja më e madhe dhe shpagimi i përpjekjeve të gjeneratave të tëra për liri e pavarësi.

    Abdixhiku ka përmendur presidentin historik Ibrahim Rugova, familjen Jashari, UÇK-në dhe të gjithë ata që luftuan për këtë paqe, transmeton Sinjali.

    Postimi i plotë:

    Të dashur qytetarë,

    Kosova shtet, Republikë, është arritja më e madhe e jona. Është shpagim i përpjekjes së gjeneratave të tëra për çlirim e pavarësim; është mburojë e garantuar për të gjithë ata që vijnë.

    Në këtë ditë nderojmë Atin Themeltar të kësaj Republike, Presidentitn Dr. Ibrahim Rugova prirja e së cilit – në orët tona më të rënda – dha dritë. Sot nderojmë gjithë luftëtarët, martirët e dëshmorët e luftës sonë çlirimtare, të Ushtrisë sonë Çlirimtare, nderojmë Familjen Jashari, sakrifica e të cilëve na qëndron si gurëthemel i vet lirisë. Nderojmë aleatët tanë, ata që bënë luftën me ne, bënë paqen me ne!

    Në këtë përvjetor të 17-të, le të kujtojmë se dashurinë për pavarësi e shtet s’mund ta zhbëjë përplasja jonë e brendshme. Përplasja është e përkohshme, atdheu ynë është i përhershëm. Ky atdhe na thërret të vazhdojmë rrugëtimin secilën ditë!

    Sot, festojmë të gjithë!

    Veç një Kosovë kemi.

    Urime dita e pavarësisë!

  • Grenell: Ky përvjetor i pavarësisë i errësuar nga padrejtësia e rëndë që po i bëhet Thaçit, duhej ta festonte në Prishtinë

    Grenell: Ky përvjetor i pavarësisë i errësuar nga padrejtësia e rëndë që po i bëhet Thaçit, duhej ta festonte në Prishtinë

    I dërguari presidencial i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për misione speciale, Richard Grenell ua ka uruar kosovarëve 17-vjetorin e pavarësisë.

    Ai kujtoi në një postim në Facebook “padrejtësinë e rëndë” që tha se po i bëhet “atit themelues të shtetit të Kosovës”, Hashim Thaçit.

    “Megjithatë, ky përvjetor është i errësuar nga një padrejtësi e rëndë. Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, duhet ta festonte sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë”, shkroi Grenell.

    Ai shkroi se “europianët kanë dështuar të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në 5 vitet e fundit”.

    “Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie – për shkak të politikës”, shtoi Grenell.

    Zyrtari i lartë amerikan tha se “kjo burgosje e padrejtë duhet të marrë fund” ndërsa postimin e mbylli me një “#Jack Smith”, emrin e prokurorit i cili i akuzoi ish-krerët e UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

  • Liderët evropianë mblidhen në takim urgjent për Ukrainën

    Liderët evropianë mblidhen në takim urgjent për Ukrainën

    Udhëheqësit evropianë mblidhen sot në një takim urgjent për të diskutuar luftën trevjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.

    Takimi në Paris vjen në përgjigje të shqetësimeve se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do ta negociojnë vetë fundin e luftës, duke lënë mënjanë Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë.

    Udhëheqësit evropianë pritet të prezantojnë një front të bashkuar dhe të diskutojnë propozime të reja për mbështetjen e Ukrainës dhe forcimin e sigurisë evropiane.

    “Duket se është një grup i vendeve të BE-së që e kanë të qartë se nuk do të jenë pjesë e një marrëveshjeje të projektuar keq dhe të nxituar nga [presidenti amerikan, Donald] Trump, dhe që janë të përqendruara në vazhdimin e mbështetjes së tyre për Ukrainën”, thotë Majda Ruge, bashkëpunëtore e lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me qendër në Berlin.

    Shqetësimet në Evropë u rritën pasi Keith Kellogg, i dërguari i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, tha më 15 shkurt se Evropa nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në bisedimet e paqes.

    Në të njëjtën ditë u bë e ditur se zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen këtë javë në Arabinë Saudite, për të filluar bisedimet për përfundimin e luftës – pa vetë Ukrainën.

    Megjithatë, Trump tha më 16 shkurt se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, “do të përfshihet” në bisedimet për paqe.

    Vetëm disa ditë më parë, ndërkaq, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se Uashingtoni nuk është më “i fokusuar në radhë të parë” në sigurinë e Evropës.

    Këto deklarata shkaktuan alarm dhe bënë që liderët evropianë të kërkojnë përgjigje ndaj asaj që e shohin si qasje të njëanshme të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Zyrtarët evropianë paralajmëruan se një marrëveshje paqeje ose armëpushimi e dakorduar me nxitim, do të minonte Ukrainën dhe sigurinë më të gjerë evropiane.

    Evropa është mbështetësja më e madhe financiare e Ukrainës.

