ATV

Author: G.O.

  • Një delegacion i Shqipërisë erdhi në Skenderaj për ngushëllime për Haxhi Thaçin

    Një delegacion i Shqipërisë erdhi në Skenderaj për ngushëllime për Haxhi Thaçin

    Një delegacion institucional i Shqipërisë erdhi në Skenderaj për ngushëllime me rastin e vdekjes së Haxhi Thaçit, babait të ish- presidentit Hashim Thaçi.

    Këtë delegacion e përbëjnë kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali, ministri i Diasporës, Taulant Balla, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj, bashkëshortja e kryeminstrit Edi Rama, Linda Rama, ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramos Ruqi.

    LEXONI EDHE:

    Krasniqi nga Skenderaj: Mungesa e Thaçit, padrejtësi e madhe

  • Dalin datat e edicionit të sivjetmë të “Prizren Rock & Blues Music Festival”

    Dalin datat e edicionit të sivjetmë të “Prizren Rock & Blues Music Festival”

    Festivali Ndërkombëtar ‘Prizren Rock and Blues Music Festival’, i cili tashmë është gati për të nisur edicionin e 3-të do të mbahet nga data 11-13 korrik 2025.

    Festivali mëton që të ruajë elementet e përbashkëta të muzikës ‘rock and blues’, historisë, ndjenjës sublime të dashurisë dhe revoltës.

    Kujtojmë se në programin e edicionit të dytë kishte emra të dalluar, si Frank Gambale dhe All Star Band, pastaj “Dirty Loops”, “Metal de Facto”, Maya Band, Vlatko Stefanovski Trio Band, Samuli Federley, etj.

  • Avokat Gashi: Moslejimi i pjesëmarrjes së Thaçit në varrimin e babait, shkelje drastike e të drejtave njerëzore

    Avokat Gashi: Moslejimi i pjesëmarrjes së Thaçit në varrimin e babait, shkelje drastike e të drejtave njerëzore

    Avokati Tomë Gashi moslejimin e pjesëmarrjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi, në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi, e cilësoi si shkelje drastike të të drejtave të tij njerëzore.

    Ai rikujton se Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi në raste të kësaj natyre i ka lejuar të akuzuarit të vijnë në Kosovë.

    “Mendoj që Gjykata Speciale në mënyrë permanente i ka shkelur të drejtat humanitare, të drejtat njerëzore të Hashim Thaçit. Është e vërtetë që atij vetëm në kërkesën e katërt i është lejuar para pesë ditëve që ta vizitojë babanë e tij në spital, për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore dhe fatkeqëisht ai dje ka vdekur. Përveç kësaj, Gjykata tanimë është një informatë që nuk i ka lejuar që të vijë në varrimin e babait të tij. Dhe është shkelje përsëri drastike e të drejtave të tij humanitare, të drejtave njerëzore. Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi në rastet e caktuara kur kemi pasur ushtarë të UCK-së dhe kur ka pasur situata të njëjta apo të ngjashme i ka lejuar që të vijnë në Kosovë dhe të marrin pjesë në varrimin e anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre.

    Avokati Gashi mendon se aktakuza e dytë ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë mund të ketë ndikuar në moslejimin e pjesëmarrjes së tij në varrimin e babait.

    “Mendoj që arsyeja kryesore që gjykata ndoshta e ka pasur për të mos e lejuar Thaçin që të vijë sot në varrim mund të jetë aktakuza e dytë, e cila ka ndikim direkt në aktakuzën e parë. Aktakuza e dytë është për pengim të drejtësisë apo për tentim në ndikim të dëshmitarëve. Mund të jetë kjo arsyeja kryesore që ata kanë një frikë të themi, edhe pse besoj të pabazuar, që mund të ketë tentativa të ndikimit në dëshmitarë. Janë situata tepër të dhimbshme, kur një person që gjendet për më tepër se katër vjet në paraburgim në Hagë të mos i lejohet që të vijë në varrimin e babait të tij”, tha Gashi

    Ai konsideron se kjo situatë nuk është fare e arsyeshme, duke shtuar se ende nuk janë parë arsyet e Gjykatës Speciale që ardhja e Thaçit në varrimin e babait të tij mund të paraqes rrezik potencial për ndikim në dëshmitarë.

