ATV

Author: G.O.

  • Komunat ende nuk janë kompensuar nga qeveria për dëmet e shkaktuara nga vërshimet gjatë viteve 2023-2024

    Komunat ende nuk janë kompensuar nga qeveria për dëmet e shkaktuara nga vërshimet gjatë viteve 2023-2024

    PËRGATITI: BESMIRE KLUNA

    Rreth 1 milionë e 200 mijë euro është dëmi i shkaktuar nga vërshimet e vitit 2024, në Komunën e Dragashit.

    Megjithatë pavarësisht se nga vendi i ngjarjes në atë kohë kryeministri Albin Kurti u premtoi mbështetje, deri më tani sipas kryetarit të Dragashit, qeveria nuk i kompensoi dëmet.

    ‘’Kam kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të fusin në rend dite çështjen e kompensimit të dëmeve për Komunën e Dragashit por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk kemi kompensim të asnjë dëmi as të një personi që ka pësuar dëme të vitit të kaluar’’, deklaroi kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini.

    Derisa Dragashi nuk u kompensua për vitin 2024, Rahoveci ende nuk ka marrë mbështetje nga ekzekutivi për dëmet nga vërshimet e vitit 2023.

    ‘’Nuk jemi kompenzuar nga Qeveria e Kosovës përkundër faktit që kemi pasur dëme në bujqësi, vlera e dëmeve në bujqësi 602.659 mijë euro dhe në ekonomi familjare 14.355 mijë euro. Ndërkaq për dëmet e vitit 2024 që janë diku rreth 100.000 mijë euro’’, tha Smajl Latifi, kryetar i komunës së Rahovecit.

    Nga Asociacioni i Komunave kërkojnë që Qeveria sa më parë t’i shpërndajë mjetet buxhetore për komunat që pësuan dëme të mëdha.

    ‘’Duke marrë parasysh se niveli qendror është treguar neglizhentë në këtë çështje, ne si asociacion kemi bërë thirrje që niveli qendror të ja lejojë komunave të kenë një buxhet që specifik për ti përkrahur për dëmet të cilat shkaktohen nga fenomenet natyrore’’, u shpreh Sazan Ibrahimi, kryetar i AKK-së.

    Mirëpo nga Qeveria thonë se disa nga komunat nuk o kompensuan, pasi që nuk i dorëzuan dosjet e kompletuara konform kërkesat.

    ‘’Komisioni është duke i trajtuar të gjitha lëndët një nga një me ç’rast janë evidentuar një mori mungesash në kompletimin e dokumentacionit. Me qëllim që të procedohen sa më shpejt, jemi në kontakt me zyrtarët komunalë që të kompletohen lëndët për trajtim dhe vendosje përfundimtare në Qeveri, ku Qeveria pastaj bazuar në raportin e Komisionit miraton buxhetin për kompensim’’, u përgjigj Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.

    Komuna e Pejës nuk është kompensuar fare për dëmet, ndërkaq, komuna e Skenderajt dhe ajo e Klinës është kompensuar pjesërisht vetëm në ekonomi familjare por jo edhe bizneset.

  • Kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës, ekonomistët thonë se do jetë goditje për qytetarët

    Kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës, ekonomistët thonë se do jetë goditje për qytetarët

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Nga muaji i ardhshëm qytetarët mund të paguajnë për rreth 15% më shtrenjtë për tarifat e energjisë elektrike.

    Këtë ngritje të çmimit e ka propozuar Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike, e cila erdhi pas kërkesës së kompanive të sektorit të energjisë.

    Të arsyeshme shtrenjtimin e çmimit të rrymës nuk e vlerëson ish-drejtori i bordit të KEK-ut, Izet Ibrahimi.

    “Asnjëherë nuk i raportojnë statistikat si ASK po gjithmonë e promovojnë që është rrit konsumi. Bllok tarifat kur i kanë vendos kanë dhënë për me ul konsumin. Bllok tarifat përveç që e ka rrit shportën por edhe faturën njëjtën kohë e ka rrit edhe konsumin.”, tha Ibrahimi.