    Me përjashtim të Hungarisë dhe Sllovakisë, vendi në luftë ka përkrahje të gjerë në kontinent./REL

  • Aktivitetet për Ditën e Pavarësisë, Policia thotë se do të këtë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në disa rrugë

    Aktivitetet për Ditën e Pavarësisë, Policia thotë se do të këtë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në disa rrugë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë, aktiviteteve në shesh dhe vizitave të personaliteteve të ndryshme në Republikën e Kosovës, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike.

    Sot dhe nesër, Kosovë do të qëndrojë për vizitë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me një delegacion shoqërues, me ç’rast Policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut.

    “…Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj kërkojmë mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.”

    Begaj viziton sot Kosovën, Policia njofton se do të ketë bllokim të përkohshëm të rrugëve

  • Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë uron 17-vjetorin e Pavarësisë

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë uron 17-vjetorin e Pavarësisë

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka uruar Pavarësinë e Kosovës duke thënë se marrëdhënia midis dy vendeve është dëshmi e lidhjes së fortë mes kombeve.

    Në mesazhin e urimit, Rohde ka thënë se Kosova përgjatë këtyre 17 vjetëve ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në demokraci, ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

    Ai ka shtuar se Gjermania mbështetë rrugëtimin e Kosovës dhe vazhdon të punojë krah saj.

    “Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm një simbol, por një realitet i gjallë i demonstruar nga ngritja e institucioneve të forta shtetërore dhe progresi i bërë që atëherë”, ka thënë Rohde.

  • Begaj viziton sot Kosovën, Policia njofton se do të ketë bllokim të përkohshëm të rrugëve

    Begaj viziton sot Kosovën, Policia njofton se do të ketë bllokim të përkohshëm të rrugëve

    Me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të jetë për vizitë në Kosovë.

    Policia ka njoftuar se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë gjatë kohës së lëvizjes së eskortës, dhe do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa rrugë të caktuara.

    Njoftimi i plotë:

    Prishtinë, më 17 shkurt 2025

    Më datë 17-18 shkurt 2025, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z Bajram BEGAJ, së bashku me një delegacion shoqërues.

    Policia e Kosovës, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

    Gjithashtu me rastin e shënimit Ditës së Pavarësisë, aktiviteteve në shesh dhe vizitave të personaliteteve të ndryshme në Republikën e Kosovës, për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj kërkojmë mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

  • Rama uron Kosovën: Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë

    Rama uron Kosovën: Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka uruar Republikën e Kosovës për 17-vjetorin e Pavarësisë.

    Përmes një postimi në Facebook, me një foto të flamurit të Kosovës, Rama uroi mbarësi gjithmonë.

    “MIRËMËNGJES KOSOVË 🦅

    Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë”.

  • Sejdiu uron 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kërkon kujdes të shtuar në raport me qëndrimet shtetërore ndaj arenës ndërkombëtare

    Sejdiu uron 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kërkon kujdes të shtuar në raport me qëndrimet shtetërore ndaj arenës ndërkombëtare

    Ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, ka uruar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke thënë se vendi ka arritur të përmbushë ambicien për shtet të lirë.

    “Kosova është një përmbushje e ambicieve, e dashurisë apo vullnetit për të mbërritë për t’u demonstruar si shtet i lirë”, ka thënë ai.

    Sejdiu ka kërkuar kujdes të shtuar në raport me qëndrimet shtetërore ndaj arenës ndërkombëtare.

    “Në dialog të reflektojë interesi i cili kapërcen kufijtë partiak. Nëse një elitë politike kornizohet me kufijtë partiak, është e rrezikshme nëse lihet pjesa tjetër anash, jo për vota por për çështje zhvillimi”, ka thënë Sejdiu, i cili në 2008 ka qenë president në kohën kur Kosova shpalli pavarësinë.

  • Kurti uron Ditën e Pavarësisë: Republika jonë sot është më e fortë e më vitale se kurrë më parë

    Kurti uron Ditën e Pavarësisë: Republika jonë sot është më e fortë e më vitale se kurrë më parë

    Qeveria e Kosovës, me rastin e shënimit të shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë, ka mbajtur mbledhje festive.

    Kryeministri Kurti hapi dhe mbylli këtë mbledhje, duke uruar ditën e Pavarësisë, me ç’rast tha se Republika e Kosovës kurrë s’ka qenë më e fortë.

    Ai tha se kujton me krenari rrugëtimin e gjatë për liri dhe pavarësi, si dhe ata që sakrifikuan e u flijuan.

    “Urime 17 vjetori i Pavarësisë. Teksa festojmë, kujtojmë me krenari rrugëtimin e gjatë të lirisë e pavarësisë. Kujtojmë të gjithë ata që u sakrifikuan e u flijuan për lirinë tonë, nga heronjtë,  dëshmorët e martirët, te veteranët e UÇK-së, te veprimtarët e mbarë qytetarët që qëndruan të palëkundur përballë sfidave, të gjithëve iu jemi mirënjohës për përkushtimin dhe kontributin e tyte. Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci, e cila mundëson që të dëgjohet zëri i popullit. E demokracisë kërkon institucione të forta. Republika jonë sot është më e fortë e më vitale se kurrë më parë” – tha Kurti.