    “Mendoj që një përtej arsyeve që mund të jetë është që moslejimi i Thaçit që të vijë në varrimin e babait të tij është pranimi i fajësisë të disave që janë të bashkakuzuar në rastin e akuzës së dytë për Thaçin e që ka të bëjë sipas Gjykatës me pengim të drejtësisë”.

    Në lidhje me reagimin e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu që t’i kërkojë Gjykatës Speciale masa të menjëhershme që t’i mundësohet Hashim Thaçit pjesëmarrja në varrimin e  babait të tij, avokati Gashi e quan hap të mirëseardhur.

    “Pa marrë parasysh që Kosova, qeveria, parlamenti, avokati i popullit e askush, nuk ka kurrfarë ndikimi në punën e Gjykatës Speciale prapëseprapë është një kujdes minimal për pjesëtarët e UÇK-së që gjenden atje. Faktikisht duhet t‘ia bëjmë me dije që nuk mund t’i shkelin të drejtat njerëzore edhe në situatat të tilla tragjike, kur dikush humbet me të afërmit e tyre, babanë. Besoj se do të duhej Gjykata Speciale t’i ketë parasysh këto rrethana”, tha për EO avokati Tomë Gashi.

  • Krasniqi nga Skenderaj: Mungesa e Thaçit, padrejtësi e madhe

    Krasniqi nga Skenderaj: Mungesa e Thaçit, padrejtësi e madhe

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, së bashku me bashkëpartiakë, ka bërë homazhe pranë arkivolit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili ndërroi jetë më 16 mars.

    Gjatë homazheve, Krasniqi u shpreh se ndarja nga jeta e Haxhi Thaçit është një humbje e madhe, e cila bëhet edhe më e dhimbshme për shkak të mungesës së ish-presidentit Thaçi.

    Ai theksoi se mungesa e tij është një padrejtësi e madhe dhe një dhimbje e shtuar për familjen në këtë moment të rëndë.

    “Sot jam këtu bashkë me kolegë nga PDK, si dhe me qytetarë nga mbarë vendi, për të shprehur respektin tonë të fundit para përcjelljes në botën e amshueshme të Haxhi Thaçit, babait të presidentit Hashim Thaçi. Kjo është një humbje e rëndë, e cila bëhet edhe më e dhimbshme për shkak të mungesës së presidentit Thaçi, i cili nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Së paku në momentet e fundit, ai pati mundësinë ta shihte edhe një herë, por besoj se mungesa e tij sot këtu është krejtësisht e padrejtë, e paarsyeshme dhe e papranueshme.”

    Krasniqi vlerësoi figurën e Haxhi Thaçit si një prind të përkushtuar dhe një njeri me vlera të larta, duke shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen dhe të gjithë të afërmit.

  • Dyshime për implikim në një tender, bastisje në shtëpinë e kryeshefit të KRU “Gjakova”

    Dyshime për implikim në një tender, bastisje në shtëpinë e kryeshefit të KRU “Gjakova”

    Njësia Speciale është duke kryer bastisje në shtëpinë e kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi pas dyshimeve për implikim në një kurdisje të një tenderi të Ndërmarrjes.

    Një ditë më parë u raportua se ndaj Krasniqit është ngritur edhe kallëzim penal për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik lidhur me një tender të Ndërmarrjes.

    Në fillim të muajit në disa audio-incizime që u publikuam, dëgjohej kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, teksa flet për negocim Kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë Kompaninë për të nënshkruar Kontratën, për një tender për servisimin e veturave.

  • Tentim-grabitja në Veternik: Gjendja e të plagosurve e rëndë, po trajtohen në Intensivë

    Tentim-grabitja në Veternik: Gjendja e të plagosurve e rëndë, po trajtohen në Intensivë

    Dy personat e plagosur gjatë grabitjes së armatosur dje në Veternik, pjesëtari i sigurimit dhe njëri nga grabitësit, po trajtohen në Klinikën Intensive të QKUK-së.