    Në rast se përqindja aprovohet, ekonomistët thonë se do jetë goditje për qytetarët e veçanti bizneset.

    Tarifat e reja të rrymës u kundërshtuan edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e cila kërkoi ndërhyrjen e qeverisë me arsyetimin se rritja e çmimit të rrymës ka ndikuar vetëm negativisht.

    ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

    Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

  • Gjysma e afatit për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë tashmë ka përfunduar fare pak prej tyre e kryen këtë detyrim

    Gjysma e afatit për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë tashmë ka përfunduar fare pak prej tyre e kryen këtë detyrim

    PËRGATITI: SARA MULLIQI

    Gjysma e afatit për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë tashmë ka përfunduar fare pak prej tyre e kryen këtë detyrim.

    Vetëm 1,500 zyrtarë publikë nga rreth 11,000 sa janë të obliguar e kanë përfunduar këtë proces.

    “Deri tash kemi interesim të mirë, 1,500 nuk janë pak, por prapë si përqindje nuk është e mirë. E kemi tashmë edhe më shumë se dy javë për të kryer këtë obligim”, tha Yll Buleshkaj.

    Sipas Yll Buleshkajt nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, i tërë procesi i deklarimit të pasurisë konsiderohet të jetë i lehtë.

    “Nuk ka nevojë më të sjellet asnjë formular në Agjenci, nuk ka nevojë të printohet apo nënshkruhet, gjithçka kryhet në formë elektronike.”, shtoi tutje Buleshkaj.

    Megjithatë, njohës të fushës së drejtësisë vlerësojnë se nuk duhet pritur deri në përfundim të afatit për të kryer këtë proces.

    “ Do të ishte më mirë që deklarimi të kryhet së paku deri më datën 25 Mars për ti lënë hapësirë eventualisht kontrollit të gabimeve të mundshme teknike që mund të rrjedhin gjatë deklarimit të pasurisë dhe për t’iu lënë hapësirë përmirësimeve deri në përfundim të afatit”, tha avokati Emrush Kastrati.

    Afati për deklarimin e pasurisë mbyllet më 31 mars. Vitin e kaluar deklarimin e pasurisë e kishin kryer të gjithë zyrtarët publik ndonëse 96 prej tyre me disa ditë vonesë.

  • Të dhënat e 2023-ës, rreth 750 deponi ilegale të mbeturinave interte janë në gjithë Kosovën

    Të dhënat e 2023-ës, rreth 750 deponi ilegale të mbeturinave interte janë në gjithë Kosovën

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Edhe pse është pastruar herë pas here, kjo zonë e fshatit Ribar i Madh në Lipjan, është rikthyer në deponi ilegale mbeturinash.

    Lipjani prin në nivel vendi, me gjithsej 86 deponi të tilla, në bazë të të dhënave të 2023-ës të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit. Statistika më të reja nuk ka. Në gjithë Kosovën, në këtë periudhë janë identifikuar 746 sosh.

    Për numrin e deponive ilegale në komunën e Lipjanit, ne kërkuam të marrim përgjigje edhe nga autoritetet lokale. Megjithatë, në këtë komunë nuk qenë të qasshëm.

    Në këto hapësira vërehen kryesisht materiale ndërtimore dhe të amvisërisë.

    Komuna e Malishevës radhitej e dyta në listën e komunave me më së shumti deponi ilegale. Kryesisht këto deponi përbëhen nga mbeturinat që derivojnë nga ndërtimi dhe rrënimi.

    “Nuk mund të them se vijnë nga jashtë…janë kryesisht familjare. Insitucioni i komunës ka marrë masat e veta dhe ka arritur që gradualisht të eleminoj këto deponi. Operatori i përzgjedhur ka eleminuar edhe 112 deponi të tjera ilegale”, tha Valmir Gashi, zëdhënës në Komunën e Malishevës.

    Deponi ka edhe në zona urbane, edhe në ato rurale, si në fshatrat Drenoc e Tërpez. Madje edhe skaj lumit.

    Një Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Mjedisit, përcakton se deponitë e mbeturinave inerte apo atyre komunale, mundë të ndërtohen së paku 500 metra larg shtratit të lumit, apo brixheve të liqeve.

    Megjithatë, më 2023 pati rreth 1500 deponi ilegale më pak se në vitit 2018.

    Në janar, zyrtarisht ka hyrë në fuqi Strategjia për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave 2024-2035.

  • KQZ publikoi rezultatet e zgjedhjeve: VV 42.30%, PDK 20.95%, LDK 18.27%, AAK 7.06%

    KQZ publikoi rezultatet e zgjedhjeve: VV 42.30%, PDK 20.95%, LDK 18.27%, AAK 7.06%

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti doli partia fituese me 42.30% të votave apo 396,787 vota, duke siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u rendit e dyta me 20.95% të votave apo 196, 474 vota, duke siguruar 24 ulëse në Kuvend. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mori 18.27% të votave apo 171, 357 vota, duke siguruar 20 ulëse në Kuvend. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën (NISMA) arriti të marrë 7.06% të votave apo 66, 256 vota, duke siguruar 8 ulëse në Kuvend.

    Kryesuesi i KQZ-së ,Kreshnik Radoniqi, tha se vonesat në publikimin e rezultateve përfundimtare janë bërë për shkak të ndryshimeve ligjore dhe platformës elektronike të rezultateve. 

    “Vonesat për shpalljen e rezultateve përfundimtare janë për disa arsye. Një nga arsyet ka të bëjë me zbatimin e ndryshimeve të shumta ligjore, të cilat kanë shtuar detyra për KQZ-në. Arsyeja tjetër ndërlidhet drejtpërdrejt me platformën elektronike të rezultateve. Problemet me prezantimin e rezultateve preliminare për subjektet politike na kanë detyruar që të shtojmë kontrollin e aktiviteteve edhe në Qendra Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë”.

    “Pra, para publikimit të çdo rezultati ne është dashur që të bëjmë verifikimet tona duke i krahasuar statistikat me format e plotësuara gjatë numërimit dhe kjo sigurisht se ka marrë kohë deri në paraqitjen e rezultateve dhe ka zgjatur procesin. Pavarësisht këtyre problemeve, rezultatet që sot do t’i shpallim kanë ndjekur hapat e paraparë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe në aktet nënligjore, si dhe në kushtet e një transparence të plotë”, ka thënë ai.

    Radoniqi ka thënë se pas problemeve që janë shfaqur, KQZ ka ftuar institucionet kompetente për të sqaruar situatën dhe tashmë kjo është pjesë e hetimit që ato janë duke e zhvilluar.

    “Ne jemi të vetëdijshëm se problemet me publikimin e rezultateve, edhe pse ato ishin preliminare dhe pa ndonjë efekt juridik, krijojnë mosbesim në procesin zgjedhor, por si institucion kemi krijuar procedura dhe akte nënligjore që mbrojnë integritetin e procesit zgjedhor edhe në rrethana të tilla”.

    “Menjëherë pas problemeve që janë shfaqur, KQZ ka ftuar institucionet kompetente për të sqaruar situatën dhe tashmë kjo është pjesë e hetimit që ato janë duke e zhvilluar. Presim që këto institucione të dalin me gjetjet e tyre”, ka thënë ai.

    Vlen të theksohet se në Kuvendin e Kosovës, nga gjithsej 120 ulëse 20 janë të rezervuara për përfaqësuesit e komuniteteve pakicë. Kjo do të thotë se 100 ulëset e mbetura ndahen sipas rezultateve të partive politike shqiptare. Në këtë kontekst, LVV me 48 mandate, PDK me 24 dhe LDK me 20, përbëjnë shumicën e këtyre ulëseve. 

    Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 46.54%, një shifër kjo që tregon një interesim relativisht të ulët të qytetarëve për procesin zgjedhor.

  • Kordoni policor rrethon ndërtesën e Presidencës në Beograd

    Kordoni policor rrethon ndërtesën e Presidencës në Beograd

    Për një orë pritet të nisë protesta masive në Beograd, ku deri më tani raportohet se janë mbledhur dhjetëra mijëra persona.

    Ndërkohë, REL shkruan se kordoni policor ka rrethuar ndërtesën e Presidencës së Serbisë për të garantuar siguri.

    “Ejani se ju duam, ju jeni tanët” – raportohet se u kanë thënë disa qytetarë, zyrtarëve policorë.

    Ministria e Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur numrin e personave që gjatë natës kanë mirëpritur protestuesit në Beograd.

    Sipas njoftimi ka pasur edhe të arrestuar për prishje të rendit dhe të qetësisë.

    “Në pikun e organizimit në të gjitha lokacionet e qytetit, numri total i personave që janë mbledhur nga të gjitha pjesët e Serbisë dhe i atyre që i kanë mirëpritur në Beograd, ka qenë rreth 31.000, sipas vlerësimeve të policisë. Nuk ka pasur incidente të mëdha, dhe Ministria u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të vazhdojnë të protestojnë në mënyrë paqësore” – është thënë në deklaratë.

    Autoritet serbe kanë bërë me dije se do të bëjnë gjithçka për të ruajtur rendin, jetën dhe pronën publike.

    Nga dita e djeshme në Beograd kanë filluar të mblidhen mijëra studentë dhe njerëz të tjerë në për të demonstruar kundër qeverisë serbe dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
    Protesta ka të bëjë me vdekjen e 15 personave në stacionin e trenit në Novi Sad.

    Organizatorët kanë thënë se protesta e sotme pritet të jetë prej më të mëdhave që është organizuar ndonjëherë në Serbia.

  • Sot varrosen dy vajzat që humbën jetën në aksident trafiku në Ranillug

    Sot varrosen dy vajzat që humbën jetën në aksident trafiku në Ranillug

    Dy vajza kanë humbur jetën dje në një aksident trafiku në në aksin rrugor Domoroc- Hodonoc të komunës së Ranillugut dhe një tjetër mori lëndime. Fillimisht, policia njoftoi për vetaksident, por pas këqyrjes së kamerave dhe mbledhjes së provave të tjera, policia tha se kishte qenë një aksident mes veturës dhe një kamioni.

    Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi, do varrosen sot. Lajmi është konfirmuar nga familjarët e dy vajzave të ndjera.

    “Ju njoftojmë se varrimi i Arbnora Bashës bëhet sot ( 15 mars 2025,e shtunë) në ora 16:00 në varrezat e fshatit Hodonoc, ndërsa varrimi i Antiana Thaqit bêhet po ashtu sot ( 15 Mars 2025,e shtunë ) në ora 15:00 në fshatin Muçivërc.

  • ​Popullsia e Bullgarisë tkurret me 30 për qind

    ​Popullsia e Bullgarisë tkurret me 30 për qind

    Popullsia në Bullgari e cila arriti deri në 9 milionë në vitin 1985, ka qenë në rënie të vazhdueshme gjatë 40 viteve të fundit duke shkuar në 6.4 milionë për shkak të niveleve të ulëta të lindjeve dhe rritjes së emigracionit, ndërkohë që edhe përpjekjet e qeverisë për ta kthyer këtë trend kanë qenë të pasuksesshme.

    Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Statistikave Bullgare (NSI), popullsia në vend ishte 8.948.000 në vitin 1985, ndërkohë ajo është ulur me rreth 30 për qind dhe në vitin 2023 pësoi rënie në 6.445.000, shkruan Alsat.m.