    Ata mbetën të plagosur gjatë shkëmbimit me armë zjarri dhe si pasojë e plagëve, janë në gjendje të rëndë.

    Drejtori i Klinikës, Shaqir Uka tha se të plagosurit janë në gjumë me barna dhe të kyçur për aparatura mjekësore.

    “Dy pacientët e plagosur me armë zjarri pas ekzaminimeve dhe trajtimit kirurgjik në sallën operative e cila është kryer dje, janë sjellur për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në Qendrën e Mjekimit Intensiv Qendror ku po vazhdojnë të marrin trajtim edhe më tutje. Gjendja e përgjithshme e tyre vazhdon të jetë e rëndë. Ne jemi në fazën kur tentojmë ta bëjmë stabilizimin e tyre mjekësor të këtyre parametrave vitalë. Të dy qëndrojnë të fjetur me barna, të kyçur për aparatura mjekësore dhe po monitorohen 24 orë”, tha Uka.

  • 48 orë paraburgim për ish-ministrin Kreshnik Bekteshi dhe 13 të dyshuar tjerë për zjarrin në Koçan

    48 orë paraburgim për ish-ministrin Kreshnik Bekteshi dhe 13 të dyshuar tjerë për zjarrin në Koçan

    Gjykata në Koçan ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh për ish-ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish-drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut Goran Trajkovski dhe 12 persona të tjerë të dyshuar për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan.

    “Gjykata në Koçan pranoi kërkesën e prokurorisë për propozimin për caktimin e masës së paraburgimit afatshkurtër për të 14 të dyshuarit. I është shqiptuar masa e paraburgimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.

    Prokurori publik shtetëror, Ljupço Kocevski dje në një konferencë për media njoftoi se në lidhje me aksidentin në klubin e natës “Puls” në Koçanë, është duke u zhvilluar ndjekja urgjente e 14 të dyshuarve.

    Ai tha se dyshohet për “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” nga neni 292 i Kodit Penal me një dënim minimal prej tre vjetësh e i cili mund të jetë deri në 20 vjet. Njëkohësisht ai tha se po hetojnë aktet e marrjes dhe dhënies së ryshfetit, si dhe blerjen e paligjshme të mjeteve piroteknike, raporton 24.mk.

    “Lidhur me inspektimin, mund të them se të gjitha faktet dhe provat e rëndësishme relevante janë siguruar në vendngjarje dhe vijojnë analizat dhe ekspertizat shtesë nga zona përkatëse”, tha Kocevski, duke shtuar se gjatë këtyre javëve ekziston mundësia për fillimin e procedurës hetimore.

    Ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut Goran Trajkovski dhe një person tjetër janë sjellë në seancën në Gjykatën e Koçanit lidhur me tragjedinë e së dielës.

    Paraprakisht është marrë në pyetje edhe kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, i cili me njoftimin e Prokurorisë do të merret vendim për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë.

    “Kryetari do të merret në pyetje dhe ai do të japë shpjegime dhe informacione konkrete. Një deklaratë e tillë krahasohet me materialin dëshmues dhe me juridiksionin e komunave, pas së cilës do të vendoset për statusin e mëtutjeshëm të saj në procedurë”, njoftoi Prokuroria.

    Sipas hetimeve, diskoteka kishte rrjet hidranti dhe mjaft pajisje PP, përdoreshin në mënyrë të paligjshme materiale piroteknike, nuk kishte licencë të ligjshme për punë dhe nuk ishte lidhur asnjë marrëveshje me shkrim ndërmjet organizatorit dhe grupit interpretues.