    Sipas të dhënave të NSI, në vitin 2023 në vend kanë lindur 57 mijë foshnja dhe kanë humbur jetën 101 mijë persona. Fakti që vdekjet kanë qenë më të mëdha se lindjet në 25 vitet e fundit është shfaqur si faktori më efektiv në rënien e popullsisë së vendit.

    Përveç kësaj, migrimi nga Bullgaria drejt vendeve të tjera u përshpejtua pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE) në fillim të vitit 2007 dhe ka qenë faktor në humbjen e popullsisë në vitet e fundit.

    Megjithëse Bullgaria mori shumë masa për të reduktuar dhe rikthyer humbjen e popullsisë, ajo nuk mundi të arrinte rezultatin e dëshiruar.

    Në këtë kuadër në vitin 2012 nga qeveria u miratua “Strategjia Kombëtare e Përditësuar për Zhvillimin Demografik të Popullsisë” që mbulon periudhën 2012-2030.

    Në vitin 2019 u miratua strategjia e cila synon të rrisë përfshirjen e individëve të moshës 55-vjeç e lart në jetën aktive shoqërore, transmeton KosovaPress.

    Në vitet e fundit qeveria ka synuar të inkurajojë kthimin e emigrantëve dhe të zhvillojë politikat e industrializimit dhe strehimit duke shpërndarë më shumë burime në zonat rurale ku popullsia ka shënuar rënie.

    Bullgaria që nga vitet 1960 zbaton një sistem të mbështetjes shtetërore për familjet dhe fëmijët, por burimet që janë ndarë për këtë program janë të pamjaftueshme në krahasim me vendet e tjera të BE-së.

  • Shqiptari vret gruan dhe hidhet nga ballkoni, detaje nga ngjarja e rëndë në Selanik

    Shqiptari vret gruan dhe hidhet nga ballkoni, detaje nga ngjarja e rëndë në Selanik

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur Selanikun, ku një 53-vjeçar shqiptar ka vrarë bashkëshorten e tij, gjithashtu shqiptare, dhe më pas është hedhur nga ballkoni.

    Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15 të së mërkurës, më 12 mars.

    53-vjeçari ka sulmuar gruan e tij, 44-vjeçare, me një objekt të mprehtë, duke i shkaktuar plagë të shumta. Për shkak të plagëve të rënda, ajo ka humbur jetën në vendngjarje.

    Pas aktit të dhunës, burri është hedhur nga ballkoni i banesës. Ai ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në gjendje kritike në spitalin “Papanikolaou”, ku më vonë ka ndërruar jetë.

    Forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje pas disa minutash. Gjithashtu, në ndihmë ka ardhur ambulanca e shërbimit EKAB, e cila ka transportuar të lënduarin në spital.

    Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa dyshimet janë se ky akt i rëndë është pasojë e dhunës në familje./euronews.al

  • Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon nga Qeveria të mos lejojë rritjen e çmimit të rrymës

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon nga Qeveria të mos lejojë rritjen e çmimit të rrymës

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) tha se e ka pritur me shqetësim të madh, paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e çmimit të rrymës për 15%.

    Nga Qeveria e Kosovës, DHTIK ka kërkuar që të ndërhyjë dhe të mos e lejojë këtë rritje, duke thënë se do të ndikojë në ulje të prodhimit dhe të numrit të punëtorëve.

    “Rritja e serishme prej 15%, po ndodh vetëm dy vjet pasi një rritje e tillë ishte bërë nga ZRRE dhe pasojat e saj vazhdojnë të jenë të pranishme tek bizneset. Një ngritje e tillë e çmimit e bën sektorin privat në Kosovë më të pafavorshëm ndaj konkurrencës që vjen nga jashtë dhe kjo mund të përcillet me pasoja të tjera, siç janë: ulja e prodhimit dhe e numrit të punëtorëve”.

    DHTIK thotë se ky vendim konsiderohet se është bërë pa konsulta të duhura me bizneset dhe pa një analizë të duhur për pasojat që mund të sjellë kjo rritje tek prodhuesit vendës”.