  • ZPS-ja propozon që transkriptat e intervistave të tre dëshmitarëve të mbrojtur të jenë më pak të redaktuara në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    ZPS-ja propozon që transkriptat e intervistave të tre dëshmitarëve të mbrojtur të jenë më pak të redaktuara në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e përfaqësuar nga prokurorja Kimberly West ka propozuar që transkriptat e intervistave të tre dëshmitarëve të jenë më pak të redaktuara në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sipas njoftimit të 13 marsit 2025, transkriptat në fjalë kanë të bëjnë me dëshmitë e dëshmitarëve W04826, W04743 dhe W02714, të cilët kanë dëshmuar në seanca private, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Në përputhje me urdhrin gojor dhe pas marrjes së transkripteve zyrtare përkatëse, Zyra e Prokurorit të Specializuar (‘ZPS’) dërgoi ndërmjet palëve propozimet për transkripte më pak të redaktuara për të gjitha dëshmitë në seancat private të dëshmitarëve W04826, W04743 dhe W02714”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.

    Veç kësaj, aty thuhet se më 20 shkurt 2025, mbrojtësi i viktimave ra dakord me redaktimet e propozuara.

    Ndërsa, më 25 shkurt 2025 Zyra për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve ka rënë dakord me redaktimet, por ka propozuar redaktime shtesë për dëshminë e këtyre dëshmitarëve.

    Ndërsa, sipas njoftimit, ekipet mbrojtëse nuk i janë përgjigjur propozimit të ZPS-së.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep SelimitdheJakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Qëllohet me breshëri plumbash depoja farmaceutike në autostradën Tiranë-Durrës

    Qëllohet me breshëri plumbash depoja farmaceutike në autostradën Tiranë-Durrës

    Është qëlluar gjatë natës me breshëri plumbash kompania farmaceutike CFO Pharma, e cila ndodhet në autostradën Tiranë Durrës.

    Punonjësit e sigurisë e kanë raportuar ngjarjen në polici sot në orën 8:00 të mëngjesit dhe një grup hetimor ka shkuar në vendngjarje.

    Autorët dyshohet se kanë qëlluar nga një mjet në lëvizje dhe për identifikimin e tyre janë sekuestruar kamerat e sigurisë.

    “Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

    Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.”-njofton policia.

  • Nënshkruhet memorandum trilateral Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci

    Nënshkruhet memorandum trilateral Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci

    Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar sot marrëveshje trilaterale në fushën e mbrojtjes.

    Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë në Shqipëri nga tre ministrat e mbrojtjes, Pirro Vengu, Ejup Maqedonci e Ivan Anushiq.

    Kjo marrëveshje do të jetë e shtrirë në katër pika: Promovimi i bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes; Rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve; Kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë strategjike dhe Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.

    Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.

    “Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin, ne u tregojmë qe jemi së bashku dhe nuk do te lejojmë qe askush të destabilizoi rajonin. Rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshin tjetër, veçanërisht në aspektin e industrisë së mbrojtjes dhe shkëmbimit të personelit në aspektin e trajnimit e po ashtu mbështetjen e pa rezervë të dy vendeve për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, tha Maqedonci.

    Ai shtoi se ky angazhim i përbashkët mundëson edhe hap rrugë që edhe vendet tjera t’i bashkëngjiten kësaj përpjekje tonë të përbashkët për paqe, stabilitet e më shumë siguri.

    “Falënderoj ministrin e Shqipërisë dhe Kroacisë për ketë nisme, vlerësoj se kjo marrëveshje është e para trilaterale ne rajon. Edhe njëherë, kjo marrëveshje është Deklaratës, është mesazh për çdo vend i cili ka qellim destabilizimin, ne jemi bashke dhe presim qe te bashkohen edhe vende te tjera”, ka theksuar Maqedonci.

    Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu u shpreh se për një kohë të shkurtër kanë arritur të bëjnë shumë gjëra për tre shtetet.

    “Falënderoj për çdo gjë që kemi bërë deri tani së bashku dhe një kohë shumë të shkurtër kemi arritur të bëjmë shumë gjëra për tre shtetet tona. Shpresoj që deklarata jonë të zgjerohet edhe më shumë dhe të kemi rezultate”, tha Vengu./TELEGRAFI